FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË KUVENDIN KOMBËTAR ‘RIPËRTËRITJA‘
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij të mbajtur në Kuvendin Kombëtar ‘Ripërtëritje’, para delegatëve dhe të ftuarve ndërkombëtarë artikuloi prezantoi drejtimet kryesore të programit të partisë. Berisha e nisi fjalën duke përshëndetur të ftuarit ndërkombëtarë dhe duke theksuar lidhjet historike të Partisë Demokratike me partnerët e saj politikë.
‘I dashur Bob, 35 vite më parë rrëzuam një diktaturë, tani do përmbysim edhe diktaturën e Edvin Ballukut’, deklaroi ai, duke iu drejtuar këshilltarit konservator Bob McEëeen. Ai vlerësoi gjithashtu përfaqësues nga parti simotra evropiane, duke theksuar bashkëpunimin e gjatë me ta: ‘Është nder i veçantë për ne të kemi një mik si ju… ne u jemi shumë mirënjohës për praninë tuaj sot në këtë kuvend.’
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi qeverinë për kapje të institucioneve dhe tentativë për dobësimin e opozitës. ‘Ndaj dhe nisëm së bashku një udhëtim të vështirë. Edi Rama vendosi si moral të regjimit të tij moralin e etërve të tij xhelatë’, u shpreh ai. Duke theksuar se Partia Demokratike nuk është për ‘treg politik’, Berisha tha: ‘Kjo parti nuk blihet, nuk shitet dhe nuk mposhtet kurrë.’ Ai shtoi se opozita ka kaluar një periudhë të vështirë izolimi politik, por sipas tij është rikthyer fuqishëm në skenën ndërkombëtare. ‘Në dy vite, nga forca më e izoluar e planetit ne u shndërruam në forcën politike më të mbështetur.’, theksoi Berisha.
Në pjesën programore të fjalimit, lideri i demokratëve Sali Berisha u fokusua tek ekonomia, pagat dhe pensionet, duke premtuar ndryshime të thella në rast të ardhjes në pushtet. ‘Minimumi jetik, dyfishim dhe trefishim i pensioneve. Objektivi ynë është që Shqipëria të dalë në krye të rajonit për rroga dhe pensione’, tha ai. Ai shtoi se qeveria e ardhshme e PD-së do të ketë fokus edhe tek familjet dhe të rinjtë: ‘Siguroj vogëlushët e Shqipërisë se kujdesi i parë do jetë për ta… Të rinjtë shqiptarë kanë vetëm një qëllim: ëndrra e tyre të ndërtohet në Shqipëri.’
Gjatë fjalimit, kreu i PD-së Sali Berisha foli edhe për lidhjen e qeverisë me krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe luftën që do të bëjë Partia Demokratike ndaj tij. ‘Zero tolerancë ndaj krimit. Ne do ta shtypim krimin siç e kemi provuar. Kudo që ndodhet’, deklaroi Berisha. Ai theksoi gjithashtu nevojën për reformim të policisë dhe institucioneve të drejtësisë: ‘Do pastrojmë policinë nga elementët e lidhur me narkotrafikun dhe do shihni sa burra dhe gra të ndershëm ka brenda saj.’
Kryedemokrati Sali Berisha prezantoi gjithashtu një vizion për modernizimin e Partisë Demokratike Partia Demokratike e Shqipërisë, duke përmendur përdorimin e teknologjive të reja. ‘Do përdorim inteligjencën artificiale, dixhitalizimin dhe blockchain për transparencë maksimale dhe shërbim më të shpejtë ndaj qytetarëve.’ Ai propozoi riorganizim të brendshëm të partisë dhe forcim të strukturave bazë: ‘Partia Demokratike është partia e seksionit. Do rikthehemi tek seksioni për fuqizimin e tij.’
Gjatë fjalimit të tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha foli edhe për përfshirjen e të rinjve dhe grave në politikë. ‘Të rinjtë janë energjia, gratë janë shumica intelektuale e kombit sot. Ne duhet të ridimensionojmë rolin e tyre në të gjitha nivelet’, tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi gjatë fjalës së tij, se integrimi europian mbetet objektiv strategjik i PD-së, por duhet të bazohet në meritë. ‘Ylli ynë polar është integrimi europian i Shqipërisë, por ai duhet të bazohet para së gjithash në meritë’, u shpreh ai. Berisha e përqendroi mesazhin tek koncepti i ‘ripërtëritjes’: ‘Ripërtëritje, ripërtëritje, ripërtëritje! Ky mesazh mbart shpresën e pashuar të shqiptarëve. Shpresa është forcë, forca është shpresë! Fitore!’

FJALA E PLOTE:
Të dashur miq, përfaqësues të partive politike simotra.
I dashur miku im i viteve ’90 e gjer sot, kryetar i Këshillit Kombëtar, këshilltar për veprimin konservator pranë zëvendëspresidentit JD Vance, Bob McEëeen, është nder i madh që je sot midis nesh.
I dashur Bob, 35 vite më parë përmbysëm një diktaturë, diktaturën më oruelliane të Evropës së bashku, tani do përmbysim diktaturën e Edvin Ballukut, diktaturën më të shëmtuar midis diktaturave autokratike.
Është nder të përshëndes praninë këtu të përfaqësuesit të Neo Demokracisë, parti mike, deputeti Giogiakos, me lidhje të forta që nga takimi i parë në janarin e vitit 1991 me kryeministrin Kostandin Micotaqis dhe vazhdojmë me të birin, Qirjako Micotaqis, ne jemi krenarë për bashkëpunimin dhe miqësinë me ju.
I dashur zoti Kovacki, përfaqësues i partisë mike VMRO-DPMNE, në një bashkëpunim të gjatë, të frytshëm, të suksesshëm midis dy partive dhe dy vendeve tona, u falënderoj shumë për praninë tuaj.
I dashur Volkmar Klein, mik i çmuar i PD, demokracisë dhe Shqipërisë.
Është nder i veçantë për ne të kemi një mik si ju, u falënderoj shumë për praninë tuaj sot në këtë kuvend.
I dashur Thomas, një mirënjohje të veçantë për ju, mik i ditëve të vështira, për ndihmesën tejet të çmuar që i dhe PD, për fjalën që thatë, por edhe për bashkëpunimin në dekada që PD ka pasur me Bashkimin Kristian Demokrat gjerman dhe Fondacionin Adenauer, ne u jemi shumë mirënjohës partisë tuaj dhe fondacionit.
Të dashur delegate dhe delegatë, të ftuar, të pranishëm në këtë Kuvend, secili nga ne në këtë moment, në mënyrë eksklamative mund të shtrojë pyetjen: çfarë rrugëtimi, çfarë maratone e jashtëzakonshme e maratonomakëve si ju.
Më kujtohet sot kur hodhëm hapat e parë në këtë mision pesë vite më parë në Kuvendin Kombëtar të 21-shit, kur rithemeluam PD-në.
Unë e dija mirë se kishim një rrugë të vështirë, na prisnin beteja të egra.
Unë njihja mirë narkoshtetin që ishte instaluar në Shqipëri.
Por miq, në karrierën time politike dhe në jetë, kam bërë gabime, kam pasur një avantazh të madh, nga vitet e rinisë gjer sot gjithnjë kam ruajtur të paprekur bindjen se jashtë teorisë së gabimit kurrkush nuk del.
Ndaj dhe gjithnjë jam përpjekur t’i korrigjoj ato.
Por duhet t’u them sot, se në një gjë nuk kam gabuar, dhe ajo çka unë nuk kam gabuar kurrë, nuk kam gabuar në besimin ndaj jush.
Jo!
Nuk kam vendosur kurrë në jetën time në dyshimin më të vogël besimin tek ju, karakterin tuaj të fortë, idealet tuaja, vendosmërinë tuaj, përkushtimin tuaj.
Ndaj dhe nisëm së bashku një udhëtim të vështirë, në një moment kritik pasi për dekada kishim bërë shumë përpjekje për të forcuar pluralizmin, për të konsoliduar demokracinë.
Kishim edhe arritjet tona, të mëdha, të pamohueshme.
Por erdhi një moment kur Edi Rama vendosi si moral, si platformë të regjimit të tij moralin dhe platformën e etërve të tij xhelatë.
Ndërmori sulmin për asgjësimin e PD-së, për shndërrimin e saj në opozitë fasadë, për blerjen e saj.
Por gaboi.
Nuk është për treg kjo parti.
Kjo parti është për moral.
Kjo parti është për ideale.
Kjo parti është për vlera.
As nuk blihet, as nuk shitet.
As nuk mposhtet kurrë.
Ndaj dhe u ngritëm.
U ngritëm në një kohë kur dukej se edhe tokën, edhe qiellin e kishim kundër nesh.
Por u ngritëm në atë kohë se ishim të pathyeshëm në besimin tonë tek e vërteta.
U ngritëm, na e imponuan, jo se deshëm, por midis të gjithave, ne zgjodhëm të mbrojmë të vërtetën.
Ndaj dhe ju, uleni sot këtu krenarë, ju dhe çdo demokrat, krenarë sepse vini në këtë sallë dhe kudo që jeni, gardianë të pluralizmit politik në Shqipëri.
Gardianë të sovranitetit të kombit shqiptar.
Gardianë të pamposhtur të vlerave të lirisë, të dinjitetit njerëzor.
Narkodiktatori, i mbështetur i fuqishëm nga monstra e njerëzimit, Xhorxh Soros, bëri gjithçka të eliminonte PD-në.
I mori vulën, i mori flamurin, ia hoqi emrin, i privoi të gjitha financimet dhe kjo vetëm e vetëm në mënyrë që ta ndrynte atë në banesën e harresës së historisë.
E izoloi përkohësisht nga mbarë bota.
Por ne, në ligjin tonë më themelor, që sa herë rrëzohemi, ngrihemi përsëri, vazhduam betejën tonë.
U ngritëm në Shkodër, Shkodra bastion i përjetshëm i mendimit të lirë.
U tmerrua.
Bastardi i xhelatëve bllokmenëve hoxhistë mori logo, flamur dhe çdo gjë tjetër.
Përsëri, 500 mijë shqiptarë u rreshtuan prapa nesh.
500 mijë shqiptarë shprehën besimin, njerz të lirë, njerëz me dinjitet, njerëz atdhetarë, njerëz sovranistë.
Dhe ky vazhdoi betejën jo vetëm, por i mbështetur edhe nga mafia ndërkombëtare.
Në vit elektoral arrestoi dhe ndoqi penalisht njëlloj si Lukashenko i Bjellorusisë, njëlloj si Zaedi i Tunizisë liderët e partive kryesore opozitare.
Mendoi se gjeti paqe.
Por rrugën e shpresës ia shndërruam në rrugën e tmerrit.
Dritaren e rrugës ia shndërruam në prozhektor që e verbonte.
Çdo natë, zëri ynë ushtoi në mbarë Shqipërinë.
Ne mbronim një kauzë të drejtë.
Nuk ka kauzë më të madhe, më të drejtë se kauza e pluralizmit për një komb.
Një komb pa pluralizmin, sovranitetin e ka të rremë.
Nuk ka sovranitet sepse i gjithë pushteti shkon tek diktatori, dhe diktatorët kanë vetëm një qëllim, lëkurën e tyre, pasurimin e tyre.
Pra, ne ishim në të drejtën tonë.
Përjetuam edhe një izolim të pashembullt.
Enver Hoxha zgjodhi vetë izolimin, kurse Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare pati një sukses të përkohshëm në izolimin tonë.
Megjithatë pati miq të çmuar, ju e patë, Elmar Brok u foli ju nga dritarja.
Miq të tjerë që nuk u pajtuan dhe PD me shpejtësi rivendosi lidhjet me organizatat ndërkombëtare që u përkiste.
Në dy vite, nga forca më e izoluar e planetit ne u shndërruam në forcën politike më të mbështetur që ka pasur Shqipëria ndonjëherë.

Tetë rezoluta nga organizatat më të mëdha politike ndërkombëtare.
Partia Popullore, Bashkimi Ndërkombëtar i Demokraciasë, Ndërkombëtarja e Qendrës Demokratike.
Në të gjitha këto rezoluta mbështetej fuqishëm beteja jonë për liri dhe dinjitet, për vlera, për mbrojtje të pluralizmit.
Vlerësohej lart qëndrimi ynë.
Në të gjitha këto rezoluta denoncohej narkodiktatori i Shqipërisë njëlloj si Zajedi i Tunizisë.
Denoncohej farsa zgjedhore e tij.
Denoncohej korrupsioni i papërmbajtur dhe i çmendur i qeverisë së tij.
Përqendrimi i të gjitha pushteteve në duar.
Në të gjitha këto rezoluta ranë sirenat ndërkombëtare mbi regjimin e Tiranës.
Ndaj dhe unë sot këtu para jush dua të shpreh një mirënjohje të pakufishme Partisë Popullore Evropiane, presidentit Veber dhe Sekretares së Përgjithshme, Montserrat.
Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar dhe presidentit Stefan Harper dhe Tina Merets, Sekretares së Përgjithshme.
Internacionales së Qendrës së Djathtë, presidentit Postrana dhe Sekretarit Ekzekutiv Isturiz.
Të falënderoj edhe miqtë e tjerë.
Falenderojmë shumë Parlamentin Evropian, Komisionin e Jashtëm, kryetarin e tij, zoti Mekalister për misionin faktmbledhës që solli në Shqipëri.
Falënderoj miqtë tanë, deputetë, politikanë nga Italia, Gjermania, Kroacia, Greqia, vende të tjera.
Veçanërisht Suedia, Fondacionin Hajlamstrom dhe presidentin e tij Gustavson.
Institutin Republikan Amerikan dhe Institutin e Lidershipit.
Ndihma e tyre në ditë të vështira për ne ishte e jashtëzakonshme.
Por edhe ju e keni justifikuar plotësisht me dinjitet atë.
Nuk do ndalem në këto zhvillime të shkuara, këto na shërbejnë ne vetëm e vetëm për të ditur se ku po shkojmë.
Këto janë kapituj të mbyllur.
Këto janë dëshmi të një force politike që nuk pranoi kurrë të dorëzohet, aq më pak të asgjësohet.
Të një force politike që qëndroi me çdo çmim për të mbrojtur pluralizmin.
Ndaj dhe do ta mbyll këtë kapitull duke u thënë ju, të gjithëve këtu, të gjithë demokrateve e demokratëve që nuk janë këtu me ne, se të gjithë keni nga një emër të përveçëm, të gjithë keni ndonjë shkurtim ledhatues, të gjithë keni nofkat familjare, por të gjithë keni një emër të përbashkët dhe ky emër i përbashkët e farkëtuat vetë, emri juaj i përbashkët është: të pamposhtur.
Ndaj dhe ne, në rrugën tonë, patëm rrugë të gjatë, të mundimshme.
Kur e nisëm, fitorja askund nuk vegonte në horizont.
Por unë u jap fjalën e nderit se kurrë nuk do merrja përsipër t’u drejtoja ju po të mos besoja tek fitorja.
Dhe besimi tek fitorja buronte nga guximi juaj.
Buronte nga vendosmëria juaj.
Buronte nga atdhetaria juaj, nga dashuria juaj për këtë vend.
Ndaj dhe për ta mbyllur këtë kapitull, unë dua të përulem me nderim para jush për veprën tuaj.
Me nderimin më të thellë dhe të shpreh bindjen se këto që kaluam ne na kanë farkëtuar ne për një betejë të re të fuqishme për të përmbysur Ramaduron e Evropës.
Ne vijmë sot në këtë Kuvend si forcë politike që përmbushëm një nga premtimet dhe detyrimet tona më kryesore, mbrojtja e votës.
Në betejën tonë jemi përballur jo vetëm me qeverinë mafioze më të rrezikshme në Evropë, por jemi përballur me mediat e kontrolluara prej saj, të cilat 24 orë mbi 24 orë, njëlloj si në diktaturat totalitare, armikun e brendshëm demonizojnë opozitën.
Njëlloj.
Me mediat, të cilat fjalën e lirë e shndërrojnë në mashtrim.
Fjalën e lirë e shndërrojnë në trillim për të mbrojtur qeverinë.
Për çka ajo i paguan me taksat e vjedhura nga taksapaguesit.
U përballëm me kartelet e drogës.
Dhjetëra qindra prej jush, në qytetet ku ato sundojnë, ku bëjnë ligjin, ishit armiq të tyre.
Pra, i kapërcyem të gjitha këto.
Sot nuk jemi më forca politike që lufton në mbrojtje.
Jo, sot jemi forca politike në kilometrin e fundit, në kilometrin që ecim drejt fitores.
Në këtë kilometër të fundit të kësaj maratone, ne kemi detyra shumë të rëndësishme, detyra dhe detyrime kapitale.
Detyra jonë numër një që ua kemi borxh demokratëve dhe shqiptarëve është ripërtëritja.
I kapërcyem të gjitha barrikadat që na vunë përpara.
E futëm në rrethin e kuq narkodiktatorin.
Diku e thërrasin Ramaduro, të tjerë e thërrasin Edi Balluku.
Kurse ne do e largojmë atë me çdo çmim nga pushteti.
Demokrate e demokratë, ja ku jemi këtu, t’u themi shqiptarëve se për ne, njerëzit që adhurojnë kombin dhe flamurin e tij, për ne, flamuri kombëtar do mbetet në gjysmështizë gjersa flamuri i votës së lirë të shqiptarëve të valëvitet krah tij.
Beteja jonë është betejë për flamur, është betejë për dinjitet kombëtar, është betejë për lirinë e shqiptarëve.
Ndaj dhe ripërtëritja e partisë është dhe duhet të jetë vepra jonë madhështore.
Duhet të jetë vepra jonë për të ripërtërirë nesër Shqipërinë.
Duhet të jetë vepra jonë për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë.
Ripërtëritja e PD parakupton para së gjithash vizion.
Por ka program më madhështor se programi ynë?
U garantoj se nuk ka program më madhështor.
Por ky program bombardohet çdo minutë, çdo orë nga mediat e qeverisë, të cilat përsërisin në sintoni se PD nuk ka program.
Kush nuk ka program?
Si nuk ka program partia e ëndrrave të shqiptarëve?
Pa kthehemi pak mbrapsht, a nuk ishte ëndërr anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës? Kush e bëri realitet?
A nuk ishte ëndërr Rruga e Kombit? Kush e bëri realitet?
A nuk ishte ëndërr heqja e vizave, arritja e jetës e shqiptarëve? Kush e bëri realitet?
A nuk ishte ëndërr anëtarësimi i Shqipërisë në NATO? Kush e bëri realitet?
Kush e thotë se demokratët nuk kanë program, e thonë ata të cilët nga mëngjesi gjer në darkë mbajnë ison që u rrëmbeu ëndrrat shqiptarëve, e partisë që u shkelmon ëndrrat shqiptarëve, e partisë që e la Shqipërinë pa ëndërr, partisë së krimit.
Ne jo, ne me vizionin tonë do bëjmë që veprat që përmendem më parë të duken të mesme në krahasim me ato të tjerat.
Por së pari do të japim përgjigjen vendimtare varfërisë së skajshme në këtë vend të bekuar, vend me pasuri natyrore dhe pasuri të tjera më të mëdha se çdo vend tjetër për kilometrat që ka.
Ndaj dhe rikthemi tek ata të cilët numërojnë kafshatën.
Minimumi jetik, dyfishim dhe trefishimin e pensioneve, me një objektiv, unë nuk them se do kapim Gjermaninë, se do kapim Italinë apo Francën, por them se do të dalim në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet sepse kemi qenë, sepse ishim.
Pra, vizioni ynë është shqiptarët më të paguarit dhe i garantoj të gjithë rrogëtarët në këtë vend se ata do paguhen më mirë se të gjithë të tjerët në këtë rajon.
Siguroj vogëlushët e Shqipërisë se sot në këtë narkoregjim, në këtë diktaturë autoritare janë viktimat më të shumta dhe më të pafajshme se kujdesi i parë dhe më i madh do jetë për ta.
Se me pagesat për fëmijët dhe minimumin jetik, asnjë fëmijë nuk do jetë i kërcënuar në Shqipëri. Jo!
Jo vetëm fëmijët, por nënat, merr fund gjysmërroga me lejet e lindjes. Rrogë e plotë për të gjithë periudhën.
Të rinjtë shqiptarë, PD me programin e saj ka vetëm një qëllim dhe ndër më kryesorët, ëndrra e tyre të ndërtohet në Shqipëri.
Por që ëndrra e tyre të ndërtohet në Shqipëri, ata duan studime, duan punësim, duan strehim.
Ne zotohemi në përparësi absolute në qëndrimin ndaj tyre.
Fermerët, që tani braktisin pasivisht fermat e tyre nga falimentimi, i garantoj se ata të cilët japin 20 përqind të prodhimit të këtij vendi dhe marrin vetëm 0.19 përqind sikur të ishin skllevër të shekullit të 19-të, do kenë mbështetje dhe subvencionet e shtetit të nivelit më të lartë, katër-pesë herë më të larta të nivelit më të lartë që ekzistojnë në rajon.
Pa dyshim, ekonomia në vizionin tonë do të jetë themeli i programit.
Miq, ne themeluam në Shqipëri ekonominë e tregut.
Ne bëmë shumë gjëra për lirinë e tregut.
Ne jemi forca politike e barrës fiskale më të ulët në Evropë dhe do mbetemi të tillë.
Ne do shkatërrojmë ekonominë e tregut dhe do rivendosim ekonominë e tregut.
Edi Rama me lobistët e tij të korruptuar përpiqet ta qortojë, pse flasim për narkoekonomi, pse flasim për narkoshtet.

Cilitdo shqiptari të ndershëm, cilitdo miku të Shqipërisë i kërkoj njerëzisht të kontrollojë, në cilin shtet në planet euro dhe dollari kanë thyer qafën më shumë, kanë rënë për tokë më shumë? Mund të mendojnë se ajo është Kolumbia. Mund të mendojnë se është Peruja. Jo, apo Meksika. Jo, jo! Shqipëria! Shqipëria e Rama-Dushkut, ka një rënie 32% të euros dhe dollarit. Një goditje fatale e eksporteve, kurse Meksika e ka vetëm 17%.
Ne insistuam dhe u thamë miqve, partnerëve tanë se Edi Rama zgjedhjet i ka shndërruar në farsë. Dhe ua faktuam! Janë dy libra me 2500 faqe, me fakte, dokumente, video që tregojnë shëmtinë e farsës elektorale në Shqipëri. Ne nuk tërhiqemi!
Ne do u faktojmë miqve tanë, se kjo është një narkodiktaturë, se ekonomia e Shqipërisë po shkatërrohet nga droga, se treguesi i ndërtimit, tre herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, është tregues i kokainës, se kullat që shihni në Tiranë janë monumente të shëmtuara të kokainës dhe drogës. Pra, edhe këtë betejë do e fitojmë ne!
Dhe këtë betejë nuk e bëjmë vetëm për veten tonë. Jo! Këtë betejë e bëjmë për çdo qytetar të lirë të Europës dhe të botës. Po po! Shqipëria është eksportuesi kryesor i krimit. Është eksportuesi i parë i kanabisit.
Shqiptarët e Edi Ramës, të lidhur me Edi Ramën, janë transportuesit kryesorë të kokainës nga Europa… nga Amerika Latine në Europë. Ata kontrollojnë portet e Durrësit, kontrollojnë vendin. Ata marrin vendime për gjithçka. Zero tolerancë! Me forcën e ligjit do ta shtypim krimin siç e kemi provuar. Kudo që ndodhet, në Tiranë, në Shqipëri, në Ekuador, në Bolivi, në të katër anët, në Britaninë e Madhe, në Gjermani dhe kudo!
Këto banda, këta kriminelë do të japin llogari për krimin e shëmtuar që kryejnë ndaj Shqipërisë dhe kombeve të tjera. A e kemi faktuar ne këtë? E kemi faktuar ne këtë.
Ne në qeverisjet e mëparshme në 18 muaj i vumë para ligjit bandat më gjakësore. Ai fat i pret!
Dje më thoshte një mik, një publicist i njohur amerikan me interesa shumë të veçanta në rajonin… Si do t’ia bëni? Si do t’ia bëjmë thashë? Po ta themi, thashë. Në 2005 e shpallëm si zotim kryesor zero tolerancë ndaj krimit. Dhe natyrisht gazetarët, qytetarët më pyesnin, po me se do i luftosh këto banda?
Dhe unë u përgjigjesha, me policinë! Dhe tani prapë po të më pyesin, me policinë them prapë.
Atë kohë, i them mikut tim, tre katër oficerë të lartë të policisë më kërkuan takim. Erdhën në zyrë dhe më thanë zoti kryeministër ne këtyre banditëve u dalim përballë shumë mirë. Por kemi vetëm një kërkesë. Urdhëro, u them unë. Kur ne ta nisim betejën, askush mos na pengojë.
Shikoni miq se cili ishte politika.
Bashkë me banditët do shkojnë dhe politikanët që i kanë bërë ata të tillë. Po! Shtëpia do pastrohet! Shtëpia do pastrohet! Dhe unë ju jap fjalën pasi të pastrojmë policinë nga narkotrafikantët, do shihni ju se sa burra dhe gra, trima dhe guximtarë ka mes tyre, që janë të gatshëm t’i bëjnë zap këta kriminelë kudo që janë dhe kriminelët me kollaro që i frymëzojnë ata.
Ripërtëritja jonë është lufta kundër korrupsionit. Ne do bëjmë çdo gjë për zbatimin… ligjin e konfliktit të interesit që Edi Rama e ka përjashtuar.
Do bëjmë gjithçka për transparencën.
Miq, ku jemi sot?
Ju jeni dëshmitarë se 2005-2013 u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë prej tyre autostrada, tunele, superstrada e të tjerë. Të jemi të sinqertë, i ndërtuan kompanitë më të mëdha të Europës dhe Shteteve të Bashkuara.
Ato i ndërtuan. Po pse i ndërtuan ato, mendoni ju se unë diskriminoja shqiptarët? Jo kurrë! Po sepse ato sillnin ofertat më të mira dhe garantonin. Dhe ky ishte interesi i qytetarëve shqiptarë.
Shikoni rrugët e tyre të ndërtuara 13 vjet më parë dhe rrugët e kashtës së Rama-Ballukut se si shemben njëra pas tjetrës. Nuk ka ndodhur ndonjëherë, nuk është imagjinuar ndonjëherë që prokuroria të kërkojë heqjen e imunitetit të zyrtarit dhe kryeministri ta mbrojë atë.
Edi Rama mbron dosjen e tij. Edi Rama nuk mbron Lubinë, Edi Rama nuk mbron Lindat e tij se s’i ka për gjë asnjëra as tjetrën. Po mbron krimet e tij.
Tani, dua t’i them këtu. Ti mendon se i mbylle dosjen, po ne ato dosje s’t’i mbyllim kurrë! Jo absolutisht kurrë!
Tani… Edi Rama, beteja jonë do të jetë ajo që s’ke pa ndonjëherë. Je kapur si plaçkitës, si grabitës i votës. Je kapur si hajduti i pasurive publike dhe fondeve. Ke zero legjitimitet, zero legjitimitet, zero legjitimitet!
Ripërtëritja sigurisht është vizion. Por ripërtëritja është modernitet. Ne nuk e duam ripërtëritjen për veten tonë. Ne e duam atë për të ripërtërirë Shqipërinë.
Ndaj dhe ne, nga ky kuvend vendosim të ripërtërijmë Partinë Demokratike, ta ripërtërijmë, të modernizojmë Partinë Demokratike.
Ta shndërrojmë atë në partinë e të gjitha praktikave me të gjitha teknologjitë më të mira. Shikoni miq, e patë avatarin, Skënderbeu.
Çfarë ju erdhi në mendje? Sigurisht që Skënderbeu të frymëzon më shumë se çdo gjë tjetër, se po ta marrim këtë heroin tonë, të gjithë kombet kanë heronj. Po ky heroi ynë e ka një mesazh që nuk e ka asnjë komb tjetër.
Mesazhi i tij është që edhe i vetëm mos u dorëzo. Se ai fitonte betejat. Po, po e lamë me një anë këtë. Ta lëmë me një anë tani rikthehemi te avatari. Tek Skënderbeu avatar. Unë kushtova 100 dollarë, 100 euro. Diella, 4 milionë.
Shikoni miq, përdorimi i tmerrshëm i teknologjisë për të vjedhur këta nga Edi Rama dhe organizatat e tij kriminale. Jo, ne do përdorim teknologjinë për transparencën më maksimale. Do përdorim inteligjencën artificiale, dixhitalizimin, blockchain, në mënyrë që të jemi sa më afër qytetarit, në mënyrë që t’u përgjigjemi sa më shpejt, sa më saktë kërkesave të panumërta të qytetarëve dhe t’i japim fund sagës së mundimeve të tyre që i detyron ata të largohen nga Shqipëria.
Ndaj edhe ne atë që do bëjmë në Shqipëri nesër po ta bëjmë sot në veten tonë. Do modernizojmë partinë tonë. Dhe ky është një kusht, po një kusht tjetër është organizimi.
Partia Demokratike për t’u ripërtërirë ka nevojë për një riorganizim të plotë. Instituti Republikan, dhe unë e falënderoj me këtë rast drejtorin rajonal të këtij instituti me shumë mirënjohje, ka përgatitur një platformë të shkëlqyer të organizimit të Partisë Demokratike.
Së bashku do ta jetësojmë atë platformë në çdo aspekt të saj. Partia Demokratike është partia e seksionit, është partia e seksionit, partia e seksionit.
Ndaj edhe ne rikthehemi tek seksioni për fuqizimin e tij. Për fuqizimin e tij. Për armatosjen e tij me mjetet më të fuqishme të teknologjisë bashkëkohore në mënyrë që të përmbushë detyrat e tij.
Në këtë ripërtëritje dhe organizim, ne do bëjmë çdo gjë të hapim partinë drejt vlerave në të gjitha nivelet. Por do bëjmë një diçka tjetër shumë të rëndësishme, duke njohur problemet tona, defektet tona.
Ku janë? Ne duhet të ridimensionojmë me shpejtësi rolin e të rinjve dhe grave në Partinë Demokratike. Të rinjtë janë energjia, të rinjtë janë forca, të rinjtë janë gjithçka e çmuar për çdo forcë politike. Gratë janë shumica.
Shumica jo vetëm numerike. Jo, jo. E thashë një ditë në një mbledhje. Dua ta pranojmë, duhet të pranojmë realitetin. Janë shumica intelektuale e kombit sot. Lexoni testin e PISA-ss. Ka 15 vite që ai kuja e tyre del më e lartë se e burrave. Po çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se aty është një potencial i jashtëzakonshëm për t’u vënë në shërbim të shoqërisë. Dhe ne duhet të shohim pak si e kemi punën që nga ky kuvend. Duhet të shënojmë kthesën.
Duhet të ridimensionojmë rolin e grave, rolin e të rinjve dhe të vazhdojmë.
Të ecim të sigurt drejt objektivave tona.
Kilometri i fundit nuk është një kilometër i lehtë. Jo se them që është i lehtë. Në maratonë të gjithë e dinë se cila është pesha e kilometrit të fundit.
Por nuk ka kilometër më frymëzues se ai. Kur ke arritur aty, kur ke arritur aty në kilometrin e fundit, bota duket e jotja.
Ndaj edhe ne në këtë kilometër të ndërmarrim çdo vendim, çdo masë për ripërtëritjen e partisë.
Miqtë e mi, Partia Demokratike ka qenë lokomotivë e proceseve integruese dhe i numëruam më parë cilat kanë qenë.
Shiko çfarë arritëm ne. Ne, edhe nga izolimi, edhe mbrapa, me dritën e të vërtetës në duar dolëm që opinioni, jo vetëm opinioni publik me media po e po, por edhe opinioni zyrtar ndërkombëtar të ketë një qasje realiste për Shqipërinë.
A i patë ju, a i lexuat raportet e Parlamentit Europian dhe të DASH-it? Ato nuk i kemi shkruar ne. Ato i mbajnë të gjithë spektrin europian, por ato janë çështje që i kemi ngritur ne. Ato janë çështje që i kemi mbrojtur ne.
Edhe unë dua t’ju them këtu se ne qëndrojmë gardianë, ne qëndrojmë të pamposhtur në përpjekjen tonë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ylli ynë polar është integrimi europian i Shqipërisë. Por ky integrim, i cili në të cilin një peshë të veçantë të madhe ka faktori gjeopolitik, dhe ne e respektojmë, ai është një realitet, është një faktor natyror. Ky integrim ne besojmë se duhet të bazohet para së gjithash në meritë, në meritë, në meritë. A kërkohet nga Shqipëria dhe vendet që duan të integrohen kushte dhe kërkesa që cenojnë interesat e qytetarëve të këtyre vendeve?
Absolutisht jo. Përkundrazi. Kërkohen kushte dhe kërkesa që i bëjnë këta qytetarë më të lirë, sepse kërkohet të respektohen të drejtat e tyre. Që i bëjnë këta qytetarë më të begatë, sepse kërkohet të respektohet liria ekonomike, të funksionojë ekonomia e tregut, të funksionojë ligji.
Të respektohen të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve. Dhe jo me fjalë. Se po të pyesësh këtu, unë i përshëndes raportet që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.
I përshëndes se absolutisht… ju them vetëm një moment, ju lutem. Të kthehemi pak, të shkojmë në Himarë. Të shkojmë në Himarë ditën parazgjedhore bashkiake. Cilat ishin zërat dhe pozat shtazarake të Edi Ramës për të denigruar në shkallë ekstreme Fredi Belerin?
A i mbani mend apo jo? Po nuk ka shqiptar që i pranon ato.
A mund të pranohen ato? Ti imitosh kafshën për të denigruar një kandidat. Dhe ky… jo ne minoritetet i respektojmë. Çfarë respekton mor? Ti respekton vetëm xhepat e tu dhe të familjes tënde dhe paratë që vjedh me familjen tënde e asgjë tjetër.
Ndaj dhe ne, do ta shtojmë në çështje, e kemi pasur yll polar, dhe ju garantoj se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me përkushtim të madh do të ndërmarrë një seri nismash, me të cilat do të çojnë në ligje të gjitha kërkesat e raporteve të Parlamentit Europian dhe ODIHR-it, në përputhje me interesat e opinionit publik shqiptar.
Dua të përshëndes deputetët e Partisë Demokratike për qëndrimet e tyre. Ju siguroj se ata janë dhe do mbeten zëdhënës të shkëlqyer të interesave tuaja dhe të qytetarëve shqiptarë në Parlament.
Të dashur miq, ky Kuvend mbaron sot.
Dhe ju nga ky Kuvend, njerëzisht ju lutem, përveç entuziazmit, para së gjithash të merrni mesazhin e tij:
Ripërtëritje, ripërtëritje, ripërtëritje!
Ky mesazh mbart në vete shpresën e pashuar të shqiptarëve.
Shpresa është forcë, forca është shpresë! Rrofshi ju, rroftë Partia Demokratike, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!


