Berisha: Delegatët votuan për ripërtëritjen e PD, 30 përqind e Këshillit Kombëtar janë të rinj, 40 përqind janë gra! Kjo ndodh për herë të parë që nga themelimi i partisë

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi gjatë konferencës së sotme përbërjen e re të Këshillit Kombëtar të PD-së, pas përfundimit të numërimit të votave të delegatëve të Kuvendit Kombëtar të mbajtur më 30 maj. Berisha e cilësoi rezultatin si një hap historik drejt ‘ripërtëritjes’ së partisë. ‘Delegatët votuan për ripërtëritjen e PD,’ deklaroi Berisha, duke theksuar dy risi që, sipas tij, janë të parat e këtij lloji që nga themelimi i partisë.

Risia e parë lidhet me moshën e të zgjedhurve. ‘Rezulton se rreth 30 përqind e të zgjedhurve në Këshillin Kombëtar, i përkasin moshës nën 30 vjeç,’ tha kryedemokrati Sali Berisha, duke e cilësuar këtë ‘një investim jashtëzakonisht të çmuar’. Sipas tij, kjo përqindje ‘ka qenë gjysma e saj përpara’. Zhvillimi i dytë madhor i përket përfaqësimit gjinor. Berisha njoftoi se u arrit ‘përcaktimi statutor i rreth 40 përqind të përbërjes së Këshillit Kombëtar nga gra dhe vajza’, duke e quajtur këtë ‘një arritje të vërtetë’. Ai shprehu njëkohësisht keqardhje për kandidatet që, sipas tij, ‘meritonin plotësisht të ishin anëtare’, por mbetën jashtë për shkak të shpërndarjes së votave.

Lideri i demokratëve, Sali Berisha paraqiti edhe shtrirjen profesionale të anëtarëve të rinj: akademikë dhe pedagogë, juristë dhe avokatë, mësues dhe arsimtarë, ekonomi-financë, mjekësi-shëndetësi, si dhe biznes, media, inxhinierë dhe art-kulturë me përqindje më të vogla. Ky spektër, sipas tij, është ‘një premisë shumë e dobishme për përsosjen e vizionit tonë dhe përgatitjen për qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë’.

I pyetur nëse fryma e ripërtëritjes do të prekë edhe kryesinë e PD-së dhe nëse gratë do të kenë rol drejtues, ndoshta si nënkryetare, kryetari i PD-së Sali Berisha u përgjigj: ‘Unë shpresoj dhe besoj se po.’ Sipas tij, kjo frymë ‘do të vazhdojë dhe duhet të vazhdojë në të gjitha nivelet e tjera’.

Lidhur me fokusin e ardhshëm të partisë, kryedemokrati Sali Berisha tha se shtylla bazë mbetet ripërtëritja, e cila nënkupton ‘modernizim të të gjithë veprimtarisë së PD’ dhe ‘organizim të të gjitha strukturave’. Ai e mbylli duke ftuar anëtarët të nisin ‘betejën për rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve dhe zgjedhjet e lira’.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita.

Jam sot këtu pas përfundimit të numërimit të votave të të gjithë delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD të datës 30 maj, të paraqes para jush në vija të përgjithshme organin e dytë qendror të partisë, që është Këshilli Kombëtar i saj.

Me këtë rast duhet të përgëzoj të gjithë anëtarët e zgjedhur në këtë forum kryesor të PD.


Të falënderoj të gjithë delegatët për përzgjedhjet që bënë.

Të shpreh falënderimin tim të përzemërt për të gjithë ata që kandiduan për anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe të garantoj secilin prej tyre se pavarësisht nëse mori votat e duhura apo po, mbeten personalitete shumë të rëndësishme të PD.

Sikundër ftoj çdonjërin prej tyre që ka dyshimin më të vogël në procesin më transparent të numërimit të votave, i cili është bërë në prani të medieve dhe i hapur, t’i adresohet komisionit për të numëruar çdo votë të hedhur për të nga delegatët e Kuvendit Kombëtar.

Por kam kënaqësi të informoj se në këtë Kuvend, me përgjegjësi të plotë, delegatët votuan për ripërtëritjen e PD.

Dy risi janë madhore. Njëra është e sigurt, e para e kësaj natyre që nga themelimi i PD.

Tjetra mund të jetë e tillë.

Pas numërimit të votave, rezulton se 71 të rinj, pra rreth 30 përqind e të zgjedhurve në Këshillin Kombëtar, i përkasin moshës ndër 30 vjeç, i përkasin të rinjve dhe ky është një investim, do të thosha, jashtëzakonisht i çmuar që delegatët bënë për forumin drejtues të PD.

Kjo përqindje ka qenë gjysma e saj përpara dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv.

Një zhvillim tjetër madhor pozitiv, hap i rëndësishëm që Kuvendi bëri për gratë dhe vajzat.

Në mënyrë do të thosha shumë të rëndësishme u realizua ose u arrit përcaktimi statutor i rreth 40 përqind të përbërjes së Këshillit Kombëtar nga gra dhe vajza.

Them se kjo është një arritje e vërtetë, një arritje e madhe në pamje statistikore, por është reale sepse janë zgjedhur gra dhe vajza me kontribute reale, të çmuara në PD dhe ndjej keqardhje për ato që meritonin plotësisht të ishin anëtare të Këshillit, por shpërndarja e votave ka sjelle lënien e tyre jashtë Këshillit Kombëtar.

Megjithatë ato mbeten aktiviste të çmuara, personalitete të çmuara të PD.

Pra, kjo është pak a shumë shpërndarja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Janë akademikë dhe pedagogë 11.8 përqind e tyre.

Janë juristë dhe avokatë 9.7 përqind.

Ish-deputetë 8.9 përqind.

Mësues dhe arsimtarë 8.4 përqind.

Ekonomi financë 6.8 përqind.

Mjekësi shëndetësi 5.1 përqind.

Biznes 3.8 përqind.

Media e gazetarë 3.8 përqind.

Inxhinierë 3.8 përqind.

Art dhe kulturë 3.4 përqind.

Ish-kryetarë bashkie 1.7 përqind.

Arkitekturë dhe urbanistikë 1.7 përqind.

Diplomatë 1.7 përqind.

Ekspertë sigurie 1.3 përqind.

Të tjerë janë 5.1 përqind apo 12 persona.

Pra, siç e shihni ka një përfaqësim të gjerë të spektrit të profesioneve, një premisë shumë e dobishme për përsosjen e vizionit tonë dhe përgatitjen për qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë.

U uroj suksese të gjithë anëtareve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe i ftoj të nisim sa më shpejt betejën tonë për realizimin e objektivave, për përmbushjen e misionit tonë, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve dhe zgjedhjet e lira, fitoren e opozitës.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Anisa Kadesha: Zoti Berisha, a po e shikoni edhe mundësinë e frymës së ripërtëritjes edhe për kryesinë e PD, dhe a do ketë gruaja një rol të rëndësishëm në pozicionet drejtuese, ndoshta në pozicion nënkryetare?

Sali Berisha: Unë shpresoj dhe besoj se po. Kjo frymë ripërtëritje jashtëzakonisht jetike për PD, që u shpreh, që mori me votën jo vetëm për rezolutën që miratoi Kuvendi, por me votën për kandidaturat që u votuan për anëtarë, do të vazhdojë dhe duhet të vazhdojë në të gjitha nivelet e tjera.

Marsi Korreshi: Zoti Berisha, në përfundim të procesit të riorganizimit të plotë të PD, atë që ju e cilësoni si ripërtëritje, çfarë do ndodhë më pas me PD, cili do jetë fokusi i saj, aksioni i saj opozitar?

Sali Berisha: Në Kuvend ne shpallëm drejtimet më kryesore të punës. Shtyllë bazë ishte ripërtëritja, e cila nënkupton përpunim të vazhdueshëm të vizionit dhe programit tonë. Nënkupton modernizim të të gjithë veprimtarisë së PD.

Nënkupton organizim të të gjitha strukturave të saj.

Pra, PD ka një veprimtari shumëplanëshe tani, e cila shtrihet nga parlamenti, kryesia tek seksioni i saj.

Është një axhendë pune shumë ambicioze, por unë kam besim të madh se do përmbushet me sukses.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale