BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Një ditë pas protestës madhështore kombëtare në Tiranë, kreu i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim të gjatë me qytetarët në rrjetet sociale, ku theksoi qëndrimin e tij për 20 shkurtin dhe për hapat e ardhshëm të opozitës. Që në nisje të komunikimit, ai e cilësoi protestën si një moment kulmor të përballjes me qeverinë, duke deklaruar se ‘dje ishte ditë triumfi për kryengritësit paqësorë të pamposhtur’, të cilët sipas tij ‘u përballën dhëmb për dhëmb 3 orë me narkoshtetin’.
Në hyrje të fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha shprehu ‘mirënjohje të pakufishme’ për ‘dhjetëra mijëra të rinj, të reja, burra, gra, të moshuar që mbushën dje në kryengritjen paqësore të 20 shkurtit’, duke e cilësuar atë si ‘më të fuqishmen që ka njohur Shqipëria pas 20 shkurtit 1991’. Ai theksoi se protesta ‘jehoi dhe u shndërrua në mënyrë të rrufeshme në kryelajm’ jo vetëm në mediat shqiptare, por edhe në ‘mediat më të mëdha të Gjermanisë, Francës, Britanisë, Austrisë dhe mediat më të mëdha të SHBA’.
Lideri i opozitës shqiptare, shprehur mirënjohjen e tij të pakufishme për të rinjtë pjesëmarrës në protestë. ‘Tipari më kryesor i 20 shkurtit 2026 ishte se të rinjtë dhe adoleshentët u bënë… fytyra e vërtetë e bukur e opozitës, e kryengritjes’, u shpreh ai, duke shtuar se qëndresa dhe guximi i tyre ishin ‘tmerri i regjimit’. Sipas Berishës, protesta u karakterizua nga përballje e ashpër me forcat e rendit, ndërsa ai akuzoi autoritetet për përdorim të tepruar të forcës, duke pretenduar se ‘regjimi përdori të gjitha mjetet e dhunës’ dhe se pati ‘gjuajtje me seleksion të qytetarëve me bombola gazi’.
Në të njëjtën kohë, lideri i demokratëve u shpreh se, protesta ishte paqësore. ‘PD është në një kryengritje paqësore’, deklaroi Berisha, duke theksuar se ‘asnjë anëtar i forcave të rendit nuk është gërvishtur gjatë gjithë protestave tona’. Ai e paraqiti mobilizimin si një kauzë që tejkalon kufijtë partiakë, duke nënvizuar: ‘Nuk është protestë e PD, nuk është protestë e opozitës, është protestë e çdo shqiptari, për dinjitet’.
Gjatë bashkëbisedimit, kreu i PD-së Sali Berisha e lidhi zhvillimin e protestës me objektivin politik të ndryshimit të qeverisë, duke deklaruar se ‘kryengritja paqësore shënoi dje një stad të ri të fuqishëm të saj’, çka sipas tij përbën ‘frymëzim për vazhdimin në ditët në vazhdim gjer në përmbysjen e kësaj qeverie’. Ai përsëriti thirrjen për mobilizim të gjerë qytetar, duke argumentuar se ‘sot, më shumë se kurrë duhet të bashkohemi’ dhe se beteja është ‘çështje nderi dhe dinjiteti për çdo shqiptar’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi protestën si një akt në mbrojtje të ‘nderit dhe dinjitetit të vendit’, duke u shprehur se përballë qeverisë aktuale ‘është një popull i tërë që nuk pajtohet’. Sipas tij, kjo është ‘një betejë misioni jetik’, që lidhet me zgjedhjet e lira, luftën kundër korrupsionit dhe integrimin europian të Shqipërisë, ndërsa shprehu bindjen se opozita ‘do e përmbushë me dinjitet këtë mision’.

FJALA E PLOTE:
Përshëndes me mirënjohje të pakufishme ata dhjetëra mijëra të rinj, të reja, burra, gra, të moshuar që mbushën dje në kryengritjen paqësore të 20 shkurtit, më të fuqishmen që ka njohur Shqipëria pas 20 shkurtit 1991, në kryengritjen e cila jehoi dhe u shndërrua në mënyrë të rrufeshme në kryelajm në çdo votër shqiptare, por dhe në mbarë mediat më të mëdha të Gjermanisë, Francës, Britanisë, Austrisë dhe mediat më të mëdha të SHBA.
Dje ishte ditë triumfi për kryengritësit paqësorë të pamposhtur, të cilët u përballën dhëmb për dhëmb 3 orë me narkoshtetin në një betejë epike kundër qeverisë së paligjshme të Tiranës, kundër Edi Ramës, Lubi Ballukut, farsës së tyre elektorale, vjedhjeve të tyre të papërmbajtura.
Guximi i kryengritësve paqësorë, ishte mund të them, i jashtëzakonshëm.
Tipari më kryesor i 20 shkurtit 2026 ishte se të rinjtë dhe adoleshentët, u bënë me qëndresën e tyre, guximin, trimërinë e tyre, tmerri i regjimit dhe fytyra e vërtetë e bukur e opozitës, e kryengritjes.
