FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të paraqesë një hartë të re territoriale ‘në interes të qytetarëve’, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se me reformën territoriale të vitit 2014 ‘shuajti çdo komunë malore’ dhe ‘i vuri vizën 80% të territorit të vendit’.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha përgëzoi deputetët e komisioneve të reformës territoriale dhe zgjedhore, duke e cilësuar punën e tyre si ‘jashtëzakonisht të rëndësishme’ për të ardhmen e vendit. ‘Dua të përgëzoj deputetët e komisioneve të reformave, qoftë asaj territoriale dhe asaj zgjedhore për punën që po bëjnë jashtëzakonisht të rëndësishme në dy fusha themelore me interes shumë të madh për të sotmen dhe të ardhmen e vendit,’ tha Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha u ndal gjatë tek zgjedhjet parlamentare të 11 majit, për të cilat tha se tashmë janë ‘damkosur’ në dokumentet ndërkombëtare si zgjedhje të zhvilluara në kushtet e partisë-shtet. Institucionet ndërkombëtare kanë identifikuar si problem madhor të Shqipërisë funksionimin e shtetit nën kontroll politik, tha ai. ‘Cilido që pretendon apo që flet për zgjedhje në kushtet e partisë shtet, mashtron. Në kushtet e partisë shtet ka farsë, farsë dhe vetëm farsë,’ deklaroi Berisha.
Ai vlerësoi punën e institucioneve ndërkombëtare si OSBE, Parlamentit dhe Këshillit Europian, duke thënë se raportimet e tyre për zgjedhjet në Shqipëri kanë reflektuar realitetin politik në vend. ‘Komuniteti ndërkombëtar, institucionet ndërkombëtare njëzëri tashmë flasin për parti shtet në Shqipëri. Partia shtet nuk zhvillon zgjedhje, por farsë elektorale,’ u shpreh ai.
Gjatë fjalës në grupin parlament, lideri i opozitës Sali Berisha ka komentuar edhe reformën administrativo-territoriale të vitit 2014, të cilën ai e quajti atë një ‘pseudoreformë’ që, sipas tij, ka ndikuar në shpopullimin e vendit dhe dobësimin e zonave malore. ‘Ne jemi të vendosur të paraqesim, në përputhje me interesat e tyre, hartën më të mirë, ndarjen territoriale më në interes të qytetarëve,’ tha ai. Berisha u shpreh se PD do të mbështetet te ekspertiza e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës dhe praktikat evropiane për ndarjen administrative.
Kryetari i PD-së Sali Berisha foli edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, të cilat, rrëzuan ‘aneksimin e parlamentit nga pseudomazhoranca’. Ai tha se opozita nuk do të pranojë asnjë praktikë që bie ndesh me Kushtetutën, veçanërisht delegimin e interpelancave nga kryeministri. ‘Në qoftë se neni 80 i Kushtetutës përcakton se kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të paraqiten në interpelancë kur kërkohet nga deputetët, asnjë deputet nuk do të pranojë delegimin e interpelancës nga kryeministri. Kushtetuta nuk e njeh një gjë të tillë,’ deklaroi Berisha. kryedemokrati Sali Berisha paralajmëroi se opozita do të vijojë të kërkojë interpelanca parlamentare.

FJALA E PLOTE:
Mirëdita dhe përshëndetje.
Së pari, dua të përgëzoj deputetët e komisioneve të reformave, qoftë asaj territoriale dhe asaj zgjedhore për punën që po bëjnë jashtëzakonisht të rëndësishme në dy fusha themelore me interes shumë të madh për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.
Ju jeni dëshmitarë se zgjedhjet e 11 majit u damkosën tashmë në të gjitha dokumentet ndërkombëtare si zgjedhjet në kushtet e partisë shtet.
Cilido që pretendon apo që flet për zgjedhje në kushtet e partisë shtet, mashtron.
Në kushtet e partisë shtet ka farsë, farsë dhe vetëm farsë.
Pra, propaganda bajate, propaganda e paguar, lobingjet e paguara të Edi Ramës kanë marrë fund.
Komuniteti ndërkombëtar, institucionet ndërkombëtare njëzëri tashmë flasin për parti shtet në Shqipëri.
Tashmë kanë identifikuar si problemin madhor të Shqipërisë gjendjen në kushtet e partisë shtet.
Partia shtet nuk zhvillon zgjedhje, por farsë elektorale dhe kjo është bërë e mundur falë punës së shkëlqyer, të ndershme të përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare OSBE/ODIHR, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës, të cilët atë vëzhgim të zgjedhjeve në Shqipëri e paraqitën me vërtetësi të madhe para opinionit publik evropian dhe botëror.
Por kjo është bërë e mundur edhe nga vendosmëria e demokratëve, e anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve të PD, të cilët bënë gjithçka për të paraqitur faktet, dokumentet e pakundërshtueshme të dhunimit masiv dhe sistematik të parimeve ndërkombëtare dhe ligjeve të vendit për zgjedhjet.
Pra, sot punohet nga komisioni i reformës, punohet mbi bazën e dokumenteve, do të thosha të shkëlqyer, dhe rekomandimeve të shkëlqyera të institucioneve ndërkombëtare.
Ne jemi të gatshëm të zbatojmë një për një rekomandimet e tyre.
Ne jemi shumë mirënjohës me përcaktimet e tyre të drejta, pa të cilat nuk do mund t’u jepej kurrë përgjigje problemeve madhore të farsës elektorale në Shqipëri.
Po kështu bëhet një punë shumë e mirë nga komisioni i reformës territoriale.
Janë organizuar dëgjesa, në vlerësimin tim, të rëndësishme dhe të çmuara, ku shqiptarët kanë dëgjuar vlerësimet e tyre, vlerësimet e qytetarëve për pseudoreformën e Edi Ramës, e cila ishte e tëra në funksion të shpopullimit të Shqipërisë dhe farsës elektorale të qeverisë.
Unë përshëndes anëtarët e komisionit, përshëndes qytetarët dhe i garantoj se ne jemi të vendosur të paraqesim, në përputhje me interesat e tyre, hartën më të mirë, ndarjen territoriale më në interes të qytetarëve.
Dhe këtë na e bën të mundur plotësisht ekspertiza e jashtëzakonshme që ka Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës, praktika shumë e pasur e vendeve evropiane, të cilat kanë komuna nga 80 banorë në 1 milion banorë.
Dhe ky, që çdo epitet dhe çdo sharje e meriton, në vendin më malor të Evropës, shuajti çdo komunë malore.
Në vendin me infrastrukturën me të prapambetur në Evropë, shuajti të gjitha komunat malore.
I ra vizë 80 përqind të territorit të Shqipërisë. As Çubrilloviçi nuk do ta bënte këtë.
Ndaj dhe unë e vlerësoj shumë punën me transparencë që po bëhet dhe dëgjesat që po organizohen.
Sikundër vlerësoj punën që ka bërë grupi i punës, dhe kryetari do u informojë, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rregulloren e Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese, siç e dini, hodhi poshtë aktin e aneksimit të parlamentit nga pseudomazhoranca.
Akt që konsistoi në miratimin e një rregulloreje pa asnjë konsultim paraprak me opozitën në një mënyrë të rrufeshme, në një mënyrë që nuk kishte ndodhur kurrë, në kundërshtim me rregulloren, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë këtë akt si antikushtetues dhe urdhëroi parlamentin që pas 30 ditësh nga zbardhja e vendimit të bëjë të gjitha amendimet e domosdoshme në mënyrë që të respektohet vendimi i saj.
Dhe grupi i punës, siç do ta dëgjoni edhe ju, ka bërë një punë serioze bashkë me të tjerët, të cilët përsëri janë përpjekur në mënyra të ndryshme të ngushtojnë hapësirën e opozitës, por në mënyrë absolute nuk e pranojmë.
Sikundër nuk mund të pranohet asnjë lloj modifikimi, propozimi që bie ndesh me përcaktimin e Kushtetutës.
Dhe tani jemi këtu, të shohim pak edhe përgjegjësinë tonë.
Në qoftë se neni 80 i Kushtetutës përcakton se kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të paraqiten në interpelancë kur kërkohet nga deputetët, asnjë deputet nuk do të pranojë delegimin e interpelancës nga kryeministri.
Kushtetuta nuk e njeh një gjë të tillë.
Nuk vjen, ne marrim vendimet tona.
Ne nuk pranojmë delegimin që nuk e njeh Kushtetuta të detyrimit të tij për t’u paraqitur.
Se nuk paraqitet dot ai, e kuptoni apo jo. Ai është shkatërruar nga nervat dhe çdo gjë. Ai është i sfazuar tani dhe nuk paraqitet për asgjë.
Prandaj dhe ikën, prandaj dhe nuk duket në parlament.
Por ai duhet të paraqitet.
Kështu që do vazhdojnë kërkesat për interpelanca dhe detyrimi i tij është kushtetues për t’u paraqitur në interpelanca.
Janë bërë kaq të shumta dosjet e tij, aferat e tij personale dhe familjare, saqë populli kërkon transparencë.
Nuk mund të vazhdohet duke ikur, duke shkelur Kushtetutën siç bën ai.

Tani, siç e kanë mësuar shqiptarët, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është plagosur rëndë.
Si mund ta quajmë, është plagosur rëndë nga vjedhjet e Edi Ramës, Lubi Ballukut, Lindat e AKSHI-t dhe akte të tjera.
Ka ndodhur ajo që nuk është parë ndonjëherë, është ndërruar raporti dy herë, është pasuruar raporti dhe janë shtuar kërkesa thelbësore nga një seri vendesh, anëtare të BE.
Është bërë shumë e qartë se Edi Rama dhe Lubi Balluku janë një.
Dhe, ose votohet përfundimisht për të kaluar në këshillin e ambasadorëve, organ politik ky, vendimi i COELA-s, ose janë nja dy vende që kanë rezerva dhe që pritet që edhe ato të shtojnë në raport rezervat e tyre, në mënyrë që ky raport për Shqipërinë, i plotësuar dhe i transformuar plotësisht me situatën në vend, të votohet në këshillin e ambasadorëve dhe më vonë thirret konferenca ndërqeveritare, e cila duhej të ishte mbajtur që në mars, më vonë në prill, por nuk u mbajt.
Sidoqoftë, dy gjëra duhet t’i ketë të qartë çdo shqiptar.
Së pari, PD në mënyrë të vazhdueshme ka mbrojtur të vërtetat e realitetit shqiptar dhe i ka paraqitur ato para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Kjo parti do e bëjë këtë me çdo çmim, me çdo kusht dhe nuk do heshtë kurrë nga kjo.
Së dyti, PD mbështet plotësisht procesin e integrimit, qoftë vetëm për shkak të kriterit gjeopolitik.
Kriteri gjeopolitik është një kriter natyror, i cili ka të bëjë me përcaktimin e përkatësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve në sferat e influencës dhe ne nuk mundet kurrë të mos e mbështesim, ne mbështesim fuqishëm vendosjen e Shqipërisë aty ku e ka vendin, në familjen evropiane.
Duke thënë këtë, regjimi i Edi Ramës nuk plotëson asnjë kriter tjetër përveç atij gjeopolitik.
Duke thënë këtë, zotohemi se do bëjmë gjithçka kemi në dorë, do luftojmë me të gjitha mjetet që mundemi, që kriteret të arrihen ose të punohet për kriteret.
Aq sa ka një opozitë në dorë.
Pra, ky është qëndrimi i PD, por ua them këtu se procesi është i plagosur nga Lubi Balluku, Edi Rama, nga Lindat dhe pastaj nga Ergysi. Se dy Lindat janë ndër eksponentët kryesore të AKSHI-t në Shqipëri dhe Evropë.
Ju e shihni, ai ka humbur, është i damkosur.
E pyeste gazetari së fundmi në një intervistë në Estoni, pasi ia rreshtonte të gjitha akuzat për korrupsion, përgjigja e tij ishte ja pse Komisioni Evropian dhe institucionet e tjera na vlerësojnë ne për shkak të këtyre budallallëqeve që thuhen kundër nesh.
Kjo ishte përgjigja e tij, një njeri që ka humbur mendjen dhe tani si një aset i regjistruar apo influent rus, ka filluar të japë këshilla Evropës për Rusinë.
Dhe u thotë se Vladimir Vladimoriviçi, i drejtohet Putinit sikur të ishte nëpunës i administratës ruse, se në administratën ruse për afrim nuk i thonë presidenti Putin, por Vladimir Vladimiroviç. Edhe ky tani e ka marrë, se nga e mori, a ia tha Vuçiçi a kush ia tha, por këtë u thoshte aty.
Megjithatë ta lëmë atë, të vazhdojmë betejën tonë të vendosur në këtë përpjekje, ku kemi me vete qytetarët, mediat ndërkombëtare, të cilat mbështesin fuqishëm qëndrimet tona dhe natyrisht kemi një problem madhor me mafien e fjalës së lirë, të kontrolluar nga Edi Rama.
Ndaj dhe kemi të drejtë që merremi me Edi Ramën se ai është ‘mater matrix’ i të këqijave të këtij vendi.


