Berisha: Do të ngrihemi me një lëvizje të fuqishme kundër armikut më të egër të lirisë. Kam besim se mbi 500 mijë idealistë do i japin kthesë vendimtare vendit!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME 61 KANDIDATËT, KYETARËT E BASHKIVE DHE KRYETARËT E DEGËVE TË PD

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Sali Berisha ka bërë thirrje sot për një lëvizje të fuqishme në mbrojtje të opozitarizmit dhe të demokracisë pas manipulimit të zgjedhjeve të 14 majit përmes blerjes masive të votave dhe aleancës me krimin të regjimit.

Qëllimi i kësaj lëvizje do të jetë kthmi i votës së lirë, të bindur se me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Kryetari i PD përshëndeti rezolutën e Parlamentit Europian, ku theksohet se në Shqipëri duhet garantuar liria e partive që të paraqiten në zgjedhje pa ndërhyrjen e aktorëve të tjerë shtetërorë.

Berisha i bëri këto komente gjatë një takimi me të gjithë kandidatët për kryetarë bashkish që kandiduan në zgjedhjet e 14 majit si dhe drejtuesit e degëve të PD.

Kryetari i PD deklaroi se ka vetëm një rrugëdalje, dhe ajo është ngritja dhe mbrotjtja e kombin nga një proces shkatërrimi që nuk e ka pësuar asnjë komb tjetër në botë. “E gjitha kjo me mekanizmin e shkatërrimit të opozitës, sepse duke shkatërruar opozitën, vret masivisht shpresën”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se mbi 500 mijë vota treguan se një armatë e tërë njerëzish dëshmuan me 14 maj se janë të pamposhtur. Ai shprehu bindjen se demokratët dhe populli opozitar do të qëndrojë duke kujtuar se ata edhe kur kanë qenë në kushte më të vështira dhe më të pakët, kanë ditur të mbrojnë opozitarizmin, kanë ditur të mbrojnë vlerat, të krijojnë shpresat dhe të vazhdojnë betejën.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se shqiptarët do të ngrihen me një lëvizje të fuqishme kundër armikut më të egër të lirisë së shqiptarëve, që është Rama dhe qeveria e tij.

Berisha u bëri thirje demokratëve që të qëndrojnë si misionarë në këto momente, sepse demokracia, pluralizmi janë në shkatërrim.

FJALA E PLOTË

Së pari, ju përshëndes përzemërsisht të gjithë drejtuesit dhe kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për përpjekjen e madhe që bëtë në një fushatë në kushtet më të pabarabarta. Përgëzoj ata kryetarë që morën mandatin për kryetar bashkie.

Falënderoj nga zemra të gjithë anëtarët dhe të gjithë ata që u angazhuan për suksesin e kandidatëve tanë në këtë betejë më të pabarabartën të zhvilluar ndonjëherë.

Para se të ndalem në problematikën në të cilën është thirrur kjo mbledhje, dëshiroj në emër të PD të falënderoj Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili miratoi më datën 24 maj një rezolutë për Shqipërinë. Rezolutë në të cilën janë pasqyruar problemet madhore të vendit, ndaj dhe unë po lexoj deklaratën e mëposhtme:

Javën e shkuar Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi raportin për Shqipërinë 2022 në përgjigje të raportit përkatës të Komisionit Europian. Teksti i paraqitur nga deputetja socialiste portugeze, Isabel Santos u ndryshua nga eurodeputetë të partisë popullore europiane. Këto amendamente u mbështetën edhe nga kolegët e tyre socialistë, dhe kolegë të të gjithë spektrit politik të Parlamentit Europian.

Lidhur me zgjedhjet e 14 majit, raporti thekson se në Shqipëri duhet të garantohet liria e partive politike që paraqiten në zgjedhje më ndërhyrje të paduhur nga shteti, apo aktorë të tjerë. Ky pasazh i referohet ndalimit të PD reale për të hyrënë zgjedhje lokale me të gjitha atributet politike, ligjore që i përkasin asaj. Mesa duket, për shkak të afateve nuk janë paraqitur amendamente lidhur me problematikat e shumta të zgjedhjeve dhe do të dërgojmë aty të gjithë informacionin e duhur.

Raporti i Parlamentit Europian shpreh keqardhjen për shkeljen e rregullores së Kuvendit, shqetësim për ngushtimin e hapësirës për rolin mbikqyrës të opozitës parlamentare përfshi këtu refuzimin për ngritjen e komisioneve hetimore. Referimi është për rastin e fundit për rrëzimin e kërkesës së PD për një komision hetimor parlamentar, për rolin e kryeministrit Rama në skandalin McGonigal. Parlamenti Europian i bën thirrje qeverisë që ë anulojë urgjentisht çdo nismë ligjore për amnistinë fiskale, penale dhe pasaportat e arta. Këto skema janë kërcënim për BE dhe për Shqipërinë dhe do bllokojnë qartazi progresin e Shqipërisë drej Komisionit Europian.

Parlamenti Europian është i skandalizuar me kontratën e Portit të Durrësit, me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, edhe pse kjo kontratë shkel MSA dhe BE, dhe me gjithë paralajmërimet e mëparshme të Parlamentit Europian.

Gjithashtu në raport thuhet se projekte si ai i Portit të Durrësit, duhet të zbatojë me përpikmëri ligjin e prokurimeve publike, sipas standarteve europiane të marrëveshjes së MSA.

Parlamenti Europian shpreh shqetësimin për regresin e lirisë së medias dhe shprehjes, refuzimin e qeverisë për të dhënë informacion, përpjekjen e saj për diskreditimin e gazetarëve. Gjithashtu kërkohet hetim për shembjen e paligjshme të aseteve të lidhura me median e pavarur nga qeveria, apo kritikat ndaj saj, siç është rasti i Prestige Resort dhe Neës24.

Raporti shpreh gjithashtu shqetësim se nuk ka progres në luftën kundër larjes së parave të krimit dhe luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare dhe dënime përkatëse. Propozues të këtyre amendamenteve janë eurodeputetët: Michael Gahler, David Lega, Lucas Mandl, Antonio Lopez Is-Turiz, Miriam Lexmann, Peter Van Dalen, Vladimir Bilcik, Zeljana Zovko dhe Arba Kokalari.

Unë dua të falënderoj shumë të gjithë deputetët e Parlamentit Europian, grupin e punës të krijuar në PD me zotin z.Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Genc Pollo dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët në një komunikim intensiv me parlamentarë europianë, arritën të paraqesin situatën dhe problematikat e mëdha. I falënderoj sepse, kanë pasqyruar problemet para fushatës dhe problematikën e madhe me të cilën përballet demokracia shqiptare në rrezik të madh. Natyrisht ky është një proces, do të kemi një dialog intensiv me të gjitha institucionet ndërkombëtare, qeveritë e vendeve mike për të gjitha zhvillimet në Shqipëri.

Tani, duhet të rikthehemi përsëri tek qëllimi i këtij takimi.

Ajo çfarë mund të them në tërësi, ju si kandidatë keni bërë një punë shumë serioze, keni qenë të vetmit kandidatë që paraqitët alternativë të vërtetë për problemet e bashkive tuaja. U dëshmuat njohës shumë të mirë të të gjitha problemeve. Studiuat me interes të madh dhe paraqitët zgjidhje për çështjet e keqqeverisjes aktuale dhe një alternativë shumë të mirë për të ardhmen. Bëtë një fushatë serioze, një fushatë dinjitoze.

Qendruat të gatshëm në çdo rast për transparencë dhe ballafaqim me rivalët tuaj politikë, gjë e cila kam bindjen se është një detyrim i çdo kandidati dhe çdo politikani që merr pjesë në fushatën elektorale.

Në këto zgjedhje, natyrisht rezultati është larg atij që ju meritonit dhe që pritej. Por, përsëri duhet të shtoj se beteja jonë kishte qëllimin më madhor, rikthimin e pluralizmit në qeverisjen vendore mbasi për fatin më të keq, PD në një kontribut antihistorik, kishte braktisur zgjedhjet e vitit 2019 dhe në një mënyrë ose një tjetër, bërë të mundur vendosjen e plotë të monizmit në Shqipëri.

Sot, në mbarë vendin, në të gjitha parlamentet lokale, ka një opozitë prej qindra këshilltarësh, të cilët i përgëzoj si për punën që kanë bërë dhe për misionin e rëndësishëm që kanë. Opozitë që i jep fund në aspektin parlamentar lokal, monizmit të plotë që ekzistonte. Opozitë e cila ka një mision shumë të rëndësishëm për të bërë gjithçka, për të nxjerrë përpara publikut shqiptar, grabitjen dhe plaçkitjen e papërmbajtur të pasurive nga qeveritarët dhe të pasurit, në kurriz të varfërimit gjithnjë e më të tmerrshëm dhe përzënies nga Shqipëria të të varfërve të këtij vendi.

Në qoftë se nuk kishim asnjë zë dhe deri para 14 majit, opozitarizmi në qeverisjen vendore nuk ekzistonte si institucionalizim, tani kjo ka marrë fund.

Përveç kësaj, në disa bashki si Mirdita, Puka, Fushë Arrëzi, Kavaja, Himara, fituan kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe unë jam i bindur se këta kandidatë, këta kryetarë bashkie, do bëjnë gjithçka për një qeverisje ndryshe, me qytetarin, për qytetarin. Këto janë disa nga arritjet e kësaj fushate, por theksoj se arritja më e madhe e saj qendron në faktin se një përpjekje mafioze shqiptare- ndërkombëtare për të asgjësuar opozitën shqiptare, dështoi në mënyrën më të turpshme.

Kurrë ndonjëherë nuk është bërë një përpjekje kaq e hapur, kaq antikushtetuese, kaq antiligjore nga mafia shtetërore shqiptare dhe ndërkombëtare, për të shuar opozitën në Shqipëri. Kurrë ndonjëherë nuk është bërë një përpjekje kaq e hapur për ta vënë atë në kontroll të plotë të interesave mafioze të Edi Ramës.

Ju, të dashur kandidate dhe kandidatë, kryetarë të degëve, operuat në një situatë të jashtëzakonshme. Situatë me të cilën mafia shqiptare dhe ndërkombëtare, me bekimin e mafies ndërkombëtare, u përpoq të bëjë gjithçka që ne të mos ishim aktorë në zgjedhje në vendin tonë. Krijoi çdo pretekst dhe mori çdo masë që ne të mos hynim në këto zgjedhje.

Edi Rama, me ndihmën e ish-ambasadores amerikane, McGonigalit me fustan, ndërhyri në procesin gjyqësor në kundërshtim me çdo parim të drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe i mori forcës politike vulën, logon, tre ditë para fillimit të fushatës, me qëllimin e vetëm që kjo forcë politike të mos hynte në fushatë. Por, ne nuk mund të binim viktimë e një akti antishqiptar, antidemokratik të mafies së Edi Ramës dhe George Sorosit. Kjo nuk mund të ndodhte.

Kurrë ndonjëherë në historinë e një vendi të lirë nuk ka ndodhur, që koalicionit opozitar, t’ia caktojë kryetarin qeveria. Dhe ky përbën një nga aktet më të shëmtuara me qëllimin e vetëm për të goditur në zemër opozitën, për ta bërë atë fiktive. Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur që 61 kandidatë në 61 bashki të vendit, të kenë zero financime publike. Dhe sot pas gjithë kësaj batërdie, përfaqësojnë mbi gjysmë milionë shqiptarë dhe taksat e tyre. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e një vendi, në historinë e Shqipërisë, që në kulmin e fushatës elektorale, qeveria të dërgojë zarfin tek 683 mijë pensionistë me 50 mijë lekë, duke shpalosur kështu platformën e hapjes, platformën e blerjes me vendime zyrtare të votës së qytetarëve shqiptarë.

Nuk ka ndodhur kurrë që fushata elektorale të bëhet me rritje rrogash dhe në mes të fushatës të rriten rrogat e amdinistratës publike. Këto nuk kanë ndodhur ndonjëherë.

Me gjithë këto, ju ia dolët të merrni gjysmë milionë vota. Me gjithë këto, ju ia dolët t’i thoni kësaj mafie antidemokratike, antishqiptare, se ky popull ka ideale demokratike. Se ky popull nuk pranon monizmin. Kjo ishte një përgjigje përfundimtare e dështimit të atij skenari që kërkon të shkatërrojë kombin shqiptar nëpërmjet shkatërrimit të opozitës. Kjo është e vërteta.