Për 3 orë, në bulevard, në parlament dhe në rrugët e Tiranës u zhvillua një betejë e paparë.
Regjimi përdori të gjitha mjetet e dhunës, nuk kurseu as plumbat e gomës, me snajper në ballë të kandidates tonë për deputete në Shkodër, intelektuales së njohur, Mehmeti.
Por dhuna dhe terrori i policisë nuk kurseu adoleshentët, nuk kurseu të miturit.
Protestuesit u qëlluan me snajper me bombolat e gazit pas koke.
Të tjerë u goditën me këpucë në kokë të rrëzuar përdhe.
Por ata qëndruan të pamposhtur.
U përpoqën të frikësojnë të miturit dhe të pohojnë se kanë marrë lekë për të dalë në protestë, në një kohë kur ata absolutisht po ktheheshin nga shkolla pasi kishin ngrënë së bashku diçka dhe sot janë në komisariat.
Do u lutesha shumë të dëgjoni e prindit dhe të njërit prej këtyre të miturve.
‘Djali ka qenë duke ngrënë sufllaqe bashkë me kushëririn e vet 14 vjeç. Kanë qenë duke ardhur këtej nga krahu i Lanës, sa kanë kaluar shkollën Ismail Qemali. Tek Ura e Tabakëve. Kanë pasur çantën e shpinës të shkollës me gjithë librat. Ka ardhur njëri dhe ua ka futur në çantë. Këta janë trembur se nuk i njihnin se ishte gjithë ai burrë. I ka thënë shkoni dhe hidhini tek protesta. I kanë kapur në orën 8 pa ca kur ne ishim akoma tek protesta. Dhe po u kapi njeri, thoni që na kanë dhënë lekë. Në atë moment, nuk kanë bërë djemtë as 10 hapa, kanë ardhur civilët dhe i kanë arrestuar. Imagjino ti’.
Tani, shihni se çfarë skenari parapërgatisin.
Janë ndaluar, janë shoqëruar mbi 50 demonstrues.
Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë marrë kurrë pjesë në protesta.
Një pjesë e policisë janë sjellë me rrugaçëri, në mënyrë antiligjore, janë sjellë si patronazhistë dhe kriminelë të vërtetë.
Ndërkohë mund t’u them se dje ka pasur një dallim të qartë në qëndrimin e një pjese të mirë të policisë, e cila ka realizuar dhe po realizon se mbrojtja e hajdutëve nuk është detyrë në emër të ligjit dhe të atdheut.
Dhe unë i përgëzoj ata dhe ftoj policët e ndershëm, familjarë të ndershëm, burra, gra, vëllezër, motra të familjeve të mira të mos ndjekin udhëzimet e kriminelëve Proda dhe Bizhga, por në rastin më të parë të bashkohen me demonstruesit.
Edi Rama është një armik i qenies së tyre, i kombit shqiptar, është një armik i paimagjinueshëm që po i bën vendit të zezën më të madhe që i ka bërë ndokush me ligjin mburojë për të mbrojtur vjedhjet e tij, të Lubisë dhe ministrave të tij.
Kryengritja paqësore shënoi dje një stad të ri të fuqishëm të saj, çka është frymëzim për vazhdimin në ditët në vazhdim gjer në përmbysjen e kësaj qeverie.
Dënoj me forcën më të madhe dhunën dhe terrorin policor.
Dënoj gjuajtjen me seleksion të qytetarëve me bombola gazi, pas koke njërit prej tyre, në gjoks nënkryetarit të PD dhe deputetit të PD, Luçiano Boçi, dhe të tjerëve me mjete me gaz, me plumba gome, etj.
Garantoj Edi Ramën se për të gjitha këto do jetë përgjegjës.
Por në përshkallëzimin e tyre të djeshëm në një akt urrejtje të papërmbajtur janë hedhur në oborrin e selisë së PD sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe bomba tymuese.
Ky përbën një agresion të hapur ndaj selisë së PD dhe pluralizmit.
Me këtë rast u kërkoj të gjitha degëve të bëjnë rikonjicionin e plotë të selive të PS në çdo rreth.
Dhe garantoj Edi Ramën se sulmet ndaj selisë së PD do të sjellin sulme asgjësuese për selitë e partisë së krimit në të gjithë territorin e vendit.
Ndaj dhe hiq dorë nga aventura dhe provokimi i ulët.
Ne betejën e kemi me Edi Ramën si kryeministër i krimit, si kryetar i organizatës kriminale.
Por në qoftë se ju sulmoni selinë e PD, PD do u përpiqet ju ashtu siç e meritoni.
Hiq dorë nga sulmi i selisë për të mbrojtur krimet e tua, vjedhjet e tua.
PD është në një kryengritje paqësore.
Asnjë anëtar i forcave të rendit nuk është gërvishtur gjatë gjithë protestave tona.
As edhe një i vetëm.
Ato që kanë mbetur në letra të vdekura janë komunikatat e Prodës së krimit dhe të Sokol Bizhgës, të cilët e kanë vendin me kohë në burg.
Njëri tradhtar i Gjergj Mehmetit, ka lënë oficerin në makinë për ta djegur banditët dhe ka shpëtuar lëkurën e tij. E ka tradhtuar në detyrë të pavdekshmin Gjergj Mehmeti.
Tjetri një bashkëpunëtor i ulët i bandave, një ushtar i Gys Agasit, Suel Çelës dhe Troplinëve.
Ndaj dhe njëherë, larg duart nga selia e PD se PD është në revolucionin e saj paqësor për të shpëtuar Shqipërinë.
Miq, jehona e kryengritjes tonë paqësorë mbrëmë ishte më e rrufeshme se kurrë ndonjëherë.
Ndërkohë që kryengritja zhvillohej, agjencitë e lajmeve më të mëdha të botës, televizionet dhe mediat botërore e transmetonin atë.
Po unë dua të veçoj sot para jush albumin e fotografive të agjencisë më prestigjioze në botë të fotografisë Getty Images.
Në albumin e saj, në disa nga fotot, ajo shkruante: Shqipëria, vendi i zgjedhjeve të stilit stalinist.
Në të tjera, kryeministri hajdut dhe zëvendëskryeministrja hajdute. Pra, korrupsionin.
Çka tregon se ju, të dashur kryengritës, mbrojtët nderin e vendit tonë, mbrojtët nderin e shqiptarëve, dinjitetin e tyre.
U bëtë fytyra e vërtetë e këtij kombi në dallim nga fytyra e nxirë e Edi Ramës dhe pushtetit të tij.
Pra, kauza është e drejtë, fitorja është e jona.
Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme për guximin dhe trimërinë tuaj.

PYETJE PERGJIGJE ME QYTETARET:
Muharrem Kurti: Doktor përshëndetje ky regjim jo vetëm na vjedh por edhe na helmon me gaz siç na ndodhi edhe mbrëmë. Pyetja ime është çdo bohet me këtë regjim që nuk po shkulet prej 13 vitesh do kemi ndonjë strategji tjetër më te fuqishme.
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Padiskutim që strategjia jonë do vijë duke u përshtatur dhe fuqizuar, por duke mbetur gjithnjë në platformën e kryengritjes paqësore.
Sot siç e shifni, janë dhjetëra mijëra qytetarë që për të 4-në herë me radhë mbushin sheshin dhe bulevardin. Por unë kërkoj mirëkuptimin e çdo qytetari, i cili ka mundësi të dalë, por e sodit nga televizori protestën.
Këta dhjetëra mijëra qytetarë që mbushin bulevardin, a kanë të drejtë në protestën e tyre. A është një akt kriminal të përdorësh pushtetin të vjedhësh qytetarët dhe pastaj të mbrosh, të bësh ligje, apo të bllokosh drejtësinë kur ajo dëshiron të veprojë.
A është e pranueshme heshtja në këto raste.
A nuk thirrje ndërgjegje qytetare për secilin, pavarësisht nga bindjet që ka, i majtë, i djathtë, pa parti, indiferentë, që të dalë si qytetar për tu dëshmuar shqiptarëve dhe botës se ai nuk pajtohet kurrë me këtë gjendje.
Ndaj z. Kurti ne duhet të punojmë për tu bindur për kauzën e drejtë, kauzë absolutisht jo partiake, kauzë thellësisht qytetare. Imagjinoni pak nëse këta dhjetëra mijëra qytetarë nuk do të kishin mbushur për të 4-në herë me radhë bulevardin dhe në qoftë se mediat ndërkombëtare nuk do kishin dhënë në mënyrën më dashamirëse, dhe më të plotë këtë përpjekje, se si do u dukeshim ne shqiptarët botës.
A është kjo një çështje nderi dhe dinjiteti kombëtar në rrafshin moral, por në rrafshin tjetër është një çështje e interesit të çdo qytetari. Çdo qytetar edhe ai që e di dhe nuk e di është i vjedhur nga këta qeveritarë.
Ndaj dhe ne, para se të mendojmë ta supozojmë për një agresivitet të merituar ndaj këtij regjimi, duhet të mendojmë të kemi me vete të gjithë ata të cilët jetojnë me djersën e ballit, jetojnë me dinjitet, të gjithë ata që nuk pajtohen me moralin e tyre, moralin e vjedhësve, të hajdutëve, nuk pajtohen me këtë rrokullisje të madhe që ka Shqipëria, duke larguar shqiptarët prej vendit të tyre.
Ky është një hap i rëndësishëm dhe një kusht i cili do të garantojë padiskutim fitoren tonë.
Fatos Doçi: Dhe sa do vazhdojmë me protesta paqësore është pyetja ime doktor, sikur ti fusim pak adrenaline të kopjojmë nga protestat paqësore që bënte Rama dikur?
Sali Berisha: Dallimi është i jashtëzakonshëm. Edi Rama i kishte për kauza të padrejta, ne i kemi për kauzë të drejtë dhe adrenalina jonë është persistenca, ne nuk heqim dorë deri në rrëzimin e tij.
Edhe njëherë Fatos, ne të gjithë duhet ti shndërrojmë këto protesta në çështje nderi dhe dinjiteti për çdo qytetar, që nuk pajtohet me vjedhjen, me poshtërimin e tij dhe të Shqipërisë.
Që nuk pajtohet me rrokullisjen e madhe demografike të këtij vendi, boshatisjen e tij. Por duhet ti shtrojmë këto protesta në çështje interesi themelor të çdo shqiptari, që nuk pajtohet me vjedhjen e pasurive të tij. Nuk pajtohet me padrejtësitë që i bëhen, nuk pajtohet me faktin se fëmijët e tij detyrohen të largohen nga Shqipëria.
Mendoj se ne duhet të punojmë fort në dy fronte dhe ky front i dytë është jashtëzakonisht për fitoren tonë.
Mos harroni se, e thashë dhe dje, e them prap dhe sot. Në qoftëse se Enver Hoxha shtatorja e tij u rrëzua në shkurt të 1991, ai kishte vdekur në vitin 1985. Pra u deshën 5 vjet për të shembur atë shtatore.
Edi Rama është i vdekur politikisht. Nuk duhet të pranojmë kurrë një kufomë politike në pushtet duhet të angazhohemi ta largojmë sa më shpejt.
Arieta Ambra: Zoti Berisha, ju lutem mos ikni më nga sheshi, kjo është zgjidhja më e mirë. Edi Komunisti nuk rrëzohet ndryshe.
Sali Berisha: Ju falënderoj shumë për sugjerimin. Jam plotësisht dakord, por kjo kërkon që secili nga ne të ulet me çdo qytetar dhe këtë çështje tonë, që në pamje të parë është flamuri i PD dhe opozitës, ta shndërrojmë në çështje të shumicës së shqiptarëve.
Nuk duhet të harrojmë se në diktatura ka një shumicë të heshtur dhe që në fakt, në raport me qëndrimin e diktaturës në pushtet, për fatin më të keq kjo shumicë e heshtur është përcaktuese me heshtjen e saj. Ata që heshtin para këtyre që ndodhin, ata ndihmojnë regjimin. Pa dashje. Ata të cilët përpiqen të gjejnë pretekste, pakënaqësira, kritika, jo se ato nuk ekzistojnë, ata përsëri ndihmojnë të keqen.
Sot, më shumë se kurrë duhet të bashkohemi të heqim këtë të keqe. Nuk ka pse një qytetar del e përballet tre orë me policinë, kurse fqinji i tij e ndjek në tv. Duhet të jemi bashkë.
Nuk është çështje partish kjo.
Edhe njëherë, është absolutisht është çështje nderi dhe dinjiteti për çdo shqiptar, për të treguar se kurrë nuk pajtohemi me një grup hajdutësh apo me ligje të cilat janë mburojë e qeveritarëve për të na vjedhur ne.
Ne nuk mund të pajtohemi, marrim një aspekt tjetër. Mbrojtja qoi bën Edi Rama, Lubi Ballukut, pra vetes së tij, ligji që po kalon, është një ligj që mbyll në mënyrë absolute dyert e Europës për Shqipërinë.
Atëherë u shtroj një pyetje dhe besoj se ju e keni parë, sa herë ka reaguar gjatë këtyre kohëve BE me përfaqësuesit e tyre. Tre ditë më parë ishte në Shqipëri delegacioni i Parlamentit Europian që erdhi me kërkesën e opozitës si mision faktmbledhës.
Ju e dëgjuat, kërkonin pa diskutim të mos pengohet drejtësia.
Kërkonin që Balluku të shkojë atje ku kërkon prokuroria.
Deklaruan se integrim nuk ka në qoftë se mbrohet korrupsioni.
Atëherë, të dashur miq, a nuk është kjo një detyrë atdhetare?
A nuk është ky një qëndrim në përputhje me idealet e integrimit evropian të çdo shqiptari?
Atëherë sot ky projekt është vënë në satër nga xhelatë të vërtetë për të mbrojtur interesat e veta.
Kështu që duhet t’i rrëshqasë toka nën këmbë jo vetëm në sheshin Skënderbej dhe në Tiranë, por në mbarë Shqipërinë.
Unë jam i bindur, unë jam i sigurt se me punë, me vullnet dhe vendosmëri kjo do ndodhë dhe Edi Rama do largohet nga pushteti si një nga armiqtë më të egër të kombit shqiptar në histori.
Geraldina Kola: Duket qartazi se ndërkombëtarët nuk e durojnë Ramën, por a e shohin opozitën si alternativë qeverisisë. Mendoni se duhet të bëni ndonjë lëvizje në lidhje me ofertën qeverisëse për të ja shkurtuar ditët këtij pushteti që na mori frymën.
Sali Berisha: Së pari më lejoni tu informoj për një bisedë që u zhvillua me delegacionin e Parlamentit Europian që erdhi në Shqipëri. Në atë bisedë pati një përfaqësues të mashtruar, i cili deklaroi se pasi kritikoi Ramën, tha se opozita ka probleme me integrimin. Kryetari i këtij delegacioni i kthej përgjigjen e merituar. I tha se, Partia Demokratike dhe Sali Berisha janë parterët tanë të besueshëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Pra unë thashë një bisedë, por të garantoj se kredencialet e PD-së janë sot më të certifikuara se kurrë. Geraldina mos harro një gjë dhe gjeji e lexoi.
Janë 7 rezoluta ndërkombëtare të të gjitha forcave politike, përfshirë Bashkimin Kristian Demokrat të Gjermanisë së kancelarit Merz, Partinë Republikane të SHBA-së dhe të gjitha partitë në Europë, në Azi, në Amerikë të cilët mbështesin plotësisht PD-së dhe Sali Berishën.
Pra nuk duhet të bien viktimë e propagandës të altoparlamentëve, papagajve të paguar të Edi Ramës dhe lobistëve të tij të korruptuar. Të jeni e sigurtë se sot PD është më e besueshme se kurrë për komunitetin ndërkombëtar, nuk them për socialistët ndërkombëtar, por për qendrën e djathtë e cila sot qeveris botën.
Desada Xhetani: Doktor, si t’u duk sjellja e Ramës në Uashington. Më la një shije shumë të hidhur me inferioritetin që tregoi ndaj vendeve të tjera?
Sali Berisha: Desada, edhe dje më pyetën mua për këtë, por unë u shpreha që kam atë mendim që kanë ata shqiptarë që e panë vetë atë konferencë. Një gjë mund të them se ai nuk e thotë, por e fsheh, por jo një, por disa takime i janë refuzuar.
Kaq mund të informoj shqiptarët.
Pra, i janë refuzuar.
Pra, nuk është se nuk kërkoi takime, sepse ajo ishte konferenca, sigurisht që Shqipëria do përfaqësohej në bord, por takimet e kërkuara nga Ramaduro u refuzuan nga zyrtarë shumë të lartë të SHBA.
Dhe unë i falënderoj ata për qëndrimin e tyre.
Shyqyri Myrtollari: Doktor, është vënë re një rritje e dukshme e dhunës së policisë në protestë si dhe një retorikë e papërmbajtur nga ana e pushtetit. Ndërkohë që ndërkombëtarët duket se po e trajtojnë protestën si normale, ndryshe nga më parë kur reagimet ishin më të forta sidomos kundër dhunës ndaj opozitës, shpesh edhe nga diplomatët në Tiranë. Si e shpjegoni këtë ndryshim të qasjes së ndërkombëtarëve dhe këtë irritim të shtuar të qeverisë?
Sali Berisha: Pyetje shumë e drejtë. Miqtë e Shqipërisë, partnerët tanë, panë tek Edi Rama atë që nuk e kanë parë kurrë pas Luftës së Dytë Botërore në Europë.
Një njeri që nga mëngjesi gjer në darkë zotohej për Shqipërinë në BE në vitin 2027, në vitin 2030, një njeri që sulmonte SHBA se hedhin bomba dhe ikin dhe Europa është paqja, është kultura e paqes, është kjo dhe ajo, këta papritmas panë se maska ra.
Ra maska dhe doli fytyra e një hajduti që nuk e kishin parë kurrë ndonjëherë.
Europa kishte pasur hajdutë, sigurisht, por hajdutë të cilët kishin pranuar ligjin, i ishin nënshtruar ligjit dhe drejtësisë.
Edi Rama është hajduti i parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas rënies së Perdes së Hekurt që jo vetëm nuk shkarkon Lubi Ballukun, por ka tre muaj që e mbron.
Dhe pasi dështoi me grushtin e shtetit, tani ai po bën ligjin mburojë.
Sigurisht këtë asnjë vend partner, asnjë vend i BE, as SHBA, nuk mund ta pranojë, nuk mund ta kapërdijë.
Ne kemi parë gjatë këtyre viteve se si Luani i Apenineve, Silvio Berluskoni, italiani më i madh, i ndjekur nga një drejtësi politike, nuk refuzoi kurrë urdhrin e gjykatësit dhe të prokurorit.
Ne pamë se si presidenti Donald Trump, i gjetur para prokurorëve politikë, nuk refuzoi kurrë urdhrat e tyre.
Ky është unik.
Edi Rama është unik.
Natyrisht komuniteti ndërkombëtar tani pret nga shqiptarët.
Nuk mundet, duhet ta kemi të qartë, asnjë qeveri dhe asnjë vend nuk mund të rrëzojë kryeministrin e Shqipërisë me forcat e tyre. U përket shqiptarëve dhe ky është shkaku i mbështetjes së tyre për veprimet e opozitës shqiptare dhe opozitën shqiptare.
Unë ua thashë, i kam ndjekur, nuk kam parë kurrë emisione tre herë më të gjata se të televizioneve shqiptare të kontrolluara nga Edi Rama, për protestat dhe komentatorët më serioze, duke i bërë vlerësimin më maksimal këtyre protestave.
Po mbrojmë nderin dhe dinjitetin e vendit me këto kryengritje.
Ndaj nuk ka diskutim se miqtë tanë, njerëzit e lirë, mbështesin fuqishëm kryengritjen tonë dhe presin nga ne ta hedhim në Lanë këtë kapo të organizatës më të rrezikshme kriminale në Europë që është sot qeveria shqiptare, e cila bën ligjin mburojë për të vjedhur qytetarët e saj.
Bën ligjin për të shndërruar vjedhjen në ligj.
Pra, jemi në situatën më të jashtëzakonshme ndaj ne me këtë mesazh duhet të ulemi të bisedojmë me çdo shqiptar.
T’ia shkurtojmë ditët një minutë e më parë Edi Ramës.
Renis Hackaj: A e lejon ligji që persona me kapuç në kokë, komplet të paidentifikueshëm të bëjnë ndalime të qytetarëve pa shkak, pa asnjë shpjegim. A mund të hetojë kuvendi rritjen e këtyre kapuçonëve në protestat e opozitës.
Sali Berisha: Këta janë bandë dhe jam shumë dakord me ty, dhe ftoj qytetarë që çdo maskë ta sulmojnë dhe ti heqim maskën. Ju garantoj se e kam parë dhe dje, do marrin urdhër protestuesit që çdo të maskuar ta zhveshin, ta sulmojnë dhe ti heqin maskën e ta nxjerrin në publik se kush është.
Kanë përdorur gjithashtu, me qindra patronazhistë civil të cilët mercenar ndiqnin demokratët, drejtuesit e PD-së, deputetët etj. Edhe ata do të ndëshkohen në vend, protesta jonë është paqësore.
Ata që vijnë për të provokuar do të marrin ndëshkimin që meritojnë si provokator.
Renis Hackaj: A ka dispozita ligjore që rregullojnë përdorimin e gazit lotësjellës në protesta. Nëse ushqimet skadojnë hidhen, nëse ilaçet skadojnë, hidhen. Po me gazin e skaduar çfarë ndodh. A ka ndonjë praktikë ligjore kur gazi skadon, nëse nuk është zbatuar kush e ka fajin. Nëse një tregtar shet miell të skaduar, ai dënohet. Në këtë rast kush dënohet, kush e importon gazin lotësjellë në Shqipëri, me çfarë kontrate apo çmimi, a mund të hetojë kuvendi një çështje të tillë.
Sali Berisha: Keni shumë të drejtë për të gjitha çështjet që shtroni, për të gjitha pikëpyetjet. Përdorimi i gazit lotësjellës të skaduar, të cilin Top Tuneli në mënyrën më të neveritshme, më kriminale e cilësonte si një favor që i bëhej opozitës nga Edi Rama, sepse i bie efekti, në të vërtetë ai bëhet më helm, më i rrezikshëm disa herë se sa para afatit të skadimit, mbasi i skaduar mund të shkaktojë dhe verbim të plotë, humbje të shikimit.
Padyshim se kjo në një vend tjetër, jo në Shqipëri do të ishte objekt i një hetimi shumë intensiv. Kurse këta nuk njohin ligj, nuk respektojnë asnjë të drejtë të grupit parlamentar. Duhet të jemi të vetëdijshëm se përballë një armik që nuk ka as ligj e as moral dhe rruga e vetme kundër tij është kjo që kemi zgjedhur.
Sergi Çama: Me gjithë skandalet e njëpasnjëshme në Shqipëri, në një vend demokratik do kishte reagim masiv. Opozita po e bën detyrën e saj me protesta, kurse populli masiv dhe studentët ende presin në heshtje. Mendoj se kjo vjen nga varësi ndaj një administrate të politizuar. A nuk është përgjegjësia jonë si shoqëri të reagojmë sepse po të ngrihet populli dhe studentët, Edi Rama nuk do qëndronte 24 orë në pushtet?
Sali Berisha: Shumë i saktë konstatimi juaj. Por nuk duhet të bëj krahasime, megjithatë në qoftë se rikthehem pak në natën e 9 dhjetorit 1990, ka një moment shumë interesant me këtë që thoni ju. Cili është ai moment? Së pari, atë ditë, në mëngjes aty ku është ambasada e Italisë, në rrugën mes saj dhe Liceut, ku ishin rreth 800 mbasë 1 mijë studentë në protestë, nuk ishin më shumë se 20 jostudentë në atë vend. Dhe, gjatë ditës, rrethanat e sollën që me Besnik Mustafën mbetëm të vetmit jostudentë bashkë me studentët.
Në një moment më thotë Azem Hajdari, ah, sikur të ishim në Shkodër. E kuptova ku e kishte hallin. I them mos u mërzit se Tirana shumë shpejt do tregojë se kush është.
Prapë, po në këtë se ka ngjashmëri.
U rikthyem dhe pas një diskutimi të gjatë me ta për pikat që do kërkonin, ata i morën ato dhe bënë një takim më të gjerë në një mensë.
Tani në mensë takimi. E ka përshkruar shumë bukur një pedagog. Akli Fundo thotë se një nga tezat që dilte në diskutim e sipër, si të pranojmë ne pluralizmin politik kur kjo do të thotë të ngrihemi kundër baballarëve tanë.
Sepse ata ishin bij drejtorësh, ishin bij oficerësh, ishin kryetarë kooperativash bujqësore, etj me radhë.
Dhe ç’ishte më e fortë, Ramiz Alia i kishte sjellë prindërit me autobusë që t’i çonin fëmijët në shtëpi.
Por pas një debati, pavarësisht nga këto shqetësime, ata që shprehën këto shqetësime, ata vendosën të dalin kundër etërve të tyre.
U siguroj që ai faktor që thoni ju është një faktor dhe unë e kam konstatuar këtë se na i heqin njerëzit nga puna, por kjo do jetë shumë e shkurtër sepse shumë më shpejt, më shpejt nga ç’e mendojmë do bashkohen edhe studentët, edhe punëtorët, edhe qytetarët dhe Edi Rama nuk do ketë vend në Shqipëri, përveçse në burg ku e ka vendin.
Eda Grimci: Qëndresa e qytetarëve tregoi revoltë dhe padurim për të çliruar vendi nga krimi dhe korrupsioni. Qytetarët duan protesta, kur do të jetë protesta e radhës.
Sali Berisha: Përshëndetje Eda, shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre. Protesta e ardhshme do të përcaktohet, njoftohet shumë shpejt. Por tani detyra jonë është të ulemi me çdo fqinj, me çdo shqiptar.
Nuk është protestë e PD, nuk është protestë e opozitës, është protestë e çdo shqiptari, për dinjitet, për moralin, është protestë për të ardhmen, për interesin jetik, për të mos u vjedhur siç po vidhemi, për të mbajtur të hapura dyert e integrimit europian.
Është protestë për zgjedhjet e lira. Ndaj dhe asnjeri nuk duhet ta shohë këtë protestë ndryshe nga ç’është.
Është protestë që qytetari shqiptar të mos vidhet.
Është protestë që qytetari shqiptar të mos i ketë të mbylla dyert e integrimit në Europë.
Është protestë që qytetari shqiptar të mos zhvillojë, siç thoshte sot, agjencia më e madhe e komunikimit me fotografi në botë, zgjedhje të stilit Stalinist në Shqipëri.
Pra protestë për të garantuar zgjedhje të lira. Por unë jam besimplotë se kjo do të ndodhë.
Pak më parë i shpjegova një bashkëbiseduesi se çfarë ndodhi natën e 9 dhjetorit 1990. Dhe e vërteta është që të nesërmen e të pasnesërmen Tirana që dukej indiferente dhe inerte u derdh e tëra në mbështetje të studentëve. Kjo do të ndodhë dhe në Shqipëri.
Renis Haçkaj: A do i kontaktoni përfaqësuesit e besimeve fetare dhe t’u kërkoni të mos përdoren nga regjimi. A kanë këta përfaqësues ndonjë koment për gazin e hedhur në kisha dhe xhami? A do të pranojnë këta përfaqësues që pas gazit lotsjellës të ulen bashkë me regjimin në dreka e darka iftaresh, syfyresh, bamirësie, etj?
Vehbi Alizeneli: Doktor, xhamia u mbyt në gaz lotsjellës dhe helmues. Si mundet Komuniteti Mysliman nuk ka reaguar? A mundet Rama të ketë gllabëruar edhe komunitete fetare në Shqipëri?
Sali Berisha: Tani, më lejoni të bëj një sqarim. Lidhur me gazin tek xhamia, ne e dinim se pas iftarit, mijëra besimtarë do të mbushnin sallat e xhamisë për të falur namazin dhe vendosëm që ne nuk do të zhvillojmë asnjë protestë në territorin apo paralel me territorin e xhamisë në mënyrë që të mos ketë asnjë shkak për hedhjen e gazit dhe prishjen e namazit të besimtarëve myslimanë.
Pavarësisht nga kjo, drejt xhamisë u hodhën bomba tymuese dhe gazi lotsjellës sa asnjëherë tjetër.
Tarracat e xhamisë u mbushën me banditë dhe patronazhistë me uniformë që është përdhosje për vakëfin.
Dënoj me forcën më të madhe dhunimin e xhamisë, dhunimin e besimtarëve gjatë faljes së namazit dhe hedhjen e gazit dhe bombave tymuese në territorin e xhamisë.
Jam i bindur se drejtuesit, udhëheqësit shpirtërorë të komuniteteve nuk pajtohen me qëndrime të tilla dhe në lutjet dhe në shpirtin e tyre ata do ta thonë fjalën.
A do komunikojnë ata me qeverinë, nuk mund të them se çfarë do bëjnë, pasi çdo komunikim bie në vesh të shurdhër.
Floriana Garo: Në fakt sapo më dërguan një reagim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që thotë: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive.
Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet e tij publike. Megjithatë, kjo maturi nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve tanë.
Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak.
U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër.
Sali Berisha: Është rast për të përshëndetur këtë deklaratë të Komunitetit Mysliman dhe për të garantuar Komunitetin Mysliman se nuk do ketë asnjë akt demonstrues në territorin apo afër territorit të xhamisë. Se dje, ne, kam qenë dhe vetë aty, kemi devijuar në rrugën tjetër kastile për të mos i dhënë shkas hedhjes së gazit lotsjellës në territorin e xhamisë.
Por ata kanë hedhur pa asnjë shkak gazin drejt besimtarëve, sikundër kanë hedhur gazin drejt oborrit të PD pa asnjë shkak.
Kemi pasur, tani t‘ua them ju, kemi pasur ne protestues, besimtarë, të cilët kanë shkuar nga protesta për të falur namazin dhe nuk kanë hyrë dot për shkak të gazit.
Dhe janë ngjitur sipër në tarracë dhe kanë gjetur aty mbi 30 banditë me uniformë.
Unë i siguroj besimtarëve, siguroj imamët, siguroj drejtuesit e Komunitetit Mysliman se nuk do japim asnjë shkas për asnjë lloj veprimi në territorin e xhamisë.
Por nga ana tjetër, e siguroj bandën qeveritare se nuk do mund të përdorë kurrë si mburojë për parlamentin e krimit, i cili është dhe do të jetë nishan, objektiv ndër më kryesorët i kryengritjes paqësore.
Sokol Deliaj: Partitë Popullore Europiane dhe botërore, mbështetën PD me 7 rezoluta ku theksuan se në Shqipëri kishte zgjedhje fiktive dhe jo të lira e të barabarta. A duhet ti kërkoni mbështetjen këtyre partive që të kemi në Shqipëri një kod zgjedhor të drejtë dhe të barbartë për të gjitha partitë, duke e ndryshuar komplet këtë reformë zgjedhore dhe të kemi edhe një reformë territoriale që respekton popullin dhe ndal shpopullimin. Duhet të rikthehen përsëri komunat, të paktën gjysma e tyre në të gjithë Shqipërinë.
Sali Berisha: Sigurisht që ne kemi mbështetje të plotë. Edhe njëherë demokratët duhet ta dinë mirë, se ne kemi mbështetje të fuqishme nga të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë në Europë dhe botë. Dhe kjo mbështetje është konkretizuar në 7 rezoluta në të cilat konfirmohen të gjitha denoncimet që PD ka bërë për narkoshtetin e Edi Ramës, për diktaturën autoritare të Edi Ramës, për farsën elektorale të Edi Ramës, për bashkëpunimin e tij me krimin dhe me radhë.
Padyshim që reforma elektorale ka vlerën e vet. Por nga ana tjetër të garantoj se çfarëdo ligji apo ndryshimi që do të bëjmë me Edi Ramën ka zero vlerë. Dalim aty ku thoshte sot agjencia sot më e madhe në botë, e komunikimit me fotografi Getty Image, kishte vënë etiketën, Shqipëria vendi i zgjedhjeve të stilit Stalinist.
Për ta bërë më të qartë Sokol. Edi Rama në vitin 2023 deklaroi se për të Kodi Zgjedhor është një kinezëri. Pra e shumëzoi me zero kodin zgjedhor ai.
Ndaj ne nëse duam zgjedhje të dashur mik dhe duam sigurisht, duhet të largojmë me çdo kusht armikun më të egër të botës së shqiptarëve, Edi Ramën.
***
Ju falënderoj shumë për pyetjet që bëtë, për ndjekjen e kësaj bisede.
Edhe njëherë mirënjohjen më të fuqishme ndaj atyre dhjetëra mijëra qytetarëve që nderuan dje më shumë se kurrë 20 shkurtin e vitit 1991.
Nderuan shqiptarin, kombin, Shqipërinë para shqiptarëve dhe para botës.
Krahas kreut të organizatës kriminale, qeverisë shqiptare, Edi Ramës, është një popull i tërë që nuk pajtohet me Edi Ramën.
Është një popull që qëndron në moralin qytetar, nuk pajtohet me vjedhjet, nuk pajtohet me korrupsionin. Nuk pajtohet me asgjësimin e drejtësisë.
Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar të bashkohemi në emër të dinjitetit të vet, në emër të dashurisë që ai ka për Shqipërinë, për familjen e tij, për njerëzit e tij.
Në emër të interesit madhor kombëtar që është integrimi i Shqipërisë në Europë.
Kjo është një betejë misioni jetik, por është misioni i jetës së çdo qytetari.
Jam i bindur se ne do e përmbushim me dinjitet këtë mision.


