Berisha: Do bëjmë gjithçka të kthejmë kombin në moshën e rinisë. Shqiptarët në 1 vit, shpenzojnë për ilaçe, 4 herë më shumë se për bukën. Kjo do të marrë fund

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN BANORET NE DEGËN 4

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, ka zhvilluar një takim me banorët dhe strukturat e degës numër 4 në Tiranë, ku edhe ka prezantuar kandidatët për deputetë në këtë zonë. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se, brenda 100 ditëve të para të demokratëve në qeveri, do vendoset minimumi jetik prej 200 euro.

‘Në 100 ditët e para miqtë e mi, ne do të vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist. Për çdo qytetar në ndihmë ekonomike, për çdo të papunë, për çdo jetim, që ka vetëm një prind, për çdo student me bursë dhe me këtë shumë ne garantojmë për këta qytetarë që numërojnë kafshatën 6.3 euro në ditë, pak është, por mjerim nuk është. Me këtë tregues ne barazojmë veten tonë, me vende të tjera të cilat nuk pranojnë që qytetarët e tyre të jenë në mjerim. Me këtë shumë ne bëjmë Shqipërinë më të drejtë, shoqërinë tonë më të drejtë dhe japim pra një frymëmarrje të re’, theksoi gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së.

Kryedemokrati Sali Berisha, në fjalën e tij u ndal te shëndetësia dhe mungesa e ilaçeve, që sipas tij, shqiptarët në 1 vit shpenzojnë 4 herë më shumë se për bukën.

‘A e dini miq sot, statistika zyrtare e qeverisë konfirmon se në 1 vit ju, ne të gjithë shqiptarët shpenzojmë nga xhepi për kujdesin shëndetësor, 820 mln euro. Shpenzojmë nga xhepi 3-4 fish që shpenzojnë popujt e vendeve anëtare të BE-së. Shpenzojmë 2-3 fishin e të gjithë popujve në vendet përreth nesh në Ballkan. Pra të shpenzosh 820 mln euro për kujdes shëndetësor, a e dini që do të thotë se shqiptarët të cilët në 1 vit, shpenzojnë për bukën në total 220 mln euro, pra shpenzojnë ilaçe 4 herë më shumë se për bukën. Kush i shpenzon këto? Vetëm ata që kanë. Ata që nuk kanë mbeten në mëshirë të sëmundjeve. Pra kjo është situata e shëndetësisë’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Gjatë fjalës së mbajtur, në Njësinë Nr. 4 në Tiranë, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, lideri i opozitës Sali Berisha, kritikoi ashpër gjendjen e arsimit në vend dhe premtoi rritje të ndjeshme të pagave për mësuesit dhe mjekët.

‘Shkolla është zhytur në kaos, në inkopetencë. Mësuesit të cilët janë dhe do jenë misionarë të dijes, janë të ç’orientuar nga patronazhistët. Janë të diskriminuar nga portali një mësues për partinë. Gjithçka do të ndryshojë. Ne zotohemi para jush që mësuesit ti vendosim në piedestal. Nuk do ketë rrogë minimale ndën 1500 euro për mësuesin. Sikundër mjeku dhe infermieri do kenë dyfishim të rrogave’, nënvizoi kryedemokrati Sali Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, theksoi në fjalën e tij nevojën për prodhim vendas dhe mbështetje për bizneset përmes uljes së taksave dhe tarifave bashkiake. Lideri i opozitës u zotua për masa konkrete në ndihmë të të rinjve, përfshirë financimin e studimeve dhe një vit sigurime falas për të sapopunësuarit. Çifteve të reja iu premtua një grant prej 30 mijë eurosh për strehim, ndërsa emigrantëve u ofrua kthim pa taksa dhe kredi të buta.

‘Pjesëtojmë me 5 herë tarifën për sipërfaqen publike të biznesit. Bashkia do ketë kufirin tek thana, nuk do mund të vendosë bizneseve taksë më shumë se 1% se xhiro e tyre. Energjia do zbresë nga 18 në 6 lek.

Çdo çift i ri do të ketë një grand 30 mijë euro për të patuar çatinë mbi, për të paguar interesat e kredisë. Po do bëjmë gjithçka që këta qindra-mijëra të rinj që na ikën, 600 mijë kanë ikur në 10 vitet e fundit, të kthehen 5 vite pa asnjë taksë. Kredi të buta për strehim. Do bëjmë gjithçka të kthejmë kombin në moshën e rinisë. Vetëm një komb që ruan dhe jeton në moshën e rinisë së tij, është komb me të ardhme’, deklaroi kreut i PD-së.

Gjatë takimit me banorët dhe anëtarët e degës 4 në Tiranë, lideri i demokratëe, Sali Berisha ka vënë theksin te rëndësia e ditëve të fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, që programi i PD-ASHM të shkojë te çdo qytetar shqiptar. ‘Këto dy javë duhet të jenë javët e misionit të secilit prej nesh, ky është një program për çdo shqiptar’, u shpreh Berisha në fund të fjalës së tij në takimin me banorët e Njësisë Nr. 4 në Tiranë.

FJALA E PLOTE:

Të dashur qytetare dhe qytetarë të lagjes 4, tiranas denbamaden, dibranë, gollobordas të ardhur me të cilët kam jetuar vite e vite në një pallat, se unë jam banor i kësaj lagje, lebër, malësor, një komunitet me prurje të ndryshme, por një komunitet i mrekullueshëm njerëzish të ndershëm, punëtor dhe dinjitoz.

Shpreh kënaqësinë e madhe që jam sot tek ju dhe vij këtu për të paraqitur kandidatët tanë për deputetë në këtë lagje, përfaqësues të shkëlqyer tuaj, Lisandër Hoxhën, Kreshnik Çollaku, Revelino Çuni, përfaqësues dinjitoz i komunitetit rom-egjiptian, një demokrat i vërtetë.

I dashur Besart Xhaferi, kryetar i FRPD-së dhe udhëheqës politik i kësaj dege, Endrison Breçani, kryetar i degës.

Zonja e zotërinj, miq të dashur.

Çdo ditë që na ndan nga 11 maji është një apel, një kushtrim për ne. Janë sirenat që na ftojnë të bëjmë të gjithë përpjekjet tona për fitoren e shkëlqyer, historike që presin banorët e lagjes numër 4 dhe shqiptarët në të 4-anët e vendit.

Mbrëmë pas mesnate jam kthyer nga një tur në jugun e Shqipërisë. E gjeta jugun në këmbë, më të vendosur, më të gatshëm se kurrë, për tu ndarë nga kjo e keqe e madhe, nga kjo sëmundje e rëndë, që quhet Edi Rama dhe regjimi i tij.

Të dashur miq!

Ne sot kemi një epërsi të madhe ndaj kundërshtarit tonë.

Kemi një mbështetje të fuqishme, një entuziazëm të paparë më parë.

Kemi një program i cili me të vërtetë, çdo orë dhe çdo ditë po pushton gjithnjë e më shumë, mendjet dhe zemrat e qindra dhe mijëra shqiptarëve.

Ky program të dashur miq, ka si qëllim kryesor, më kryesor, një mundësi të re për çdo shqiptar, nga fëmijët për një shkollë më të mirë.

Tek pensionistët, për një jetë më të mirë.

Tek të rinjtë, për shanse shkollimi dhe punësimi reale.

Tek bizneset për shanse të vërteta suksesi.


Tek punonjësit përmirësim dhe respekt të punës së tyre.

Por ka para së gjithash rikthimin e parave të shqiptarëve, tek qytetarët.

Miqtë e mi!

Sot, ju, secili prej jush, edhe ai që punon dhe ai që nuk punon, edhe ai që ka biznes, edhe ai që ka makinë dhe ai që nuk ka makinë, çdo njëri, edhe fëmija i sapo lindur dhe i moshuari, paguani taksat më të rënda kësaj qeverie.

Dhe në rast se sot ne kemi 21% të familjeve në këtë vend që nuk ushqejnë dot me 3 vakte ushqim fëmijët e tyre.

Në rast se sot kemi qindra e mijëra pensionistë që nuk blejnë dot ilaçet e tyre.

Në rast se sot kemi çdo ditë, qindra të rinj, që kanë alternativë të vetme, largimin nga Shqipëria, të gjitha këto kanë vetëm një shkak: Përvetësimin, vjedhjen e taksave tuaja, nga regjimi i Edi Ramës, nga Edi Rama, ministrat dhe zyrtarët e tij.

Ndaj dhe unë jam sot para jush për të dhë ju fjalën se, ne në 100 ditët e para do të realizojmë atë ndryshim të cilin nuk e ka menduar ndonjëherë, ndonjë njeri këtu.

Në 100 ditët e para miqtë e mi, ne do të vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist.

Për çdo qytetar në ndihmë ekonomike, për çdo të papunë, për çdo jetim, që ka vetëm një prind, për çdo student me bursë dhe me këtë shumë ne garantojmë për këta qytetarë që numërojnë kafshatën 6.3 euro në ditë, pak është, por mjerim nuk është.

Me këtë tregues ne barazojmë veten tonë, me vende të tjera të cilat nuk pranojnë që qytetarët e tyre të jenë në mjerim.

Me këtë shumë ne bëjmë Shqipërinë më të drejtë, shoqërinë tonë më të drejtë dhe japim pra një frymëmarrje të re.

Jo vetëm kaq. Kjo shumë është e pamjaftueshme për ilaçet, ndaj të gjithë rrogëultit dhe rrogë ndën 500 euro nuk do të ketë.

Të gjithë rrogëultit, të gjithë pensionistët do të kenë kartën e konsumatorit me të cilën do marrin gjërat bazë, ushqimet me 20% më lirë se të tjerët.

Ilaçet. Shqipëria do të adaptojë pikë për pikë listën e ilaçeve të Republikës Italiane dhe do e rimbursojë atë 100% për qytetarët e vet. Në këtë mënyrë ne i japim një përgjigje dinjitoze problemit të mjekimit, të kujdesit për shëndetin.

Miq!

E thanë këtu oratorët para meje.

Dy shërbime themelore për çdo komb, arsimi dhe shëndetësia kanë degraduar në mënyrën më të papranueshme. Janë rrokullisur gjer në pothuajse shpartallim.

Në rast se i hedh sistemi të shëndetësisë, është një sistem jashtëzakonisht problematik.

Është një sistem në të cilin të sëmurët rëndë në spitale, i merr sëmundja se nuk kanë ilaçe për mjekim.

Është një sistem në të cilin, një i sëmurë që shfaqet një shqetësim, duhet të presë muaj e muaj të tërë për të bërë skanerin, apo rezonancën.

Është një sistem në të cilin mjekimi, është gjysmak, ose ai që nuk duhet.

Ju keni ndjekur dramën e tmerrshme që zhvillohet në spitalin onkologjik. Në asnjë vend të botës nuk ndodh ajo.

Tre muaj përpara Edi Rama deklaroi se, atje po ndodhin krime kundër njerëzimit. Me të vërtetë po. Në të vërtetë është krim i mirëfilltë kundër njerëzimit, në qoftë se të sëmurin që e ke marrë për mjekim e mban dhe nuk i jep ilaçet që duhen për të luftuar sëmundjen.

Ky është krim.

Por Edi Rama nga ajo ditë gjer sot nuk mori as edhe një masë të vetme. Pse? Sepse ai është autori i atij krimi. Sepse atyre ilaçeve që duhet të bliheshin për të sëmurët, drejtori dhe ministri i vjedhin fondet dhe kjo është arsyeja.

Hanë dardha dhe i ndajnë bashkë me kryeministrin.

Miqtë e mi, kjo situatë dramatike e kujdesit shëndetësor për shqiptarët, merr fund.

Ne do të dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë dhe garantoj çdo shqiptar se në territorin e Shqipërisë nuk do të shitet kurrë ilaç cilësie tjetër, vetëm ato që shiten në dy vende të BE.

Dhe se kurrë nuk do mungojnë ilaçet jetike për trajtimin e të sëmurëve tanë.

Do dyfishohen rrogat e mjekëve dhe infermierëve.

Aparaturat, do pajiset çdo spital dhe i gjithë sistemi.

A e dini miq sot, statistika zyrtare e qeverisë konfirmon se në 1 vit ju, ne të gjithë shqiptarët shpenzojmë nga xhepi për kujdesin shëndetësor, 820 mln euro.

Shpenzojmë nga xhepi 3-4 fish që shpenzojnë popujt e vendeve anëtare të BE-së.

Shpenzojmë 2-3 fishin e të gjithë popujve në vendet përreth nesh në Ballkan.

Pra të shpenzosh 820 mln euro për kujdes shëndetësor, a e dini që do të thotë se shqiptarët të cilët në 1 vit, shpenzojnë për bukën në total 220 mln euro, pra shpenzojnë ilaçe 4 herë më shumë se për bukën.

Kush i shpenzon këto? Vetëm ata që kanë. Ata që nuk kanë mbeten në mëshirë të sëmundjeve. Pra kjo është situata e shëndetësisë.

Më keq, apo njëlloj është situata e arsimit.

Ju e morët vesh se si ramë në pikiatë në testin ndërkombëtar të cilësisë së arsimit. Ramë si asnjë vend tjetër në botë, ramë me 68 pikë. Një rënie e tmerrshme.

Ramë, vendi i fundit në botë për mendimin kreativ të nxënësve tanë, sepse shkolla nuk është më ajo që duhet të jetë, votër e edukimit të fuqishëm, të mësimit të dijeve.

Shkolla është zhytur në kaos, në inkopetencë.

Mësuesit të cilët janë dhe do jenë misionarë të dijes, janë të ç’orientuar nga patronazhistët.

Janë të diskriminuar nga portali një mësues për partinë.

Gjithçka do të ndryshojë. Ne zotohemi para jush që mësuesit ti vendosim në piedestal.

Nuk do ketë rrogë minimale ndën 1500 euro për mësuesin. Sikundër mjeku dhe infermieri do kenë dyfishim të rrogave.

‘Made in Albania’ është krenari jonë kombëtare.

Ne do bëjmë gjithçka që në këtë vend të prodhohet, të prodhohet, të prodhohet. Në mënyrë që shqiptarët të punësohen dhe të paguhen.

Kjo është rruga.

Ndaj dhe përgjysmojmë taksat për bizneset.

Pjesëtojmë me 5 herë taksën mbi ndërtimet që kanë rritur çmimin e qirasë, baraz me Parisin dhe Mynihun.

Po, e kanë bërë mollë të ndaluar apartamentin.

Pjesëtojmë me 5 herë tarifën për sipërfaqen publike të biznesit.

Bashkia do ketë kufirin tek thana, nuk do mund të vendosë bizneseve taksë më shumë se 1% se xhiro e tyre.

Energjia do zbresë nga 18 në 6 lek.

Pra frymëmarrje më e madhe, liri ekonomike më e madhe, iniciativë e lirë më e suksesshme. Dhe këtu ne qëndrojmë të vendosur për të ndryshuar me shpejtësi situatën e biznesit në Shqipëri.

Miq, nuk kemi ne të ardhme çfarë do që të bëjmë, nëse të rinjtë nuk qëndrojnë në këtë vend.

Në qoftë se ata nuk vendosin të ndërtojnë ëndërrën e tyre në këtë vend. Dhe përpjekja jonë do të jetë titanike që çdo i ri të ketë shansin të mbarojë shkollën e lartë.

Të shkollohet asnjë mesatare nuk do të ketë.

Të punësohet dhe qeveria do paguajë 1 vit sigurime shoqërore për çdo të ri të punësuar.

Do paguajë të gjitha shpenzimet për trajnimin e tyre.

Çdo çift i ri do të ketë një grand 30 mijë euro për të patuar çatinë mbi, për të paguar interesat e kredisë.

Po do bëjmë gjithçka që këta qindra-mijëra të rinj që na ikën, 600 mijë kanë ikur në 10 vitet e fundit, të kthehen 5 vite pa asnjë taksë. Kredi të buta për strehim.

Do bëjmë gjithçka të kthejmë kombin në moshën e rinisë. Vetëm një komb që ruan dhe jeton në moshën e rinisë së tij, është komb me të ardhme.

Për fat të keq këto 12 vite shqiptarët humbën me shpejtësi të rrufeshme moshën e tyre të rinisë.

Por unë kam besim të madh tek Zoti, kam besim të madh tek qytetarët shqiptarë që ne do rikthejmë përsëri dhe do vendosim këtë komb në moshën e rinisë së tij.

Miq me këtë program, me këto premtime të cilat u garantoj që janë 100% të realizueshme dhe dua të ju them të vërtetën këtu.

Sot dal para jush dhe shqiptarëve në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës, për asnjë interes personal. Jo nuk kam interesa personale. Madje interesat e mia personale në këtë moshë janë disa të tjera, por unë i kam lënë ato dhe jam rikthyer me bindjen më të thellë se, një mision i ri me ndihmën tuaj dhe të Zotit duhet të përmbushet.

Deshën ta zhdukin pluralizmin nga Shqipëria, dështuan.

Ndërtuan shtetin e drogës dhe kanabisit, do ta përmbysim.

Shqiptarët do ti rikthejmë në rrugën e mirëqenies, në rrugën e punësimit, në rrugën e dinjitetit njerëzor.

Shqipëria është vendi më i pasur në të gjithë rajonin.

Kur në vitin 2013 ne dolëm në krye të vendeve përreth për rroga e pensione, ne dolëm pa asnjë sforcim, por ne kishim të gjitha mundësitë për të dalë.

Edhe ky zotëria që erdhi mbrapa, kishte të gjitha mundësitë që të vazhdonte atë rrugë.

Pensionisti shqiptar që merrte në 2013, 143 mijë lek, që merrte 5 mijë lekë më shumë se sa pensionisti malazez, të marrë sot 172 mijë lek, kurse malazezi të marrë 450 mijë lek.

Të mos ishim sot në këtë gjendje, në të cilën aq sa blije me pensionin në vitin 2013, me 143 mijë lek, sot të duhet për të blerë 396 mijë lek.

Këtu nuk duhet të ishim ne kurrë, por këtu na sollën ky grup hajdutësh, që pasuritë tuaja i konsiderojnë pasuritë e veta dhe i përvetësoi ato në çdo punë publike, në çdo akt, në çdo vendim dhe në çdo ligji.

Ndaj dhe këto ditë, këto dy javë duhet të jenë javët e misionit të secilit prej nesh.

Duhet të ndihemi misionarë, të trokasim në çdo derë, nuk është një program për ne ky, ky është një program për çdo shqiptar.

Ky është një program për çdo nënë që kërkon që fëmija i saj të rritet, të shkollohet dhe punësohet. Që kërkon që djali, vajza e saj që morën dheun nga skamja të rikthehen dhe të ndërtojnë ëndrrën dhe mirëqenien në Shqipëri.

Ky është një program për çdo pensionist që kërkon të përballojë jetën për ata lumenj djerse që ka derdhë, që do në dinjitet të ketë kujdesje për të.

Është për çdo shqiptar në gjendje pune që kërkon që me punën e tij të mbajë familjen, të begatojë veten dhe familjen e tij.

Për çdo fermer, për çdo biznesmen. Pra është një program absolutisht për çdo shqiptar.

Është në detyrën tonë ta paraqesim këtë program.

Të injorojmë, të përçojmë propagandën e turpshme, bajate me të cilën ai del.

Njeriu që 12 vite i katandisi shqiptarët, qytetarë me rroga më të ulëta dhe çmime më të larta.

Njeriu që ka 130 milionë euro varrin e një inceneratori që nuk ekziston sepse paratë i ka marrë vetë me bandën e tij.

Njeriu që përzuri një televizion se nuk duronte kritikat, njëlloj si i ati që varte në litar disidentët.

Dhe tani ne paguajmë 120 mln euro Beketit se e përzuri.

Njeriu që kalon nga takimi në takim, me një gjuhë banale, me një gjuhë vulgare dhe që beson se duke veçuar nënat, motrat, zonjat do mundë tu shesë batutat e tij bajate, të turpshme.

Tregon atë mendësi, tregon atë mendësi të vjetër, të tejkaluar, tregon atë ndarje të tmerrshme që ka me qytetarët.

Beson se mund ti përdorë qytetarët, gratë, motrat, vajzat, nënat tona, për interesa elektorale duke ua sharë burrat, duke ua sharë djemtë, baballarët e fëmijëve.

Batuta bajate të kohës së socializmit që tregojnë të gjithë mendësinë e tij të urrejtjes ndaj qytetarit, ndaj njeriut.

Po, po i urren.

Dëgjon mo zotëri, nëse ti thua se, janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj atij qytetari, apo qytetareje që sot nuk është më, ti duhet të marrësh 120 masa që ajo të mos ndodhë kurrë.

Por ti ata i ke miza, i ke qenie inferiore, ti ata i ke qenie që i përçmon, dhe nuk çan kokën fare, se fatin e tyre e pëson edhe tjetri që vjen mbrapa.

Këta janë të zhytur, të verbuar në një luks të paimagjinueshëm.

Shifni në televizor, shifni ministre të vendeve të tjera, ministra. Ju kapin sytë kund njerëz të stolisur me flori dhe diamante si këta. Ju kapin sytë kund.

Gjeni kund një kryeministër të hapë shishen e verës, 33 mijë euro.

Kurrë nuk ndodh, ua them unë. Edhe po të ketë mundësi, ai nuk e bën, sepse s’mund ta blejë me para të shtetit dhe nuk mund ta pranojë as dhuratë.

Nuk pranohet dhurata 33 mijë euro.

Ta kthejnë në çdo qeveri të botës. Të thotë jo, nuk mundet, nuk më lejon kodi etik.

Kurse ky nuk ka asnjë kufi.

Nuk ka asnjë respekt për ju.

Nuk ka asnjë respekt për qytetarin.

Asnjë respekt për nënat, motrat.

Asnjë respekt për fëmijët.

Ndaj dhe ju ftoj me 11 maj të gjithë 1-sha.

Ne jemi 1-sha.

Jemi numri i diellit, jemi numri i Zotit, jemi numri i fitores.

Rrofshi ju, rroftë Tirana, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale