KONFERENCA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët, akuzoi qeverinë dhe mazhorancën socialiste për kapjen e institucioneve nga krimi i organizuar, duke e cilësuar Shqipërinë një “narkoshtet”. Berisha akuzoi ashpër miratimin e reformës territoriale, duke theksuar se deputetët u vunë nën presion dhe shantazh për të votuar shkrirjen e disa bashkive, në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe komuniteteve vendore.
Berisha rikujtoi se reforma territoriale e vitit 2014, e cila reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore nga 410 bashki e komuna në 61 bashki, solli braktisjen e Shqipërisë rurale dhe thelloi pabarazitë mes zonave. Ai deklaroi se Partia Demokratike kishte propozuar një ndarje të re administrative me të paktën 100 bashki, duke argumentuar se kjo do t’u përgjigjej më mirë nevojave dhe potencialeve të komuniteteve. Megjithatë, akuzoi kryeministrin Rama se u tërhoq nga procesi i konsultimit me qytetarët dhe e çoi reformën drejt një votimi që e cilësoi si ndër më të turpshmit në historinë e vendit.
I pyetur për rrezikun që Reforma Zgjedhore të pësojë të njëjtin fat si ajo territoriale, Berisha deklaroi se PD-ja ka përgatitur projektin e saj, të cilin do t’ia paraqesë publikut. Ai tha se opozita do të vijojë të denoncojë atë që i konsideron parregullsi zgjedhore dhe të mobilizojë qytetarët kundër qeverisë. Berisha theksoi se Partia Demokratike do të vazhdojë betejën politike dhe institucionale, duke argumentuar se bojkoti dhe tërheqja nga institucionet do t’i shërbenin pushtetit.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës, iu kushtua akuzave të kreut të opozitës, për ndikimin e trafikut të drogës në ekonominë dhe institucionet shqiptare. Berisha e cilësoi Shqipërinë si një “narkoshtet”, duke theksuar se aktivitetet kriminale kanë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e institucioneve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Në këtë kontekst, ai u ndal te zhvlerësimi i euros dhe dollarit, problemet me eksportet, rënia e prodhimit industrial dhe vështirësitë në sektorin bujqësor, të cilat lidhen me ndikimin e ekonomisë së paligjshme. Berisha iu referua shifrave që paraqiti gjatë konferencës për zhvlerësimin e monedhave dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Ai tha se zhvlerësimi i valutave ka ndikuar negativisht te eksportuesit, të cilët realizojnë shitjet në euro ose dollarë, ndërsa shpenzimet brenda vendit i kryejnë në lekë.
Lideri demokrat, ngriti gjithashtu shqetësime për pasojat që këto zhvillime kanë sjellë për prodhimin bujqësor, ndërmarrjet dhe punësimin. Ai iu referua edhe emigracionit, duke deklaruar se gjatë dhjetë viteve të fundit 1 milion e 99 mijë shqiptarë kanë emigruar drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas Berishës, dobësimi i prodhimit dhe vështirësitë ekonomike kanë ndikuar në largimin e qytetarëve nga vendi.
Gjatë konferencës, Berisha ngriti edhe akuza për lidhje mes zyrtarëve publikë, institucioneve shtetërore dhe personave të dyshuar për veprimtari kriminale. Ai përmendi emra dhe çështje konkrete, të cilat ngrenë pikëpyetje mbi funksionimin e institucioneve dhe marrëdhëniet e tyre me persona të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Berisha deklaroi se Partia Demokratike do t’i vijojë denoncimet edhe në arenën ndërkombëtare. Ai përmendi takimet në Këshillin e Evropës dhe në Teksas, ku, sipas tij, ka ngritur shqetësimet për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri. Gjithashtu, shprehu mirënjohje për rezolutat e organizatave ndërkombëtare të partive dhe për mesazhet që janë përcjellë nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Në përfundim, kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita do të vijojë betejën politike, ligjore dhe publike kundër reformës territoriale, ndërsa do të vazhdojë të paraqesë në institucionet vendase dhe ndërkombëtare shqetësimet e saj për qeverisjen, proceset zgjedhore dhe ndikimin e krimit të organizuar në vend.
FJALA HYRËSE (Pjesa e II-të, Narkoshteti)
Historia e shkurtimit nga 410 bashki e komuna në 61 bashki e komuna, është historia e braktisjes masive të Shqipërisë rurale.
Investimet në Shqipërinë rurale, e cila ishte në raport me infrastrukturën në nivele mesjetare, para kësaj qeverie arritën në vlerën 3.2 miliardë.
U ndërtuan dhe u rindërtuan mbi 8500 kilometra rrugë.
U ndërtuan dhe u rindërtuan qindra e qindra sisteme kanalizimi dhe ujësjellës.
U ndërtuan në zonat rurale mbi 1 mijë objekte arsimore dhe qindra objekte shëndetësore.
Ky proces, në tërësi, u ndërpre në mënyrë dramatike.
Në rast se marrim investimet e kësaj qeverie në Shqipërinë rurale në 14 vite, ato janë më të pakta se sa investimi në pllakat e gurit në sheshin Skënderbej.
Edhe ato investime janë vjedhje masive.
Ndaj dhe, PD u angazhua që në fillim në këtë reformë, e bindur për rëndësinë e saj parësore për interesat e qytetarëve dhe komuniteteve.
Por, siç është bërë e qartë, kur në të gjitha konsultat pa përjashtim, qytetarët damkosën reformën e vitit 2014 si një reformë kundër interesave të tyre, dhe kur PD përgatiti projektin me së paku 100 bashki në mbarë vendin, Edi Rama u tërhoq nga procesi dhe arriti në këtë votë, më e turpshmja në historinë e vendit.
Dita e djeshme ishte dita e hanxharëve të krimit, ku deputetët merreshin peng si lepuj, ku ata shantazhoheshin, thirreshin, kërcënoheshin me pasoja të rënda familjare dhe personale.
A mund të imagjinoni ju se si deputeti i Fushë-Arrëzit voton për shkrirjen e Fushë-Arrezit, e cila për hir të së vërtetës ka qenë një qendër në rrugën që lidhte Shqipërinë me Kosovën, ka qenë një qendër në shekuj.
Dhe Fushë-Arrëzi e banorët e veriut ranë viktimë e tenderave të Tom Doshit, që e kam thënë dhe e them, se është një nga vampirët, bashkë me Vilma Nushin, e shëndetit të shqiptarëve.
Deputetë të tjerë, ai i Skrapit që ndërton hotele luksoze në bregdet, po ai shet çdo gjë, ata janë tregtarë të pamoral, të turpshëm.
Ata mbrojnë pronat e tyre të krimit, kanë mbrojtur pronat e tyre të krimit.
Deputeti i Maliqit, Maliqi një bashki me të gjitha potencialet për të qenë e tillë, për të qenë një qendër e fuqishme zhvillimi e rajonit.
Po Divjaka me pasuritë e saj të pafundme, më të mëdha se bashkia me të cilat u bashkua.
Po, potencialet e Divjakës janë më të mëdha sepse Divjaka ka një potencial turistik të jashtëzakonshëm.
Klosi, bashki në territorin e të cilës janë depozita botërore kromi.
Përrenjasi, bashki në të cila janë depozita botërore hekuri dhe nikeli.
Pra të gjitha këto u shkelmuan nga individë, nga burra dhe gra mercenarë të vërtetë, të turpshëm.
Ky është një parlament krimi, që nuk meriton të ekzistojë asnjë orë, asnjë ditë.
Deputetët ranë tek këmbët e Padrinos dhe të narko-trafikantit Taulant Balla.
Nuk bëhet fjalë për nder dhe dinjitet, por pa asnjë interes tjetër përveç interesave të tyre vetjake, personale dhe familjarëve natyrisht.
PYETJE-PËRGJIGJE
Marshi Korreshi, SYRI TV: Z. Berisha, ndërkohë një tjetër reformë po kaq e rëndësishme, Reforma Zgjedhore mund të ketë fatin e Reformës Territoriale, për aq kohë sa Partia Socialiste ka fuqinë e kartonit si përgjigje. Çfarë do të bëjë opozita dhe Partia Demokratike për ta parandaluar këtë?
Sali Berisha: Partia Demokratike ka përgatitur projektin e vet. Do t’ia paraqesë publikut. Por 35 mandatet e krimit i komandon Padrinoja dhe jo Partia Demokratike.
Ne do bëjmë gjithçka siç kemi bërë, kemi arritur të dokumentojmë para shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar se në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje, por farsa zgjedhore. Dhe farsat zgjedhore janë tipar i regjimeve autokratike, diktatoriale, autoritare. Dhe në këtë mënyrë do bëjmë gjithçka të mobilizojmë shqiptarët kundër këtij narkodiktatori.
Natyrisht, thashë dhe një herë, ka një rrugë tjetër, bojkoti dhe tërheqja, por në fakt diktaturat atë duan. Diktaturat nuk duan prani opozite askund.
Ne do të vazhdojmë të jemi dhe të vazhdojmë betejën tonë me të gjithë forcën dhe mundësinë që kemi.
Kemi përpara një kundërshtar të inkriminuar në shkallën më të lartë, kemi përpara një kundërshtar që është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt, të kryejë çdo krim, të shesë çdo gjë për lëkurën e tij. Por ne nuk tërhiqemi. Ne vazhdojmë me të gjithë potencialin betejën tonë të pandalshme, me besim të plotë se do t’ia dalim.
Edi Rama sot, në qoftë se shkojmë një vit prapa, është dymbëdhjetë herë më i dobët seç ishte. Është i damkosur si asnjë lider tjetër dhe kjo është meritë e opozitës shqiptare, meritë e qytetarëve shqiptarë dhe e protestës së tyre katër mujore që po zhvillohet.
Pra, kjo është situata në një narkodiktaturë. E rëndësishme është që të vlerësosh objektivisht situatën. Shqipëria është një narkoshtet dhe Shqipëria është më narkoshtet se çdo shtet tjetër në botë.
Po ndalem dhe një herë këtu. Në të drejtën ndërkombëtare narkoshteti nuk ekziston. Por në realitetin ndërkombëtar narkoshteti është një nga realitetet më tragjike për kombet.
Për narkoshtet bëhet fjalë kur vendi është i tejmbushur me drogë dhe Shqipëria, sot që flasim, është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë.
Shqipëria, sot që flasim, tregton heroinë në kalim apo në prodhim, më shumë se India, Nepali dhe disa vende të marra së bashku.
Kartelet shqiptare të drogës sot janë transportuesit më kryesorë të kokainës në Europë.
Pra, droga është omniprezente, por është dhe omnipotente. Ekonomia shqiptare e ka pësuar nga droga më shumë se ekonomia e çdo vendi tjetër të cilësuar narkoshtet në Amerikën Latine.
Për ata të cilët bëjnë sikur nuk e shohin, për ata të cilët e injorojnë, unë u them, merrni pak zhvlerësimin e dy monedhave më të fuqishme të botës.
Në asnjë vend në planet, në asnjë narkoshtet të cituar, euro dhe dollari nuk kanë pësuar një zhvlerësim kaq katastrofal sa në Shqipëri. Në 10 vite ato janë zhvlerësuar respektivisht 32 dhe 35 përqind. Por po kaq janë zhvlerësuar sepse narkoshteti përcaktohet nga ndikimi i drogës në ekonomi, nga narkoekonomia. Shtylla kryesore, shtylla më kryesore është kjo.
Merrni ndikimin në ekonomi. Zhvlerësimi me 32 dhe 35% i euros dhe dollarit. Dhe mos harroni se vetëm këtë vit, gjer tani Banka e Shqipërisë ka blerë në treg 1.2 miliardë euro. Sepse narkoeurot që vijnë me kontejnerë, me autobusë, me të gjitha mjetet, euron evropiane të qarkullimit të lirë po e nxjerrin jashtë loje.
Pra, ky zhvlerësim ka zhvlerësuar në masën proporcionale eksportet e vendit. Sepse eksportuesit shesin me euro, me dollarë, por brenda vendit paguajnë me lekë dhe konvertimi i eurove në lekë tani është 30% më i ulët.
Narkoekonomia apo eurot mbi ekonominë kanë sjellë goditje fatale për prodhimin bujqësor. Nuk janë shifrat tona, u them atyre që nuk duan të flasin për narkoshtet, kjo është shifër e Eurostatit që thotë se prodhimi industrial i Shqipërisë nga 2021-shi gjer sot ka rënë më shumë se në çdo vend tjetër përveç Ukrainës, ka rënë me 15.3%.
Dhe mbi të gjitha shoku demografik. Sepse shkatërrimi i eksporteve, i prodhimit industrial dhe po kaq i prodhimit bujqësor, ka bërë të falimentojnë qindra mijëra ndërmarrje, qindra mijëra ferma dhe largimin e punonjësve të tyre nga Shqipëria. Largimi më i madh se në çdo kohë në histori.
Në 10 vite vetëm në Bashkimin Europian 1 milion e 99 mijë shqiptarë kanë emigruar.
Këto dy shtylla, vetëm të verbrit që nuk duan nuk i shohin, apo atyre që droga ua ka zënë sytë.
Po ka një tjetër, po kaq kardinale: implikimi i institucioneve me trafiqet e drogës.
A nuk është kryeministri shqiptar që ka pritur Luftar Hysën në zyrë dhe i ka dhënë licencë për hotel me pesë yje dhe kazino?
A nuk është kryeministri shqiptar që Pëllumb Gjokës, një motel të dalë boje, ia shpalli hotel me pesë yje dhe i jep licencën e kazinosë?
A nuk është Edi Rama që dërgon në takimet trilaterale përfaqësuesit e tij në Aruba, në Majorka e në vende të tjera?
A nuk ishte Vlora Hyseni e lidhur si mishi me kockën me koordinatorin e karteleve të drogës dhe që jepte informacione për to, Ergys Agasin?
A nuk ishte drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Proda, që merrte Suel Çelën nga strofulla e tij dhe e çonte tek dentisti?
A nuk dalin emra gjykatësish dhe prokurorësh vetëm në dosjen Metamorfoza? Vetëm në dosjen Metamorfoza 1 janë emrat e 300 oficerëve të policisë, të rangjeve të ndryshme, nga killer tek pengmarrës, tek trafikant ordiner.
Pra ky është regjimi. Dhe ne i kemi bërë këtë autopsi. Dhe ne do vazhdojmë.
Unë e di që ka avokatë, disa e bëjnë nga mungesa e njohurive, të tjerë e bëjnë se droga u zë sytë. Mos harroni, Edi Rama është njeriu më transaksional. Nuk i ka për gjë milionat në transaksione për të mbyllur gojë.
Po prapë ne jemi të bindur, të vendosur që këtë realitet dramatik ta paraqesim kudo.
Isha në Këshillin e Europës, e paraqita siç është.
Në takimet që pata në Teksas, e kisha çështje kryesore.
Kudo do ta kemi çështje kryesore. Droga është fuqi e të keqes dhe ne do ta luftojmë atë, duke shpresuar se qëndrime të hapura do mbahen siç kanë filluar të mbahen nga komuniteti ndërkombëtar.
Jemi të inkurajuar dhe mirënjohës për rezolutat e organizatave ndërkombëtare të partive.
Jemi shumë mirënjohës për mesazhet që ka përcjellë administrata e Presidentit Trump dhe Sekretari Rubio, por prapë kjo kërkon që ne të vazhdojmë këtë betejë.
Ka prapë shumë punë për të bërë.


