Berisha: Do jem në kongresin elektoral të CDU në Gjermani. Kam agjendë për takimet me diasporën

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës së zhvilluar me gazetarët ditën e sotme reagoi ashpër ndaj ndryshimit të trupës gjykuese në Gjykatën e Lartë për rastin e deputetit të PD, Ervin Salianji. Berisha e cilësoi këtë veprim si një akt politik të paprecedent, që ka për qëllim të mbrojë individë të lidhur me klane mafioze, duke përmendur lidhjet e Edi Ramës me klanin Xhafaj. Berisha e quajti këtë ndërhyrje një provë të frikës dhe tmerrit që ka qeveria ndaj denoncimeve të Salianjit lidhur me krime të rënda, duke theksuar se ky akt dëmton drejtësinë dhe është një tentativë për të mbajtur një njeri të pafajshëm në burg për arsye politike.

Kreu i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për shkelje të të drejtave të opozitës dhe për manipulim të zgjedhjeve, duke e krahasuar me diktatorin Lukashenko. Berisha paralajmëroi se çdo dhunim i kodit zgjedhor do të konsiderohet krim kushtetues dhe ka denoncuar ndryshimin e trupës gjykuese për të siguruar një vendim të preferuar nga Rama.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën për vjedhjen e premtimit të tij për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, një projekt që Berisha e kishte paraqitur prej vitit 2012. Ai theksoi se për Ramën, akuza për vjedhje nuk është lajm, por do të vazhdojë ta denoncojë për çdo vjedhje. Berisha iu drejtua Ramës për marrjen e ideve të tij dhe për t’i prezantuar ato si të tijat, duke theksuar se qytetarët duan origjinalin, jo kopje.

Kryedemokrati, Sali Berisha denoncoi gjetjen e 300 mijë eurove në garazhin e Ajola Xoxës, duke e lidhur këtë me një apartament sekret të regjistruar në emër të familjes Dabulli. Ai akuzoi familjen Veliaj për lidhje me grupin “Hakmarrja për Drejtësi” dhe për pasuri të paligjshme. Berisha theksoi se pasuritë janë përvetësuar nga ata që kanë pasur akses në hetimet dhe se ka pasur rastet kur pasuri janë zhdukur pa u regjistruar. Ai premtoi se do të shpërndajë më shumë informacione në ditët në vijim.

Lideri demokrat, Sali Berisha njoftoi se do të marrë pjesë në kongresin elektoral të CDU në Gjermani, si kryetar i Partisë Demokratike. Berisha tha se kongresi do të jetë njëditor dhe ka planifikuar të zhvillojë takime me diasporën shqiptare, megjithatë për shkak të kohës të ngjeshur, ai nuk mund të organizojë një takim tjetër me ta në këtë udhëtim, por ka ndërmend ta bëjë në një kohë tjetër.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Nesti Angonin, një person që ka punuar në OSHEE dhe në Këshillin e Ministrave, si “spiuni” që kishte njohuri për gjetjen e 300 mijë eurove në garazhin e Ajola Xoxës. Ai shprehu shqetësimin që nuk është bërë publik njoftimi për këtë gjetje, duke e quajtur këtë mungesë informacioni shqetësuese. Berisha ka ngritur dyshime mbi mënyrën si janë trajtuar paratë dhe ka kërkuar transparencë për të zbuluar se ku janë ato.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se ka përfunduar përpunimi i rregullores për primaret në Partinë Demokratike, e cila do të diskutohet dhe miratohet së shpejti. Berisha shtoi se ka tri variante për mënyrën se si të zhvillohen primaret: në nivel dege, në nivel qarku, ose me listë kombëtare. Sipas tij, secili variant ka avantazhet dhe problemet e veta, dhe do të diskutohet për të vendosur variantin më logjik. Berisha ka sqaruar gjithashtu se kryetarët e degëve që nuk japin dorëheqjen nuk mund të marrin pjesë në primare, duke theksuar se ata duhet të respektojnë statutin dhe të mos pengojnë procesin e votimit.

Kryedemokrati, Sali Berisha u shoreh para gazetarëve se diaspora kërkon që dokumentet biometrike të shtetit ku jetojnë shqiptarët të njihen në Shqipëri. Berisha theksoi se diaspora është entuziaste për mundësinë e regjistrimit për të votuar, por kërkon që të zgjidhen vështirësitë në regjistrim dhe të njihet statusi i dokumenteve biometrike. Berisha e krahasoi këtë me praktikat e Kosovës, që njihet dokumentet biometrike të shqiptarëve në diaspora, dhe kërkoi që të përfundojë çdo “alergji” ndaj kërkesave të diasporës.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se vendimi përfshirjen e drejtuesve të qarqeve në primare do të merret nga Këshilli Kombëtar, dhe ai nuk do të ndikojë në këtë proces. Berisha  theksoi se nuk ka tagër të tejkalojë statutin dhe se është Këshilli Kombëtar që ka autoritetin për të vendosur mbi çështje të tilla. Berisha tha se në një parti demokratike është normale të shprehen mendime të ndryshme, dhe se primaret mund të jenë me lista kombëtare ose rajonale, por vendimi do të merret nga Këshilli Kombëtar. Ai shtuoi se do të respektohet çfarëdo vendimi që të miratohet në këtë organ.

Lideri i opozitës, Sali Berisha akuzoi Partinë Socialiste për pendesë lidhur me mundësinë e votës për shqiptarët jashtë vendit, duke thënë se ata janë penduar thellësisht që e lejuan këtë. Berisha tha se PS është në kaos dhe ka frikë nga diaspora, duke i akuzuar për manipulime dhe përpjekje për të mbushur sallat me mbështetës të organizuar. Berisha shtoi se kërkesa e emigrantëve për njohjen e dokumenteve biometrike është unanime dhe se kjo duhet të pranohet.

FJALA E PLOTË

Në një akt të pashembullt, të paprecedent, Edi Rama urdhëroi ndryshimin e trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë, që shqyrton dosjen e deputetit të PD, Ervin Salianji.

Ky akt i shëmtuar politik dëshmon dhe njëherë fytyrën e vërtetë të regjimit të Edi Ramës.

Dëshmon dhe njëherë lidhjet e tij të tmerrshme me klanin Xhafaj, dhe se klani Rama dhe klani Xhafaj janë dy klanet mafioze më të rrezikshme të Shqipërisë, të rajonit dhe Europës, pasi janë dy klanet që kontrollojnë me t gjithë pushtetin ekzekutiv dhe të tjera, trafiqet kriminale në këtë vend.

Ndryshimi nga Rama-Xhafaj me përsëritje të shortit në prag të seancës së gjykimit, duke i dorëzuar shortin Sokol Binajt, një militant i vjetër i PS, i shumënjohur si i tillë, pasaardhës i një ish-xhelati të diktaturës komuniste, dhe caktimi i tij jashtë çdo lloj parashikimi dhe procedure, duke ndryshuar shortin me short, tregon tmerrin që kanë klani Xhafaj dhe klani Rama ndaj denoncimit të Ervin Salianjit.

Nuk ka ndodhur kurrë, kjo ndodh vetëm në gjykatat e Edi Ramës, të Lukashenkos dhe të ajatollahëve të Teheranit.

Ervin Salianji është një martir i gjallë i fjalës së lirë.

Ai qëndron në qeli vetëm e vetëm pse paraqiti prova të pakontestueshme se Fatmir Xhafaj me vëllanë e tij kriminel, trafikant, që e merrte në mbrojtje, drejtonin trafiqe të tmerrshme.

Se Olsi Rama me Geron Xhafën, siç oshëtinte e gjithë Vlora, ishin zotërit e lojërave të fatit dhe ndanin pra larjen e parave.

Ervin Salianji nuk ka bërë kurrë një padi në jetën e tij përveçse padisë publike, atë që duhet të bëjë çdo deputet në parlamentin shqiptar.

Ai ka lexuar regjistrimin që një gazetar guximtar, Jetmir Olldashi, i bëri famëziut trafikant, të cilët me shumë të drejtë presidenti Donald Trump ka ndërmend t’i shpallë kartelet e drogës si grupe terroriste. Ato të tilla janë.

Pra, një denoncim që i bëri vëllait të ministrit se drejtonte sasi të mëdha trafiqesh nga Vlora.

Ngarkesa për të cilën bëhej fjalë ishte 13 ton e 300 kg. Duke mbajtur në burg një politikan të ri guximtar, Edi Rama dëshmon se ka frikë dhe tmerr nga krimet që ka kryer.

Unë dënoj me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar. Këtë akt kriminal të mbajtjes së një njeriu të pafajshëm prapa hekurave.

Dhe meqenëse trupa gjykuese duket se nuk gjente dot asnjë lloj motivi për të pranuar këtë vendim politik të gjykatave të shkallëve të tjera, dhe i bëri të qartë Edi Ramës se nuk do mund të vendoste sipas dëshirave të tij, ajo u ndërrua dhe u shtua famëzi Sokol Binaj, një militant i verbër i PS.

Gjithashtu unë i shpreh solidaritetin tim të plotë dhe total Ervin Salianjit dhe e siguroj se PD do bëjë gjithçka që klani mafioz Rama-Xhafaj të marrë përgjigjen e merituar.

Dje, diktatori i Bjellorusisë zhvilloi zgjedhjet jo me një, por disa eksponentë të opozitës në burgje.

I cili, njëlloj si Edi Rama, deklaroi se ata kanë hapur vetë dyert e burgjeve.

Sepse kishin folur kundër tij, sepse kishin qëndruar kundër tij.

Pikërisht për këtë arsye është në burg Ilir Meta, ish-presidenti, ish-kryeministri, ish-kryetari i parlamentit.

Në një akt politik të shëmtuar, kriminal, Edi Rama nuk ka shanse në këto zgjedhje.

Por garantoj se krimet e tij politike do marrin ndëshkimin më të rëndë.

Dhe si të tilla nuk do konsiderohen vetëm burgosjet dhe persekutimi i kundërshtarëve, por krim kushtetues politik do konsiderohet çdo dhunim i kodit zgjedhor, serinë e të cilëve ai e vazhdon pandërprerë.

Kjo ishte çështja më kryesore që unë desha të sjell para medieve sot në një ditë shumë të veçantë, pasi nuk ka ndodhur kurrë që të ndryshohen gjykatësit në prag të procesit gjyqësor, në mënyrë që të sigurohet vendimi që do Edi Rama.

Së dyti, të thuash se Edi Rama është hajdut, nuk përbën lajm dhe jam i sigurt se ju nuk ia transmetoni qytetarëve, jo nga frika e tij, edhe ajo është, por nuk ua transmetoni se nuk përbën lajm.

Megjithatë, unë do ta denoncoj Ramën në çdo vjedhje të tij.

Këto ditë ai ka dalë para qytetarëve me një premtim të paraqitur nga Sali Berisha nga viti 2012 gjer në vitin 2025 në mënyrë të përsëritur.

Dhe ky premtim është Banka Shqiptare për Zhvillim.

Këtu i keni disa prej titujve, që informojnë publikun për vendimin e Sali Berishës, premtimin e tij për Bankën Shqiptare të Zhvillimit.

Unë e kuptoj se akuzat për vjedhje për Edi Ramën nuk bëjnë lajm se janë standard normal.

Por unë nuk do lodhem duke denoncuar këtë hajdut që nuk lë gjë pa vjedhur.

Vetëm një gjë i them, midis kopjet dhe origjinalit, çdo qytetar i këtij vendi, kopjen e hedh në kosh dhe mban origjinalin.

Prandaj, sa bën papagallin e Sali Berishës, më mirë mos e prit 11 majin se absolutisht do marrësh atë që meriton.

Si mundet një kryeministër, pa u skuqur, pa u zbehur, vetëm se është hajdut, merr elementë të programit të kundërshtarit.

Pra, nuk mund të mos e denoncoja këtë.

Së fundmi, dua të informoj qytetarët se në kontrollin e fundit që iu bë Velicës, minierë floriri është.

Po! Në garazh u gjetën 300 mijë euro të fjetura aty.

Dhe ai apartamenti top sekret ishte i regjistruar në emër të Dabullëve, Albanit apo Besnikut, sqarojeni vetë ju.

Pra, apartamenti top sekret i Lalë Vjedhësit dhe Velicës në Sky Toëer ishte i regjistruar në emrin e Dabullëve, merreni me mend ju sa pasuri kanë ata me Dabullët, me krahun politik të Hakmarrjes për Drejtësi.

Dabullët me dokumente janë krahu politik i Hakmarrjes për Drejtësi.

Janë Dabullët që dërgonin arka me minerale kur e kërkonin Shytët, etj.

Pra, janë gjetur 300 mijë euro, u regjistruan apo nuk u regjistruan, këtë nuk mund të vë dorën në zjarr.

A janë shënuar në procesverbale apo jo dhe a janë marrë në sekuestrim, këtë nuk e di.

Sepse ndodh prore që ata që i shohin edhe i përvetësojnë ose ia lënë të zotit.

Ka ndodhur.

Sa erdhën me Toyota Yaris? 5 milionë, 3.2 milionë janë shënuar aty. 1.8 milionë u vodhën pa dalë nga porti.

Pra, 300 mijë u gjetën në kasafortën sekrete të Velicës. Kasaforta gjendej në garazh.

Këto kisha unë dhe shumë të tjera do ketë në ditët në vijim.

PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT

Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, është folur dhe lajmëruar që ju do të udhëtoni në Gjermani në shpejti.Mund të na jepni më shumë detaje kur do të ikni dhe agjendën tuaj në Gjermani dhe ftesa që është bërë, në ëfarë niveli politik është. Pra, në ëfarë niveli politik do të takoni në Gjermani të CDU-së.

Berisha: Në Gjermani jam i ftuar për të marrë pjesë si kryetar partie në kongresin elektoral të CDU.

Ky kongres është njëditor ose më pak mund të jetë.

Janë të ftuar kryetarë të partive anëtare të Partisë Popullore dhe unë di të shkoj të marr pjesë.

Mendova të organizoj një takim tjetër me shqiptarë, por koha nuk më premton, kështu që unë do të shkoj njëherë tjetër për të takuar emigrantët në Gjermani.

Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha, a keni një agjendë për takimet?

Berisha: Kam një axhendë, do filloj në disa takime.

Do shkoj në disa takime dhe do i njoftoj takimet.

Isa Myzyraj, Ora News: A keni informacione mbi detajet për mënyrën se si është aksesuar kasaforta ku pretendoni për vlerën 300 mijë euro?

Berisha: Çfarë kam unë informacione se spiuni i apartamentit sekret ka qenë Nesti Angoni, i cili herë punon në OSHEE, herë të tjera punon në Këshill të Ministrave, është njëlloj Daniolli i Sherkës, personazhi i Rexhep Qosjes. Është kryevepër.

Pra, këto kam të dhëna.

Kam të dhëna se janë gjetur në kasafortën e garazhit.

Por nuk kam të dhëna se a janë regjistruar, si janë regjistruar dhe sa u regjistruan.

Por fakti që nuk u njoftuan është shumë shqetësues. Nuk u njoftuan që u gjetën.

Më duket se nuk është njoftuar as kontrolli.

Janë eurot mbrapa. Urdhëro.

Kur u kontrollua Harabeli, u bë komunikata. Kurse kur u kontrolluan 300 mijë eurot, nuk u bë komunikata.

Ku janë? Mund të jetë teprim kjo se ndoshta janë numëruar një më një dhe janë sistemuar diku.

Fakti që nuk u bë njoftim, kërko paratë!

Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha, mqs ditën e djeshme ka përfudnuar procesi i drejtuesve të degëve për të dhënë dorëheqjen për të kandiduar për primare si deputet, kur do të jetë publike rregullorja si do të ecet me këtë proces dhe a do të jenë primare qarku, apo dege?

Berisha: Rregullorja është bërë gati.

Diskutim do ketë për këtë.

Ka tre variante.

Ka një variant që të jenë degësh. Ka një variant tjetër që të jenë qarku. Ka një propozim që të jenë listë kombëtare.

Tani, të them të vërtetën, secili variant ka argumentet dhe pluset e veta.

Por lista kombëtare, e cila tingëllon bukur, ka një problem se aplikohet në një sistem që është rajonal dhe jo kombëtar.

Por, unë nuk marr përsipër të anësoj nga asnjëri variant, veçse do diskutohen variantet dhe do vendoset varianti më logjik.

Rregullorja është përpunuar.

Në pamje të parë, po më shtyn të prononcohem. Sigurisht lista kombëtare është listë kombëtare, por gjersa sistemi është rajonal unë besoj se je i detyruar të respektosh sistemin rajonal.

A mund të shartohen dhe të përdoret votë e dyfishtë?

Nuk mund ta them këtë, duhet ta mendojmë me ekspertë dhe specialistë.

Andon Kello, MCN: Z.Berisha, a keni ju një ifnormacion se sa kryetarë degësh kanë dhënë dorëheqjen deri më tani?

Berisha: Mesa di unë kanë dhënë dorëheqjen 5 kryetarë degësh dhe kjo nuk është një shifër përfundimtare.

Dhe kjo përbën një detyrim statutor në mënyrë që dega e PD, votimi dhe të gjitha të jenë distante me të gjithë kandidatët.

Një kryetar dege që nuk jep dorëheqjen, nuk mund të hyjë në primare. Kryetari i degës që duhet të hyjë në primare, duhet të respektojë statutin.

Kryetari i degës plotëson çdo kriter për të qenë kandidat dhe deputet, por ai ka detyrimin të respektojë statutin dhe të hyjë në garë, ndërkohë drejtimi i partisë merret nga një person i komanduar, i cili si rregull duhet të jetë nënkryetar se zgjedhje nuk bëhen dot tani.

Mariglen Kume, MCN: Në vijim të këtyre pyetjeve z.Berisha, ju thatë në konferencën e kaluar që për drejtuesit politikë do të vendosin Këshilli Kombëtar, nëse do të jenë pjesë e primareve apo jo. Kemi një datë se kur do të mblidhet Këshilli Kombëtar për këtë?

Z.Berisha, keni arritur ju ndonjë analizë apo konkluzion që, nëse ky procesi i brendshëm ju ka shpërqendruar nga ajo puna që ishte nisur për takimin me diasporën, apo nga kjo fushata makro?

Berisha: Takimet me diasporën ne po i vazhdojmë, siç keni parë ju. Po i vazhdojmë rregullisht.

Dhe realisht, shumë nga drejtuesit tanë qëndrorë dhe lokale, shumë nga deputetët tanë janë të shpërndarë në të katër anët e dheut në takime me diasporën. Dje për shembull janë zhvilluar 3 takime në Itali, në Belgjikë, në Greqi, në Kanada dhe Gjermani.

Tani, kryesore, çfarë po bëjmë? Ne po përpiqemi t’i ndihmojmë në regjistrim dhe janë hapur një seri zyrash, të cilat përsëri janë pak.

Por po hapen zyra nga mbështetësit tanë, se ne nuk i përballojmë, ku ofrohet ndihmë për të gjithë ata që kanë vështirësi në regjistrimet si votues në portalin e KQZ.

Pra, ajo që mund të them unë është diaspora është shumë entuziaste me këtë të drejtë që iu është konsakrua, por kërkon në unanimitet që dokumentet e tyre biometrike të vendit ku jetojnë të jenë të vlefshme.

Merrni po të doni Kosovën, e cila njeh pa asnjë lloj komenti të gjitha dokumentet biometrike të vendeve ku jetojnë shqiptarët.

Pra, duhet të marrë fund kjo alergji dhe fobi nga diaspora dhe duhet të sanksionohet menjëherë njohja e dokumenteve biometrike.

Elda Menga, TCH: Z.Berisha, pak ditë më parë Bujar Leskaj, drejtuesi politik ju kërkoi që në primare të marrin pjesë edhe drejtuesit politik, megjithëse vet është një i tillë. Ndërkohë, një ditë më pare deputetja Dhurata Ëupi ka kërkuar që të zbatohet statuti dhe drejtuesit politik të qarqeve të futen në garën e primareve. A po e orienton Berisha këtë garë duke ia deleguar vendimarrjen nëse drejtuesit politik do të marrin pjesë në primare apo jo Këshillit Kombëtar? Dhe a po rrezikoni që të krijoni një përëarje të thellë mesa demokratëve në prag të xgjedhjeve, duke rrezikuar një rezultat të dobët, pasi e shkuara historike e PD ka treguar se sa herë ka gara të brendshme kanë ndodhur pakënaqësi, ka ndodhur ndikim në rezultat nga ana e strukturave.

Berisha: Së pari, nuk po orientoj asgjë sepse statuti është statut dhe unë nuk kam tagër që të tejkaloj statutin.

Por, organi që ka tagër të tejkalojë statutin, midis dy konventave, është Këshilli Kombëtar.

Dhe unë u kam thënë se do vendosë Këshilli Kombëtar se si do veprohet me drejtuesit e qarqeve.

Nga ana tjetër, është shumë normale në një parti demokratike, të shprehen mendime të ndryshme.

Unë u thashë më parë që në zyrën e tij kam propozime nga bashkëpunëtorë të mi dhe të tjerë që primaret të jenë me listë kombëtare. Të tjerë që të jenë me listë rajonale. Kjo është gjëja më normale. Dhe do arrihet një rezultante.

Pra, nuk ka asnjë lloj orientimi nga unë përveçse atyre që janë shkruar në statut.

Në qoftë se kam deklaruar se është Këshilli Kombëtar, u kam thënë një të vërtetë ju se është Këshilli Kombëtar që mund të tejkalojë statutin. Dhe ajo normë që miratohet nga Këshilli Kombëtar, instalohet nga konventa në statut.

– Kur pyes orientim e kam fjalën nëse, Këshilli Kombëtar mund të kthehet në barkë shpëtimi për drejtuesit politik duke i anashkaluar garën e primareve. A duhet dhe ata të dalin nga bota e brendshme e PD para se t’i drejtohen zgjedhësve?

Berisha: Ka një moment këtu. Si e gjykon Këshilli Kombëtar, unë nuk mund ta marrë përsipër.

Por një drejtues është një drejtues dhe nuk ka mbirë aty, ka ardhur aty nga procese votimesh dhe votëbesimesh. Kështu se si do jetë… unë e kuptoj që ka njerëz që thonë se lista duhet të jetë 100 përqind e hapur.

Unë këtyre miqve, që ka edhe në parti dhe nuk kam asgjë kundër tyre, u them e nga 43 vende që aplikojnë listën e hapur, janë gjithsej vetëm 3 të tilla që e kanë plotësisht të hapur.

Të gjitha të tjerat e kanë me shkallë. Kjo sepse duhet një proporcion midis partisë dhe pjesës aspirante për t’u zgjedhur.

Sigurisht mund të jenë të gjithë.

Por në këtë sistem ka një defekt. Një garë kryekëput individuale e harron secili, me të drejtë, jo pa të drejtë, do kërkojë votën e tij.

Do ishte shumë e drejtë në qoftë se sistemi unifikonte votën e kandidatit me votën e partisë. Në këtë rast do ishte, por Edi Rama që ka penguar gjithcka për të penguar, nuk e lejoi këtë.

Dhe në këtë rast, partia jetime nuk mund të mbetet.

Askund në botë nuk ndodh.

Pra, besoj se e shpjegova shumë qartë. Nuk është kryetari, nuk e Kryesia, është Këshilli Kombëtar që do vendosë.

– A keni ju një propozim për Këshillin Kombëtar për t’i mbrojtur drejtuesit e qarqeve që të mos marrin pjesë në garën e primareve. Do ketë propozime nga ju në statut?

Berisha: Nuk kam ndërmend t’i ndikoj askujt paraprakisht me qëndrimin tim. Kam ndërmend që këtë ta diskutojmë në Këshillin Kombëtar. Se nuk ka kuptim nëse unë paragjykoj ose jap mendime paraprake. Jo, Këshilli Kombëtar do vendosë.

– Në konferencën e fundit ju e kushtëzuat votën për ndryshime në kodin elektoral me dy amendamente. A keni një sinjal nga PS nëse ka vendosur t’i pranojë amendamentet tuaja për letërnjoftimet biometrike jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja?

Berisha: PS është në kaos të madh, në inkoherencë totale.

PS është penduar shumë, janë penduar thellësisht që lejuan votën e shqiptarëve jashtë vendit sepse konstatojnë një alergji ndaj tyre, për të mos thënë edhe më shumë.

Ju besoj i keni parë xhirot e Taos në demonstrata.

Keni parë se si mbushin sallat me arsimtarë që i marrin nga Shqipëria në piknik.

Se si shpërngulin të gjitha bashkitë e juglindjes për t’i mbushur sallën Spiropalit.

Tani ata janë në çrregullim të madh.

Ndjejnë frikë.

Ne insistojmë, ne në mënyrë absolute nuk pranojmë asnjë ndryshim nëse nuk pranojnë ndryshimin.

Sepse kjo është të ndëshkosh. Është kërkesë unanime e emigrantëve, të njohim dokumentet e tyre biometrike.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale