Berisha: Departamenti Brain Gain erdhi në PD në momentet më kritike të saj. Ai ka një rëndësi themelore për partinë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA GJATË PREZANTIMIT TË DREJTIMIT TË RI TË BRAIN GAIN DHE PROGRAMIT PËR 2026

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ditën e sotme, gjatë prezantimit të drejtimit të ri të departamentit Brain Gain dhe programit për vitin 2026, vlerësoi kontributin e këtij departamenti si një faktor kyç në momentet më të vështira të PD-së dhe të opozitës shqiptare. Berisha theksoi se Brain Gain, i përbërë nga intelektualë dhe profesionistë të diasporës, ka luajtur rol themelor në mbrojtjen e trashëgimisë politike, kulturore dhe identitare të PD-së.

Lideri historik i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij tha se PD ka pasur mangësi në përfshirjen e diasporës dhe anëtarëve të Brain Gain në strukturat drejtuese, duke theksuar nevojën për garanci statutore që të sigurojnë përfaqësim dhe hapësira reale për ta. Sipas Berishës, ridimensionimi i rolit të këtij departamenti është interes jo vetëm i PD-së, por i gjithë shoqërisë shqiptare.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë Rama për korrupsion, abuzim me fondet publike dhe kapje të drejtësisë, duke e cilësuar regjimin aktual si autokratik. Ai bëri thirrje për mobilizim të vazhdueshëm të opozitës dhe qytetarëve, duke e konsideruar largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe krijimin e një qeverie teknike si kusht për zgjedhje të lira.

Në përfundim, Kryetari i PD, Sali Berisha garantoi se PD do të japë hapësira më të gjera për Brain Gain dhe të rinjtë profesionistë, duke e cilësuar këtë betejë politike si “shansin historik” për ndryshimin e Shqipërisë dhe ndarjen e saj nga, sipas tij, e keqja më shkatërrimtare e dekadave të fundit.

FJALA E PLOTË

Së pari, dua të përshëndes me përzemërsi dhe mirënjohje të thellë të gjithë anëtarët, drejtuesit e departamentit Brain Gain, të pranishëm sot në këtë sallë, por edhe kudo që ndodhen në të katër anët e botës.

Të shpreh një mirënjohje të madhe sepse ky departament i themeluar dhe i drejtuar nga zoti Andi Mustafaj dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë sallë, erdhi në PD në momentet më kritike të saj.

Erdhi në PD si një kushtrim për t’i dalë zot një parimi themelor, një të drejte themelore për një komb të lirë, për të pasur opozitë.

Pra, erdhi në një moment kur në Tiranë zhvillohej një betejë e egër midis demokratëve, narko-qeverisë shqiptare dhe mbështetësve të saj në Europë dhe në botë në projektin Shqipëria pa opozitë apo me fjalë të tjera më reale, Shqipëria me një opozitë të kontrolluar, që e drejtonin, e udhëhiqnin sipas projekteve të tyre.

Erdhën pra në kohërat më të vështira.

Çfarë i solli këta intelektualë, ekspertë, specialistë?

I solli një zë për vendin etyre.

I solli një kushtrim i brendshëm.

Por i solli gjithashtu edhe një vlerësim i madh për PD-në, e cila në trajektoren e saj kishte arritur transformime epokale në Shqipëri.

Departamenti Brain Gain nuk qëndroi thjesht në fushën e parimeve dhe të doktrinës, por kaloi në veprime shumë të rëndësishme, të një rëndësie themelore për PD-në.

Nismat e këtij departamenti kanë qenë absolutisht nismat më themelore, më të rëndësishme të ndërmarra nga ndonjë departament në historinë e PD-së.

Nisma e tyre ishte mbrojtja e trashëgimisë së kësaj partie në një kohë kur një propagandë mashtruese kombëtare dhe ndërkombëtare synonte copëtimin dhe shkatërrimin e saj.

Ata, pas 30 e ca vitesh, publikuan veprën ‘Punët e mira të PD’, për të rikujtuar çdo demokrat, çdo shqiptar se kjo forcë politike kishte transformuar Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Kishte mbrojtur çështjen kombëtare me vendosmëri dhe vizion.

Krenar për qeniën ne tyre demokratë, po kaq krenarë për qenien e tyre shqiptarë.

Secili prej tyre mund të kishte hequr dorë, të ishte integruar në një komb tjetër, aty ku jetonte, edhe nga simbolet, edhe nga trashëgimia, se do i duhej të përvetësonte trashëgiminë dhe simbolet e një kombi tjetër.

Por jo.

Këta erdhën me nismën e simboleve, simbolikave, në kohë të mjegullt.

Por e vërteta është se ajo ishte një nga nismat më të rëndësishe në Shqipëri në atë kohë tmerrësisht, do ta quaja unë të mjegullt.

Në atë kohë, në të cilën, kur zhvillimet dramatike të bënin edhe të harroje simbolet e arrira.

Ky departament me një vizion të qartë dhe me një mençuri, këmbëngulje, e shndërroi këtë seli si kurrë ndonjëherë më parë në një seli veprimtarish kulturore të shumta.

Mbrojti nëpërmjet kulturës imazhin e PD-së.

Mbrojti vlerat kulturore, të cilat në të gjitha rastet për në shqiptarët janë vlera identitare, të lidhura me identitetin tonë.

Departamenti, falë teknologjive, funksionoi me praninë në Shqipëri, por edhe kudo në vendet ku ndodheshin.

E vërteta është pra se si departament, këta intelektualë dhe intelektuale, dhanë për PD-në shumë vlera cilësore.

Sollën risi të mëdha.

Sollën vizion dhe krijuan në kushte jo të lehta, reputacionin që meritonin.

Rrethana komplekse, duhet ta pranojmë këtu, bënë që PD të mos ishte e hapur në kuptimin më të plotë të fjalës për integrimin e tyre.

Dhe këta djem dhe vajza, nuk morën vendet që meritonin në forumet e kësaj partie.

Nuk gjetën hapësirat që meritonin në zhvillimet e mëpasme.

Këtu duhet të pranojmë, PD ka një problem themelor ndaj këtij departamenti, por edhe ndaj diasporës, të cilit duhet t’i japë përgjigje sa më parë.

Procedurat e përcaktuara nga kjo parti, atyre u mungon karakteri universal që duhet të ketë partia, në kuptimin që kjo nuk është parti vetëm e atyre që jetojnë në Tiranë, Tropojë apo Gjirokastër, por është parti edhe atyre që jetojnë në Paris, Londër, Berlin, Uashington dhe kudo që janë.

Nuk është parti vetëm e degëve të saj në Lezhë, Durrës apo Peqin, por është edhe parti e degëve të saj në Athinë, Milano, Paris dhe vende të tjera.

Në këtë kontekst është e domosdoshme që këto mangësi të marrin përgjigje statusore.

Të marrin përgjigje statusore!

Nuk duhet të jenë zgjidhjet çështjet e vullnetit të kryetarit apo kryesisë të partisë, zgjidhjet duhet të jenë garanci statutore.

Dhe në këtë kuadër ne i japim përgjigjen më të mirë, korrigjojmë padrejtësinë që është bërë ndaj tyre, por edhe ndaj diasporës.

Dhe kjo padrejtësi duhet të finalizohet me përcaktime të qarta në statutin e partisë.

Departamenti Brain Gain është një departament, anëtarët e të cilit janë njerëz me energji, janë njerëz të suksesit.

Janë djem dhe vajza, të cilët në një kohë të vështirë arritën të dëshmohen avoketër të flaktë dhe vizionarë të konservatorizmit në Shqipëri dhe të PD-së.

Krijimi i hapësirave për projektet e tyre të ardhshme është i një rëndësie vendimtare për PD-në, ripërtëritjen e saj.

Ne jemi në një moment shumë të veçantë.

Jemi në një moment në të cilin, e kam theksuar dhe e theksoj, ne ia dolëm të mbijetojmë në një kohë kur donin të na zhduknin.

Ne kapërcyem një kalvar të pashembullt në historinë e Europës, dhe ky departament është fibër e rezistencës në këtë kalvar.

Ne ia dolëm që një farsë zgjedhore, njëlloj si në vitin 2001, ta damkosim në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Tani ne jemi në betejën tonë finale dhe kjo betejë finale është largimi i këtij regjimi.

Tedi theksoi, këta kanë një iniciativë me një seri shkrimesh mbi opozitat në regjimet autoritare.

Është i një rëndësie kapitale sepse në qoftë se ne nuk njohim realitetin dhe nuk kuptojmë se operojmë në kushtet e një autokracie dhe nuk organizohemi që të operojmë në kushtet e një autokracie, por mendojmë se jemi në kushtet e një pluralizmi normal, ne misionin tonë nuk e përmbushim.

Absolutisht jo.

Ne përkundrazi presim vitin 2029, në të cilin narkokratët shqiptarë të regjistrojnë jo 52 përqind, por të regjistrojnë të paktën 62 përqind rezultatin.

Ndryshimi është si nata me ditën.

Por ne sot jemi të qartë dhe duhet të qartësojmë çdo demokrate e demokrat, të përkushtohemi në projektin e opozitës për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe krijimin e qeverisë teknike si kusht i të gjitha kushteve që shqiptarët të votojnë të lirë.

Nuk ka një parti me eksperiencën tonë.

Ne erdhëm në vitet ’90 si i vetmi vend dhe e vetmja shoqëri me 4 kulte, kulti i Enver Hoxhës, Stalinit, Leninit, Marksit, etj.

Ndërkohë vendet e tjera ish-komuniste nga viti 1956 ishin çliruar nga kultet.

Ju e keni të vështirë ta mendoni se çfarë tmerri dhe sa të tmerrshëm ishin kultet.

Por ne i shembëm ato me guxim.

I shembëm pa konflikt civil.

Tanket i nisën drejt nesh, ne i bllokuam ato me barrikada, por vetë nuk rrëmbyem armë, as RPG, armë antitanke.

Na rrethuan tek selia, po me tanke. Ne nuk u mposhtëm, por përsëri qëndruam, u vetëpërmbajtëm.

Na vranë, u përzunë nga selia e kryeministrisë.

Të gjitha këto eksperienca, pse unë po i citoj sot dhe do i citoj, i citoj dhe do i citoj sepse ne jemi ne forcë demokratike që drejtohemi vetëm nga parime demokratike.

Ne nuk bëhemi parti dhune sepse ne besojmë se paqja është një forcë e jashtëzakonshme.

Në besojmë se Edi Rama, ky regjim i kalbur, largohet vetëm kur opozitarët të lënë mënjanë lodhjen e tyre, të lënë mënjanë dëshpërimin e tyre, rraskapitjen e tyre dhe të dalin në shesh çdo ditë.

Nuk ka forcë në botë që e mban në pushtet Edi Ramën në qoftë se ne i pushtojmë sheshin. Kjo është rruga.

Këtë nuk e kemi bërë ndonjëherë.

Kjo na ka munguar.

E kemi bërë, por me qëllime jo kaq sa këto.

Se ne kemi bërë edhe në vitin 1998, me radhë.

Por sot jemi para këtij momenti.

Ne, në kushte kur ky regjim, Edi Rama, pasi është dokumentuar jo tashmë vetëm nga opozita, por edhe nga hetimi i prokurorisë se kanë abuzuar miliona dhe miliarda para të taksapaguesve dhe jka hequr çdo maskë në mbrojtje të flaktë në mbrojtje të abuzimeve të tmerrshme me paratë e shqiptarëve sepse është vetë direkt i implikuar.

Dy dosjet e Lubisë, qoftë tuneli, qoftë unaza, Rama del aq sa Lubia me mesazhet.

Kurse AKSHI i kunatit dhe familjes është historia më unike në Europë dhe në botë.

Kur në një agjenci shtetërore merresh peng sepse merr pjesë në tendera për t’i hapur rrugën kunatit.

Merresh peng dhe nuk hetohesh.

Ua them këtu ta dinë shqiptarët, Gerond Meçe, duhet t’ia dimë për nder autoriteteve gjermane për kontributin e tyre sepse ai as që do të hetohej.

Duhet t’ia dimë për nder sepse si Gerondi, i marrë peng me datën 12 gusht, u mor peng me datën 18 gusht Shima. Daniel Shima.

Mbeta duke bërë status pas statusi pas tij dhe ai u zhduk, nuk ekzistonte.

As hetim, as këqyrje dhe asgjë.

Jo, sepse ky njeri që nuk do të heqë imunitetet, që bllokon drejtësinë për vjedhjet që ka bërë, ky njeri nuk lejonte hetimin.

Por fatmirësisht Gerond Meçe zbërtheu se koordinatori i kryeministrit, Ergys Agasi, e kishte marrë peng.

Pse u ndala këtu?

U ndala në mesazhin për të gjithë opozitarët dhe demokratët, nuk ka dëshmi më tronditëse se këto për një qeveri.

Nuk ka akuzë më të rëndë ndaj nesh në rast se ne nuk i rrëzjmë këta.

Të jemi realistë për këtë.

Gjithçka është hedhur, ne jemi para sfidës dhe çfarë kërkohet: sakrificë, sakrificë, sakrificë.

Kërkohet të zëmë bulevardin gjersa ky të qërohet dhe të shkojë para ligjit, para gjykatës për vjedhjet që ka bërë.

Pra, në një kontekst, PD ecën e sigurt drejt pushtetit.

Por në këtë kuadër, departamenti Brain Gain duhet të gjejë brenda, dhe do të gjejë brenda strukturave tona, të gjithë hapësirat e domosdoshme.

Dhe ky nuk është thjesht interes i PD, jo, ky është interes i shoqërisë shqiptare.

Shoqëria shqiptare e ka të nevojshme, të domosdoshme të shohë të rinj, të reja që i përkushtohen, që dijet e tyre, aftësitë e tyre, i vendosin, i investojnë në projektin e madh transformues për të cilin Shqipëria ka nevojë jetike.

Pra, në këtë kontekst, ridimensonimi i rolit të departamentit, por edhe ridimensionimi i vetë departamentit të rolit të tij dhe të përfshirjes sa më të gjerë, është një shans i madh për PD-në, për opozitën.

Ndalemi për një moment, jemi këtu, unë që po flas, në mënyrë të përsëritur në forume kam bërë thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, çdo drejtuesi, të bëni gjithçka për të afruar vlerat në shoqëri drejt nesh.

Dhe jam i bindur se këtë mesazh demokratët, opozitarët e kanë të qartë që është i domosdoshëm.

Por, ne kemi vlerat midis nesh dhe këtyre hapësirën duhet t’ua japim dhe do ua japim.

Unë kam bërë një bisedë informale me këta, këta kanë plot ide se ku mund të angazhohen, ku mund të japin më shumë.

Ne jemi në një kohë të pashembullt.

Ndër të tjera kjo kohë kërkon, duke filluar nga unë dhe secili prej jush, të përshtatemi për veprimtari shumëplanëshe.

Nuk ka kohë.

Koha është e pamëshirë.

Nuk na pret koha.

Ndaj dhe ne duhet të pranojmë të ndërmarrim njëkohësisht veprimtari të shumanshme.

Vetëm në këtë mënyrë ne do mund t’i përgjigjemi misionit historik të përmbysjes së diktaturës autokratike të Edi Ramës.

Shansit historik për përmbysjen e saj.

Urdhëroni se ç’ndodh.

Drejtësinë nuk e njoh, imunitetet nuk i heq, vetëm sa i thurte Lubisë bis në atë monologun e tij dje.

Kështu që garantoj departamentin, duke e falënderuar me shumë mirënjohje për kontributet e tij thelbësore, garantoj në emër të PD se roli i tyre do të ridimensionohet tërësisht në interesin më mirë të shoqërisë shqiptare, para së gjithash, të forcë tonë politike po e po, dhe të opozitës shqiptare.

U uroj edhe njëherë një vit të ri siç doni vetë, me shumë suksese, gëzime dhe të mira dhe u ftoj të vazhdojmë këtë betejë që është edhe shansi i jetës tonë dhe në mënyrë absolute është shansi më i madh i jetës tonë, kontributi më i madh që ne mund të japim për këtë vend dhe komb.

Nuk ndajmë vërtet epoka, por ndajmë Shqipërinë nga e keqja më shkatërrimtare që ajo ka pasur ndoshta në 1 mijë vitet e fundit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale