FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME GRUPIN PARLAMENTAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demorkatike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, ditën e sotme deklaroi se, PD do të kërkojë në Kuvend faljen e të gjitha gjobave dhe kamatë vonesave për energjinë elektrike, duke përfshirë shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla.
Berisha kritikoi qeverinë aktuale për përdorimin e shtetit në mënyrë elektorale dhe për miratimin e ligjit të blofit, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Berishës, gjobat e vendosura mbi këtë ligj janë të paligjshme dhe do të kthehen për ata që i kanë paguar. Berisha gjithashtu thekson se, në qeverisjen e PD-së, do të përcaktohet një kuadër ligjor për çmimet e energjisë në përputhje me rrogat dhe pensionet, duke siguruar një minimum bazë të energjisë për funksionimin e familjeve.
Kryedemokrati, Sali Berisha kundërshtoi fort ligjin për përdorimin e drogës, duke e quajtur të pa ligjshëm dhe të nxituar. Ai tha se ky ligj, de facto, legalizon përdorimin e drogës, veçanërisht kanabisit, dhe premton se do ta kundërshtojnë me forcë. Ai kërkoi studime më serioze për përdorimin farmaceutik të kanabisit dhe citon studime që paralajmërojnë efekte negative, si rritja e rrezikut për skizofreni. Berisha akuzoi qeverinë për përpjekjen për ta kaluar ligjin pa diskutim dhe pa dëgjuar ekspertët, duke e quajtur këtë një veprim të pa standarde dhe të dëmshëm.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për lidhje me grupe kriminale në Dubai dhe për takime të fshehta që lidheshin me investimet në Portin e Durrësit. Ai e konsideroi projektin e portit të ri si një aferë korrupsioni të madh, duke theksuar se fillimisht Rama tha se do të ishte një investim privat, por tani porti do të kushtojë mbi 1 miliard euro për shqiptarët. Berisha kritikoi dështimin e tenderëve dhe akuzoi qeverinë për abuzim me pasurinë publike dhe për të krijuar mundësi për pazare korruptive.
Kreu i PD, Sali Berisha u shpreh se do të insistojë për një tjetër interpelancë me kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar atë për frikë dhe pasiguri. Berisha foli rreth hetimeve ndërkombëtare ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit, dhe sugjeroi se ky hetim do të nxjerrë në pah të vërtetën. Berisha e cilëson situatën si një moment të vështirë për Ramën, duke thënë se ai ka frikë dhe se e vëllai i Basharit, i përfshirë në çështje droge, po i sjell probleme psikologjike.
FJALA E PLOTË
Siç e shihni, narkoqeveria është angazhuar e tëra në përdorimin e shtetit elektoral për qëllime elektorale.
Me një procedurë mashtruese, të paligjshme, radhën e kaluar donin të kalonin ligjin e blofit.
Ligji i blofit ishte ligji i faljes së gjobave që nuk janë gjoba sepse asnjë gjobë e vendosur mbi atë nen të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, jo vetëm që nuk mund të kërkohet, por detyrohet shteti, dhe i garantoj ata që i kanë paguar se qeveria e PD do t’i rikthejë ato gjoba. Përderisa gjykata e ka gjetur antikushtetues nenin, qindarkë për qindarkë, kushdo që paguar gjobë mbi atë nen, do marrë gjobën mbrapsht.
Së dyti, Gazi ka përgatitur një amendament dhe është dorëzuar në parlament, ne do kërkojmë faljen e të gjitha gjobave dhe kamatë vonesave që ekzistojnë për energjinë elektrike, për të gjitha shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla pa përjashtim.
Është një vendim, ju e patë se për çfarë i përdor OSSH dhe KESH paratë, i ndajnë njëri me tjetrin, në një kohë që atyre që nuk kanë realisht për të paguar, u presin dritat, i arrestojnë dhe e përdorin si një mjet dhune dhe presioni ndaj tyre.
Kjo përputhet plotësisht me angazhimin tonë që në 100 ditët e para do përcaktohet kuadri ligjor i çmimeve të energjisë elektrike në përputhje me rrogat dhe pensionet.
Nuk mund të paguajë kurrë një rrogëulët apo qoftë edhe rrogëmesëm sa paguan rrogëlarti apo ai që merr 5 mijë dhe 10 mijë euro në muaj. Nuk ndodh kjo. Ndaj edhe atij do i garantohet minimumi bazë i enegjisë për funksionimin e familjes.
Mos harroni se e kemi pasur dhe e kemi pasur me Bankën Botërore, fashoja në të cilën paguhej me 7 lekë energjia përfshinte shumicën dërrmuese të familjarëve në Shqipëri. Por kjo do jetë edhe më e ulët.
Do t’u proporcionohet se ju e patë, u merren 3 pensione me TVSH-në e ushqimeve dhe gjërave të tjera bazë. 2 pensione u merren më ujë, drita dhe këto shpenzimet, jo, nuk mundet kjo. Kjo do marrë fund.
Ndaj dhe ne e propozojmë nesër dhe e bëjmë këtë për të dërguar një mesazh të qartë për shqiptarët se e kemi detyrim ndaj jush në 100 ditët e para të qeverisjes tonë për ta shndërruar në ligj.
Në mënyrë antiligjore, sjellin tani ligjin e përdorimit të drogës në parlament. De facto i përdorimit të drogës, kështu është i mbuluar me substancat psikotrope.
Ne, atë ligj do e kundërshtojmë me forcën më të madhe.
Të studiohet dhe të gjejmë ligjet më serioze të mënyrës së përdorimit farmaceutik të kanabiolit.
Të identifikojmë vendet dhe praktikat, nuk e kam parasysh por edhe mund të jetë se si produkt farmaceutik mund të ekzistojë, por në tërësi në mënyrë absolute studimi i vjetshëm më i gjëri i bëri nga Universiteti i Harvardit, i akuzon produktet e kanabisit që janë mbi 50, të cilat thotë studimi mund të kenë efekte shumë negative.
Midis të tjerash është gjetur se ka katërfishuar skizofreninë. Studim shumë serioz danez.
Ku është droga, është krimi.
Ky tani, në vend që të bëjë një diskutim, në vend se të thërrasë mjekët, etj, e marrin dhe e kalojnë si kaçakë në parlament dhe duan ta fusin nesër me urgjencë që të votohet.
Si mundet? Po këta nuk kanë asnjë lloj standardi.
E thotë Bibla, njerëz pa cilësi. Do përdorim këta termin e Biblës për ta, njerëz pa cilësi, etiketimi më i saktë, në pamje të parë më i njerëzishëm, por në fakt më shkatërrimtar.
Komisioni hetimor për Portin e Durrësit është i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe.
Ky kuadër, këto vendime për Portin e Durrësit përbëjnë aktualisht aktin më madhor të korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe Europë.
E vështirë të gjesh një aferë multi-miliardëshe siç është kjo, ku toka dhe uji që merren mund të kushtojnë mbi 2 miliardë, ku ndërtimet 12.600 apartamente me 6 hotele luksoze, pishina, etj, që të gjitha pasuri e grupeve kriminale të Dubait, me të cilat, siç dëshmoi gazetari investigativ Artan Hoxha, Edi Rama ka bërë takim të veçantë gjatë vizitës së tij në Dubai me temë investimet e tyre në Durrës.
Mos harroni se vetëm Franc Çopja, sipas dosjeve Metamorfoza, njëri prej tyre është ky, nga Elbasani, thuhet se ka transferuar në bankat e Europës 3 miliardë euro. E them këtë për të kuptuar sa e pakufishme është paraja e tyre.
Pra, Edi Rama u zotua se do bënte amnistinë, dhe pasi BE dhe SHBA i nxorën kartonin e kuq, ky u tërhoq nga amnistia dhe bëri pastaj takimin e fshehtë në Dubai me zotimin se ata do ndërtojnë parajsën e tij dhe të Alabarit në Durrës. Kjo është e vërteta.
Cila është ana tjetër?
Ju duhet të rikujtoni se ky zotëri, në fillim fare kur paraqiti një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara që nuk kishte lidhje me portin, në mënyrë të përsëritur deklaroi se shqiptarët nuk shpenzojnë një qindarkë se porti i ri do ndërtohet nga privati.
Tani porti i ri u kushton shqiptarëve 1 miliardë e 2 ose 300 milionë euro. Dhe nuk e ndërton privati. Dhe hapi 460 milionë euro tender, i rriste pensionet 50-60 përqind.
Pra, tenderi i dështoi. Prisni, duhet të jemi vigjilentë, syçelë, i dështoi apo e dështuan, se çfarë bëjnë këta, i dështojnë tenderat, dhe këtë praktikë ndjek edhe Dumani mes të tjerash, mjeshtër i dështimit të tenderave.
I dështojnë një herë, i dështojnë dy herë, gjersa bëjnë pazarin me kompaninë që do sjellë ofertën më të lartë për të ndarë së bashku sasinë më të madhe të parave. Siç bënë me tunelin e Llogarasë. Kompania sllovene e kishte 130 milionë euro, duhej të vinte kompania turke me 200 milionë euro që të ndanin së paku 50 milionë euro.
Pra, edhe ky dështim i tenderit ndërkombëtar që gjoja shpallën për ndërtimin e portit në Porto Romano, me 90 përqind është bërë që të ndajnë sasinë maksimale të parave.
Ky komision ka në qendër interesin publik, pasurinë publike të shqiptarëve. E them përsëri, dy janë pasuritë e trashëguara më të mëdha, Porti i Durrësit dhe digat. Por Porti i Durrësit mund të jetë pasuria më e madhe e shqiptarëve.
Këta duan ta kthejnë tani në dënim. Të ndërtosh port të ri se do të bësh ti marinë e hotele, dhe të dënosh qytetarët e tu me 1.3 miliardë për të ndërtuar portin e ri, ky është një krim i përmasave shumë të mëdha.
Prapë do insistohet që të paraqitet edhe në interpelancë.
Nuk ka kurajo, ka frikë ai.
Ai ka frikë, ka tmerr.
E pa tani që edhe i vëllai i Basharit merrej me drogë, tani kur i del në ëndërr Olsi, e ndjen veten shumë keq.
Që në fakt është absolutisht, e vërteta do dalë.
Fatmirësisht është në hetim ndërkombëtar.
Fatmirësisht, po!