Kundër jush u përdorën qindra milionë euro. 500 milionë euro në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Përveç disbursimit në zonën e tërmetit të miliona e miliona eurove në llogaritë bankare të qytetarëve të ruajtura apostafat për fushatën elektorale. Pra, këto ishin zgjedhjet e para ku vendimet e qeverisë për zarfin e pensionistëve dhe rritjen e rrogave, u bënë faktor determinues për rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Bota e krimit ishte në këto zgjedhje më e egër, më e organizuar se në çdo zgjedhje të tjera. Bandat kriminale u forcuan dhe inkurajuan nga nxjerrja nga burgjet, apo sjellja nga Dubai e eksponentëve kryesorë të tyre. Java para 14 mjait, ishte java e bandave në të gjitha qytetet më të mëdha të vendit. Java në të cilën ato non stop ndanin para dhe kërcënonin njerëz. Bashkërënduan të gjitha forcat për të zbatuar urdhrin e qeverisë.

Cila ishte blerja nën dorë e votës? Asnjë njeri nuk denoncon dot, sepse ai që merr paratë bën vepër penale, dhe duhet të jesh naiv të kërkosh nga opozita. Opozita nuk ka mjete përgjimi, opozita është një institucion që zbaton ligjet, nuk ka asnjë autorizim të ketë mjete përgjimi, dhe nuk do të ketë. Nuk ka asnjë autorizim të ketë mjete filmimi dhe nuk do të ketë. Ajo ka mbledhur çfarë sjellin qytetarët, çfarë sjellin aktivitët . Ata që kërkojnë prova nga opozita, janë avoketërit e blerjes së votës. Ata që thonë se nuk i filmuat apo nuk i kapët, ata janë bashkë me hajdutin. Ata kanë të njëjtin moral. Ju bëtë gjithçka në mënyrën më të moralshme në proces zgjedhor, dhe ashtu do vazhdojë.

Por të kërkosh se ku u blenë zgjedhjet, tregon që je një skllav i mjerë i një mafie më të rrezikshme në Europë. Do të thotë që nuk sheh 680 mijë zarfe, do të thotë që nuk sheh vendimet e qeverisë për rritje rrogash si kurrë më parë, dëshmohesh një lakej i pamoral. Dhe kërkon të krijosh imunitet se je gazetar.

Si gazetar ti duhet të mbrosh interesin publik. Detyra e parë e jotja është të mbrosh interesin publik, dhe jo të përpiqesh të sfumosh, të mbulosh një krim monstruoz të paparë. Ti dëshmon se për ty opozita nuk ka rëndësi, liria nuk ka rëndësi. Për ty ka rëndësi xhepi dhe vetëm xhepi. Ato që të jep qeveria. Opozita as nuk filmon dhe as nuk përgjon. Nuk ka programe survejimi të qytetarëve. Me ligj dhe Kushtetutë e vendit janë të përcaktuara qartë organet dhe institucionet që u lejohet një praktikë e tillë. Kjo praktikë nuk parashikohet për partitë politike.

Por, më duhet të falënderoj qindra e qindra aktivistë. Ju, për qindra dokumentacione që kanë dërguar, fotografi, video të rastit, raporte në të cilat dokumentohet qartë shëmtia e farsës elektorale të majit 2023.

Opozita së shpejti do finalizojë raportin. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me ju, por e gjykuam të nevojshëm këtë takim sepse kjo është java e fundit nga e cila kërkojmë nga ju të dashur kandidatë dhe kryetarë të degëve të bëni përpjekjen e madhe të fundit për të mbledhur edhe çdo fakt tjetër që mund të ketë mbetur pa u mbledhur. Çdo fakt, çdo dokument, çdo denoncim, në mënyrë që ky raport të jetë sa më i plotë. Ky raport do iu paraqitet shqiptarëve, do iu paraqitet ndërkombëtarëve.

Urdhëroni! Një amendament është dërguar për mosregjistrimin. Ju garantoj se institucionet ndërkombëtare, qoftë OSBE/ODIHR, qoftë KE, qoftë PE, qoftë Kongresi i SHBA janë thellësisht të interesuar për standartet e zgjedhjeve, dhe nuk pajohen kurrë me këto praktika. Pra, zëri juaj do të dëgjohet, zëri i qytetarëve që përfaqësoni do dëgjohet. Me dhjetëra e dhjetëra padi janë paraqitur në institucionet e vendit, ndonëse ato janë totalisht të kontrolluara nga Edi Rama dhe partia, dhe i marrin dhe i hedhin në kosh. Por prapë ne bëjmë detyrën.

Pas përfundimit të këtij raporti, ne do nisim analizën dhe unë them se është në detyrimin tonë absolut një analizë më seriozja që kemi bërë ndonjëherë për zhvillimet, për problematikat, për mangësitë, për defektet e të gjithë makinerisë sonë elektorale nga kreu tek anëtari i thjeshtë. Mbledhja e këtyre të dhënave është e një rëndësie të jashtëzakonshme, është një detyrim moral dhe ligjor që kemi përpara zgjedhësve shqiparë. Është jetik për t’u dhënë përgjigjen më të mirë problemeve dhe për të shkuar drejt betejës së ardhshme.

Kështu që dua të siguroj anëtarët dhe mbështetësit e PD dhe drejtuesit e saj, se analiza e zgjedhjeve, që do jetë faza tjetër pas denoncimit që po bëjmë, do të bëhet me seriozitetin më të madh. Nuk ka asnjë mëdyshje.

Së treti, unë u them kandidatëve dhe kryetarëve që fituan, në këtë fushatë, të cilët e nisët pasi u votuat si kandidatë të Primareve, ju ishit misionarë të vërtetë të një modeli të paparë gjer sot. Misionarë të modelit të lirisë, por unë u ftoj ju, ftoj kryetarët e degëve dhe të gjithë demokratët të vazhdojmë misionin tonë.

Misionarë të modelit të lirisë, por unë u ftoj ju, ftoj kryetarët e degëve dhe të gjithë demokratët të vazhdojmë misionin tonë. Ua them këtu haptas, sikundër e kam thënë para se të fillojë fushata, se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka, e kam deklaruar disa herë. Në emër tuaj kam deklaruar se do mbroj votën dhe atë po bëj. E kam theksuar dhe e theksoj, se ne nuk e mbrojmë me armë, ne jemi opozitë e parimeve demokratike, nuk jemi as guerrilas, as parti e pushtetit me dhunë, përkundrazi ne jemi opozitë demokratike që synojmë pushtetin me votën e lirë të qytetarëve.

Por, në këto kushte, unë u ftoj ju të qëndroni si misionarë sepse Shqipëria, pluralizmi dhe demokracia janë në shkatërrim. Ishte shumë e veçantë kur ju garonit kundër rivalëve tuaj dhe nuk kishim gjëkundi një këshilltar që të na informonte për të gjitha keqbërjet e këshillit dhe kryetarit. Sot kemi këshilltarë, edhe ata janë misionarë.

Ky mision ka një qëllim të pandryshueshëm. Qëllimi i pandryshueshëm i këtij misioni është rikthimi i votës së lirë te shqiptarët dhe votë të lirë për shqiptarët me Edi Ramën kryeministër nuk ka. E kemi thënë dhe do e themi, nuk do tallemi me veten tonë, ndaj dhe si misionarë duhet të përgatitemi krahas përpjekjeve për një analizë sa më serioze të problematikave tona të brendshme, në mënyrë që të ngremë partinë në një nivel tjetër organizativ, të ripërtërimë siç erdhët ju me primaret me figura prap të tjera e tjera. Të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë.

A e kemi bërë ne këtë? Jo. A e ka bërë për PD? Jo. Nëse në vitin 2021 në prill, të cilat ishin zgjedhje politike, PD do të mbronte votën, do të derdhej në rrugë, këto probleme që ndodhën, nuk do ndodhnin kurrë në këtë shkallë.

Por PD nuk e bëri këtë. Nuk e bëri as në vitin 2019.

Tani nuk mund të qëndrojmë vetëm në fushën e fjalëve. Vlerësoj çdo propozim dhe mendim për përmirësim maksimal të punës sonë. Por ju garantoj se me Edi Ramën, zgjedhje nuk ka. Ndaj dhe ftoj çdo demokrat, t’i drejtohet fibrës së tij politike, ndërgjegjes së tij politike, të mos harrojë këtë gjë.

Dëgjoj çdo ditë bashkëpunëtorë të mi nga zona të ndryshme. Veprimet kriminale në javën para zgjedhjeve janë të përmasave të papërshkrueshme. Transferimi i bandave nga Berati, Durrësi në Sarandë, vetëm e vetëm për të dominuar elektoratin në Sarandë, lirimi i të tjerëve nga burgu për të mposhtur qytetarët, rikthimi i të tjerëve nga Dubai, me të njëjtin qëllim. Nuk është detyra jonë ti asgjësojmë bandat, ajo është detyrë e qeverisë që i ka bashkëpunëtorë kryesorë, por në duhet të merremi me qeverinë.

Ndaj dhe duhet të jemi të vërtetë, ne duhet të jemi të vërtetë. Dhe të vërtetë jemi nëse u përmbahemi atyre të vërtetave që shpallim dhe qëndrojmë  për përmbushjen e tyre. A i kemi bërë ne përpjekjet deri sot. Jo nuk i kemi bërë ne përpjekjet. Më vjen keq të ju them këtu.

Në vitin 2000 ne absolutisht ishim copë copë, nga 1997. Por ama na e mori Edi Rama bashkinë e Tiranës, kemi protestuar, i kemi rënë atij bulevardi 45 ditë. Fillimisht as 300 vetë, më vonë u bëmë 1000, 1200 e me radhë.

Dua të them, se PD, kush të dojë në këtë mision, duhet t’i rikthehet protestës. E vështirë, sakrificë, por rrugë tjetër, ju garantoj se vetëm veten e gënjejmë dhe ne nuk jemi ata që gënjejmë vetem, por besojmë të vërtetat. Nuk mundet opozita të ndalojë qeverinë të shpërndajë 680 mijë zarfa.  E vetmja gjë që ka në dorë opozita është të thotë se nuk marr pjesë në këto zgjedhje dhe kaq. Por nuk është pengesë ajo. Ai të thotë faleminderit shumë që nuk po merr pjesë.

Një kriminel si ky, një krim-ministër që shpall Kodin Elektoral kinezëri, sikur të ishte udhëheqësi i Koresë së Veriut, tregon qartë se nuk njeh asnjë ligj, asnjë standard dhe se me të, zgjedhje nuk mund të ketë.

Kështu që demokratët dhe opozitarët duhet të marrin vendime individuale për të dalë së  bashku në një betejë të hapur.  Asgjë përveçse për të votuar të lirë.

Edi Rama tregoi fytyrën e tij, tregoi se ka futur në kthetra në mënyrën më mizore mediat, studiot televizive. Unë u them këtyre zotërinjve se, absolutisht do të kundërshtoj dhe do u kundërvihem me forcën më të madhe gjersa ju shkelmoni interesin publik të shqiptarëve, gjersa ju nuk guxoni ta mbroni atë për arsye që i dini vetë dhe rreshtoheni në anën e qeverisë që kreu megakrimin elektoral më të madh në historinë e vendit. Që nuk shohin partinë e Doshit, që rriti me 310 përqind elektoratin, pa asnjë fjalë, pa asnjë program, pa asnjë emision televiziv pa asgjë, vetëm ndaj zarfa. Ndërkohë që Edi Rama është një blerës 10 herë më i madh se Doshi. Doshi është thjesht një çirak në blerje në krahasim me Ramën.

Them këtë sepse situata është dëshpëruese dhe nuk mund ta mohojmë, por njerëzit me fibër politike e kuptojnë që në çdo rrethanë ka vetëm një rrugëdalje, të mos dorëzohen dhe të ngrihen.

Në çdo rrethanë ka vetëm një rrugëdalje, të ngrihen dhe të mbrojnë kombin e tyre nga një proces shkatërrimi që nuk e ka përjetuar asnjë komb tjetër në botë. Asnjë komb nuk ka humbur në 8 vite 33% të popullatës së vet dhe e gjitha kjo me mekanizmin e shkatërrimit të opozitës, sepse duke shkatërruar opozitën, vret masivisht shpresën.

Ne do qëndrojmë. Unë kam bindjen më të thellë se ne do qëndrojmë.

Demokratët, në kushte shumë të vështira, kur kanë qenë shumë herë më pak se kaq, kanë ditur të mbrojnë opozitarizmin, kanë ditur të mbrojnë vlerat, të krijojnë shpresat dhe ne të vazhdojnë betejën. Ndaj dhe mendoj se në këto etapa duhet të jetë, duhet të lëvizim  thashë, pasi të përfundojë procesi i denoncimit dhe mbrojtjes së votës, do të bëjmë analizën dhe sigurisht do të ngrihemi me një lëvizje të fuqishme kundër armikut më të egër të lirisë së shqiptarëve, që tashmë është i njohur, Edi Rama dhe qeveria e tij.

Kam besim se demokratët janë të gatshëm, se mbi 500 mijë idealistë që në këto rrethana dhe kushte qëndruan të pamposhtur, do i japin kthesë vendimtare vendit.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale