PRONONCIM PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA PARA KUVENDIT
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë prononcimit për media para Kuvendit, akuzoi qeverinë për mungesë transparence dhe për përdorimin e lobimeve korruptive në procesin e integrimit europian të Shqipëria.
Ai deklaroi se qytetarët shqiptarë mbahen të painformuar mbi zhvillimet e negociatave me Bashkimin Europian, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, dhe kërkoi që procesi i integrimit të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.
Berisha theksoi se vendi nuk përmbush kriteret kryesore të BE-së, duke përmendur probleme si zgjedhjet, korrupsioni, përqendrimi i pushtetit dhe kriminaliteti. Ai u bëri thirrje institucioneve europiane të reagojnë ndaj kësaj situate.
Në vijim, lideri demokrat ngriti shqetësime për cilësinë e ndërtimeve pas zjarrit në kompleksin ‘Arlis’ në Tiranë, duke akuzuar autoritetet dhe ndërtuesit për shkelje të rregullave urbanistike.
Gjithashtu, Berisha komentoi vendimin e gjykatës për thirrjen si dëshmitar të Edi Ramës në një çështjen ‘Partizani’, duke kërkuar përballje publike dhe duke e akuzuar kryeministrin për përfshirje në afera korruptive.
PRONONCIMI I PLOTË
Qeveria është një institucion i antitransparencës në Shqipëri.
Një institucion që bën gjithçka të fshehë ndaj shqiptarëve
problemet madhore të jetës së tyre, ndër të cilat edhe procesin e integrimit.
Shqipëria është i vetmi vend që negocion bazuar në lobime korruptive dhe jo në parimet themelore të përcaktuara nga BE për procesin e integrimit.
Narkomazhoranca me lobimin korruptiv të saj arrin të përjashtojë totalisht shqiptarët nga procesi i integrimit.
Në qoftë se serbët, maqedonasit, marrin informacion të saktë pas çdo takimi në Bruksel, qeveria shqiptare nuk publikon qoftë dhe një fjalë të vetme nga ato mbledhje, të cilat vendosin për fatin e integrimit të të gjithë shqiptarëve.
Në qoftë se në të gjitha vendet përreth, ju e keni dëgjuar raportin IBAR, çfarë është raporti IBAR, raporti IBAR është raporti i vlerësimit të ndërmjetëm, jo përfundimtar të dy kapitujve kryesorë, kapitujt për themeloret, shtetin ligjor, drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit.
Ju duhet ta dini se opozita merr vesh përmes miqve të saj në takimet e COELA-s, sepse qeveria nuk jep asnjë njoftim.
Ndërkohë përfaqësuesi i qeverisë, ky nuk është një proes i mbyllur brenda përfaqësuesve të vendeve anëtare, aty merr pjesë përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, i cili merr përsipër të mos i thotë asnjë fjalë vendit të tij, përveçse kryeministrit dhe ministrit të tij.
Pra, Shqipëria nuk e bazon procesin e integrimit në një proces transparent dhe gjithëpërfshirje, por e bazon këtë proces në lobime të turpshme korruptive.
Dhe unë i bëj thirrje Komisionit Europian, i bëj thirrje BE, u bëj thirrje vendeve anëtare të denoncojnë këtë praktikë të turpshme, unike, asnjë vend tjetër nuk e ndjek.
E kundërta ndodh.
Ngrihen këtu dhe akuzojnë opozitën për fjalimet që mban në Strasburg, për kërkesat që paraqet.
Tani, duhet t’u them ju, ne kemi deklaruar dhe deklarojmë me përgjegjësi të plotë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se ky vend, përveç kriterit gjeopolitik, ky vend në mënyrë absolute nuk plotëson asnjë kriter tjetër të kërkuar nga BE në procesin e integrimit.
Ne sigurisht në takimet tona kemi faktuar shkarjen e tmerrshme mbrapa të demokracisë në Shqipëri që nga heqja e procesit të monitorimit.
Cilat janë?
Farsa madhore elektorale.
Kartelet e drogës omnipotente, nuk i themi vetëm ne, i thotë gjithë Europa tani.
Bllokimi i tmerrshëm i ndëshkimit, i arrestimit të Lubi Ballukut nga Edi Rama për shkakun e vet.
Pra janë një përqendrim total i të gjitha pushteteve në duart e Edi Ramës.
Këto janë prapa kthehu.
Kurrë njëherë më parë nuk janë dhënë 28 mijë hektarë kanabis në fushatë elektorale.
Kurrë njëherë më parë nuk janë falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata.
Kurrë ndonjëherë më parë nuk janë arrestuar liderët e opozitës në vitin elektoral.
Po marr vetëm këto shembuj.
Atëherë çfarë do themi ne? Që Shqipëria po bën përpara? Jo, ne do shkelmonim interesat themelore të çdo qytetari shqiptar nëse pohojmë këtë.
Ne u themi partnerëve se Shqipëria ka kthim të madh mbrapa.
U themi partnerëve dhe miqve tanë se duhet hequr dorë përfundimisht nga procesi i integrimit i bazuar në lobim korruptiv dhe duhet të insistohet që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.
Ju e keni parë, aktin e parë që bënë me hapjen e këtij parlamenti, e morën komisionin e integrimit.
E kishte zonja Tabaku, e cila sigurisht që do mbronte interesat e shqiptarëve dhe shtetit ligjor, demokracisë në atë komision, dhe ia hoqën atë.
Ai vendim në Gjykatë Kushtetuese është marrë vetëm e vetëm se këta me çdo kusht donin ta përjashtonin opozitën nga procesi i integrimit.
Vijnë tani dhe ngrihen në parlament e thonë se këta bëjnë denoncime.
Ne këto i bëjmë këtu, ne u themi në Strasburg dhe në Bruksel po këto që themi këtu.
I themi anglisht apo shqip, kjo është sipas mjedisit që komunikojmë.
Por ne nuk themi atje asgjë më shumë se këto që themi këtu në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë.
Gazetarët: Z. Berisha, ka një shqetësim aktual shumë të rëndësishëm për të cilin opozita nuk po flet. Dy ditë më parë është përfshirë nga flakët një pallat i ri. Dhjetëra banorë kanë mbetur jashtë dhe dyshohet për cilësinë jashtëzakonisht të dobët të ndërtimeve. Dhe nuk preken vetëm ata dhjetëra banorë që jetojnë në atë pallat, por vihet në dyshim cilësia e dhjetëra ndërtimeve apo qindra ndërtimeve të tjera?
Sali Berisha: Absolutisht, keni shumë të drejtë. Është një çështje thelbësore. Pallati i kuq është pallati Rama-Veliaj. Arlis Lena është kompania e tyre.
Armando Lilo që ia mbathi, dhe që Edi Rama u bë avokat i tij, shikoni se ç’bëjnë qeset e parave, ndërtuesi tha dje, mori përsipër ndërtimin, ndonëse u faktua brenda 12 orëve se nuk ishte faji i ndërtimit.
Fasada u dogj sikur të ishte me kashtë dhe jo e beton, sepse i tillë ishte materiali për të cilin kishte një ekspertizë dy vite më parë që është material i djegshëm dhe që ishte dërguar në prokurori.
Po këtu janë në unison së bashku se ai pallat është ndërtuar jashtë të gjitha kondicioneve urbanistike.
Ju e patë vetë, zjarrfikësi nuk futej dot, fat i madh që shpëtuan jetët e njerëzve, që edhe mund të humbisnin, por ai ishte zjarr i paralajmëruar.
Tani i them Ramës unë, avokatit të Armando Lilos, po në qoftë se Armando Lilo nuk kishte faj, atëherë pse ia mbathi? Pse iku nga drejtësia meqë ti e nxjerr të pafajshëm? Është Rama i fajshëm, është Erion Veliaj i fajshëm.
Janë këta që kanë shkatërruar me betonizimin e Tiranës.
Dhe jam plotësisht dakord me dy, absolutisht raste analoge ekzistojnë sot në çdo bllok.
Edhe pallati në pajë. Pallati në pajë nuk është me materiale të djegshme, por ka zënë sheshin e pallateve dhe në qoftë se aty bie zjarr në pallate, nuk ka ku futet zjarrfikësja se del pallati në pajë i Linda Ramës.
Pra, janë të gjitha këto shkelmime të kondicioneve urbanistike.
Gazetarët: Z. Berisha, ditën e djeshme, GJKKO ka vendosur të thërrasë si një nga dëshmitarët për çështjen ku jeni person nën hetim edhe kryeministrin Rama. Keni një koment?
Sali Berisha: Është kërkuar me kohë thirrja e Edi Ramës pasi në atë dosje Edi Rama ka mbi 12 firma, ose 10 firma, se tani duhet t’i numëroj. Prej tyre, në shkelje flagrante të ligjeve dhe i ndëshkuar nga gjykata për to dhe prokuroria mercenarët e Ramës nuk e thirrën njëherë kur ne kërkuam.
Përkundrazi akuzuan Sali Berishën për gjëra që nuk kishte asnjë lidhje me to.
Gjykata zbatoi ligjin në kuptimin që firmat aty janë të Edi Ramës. Unë kam një firmë pas firmës së Edi Ramës, ex-oficio firma ime. Që absolutisht në gjithë aktivitetin tim nuk kam firmosur ndonjëherë kundër projekteve që ata kanë prurë, sepse me Kushtetutë, territori është i bashkive përveç rasteve kur kërcënohet siguria.
Edhe në atë rast, Kongresi i Autoriteteve Rajonale u shpreh në favor të Ramës dhe kundër meje. Pra, unë nuk mund të ndryshoja dhe Rama me 12 firma, Rama i cili ka ndërruar destinacionin pa u kthyer prona tek pronari, pa kërkesën e pronarëve, pa kërkesën e pronarëve fare, ka ndërruar destinacionin e një pjese të mirë të territorit në vitin 2006 për ta shndërruar në zonë urbanistike se duket ia kishte vënë syrin si toka e askujt bashkë me Olsin e tij dhe bashkë me një futbollist. Ishte bërë një treshe që donte të ndërtonin aty parajsën e tij.
Kjo është.
Thirrja e tij, unë them që çdo gjykatës serioz vendos marrjen në ndjekje penale të Edi Ramës për ato akte.
Por edhe thirrja, do të jemi ballë përballë aty dhe i thoni të bëhet burrë, të mos kërkojë seancë pa mediat, të kërkojë mediat aty kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të vijnë të shohin shqiptarët se cili është Edi Rama në atë aferë, çfarë korrupsioni, çfarë aktesh korruptive të mëdha ka kryer ai duke ndryshuar destinacion pa asnjë kërkesë nga pronarët, por vetëm për llogari të xhepit të tij dhe enturazhit të tij.
Gazetarët: Z. Berisha, ju do shkoni vetë në gjykatë?
Sali Berisha: Sigurisht, pa diskutim, unë e mirëpres të shkojmë. U them bile të afrojmë se populli e pret këtë.
Ju siguroj që populli e pret.
Shqiptarët e presin me padurim një konfrontim në sallën e gjykatës midis meje dhe kryehajdutit që është bërë tani i famshëm në gjithë botën për vjedhjet që u bën shqiptarëve.
Gazetarët: Përballë me zotin Rama apo me zotin Balla që është kallëzuesi juaj në SPAK?
Sali Berisha: Unë përballjen e kam kërkuar dhe e kërkoj me Edi Ramën. Ai është njeriu që ka një aferë të tmerrshme korruptive, ka firmosur ndryshimin e destinacionit pa asnjë kërkesë pronarësh.
Asnjë kërkesë pronarësh, përveç Olsi Ramës dhe është një futbollist tjetër aty, do ia gjejmë emrin nëpër arkiva atij.


