Berisha: Do bëjmë gjithçka për heqjen e TVSH-së për ushqimet. Nesër në pushtet, këto do jenë ndër vendimet e para që do marrim

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Në konferencën e mbajtur sot me gazetarët. Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha i është drejtuar me tone të ashpra kryeminsitrit Rama për trajtimin ndaj pensionistëve shqiptarë, duke e akuzuar këtë të fundit për cinizëm dhe hipokrizi. Berisha ka theksuar se, Rama pretendon se kujdeset për pensionet, por në realitet nuk ka ndërmarrë veprime të rëndësishme për t’i rritur ato.

Kryetari i PD, Sali Berisha në konferencën e zhvilluar me gazetarët ka përmendur gjatë fjalimit të tij edhe Blendi Gonxhen, i cili, sipas tij, simbolizon shpërdorimin e fondeve publike, duke ngrënë ushqime të shtrenjta në kohën kur pensionistët përballen me vështirësi ekonomike dhe mbeten në kufijtë e varfërisë.

Berisha premton se, nëse vjen në pushtet, do të sigurojë që çdo pension bazë në Shqipëri të jetë të paktën 200 euro, duke ndjekur modelin e qeverisë së Kosovës. Ai thekson se rritja e indeksimit aktual nga qeveria nuk ka përmbushur as nevojat bazë, pasi rritja e çmimeve të ushqimeve ka tejkaluar këtë përqindje. Lideri demokrat, Sali Berisha argumenton se, me një buxhet më të madh se ai i Kosovës, Shqipëria ka burimet për të vendosur një pension minimal prej 200 eurosh për çdo të moshuar, pavarësisht nëse kanë paguar sigurime. Për pensionistët e tjerë, do të ketë një rritje shtesë prej 20%, bazuar në kontributet e tyre.

Kryedemokrati, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama për abuzim me fondet e buxhetit dhe për një qëndrim të padrejtë ndaj bizneseve, të cilat mbështesin buxhetin prej 8 miliardë eurosh. Ai pohon se fondet e buxhetit janë të mjaftueshme për të dyfishuar pagat dhe pensionet dhe për të garantuar një pension bazë prej 200 eurosh për çdo të moshuar. Sipas Berishës, Rama përdor informalitetin si justifikim për mungesën e rritjeve, ndërsa fondet në fakt shfrytëzohen në mënyrë të padrejtë për projekte infrastrukturore të mbivlerësuara. Berisha ka përmendur gjatë fjalimit të tij edhe rrugën Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Ndroq si shembuj të keqmenaxhimit dhe dyfishimit të kostove për përfitime personale.

Kryetari i PD, Sali Berisha premton se një nga prioritetet e Partisë Demokratike do të jetë heqja e TVSH-së për ushqimet dhe sigurimi i një minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar, si dhe rritja e pensioneve me 20% për ata që kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore. Berisha shprehet për qeverinë aktuale për taksimin e lartë mbi mallrat e domosdoshme, veçanërisht për materialet higjienike për invalidët, dhe për praktikat e tjera që, sipas tij, rëndojnë mbi qytetarët. Berisha kërkon mbështetjen e popullit për të sjellë këto ndryshime në pushtet.

I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës, Berisha në përgjigjen e tij ka kritikuar kryeprokurorin Altin Dumani dhe SPAK-un për akuzat ndaj Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, duke sugjeruar se këto akuza janë të motivuara politikisht dhe të pabaza. Sipas Berishës, Edi Rama është personi që e ka mbështetur drejtpërdrejt biznesmenin Shatku në çështjen e një projekti të linjës së interkonjeksionit, dhe jo Meta apo Kryemadhi. Berisha vë në dukje se Meta dhe Kryemadhi nuk kishin fuqinë e nevojshme për të miratuar ligje pa mbështetjen e shumicës parlamentare, duke përfshirë Ramën. Ai e akuzon Dumanin për “përdhosje” të drejtësisë dhe krahasime me shkrimtarë si Orwell dhe Kafka për situatën absurde që, sipas tij, po krijohet. Berisha i drejtohet Ramës si përgjegjës kryesor për “sulmet” politike dhe shton se veprimet e fundit për arrestimin e tij janë të motivuara nga urrejtja personale e Ramës ndaj Metës dhe opozitës.

Lideri historik i PD, Sali Berisha ka deklaruar se, në lidhje me planin e tij për 29 tetorin, gazetarët do të jenë të parët që do të informohen për zhvillimet e reja, pasi ai e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin dhe transparencën me mediat.

Në përmbylle të fjalës së tij, Berisha ka bërë thirrje për mobilizim kundër qeverisë aktuale, duke iu drejtuar pensionistëve, familjeve të tyre dhe shqiptarëve në diasporë. Ai nënvizon se pensionistët, të cilët kanë kontribuar për vendin, ndodhen në kushte të vështira, ndërsa qeveria i neglizhon. Berisha i fton shqiptarët jashtë vendit, veçanërisht në Nju Jork, të shprehin kundërshtinë ndaj kryeministrit në mënyrë simbolike, duke përdorur vezë dhe domate si mjet proteste. Ai i ka motivuar ata që, ashtu si në të kaluarën, të luajnë një rol të rëndësishëm në luftën për demokraci dhe kundër asaj që ai e quan “narkodiktaturë” që kërcënon identitetin dhe qenien shqiptare.

FJALA E PLOTË

Java që kaloi, shënoi akte kulmore brutale të narkodiktaturës në Shqipëri, fytyra e narkoshtetit doli me pusinë që i zunë ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit dhe kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, me të gjithë shëmtinë e saj para botës.

Por, Edi Rama si një Makbeth i vërtetë, u përpoq të shfrytëzojë këto akte brutale dhune ndaj opozitës me një mashtrim të përmasave makbethiane ndaj pensionistëve shqiptarë.

Ai, në një akt hipokrizie të plotë, u deklaroi 700 mijë grave dhe burrave të moshuar, që kanë shkrirë jetën e tyre në vendin e tyre, se çështja e pensionit të tyre që ditën e parë ka qenë një gozhdë në ndërgjegjen e tij.

Me këtë rast, unë dua t’i them çdo pensionisti dhe pensionisteje, por edhe çdo qytetari shqiptar që kjo deklaratë e tij është një nga mashtrimet më të mëdha, por edhe më të pamëshira, më të pashpirta që ky hajdut bën para shqiptarëve.

Në qoftë se Edi Rama do ta kishte gozhdë në ndërgjegjen e tij pensionin e të moshuarve shqiptarë, nuk do mund të rriste kurrë 3 herë, madje edhe 6 herë, rrogat më të larta dhe të mos të paktën të indeksonte pensionet në Shqipëri dhe të mos dyfishonte- minimumi- pensionet në Shqipëri.

Të dalësh para shqiptarëve me një deklaratë të tillë, duke mbajtur në krah një nga hajdutët për të shpërfytyruar të këtij vendi, Blendi Gonxhen që ulet në tavolinë me biftekun 1 mijë euro, do të thotë të tallesh në mënyrën më cinike me 700 mijë burra dhe gra që numërojnë kafshatën, që numërojnë ilaçet, që nuk marrin dot ilaçet.

Që gjysmën e pensionit ua merr me drita dhe ujë dhe de facto i lë pa mëdyshje më kufijtë e mjerimit.

Rikujtoj këtu dhe njëherë se me të ashtuquajturin indeksim 1.6 përqind që bëri në muajin tetor, Edi Rama nuk indeksoi as një të katërtën e çmimit të rritur të ushqimeve që në tërësi u rrit me 9.4 përqind në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023.

Me këtë rast, jashtë çdo lloj politike përveç detyrimit absolut që ka një qeveri që të shpërndajë të ardhurat kombëtare në mënyrën më të mirë të mundshme, garantoj çdo pensionist se gjatë debatit parlamentar do të bëjmë çdo përpjekje që të vendoset minimumi jetik, me të cilin çdo i moshuar, qoftë edhe ai që nuk ka punuar një ditë të vetme në shtet apo nuk ka paguar sigurime, do të ketë një pension bazë sa minimumi jetik prej 200 eurosh.

Të gjithë pensionistët e tjerë, mbi këtë bazë do kenë një rritje 20 përqind të pensionistëve.

Ju mund të më pyesni mua ku janë këto para, ku i merr këto fonde, pse e bën këtë premtim?

Unë u përgjigjem shumë thjeshtë.

Shqipëria ka sot një buxhet për vitin 2025, 2.2 herë më të madh se buxheti i Kosovës.

Kosova vendosi dy javë më parë si pension minimal, d.m.th si pension edhe për ata që nuk kanë paguar një ditë sigurime, por nuk mund të lihen në mëshirë të fatit, pra si pension minimal, 120 euro.

Ishte 100, e bënë 120 euro.

Dhe mbi këtë bazë, pra unë nuk po bëj gjë tjetër, vetëm po zotohem të aplikoj skemën që aplikoi qeveria e Kosovës, dhe mbi këtë bazë një rritje prej 20 përqind në varësi të kontributeve që kanë gjatë jetës së tyre.

Kjo është e mundshme 100 përqind.

Ku ishte ligësia dhe pashpirtësia ekstreme e Edi Ramës?

Ishte mashtrimi i dytë i tij. Ai kishte marrë biznesmenë në sallë dhe vetëm sa nuk u thoshte se keni kryer krime kundër njerëzimit, pensionistëve, se ju mbani punëtorë informalë apo deklaroni rroga të ulëta.

Ju lutem shumë çdo pensionisti dhe pensionisteje, çdo qytetari dhe qytetareje të më ndjekë në këto moment.

Edi Rama ka dërguar në parlament buxhetin prej 8 miliardë euro dhe me krenarinë se është buxheti më i madh i kohërave.

Ky buxhet 8 miliardë euro, të dashur pensionistë, asnjë qindarkë nuk vjen nga qeveria dhe administrata, i tëri vjen nga bizneset.

Por unë po ndalem përsëri, fondet e nevojshme për të rritur, për të vendosur minimumin jetik 200 euro dhe për të pasur për çdo shqiptar një pension 200 euro dhe për të rritur çdo pension tjetër mbi 20 përqind, ekzistojnë pa asnjë lloj shtrëngimi në 8 miliardëshin që paguajnë biznesmenët shqiptarë, taksa, tatime, etj.

Pra, Edi Rama u përpoq të paraqesë para jush të dashur pensionistë si mburojë për talljen e tij me pensionet tuaja, murin e informalitetit.

Ai nuk e shpiku, informaliteti ekziston dhe duhet luftuar,por çdo qeveritar dhe çdo qeveri, rrogat dhe pensionet, rritjen e tyre e bazon në të ardhurat që mbledh për buxhetin, dhe këto të ardhura sipas tij do jenë 8 miliardë euro.

Doja t’u shpjegoja me të gjitha mundësitë e mia se sa i pashpirt është ky njeri.

Mos harroni se rrogat e shqiptarëve janë në total rreth 800 milionë euro, pra 7.2 miliardë euro teprojnë në buxhet.

U garantoj ju edhe për të rritur 100 përqind rrogat dhe pensionet.

Por si ka mundësi që këta shpifarakë dalin para jush e u thonë se fajin e kanë këta që nuk regjistrojnë punëtorin, në një kohë kur unë kam këtu para 8 miliardë?

Por këta nuk i japin se i vjedhin dhe vetëm i vjedhin.

Ua përsëris, për zgjerimin të rrugës 34 km Tiranë-Durrës, e cila ju garantoj me përgjegjësi absolute se nuk mund të shkojë kurrë më shumë se 50 milionë euro, këta pasi përcaktuan 150 milionë, Lubi Balluku me Edi Ramën kalojnë në 300 milionë euro brenda një harku kohor njëmujor. Jo, thanë, dy korsitë që do shtohen në autostradë do kushtojnë 300 milionë euro.

Apo rruga Tiranë-Ndroq, një rrugë 37 km, e cila nuk mund të kushtojë më shumë se 35 milionë euro, në terren fushor, të butë kudo që kalon, nga 40 e ca milionë që ishte parashikuar, u dyfishua, kaloi në 90 milionë.

Unë mund të jap një listë të gjatë këtu, por nuk dua të abuzoj me kohën e askujt.

Dua ta mbyll se beteja jonë në parlament do jetë vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar dhe mbi këtë minimum rritjen e pensioneve në varësi të ditëve të punës dhe invaliditetit.

A e dini ju mor miq se çfarë aktesh kanë bërë këta?

Janë qindra e qindra invalidë të operuar për problematika të ndryshme jo në zorrën qorre siç thoshte Edi Rama, por në zorrën e trashë.

Shkoni dhe pyesni pak se sa u kushtojnë materialet që u duhen atyre për higjienën e përditshme.

A mund të besoni ju se dogana i taton këto materiale me 140 përqind të çmimit me të cilin blihen?

Në narkoshtet ndodh çdo gjë.

Kjo ndodh edhe me këta.

Do bëjmë gjithçka për minimumin jetik 200 euro, për rritjen e pensioneve me 20 përqind për të gjithë ata që kanë kontribute, përveç 200 euro.

Sikundër do bëjmë gjithçka për heqjen e TVSH-së për ushqimet.

Por, ne votat nuk i kemi.

Ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj, për zërin tuaj.

Ju garantoj se nesër në pushtet, PD këto do jenë ndër vendimet më të para që do marrë.

Faleminderit!

PYETJE-PËRGJIGJE

Isa Myzyraj, Ora News: Ju e keni mbështetur gjatë këtyre ditëve aleatin tuaj, Ilir Meta i cili është i arrrestuar. A keni një koment, nuk e di nëse i keni lexuar dosjen dhe akuzat që i ka ngritur SPAK-u, z.Meta. Keni një koment për të gjithë dosjen, pasi akuza është ngritur në bazë të komunikimeve reale, në rrjete sociale, në email për afera korruptive që dyshohet se i ka konsumuar z.Meta?

Berisha: Faleminderit, Isa për pyetjet.

Së pari, garantoj çdo shqiptar se kurrë nuk do të mbroja një akt korruptiv nga cilido që të ishte.

Por, kurrë nuk pranoj dot akuza politike ndaj cilitdo qofshin ato.

Unë do ndalem vetëm në dy prej tyre më kryesore.

Siç keni lexuar ju dhe unë, Altin Mercenari shkruan në paçavuren e tij se Monika Kryemadhi dhe Meta kanë favorizuar biznesmenin Shatku me një linjë intekonjeksioni.

Por çfarë thotë dokumenti, çfarë thotë korrespondenca e Monika Kryemadhit me Shatkun?

Zonja Kryemadhi i thotë Shatkut në mesazh se unë e takova zotin Rama dhe e pyeta se çfarë po bën me problemin e Shatkut. Edi Rama m’u përgjigj, bëjeni urgjent.

Dhe Shatku ia kthen, ky është lajmi më i mirë i vitit.

Isa, unë, ti dhe çdo qytetar, në këtë rast kuptojmë që ka një raport Kryemadhi-Shatku-Rama dhe del shumë qartë se dhuratëmadhi është Rama.

Ndaj dhe Shatku shprehet se ky është lajmi i vitit për mua.

Tani, a mund të pranojë ndërgjegjja njerëzore një akuzë të ngritur ndaj Kryemadhit dhe Metës dhe jo ndaj Edi Ramës, dhuratëmadhit?

A mund të pranosh, në qoftë se ka korrupsion, po diskutojmë ato që kanë dalë?

A mund të pranosh akuzën për një përpjekje që ka bërë, me vendim këta hoqën dorë nga ajo vilë dhe nuk e morën.

Hynë në marrëveshje me një biznesmen për një vilë për t’i kaluar një ligj në parlament dhe më vonë hoqën dorë nga kjo vilë dhe ligjin ia kaluan.

Me këtë gjë, Lëpirës Dumani kalon imagjinatën e Xhorxh Oruellit, tejkalon imagjinatën e Franc Kafkës, tejkalon çdo lloj akti me shkrim të ish-xhelatëve të Sigurimit të Shtetit.

Ilir Meta dhe Kryemadhi kishin gjithsej 20 deputetë, një ligj nuk mund të kalojë kurrë përveçse për tutkunë, apo për Dumdumanin dhe grupin e tij kriminal në SPAK.

Unë e kuptoj që ka njerëz pse thonë kaq ashpër Berisha?

Me këtë akt ata kanë fyer çdo shqiptar, kanë përdhosur Kushtetutë, parlament dhe çdo gjë tjetër.

Një njeri me 20 deputetë nuk mund të kalojë kurrë një ligj në parlament, ligjin e kalon ai që ka shumicën në parlament.

Ai që ka shumicën quhet Edi Rama, por Lëpirës Dumani është i gatshëm të lëpijë edhe këpucët e tij dhe të shpërfytyrohet në një shkallë të tillë para shqiptarëve dhe jo ta pyesë atë.

Çfarë thotë Edi Rama për këtë ligj? Me datën 9 tetor të vitit 2014, Edi Rama e quan këtë ligj, ligj epokal për minierat dhe thotë se nuk është një ligj dosido, por një ligj strategjik që ndan epokat.

Tani, kujt t’i besoj unë, Edi Ramës që thotë se ligji që e kërkon biznesmeni ndan epokat, apo t’i besoj Altin Dumanit që akuzon për korrupsion për këtë ligj që kaloi, se ai nuk mund ta kalonte me 20 deputetë, Ilir Metën?

Së fundmi, Altin Dumani, Edi Rama dhe bastardi i Enver Hoxhës me trafikantin Ilir Shullazi janë përgjegjësit kryesorë për aktin më të shëmtuar në historinë e këtij shteti në 32 vitet e fundit dhe në historinë e Europës, pusinë, goditjen, zvarritjen, rrëmbimin brutal të një qytetari në hetim, të një ish-kryeministri, ish-presidenti, ish-kryetar parlamenti, vetëm për urrejtjen e Edi Ramës.

Më thonë se Edi Rama i konfirmoi një kolegu tuaj, që e ka shumë për zemër, se e bëra, nuk mund të mos e bëja atë kundër Ilir Metës.

Unë i them, turpi të mbuloftë, faqezi, tregove se je bastard i babait tënd xhelat që urdhëronte varjen e kundërshtarëve politikë për mendimet ndryshe dhe vargjet e tij.

Isa Myzyraj, Ora News: Përreth 6 muaj Shqipëria shkon në zgjedhje parlamentare, dy liderat e opozitës, njëri në arrest shtëpie, tjetri në arrest me burg, pra që do të thotë nuk do mund ta prekni terrenin, qytetarët që është mjaft i rëndësishëm 30 ditëshin e fushatës. A ka z.Sali Berisha një plan B se si do të duken këto zgjedhje në vitin 2025 në këto kushte?

Berisha: Unë besoj se çdo shqiptar e ka të qartë se kemi të bëjmë me një farsë-fushatë, dhe jo fushatë.

Kemi të bëjmë me një fasadë elektorale, apo farsë-elektorale dhe jo zgjedhje.

Plani B i Sali Berishës dhe plani A është mosbindja civile, qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira.

Anisa Kadesha, TVSH: Ju thoni se do të bëni betejë në parlament për ccështjen e pensionistëve, kjo do të thotë që do t’i riktheheni normalitetit në parlament apo do të vijojnë aktet e mosbindjes civile?

Berisha: Kombinim i të gjithave.

Nuk mundet të hiqet dorë nga mosbindja civile gjer ditën që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, një gjeneratë e tërë nuk ka jetuar një ditë në diktaturë dhe e ka të vështirë të mendojë se në Shqipëri ekziston një diktaturë mbasi nuk e njeh atë.

Një gjeneratë tjetër, që jetoi diktaturën, ka në mendjen e vet vetëm shëmbëlltyrën e diktaturës komuniste.

Por kjo e sotmja është diktaturë dhe jo komuniste, është mafioze, është diktaturë bandash.

Ndaj dhe Hantington e quan këtë formën më të egër të të gjitha diktaturave.

Ndaj dhe njerëzisht u kërkoj medieve të përshtatin me të vërtetat semantikën, terminologjinë e realitetit.

Pra, nuk kemi të bëjmë me zgjedhje, kemi të bëjmë me farsë elektorale në një narkoshtet.

Anisa Kadesha,  TVSH: Ju kërkuar në mbledhjen e Kryesisë që në protestën 29 tetorit Shqipëria do të paralizohet. A mund të na jepni detaje të kësaj proteste, cilat rrugë pritet të bllokohen?

Berisha: Sapo të përpunohet përfundimisht, të parët që do e marrin vesh do të jenë gazetarët.

Se ne e konsiderojmë një ligj të artë, bashkëpunimin, komunikimin dhe transparencën me gazetarët.

Dua ta përmbyll me një thirrje për pensionistët e këtij vendi, për familjarët e tyre, për fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre, të ngrihemi kundër këtij regjimi të pamëshirë që i detyron këta burra dhe gra fisnikë, që kanë bërë çdo gjë për këtë vend, të flasin me veten e tyre nga mospasja e gjërave më bazë.

Unë u bëj thirrje gjithashtu sot, të gjithë atyre shqiptarëve në Nju Jork dhe kudo që janë të përdorin vezë dhe domate kundër kreut të narko-krimit shqiptar, që vjen për të kërkuar votën e tyre.

U them këtyre bashkatdhetarëve fisnikë, burra dhe gra se ju si emigracion, diasporë keni një rol historik për të luajtur. Ashtu siç bëtë me sukses betejën kundër komunizmit në Shqipëri, dhe betejën për çlirimin e Kosovës, unë u ftoj të jepni kontributin tuaj në betejën kundër narkodiktaturës apo mobodiktaturës në Shqipëri, e cila në të vërtetë, qenien shqiptare dhe identitetin e këtij kombi po e shkatërron më shumë, më me pa mëshirë se çdo pushtim tjetër në tërë historinë e Shqipërisë.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale