FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË SPAK
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur para ambienteve të SPAK, ka hedhur akuza të forta ndaj Altin Dumanit, duke publikuar edhe një mega-skandal me dokumente lidhur me vilën ku banon Dumani dhe që tregojnë kontradikta mes deklarimeve të bëra gjatë procesit të vetingut dhe dokumentacionit të pronësisë së truallit ku është ndërtuar banesa.
‘Sot shqiptarët do mësojnë se ai që ka kryesuar këtë institucion, është një pare-larës i shpifur, është një mashtrues ordiner,’ deklaroi Berisha, duke shtuar se, procesi i vetingut të Dumanit ka qenë ‘i rremë dhe i turpshëm’.
Sipas kreut të PD-së, Sali Berisha vila ku banon Altin Dumani është deklaruar si e ndërtuar dhe e banuar që në vitin 2000, ndërsa dokumente të tjera shtetërore, sipas tij, tregojnë se trualli në vitin 2004 rezultonte ende tokë bujqësore. Berisha publikoi një deklaratë noteriale të familjes së bashkëshortes së Dumanit, ku pretendohet se financimi për ndërtimin e vilës është siguruar nga donacione të marra gjatë viteve 1999-2003. ‘Shtëpia ka filluar të banohet nga familja Pango që prej vitit 2000’, citoi Berisha nga dokumenti që pretendoi se ishte paraqitur gjatë procesit të vetingut.
Ai shtoi se dokumente të tjera të kadastrës dhe kontrata noteriale, sipas interpretimit të tij, krijojnë mospërputhje me këtë pretendim. ‘Dokumentet thonë se në vitin 2004 toka figuron tokë arë e lirë. Pra, Dumani e deklaron ndërtesën të ndërtuar në vitin 2000, ndërkohë që dokumentet tregojnë tjetër gjë,’ theksoi kreu i PD-së, Sali BerishaBerisha.
Kryedemokrati Sali Berisha ngriti një tjetër akuzë ndaj Altin Dumanit, që lidhet me një deklaratë noteriale, për të cilën ai tha se, është tërhequr nga dosja e vetingut të Dumanit. ‘Kjo deklaratë është dorëzuar në veting dhe është tërhequr. Sot nuk e keni më në dosje dokumentin e mashtrimit,’ u shpreh ai. Berisha u shpreh se, këto dokumente vënë në pikëpyetje procesin e verifikimit të figurës së kreut të SPAK.
I pyetur nga gazetarët nëse do të depozitojë një kallëzim penal ndaj Dumanit, lideri i opozitës Sali Berisha konfirmoi se do ta bëjë këtë gjë. ‘Do të ketë një kallëzim,’ deklaroi ai, duke shtuar se, ‘hetimet ndaj drejtuesve të SPAK duhet të kryhen nga organet e zakonshme të drejtësisë dhe jo nga vetë institucioni’.
Gjatë pyetje përgjigjeve me gazetarët kryetari i PD-së Sali Berisha foli edhe për aksionin opozitar, duke paralajmëruar protesta pas përfundimit të proceseve të brendshme të Partisë Demokratike. ‘Në ditët më të para të qershorit do të jetë kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur Shqipëria,’ deklaroi kreu i opozitës, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:
Tani, shënimi që lashë: Altin Maneku Troplini Hajri shtohet edhe mbiemri Vila.
Sot shqiptarët do mësojnë se ai që ka kryesuar këtë institucion, është një pare-larës i shpifur, është një mashtrues ordiner, është një delinkuent i vërtetë sipas dokumenteve të këtij shteti.
E kam denoncuar vite më parë dhe për fat të keq ka arritur të kapërcejë i palagur, ndonëse siç do faktohet këtu, ky është një mashtrues i shpifur.
Vetingu i tij është një proces i rremë, i turpshëm, i dokumentuar.
***
Herën e kaluar unë u tregova se si Altin Dumani në veting ka deklaruar se ka blerë apartament dhe zyrë me vlera disa herë më të ulëta se vlerat e tregut nga Andon Pango që shiste disa herë apartamentet.
Dhe se si Altin Troplini, Altin Dumani i dërgonte mashtruesit Pango që është i dënuar me 6 vite, badigardin e tij nga shteti jo privati, për të terrorizuar dhe nxjerrë njerëz nga shtëpia e banimit sepse mashtruesi Pango i dënuar nga gjykata ua kishte shitur të tjerëve apartamentin e tij.
Por sot unë jam këtu për një denoncim tjetër, një denoncim të ri, i cili fakton se Altin mashtruesi, Altin Troplini, ka mashtruar gjithçka lidhur me vilën ku banon.
Ky njeri që kryeson vetingun tani është i padenjë për asnjë funksion përveçse në bankën e akuzës.
Ju lutem, më ndiqni pak.
Sot do t’u tregoj për vilën ku banon Altin Troplini, të cilën në qoftë se ju bëni një kontroll të intervistave të tij, ai thotë se në atë vilë unë banoj me qira.
Dhe se me dokumente shtetërore kanë deklaruar se vila është ndërtuar pothuajse e tëra para martesës së Troplinit me Ariklën, zonjën e tij aktuale bashkëshorte në mënyrë që askush të mos mund të lidhë ndërtimin e vilës me dhëndrin.
Pra, Altini është bërë dhëndër aty në atë familje pasi kishte përfunduar vila.
Dhe po të thoshte ndonjëri nga ju që vila u ndërtua me paratë e Altinit, do të thoshin se ky është një mashtrim pasi Altini është bërë dhëndër pas përfundimit të vilës.
Kur u bë vetingu i Altin Troplinit, prindërit e bashkëshortes paraqitën një deklaratë noteriale 1516 numër 432 datë 15.06.2019.
Prindërit e gruas së tij deklarojnë se paratë për ndërtimin e vilës i kanë marrë nga misionari Graham Bel përgjatë viteve 1999-2003.
E kuptoni ju, bamirësi i madh, si puna e Rrapush Xhaferrit?
Pra, i kanë marrë gjatë këtyre viteve afro 45 mijë paund.
Se si misionari i jepte 45 mijë paund një familje, kjo është…
Arsen Rusta, MCNTV: Ka shërbyer si kishë ka thënë zoti Dumani për banesën në Kombinat…
Sali Berisha: Po, po, pikërisht. Bravo, e shkëlqyer. Edhe ky supermashtrim i Dumanit. Këta që përdorin kishat për mashtrim, këta nuk kanë as Zot, as Krisht, as profet, as Muhamed, as Budë, asgjë. Këta janë puro hajdutë.
Dëgjoni tani se si ka shërbyer si kishë kjo.
Në deklaratën noteriale të Jorgo Pangos dhe Arikla Pango thonë: Dhëndri ynë Altin Dumani nuk ka asnjë kontribut financiar në ndërtimin e kësaj shtëpie.
Ai është martuar me vajzën tonë në janar të vitit 2003. I kërkoj ndjesë zonjës Arikla se unë e mora për emrin e vajzës, qenka emri i vajzës.
Pra, është martuar me vajzën tonë në janar të vitit 2003, kohë kur po mbaronte kati i tretë i vilës dhe financat ishin siguruar.
Pra, dhëndri ynë nuk kishte pse fuste fare dorën në xhep për përfundimin e vilës.
A është kështu apo jo?
Shtëpia ka filluar të banohet, kishë sipas Dumanit, nga familja Pango që prej vitit 2000. Mbajeni mend.
Por çfarë thonë dokumentet e shtetit, të kadastrës, të lagjes, të legalizimit?
Çfarë tregojnë?
Vila që pretendohet se u ndërtua në vitin 2000, dokumentet thonë se është në tokën e familjes Çullhaj, zotit Gëzim Çullhaj, të cilët kanë bërë kontratë noteriale numër 8845 602 me datën 24.09.2004.
Kontratë noteriale me familjen Çullhaj për shitjen tek Jorgo Pangos të tokës bujqësore prej 307 metër katrorë, e cila figuron në kadastër tokë arë e lirë në vitin 2004.
Pra, Dumani e deklaron ndërtesën të ndërtuar në vitin 2000, madje edhe të shndërruar në faltore ku luteshin dhe paguanin para çifti anglez, Bel dhe bashkëshortja, në një kohë kur në vitin 2004, toka ishte arë.
Dhe jo vetëm nga zoti Gëzim Çullhaj, por kryetari i njësisë bashkiake numër 6, Irfan Dashi, në shkresën e vitit 2004, deklaron se vërtetojmë se zoti Gëzim Çullhaj është pronar i një sipërfaqeje prej 307 metra, e cila është e regjistruar në zonën kadastrale 331 dhe aktualisht, thotë kryetari i bashkisë, është sipërfaqe e lirë.









Dumani thoshte se ishte e ndërtuar, ishte kishë ku faleshin, dhe i bëheshin dhurata familjes së vjehrrit të tij.
E kuptoni tani?
Pra në vitin 2004, toka ishte arë, sipërfaqe e lirë, në pronësi të qytetarit Gëzim Çullhaj.
Për Altin Manekun, se këtu ia kalon edhe Irenës në disa aspekte, për Altin Manekun, është ndërtuar në vitin 2000 dhe është banuar që nga viti 2000.
Kjo tregon se çfarë vetingu është bërë dhe se si ky është mbajtur peng.
Tani, unë kam dokumente me vete, sigurisht.
Kjo është deklarata noteriale e vjehrrit të Altin Manekut, Altin Vilës.
Në deklaratën noteriale ata shkruajnë: Me anë të kësaj deklarate konfirmojmë se dhëndri ynë Altin Dumani nuk ka asnjë kontribut financiar në ndërtimin e kësaj shtëpie.
Ai është martuar me vajzën tonë Alketa Pango Dumani në janar të vitit 2003, kohë kur po përfundonte edhe kati i tretë i vilës Dumani dhe financat ishin siguruar.
Shtëpia ka filluar të banohet nga familja Pango që prej vitit 2000.
Do ua jap unë ju këtë dhe do ua dërgoj të gjitha.
Prisni tani.
Kjo deklaratë, që i duhej Altin Troplinit për të larë duart si Pilati në procesin e vetingut është dorëzuar në veting dhe është tërhequr dhe sot nuk e keni më në dosje dokumentin e mashtrimit.
Ky është vetingu.
Pra, është njëlloj sikur t’i heqësh dikujt një falsifikim, një mashtrim të turpshëm sepse kjo deklaratë rrëzon gjithçka.
Ja ku e keni me vulë, ja ku e keni me të gjitha.
Berisha publikon dokumentin: Rama e legalizoi vilën trekatëshe pa leje të Dumanit për ta marrë peng atë
Se ku i gjej unë, e vërteta është magneti im.
E vërteta vjen tek unë, unë shkoj tek e vërteta.
Ja ku e keni zyrën e regjistrimit të pasurive nëse doni, 307 metër katrorë tokë arë.
Ky mashtrues ka kryesuar këtë institucion.
Këtu keni dokumentet e legalizimit.
Këtu keni hartën e 307 metrave tokë.
Këtu keni legalizimin në vitin 2006.
Mos harroni se Besa Nikhasani është nxjerrë nga sistemi i drejtësisë, një zonjë, sepse ajo vetë
apo vjehrri i saj, kishte blerë një garazh të ndërtuar pa leje.
Kurse kreu i Skapit, delinkuenti Dumani, legalizon vilën e ndërtuar pa leje trekatëshe pas 15 vitesh për t’u marrë peng nga Edi Rama dhe nuk pëson asgjë.
Ajo largohet nga prokuroria, një vajzë shumë e mirë, një grua shumë e mirë, për një problem që kishte ndërtuar vjehrri i saj një garazh dhe e kishte legalizuar. Po kjo nuk mund të ndodhte me njerëzit e ligjit.
Po Dumani nuk është i ligjit, është i Maliqit, i mafies.
Ja pra çfarë ngrihet mbi mashtrimin, mbi larjen e parave, mbi krimin.
Pyetje: E keni vlerësuar publikisht si kreu i task-forcës më i suksesshmi…
Sali Berisha: Unë po flas me dokumente. Fjalët i merr era, dokumentet janë ato që mbeten.
Prisni se nuk kam mbaruar, se ju e shihni keni një skandal të paparë ndonjëherë.
Mos harroni se ky njeri, në zbatim të porosive të Edi Ramës, ndërmori atakun më të rëndë kundër pluralizmit politik në Shqipëri.
Ky njeri amnistoi dosjet.
Ky njeri prishi hetimin e inceneratorit duke kërkuar arrestimin e Arben Ahmetajt, i vetmi në Shqipëri që vetëm për atë problem nuk mund të shpallej i arrestuar sepse e kishte kundërshtuar pesë herë.
Ja ky njeri që zbatonte urdhrat e Edi Ramës është vetë delinkuent, një mashtrues.
Ky njeri ka larë para me vilën dhe e paraqet vilën të ndërtuar para fejesës, para shndërrimit të tij në dhëndër.
Ndaj dhe t’i kërkojmë këtij largimin e menjëhershëm nga detyra.
Prandaj ky njeri mbron Irenën me 5 mbiemra, se është vetë një Irenë, se është vetë një delinkuent, se është vetë një mashtrues, se është vetë një pare-larës.
Këto janë të vërtetat.
Këtu keni dokumentet, hartën kadastrale, legalizimin që fakton se në vitin 2004 ka qenë tokë arë, nuk ka qenë as kishë, as teqe, as xhami.
Pra, këta që betohen, dhe shkon e predikon ky mashtrues, na predikon, na thotë se ishte faltore.
Shpall faltore ku ka larë paratë e krimit të vet.
Të gjitha këto janë dëshmi se çfarë përfaqëson ai.
Ndaj dhe ai duhet të largohet menjëherë nga detyrë bashkë me Irena Manekun, të kenë fatin e njëri-tjetrit.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Klodiana Lala, News24: Zoti Berisha, ju prej disa herësh vini këtu përpara SPAK-ut dhe ngrini akuza ndaj zotit Dumani. Ju kam pyetur edhe më herët, por deri tani nuk kemi një informacion zyrtar që ju të keni bërë një kallëzim penal. A do të paraqisni një kallëzim penal ju në cilësinë e ish-kryeministrit ndaj zotit Dumani dhe nëse po, për cilat vepra penale ju kanë orientuar avokatët tuaj? Sepse këto deklaratat publike, sikurse ju thatë vetë, i merr era, sepse dhe më herët ju e keni vlerësuar zotin Dumani si një ndër njerëzit më të suksesshëm në sistemin e drejtësisë. Sot e konsideroni si e keqja e madhe e Prokurorisë së Posaçme. A do të ketë një kallëzim penal nga ana juaj në adresë të tij?
Sali Berisha: Unë, njerëzisht do t’ju kërkoja ta korrigjonim pak atë çështjen që, të krahasimit të fjalëve me dokumentet.
Klodiana Lala: Po pikërisht këtë po ju pyes zoti Berisha. Ju thatë vetë që fjalët i merr era. Meqenëse pretendoni që keni dokumente, a do bëni kallëzim penal?
Sali Berisha: Unë këtu po flas me dokumente zyrtare, të cilat nxjerrin në pah.
Një: mashtrimin e madh të Altin Dumanit.
Dy: larjen e parave në vilën e tij.
Tre: shkeljen e ligjeve, ndërtimin pa leje dhe legalizimin në vitin 2016.
Katër: tërheqjen si mafie të deklaratës nga dosja e vetingut. Nuk është deklarata e dhëndurrit të tij në dosjen e vetingut, sepse është shkatërrimtare deklarata. Deklarata është shkatërrimtare.
Thotë, vila është banuar në vitin 2000 dhe Altini në media ka deklaruar se është përdorur si faltore, në një kohë kur, në një kohë kur ajo s’ekzistonte, ekzistonte tokë arë. Unë besoj se me dokumente origjinale, me vulë dhe firmë, po bëhet një kontribut i jashtëzakonshëm në zbardhjen e të vërtetave për një njeri që ka kryesuar institucionin më të rëndësishëm të akuzës dhe që e meriton të jetë sot në bankën e akuzës.
Klodiana Lala: Pikërisht këtë pyetje po ju bëj zoti Berisha, a do të bëni ju kallëzim penal në adresë të zotit Dumani? Është shumë e thjeshtë pyetja.
Sali Berisha: As që mund të pyetet për këtë punë, që do të ketë një kallëzim, i cili, siç u bë për Irena Gjokën dhe e gjykoi Altin Gjoka, edhe ky do mund të gjejë, se këta janë një korporatë krimi. Këta janë një korporatë e kapur.
Këta janë një grup kriminelësh të cilët shkelmojnë mbi djersën, mundin, punën e dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra prokurorëve, gjykatësve, hetuesve që duan të bëjnë ligjin. Këta janë. Se ky është kryetar, ajo ishte kryetare.
Dhe ky e mbron atë. Dhe ja pse e mbron, sepse ajo i ka këto dosje. Ajo i ka, Irena i ka këto. Irenës ja kanë dhënë këto.
Arsen Rusta, MCNTV: Ku i gjeti Irena Gjoka këto?
Sali Berisha: Aty ku i gjeta unë? Kanë të njëjtin burim. Po aty, po burimet janë institucione shtetërore. Janë institucione shtetërore, nuk i kam marrë tjetërkund unë.
Këto janë institucione shtetërore. Ky është, përpjekja e tij të fshehë, ka tërhequr deklaratën e dhëndërrit dhe vjehrrës dhe nuk e gjeni aty, po ja që është ajo.
Armand Bajrami, A2CNN: Zoti Berisha, dy seanca më parë të dosjes Partizani ku ju jeni i pandehur, dëshmoi kallëzuesi juaj, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ju zgjodhët të mos ishit prezent në atë seancë. Pse kjo dhe a nuk kishit ju pyetje për t’i bërë Taulant Ballës?
Sali Berisha: Besoj se para jush, para jush u faktua se nga alfa te omega kallëzimi i tij bazohej në mashtrim dhe në shkallën, siç e pohoi vetë, që i kam nga mediet, që i kam nga mediat, që i kam nga mediat. Po mediat që s’kishte asnjë dokument, asnjë provë, asnjë fakt, asnjë artikull për të paraqitur.
Tani, si thua ti, kam unë kohë që të shkoj aty dhe të merrem me një mashtrues ordiner, i cili është, çfarë është? Është një kriminel, një kriminel me kravatë dhe i kollarisur, me dokumente zyrtare porosit vrasjesh, ia ka djegur gjykatësi dhe prokurori me vendim zyrtar dokumentet.
Është një kriminel që e kam lexuar këtu para jush, para jush se si në bisedë me Mario Çelën bën pazarin e votave. Na arresto, thotë, bandën rivale, i thotë ai, dhe pastaj i ke votat, dhe ai arreston. Dhe se këtu para jush e kam denoncuar, se duke zbatuar urdhrin e Suel Çelës, merr prokurorin Vath Staka, shkon në Shkodër dhe liron dy terroristët që i vendosën Lulzim Kullës nën shalë të biçikletës tritol dhe i ra tritoli në tokë, që mund të hidhte në erë, kush e di sa qytetarë.
Pra, a ia vlente që unë t’i kushtoja atij edhe tre sekonda? Por aty ai u zbërthye para medieve, u zbërthye nga pronarët e tokës, në çdo, në çdo fjalë dhe fjali të shkruar nga Enkelejda Fetahu bashkë me Altin Troplinin dhe atë xhelatin e Sigurimit të Shtetit, i cili ka dhe ai problemet e veta…
Kështu që, për këto arsye, i vlerësoj qëndrimet e pronarëve që e shkatërruan, e nxorën të pafytyrë siç është. E nxorën, ndaj dhe përgjigja.
Por nuk po kalojmë aty, qëndrojmë këtu. Edhe njëherë, këtu keni çdo dokument, keni çdo dokument në procesin e legalizimit, të kadastrës, që fakton se toka ka qenë arë, që fakton se në këtë truall 217 metra, sipërfaqja e ndërtimit në kat të parë është 92 metra dhe që vazhdojnë katet në ndërtesën trekatëshe.
Që faktojnë mashtrimin publik të Altin Troplinit, që faktojnë se është i padenjë, është një Irena Gjokë bis në Prokurorinë e Shtetit dhe që paguhet me rrogën më të lartë në Ballkan. Nga Sllovenia gjer në Greqi ndofta, s’jam i sigurt, ky është njeriu me rrogën më të lartë. E kuptoni ju apo jo? Se ç’meriton ky. Pra, unë uroj dhe shpresoj që këto dokumente t’ia paraqisni publikut. Si një detyrim, edhe si një detyrim moral. Për atë lloj kredibiliteti të pamerituar kurrë, kurrë të merituar që i është dhënë atij personi. Shqiptarët të mësojnë se kush janë ata që bëjnë vetingun dhe si e bëjnë vetingun. Se ç’përfaqëson ky njeri që u bë i plotfuqishëm në veting pas largimit të institucioneve të vetingut. Pra, ky është. Ky është narko-shteti. Ky është shteti i delikuentëve, i mashtruesve, i para-larësve të tipit Dumani.
Anila Hoxha, TCH: Prej sa kohësh i dispononi këto dokumente zoti Berisha dhe çfarë ju pengon juve që t’i dorëzoni në SPAK në një kohë sa më të shpejtë?
Sali Berisha: Këto dokumente kanë disa kohë, por ua pata njoftuar unë ju. Unë ju thashë këtu se po ezaurojmë njëherë dosjen Gjoka-Maneku-Shpata e tjerë e tjerë me radhë.
Pasi u ezaurua ajo dosje, ja thashë, unë do i rikthehem dosjes Dumani. Dosjes Dumani. Dhe iu riktheva dosjes Dumani me këto dokumente.
Saktësisht mund të ketë disa muaj që unë i disponoj, por kam deklaruar në mënyrën më të përsëritur, se kur një nëpunës i shtetit nuk mund të ketë me rrogën e tij dhe të bashkëshortes së tij katër banesa si ky.
Këtë e kam deklaruar sepse është afërmendsh, s’mund të bëhet. Tani faktohen të gjitha.
Armand Bajrami, A2CNN: A keni dosje për prokurorë të tjerë të SPAK?
Sali Berisha: Çfarë, nuk, çfarë do që kam unë nuk e mbaj, e bëj publike. Ju garantoj se unë bëj publike.
I bëni ju edhe e vlerësoj shumë kur i bëni. Do t’ju them këtu. Kam vlerësimin më të madh për publikimet që ju bëni dhe e konsideroj detyrë absolute që çdo deputet dhe çdo politikan duhet të bëjë publike çdo dokument në të cilin faktohet shkelja e ligjit, faktohet krimi, faktohet larja e parave e të tjerë.
Unë bëj çdo gjë publike. Ndjek një rend. Natyrisht e ndjek një rend, po, sepse nuk duhet të ekoja e njërës ta dëmtojë tjetrën, por unë s’mbaj gjë, për cilindo, jo vetëm. Unë kam bërë publike për Linda Ramën. Ju e dini këtu, jeni dëshmitarë apo jo?
Unë isha i arrestuar. Imagjinoni? Nga dritarja, nuk e kisha këtë. Nga dritarja e arrestit të shtëpisë, unë ju paraqita ju dokumentin e Geron Meçes me Linda Ramën, kështu që nuk mbaj unë dokumente.
Por sot është kjo e Dumanit. Ndaj dhe edhe njëherë, edhe njëherë, të japë urgjent dorëheqjen, të shkojë para prokurorisë.
Tani lidhur me padinë. Ka një problem. Ç’kanë bërë këta? Ligji parashikon, dhe normal, që këta të hetohen nga Prokuroria e Tiranës. Prokuroria e zakonshme. Këta kanë, gjithçka dhe kanë marrë hetimin e vet në duart e veta.
Asnjë institucion. Pra, kanë bërë gjithçka. Po të shihni, këta nuk përfillin dhe s’do ta bënin kurrë këtë.
Klodiana Lala, News24: Po në fakt ligjet politika
Sali Berisha: Jo s’ka ligj, s’ka ligj për këtë. Me ligj këta i merr Prokuroria e Tiranës, por kanë Sadushin, se bëjnë ca vendime, vendime për, në interes, në interes të tyre dhe pastaj kanë marrë në dorë hetimin e SPAK-ut.
SPAK-u duhet të ketë një njësi të posaçme pranë prokurorit të përgjithshëm për t’i hetuar. Po SPAK-u nuk mund të hetojë SPAK-un. Po të sjell unë këtu dosje të tjera të Dumanit, si i ka kapur peng prokurorë të tjerë ky. Vetëm tek Toyota Yaris janë tre prokurorë brenda me atë Dautin.
Anila Hoxha, TCH: Zoti Berisha, kur ju i mbani këto dosje, nuk rrezikoni të jeni në kushtet e moskallëzimit të krimit? Sepse thatë që dosjen…
Sali Berisha: Kush tha? E kisha njoftuar, të lutem, Anila. Kisha njoftuar këtu para jush se do ezaurojmë dosjen Gjoka dhe do kalojmë tek dosja Troplini.
Anila Hoxha, TCH: Po që të kenë vlerë për drejtësinë ato duhet t’i dorëzohen prokurorisë.
Sali Berisha: Sigurisht që i dorëzoj në drejtësi. Dosja Gjoka ka një proces. E kuptoni ju apo jo? A e patë si e ka hetuar Troplini procesin e Gjokës? A ua paraqita këtu. A e nxorën Gjokën qelibar? Troplini e ka dërguar qelibar dosjen, sepse e ka vetë të zeza sa ajo.
Ndaj dhe unë nuk mbaj unë gjë. Unë nuk mbaj asnjë dokument, asnjë gjë. Natyrisht ka një rend, si njeri që informohet, dhe kam mirënjohjen më të pakufishme ndaj të gjithë atyre qytetarëve që tregojnë besim tek Sali Berisha dhe dërgojnë dokumente, dërgojnë informacione, të cilat unë i përdor… do i përdorim.
Klodiana Lala, News24: Ju si Partia Demokratike ende nuk keni një datë për një protestë të ardhshme. A do të vijojë opozita me protesta?
Sali Berisha: Në mënyrën më të fuqishme. Të falenderoj shumë. Në mënyrën më të fuqishme do vazhdohet me protesta. Por, siç e dini, janë nga sot gjer me datën 30, dy ngjarje të mëdha. Është referendumi për votëbesimin e kryetarit dhe është Kuvendi Kombëtar.
Tani, e vërteta, këto janë procese që kërkojnë punë, kërkojnë përgatitje teknike, kërkojnë një punë të gjerë.
Ndaj dhe u siguroj që ditët më të para të qershorit do të jetë kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur Shqipëria.


