FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME KOORDINATORËT POLITIKË TË PD
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof.Dr. Sali Berisha ka prezantuar sot para koordinatorëve politikë një dokument që dokumenton vjedhjen e zgjedhjeve në vendin tonë. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se, kulmi i batërdisë elektorale të Ramës ishte në vitin 2019 kur opozita nuk ishte pjesë e këtij procesi.
Berisha tha se, pas vitit 2013 Shqipëria nuk ka pasur në mënyrë absolute asnjë garë të vërtetë elektorale. Berisha gjatë takimit të zhvilluar ditën e sotme në selinë e PD u shpreh se, kulmi i batërdisë elektorale, apo farsës elektorale shqiptare të Edi Ramës, është shënuar në mënyrën më të paimagjinueshme në zgjedhjet pa garë të vitit 2019.
Berisha tha se, zgjedhjet që vidhen, nuk fitohen, por ne duhet që t’i themi demokratëve se votën e mbrojtëm. Berisha tha se, nëse zgjedhjet duhet të jenë të drejta, dhe të drejta janë vetëm kur ato janë të barabarta.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, kërcënimet ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani filluan sapo Balla u bë ministër i Brendshëm. Berisha tha se, si shpërblim, Edi Rama vendos më të inkriminuarin politikan pas tij, Taulant Ballën në krye të ministrisë së rendit.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, në bazë të përgjimeve të bisedave të EncroChat dhe SKY ECC, Taulant Balla shkon të paktën për 10 dosje, por tani ai u zgjodh dhe u vu nga Edi Rama në krye të krimit. U vu për të mbrojtur krimin.
Berisha tha se, tani fillon misioni më i vështirë për largimin e këtij regjimi që Shqipëria të shkojë në zgjedhje me qeveri teknike. Berisha tha se, me Edi Ramën, zgjedhje të lira nuk ka, me Edi Ramën opozitë nuk ka, nëse nuk e përmbysim.
Berisha tha se, në pushtet me forcë nuk vijmë kurrë, por me Edi Ramën zgjedhje nuk kemi. Ai tha se, zgjidhja është protesta e përgjithshme derisa të rrëzojmë këtë qeveri!
FJALA E PLOTË
Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht, dhe pas një periudhë pa diskutim të zgjatur të përpjekjes sonë shumë serioze do të thosha, për identifikimin e të gjitha problematikave të panumërta të procesit zgjedhor, përfundimit të një dokumenti shumë serioz, falë punës së shkëlqyer që kanë bërë degët në identifikimin e problemeve, drejtuesit e qarqeve, grupi i punës ka përfunduar dhe ditën e mërkurë ne paraqesim në publik këtë dokument në dy vëllime, i cili do të jetë shtyllë bazë e analizës suaj.
Analiza do ketë dy shtylla kryesore. Njëra është farsa zgjedhore 14 maj 2023. Tjetra është çfarë duhet bërë për përmirësimin maksimal të punës për eliminimin e dobësive të konstatuara gjatë fushatës elektorale në të gjithë strukturat tona dhe në tërësi do të regjistrohen, do të debatohen propozimet, mendimet, sugjerimet e anëtarësisë dhe drejtuesve lokalë për përmirësimin e punës sonë.
Për reformimin e mëtejshëm të PD, ridimensionimin e hapjes së saj dhe në tërësi funksionimin e saj.
Do ndalem te shtylla e parë.
Ne u premtuam shqiptarëve se do mbrojmë votën. dokumenti që ju do merrni, dëshmon punën më serioze që kjo parti ka bërë në ekzistencën e saj për të evidentuar dhe mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë.
Çfarë na duhet kjo? Unë mendoj se kjo ka një vlerë të jashtëzakonshme. Që kur ka ardhë Edi Rama në pushtet, por edhe më parë, në Shqipëri ka pasur debat për zgjedhjet. Por ky debat u kapërcye në vitin 2005, 2009, 2013, bazuar jo në pretendime absurde, por në dokumente ndërkombëtare.
Pas vitit 2013 gjer sot, Shqipëria nuk ka pasur në mënyrë absolute asnjë garë të vërtetë elektorale.
Por kulmi i batërdisë elektorale, apo farsës elektorale shqiptare të Edi Ramës, është shënuar në mënyrën më të paimagjinueshme në zgjedhjet pa garë të vitit 2019, ku ai nuk kishte asnjë rrezik, asnjë rival, ku ai kishte në dorë të kryente një proces zgjedhor ‘lega artis’. Por aty, ai realizoi procesin zgjedhor më të shëmtuar që ishte zhvilluar në Shqipëri nga viti 1991 deri në atë ditë, në mënyrën më të pabesueshme.
Dhe Audrey Glover, nxori një raport, bashki me ekipin e saj, do të thosha raportin më damkos në historinë e zgjedhjeve në Europë. Zgjedhje që u zhvilluan nga një njeri, ku nuk cenohej asnjë mandat falë marrëzisë së Peng Bashës, megjithatë Edi Rama tregoi se konsiderata e tij për zgjedhjet është zero. Se procesi zgjedhor është një farsë dhe ligji zgjedhor, siç është shprehur këtë herë, është një kinezëri.
Tani, dokumenti që ju merrni, është dokumenti më i plotë i hartuar ndonjëherë dhe dëshmon me faktet më flagrante dhunimin e këtij procesi në çdo hallkë.
Por ku jemi ne? Çfarë ndodh me shoqërinë shqiptare? Mund t’ua them se ndodh një fatalitet. Në ç’kuptim?
Sot, të majtë dhe të djathtë dhe të ndërmjetëm, që të gjithë po t’i pyesësh; Edi Rama i vjedh zgjedhjet. Por fatkeqësia e madhe është se në tërësi shprehen: ai i vjedh, po i fiton zgjedhjet.
Në mënyrë jashtëzakonisht me pasoja për vendin, ata nuk kuptojnë se me këtë mendim legjitimojnë mungesën e procesit zgjedhor dhe vjedhjen e zgjedhjeve.
Zgjedhjet që vidhen, nuk fitohen.
Prandaj them se kjo është shtyllë kryesore.
Unë për ty si qytetar që thua se Rama i fitoi këto zgjedhje, unë kam një pyetje që shtroj për ty: Si mund të thuash fitore, kur ai shumëzoi me zero, ligjin zgjedhor.
Çfarë garancie ka një proces zgjedhor, përveç ligjit zgjedhor? Kur qeveria e shumëzon me zero ligjon zgjedhor, kush e paguan faturën e kësaj? Të tjerët, që marrin pjesë në garë. Duhet të ftojmë çdo demokrat, çdo qytetar që të shtrojë pyetjen. Prandaj thashë është shtyllë kryesore kjo, jo për të justifikuar veten tonë, por nuk mund të pranojmë që vjedhjen ta bëjmë pjesë të moralit tonë politik. Kjo është e tmerrshme.
Të pyesim çdo qytetar, çfarë ndikimi kanë, sa vota i japin qeverisë 683 mijë zarfa me 50 mijë lekë për çdo pensionist? Të ndaluara me ligj këto. Sa vota kthejnë këto? Njeri ta thotë me saktësi, nuk ka. Por njeri që ta mohojë se ky zarf kthehet në votë në qindra e mijëra raste, këtë nuk ka njeri që mund ta mohojë. Që ka logjikën e shëndetshme. Dhe se po të mohosh këtë ti herën tjetër firmos vetë që ai të japë jo 50 mijë, por 100 mijë të rrijë në karrige.
Çdo qytetar që thotë se ky i vjedh, por i fiton zgjedhjet ti themi; mire po sa vota vodhi ky me rritjen e rrogave të 183 mijë votuesve? 183 mijë punonjës dhe 683 mijë pensionistë bëjnë 866 mijë votues të prekur me lek. Çfarë zgjedhje është kjo. Sa vota ti që më thua muaj se ai vjedh, por i fiton.
Ne duhet të ulemi me çdo qytetar. Nëse zgjedhjet duhet të jenë të drejta, të drejta janë vetëm kur janë të barabarta.
Atëherë të shndërrojmë pyetjen- se nuk po marrim të nëndheshmet, po marrim këto që janë në dritën e diellit. Të shtrojmë pyetjen sa vota është diferenca kur ti 12 kandidatëve të Lul Pengut u jep 1.2 milionë euro për fushatë, kandidatëve të tu u jep 4 milionë euro për fushatë, kurse 61 kandidatëve të forcës kryesore opozitare u jep zero financim nga paratë publike? A kthehet kjo në votë, po në gjithë kjo kthehet në votë.
Sa vota mori Lul Pengu duke marrë logon dhe voton e PD në mënyrën më banditeske? Por logon e kanë votuar mijëra vetë, se logoja është instinkti i votuesve.
Sa vota humbi forca kryesore opozitare kur emri i saj në kundërshtim me çdo ligj nuk u vendos në fletën e votimit. Sa vota humbi forca kryesore opozitare kur kryetari i koalicionit u caktua nga qeveria? Po marrim vetëm këto legalet, që janë antiligjore, por të bëra haptas.
Sa vota humbi forca kryesore opozitare kur në gjysmën e qendrave të numërimit në Shqipëri nuk kishte asnjë përfaqësues? Numratorë. Sa vota humbi kur në mijëra komisione pothuajse 1 apo asnjë, një raport që ka ekzistuar vetëm në vitin 2000.
Po pse ne duhet ta bëjmë këtë? Ne duhet ta bëjmë këtë me çdo demokrat, me çdo qytetar, për t’u thënë se ne votën e mbrojtëm, ja ku janë faktet. Dhe e dyta, se me këtë njeri nuk ka votime, por vetëm farsë.
Sa vota vodhi Edi Rama, duke regjistruar 13 mijë pensionistë pa kontribute shoqërore? Duke regjistruar 20 mijë persona në ndihmë ekonomike vetëm për qëllime elektorale? Duke firmosur me dhjetëra mijëra legalizime dhe leje ndërtimi në katër anët e Shqipërisë? Duke shpërndarë në zonat e dëmtuara nga tërmeti me dhjetëra milionë euro? Duke blerë haptas vota.
Vetëm në Peshkopi, në një rreth me aq sa ka banorë, Belinda Balluku ka marrë nga thesari dhe ka shpërndarë 400 mln lekë për personat me aftësi ndryshe. Ka rrezik të jenë futur në lista edhe mushkat e fshatit të Ulsi Manjës. Si mund të ndodhë kjo.
I dashur qytetar, po ti mbledhin këto së bashku, këto në mënyrë më absolute faktojnë si drita e diellit se Edi Rama nuk ka fituar, por ka vjedhur zgjedhjet.
Sa vota mori duke investuar me qindra milionë euro në asfalte, kanale, rrugë e rrugica e me radhë. Çdo gjë në kundërshtim me ligjin. Çdo gjë që po flasim në kundërshtim me ligjin. Sa vota siguroi ai me patronazhistë e tij, duke e përdorur administratën si polici terroriste politike të votës, në kundërshtim me ligjin. Sa vota mori ai me terrorin psikologjik që ushtroi mbi votuesit duke marrë të dhënat shtetërore dhe duke ja transferuar partisë së krimit.
Ne kërkojmë dy gjëra. Së pari, të dëshmojmë se ne, në një përpjekje të jashtëzakonshme kemi evidentuar, kemi regjistruar, fotografuar, të gjithë batërdinë e farsës elektorale të 14 majit.
Sa vota morën bandat? Më thoni ju mua, sa vota morën bandat? Shkodra në të gjitha pollet pa përjashtim dilte nga 3 në 18 pikë para. Por aty Bajrët, Gjoka dhe bandat e tjera, e vunë në qytetin në shtetrrethim, e vunë qytetitn në pushtim të egër. Ne i dokumentuam, i filmuam, i faktuam. Po kështu në Lezhë, po kështu në Laç, në Krujë, në Elbasan, Fier, Vlorë, kudo.
Unë nuk them me këtë që nuk ka pasur njerëz që votuan për PS-në, jo! Por them me bindjen absolute se kurrë këto zgjedhje nuk i ka fituar. Sikundër nuk i ka fituar zgjedhjet e vitit 2021. E kam thënë atëherë: Vota vdiq pa hyrë në kuti. Populli nuk e votoi Edi Ramën, populli votoi ndryshimin.
Tani që kanë ardhur të dhënat e EncroChat dhe të SKY ECC dhe telefonave të tjerë të kriptuar, tani ka dalë në pah i gjithë krimi monstruoz që është kryer në zgjedhje nga bandat kriminale për të marrë mandatet e vitit 2021.
Çka do të thotë se edhe ky parlament duhet të ikë sa më parë. Është parlament krimi. Është ngritur mbi krimin. Qytetarët duhet ta dinë se është jashtë imagjinatës së tyre lidhja e tmerrshme e krimit me Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Në këtë lidhje janë një, kryeministër dhe ministrat, gjykatës të lartë, prokurorë, hetues, drejtorë të lartë të policisë, një. Dhe si shpërblim, si garanci Edi Rama vendos më të inkriminuarin politikan në lidhje pas tij, Taulant Ballën në krye të ministrisë së rendit.
A e dini ju, se qytetarëve duhet t’ua themi. Se në bazë të këtyre bisedave, Taulant Balla shkon të paktën për 10 dosje. Minimumi 10 dosje. Dhe ai u zgjodh dhe u vu me qëllim nga Edi Rama në krye të krimit. U vu për të mbrojtur krimin.
Sa shkoi, çfarë bëri? E plaçkiti dhe e grabiti të gjithë sistemin TIMS. Ka vetë 54 udhëtime me Begon. Plus trafikantë të tjerë. Është Olsi Rama. Po se kujtoni ju se e çoi Edi Rama se e donte? Jo mo jo. Po e çoi pikërisht, se ky mund t’i kryejë operacionet.
Po Olsi Rama, sa është me atë Gjonajn e Hakmarrjes së Xibrakës? I ka në TIMS të gjitha. Dalja e tij jashtë kufirit me makinën e adoptuar për transportin e kokainës. Se këto duhet të zhduken. Se pushtetit i vjen fundi. I njoftoi Bajrët me shokë, gjysma 60% e tyre shpëtuan në operacionin ‘Metamorfoza’.
Tani çfarë ndodh? Kanë vu nën presion të tmerrshëm kriminal SKAP-in. Po kush e kërcënon Altin Dumanin? E kërcënojnë nuk ka disktuim, dhe e dënojnë me forcën më të madhe, çdo kërcënim ndaj çdo njeriu. Po si ndodhi sapo ky u bë ministër, filluan bandat ta kërcënojnë? Nuk ka diksutim! A pret kush që Dumani të hetojë Ballën kur ky i fut kriminelët në katër anët për t’i çuar mesazhe? Si ndodhi kjo?
Të gjitha ndodhin sepse u vu një njeri, përfaqësuesi më i shëmtuar i krimit të organizuar në krye të Ministrisë së Rendit. Po çfarë kemi ne me këtë analizë?
Ne kemi me këtë analizë një çështje shumë të rëndësishme. Nuk i fitoi zgjedhjet, i vodhi zgjedhjet.
I vodhi? Por ky tjerat do i vjedhë tri herë më shumë. Dhe çdo shqiptar që do zgjedhje duhet ta kuptojë që duhet të përballemi me të, nuk kem rruge tjetër. E kam thënë dhe e them, npushtet me forcë nuk vijmë kurrë, nuk bëjmë luftë guerrile ne, por me Edi Ramën ne zgjedhje nuk kemi.
Ndaj edhe kjo analizë që duhet ta bëjmë me çdo qytetar, që zgjidhja është protesta, protesta të përgjithshme derisa ta rrëzojmë këtë qeveri, me qëllimin e vetëm për të kthyer të drejtën e votës për shqiptarët. Për të rikthyer zbatimin e kodit zgjedhor. Për të zbatuar ato norma, ato rregulla që janë të domosdoshme për një proces zgjdhor të themi normal, larg të përsosur, por normal.
Nuk u ndala këtu në qindra miliona euro të shpërndara nga klanet e drogës për votës. Merrni ju partinë e Doshit, se nuk dimë sa ka shpërndarë Edi Rama, por më shumë se Doshi ka shpërndarë. Shumë herë, se është shumë më i pasur.
Doshit i rritet partia pa bërë asnjë ditë fushatë, vetëm një takim për të më sulmuar mua, i rritet partia 240%. E kuptoni ju?
Pra, unë them që qytetarëve ua kemi borxh këtë bisedë. Çdo demokrati ia kemi borxh. Çdo mbështetësi ua kemi borxh. Jo për të justifikuar kurrë dobësitë dhe të metat tona. Në asnjë mënyrë! Ama, për të qenë të vërtetë. Ne themi se ky zgjedhje nuk bën, por ne zgjedhje meritojmë. Të votojmë si vëllezërit tanë në Kosovë. Ne jemi njerëz siç votojnë fqinjët tanë. Siç votojnë vëllezërit tanë në Kosovë, kaq. Siç votojnë shqiptarët në Maqedoni, nuk po kërkojmë si në Gjermani, Francë apo Zvicër. Por, po kërkojmë si në Mal të Zi.
Jemi përpara një batërdie, përpara farse që kurrë një komb i qytetëruar nuk mund ta tolerojë më, ama ne duhet të kemi këtë diskur, dhe jo të themi se ai i vjedh, prandaj i fiton.
Po thamë kështu, atëherë le të themi dhe bravo i qoftë që i vjedh dhe na le pa votuar!
Shtylla e dytë, po kaq e rëndësishme të nderuar zzotërinj e zonja, është analiza e partisë. Do të ishte gabim i pafalshëm për ne, në qoftë se nuk do të evidentonim, siç evidentuam me ndershmëri dhe seriozitet të gjithë batërdinë elektorale që bënë.
A e dini ju që në Kamëz, e kanë përmbysur rezultatin me ato makinat e manipuluara. Një rezultat që nuk ka ekzistuar kurrë në historinë e atij qyteti, dhe shumë herë më tepër.
Po të njëjtën gjë bënë dhe në Elbasan, duke futur një njeri të votojë 70 herë, 50 herë. Në farsën elektorale Edi Rama numëroi të nxjerrë jashtë përdorimit të gjitha teknologjitë. I papërmbajtur, i çmendur për të marrë mandatet. Por siç bënë këtë punë, tani çdo demokrat, demokrate, çdo mbështetës dhe simpatizant i yni, ju në radhë të parë keni një përgjegjësi shumë të madhe për të shqyrtuar me strukturat drejtuese me seksionet, me grupseksionet, të gjitha mangësitë që ne patëm dhe si t’i përmirësojmë ato, si t’i korrigjojmë ato.
Çfarë mund të bënim ne më mirë, çfarë mund të parandalonim ne? Se absolutisht ka.
Unë them edhe njëherë se ai zgjedhjet i vodhi, por ne nuk e zgjidhim problemin me këtë, nëse ne nuk marrim në shqyrtim të gjithë problematikat dhe të angazhohohemi për ndryshimin, përmirësimin, të marrim vendimet përkatëse, në mënyrë që këto problematika të mos na dalin në zgjedhjet e ardhshme.
Demokratët janë të mërzitur dhe kanë të drejtë. Por duhet t’u siguroj për një gjë, Edi Rama zgjedhjet nuk i fitoi, Edi Rama zgjedhjet i vodhi. Prandaj fillon pas kësaj misioni më i vështirë i yni, i largimit të këtij regjimi që Shqipëria të shkojë në zgjedhje të lira me një qeveri teknike. Me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka. Me Edi Ramën opozitë nuk ka, po nuk e përmbysëm. Opozita është fasadë me Edi Ramën në kuptimin sepse ai e shumëzon me zero. Ai përdor të gjithë pushtetin.
Dje më thoshte një qytetar, shumë interesante. Më tregonte, nuk është kjo BKH, e dini se çfarë ndodh aty? Aty ndodh ajo që mund të ndodhte vetëm në seksionet e sigurimit të shtetit. Aty, ajo drejtoresha, qenka konfidente e Edi Ramës si duket, dhe çfarë bën ajo? Heq fashikuj, vë fashikuj, por që të gjithë çfarë ka problematikë që ka lidhje me, le të jetë ai biznesmen, politikan, po që nuk është socialist domethënë, ai ia çon Edi Ramës, dhe zyrës së tij.
Absolutisht, nga njerëz të cilët e njohin shumë mirë. OPGJ çekista, disa prej tyre nuk mudntë them të gjithë, të cilët nuk i çojnë fillimisht në SPAK, i çojnë fillimisht te Agaçi në kryeministri dhe aty përzgjidhen, fshihen, bëhen siç do Edi Rama hetimin. Ndaj edhe është një emergjencë e madhe kombëtare. Por kjo emergjencë kërkon një dialog tonin intensiv në radhë të parë me strukturat tona jashtë çdo koncepti se Edi Rama i fiton zgjedhjet. Edi Rama i vjedh zgjedhjet. Dhe me hajdutin duhet të përballemi. Me mbështetësit tanë, por me qytetarët në tërësi, se ky nocion, ky koncept është fatal për ne dhe për shoqërinë. Do të kërkoja që grupet e punës t’i zgjeroni, të shtoni rrethin me anëtarë të këshillit kombëtar, me ish-drejtues të partisë, zonë që e njohin mirë, pra të krijojmë grupe sa më serioze dhe të përpiqemi të tërheqim edhe këtë proces që është jetik për kapërcimin e situatës, individë, të rinj, të reja, burra, gra më të shquar të komunitetit dhe më të përkushtuar.
Faleminderit shumë!