Berisha: Çmimet në Shqipëri janë 7% më të shtrenjta se mesatarja e BE. Udhëtimi i Ramës dhe Begajt për në OKB, më i kushtueshmi

DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA

EKSTRAKT

Ditën e sotme në një deklaratë tëmbajtur për media Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, çmimet në Shqipëri janë 7 përqind më të shtrenjta se në mesataren e vendeve të BE.

Berisha tha se, këto çmime e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm dhe jetën të papërballueshme në Shqipëri.

Berisha deklaroi se, sipas statistikave zyrtare rritja e çmimeve paraqitet të jetë 11.5 përqind, ndërsa sipas statistikave reale është 13.5 përqind. Kjo rritje çmimesh godet masivisht pensionistët, të papunët dhe familjet në ndihmë ekonomike.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, ka vetëm një zgjidhje emergjente, dhe kjo zgjidhje është vendosja e minimumit jetik për të gjithë shqiptarët. Vendosja e minimumit jetik e llogaritur kjo nga Avokati i Popullit, dhe i përllogaritur me ndihmën e ekspertëve më të mirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë

Berisha tha se, vendosja e minimumit jetik prej rreth 200 euro për person është një akt që financiarisht përballohet pa asnjë vështirësi, dhe kjo mund të përballohet vetëm duke reduktuar abuzimet dhe vjedhjet në buxhetin e shtetit.

Për udhëtimin për në OKB të presidentit dhe Edi Ramës, Berisha tha se, ky udhëtim do të jetë njëri nga udhëtimet më të kushtueshme të përfaqësuesve të një shteti, 35 vetë ndodhen në delegacionet e tyre në Nju Jork.

Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë presionin më të madh ndaj deputetëve, në mënyrë që të votojnë në emër të interesave jetike të shqiptarëve në nevojë, ligjin për minimumin jetik.

DEKLARATA E PLOTË

Sirenat e dhimbjeve të skamjes, urisë dhe varfërisë po bien në çdo qoshe në të katërta anët e vendit. Shqiptarët çdo muaj përballen me rritje çmimesh.

Ushqimet sot në Shqipëri janë më të shtrenjta se në Itali, më të shtrenjta se në Greqi. Janë përafërsisht sa në Gjermani, dhe janë 7 përqind më të shtrenjta se sa në mesataren e vendeve anëtare në BE.

Rritja e çmimit të ushqimeve sipas statistikave zyrtare është 11.5 përqind, sipas statistikave reale është 13.5 përqind dhe kjo godet në mënyrën më të egër pensionistët, të papunët dhe familjet në ndihmë ekonomike.

Këto çmime e bëjnë Shqipërinë një vend të pajetueshëm, e bëjnë jetën të papërballueshme. Unë mund t’u them se 48 përqind e totalit të pensionistëve shqiptarë janë me pagesa të pjesshme.

Kështu, në vitin 2022 nga 481.420 përfitues të pensionist të pleqërisë 231.722 prej tyre janë me pagesë të pjesshme.

Shpallja që ka, ose vendimi i qeverisë për të sjellë ligjin në parlament për indeksimin e pensioneve në masën 8 përqind është absolutisht një hipokrizi në sensin që nuk indekson as inflacionin. Kjo përqindje është 3 përqind më e ulët se sa vlera zyrtare e inflacionit dhe 5.5 përqind më ulët se sa vlera reale e inflacionit.

Në të gjitha aspektet ka vetëm një zgjidhje emergjente, dhe kjo zgjidhje është vendosja e minimumit jetik për të gjithë shqiptarët.

Vendosja e minimumit jetik e llogaritur kjo nga Avokati i Popullit, dhe i përllogaritur me ndihmën e ekspertëve më të mirë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Pra, vendosja e tij sipas kësaj shifre është përgjigja e vetme e domosdoshme ndaj situatës alarmante të krijuar me rritjen e çmimeve të produkteve bazë të jetës së qytetarëve.

Në këtë konstekst, Partia Demokratike ka paraqitur, ka dorëzuar në parlament prej disa muajsh, ligjin për minimumin jetik. Ajo do bëjë të gjitha përpjekjet për votimin e kësaj ligji, i cili është plotësisht i përballueshëm.

KLSH ka gjetur se në një vit, qeveria ka vjedhur dhe shpërdoruar 130 miliardë lekë. Në qoftë se vetëm 40 përqind e këtij fondi do të mund të kursehej, minimumi jetik vendosej duke filluar nga muaji i ardhshëm.

Qendrimi ndaj këtij ligji dhe ndaj minimumit jetik është një gur prove për të gjithë deputetët e parlamentit, është një akt me të cilin ata dëshmojnë ndjeshmërinë ndaj zgjedhësve shqiptarë.

Por është edhe një ndjesë publike që ata u kërkojnë shqiptarëve për dyfishimin, për rritjen stratosferike të rrogave të deputetëve, akt i cili nuk mund të paqtohet në qoftë se nuk bëhen disa votime të rëndësishme në favor të qytetarëve.

Vendosja e minimumit jetik prej rreth 200 euro për person është një akt që financiarisht përballohet pa asnjë vështirësi.

Përballohet vetëm duke reduktuar abuzimet dhe vjedhjet në buxhetin e shtetit.

Mos harroni se udhëtimi për në OKB i Edi Ramës dhe presidentit të vendit, do të jetë njëri nga udhëtimet më të kushtueshme të përfaqësuesve të një shteti.

35 vetë ndodhen në delegacionet e tyre në Nju Jork.

Një numër i tillë i madh është më i pazakonti dhe do të thotë, po të keni parasysh se Edi Rama refuzoi të pranojë në Ismailin e tij, delegacionin e kryetarit të shtetit, do të thotë një shpenzim deri në gjysmë milionë euro nga buxheti i qytetarëve.

Po ky është vetëm njëri aspekt.

Vjedhjet e tyre janë të përditshme dhe të pafundme.

U bëj thirrje qytetarëve të ushtrojnë presionin më të madh ndaj deputetëve, në mënyrë që të votojnë në emër të interesave më jetike të shqiptarëve në nevojë, ligjin për minimumin jetik.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale