Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Deputetët e opozitës vendosën të jenë sot zëri i kërkesave të protestës së studentëve. Edi Rama është në grahmat e fundit dhe shqiptarët do marrin vesh miliardat që u ka vjedhur atyre

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARET TE PARLAMENTI

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur për gazetarët tek parlamenti, deklaroi se deputetët e opozitës do të përfaqësojnë gjithmonë në Parlament kërkesat e studentëve dhe gjimnazistëve që protestojnë, ndërsa akuzoi qeverinë e Edi Ramës për korrupsion dhe mungesë legjitimiteti. ‘Deputetët e opozitës vendosën të jenë sot zëri i kërkesave të protestës së studentëve, vullnetit të studentëve dhe gjimnazistëve, dhe interpretë të interesave të tyre’, u shpreh Berisha në prononcimin e tij për gazetarët te Parlamenti.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi Kuvendin si ‘parlamentin e krimit’ dhe deklaroi se sistemi aktual duhet të marrë fund sa më parë. Sipas tij, Parlamenti ‘nuk ka legjitimitet’ dhe është shndërruar në ‘mburojë të vjedhjeve të paimagjinueshme të shqiptarëve’.

Berisha u shpreh se, Partia Demokratike e mbështet plotësisht protestën e studentëve dhe gjimnazistëve, duke theksuar se Forumi Rinor i PD-së ka qenë ndër iniciatorët e saj. ‘E vërteta është se protesta është e studentëve dhe gjimnazistëve, por Partia Demokratike i mbështet ata fuqishëm’, deklaroi ai, duke theksuar faktin se, deputetët, drejtuesit, anëtarët e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar do të vijojnë të jenë në mbështetje të protestës.

Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se po përpiqet t’ia atribuojë Partisë Demokratike përgjegjësinë për zhvillimet gjatë protestave. Ai pretendoi gjithashtu se ngjarjet pranë selisë së PD-së janë përdorur për të krijuar përshtypjen se protestuesit kishin sulmuar selinë. Këto akuza u paraqitën nga Berisha gjatë prononcimit të tij.

I pyetur nga gazetarët për protestën, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi tha se, ‘Edi Rama është në grahmat e fundit’, ndërsa shtoi se shqiptarët, do të mësojnë më vonë për ‘miliardat që u ka vjedhur atyre’. ‘Tani do shohin, se çfarë ligësish shpirtërore ka të trashëguara ky njeri dhe më vonë do marrin vesh miliardat që u ka vjedhur atyre. Këto të dyja. Ky shpëtim nuk ka, fundin e ka të shpejtë.’, theksoi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha u bëri sërish thirrje qytetarëve që të dalin të shtunën dhe ti bashkohen studentëve, pasi ajo është dita e një proteste kombëtare e thirrur nga studentët dhe gjimnazistëve.

Prononcimi i kryetarit të PD, Sali Berisha me gazetarët te parlamenti:

Deputetët e opozitës vendosën të jenë sot zëri i kërkesave të protestës së studentëve, vullnetit të studentëve dhe gjimnazistëve, dhe interpretë të interesave të tyre.

Ky është parlamenti i krimit dhe ky sistem duhet të marrë fund një minutë e më parë.

Të gjithë ata që aludojnë për gjoja demokraci në Shqipëri, harrojnë se Shqipëria është narkoshteti më i konsoliduar në Europë dhe në botë.

Fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s, fakti që Shqipëria është në negociata për integrim në Bashkimin Europian, në vlerësimin dhe mendimin tim, e bën disa herë më të rëndë këtë fakt, këtë zhvillim, këtë proces.

Ky sistem duhet të marrë fund sa më parë, që shqiptarët të çlirohen nga narkodiktatura e vetme në Europë.

Ky parlament ka kriminelë më të rrezikshëm se Suel Çelën, se Troplinët dhe se Bajrët e klaneve të tjera.

Sot në Shqipëri nuk ka kriminel më të rrezikshëm se Taulant Balla, i cili edhe në parlament nxirrte 2-3 telefona për të komunikuar me ata që e di ai, me klanet e tij.

Pra, ky është parlamenti i krimit. Ky parlament nuk mund të vazhdojë. Ky parlament nuk ka legjitimitet.

Ky parlament ka dalë nga një farsë elektorale. Ky parlament është shndërruar në mburojë të vjedhjeve të paimagjinueshme të shqiptarëve.

Ndaj dhe fundi i tij, fundi i sistemit, është thirrje e përgjithshme e çdo shqiptari. Sot deputetët e opozitës bënë gjithçka që të sillnin në parlament zërin e studentëve, gjimnazistëve, të cilët siç i shihni ju, janë trima me fletë.

Kurrë nuk ka parë bulevardi i Tiranës dhe rrugët e saj vajza dhe djem më trima se këta gjimnazistë dhe studentë, dhe e sigurt që këta do ta fitojnë këtë betejë.

Partia Demokratike qëndron totalisht në mbështetje të tyre dhe në mbrojtje të tyre.

Pyetje: Po studentët kanë bërë thirrje jo vetëm për largimin e kryeministrit Rama, por kanë pasur edhe thirrje kundra jush. Pyetja ime është, Partia Demokratike pse përzihet me protestën?

Sali Berisha: Absolutisht s’është ashtu. Dua ta dish se ne nuk jemi të fshehta.

Në nismën e kësaj proteste ka qenë Forumi Rinor i Partisë Demokratike, një nga iniciatorët i pranishëm me listë tek Ministria e Drejtësisë, tek Ministria e Arsimit.

Ne jemi aty dhe jemi fuqishëm. Dhe Edi Rama e din këtë. Prandaj në qoftë se ke lexuar reagimet e para, që të gjitha ishin t’ia faturonin Partisë Demokratike.

E vërteta është se protesta është e studentëve dhe gjimnazistëve, por Partia Demokratike i mbështet ata fuqishëm. Tani vijmë tek sloganet, tek parullat. Ta them unë ty si qëndron ajo.

Edi Rama përpiqet me çdo kusht që për të lehtësuar sadopak barrën kriminale që ka, ta transferojë tek Partia Demokratike dhe tek Berisha. Me cilët e bën këtë? E bën me ata që i patë vetë, edhe e falënderoj shumë gazetarin që i filmoi duke dalë.

Muhamet po dilnin nga ministria brenda duke bërtitur ‘Rama në burg’, harruan ‘Berisha në burg’. E harruan! Janë ata pra, janë ata. Dhe ka një djallëzi shumë të madhe këtu.

Cila është kjo? Ramsi duhet t’u thotë të tjerëve që ‘ja, unë po sulmohem si Meloni, si Makroni, si të tjerët nga Antifa’. Dhe këta Antifas, sipas përkufizimeve të tyre, janë njerëz të cilët janë shkatërrimtarë, anarkistë, nuk kanë qëllime të tjera.

Në të vërtetë, në të vërtetë, për të mbështetur këtë tezë, Rama organizoi djegien e dy selive. Por në fakt të Partisë Demokratike, sepse selinë e vet e mbushi me inspektorët e bashkisë dhe inspektorët e ndërtimit e të tjerë.

Ata i la, nuk dogjën bashkia, për bashkinë nuk kishte problem. Duhej selitë, duhej selia e PD-së të digjej që të thoshte ‘ja, nuk e kanë vetëm për korrupsionin e Belindës, timin e të tjerë me radhë’.

Pra, Rama organizoi në mendjen e tij, djegien e dy selive. Ndërkohë selinë e vet e kishte mbrojtur, por tek selia e Partisë Demokratike refuzoi të vijë njeri. Refuzoi! Prit, një minutë.

Meqenëse refuzoi të vijë njeri në drekë, ju jeni dëshmitarë, e planifikuan për në darkë. Përsëri në darkë nuk erdhi.

Ekstremi i majtë, qirakët e Ramsit brenda në protestë që e kishin marrë përsipër kundrejt 2500 euro pagesën, edhe 2500 euro i ka vetëm për policin asaj, i ka dhe për shërbyesit e të tjerë, që e kishin marrë përsipër, por nuk erdhi njeri!

Dhe kur nuk erdhi njeri, policia sulmoi vetë në mënyrë që t’ju gënjente ju, të gënjente para kamerave tuaja se gjoja selia e Partisë Demokratike u sulmua nga protesta.

Është kështu apo jo? Jeni dëshmitarë të kësaj apo jo? Atëherë, kjo pra, Ambrozia. Këto janë të gjitha truke dhe manipulime.

Po përsa i përket PD-së, të garantoj që deputetët e saj janë tërësisht në protestë, drejtuesit e saj, anëtarët e kryesisë, Këshilli Kombëtar, që të gjithë janë në protestë, do jenë në protestë dhe asgjë nuk e ndal dot Partinë Demokratike pa mbështetje të plotë, totale të kësaj proteste.

Shko pak në rrethe, investigo pak. Cili ka qenë roli i Partisë Demokratike, i forumeve rinore në bojkotin në rrethe. Shiko.

Pyetje: Ata mendojnë se përfshirja e PD-së e dëmton protestën zoti… Jo pa qëllim ka qenë ky distancim nga ana juaj. Sepse nuk e kontrolloni dot.

Sali Berisha: Shiko, këta njerëz që mendojnë, këta njerëz që mendojnë janë puthadorë të Edi Ramës. Këta janë puthadorë të Edi Ramës. Këta krahasojnë të pakrahasueshmet.

Dëgjoja një ditë një analiste që harxhon 5 orë për t’u kuruar para se të dalë. Mirë bën, nuk ka të keqe këtu, po për të mos thënë ca gjëra të tjera pastaj, e po mo ama, se ke kohë e kurimit tani.

Dhe thotë se opozita është pushtet, thotë. Si pushtet opozita? Opozita është pushtet moral kundër pushtetit.

Dhe të krahasosh pushtetin ekzekutiv me pushtetin moral të opozitës, je një mospaku, je një idiot politik, më së shumti je një puthador dhe skllav i qeverisë. S’krahasohen të pakrahasueshmet.

Shiko, një minutë, jam këtu tani. Ky është korrupsioni i gjuhës. Ky është rasti më tipik i korrupsionit të gjuhës. Kur thua po… po thua… zgjedhjet i humbi opozita. Opozita nuk humbi zgjedhje, ishin farsë, ishin farsë.

Dhe ti për të lehtësuar qeverinë, u thua qytetarëve që kishte zgjedhje dhe i humbi opozita. Pra, korrupton gjuhën, korrupton dhe mendimin. Edhe kjo, opozita njësoj. Si qenka njësoj 13 vite në opozitë me 13 vite në pushtet?

Duhet të kesh humbur mendjen dhe çdo gjë të flasësh në këtë mënyrë. Ndaj dhe, këto janë Ambrozia, vetëm përpjekjet. Tani rriti pagat. Ai pat ata 40 mijë agjentët, ai i lexoi.

Pyetje: Lexojini emrat.

Sali Berisha: Po po, një minutë. Ai lexoi 40 mijë spiunë të paguar të Edi Ramës në administratë, në klube e kudo. I lexoi. Më thoni, i lexuat? Prit një minutë, një minutë. Janë këta të cilët me shkop magjik hedhin parullat që do Rama.

Po ato janë asgjë e vërtetë. Edhe një herë, kjo përkundrazi, Partia Demokratike po e ndihmon shumë e do ta ndihmojë.

E shtuna është dita e protestës më të madhe kombëtare e thirrur në mbështetje të protestës studentore dhe gjimnazistëve.

Pyetje: Ndërkohë flitet që Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka qenë një ndër iniciatorët e protestës në fillimet e saj. Do të thotë kjo që anëtarët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike janë në ballë të protestave të dhunshme dhe a ka pasur mes tyre që janë të arrestuar, të shoqëruar nga policia?

Sali Berisha: Po, ka patur të arrestuar, të goditur, edhe anëtarë, edhe drejtues të Partisë Demokratike.

Po ato janë qëndrime politike, nuk i llogaris, është një veprim politik i tyre. Ne kemi shpallur, dhunuesi më kryesor në histori është Edi Rama. Është Edi Rama.

A mund të jetë parlament, siç i thoni ju, me Taulant Ballën? Balla, i cili, më falni, është bërë toger i njërit prej eksponentëve më kryesorë të bandës së Lushnjes, Aldo Bares, Edmond Begos.

Ka 57 udhëtime me të. I cili ka porositur vrasjen e avokatit Ravik Gurra, dhe ekziston në dokumente numri i tij i telefonit me emrin Taulant, që jep urdhrin dhe që gjykatësja, a prokurori si quhet ai, më duket se e keni mik këtë. Pyet Ramën, po, pyet Ramën.

Me atë prokurorin ia djegin regjistrimet duke thënë, Taulanti, ndonëse ishte numri i tij, nuk e dimë, është Taulanti apo jo, nuk e di se kush Taulant është… Po ky është vrasës mor.

Ky është më vrasës se ata, se ata të paktën e kanë një burrni. Kryejnë krimin vetë.

Pyetje: Zoti Berisha, çfarë qëndrimi do mbajë Partia Demokratike ndaj parlamentit në këtë situatë?

Sali Berisha: E patë vetë, cili është qëndrimi? Parlamenti nuk ka legjitimitet dhe ky është qëndrimi i Partisë Demokratike.

Pyetje: Dhe një pyetje tjetër, nuk është vetëm çështja për situatën tani, ekziston një urrejtje shumë e madhe ndaj klasës politike në Shqipëri, kryesisht nga të rinjtë. Ju patët një betejë që e bëtë edhe për sanksionet, po edhe për sovranitetin e Partisë Demokratike. Në këtë situatë, pasi rinia ngrihet a ka rënë, e keni menduar ndonjëherë të jepni ju shembullin i pari dhe të jepni dorëheqjen, meqë Edi Rama nuk pranon të japë dorëheqjen?

Sali Berisha: Për të lehtësuar Edi Ramën? Jo, kjo është absurde. Përkundrazi kjo do të thotë të forcosh Edi Ramën, të lësh dorën e tij të zezë të veprojë si të veprojë me opozitën.

Sigurisht, janë lëpirësit dhe puthadorët e Ramës ata që thonë kështu. Vetëm ata e thonë këtë, se të krahasosh Sali Berishën me Edi Ramën, është të krahasosh ditën me natën, të krahasosh të pakrahasueshmen, në çdo aspekt.

Në të gjitha aspektet. Natyrisht ka një problem, ka një problem sepse ka një opozitë të vërtetë tani, që i qëndron dhëmbë për dhëmbë atij, dhe ai e kishte në kontroll opozitën.

Ndaj dhe këta të verbër që nuk pranojnë narkoshtetin, këta të verbër që nuk pranojnë farsën zgjedhore, këta të verbër që ushqehen nga mbetjet e darkave të narkosve dhe të qeverisë, këta tani kërkojnë të dizinformojnë duke korruptuar fjalën dhe mendimin se opozita, se Berisha dhe Rama janë njëlloj, se po iku Berisha do ikë Rama.

Këta s’duan opozitë. Këta duan Ramën në pushtet dhe s’duan opozitë.

Pyetje: Kjo do të thotë të hapni rrugën të rinjve, sepse për sa kohë që ju jeni në politikë dhe në Partinë Demokratike, nuk besoj se mund të dalë dikush tjetër që do jetë gjithmonë në hijen tuaj?

Sali Berisha: Kushdo të dalë është i hapur gara. Kjo parti bën zgjedhje me të gjithë anëtarësinë një herë në katër vjet. Ajo partia tjetër nuk bën zgjedhje nga 2009 gjë sot, urdhëro.

Pyetje: Të njëjtën gjë thotë edhe kryeministri Rama.

Sali Berisha: Çfarë thotë?

Pyetje: Do ta marr pushtetin, ta marr me votë, njësoj si po thoni ju për garën brenda Partisë Demokratike.

Sali Berisha: Shumë e bukur, po të bëhet votë ne s’po kërkojmë asgjë tjetër vetëm votë. Po ama një gjë kemi bërë, në këtë mjedis ku korrupsioni gjuhësor është ligj, ne kemi arritur ndërkombëtarisht, por edhe në një pjesë të mediave, të faktojmë që zgjedhjet ishin farsë. Zgjedhjet farsë nuk i fiton kurrë askush tjetër përveç diktatorit. Zgjedhjet e vërteta as i fiton kurrë ai, i fiton opozita.

Pyetje: Zoti Berisha, ju pamë të qetësonit situatën kur u kalua në konfrontim fizik, kur i kërkuat deputetëve demokratë që të spostoheshin drejt foltores. Çfarë ndodh me parlamentin në këndvështrimin tuaj në momentin kur deputetët kalojnë te dhuna?

Sali Berisha: E patë Shalësin ju? E patë si kërcente Shalësi dhe Mazniku? I patë? Shalsit i ka marrë vjehrra e parë tetë apartamente.

Dhe qante… ua them unë juve 100%, se kishin qenë bashkë aty dhe kishin vjedhur apartamente dhe qante, e mori vjehrra.

Ajo e shoqja e dytë i thoshte pa e vënë, ja mori ajo, edhe asaj do i konfiskohen. Kurse ky tjetri, Mazniku, i shkoi prokuroria… është prokurori aty dhe dosja, i shkuan në kontroll se e denoncoi një njeri shumë i besuar, i gjetën 800 mijë euro.

Ja shtrojtën 3000 dhe e kanë peng. A e patë ju kur i tha Belindit aty tha… ty tha të kanë gjetur 800 mijë euro, e mbylli ai. Vdiq ai. E harroi.

Po emrin s’ia tha, po ky e tha vetë emrin, se s’foli më, u bllokua.

Pyetje: Në këtë situatë a do tërhiqeni nga Komisioni i Reformës Zgjedhore?

Sali Berisha: Çdo vendim do t’u bëhet me dije. Po një gjë është e sigurt, që Edi Rama është në grahmat e fundit. Është… shqiptarët do shohin. Tani do shohin, se çfarë ligësish shpirtërore ka të trashëguara ky njeri dhe më vonë do marrin vesh miliardat që u ka vjedhur atyre. Këto të dyja. Ky shpëtim nuk ka, fundin e ka të shpejtë.

Pyetje: Pak metra nga këtu protestojnë qytetarët, do shkoni t’i bashkoheni protestës, apo do i drejtoheni selisë?

Sali Berisha: Kemi qëllim të përcaktuar ku shkon, kush drejton, të gjitha këto.

Mirupafshim, faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale