Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Dënoj terrorin policor ndaj protestuesve, do të publikojmë listën e zezë të mercenarëve që kanë dhunuar protestuesit, garantoj se ata do ndëshkohen për krime të rënda

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar dhunën e policisë ndaj studentëve dhe qytetarëve që protestojnë, duke paralajmëruar publikimin e fotografive dhe emrave të efektivëve që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Në konferencën e sotme me gazetarët, ai deklaroi se përgjegjësit do të përballen me ndëshkim për veprimet e tyre. ‘Garantoj secilin prej atyre narko-mercenarëve që për 2500 euro shndërrohen në kafshë dhe jo njerëz ndaj të rinjve, vajzave, djemve, qytetarëve, që do të dënohen për krime të rënda’, deklaroi Berisha, duke e lidhur veprimtarinë e tyre me mbrojtjen e kryeministrit Edi Rama.

Lideri i opozitës shqiptare akuzoi policinë për dhunë edhe ndaj gazetarëve, si dhe për kontrolle dhe ndalime në banesat e protestuesve në Elbasan dhe qytete të tjera. Ai tha se ndërhyrjet në banesa dhe thirrjet në komisariat duhet të bëhen në përputhje me ligjin. ‘Regjimi i Edi Ramës ka marrë fund’, u shpreh Berisha, duke paralajmëruar përgjegjësi për ata që, sipas tij, shkelin Kushtetutën dhe ligjin.

Duke folur për protestat studentore, kryetari i PD-së Sali Berisha tha se Partia Demokratike është e pranishme që prej ditës së parë, përmes strukturave rinore dhe studentore. Ai theksoi, se opozita do të vijojë mbështetjen për studentët dhe organizimin e protestave kombëtare. ‘Ne jemi në një detyrë shumë të rëndësishme të mobilizimit me të gjithë potencialin tonë të mbështetjes së përditshme të revoltës studentore dhe organizimit periodik të protestave kombëtare në mbështetje të kësaj revolte’, tha ai.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me aktivitetin në parlament, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se, PD dhe opozita nuk do të zhvillojë normalisht aktivitetin parlamentar në kushtet aktuale, ndërsa konfirmoi mbështetjen për listat 100 për qind të hapura në reformën zgjedhore.

‘Nuk mund të ketë parlament në këto kushte. Sot përfaqësuesit tanë në detyrë kryetari apo nënkryetari, janë paraqitur te komisionet për të bërë një deklaratë dhe për t’u larguar. Ne jemi në një detyrë shumë të rëndësishme të mobilizimit me të gjithë potencialin tonë të mbështetjes së përditshme të revoltës studentore dhe organizimit periodik të protestave kombëtare në mbështetje të kësaj revolte.’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës me median.

FJALA E PLOTE

Sot unë jam këtu gjithashtu për të dënuar me forcën më të madhe terrorin e egër policesk të ushtruar jashtë të gjitha kushteve ligjore ndaj studentëve protestues, qytetarëve në protestë.

Garantoj secilin prej atyre narko-mercenarëve që për 2500 euro shndërrohen në kafshë dhe jo njerëz ndaj të rinjve, vajzave, djemve, qytetarëve, që do të dënohen për krime të rënda, për aktet që ata kryejnë në mbrojtje të Padrinos së Shqipërisë, Edi Rama.

Regjimi i Edi Ramës ka marrë fund, ju duhet të mendoni sepse po kryeni krime shumë të rënda dhe ky terror që kryhet para kamerave në rrugë, edhe ndaj gazetarëve, vazhdon me një terror të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë me kontrolle në banesa, me ndalime nëpër shtëpi, në Elbasan, në qytete të tjera, të protestuesve për pjesëmarrjen në protestë.

Edhe njëherë, ti që shkon në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin në banesën e tjetrit pa asnjë motiv ligjor, të garantoj se do bëhesh përgjegjës.

Ligji nuk të lejon ty të shkelësh në banesën e kujt pas orës 10 të darkës. Të thërrasësh në komisariat nga banesa pas orës 8.

Ka rregulla të caktuara.

Ju shkelni çdo rregull.

Jepini fund mercenarizmit tuaj se do pësoni fatin e Padrinos që mbroni.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Ambrozia Meta, SYRI TV: Lidhur me situatën në Serbi, a mendoni ju se edhe në Shqipëri, revolta studentore që ne kemi parë këto ditë mund të prodhojë një formacion politik ,i cili në një pikë të caktuar të garojë në zgjedhje dhe ndoshta të aneksojë dhe partitë opozitare siç ndodhi në Serbi?

Dhe pyetja tjetër këtu, pavarësisht se aty është ndryshuar pushteti, lista e studentëve nuk ka një qasje ndryshe nga Aleksandër Vuçiç në raport me Kosovën. Pra, ata vijojnë mos ta njohin Kosovën si shtet. Cili është qëndrimi juaj dhe për këtë?

Sali Berisha: Së pari, Partia Demokratike nëpërmjet strukturave të saj rinore, është aktive që nga momenti i parë e gjer sot në këtë protestë. Këtë e kam deklaruar dhe e deklaroj me përgjegjësi të plotë.

Së dyti, në Shqipëri çdo qytetar mund të regjistrojë parti, mund të krijojë parti, mund të ndërmarrë veprimet që do. Por dhe një herë, në këtë protestë, Partia Demokratike me strukturat e saj studentore, rinore, dhe të tjera, është e pranishme që në minutën e parë.

Së dyti, unë u bëra thirrje fituesve të koalicionit të studentëve, të ndjekin politikën e fqinjësisë së mirë, politikën pro-perëndimore.

Për shembull, ju mbase nuk e keni dëgjuar, mbrëmë Bashkimi Evropian deklaroi se dyert janë të hapura për Serbinë. Nga mbyllja që u kishin bërë dyerve.

Pra, pavarësisht se në fushatë elektorale, kaq hollësisht s’e kam ndjekur, po dhe këta kanë pasur qëndrime absolutisht të gabuara ndaj Kosovës, qëndrime të paqarta ndaj arritjeve me dialog me ndërmjetësimin e Brukselit, por të shpresojmë dhe urojmë që nesër në pushtet ta lexojnë si duhet votën e kombit serb, i cili përmbysi shtyllën kryesore të verbërisë nacionaliste serbe.

E përsëris, Aleksandër Vuçiç nuk ishte një komunist, ai ishte më shumë një Gjeorgjeviç si nacionalist.

Ose funerali i Partisë Socialiste, Partisë së Millosheviçit, është një arritje për kombin serb.

Kjo parti, që nga themelimi i saj, ka qenë një fatkeqësi për atë komb, edhe për rajonin, se ajo themeloi Partinë e Punës të Shqipërisë, Partinë Komuniste Shqiptare në ’41-shin.

Unë uroj që mesazhin ta lexojnë, në interesin më të mirë të vendit të tyre dhe të qytetarëve që i votuan, qytetarëve që bënë padiskutim një votë historike.

Përmbysën një grup kriminelësh në pushtet, gangsterë. Nuk ka pasur gangsterë si Vuçiçi dhe Edi Rama në Ballkan.

Dhe jam i bindur se largimi i tij argatin e la me një këmbë. E la të plagosur rëndë. Jo se Shqipëria dhe Serbia kanë marrëdhënie të ndërvarura apo varësie, por Rama me Vuçiçin kishin ndërmarrjet, kishin marrëdhëniet e padronit me argatin. Kështu që, padiskutim ky është ndikim pozitiv.

Ambrozia Meta, SYRI TV: Kisha dhe një pyetje për situatën politike në vend. Cila do jetë qasja e opozitës në raport me parlamentin pas kësaj situate? Do të lejoni zhvillimin e seancave normale apo do të kemi kaos si herën e fundit? A do e rishikoni qëndrimin në tryezën e reformës zgjedhore? Dhe a do përgatisni, le të themi, kundërshtitë për t’i çuar në Gjykatë Kushtetuese paketën e masave që Rama do kalojë në lidhje me Kodin Penal apo masa të tjera kufizuese që lidhen edhe me të drejtën për tubim?

Sali Berisha: Siç keni parë ju, Gjykata Kushtetuese është një noter i Padrinos, i qeverisë. Noter i thjeshtë.

Megjithatë, bazuar në një parim tjetër, ne do e dërgojmë, të bindur se ajo është një noter. Siç dërgojmë dosjet në SPAK.

Ne kemi dërguar qindra dosje në SPAK, ndonëse SPAK-u është pas Edi Ramës, armiku numër dy i pluralizmit politik në Shqipëri.  Pse është armiku numër dy i pluralizmit politik në Shqipëri? Sepse të gjitha dosjet, tashmë të konfirmuara nga institucionet ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve, ata i mbyllin sepse janë kundër partisë së tyre. Duke i mbyllur në një verbëri absolute, duke mos harruar se shndërrohen në një institucion të shtypjes së pluralizmit.

Marrin përsipër misionin më të keq të mundshëm. Janë vetëm në zgjedhjet e fundit mbi 50 dosje të dërguara, asnjë. Ka demokratë të thirrur në SPAK nga pesë-gjashtë herë, pesë herë nga një prokuror, pesë herë nga një prokuror tjetër.

Pra, në këtë kuadër, megjithatë ne i dërgojmë dosjet. Edhe aty i dërgojmë, të bindur se ata funksionojnë bashkë me Gjykatën si nën urdhrat e një partie.

Po unë meqë jam në këtë çështje dhe dëgjoj se këto ditë ka pasur jo pak analistë që janë shprehur se me këtë paketë vendosi diktaturën, unë u them atyre se cilido që ka ABC-në elementare të politikës dhe të ndërtimit të një shteti, dhe njihet me këtë grafik të publikuar nga një institut krejtësisht jo në favor të opozitës në vitin 2021, do të shohë një gjë shumë interesante, përqindjen e pushtetit të partisë në pushtet.

Dhe u jap këtu: në vitin 2000, partia në pushtet kishte 48% të pushteteve. Kontrollonte 48% të pushteteve.

Në vitin 2013, partia në pushtet kontrollonte 48% të pushteteve. Pra, pushtetet e tjera nuk ishin në kontrollin e saj, as në rastin e socialistëve.

Në vitin 2020, Partia Socialiste, partia e krimit, bëhet me 90% të pushtetit.

Në vitin 1991, Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist, kishte 82% të pushtetit.

Kurse në vitin 2020, pasi kompletoi reformën e drejtësisë dhe bëri që të gjitha emërimet të jenë të tij, ky institut nxjerr se Edi Rama përqendroi të gjitha pushtetet në një dorë.

Shtylla më kryesore e një diktature është përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë.

Gjatë këtyre viteve, ai përsëri i ka rritur pushtetet në dorë. Por në vitin 2020, ai nuk ka pasur siç e ka sot në dorë fuqinë e të keqes, drogën. Ai e ka shumuar duke e bërë Shqipërinë një superfuqi droge.

Shqipëria është një vend i vogël, por është një superfuqi droge. Meqenëse shqiptarët janë transportuesit kryesorë të kokainës nga Amerika Latine në Europë, meqenëse shqiptarët janë eksportuesit kryesorë të kanabisit në Europë, meqenëse sot Shqipëria ka rrugën kryesore të heroinës nga Afganistani, Irani, Turqia në Itali.

Pra, këto janë lidhur me autoritarizmin apo diktaturën.

Nuk i kishte padroni i tij në Serbi këto. Jo, realisht! Dhe fakti, ai i kishte të gjitha, ai është për në Hagë, por dorëheqjen e dha, e njohu rezultatin.

Ambrozia Meta, SYRI TV: Lidhur me reformën elektorale, rikthimin në tryezë?

Sali Berisha: Ne jemi për listat e hapura përfundimisht. Po, plotësisht. Pa diskutim. Kemi pasur një proces, në qoftë se ju kujtohet.

Ky proces ka qenë i ndërmjetësuar nga forumi intelektual dhe ky forum ndërmori konsultat dhe me ato partitë e tjera opozitare që janë në parlament. Dhe njëra prej tyre, e kryesuar nga Adriatik Lapaj, kërkoi pikërisht listën e hapur 100%, gjë për të cilën ne ishim dakord. Jemi plotësisht dakord. Pa asnjë lloj hezitimi.

Ambrozia Meta, SYRI TV: Sjellja e opozitës në Kuvend, a do kemi seanca normale?

Sali Berisha: Jo, nuk mund të ketë parlament në këto kushte. Sot përfaqësuesit tanë në detyrë kryetari apo nënkryetari, janë paraqitur te komisionet për të bërë një deklaratë dhe për t’u larguar.

Ne jemi në një detyrë shumë të rëndësishme të mobilizimit me të gjithë potencialin tonë të mbështetjes së përditshme të revoltës studentore dhe organizimit periodik të protestave kombëtare në mbështetje të kësaj revolte. Në mbështetje dhe mbrojtje të studentëve.

Edi Rama, siç bëri me protestën e parë, që ndërmori një agresion mesjetar primitiv me të gjitha mjetet kundër saj, përpiqet me të njëjtin skenar me këtë të dytën. Por absolutisht do dështojë dhe do ta shohë vetë se do dështojë.

S’ka parë gjë akoma, i them. Nuk ka parë gjë akoma! Tani kujtoj këtë frazë, ta shkruajë aty dhe të më kujtojë pak.

Mariglen Kume, MCN TV: Ditën e shtunë në orën 12:00, të shtunën që kaloi, Partia Demokratike thirri protestën kombëtare në mbështetje të studentëve. Në protestën e orës 12:00 nuk u regjistrua asnjë incident. Ndërkohë, në orën 14:00 kur ishte thirrur edhe protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, nisën edhe përplasjet e para midis studentëve dhe policisë. Në cilën protestë ishte faktor dhe aktor Partia Demokratike?

Sali Berisha: Partia Demokratike ishte tek Kryeministria, Partia Demokratike ishte tek Ministria e Arsimit. Dhunën e filloi policia. Edhe te Ministria e Arsimit, e filloi policia. Nuk është e vërtetë që e filloi protesta.

Policia filloi dhunën, futi provokatorët, a e patë lokalin? Ia kishin thyer, shkojnë ia shkatërrojnë lokalin për t’i akuzuar studentët. Dhe natyrisht reagimi ndaj asaj dhunës është legjitim.

Pastaj një gjë do ta themi këtu, se tani unë e kam një eksperiencë. Guximtarë dhe trima, si këta studentë, gjer sot Shqipëria nuk ka parë.

Vajzat rrinin aty, gangsterët, mercenarët shkonin dhe ato ua kthyen siç e meritonin. Këta provokues numër një i dhunës është… mos i kurseni! E keni parasysh.

Po unë i garantoj ata se tani do publikojmë fotot dhe emrat e tyre një për një. Listën e zezë të tyre.

Pse? Studentët po protestonin. Populli i Tiranës dhe i Shqipërisë ishte me studentët. Ata tani, provë force. Por provën e forcës me sovranin e kanë humbur gjithmonë diktatorët, nuk e fitojnë.

I tha, je treguar dorëbutë, i tha padroni, je treguar dorëlehtë, i tha. Po tani çfarë do t’i thotë? Tani do t’i thotë mbathja.

Mariglen Kume, MCN TV: Edhe dy pyetje të tjera zoti Berisha. Pyetja e radhës është që kanë kaluar katër muaj e gjysmë që nga dita e parë e protestës që nisi për projektin në Zvërnec. Pas kaq muajsh, mendoni se projekti duhet të anulohet?

Sali Berisha: Sot, para katër muajsh edhe pas katër vitesh unë do them të njëjtën gjë. Mbështes plotësisht investimet e huaja me kushtin themelor që të bëhen sipas ligjit.

Pasi u ndala në problemin, gjeta se Edi Rama ka shkelur absolutisht nen për nen ligjin shqiptar dhe ligjin ndërkombëtar në rastin e dhënë në Zvërnec.

Kjo është siç ua them. Dhe ky, e faktoi vetë. E faktoi vetë se çfarë bëri? Pasi dola me këtë deklaratë dhe ia numërova, tre ditë mbrapa doli një hartim që nëpër rreshta thoshte, i kam bërë po dhe s’i kam bërë. Dhe shkoi i paraqiti në Bruksel. Në Bruksel, mikesha e tij e njohur tashmë, Marta Kos, ia pranoi. Parlamenti Europian i tha jo, paradhënie nuk i pranohet gjë Edi Ramës.

Prandaj dhe unë, dijeni, unë kurrë nuk kam shkelur ligjin dhe nuk shkel ligjin. Jo, ja ku janë të gjithë investimet e bëra brenda ligjit, cilido qoftë. Nuk më bën përshtypje, cilido qoftë. Për mua është ligji.

Absolutisht me kënaqësi jam i hapur, por brenda kuadrit ligjor, pavarësisht se kush apo cili qëndron.

Mashtrues i turpshëm. S’kam dhënë leje në një kohë kishte dhënë edhe lejen e ndërtimit, edhe lejen e zhvillimit, duke shkelur çdo nen.

Tani, për ta mbyllur pyetjen. Qeveria ime, qeveria e Partisë Demokratike, vendosi të ndërtojë aeroportin e Vlorës. Por do ndërtohej prapë në përputhje me ligjin. Dakord?

Ligji thotë që do bësh një vlerësim të thelluar strategjik. Vlerësimin e thelluar strategjik nuk e bëjnë politikanët, e bëjnë specialistët e mjedisit dhe të tjerë. E dërguam grupin atje. Grupi u kthye dhe i tha qeverisë, jo nuk mund ta ndërtoni aeroportin aty.

Dy arsye. E para flamingot, se me aeroport zhduket kolonia e flamingove.

E dyta thanë ata, aeroporti është gjithsej 1 metër mbi nivelin e detit edhe përmbytet.

Po ky grup sugjeroi tokën tek kthesa e Levanit. Pozicion më i mirë. Pozicion shumë i mirë.

Çfarë bëjnë këta? Dalim tek ligji përsëri. Këta në vitin 2017 organizuan pothuajse të njëjtin grup me disa ndryshime të vogla, të njëjtit grup ekspertësh.

Ekspertët shkruan që të gjithë përveç treve, u thanë jo nuk ndërtohet aty aeroporti. Për këto dy arsye.

Tjetër meqë flasim për ligjin. Bëmë projektin e autostradës Levan-Vlorë. Projekti i financuar nga dy bankat evropiane, BEI dhe BERZH. Në diskutimin e projektit konstatohet nga matjet se zhurma e autostradës shqetësonte habitatin e shpendëve. Dhe ekspertët kërkuan që ajo rrugë të spostohej. Ne spostuam rrugën, shpenzuam dhe nja 20 milionë euro më shumë, ndërtuam dhe një urë mbi Vjosë më shumë, dhe respektuam ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. Kaq.

U zgjat 18 muaj ndërtimi i autostradës, por po ta mbash veten Sulltan, që të duket që ajri, uji dhe toka janë pronë e Sulltanit dhe ua jep të tjerëve për përdorim, pastaj bën siç bën ky. Ashtu ne nuk bëjmë.

Mariglen Kume, MCN TV: E fundit. Qarkullon në rrjetet sociale një video e kryeministrit Edi Rama, i cili shprehet se Shqipëria është atdhe zëvendësues për hebrenjtë. Si e kuptoni ju këtë dhe a bini dakord me të?

Sali Berisha: Në këtë drejtim, të hysh në shpirtin e tij të zi katran, absolutisht kurrë nuk mund të lexosh.

Por e theksoj se një nga trashëgimitë më të shkëlqyera morale të shqiptarëve është mbrojtja që ata ju bënë hebrenjve në periudhën kur të tjerët mbushnin trenat për t’i çuar në furrat e gazit apo të djegies.

Shqiptarët, për hir të së vërtetës duhet thënë, qeveria dhe qytetarët, jo vetëm qytetarët, por dhe qeveria, i mbrojtën. Në këtë aspekt, pa diskutim që Shqipëria ishte atdheu i tyre i dytë.

Ç’ka kuptuar ai me atë, askush nuk mund të thotë. Por ky akt i shqiptarëve në periudhën e gjenocidit, mbetet dhe do të shndrijë e do të shndrijë gjithmonë në histori, në marrëdhëniet midis dy kombeve, dy vendeve.

Ambrozia Meta, SYRI TV: Edhe një pyetje të fundit. Nga këto zhvillime kemi harruar një çështje tjetër. SPAK i ka komunikuar akuzat Belinda Ballukut, por deri në këto momente ende nuk ka ardhur një kërkesë në Kuvend për arrestimin e saj. Ju mendoni se SPAK do ta dërgojë këtë kërkesë, do ta përsërisë pra kërkesën për arrestimin e Ballukut, apo ajo është amnistuar?

Sali Berisha: Po ju e shihni që nuk e ka dërguar në parlament. SPAK është nën kontrollin e Edi Ramës.

A ka gjë më absurde? I sapodiplomuari për drejtësi Metaj, që bëhet simbol i protestës, si Rambo u përball me shtatë narkopolicë, narkobanditë, është urdhëruar për arrest shtëpie, kurse Lubia ecën e qetë në bulevard, emëron e ç’emëron zyrtarë.  Linda, jo Linda e Surrelit, por kjo Linda e akuzës si motra e saj, në arrest shtëpie.

Ky institucion është në kontrollin e plotë të Padrinos.

Unë u them ju, që në themel të kësaj që shihni, sigurisht është Edi Rama kryesori. Por ata janë të dytë me përdorimin e ligjit në mënyrën më politike në mburojë të tyre.

Në qoftë se dosjet e Peshkopisë dhe Durrësit, të cilat janë dosje të marra të ndërtuara në përputhje të plotë me Kodin e Procedurës Penale (regjistrimet janë bërë me vendim gjykate e të tjera e të tjera), do të ishin penalizuar autorët, Shqipëria do kishte pasur zgjedhje të lira.

Po çfarë është ajo? Ajo është një licencë, e kam thënë shumë herë, mosndëshkimi i krimit elektoral është licencë për qeverinë dhe partinë e krimit për të rrëmbyer zgjedhjet.

Kështu që nuk e ka dërguar. Problemi është se Edi Rama është në fundin e tij.

Për këtë i them edhe një herë: përgatitu se s’ke parë gjë akoma!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale