KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë me gazetarët, ku ka komentuar zhvillimet pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, të cilat i cilësoi si një farsë elektorale e ndikuar rëndë nga krimi i organizuar dhe kartelet e drogës. Berisha akuzoi qeverinë dhe veçanërisht kryeministrin Edi Rama për lidhje të drejtpërdrejta me përfaqësues të botës kriminale, duke përmendur rastin e Arkend Ballës, të cilin e cilësoi si përfaqësues të kartelit famëkeq ‘Troplini’ dhe si kandidatin më të votuar në qarkun e Durrësit, me mbi 5200 vota më shumë se vetë Rama.
Gjatë konferencës për mediat, kryedemokrati Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për bashkëpunim me kartelet e drogës dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të tyre në procesin zgjedhor të 11 majit. Ai denoncoi vijimin e aktivitetit të kompanive të lidhura me kartelin e njohur të ‘Troplinëve’, të cilat, sipas tij, vijojnë të funksionojnë pa asnjë pengesë ligjore apo hetimore, pavarësisht se janë përfshirë në pastrim parash dhe investime në zonat turistike e industriale të vendit. Berisha tha se, Partia Demokratike nuk do ta njohë kurrë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, të cilat i konsideroi si një farsë të mbështetur në krim dhe drogë.
Lideri i opozitës Sali Berisha tha për gazetarët, Sali Berisha, ka komentuar në një dalje publike gjendjen e tij shëndetësore, duke theksuar se kishte kaluar një gjendje gripale të lehtë dhe se gjithmonë i qëndron parimit të transparencës me qytetarët. Ai u shpreh se ndryshe nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij vepron në fshehtësi dhe shkarkon zyrtarë si Komandantin e Gardës për të mbuluar lajmet, ai vetë informon publikun për çdo problem shëndetësor. Sipas Berishës, shkarkimi i Komandantit të Gardës nuk lidhet me transparencën, por me lidhje të mundshme me botën e krimit, çështje që, siç tha ai, janë objekt i një investigimi që po zhvillohet.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me procesin e rinumërimit të votave, kreu i PD, Sali Berisha theksoi se, kjo nuk është një kërkesë primare e PD-së, por një kërksesë e bërë nga kandidatët dhe e mbështetur nga partia. Sipas Berishës, kjo është një nevojë e ngritur nga qytetarët dhe kandidatët për transparencë. Sipas tij, Partia Demokratike është e përqendruar në kontrollin e legjitimitetit të zgjedhjeve, të cilat i cilësoi si një farsë të shëmtuar dhe të parapërgatitur. Ai përmendi tre linja hetimi që, sipas tij, po ndjek PD: pamjet filmike që zbulojnë manipulime, mënyra e administrimit të qendrave të votimit dhe materialeve zgjedhore, si dhe shqyrtimi i kërkesave të kandidatëve opozitarë.
Lideri i demokratëve, Sali Berisha, ka akuzuar Kolegjit Zgjedhor për vendimmarrje të parapërgatitur në lidhje me zgjedhjet e 11 majit. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se vendimi i Kolegjit nuk është marrë pas zgjedhjeve, por ishte hartuar më parë, duke pretenduar se data e tij origjinale është 28 prill. Sipas tij, kjo tregon për një proces të manipuluar dhe të paracaktuar, në të cilin drejtësia zgjedhore nuk ka qenë as e pavarur dhe as reale.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, kreu i PD, Sali Berisha, deklaroi se raporti mbi farsën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit që po bëhet nga opozita, është thuajse i përfunduar dhe tashmë i është dërguar institucioneve ndërkombëtare që ndoqën procesin zgjedhor. Sipas tij, rreth 95 përqind e raportit është dorëzuar, ndërsa pjesa e mbetur do të plotësohet dhe do të publikohet në formë libri. Berisha theksoi se përmes këtij dokumenti synohet të dokumentohen të gjitha shkeljet dhe manipulimet që, sipas opozitës, karakterizuan procesin zgjedhor.
Gjatë konferencës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar publikimin e të tjera fakteve tronditëse lidhur me zgjedhjet e 11 majit, të cilat opozita i konsideron një farsë elektorale të orkestruar nga Edi Rama. Gjatë konferencës Berisha u shpreh se Partia Demokratike po punon intensivisht për të dokumentuar çdo formë manipulimi të votës, duke përmendur përdorimin e metodës së njohur si ‘Treni Bullgar’ dhe duke theksuar se një pjesë e rëndësishme e provave, të cilat ndodhen në një laptop, ende nuk është bërë publike. Ai siguroi se në ditët në vijim do të publikohen të tjera të dhëna që, sipas tij, do të vërtetojnë dhunimin e votës së shqiptarëve.
FJALA E PLOTE:
Farsa elektorale e 11 Majit 2025, kishte si njërin nga tiparet më kardinale, rolin përcaktues të karteleve të drogës dhe organizatave kriminale.
Është bërë i njohur, i famshëm përfaqësuesi i kartelit Troplini, kartelit më të madh të kokainës në Europë, pas spostimit nga vendet e tjera dhe zotërimit nga ky kartel të portit të Durrësit.
Përfaqësuesi i këtij karteli dhe Edi Ramës, Arkend Balla, i parashikuar si ministër i Brendshëm, njeriu që mori 5200 vota më shumë se Edi Rama në qarkun e Durrësit, është i lidhur shpirt dhe xhep me këtë kartel.
Nga leximi i dokumenteve të tij, Arkend Balla, i cili pas largimit të një deputeti të PS, u fut në parlament, ka deklaruar veten të punësuar vetëm në universitetin e Durrësit.
Por, po të shihet me kujdes deklarata e pasurisë së tij, rezulton se nga data 1 qershor e vitit 2021 deri me datën 5.8.2023, famozi Arkend Balla, ka qenë i punësuar në kompaninë Nisatel.
Kompania Nisatel, një nga ortakët themelues ka Sidrit Danajn, i cili sot zotëron 100 përqind të aksioneve.
Kjo është një kompani që ofron shërbime interneti, telekomunikacioni, televizioni.
Për periudhën 2015-2025, kjo kompani ka përfituar nga institucionet shtetërore 900 mijë euro pagesa.
Nisatel është një kompani që adresën primare ku ushtron aktivitetin e ka në Vlorë, dhe kjo pas hulumtimeve, është gjetur se si Arkend Balla u përzgjodh nga kjo kompani për t’u punësuar pranë saj.
Pra, Arkendi me 5200 vota më shumë se Edi Rama në këto zgjedhje krahasuar me vitin 2021, ishte i punësuari i Nisatelit.
Prej majit të vitit 2018, ortak i vetëm i Nisatel është shtetasi Sadrit Danaj, një personazh i denoncuar në mënyrë të përsëritur nga PD për kryerjen e veprave penale në kohën kur u emërua kryetar qarku në Vlorë nga Edi Rama.
Sadriti është vëllai i Nexhmedin dhe Vexhi Danaj.
Nexhmedin Danaj pas një hetimi 5-vjeçar të Antimafias Italiane është akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim me shtetasin Elvis Doçi apo Visi i Pojës.
Pra, Danajt janë pjesë kryesore e kartelit Troplini.
Nexhmedinit i janë sekuestruar disa kompani, përfshi edhe televizionin kabllor Vlora Cable.
Kjo kompani, ditën e bërjes publike të masave të arrestit, ka kaluar, nuk preket, ka kaluar në pronësi të vëllait tjetër, Vexhi Danajt.
Në pronësi të këtij shtetasi, Vexhiut, janë edhe dy kompani të tjera, të cilat nuk janë bërë publike gjer më sot.
Një, kompani 2BU, të cilës Këshilli Kombëtar i Territorit i ka miratuar një leje ndërtimi në Radhimë në dhjetor të vitit 2024. Pra, në Radhimë lante paratë e krimit karteli Troplini.
Leje zhvillimi për subjektin strukturë polifunksionale me funksion banim, hotel dhe shërbime, deri 12 kate mbi tokë. E përshtatur me relievet e Radhimës. E përshtat Edi Rama.
Dhe kompania e dytë Gerard Krom, e cila është pajisur me leje shfrytëzimi nga Damien Gjiknuri për nxjerrje minerali krom në Klos. Asnjëra nga këto kompani nuk është vendosur nën sekuestro pavarësisht se janë të kartelit të drogës.
Pra janë të amnistuara nga Altin Troplini.
I punësuari Arkend Balla në këto kompani, siç e shihni, nuk është pra rastësisht deputeti më i votuar sepse është deputeti më investuar i klanit Troplini.
Këtu, dhe njëherë, denoncoj me forcën më të madhe, kartelet e drogës dhe implikimet e tyre nën drejtimin e Edi Ramës në farsën elektorale të 11 Majit.
Deklaroj edhe njëherë se rezultati i këtyre zgjedhjeve të bazuara në krimin, drogën dhe farsën nuk do njihet kurrë.
Denoncoj përsëri njoftimin që bëri paraprakisht klanit Troplini për t’u larguar, njeriu që mbajti në xhep për 20 ditë, urdhër-arrestin ndërkombëtar të tyre, të firmosur nga gjykatësi dhe që pranoi të ndryshojë edhe mbiemrin dhe të quhet jo më Duman, por Troplin. Altin Dumani.
Kjo ishte çështja që unë zgjodha të paraqes sot për këto zgjedhje, ndërkohë që ju jeni në dijeni dhe do paraqiten këtu para jush me dhjetëra e dhjetëra dokumente të tjera që faktojnë se si, Edi Rama dhe industria e tij e blerjes së votës dhe makineria e frikësimit të qytarëve, degradoi një proces zgjedhor në një farsë të shëmtuar elektorale.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Andon Kello, AbcNews: Nuk jeni shfaqur prej 4 ditësh. Pyetja ime është, si jeni me shëndet?
Sali Berisha: Tani është e vërtetë, por unë jam transparent. Nuk bëj si ai tjetri që të shkarkojë Komandantin e Gardës pse infermieret nxjerrin lajmin. Unë një ditë po pata problem shëndetësor, unë njoftoj publikun. Kisha një gjendje virale e cila kaloi pa asnjë ndërlikim të veçantë. Kjo është.
Pra edhe njëherë. Dy standarde. U shkarkua Komandanti i Gardës, në fakt në transparencë është për këtë, por thelbi i shkarkimit të këtij është bota e krimit. Do ta merrni vesh shpejt.
Po bëhet një investigim.
Por ai u shkarkua pikërisht të nesërmen e disa procedurave spitalore, në të cilat nuk pati asnjë test serioz për ato që duhet të kishte.
Andon Kello, AbcNews: Gjatë kësaj kohe a e keni ndjekur procesin e rinumërimit të votave në Pallatin e Sportit ‘Farije Hoti’. Janë hapur kutitë e Elbasanit, tani të Tiranës, por për qarku ne Tiranës rezulton se, deri tani ka disa diferenca të vogla në shifra dhe vetë anëtari i propozuar nga PD në KAS ka theksuar se kemi të bëjmë deri më tani me gabime njerëzore.
Sali Berisha: Çështja e numërimit të votave është kërkesë e kandidatëve e mbështetur nga PD për transparencë. Të paktën kjo është e 5-ta herë që para jush sqaroj. Nuk është një kërkesë primare e PD-së, jo. Jo dhe jo. Ta ketë të qartë çdo njeri. Kërkesa e PD ka të bëjë me legjimitetin e zgjedhjeve dhe unë mund t’ju theme se, tre janë linjat kryesore të kontrollit që ne bëjmë.
Së pari, kamerat të cilat kanë zbuluar në mënyrë të përsëritur trenin Bullgar. Kanë zbuluar aktet më të shëmtuara që damkosin farsën si një proces krejtësisht të paligjshëm.
E dyta, janë administrimi i qendrës së votimit, administrimi i kutisë së votimit, i materialeve të votimi, procesverbaleve të votimit.
Dhe e treta, janë plotësimi i kërkesave të kandidatëve tanë që kanë pretendimet e tyre dhe ne kurrë nuk mund të mos mbështesin transparencën.
Pra të kuptohemi, besoj se kemi bërë gjënë më të madhe sepse kemi faktuar çdo ditë këtu para jush dhe do faktojmë se çfarë farse e shëmtuar është zhvilluar në 11 maj.
Për PD-në vota ka vdekur pa hyrë në kuti. Aktet e shëmtuara të krijuara janë të gjitha të parapërgatitura, nuk janë ‘ex tempore’ aty. Duhet të bëj dallim për çdo qytetar, se çfarë është numërimi i votave për kandidatë dhe se çfarë është kontrolli i legjitimitetit të procesit. Janë gjëra krejt të ndryshme.
Isa Myzyraj, OraNews: Pyetja e parë lidhet me atë që ju e quani legjitimitet të zgjedhjeve. Nëse rinumërimi nuk është prioritet i PD, Kolegji Zgjedhor në fakt dje ka vendosur ti legjitimojë zgjedhjet në 5 qarqe duke i cilësuar të vlefshme, në Lezhë, Korçë, Gjirokastër dhe Kukës.
Sali Berisha: E mori këtë vendim para datës 11 Maj apo më vonë, thua ti?
E ka pasur të gatshëm, të përgatitur.
Mos o burrë, ai ka qenë i përgatitur.
Po t’ia kontrollosh datën, të garantoj se ka qenë data 28 Prill.
Isa Myzyraj, OraNews: Para disa javësh ju thatë nga kjo foltore se mes datës 10-15 qershor, PD do të ketë gati raportin përfundimtar për atë që e quani farsë zgjedhore. Cilat janë arsyet e vonesës së këtij raporti, meqë sot është 19 qershor.
Sali Berisha: Vetë procesi është, por në tërësi është gati. Domethënë po ndiqet kjo praktikë.
Në qoftë se po e marr pak me arbitraritet shifrën, në qoftë është i përfunduar në masën 95 përqind të tij, 95 përqind e tij është dërguar pranë institucioneve që vëzhguan zgjedhjet.
Pra është dërguar.
Pastaj kjo do kompletohet dhe do dërgohet si libër. Por kjo është arsyeja.
***
Unë ju falënderoj dhe vazhdojmë. Nesër lajm edhe më të veçantë.
PD nuk lë akt dhe përpjekje pa bërë për t’u faktuar shqiptarëve se çfarë dhunimi të turpshëm u bëri Edi Rama votës së tyre.
Se çfarë shkelmimi dhe poshtërimi bëri ai me votën e tyre.
Dëgjoj unë, jo Treni Bullgar kështu, jo Treni Bullgar ashtu.
Treni Bullgar është mekanizëm universal. Dy janë mekanizmat me fletën e votimit, Treni Bullgar dhe ai që përdor Putini që shpërndan fletën e votimit para votimeve dhe ata vijnë me fletë në xhep dhe votojnë
Dhe këtu janë përdorur…
Do shihni ju dokumentime.
Pastaj mos harroni se nuk ka filluar akoma me folë laptopi.
Ajo që është e drejtë e juaj që të kërkoni fakte për të vërtetuar pretendimet.
Kjo është shumë e drejtë.
Por ne kemi fakte të pafundme!