Berisha: Damani, krimineli në krye të organizatës kriminale Skapi i partisë, merr një rrogë 70 milionë lekë në vit. Askush nuk guxon t’ia përmendë Dumanit 3 apartamentet që siguroi gjer në vitin 2016

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka kujtuar ditën e sot ish-presidentin Bujar Nishani.  ‘Ne jemi të vendosur të luftojmë edhe për idealet e demokratëve që nuk jetojnë më, midis tyre ish-presidentit Bujar Nishani’, tha Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar.

Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar ashpër për shtyrjen e publikimit të censusit nga ana e INSTAT-it të qeverisë së Edi Ramës. Në fjalën e tij gjatë protestës maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha akuzoi drejtëpërdrejtë Edi Ramën se ‘ka 6 muaj që regjistron si të gjallë të vdekurit tanë’.

Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Edi Ramës. Sipas tij, ‘ky regjim sundon me familjet mafioze të Rrajave, Ndokës, Bajrëve, Avdylëve, Troplinëve, Dervishëve, Xhafëve, Ballës, Çelëve’.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar drejtuesin e SPAK, Altin Dumani se po amniston vjedhjet e Edi Ramës me Ndokën, me Rrajat, me Avdylët, me Çelët, me Bamët, me Dervishët, me të gjithë bandat.

Në fjalën e mbajtur në tubimin qytetar, kryetari i PD-së Sali Berisha tha se, askush nuk guxon ti përmendë drejtuesit të SPAK, Altin Dumani 3 apartamente të siguruara deri në vitin 2016.

Kryedemokrati Sali Berisha ka bërë thirrje që të qytetarët të vazhdojnë protestën para Bashkisë Tiranë kundër korrupsionit 100% të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe drejtorëve të tij në aferën 5D.

FJALA E PLOTE:

Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionarë të vërtetë të kauzës së drejtë, të dinjitetit njerëzor, shpresës, besimit dhe fitores së ardhshme.

Ju përshëndes përzemërsisht ju.

Përshëndes oratorët për fjalët e tyre në platformën e parlamentit të lirisë, që rrezatojnë shpresë dhe besim në të katër anët e vendit.

Miqtë e mi!

Sot ne nderojmë në përvjetorin e ndarjes nga ne, njërin nga personalitetet më të shquara, më besnike, më të virtytshme të PD, ish-presidentin Bujar Nishani.

Ne jemi të vendosur të luftojmë për idealet e demokratëve, por edhe për idealet e demokratëve që nuk jetojnë më, midis tyre ish-presidentit Bujar Nishani.

Miqtë e mi!

Edi Rama shtyu përsëri publikimin e regjistrimit të përgjithshëm të popullatës.

Sikur shqiptarët të mos ishin njerëz, por të ishin banorë të një pularie.

Të ishin banorë të një stalle.

Dhe ky armik i egër, ky Çubrilloviç i shqiptarëve, që shpopulloi këtë tokë më shumë se çdo pushtues tjetër, ka 6 muaj që regjistron si të gjallë të vdekurit tanë.

Ka 6 muaj që shndërron regjistrimin e popullsisë në regjistrat e Çiçikovit, një personazh i Nikola Gogolit.

Ka 6 muaj që përpiqet të fshehë krimin më makabër të kryer në histori ndaj kësaj toke, zhbërjen, shpopullimin e 1.1 milion shqiptarëve në qeverisjen e tij 10-vjeçare.

Miqtë e mi!

nuk ka akt tradhtie më të lartë se kjo. Nuk ka krim më monstruoz kundër shqiptarëve se ky.

Nuk ka shërbim më të madh ndaj armiqve të kombit se sa ky shpopullim.

Nuk ka ndëshkim mbi tokë që nuk meriton Edi Rama për këtë shpopullim të tmerrshëm që rendit Shqipërinë fill pas Sirisë.

Miqtë e mi!

Siria ka 10 vite në luftë të egër civile.

Kurse Shqipëria, shqiptarët edhe ata kanë 10 vite. Nuk përballen me ISIS-in, nuk përballen me diktaturën e Asadit, por përballen me formën më të keqe të diktaturës. Me diktaturën e krimit, drogës dhe vjedhjes së tyre.

Në qoftë se ka në historinë e kombit dhe në historinë e botës nj vërtetim absolut se diktatura e bandave, krimit, drogës dhe vjedhjes është forma më e egër e diktaturës, modeli, shembulli më autentik është Shqipëria nën sundimin e Edi Ramës.

Është Shqipëria që paraqitet para fëmijëve të saj, para bijave dhe bijve të saj si një tokë e ndaluar, për të mos thënë si një tokë e mallkuar.

Sepse në mallkim shndërrohen për ta pasuritë e saj.

Në mallkim shndërrohen për ta të ardhurat e saj.

Se ato vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen nga qeveritarët, nga Edi Rama, familja e tij, klani i tij.

Të dashur miq!

Ky regjim që ka shtrirë vellon e zezë të krimit në të gjitha skajet e këtij vendi me qeverisjen e tij.

Ky regjim që ka shtrirë pushtetin e tij të drogës në të katër anët e vendit.

Ky regjim që sundon me familjet mafioze të Rrajave, Ndokës, Bajrëve, Avdylëve, Troplinëve, Dervishëve, Xhafëve, Ballës, Çelëve, bandave të tjera.

Ky regjim i pamëshirë sa vetë pamëshirësia u thotë shqiptarëve çdo ditë se në këtë vend, në këtë tokë ju nuk keni vend. Ju duhet t’ia mbathni sa më parë.

Por a është Shqipëria një vend për t’u braktisur?

Jo dhe jo. Shqipëria është një vend për të luftuar dhe vdekur 100 herë për të.

Shqipëria është një vend që meriton çdo sakrificë.

Shqipëria është një vend që meriton çdo përpjekje.

Shqipëria është vend që meriton jetët tona.

Shqipëria është vend që meriton gjithçka!

Shqipëria nuk mund të dorëzohet barbarëve, nuk mund t’i dorëzohet hajdutëve, nuk mund t’i dorëzohet kriminelëve, nuk mund t’i dorëzohet vrasësve, qeveritarëve në pushtet.

Miqtë e mi!

Të gjitha këto kërkojnë vetëm një gjë, kërkojnë një betim të çdo shqiptari për të

marrë fatin e tij në dorë.

Dhe për të marrë fatin e tij në dorë do të thotë t’i thotë vetes se jam shqiptar dhe se do marr Shqipërinë në duart e mia.

Dhe se Shqipërinë nuk do ta lejoj kurrë të rrokulliset si as në kohën e pushtimeve të saj më të zeza.

Ndaj dhe koha, ora e saj fton shqiptarët për sakrifica.

Fton shqiptarët t’i rikthehen lajtmotivit kur ata kanë luftuar për liri.

Kur ata kanë sakrifikuar për liri.

Kur ata kanë hedhur mënjanë regjimet më të zeza, diktaturat më poshtëruese.

Miqtë e mi!

Të duket se asgjë në botë nuk pret oreksin e këtyre famëzive për të vjedhur çdo ditë pasuritë publike.

Asgjë në botë nuk pret lidhjet e tyre me botën e krimit.

Të dashur miq, vota juaj ka zero vlerë.

Vullneti juaj ka zero vlerë!

Sepse atë e vjedh Edi Rama me Ndokën, me Rrajat, me Avdylët, me Çelët, me Bamët, me Dervishët, me të gjithë bandat.

Dhe vjedhjen e tyre e amniston Altin 70-milionëshi.

Altin 70-milionëshi.

A e dini ju se ai Damani, një kriminel në krye të organizatës kriminale Skapi i partisë, merr një rrogë 70 milionë lekë në vit?

A mund të imagjinohet kjo? Merr në vit gati tre herë rrogën e presidentit të Republikës.

Dhe çfarë bën për të amnistuar vjedhjen, a dëgjuat ju të dalë qoftë një telefonatë e vetme nga mijëra telefonata të Edi Ramës, Belinda Ballukut, Erion Veliajt, Damian Gjiknurit, Pandeli Majkos, Fatmir Xhafës, Linda Nikollës, Ulsi Manjës, kriminelëve elektoralë që shkelmuan votat tuaja me bandat.

A nxori një telefonatë të vetme ky kriminel më i madh se secili prej tyre?

Sepse e thotë diku Viktor Hygo, midis atij që bën dhe atij që fsheh, 10 herë më i keq është ai që fsheh.

Ky është Altin Dumani, monstra e krimit në krye të Skapit që paguhet në vit 70 milionë.

Ky hajdut që në vitin 2016 kishte deklaruar tre apartamente.

O miq, ua them unë, me rrogë shteti në mënyrë absolute nuk ka shqiptar që mund të blejë jo tre, por edhe një apartament po nuk mori borxh ose kredi.

Në 30 vite kam pasur rroga presidenti, rroga kryeministri, kryetar opozite, kam arritur të blej 30 metër katrorë dhe banoj në një apartament i cili është 30 metra më i madh se ai që kisha në vitin 1987 kur banoja me familjen time.

Po nga i dolën këtij? Po këtë e mbrojnë hajnat.

Po ta vini re, nuk ia përmend kush, nuk guxon kush t’i thotë çerek fjale.

E lakojnë, e stërlakojnë, por 3 apartamentet gjer në vitin 2016, kur nuk merrte, jo, jo, në atë kohë merrte gjithsej 14 milionë lekë në vit, nuk merrte 70 milionë.

Pra, më thoni ju mua, cila është rruga?

Përballja, përballja, zemërimi, zemërimi, fitorja.

Ndaj dhe unë duhet të përshëndes qëndrestarët që rrethuan sot bashkinë.

Dhe i ftoj të vazhdojnë të betuar se Erion Velinë, këtë shpërfytyrim njerëzor në vjedhje, këtë njeri që nuk ka lënë mënyrë hajduti pa përdorur, nga vjedhjet 100 përqind tek qiraja e përjetshme.

Qiraja e përjetshme për 400 metër katrorë, i jep tjetrit në Surrel 1700 euro qira mujore se ka ndërtuar depon e ujit.

E kuptoni o miq, që në çmimin më maksimal, ajo tokë nuk kushtonte kurrë më shumë se 25 mijë euro.

Dhe në këtë mënyrë, çdo vit ndan me Qefalinë 20 mijë euro.

Turp o faqezi që nuk ke nder as nuk ke gjë. Do vjedhësh në çdo gjë.

Ti je njeriu më faqezi.

Ku ta shihni, gjuajeni me domate. Po u erdhi afër, pështyjeni në surrat.

Mos ia kurseni asgjë.

Edhe njëherë, përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjet më të pakufishme.

Ftesa ime për ju është të vazhdojmë betejën gjer në fitore.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale