FJALA E KRYETARIT TË PD-ASHM, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME DIASPORËN NË SELANIK, GREQI
EKSTRAKT
Në një takim me diasporën shqiptare në Selanik, Kryetari i Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, Prof. Dr. Sali Berisha falënderoi emigrantët për kontributin e tyre dhe i quajti udhëheqës të fushatës së opozitës. Kryetari i PD-ASHM, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për veprime mafioze dhe shkelje të Kushtetutës në rastin e Fredi Belerit, duke thënë se Rama po dëmton marrëdhëniet me Greqinë dhe statusin e gjysmë milioni shqiptarëve për interesa personale. Berisha theksoi rëndësinë e miqësisë me Greqinë dhe e quajti vitin 2025 “vitin e diasporës shqiptare”.
Nga Selaniku, lideri Opozitar, Sali Berisha e cilësoi 11 majin si ditën vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë. Ai akuzoi qeverinë Rama për shpopullimin e vendit dhe tha se shqiptarët janë reduktuar me 45% në 12 vite përmes varfërisë dhe përçmimit. Duke përmendur rënien dramatike të lindshmërisë dhe mbylljen masive të shkollave, Berisha bëri thirrje që çdo shqiptar, kudo që ndodhet, të japë kontributin e tij për të ardhmen e kombit.
Kryetari i PD-ASHM, Sali Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që më 11 maj të firmosin për përmbysjen e “narkoshtetit” dhe rikthimin e demokracisë. Ai e cilësoi situatën në Shqipëri si katastrofike, duke fajësuar qeverinë Rama për shpopullimin, varfërinë dhe shkatërrimin e shpresës. Berisha përmendi rënien e lindshmërisë, mbylljen e shkollave, rritjen e çmimeve dhe dëbimin e qytetarëve si pasojë e represionit dhe paaftësisë qeverisëse. Lideri demokrat e cilësoi votën e diasporës si vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë dhe rikthimin e të rinjve në atdhe.
Lideri Opozitar, Sali Berisha bëri thirrje të drejtpërdrejtë për rikthimin dhe investimin në Shqipëri. Ai theksoi se vendi po përjeton një krizë të thellë ekonomike dhe sociale për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit galopant, duke u shprehur se pasuritë e Shqipërisë po grabiten nga një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin dhe narkotrafikun.
Berisha u zotua për një program të fuqishëm ekonomik që do të rikthejë dinjitetin e qytetarëve brenda 100 ditëve: asnjë pension nën 200 euro, rritje e rrogës minimale në 500 euro dhe e mesatares në 1200 euro. Ai premtoi gjithashtu zero taksa për emigrantët që kthehen dhe investojnë për 5 vitet e para, kredi të buta për banim dhe biznes, dhe heqje të taksave për shtëpitë e tyre në Shqipëri derisa të kthehen.
“Shqipëria është vendi më i pasur në rajon për nga burimet, por më i varfëri për nga qeverisja,” – u shpreh Berisha. “Made in Albania duhet të bëhet shtylla e zhvillimit. Ndaj ju ftoj ta mendoni kthimin. Atdheu ju pret!, deklaroi ndër të tjera kryetari i PD-ASHM.
Në fjalimin e tij në Selanik, Kryetari i PD-ASHM, Sali Berisha iu drejtua me një mesazh të fuqishëm shqiptarëve të diasporës, duke theksuar rolin e tyre jetik për shpëtimin dhe rilindjen e Shqipërisë. Ai u ndal te situata e rëndë demografike dhe ekonomike që po përjeton vendi, duke paralajmëruar për rrezikun e shuarjes së kombit për shkak të emigracionit dhe rënies dramatike të lindshmërisë. Sipas Berishës, vetëm një politikë e fuqishme demografike dhe rikthimi i emigrantëve mund ta shpëtojnë vendin.
Berisha prezantoi masa konkrete për nxitjen e lindshmërisë dhe rikthimin e shqiptarëve, si: grante për çiftet e reja, mbulimin e interesave të kredisë për banesë, pagesën e plotë të kredisë nga shteti për familjet me tre fëmijë dhe bonuse mujore për fëmijët. Po ashtu, Berisha u zotua për zero taksa për 5 vitet e para për emigrantët që investojnë në Shqipëri, kredi të buta për banim dhe biznes, dhe heqje të taksave për shtëpitë në atdhe.
Kryetari i PD-ASHM, Berisha kujtoi edhe ngjarjen e Kapshticës gjatë pandemisë, ku emigrantët shqiptarë u lanë katër ditë në tokën e askujt, duke e quajtur këtë një akt çnjerëzor dhe një krim sipas konventave ndërkombëtare. Ai e quajti Edi Ramën “antishqiptar” dhe “i pashpirt”, duke e akuzuar për fjalor banal, përçmues dhe për tentativë për të maskuar aferat e mëdha korruptive si çështja e inceneratorëve, vila në Surrel, tokat në Gjipe dhe abuzimet me fondet publike.
Duke e cilësuar fushatën e opozitës si një “epope shprese dhe fitoreje”, Berisha i ftoi shqiptarët të bëhen pjesë e një ndryshimi të madh, që do t’i japë fund kapjes së shtetit nga një regjim që, sipas tij, ka shkatërruar ekonominë, shpresën dhe të ardhmen e vendit.
Kryetari i PD-ASHM, Sali Berisha u shpreh se 11 maji do të jetë dita e ndryshimit për Shqipërinë. Ai theksoi se opozita paraqitet përballë shqiptarëve me një ekip profesionistësh si Chris LaCivita, një nga strategët më të suksesshëm politikë në botë, ndërsa Edi Rama, mbështetet tek figura të diskredituara si Vullnet Sina, njeriu që helmoi vendin me salmonelë.
Berisha sulmoi ashpër Ramën për korrupsion, kapje të shtetit dhe përpjekje për të blerë mbështetje në qytete si Korça, duke përmendur edhe Ilir Vrenozin si shembull të integritetit që iu kundërvu manipulimit. Berisha i bëri thirrje çdo qytetari të regjistruar të dalë dhe të votojë kundër atyre që po e shkatërrojnë Shqipërinë.

FJALA E PLOTË
Të dashur, bashkëatdhetare dhe bashkëatdhetarë të emigracionit në Selanik. Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju, të pranishëm në këtë sallë, për të gjithë shqiptarët në emigracion, në Selanik dhe në mbarë Greqinë.
Të gjithë shqiptarët në emigracion, kudo që janë, por një përshëndetje të përzemërt kam edhe për ata demokrate e demokratë që janë sot në këtë sallë. Erdhën nga veriu i Europës dhe të katërta anët për t’u bashkuar me ju në këtë ditë të shënuar.
Unë, do përshëndes këtu praninë e dejtuesve të degës lokale të PD në Selanik, të gjithë anëtaret dhe anëtarët e kësaj dege.
Përshëndes drejtuesit e partive politike të koalicionit për Shqipërinë Madhështore, kandidatë për deputetë të këtij koalicioni të pranishëm në këtë sallë.
Një përshëndetje të përzemërt për miqtë, punëdhënësit, bashkëpunëtorët tuajë grekë dhe mirënjohje të pakufijshme për mikëpritjen e tyre ndaj jush.
Faleminderit shumë, ju shqiptarë të diasporës, me energjinë, me optimizmin, me entuziazmin, u shndërruat, de facto, në udhëheqësit e fushatës së fitores. Ju, u shndërruat në himnin e kësaj fushate. Energjia, entuziazmi, dashuria juaj për Shqipërinë, ngrohu mendjet dhe zemrat e mbarë shqiptarëve dhe sot, kudo në Shqipëri zhvillohet një nga fushatat më të bukura të 32 viteve.
Prandaj dhe, viti 2025, do gdhendet në muret e kohërave të kombit si viti i diasporës shqiptare. Do gdhendet me gërma të arta. Zoti ju bekoftë!
Të dashur miq, kam pritur me shumë kënaqësi t’ju takoj sot ju në Selanik, Greqinë mike, vend në të cilin, qytete dhe rrethina në të cilat jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë. Kurse në Greqi mbi gjysmë milioni shqiptarë.
Miq, në një vend që jetojnë gjysmë milioni shqiptarë, për një vend të tillë, mirënjohja është e pakufijshme. Një vend mik, një vend të cilit ne i detyrohemi shumë për qendrimin që ka mbajtur ndaj jush.
Ndaj dhe, Zoti e bekoftë Greqinë dhe kombin mik grek.
Por dhe ju, keni ardhur në këtë vend drejt të panjohurës. Keni ardhur si njerëz të guximit, keni ardhur si, burra dhe gra që i besonit ëndrrës tuaj. Erdhët ta dnërtonit në këtë vend ëndrrën, dhe jeni bërë sot një faktor i fuqishëm i jetës ekonomike, shoqërore, artistike, kulturore të këtij vendi. Keni emër të mirë anë e kënd Greqisë. Shkëlqeni në çdo fushë, dhe më shumë do të shkëlqeni në kohërat që vijnë, njëlloj si, arvanitasit sot janë në të gjitha nivelet e këtij vendit, janë krenari për Greqinë, po janë krenari dhe për Shqipërinë.
Marrëdhëniet midis dy vendeve dhe kombeve tona janë marrëdhënie miqësore. Jemi të vetëdijshëm, marrëdhëniet midis fqinjëve njohin gjithnjë ulje dhe zbritje. Por duhet të pranojmë miq se, akti i dy viteve më parë i narkodiktatorit të Tiranës Edi Rama, ndaj eurodeputetit, Fredi Beleri, është një nga aktet më të shëmtuara në historinë e demokracive europiane.
Edi Rama përdori truket e vjetra të Sigurmit të Shtetit, përdori të njëjtët elementë për t’i rrëmbyer Fredi Belerit mandatin që i dhanë qytetarët e Himarës. Dhe kjo, vetëm e vetëm se, Fredi Beleri, nuk pranoi të shitej, nuk pranoi të kandidonte për Edi Ramën. Jo, i tha, unë jam i djathtë. Unë nuk tradhëtoj ato parime të miat.
E vërteta është se, prapa qendrimit antikushtetues, qendrimit të shkelmimit të Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut që u mbajt ndaj Fredi Belerit, diskriminues. Pse diskriminues?
Çdo njeri tjetër para Fredi Belerit që ndodhej i burgosur është lejuar të bëjë betimin, sepse Kushtetuta e lejon të bëjë betimin, kurse Edi Rama mori çdo masë kundër tij në kundërshti me Kushtëtutën, sepse e dinte nga 220 mijë katrorë tokë që po grabit të Manastirit të Skutarasë dhe të kanionit të Gjipesë, Fredi Beleri nuk do t’i jepte asnjë metër katror.
Fredi Beleri do të mbronte pronat e bashkëfshatarëve, e bashkëqytetarëve të tij. Kjo është e vërteta.
Po pse u ndala këtu? U ndala miq, për të treguar se për çfarë është e aftë mafia për interesa të vetat të bëjë, të sakrifikojë, të dëmtojë, pavarësisht statusit të gjysmë milioni shqiptarëve, marrëdhëniet me fqinjtë të cilat janë gjithnjë shumë të rëndësishme për interesa mafioze personale. Ky është Edi Rama, miqtë e mi.
Të dashur miq, Shqipëria këto 12 vite ka njohur të këqija që nuk i mban vendi në tërë historinë e saj. Asnjë pushtues, asnjë epidemi, asnjë zi buke, nuk ka arritur në 12 vite të pakësojë shqiptarët me 45% të kombit, siç ka arritur regjimi i Edi Ramës. Dhe ju jeni dëshmitarë, se ai arriti me dhunë, arriti me varfëri, arriti me përçmimim dhe me poshtërim të shqiptarëve.
Të dashur miq, qendrimi i shqiptarëve në 11 maj është shpëtimtar, është vendimtar për të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë.
Ju lutem, mendoni për një moment ku jemi ne sot, shqiptarët? Se çfarë të ardhme kemi ne sot? Një komb, i cili nga viti 2019 e gjer sot ka më shumë vdekje se lindje. Një komb, i cili sipas OKB, javën e kaluar ka, për shkak të emigracionit, lindëshmërinë më të ulët në botë.
Një komb, i cili në qytetin e Ersekës, dy vite më parë pati vetëm një lindje. Një komb që, shkollat i mbyllen njëra pas tjetrës. U shdnërruan shkollat miq, si dikur zyrat e koperativeës bujqësore, kur ra sistemi i kolektivizimit dhe ato u mbyllën se ishin të këqija, dhe duheshin mbyllur.
Po, shkollat? Institucionet e dritës dhe edukimit, pse mbyllen? Mbyllen sepse, nuk kanë nxënës. Mbyllen se mbeten me një nxënës. Se, Erseka në vitin 2030 në klasë të parë do të ketë vetëm një nxënës.
A nuk është ky një kushtrim për çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar, kudo që ndodhet nga Afrika e Jugut në Polin e Veriut, nga një skaj i botës në skajin tjetër? Nga njëra anë e Greqisë në anën tjetër, që me 11 maj të japë kontributin e tij për shpëtimin e Shqipërisë.
Qindra e mijëra prej jush shqiptarë në diasporë jeni regjistruar! Zoti e bekoftë votën tuaj! Por, Shqipëria ka nevojë për votën e qindra mijërave të tjerëve nga ju, që të vërshoni drejt saj dhe më 11 maj në qendrat tuaja të votimit të firmosni përmbysjen e narkoshtetit, fitoren e demokracisë.
Të firmosni, miq, për t’i rikthyer Shqipërinë shqiptarëve. Të firmosni, miq, për t’i rikthyer rininë kombit shqiptar.
Të firmosni, për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga katastrofa e cila po rrokulliset.
Firmosni, për të vendosur demokracinë që askush të mos mendojë ndonjëherë për të marrë mandate politike deputetëve, kryebashkiakëve, për të arrestuar liderët e opozitës për të marrë mandatet për vete.
Të firmosni, miq, se çfarë ndodh sot në Shqipëri. Dramë, dramë, si Shqipëria nuk ka pësuar vend tjetër në Europë pas rënies së Perdes së Hekurt.
Në Shqipëri, 12 vite, nuk po ju flas se, ju e njihni se ku ishte Shqipëria e varfër. Por ama, në vitin 2013, kur u dorëzuan çelësat, shqiptarët, me ato rroga të ulëta, por ishin më të lartat në rajon, me pensione të ulëta, por ishin më të lartat në rajon. Shqiptarët, nuk po pakësoheshin, por përkundrazi, 180 mijë qytetarë shqiptarë nga diaspora dhe emigracioni po ktheheshin dhe u kthyen. Numri i shqiptarëve në Shqipëri po rritej çdo vit.
Pra, kombi kishte rini. Pra, kombi kishte ëndërr. Se pa rini, as ka ëndërr, as nuk ka të ardhme.
Si ndodhi, miqtë e mi, ky dëbim masiv i shqiptarëve nga Shqipëria?
Dy rrugë.
E para, më kujtohet kur dilte i biri i xhelatit. I them kështu, sepse i ati i tij, ka firmosur varjen në litar të Havzi Nelës. I ati i tij ishte skulptor.
Pra, në aparencë njeri i artit. Por, ky njeri i artit firmosi varjen në litar të një njeriu të poezisë dhe letrave, vetëm e vetëm se me poezitë e tij sulmonte regjimin të cilit i shërbente.
Ky pasardhës i tij, mos e harroni, dilte nga ekrani në ekran, me hukura në dorë. U tregonte shqiptarëve hekurat. Cilët shqiptarevë? Atyre që nuk kishin paguar faturën e energjisë elektrike, atyre që nuk kishin paguar ujin. Po ato ishin çështje civile.
Asnjë njeri në botë nuk i zgjidh me hekura. Çështjet civile zgjidhen me çështje civile.
Dhe ky, burgosi 37 mijë shqiptarë vitin e dytë të qeverisjes së tij. Enver Hoxha ka burgosur me statistika, gjithësej 17 mijë shqiptarë, në një vit.
Rrafshoi rrugica të tëra, biznese e banesa e çdo gjë. Ikni i tha, nisuni. Shqipëria nuk është për ju. Dhe pastaj, këta njerëz që merrnin rroga dhe pensione më të larta, këta po bëhen çdo vit e më të varfër.
Po si mundet?
Po. Çmimet rriteshin, rrogat nuk rriteshin. Çmimet rriteshin, pensionet nuk rriteshin.
Sofra pakësohej, dhe prindërit, gjyshërit tuaj, detyroheshin t’u thoshin: djem, vajza, paçit fatin tuaj, merrni rrugët, se këtu nuk ka më. Dhe kjo është e vërteta.
E vërteta është, sot një pensionist në Shqipëri, që në vitin 2013 merrte 143 mijë lekë, mund të blinte me ato 143 mijë lekë, sa blihen sot me 390 mijë lekë.
Po, a u rritën pensionet me 390 mijë lekë?
Pensionet u rritën, o miqtë e mi, vetëm 172 mijë lekë. Nga 143 mijë, kaluan në 172 mijë.
Po në Mal Të Zi? Mali i Zi i kishte pensionet 138 mijë lekë. Sa merr sot malazezi? 450 mijë lekë.
Pse? Sepse, qeveria çdo vit kur ndan paratë, ua kthen një pjesë të mirë qytetarëve. Ua kthen në rroga, pensione, shërbim shëndetësor, në shkolla, ua kthen në shërbime tjera, ua kthen në subvencione.
Kurse këta, i ndajnë njëri me tjetrin, o miq.
A lexoni ju çdo ditë, se si tenderat fitohen nga familjarë të njëri tjetrit?
A lexoni ju çdo ditë, se si rrugën ndërtohen me 10-fishin e çmimit?
Lexoni ju, se si zhduket djegësi i Tiranës. 130 milionë euro me firmë të Edi Ramës, dhe nuk ekziston nam as nishan, sepse milionat i ka marrë vet Edi Rama me firmën e tij.
Pra, çfarë ndodh në vendin tuaj?
Si ka mundësi që, njerëzit tuaj varfërohen nga viti në vit, dhe mund të mbijetojnë falë ndihmave tuaja?
E gjitha kjo vjen se, çmimet shkojnë në stratosferë.
Euro ka rënë përtokë. Euro është zhvlerësuar 35%. Imagjinoni, sot 100 euro që ju dërgoni kushtojnë 35 euro më pak se sa kushtonin 10 vite më parë.
Po, pse?
Se vërshojnë narkoeurot. E dëgjoni atë, domethënë, do bëjë dhe amnistinë e tyre. Mirëpo, kjo vret xhepat tuaj, rëndon familjet tuaja. E gjitha kjo, krijoi një terren, Shqipëria nuk jetohet.
A ka vend më të pasur se sa Shqipëria? Ua them unë ju.
Në Europë nuk ka absolutisht asnjë vend me pasuritë përrallore, nëntokësore dhe mbitokësore që ka Shqipëria.
Shqipëria është vendi që mund të pasurojë qytetarët e saj më shpejt, më shumë se çdo vend tjetër.
Por, Shqipëria vidhet në pasuritë e saj, pasuritë e saj ndahen nga qeveritarët, narkotrafikantët.
Miq, ndaj dhe ne vijmë tek ju me një program i cili brenda 100 ditëve merr përsipër që prindërit tuaj, gjyshërit tuaj, familjarët tuaj, që janë në skamje t’i nxjerrë brenda 100 ditëve nga varfëria ekstreme. Vendoset në Shqipëri minimumi jetik 200 euro. Nuk do ketë pensione nën 200 euro.
Por sot, 56% të pensioneve janë ndën 172 euro. Sot, qytetarët me ndihmë ekonomike marrin një ndihme prej 60-70 eurosh, qesharake.
Sot, të papunët marrin një ndihmë qesharake.
Pra, nuk do ketë shqiptar që do firmosë ndën 200 euro.
Rroga minimale rritet në 500 euro.
Rroga mesatare në 1200 euro.
Dhe këto, janë vetëm starti për të dalë siç ishim në krye. Me rroga dhe pensione të vendeve të rajonit.
Por miq, Made in Albania, është shtyllë kryesore e Shqipërisë madhështore. Prodhimi në Shqipëri, është kusht i të gjitha kushteve që Shqipëria të ngrihet në lartësinë e madhështisë së saj.
Ndaj dhe, jam këtu për t’u ftuar ju, çdo emigrante dhe emigrant në Greqi dhe kudo që ndodheni, planifikoni të ktheheni në Shqipëri. Investoni në Shqipëri.
Ju jap fjalën se, 5 vitet e para nuk do të keni asnjë taksë.
Ju jap fjalën, se secili nga ju, që kërkon mbështeje do ketë kredi të buta dhe grante për biznesin e tij, do ketë kredi të buta për strehimin e tij.
Sikundër, zotohem para jush se, taksat për shtëpitë tuaja në Shqipëri do të zerohen, gjersa ju të ktheheni në to.
Nuk u marrë kush taska ju, jo. Makinën e parë, do ta sillni pa taksa në Shqipëri. Do ketë lehtësira të tjera.
Miq, për të shpëtuar vendin duhet të jemi seriozë. Duhet një politikë demografike jashtëzakonisht e fuqishme.
A mund të imagjinoni ju, ku do të jemi ne pas disa vitesh me treguesin më të ulët të lindshmërisë në botë. Ne do jemi në shuarje, mos të kemi iluzione.
Duhet të jemi të vërtetë.
Pra, rikthimi i të gjithë shqiptarëve që kanë mundësi të rikthehen nga emigracioni, do të jetë kusht për të shpëtuar Shqipërinë, dhe Shqipëria ka çdo mundësi për t’u krijuar çdo kusht atyre që të kenë sukses të ndërtojnë ëndrrën në vendin e tyre.
Një politikë demografike e veçantë do të bëhet. Çdo çift i ri, do të ketë një grant për çatinë e tij. Me atë grant do të paguajë interesat e kredisë, dhe në qoftë se ai bëhet me fëmijë të tretë, kredinë do e paguajë shteti, çdo gjë që i ka mbetur.
Çdo fëmijë do ketë bonusin: 70 euro fëmija i parë, 60 euro fëmija i dytë dhe shpenzimet, nga lindja gjer në 23 vjeç, fëmija i tretë.
Kombi me çdo çmim duhet të rikthehet në rininë e tij.
Është detyrimi më madhor i çdo shqiptari. Është kushtrimi më i thellë i sotëm dhe të të gjitha kohërave për të kthyer shqiptarët në rininë e tyre.
Pra, ky vit është viti juaj, sepse entuziazmin, energjinë pozitive, besimin në dashurinë tuaj e induktuat në çdo skaj të Shqipërisë. Dhe sot fushata juaj kudo, është fushata e fitores, fushatë e optimizmit, fushatë e ngadhënjimit.
Ndiqeni fushatën tjetër. Fushata tjetër është fushata e poshtërimit të qytetarëve. Është fushata e e mashtrimit të shqiptarëve. Është fushata ku, burreci 2 metra i gjatë i trembur gjer në palcë flet çdo mëngjes me veten e tij, shan, turfullon. Fjalori i atij që urren shqiptarët: çyryk, autik, buf, hardhucë, zhapik, budalla.
Një fjalor i turpshëm. Një fjalor me të cilin, njëlloj si honi që kërkon të gjejë strehë. Kudo, përpiqet të gjejë strehë në banalitete për t’i shpëtuar përgjegjësisë që ka ndaj jush.
Qytetare dhe qytetarë të diasporës, kurrë mos harroni Kapshticën, se si ky i pashpirt, se si ky i pa nderë, se si ky antishqiptar ju la ju, në tokën e askujt në Kapshticë, në kohën e Covidit. 4 ditë, la shqiptarët.
Akt i cili, në të gjitha konventat ndërkombëtare të OKB-së përbënte krim kundër njerëzimit.
Miqtë e mi, fushata jonë është epërore, sepse ne vijmë me program, ai vjen me sharje e shpifje.
Ai bën kllounin, bën çdo gjë, vetëm e vetëm që të maskojë 130 milionë euro të vjedhura me djegësin e Tiranës.
Të maskojë 8300 m2 me vilën dy herë sa e Enver Hoxhës në Surrel, në një kohë kur kishte të deklaruara gjithësej 3800 euro.
Do të maskojë 120 milionë euro gjobë që iu vuri shqiptarëve, duke përzënë Beketin, sepse televizioni i tij e kritikonte.
Do të maskojë 21 milionë euro që shpenzon në udhëtime me avion taksi.
Shishet 33 mijë euro Romane Conti që hap për qejfet e tij.
Do të maskojë 224 mijë m2 tokë në Gjipe. Do të maskojë 38 mijë m2 tokë që i dha vëllait të tij.
Do të maskojë aksionet e vëllait të vet, apo të vetat në hotele 100 milionëshe të ndërtuara nga kompania 5D e bashkisë.
Miq, për të maskuar të gjitha këto, për të maskuar gjëmën që u bëri shqiptarëve, që i vidhisi në honet e varfërisë për të maskuar dëbimin masiv të tyre, është i aftë të bëjë çdo gjë.
Por, 11 maji po afron. Është ora jonë! Është dita jonë! Dhe më 11 maj, shqiptarët do të vërshojnë nga toka, deti, ajri drejt Shqipërisë.
Ne dalim para shqiptarëve me Chris LaCivita-n, një nga kryestrategët e fitoreve në botë. Ai del para shqiptarëve me Vullnet Sinën, hajdutin që helmoi Shqipërinë me salmonelën e pulave. Në fakt, edhe vet Edi Ramën, që ta dini ju këtë.
Po, po ua them unë ju.
Dhe u tha mjekëve se: e kam nga breshka.
Pra, ja ku ka mbetur.
Shkon në Korçë, dhe përdor Peleshin e tij. Mendon, se tani e gjeta. Në Korçë, arrita të blej dhe Ilir Vrenozin.
Ilir, ti u bëre star-i i kësaj fushate se ëprfaqësove shqiptarin e vërtetë. Përfaqësove njeriun e thjeshtë.
Tregove se, karakteri, nderi dhe integriteti janë kryesore për çdo njeri dhe ia theve hundët në Korçë dhe në Shqipëri.
Të falënderoj shumë në emër të të gjithë ketyre emigrantëve.
Ndaj dhe, të bashkohemi.
I bëj thirrje, çdo qytetari që është regjistruar për të votuar. Asnjë votë Edi Ramës, asnjë votë për ata të cilët po zbrazin Shqipërinë, po mjerojnë Shqipërinë, po ndajnë pasuritë e saj.
Çdo votë për ndryshimin. Çdo votë për Shqipërinë Madhështore.
Është radha jonë! Është radha jonë!
Fitore, fitore, fitore!
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria, rroftë Greqia!
Zoti i bekoftë kombet tona!
Fitore, fitore, fitore!