Berisha: Do bëjmë revolucion fiskal. Nga ky sistem i ri, rrogat do rriten vetvetiu me 13%, çmimet e banesave do ulen ndjeshëm. Ne i dyfishuam të ardhurat në 2 mandatet tona edhe pse ulëm ndjeshëm taksat

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka premtuar revolucion fiskal, një sistem i ri që sipas tij, rrogat do të rriten vetvetiu me 13%, duke mundësuar edhe uljen e çmimit të banesave. Duke folur në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se tatimet mbi të ardhurat jo nga pagat, nga 15 përqind që është në sistemin e plaçkitjes dhe kufizimit të lirisë ekonomike, do të zbresë në 10 përqind. Qëllimi i këtij revolucioni fiskal ndër të tjera, theksoi lideri demokrat, është një krijimi I një klime më miqësore për biznesin, mundësi kursimesh dhe investimesh, si dhe mundësi për rritje rrogash dhe nxitje të prodhimit.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, kryedemokrati Sali Berisha ka ngritur sot akuza ndaj strukturave që sipas tij, janë të përfshira në krime zgjedhore. Në konferencën me gazetarët, Berisha deklaroi se do të ndërmerren hapa të fortë për t’i shpallur ato organizata terroriste, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar. Berisha theksoi se vëmendja ndërkombëtare ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri është e pashembullt, me dy seanca të veçanta të mbajtura në Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian për këtë çështje. Ai përmendi gjithashtu praninë e delegacioneve të OSBE-së në vend, duke shtuar se Europa dhe miqtë ndërkombëtarë ‘i kanë sytë hapur katërcipërisht’.

I pyetur nga gazetarët, lideri i demokratëve, Sali Berisha është shprehur optimist për fitoren e demokratëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Berisha tha se sondazhet e PD tregojnë se në zgjedhjet e lira, fitimtarë absolut janë demokratët.

Kreu i PD-së Sali Berisha ka deklaruar se qeverisja e tij ka qenë një ndër më efikaset në historinë ekonomike të vendit, duke theksuar se gjatë dy mandateve të tij të ardhurat u dyfishuan, pavarësisht uljes së ndjeshme të taksave. Në konferencën me gazetarët, Berisha kritikoi qeverisjen aktuale për dështimin në menaxhimin ekonomik dhe theksoi se Shqipëria ka nevojë për një kthesë rrënjësore, duke filluar me uljen e barrës fiskale dhe kthimin e fondeve te qytetarët.

‘Në vitin 2005 vendosëm taksën e sheshtë dhe në vetëm 6 muaj kishim 300 milionë euro më shumë në buxhet. Ndërsa sot, me trefishin e taksave, të ardhurat nuk janë dyfishuar ende’,  tha Berisha. Ai shtoi se plani i opozitës për rimëkëmbje ekonomike përfshin rritjen e pagave e pensioneve, frymëmarrje për biznesin dhe një politikë të fortë demografike për të ndalur zbrazjen e vendit.

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po qeveris me kodin e mafias dhe ka vendosur një ‘omerta’ totale ndaj çdo forme ballafaqimi publik apo transparence.

‘Edi Rama është i vetmi kryeministër në botë, përveç Kim Jong Un, që nuk pranon pyetje nga gazetarët dhe nuk ballafaqohet në debat televiziv’, u shpreh Berisha, duke e cilësuar sjelljen e tij si shkelje të rregullave demokratike dhe një akt frike nga përballja me qytetarët. Sipas tij, ndalimi i debateve televizive mes kandidatëve dhe shmangia nga çdo kontakt me median përfaqëson një regres të rëndë demokratik, duke krahasuar situatën me vitet e komunizmit, kur edhe Partia e Punës pranonte përballje publike.

FJALA E PLOTE:

Dy filozofi përballen në këtë fushatë.

Filozofia e lirisë ekonomike me filozofinë e kufizimit të kësaj lirie.

Më shumë se në çdo fushë tjetër, kjo shprehet në qëndrimin e barrës fiskale që rëndon mbi qytetarët,

Filozofia e lirisë ekonomike është e taksës së sheshtë mbi tatim fitimin 10 përqind,

Filozofia e zhvatjes së bizneseve dhe qytetarëve, dhe kufizimit të kësaj lirie, tatim fitimin e ka 15 përqind.

Tatimi mbi pagat për ne do jetë 10 përqind. Aktualisht është 23 përqind.

Të dashur qytetarë, tre muajt e parë të qeverisjes së PD, pagat e të gjithë rrogëtarëve shqiptarë, të cilat tatohen me fitimin mbi pagën, do rriten 13 përqind.

Pra, rrogëtarët do kenë një rrogë reale 13 përqind më shumë se sot.

Dhe kjo është një rritje e paparë në 12 vite.

Tatimet mbi të ardhurat jo nga pagat, nga 15 përqind që është në sistemin e plaçkitjes dhe kufizimit të lirisë ekonomike, zbret në 10 përqind.

Biznesi i vogël pa TVSH, do të jetë gjer në 180 mijë euro xhiro vjetore. Pra, sot mbi 100 mijë euro xhiro vjetore, aplikohet TVSH-ja. Ky tavan rritet në 180 mijë euro.

Biznesi i vogël pa tatim fitim, do të jetë biznesi me xhiro vjetore gjer në 180 mijë euro, nga 140 mijë euro që është sot.

Taksa e transferimit të pronës nga 15 përqind në sistemin e plaçkitjes, do të zbresë në 2 përqind në sistemin e lirisë ekonomike.

Taksa e ndikimit të infrastrukturës nga 8 përqind do të zbresë në 2 përqind.

Në qoftë se e para është 8 përqind të çmimit të referencës, taksa jonë do të jetë 2 përqind të preventivit, pra i bie një ulje shumë, shumë e madhe. Një ulje mbi 10-15 herë, çka do ketë ndikim direkt në çmimin e apartamenteve dhe sipërfaqen e ndërtimit.

Taksa e strehimit social është 3 përqind, shfuqizohet tërësisht.

Taksat lokale do të jenë maksimumi 1 përqind e xhiros. Sot janë pa tavan, arrijnë në 8 dhe 10 përqind të xhiros.

Dhe së fundmi, taksa tabu që e paguan çdo shqiptar në çdo kafshatë që merr, në çdo gjë blen, për gjithçka, nga 20 përqind, zbret në 15 përqind dhe ky është një rekord. Bëhet taksa më e ulët në Europë dhe ndër më të ulëtat në botë.

Me këtë revolucion fiskal ne synojmë të krijojmë klimën më miqësore për biznesin.

Të krijojmë mundësi kursimesh dhe investimesh për bizneset.

Të krijojmë mundësi për rritje rrogash dhe nxitje të prodhimit.

Por vetvetiu ky sistem fiskal rrit 13 përqind të rrogave të shqiptarëve, pavarësisht nga premtimi ynë për rrogën mesatare 1200 euro që kemi bërë.

Mendoj se dallimi është si nata me ditën, ndaj ftoj shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e tyre.

Është në interesin më të mirë që ata kanë, të rrogave dhe pensioneve të tyre.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju jeni i fokusuar tek platforma e juaj qeverisëse, ku në çdo dalje tuajën, ndaleni tek problemet e qytetarëve dhe zgjidhjen që u jep ‘PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore’. A është ngritur në PD një ekip, përsa i përket denoncimit të krimeve zgjedhore, ti denoncojnë këto krime publikisht apo dhe në platformën e SPAK?

Sali Berisha: Po vazhdon çdo orë, çdo ditë. Mund të ju them ju se kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi nuk janë mbajtur dy hiring ndërkombëtar për zgjedhjet në Shqipëri, siç ndodhi javën e kaluar në Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian, çka do të thotë se nuk ka më sy të mbyllur, por janë të hapur katërcipërisht dhe prozhektorët, jo vetëm tonë, por edhe të Europës dhe miqve tanë kudo, janë të përqendruar në këtë proces zgjedhor.

Delegacione nga më të rëndësishme të OSBE-së vizituan Shqipërinë pikërisht për zgjedhjet.

Ne kemi dorëzuar emër e mbiemër të të gjitha atyre që po kryejnë krime zgjedhore, por ne i garantojmë se krimi zgjedhor do të quhet krim i rëndë, do të kualifikohet krim i rëndë dhe ky është zotim solemn elektoral dhe se, organizatat kriminale që po angazhohen në krimin zgjedhor, do të bëjmë gjithçka për ti shpallur, organizata terroriste, jo vetëm Shqipëria, por edhe faktori ndërkombëtar.

Presidenti Donald Trump e hapi derën kësaj procedure dhe ai me një urdhër të veçantë shpalli kartelet e drogës, organizata terroriste. Ne do i shpallim organizata terroriste dhe do lobojmë shumë në Europë dhe SHBA që këto të konsiderohen të tilla edhe nga mbarë faktori ndërkombëtar.

Ne bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë të lirë dhe po bëjmë gjënë e duhur.

Anisa Kadesha, RTSH: Kryeministri edhe sot tha se, është në epërsi ndaj PD-së. Sipas sondazheve që ka. Do ti fitojë zgjedhjet, ju keni sondazhe?

Sali Berisha: Sipas manipulimeve që ka dhe ai beson gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre.

Sondazhet tona tregojnë se në zgjedhjet e lira, fitimtar absolut është PD, dhe me zgjedhje të lira, partia e kthimit kthehet në vitin 1992.

Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju denonconi vështirësitë e biznesit, keni denoncuar largimin e fuqisë punëtore në takimet e fundit, dhe prezantoni zgjidhjet tuaja me anë të platformës qeverisëse. Po faktori kohë është në favor të platformës tuaj qeverisëse, a është vonë për këtë zgjidhje që jepni ju.

Sali Berisha: Pyetje e drejtë. Në qoftë se kjo platformë do ishte zbatuar vite më parë, Shqipëria sot do ishte absolutisht një Shqipëri tjetër nga ajo e vitit 2013.

Por, kemi një fjalë ne, e keqja nuk ka fund. Me këtë fjalë dua të them që ne duhet të ndalojmë me çdo kusht këtë të keqe dhe të ndahemi me të keqe. Së dyti, me ndarjen nga kjo e keqe, ne kemi bindje absolute se do shënojmë një kthesë rrënjësore. Ku e bazojmë? Në realitetin që kemi. Ne kemi një buxhet 8 miliardë euro.

Ne do e zbresim buxhetin, nuk shkojmë 8 miliardë euro. Do ua lëmë bizneseve, do ua lëmë qytetarëve, do ulim taksat. Por me ato që mbeten, supozojmë se mbeten 6 miliardë apo 5 miliardë, akti i parë, t’u kthejmë paratë që u kemi marrë qytetarëve. Paratë qytetarëve u kthehen me paketën e dhembshurisë, me rritjen e pagave dhe pensioneve.

Këtë e bën çdo qeveri e përgjegjshme në botë. Çdo qeveri! Vonë është, por efekti do jetë i menjëhershëm.

Së dyti, biznesi. Ju e patë çfarë ulje të madhe që i bëjmë barrës fiskale. Frymëmarrje më e madhe, çmime më të arsyeshme, mundësi punësimi më shumë, mundësi për të paguar punëtorët më mirë.

Pra janë të gjitha këto masa konkrete që bëjnë plotësisht të besueshme kthesën. Unë nuk them se Shqipëria demografikisht do shërohet për 4 vite. Por për 4 vite ne do bëjmë gjithçka që numri i qytetarëve në Shqipëri të fillojë të rritet se ne kemi rënë sot, jemi në treguesit demografikë të vitit 1960. I bie 65 vite humbje, kthim prapa. Nuk kompensohen për 4 vite, duhet një politikë shumë e fortë demografike të arrijë kompensimin…

Këtu ne jemi në një fushë jo të panjohur, por të njohur fare.

Në vitin 2005, ne erdhëm në pushtet dhe vendosëm për herë të parë në Europë taksën e sheshtë. Të gjithë na panë me mosbesim të madh, me skeptizicëm, me xhelozi, por edhe me lakmi. Por përgjegjësinë e keni vetë, na thanë. Ne nuk u mbështesim. Po pësuat probleme nga kjo, kolaps, jeni përgjegjës ju. Po, u thamë, ne jemi përgjegjës. Çfarë ndodhi? Pas 6 muajsh, ne atë vit patëm një shtim prej 300 milionë eurosh në buxhet, jashtë parashikimit. Dhe ata e panë. Fondi që është një aleat shumë i mirë, e pa se eksperimenti ynë ishte një sukses.

Dhe ne u thamë, tani ne prapë do të vazhdojmë. Këtë 300 milionë do ia ulim taksa të tjera biznesit. Dha ia ulëm. Dhe prapë taksat u shtuan.

Gënjen. Po t’i thuash Edi Ramës gënjeshtar, nuk thua gjë të re. Të ardhurat e vërteta, reale, në dy mandatet tona u dyfishuan. Të ardhurat megjithëse dyfishuan taksat, në 3 mandate, në 12 vitet e tyre, ende nuk janë dyfishuar plotësisht. Pra edhe me dyfishimin e taksave, që në qoftë se ti mblidhje me korrektesë, duhet të dyfishoheshin që në mandatin e parë. Por ai jep shifrave, se çfarë bën ai… se është i pakët edhe nga ana e njohurive, ai merr euron që kushtonte në atë kohë 138 lekë me euro që kushton sot 98 lekë dhe bën spekulime me kurset.

Por nuk ke se çfarë i bën, nuk heq dorë.

Anisa Kadesha, RTSH: Ju së bashku me ish-kryeministri socialist para 20 vitesh ndoshta, futet një kulturë të re në politikë, atë të debatit publik. Përse kryeministri aktual refuzon ftesën tuaj të vazhdueshme për tu përballur në një debat të tillë?

Sali Berisha: Kryeministri aktual ka kodin e mafias, është padrino. Se këtë që bën ai, ne debatin televiziv  me ballafaqimin e kandidatëve, që e ka ndaluar ballafaqimin e kandidatëve, me refuzimin nga ana e tij të çdo kontakti me gazetarët, ai sot, ai dhe Kim Jong Un janë të vetmit kryeministra në botë që nuk marrin dhe nuk pranojnë pyetje nga gazetarët se nuk takohen me ta.

I vetmi. Dhe natyrisht vetë nuk pranon të ballafaqohet në studio televizive për programet. Traditë kjo të themi realitetin e krijuar, e filluar në vitin 1991 kur partia e krimit ishte parti pune, por vendosën të respektojnë disa rregulla elementare të transparencës dhe në atë kohë ballafaqoheshin për programin përfaqësuesit tanë dhe përfaqësuesit e Partisë së Punës, në televizionin shtetëror se ishte mjeti i vetëm.

Kurse sot ai ka ndaluar, omerta, kodi i mafias. Çdo lloj komunikimi.

Pra ai po zbaton haptas, kodin e omertas dhe është i pashpresë. I pashpresë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale