Berisha citon Papa Gjon Palin: Qytetar mos je i trembur, mos ki frikë. I thatë jo presionit, shantazheve të mafies së Xhorxh  Sorosit për një Shqipëri pa opozitë 

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur nga dritarja e banesës së tij, pas vendimit të paligjshëm të Gjykatës së Posaçme, duke cituar Papa Gjon Palin, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos tremben dhe të mos kenë frikë nga regjimi.

Në ditën e 7 të tubimit, Berisha u ka bërë thirrje studentëve dhe të rinjve që të bashkohen kundër këtij regjimi. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike, studentët paguajnë, tarifat, taksat dhe qeratë më të larta në Europë.

Në fjalën e tij për qytetarët, Berisha tha se Edi Rama e ka kthyer PS-në në një parti të krimit, ndërsa kërkoi nga rinia që të shkëputen nga orbita e indiferentizmit sepse kjo po i largon ata përditë nga Shqipëria.

‘Sot ai e ka katandisur partinë e krimit në një parti identike, mos më keq, se dikur Partia e Punës së Shqipërisë. Miqtë e mi, ato seli mbjellin, krim, drogë, vjedhje, janë selitë e krimit. Ndaj dhe thirrja ime për të rinjtë e këtij vendi, shkëputuni nga orbita e indiferencës sepse ajo orbitë po ju largon ju çdo ditë nga Shqipëria dhe Shqipëria çdo ditë vajton, lëngon, përlotet për të rinjtë e saj që nuk i ka më’, theksoi gjatë fjalës së tij për qytetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe një përshëndetje vëllazërore.

Ju shpreh ju sonte mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin tim më të madh.

Sonte në shi, në kushte të vështira ju dëshmuat se nuk ka asnjë pengesë para jush, në kthesën tuaj, në një betejë pa kthim kundër të keqes së madhe që po rrënon çdo ditë qenien e kombit dhe që quhet, Edi Rama dhe regjimi i tij.

Miqtë e mi!

Në rast se mendojmë se çfarë është shpresa, ajo është rrezja që shpon çdo errësirë, çdo tunel dhe që jep dritë udhës që duhet të ndjekim.

Në të vërtetë, shpresa sot jeni ju, me qëndresën tuaj, të cilët keni vendosur të përballeni me diktaturën. Jeni të vendosur që të qëndroni si opozitarë të pamposhtur, të mbroni liritë, të drejtat më themelore, dinjiteti njerëzor, nga narkoshteti i Edi Ramës që po rrënon çdo ditë Shqipërinë e shqiptarët.

Dy vjet më parë me instinktin tuaj të lirisë, në ndjesinë më fisnike të njeriut, të dinjitetit të tij, kur e patë se opozita me program po tradhtohej, se Shqipëria po dënohej me një opozitë aleate të Edi Ramës, u ngritët fuqishëm në kushtet më të jashtëzakonshme dhe i thatë jo, prerjes në besë të idealeve demokratike të shqiptarëve.

I thatë jo, presionit, shantazheve të mafies së Xhorxh  Sorosit dhe mafies ndërkombëtare. I thatë jo përpjekjes për një Shqipëri pa opozitë dhe rithemeluat opozitën e kombit shqiptar, e cila bëri gjithçka për të dalë në shesh, për të lënë mënjanjë çdo mashtrim dhe gënjeshtër dhe ju tha shqiptarëve të vërtetën, se sot për vullnetin, votën, dinjitetin tuaj, ju keni një armik po kaq të egër sa në diktaturën më të zezë të të shkuarës komuniste.

Dhe ky armik është Edi Rama.

Ju dolët në shesh të vendosur për të përmbysur murin e korrupsionit, të krimit të organizuar, për të hapur në këtë mënyrë me betejën tuaj epike, dyert e shqiptarëve për votën e lirë.

Ky reagim, kjo vendosmëri, kjo kthesë epike që morët ju, tronditi, tmerroi tiraninë, tmerroi bajlozët e krimit, regjimin e drogës, bandave, dhe vjedhjeve, dhe u hodh në sulm total kundër opozitës.

Me një akt të pashembullt mohoi çdo të drejtë deputetëve në parlament.

Edi Rama nuk mund të pranonte hetimin sepse ka firmën e tij të zezë në vjedhjen e shekullit. Është ai që përdori procedurë antiligjore për të vjedhur, qindra milionë dhe për ti përcjellë në kontot offshore.

Është ai, që përdori të gjithë pushtetin e tij për ti imponuar shkeljen e çdo ligji dhe rregulli me firmën e tij.

Është ai që në vjedhjen e dytë të shekullit që kalonte nga studio më studio televizive, me një gërshërë dhe pincë të thyer,mashtronte si halabak shqiptarët; se ja me çfarë operoheshit ju.

E bënte këtë  vetëm e vetëm, sepse e dinte që prapa mashtrimit të tij do të siguronte nga taksat tuaja, djersa juaj, qindra e qindra milionë euro të reja.

Edi Rama u tmerrua sepse opozita u ngrit dhëmbë për dhëmbë me të, kundër aferës së portit të Durrësit, parajsës së tij dhe të trafikantëve të drogës, duke u vjedhur shqiptarëve më së paku një truall që shkon miliarda Euro.

Edi Rama u tërbua, kaloi në aksion brutal kundër opozitës, sepse opozita denoncoi një e nga një të gjitha vjedhjet e thjeshtrës së tij me pushtetin e njerkut të artë.

Opozita u tregoi shqiptarëve se morali i tyre është vetëm një; vjedhja dhe vetëm vjedhja juaj.

Atëherë Edi Rama vendosi të kalojë na masa ekstreme, të akuzojë Sali Berishën për korrupsion sepse dhëndërri i tij ka marrë 410 metër tokë të trashëguar nga familja, mes 1 miliardë e 577 milionë e 400 mijë metra katrorë që morën mbi 510 mijë shqiptarë.

Edi Rama kërkon të mbrohet me dhunim të të drejtave, me mashtrime, trillime, por ne jemi këtu. Ne jemi këtu për ti thënë nga kjo rrugë, se Edi Rama nuk ke të ardhme, se vjedhjet, plaçkitja e Shqipërisë, e votës së lirë, se pushteti yt mbi krimin, drogën, do të jetë shumë shpejt para gjyqit të historisë.

Miqtë e mi, misionarë të vërtetë në kthesën e madhe historike.

Merita juaj është e jashtëzakonshme sepse ju tregoni se jeni djem, e vajza, burra e gra që i besoni të vërtetës, Zotit dhe Shqipërisë.

Nuk ka sot asgjë më jetike për Shqipërinë, se sa besimi juaj, besimi i të rinjve shqiptarë, burrave dhe grave të saj.

Censusi mbahet sekret. Ai tregon se nga 2.9 milionë në vitin 2013, sot nuk jemi as 1.5 milionë.

Ndaluni pak.

Kurrë në histori, një pushtim, luftë, epidemi nuk ka pakësuar, dërrmuar shqiptarët siç ka bërë regjimi i Edi  Ramës në këto 10 vite i bazuar në krimin, drogën, korrupsionin, vjedhjen e shqiptarëve.

Ndaj dhe le të bëjmë ne, të gjithë përpjekjet, të bashkohemi me çdo qytetar.

Unë u bëj thirrje këtu para jush, mbarë që duan lirinë; mos harroni kurrë se liria e tradhtuar është liri e pamerituar. Ndaj dhe qëndroni besnik idealeve tuaja.

Luftoni për liritë tuaja, dinjitetin tuaj, se së bashku ne ja dalim. Asnjë forcë në botë që të mposhtë idealet tona të lirisë nuk ka. 

Por kjo kërkon miqtë e mi, të vrasim frikën, kjo kërkon sot nga çdo i ri dhe e re, çdo shqiptar dhe shqiptare, të rikujtojë dhe njëherë armën me të cilën Papa Gjon Pali u bë Papa Liberator.

Në kulmin e territ të diktaturave komuniste ai ju drejtua besimtarë me një fjalë të vetme; mos je i trembur, mos ki frikë. Dhe ajo fjalë u shndërrua në shpatën e idealeve, me të cilat njerëzit e shtypur luftuan dhe përmbysën diktaturat komuniste.

Sot kjo fjalë është një kushtrim, është një apel për çdo shqiptar; të ngrihemi se këta bastardë, kriminelë, banditë, duken të fortë vetëm se nuk ngrihemi ne.

Në rast se ngrihemi ne janë të parët që ja mbathin, ikin dhe gjejnë vrimën e miut ku të futen.

Le të vazhdojmë me besim të plotë këtë betejë.

Ju dëgjoj shpesh me të drejtë të flisni për të huajt që na përkrahin, nuk na përkrahin.

Do të ju tregoj një gjë shumë të veçantë dhe mos e harroni kurrë.

Në 2 korrik të vitit 1990, të rinjtë, më të varfrit e kryeqytetit, në tërësi punëtorë, u vërsulën si luanë mbi muret e ambasadave, hynë në oborr të tyre, pra defakto shemb murinj e Berlinit në Tiranë.

Një diplomat gjerman që bëri gjithçka për suksesin e tyre, që bëri  gjithçka që shqiptarët të ndiqnin shembullin e tyre, dhe diktatura të kishte menjëherë fatin e diktaturave të tjera komuniste, shkruan se; unë nuk kisha mbështetje as te kolegët e mi në Tiranë dhe as te qeveritarët e mi në Bon. Dhe mbeta pothuajse i vetmuar.

Pra ju tregova këtë shembull se ne për tu mbështetur, duhet të sakrifikojmë shumë, duhet të tregojmë se jemi ne që vendosim për liritë tona.

Se jemi ne që nuk lejojmë kurrë një Shqipëri pa opozitë.

Se jemi ne që nuk pranojmë kurrë një diktaturë bande.

Se jemi ne që do të votojmë me çdo çmim të lirë dhe do të shikoni ju miqtë e mi, se si prozhektorët nga të katër anët do të vërshojnë mbi ne.

Ndaj dhe ne të bëhemi kështu, shpresa e vërtetë e shqiptarëve, drita e vërtetë e shqiptarëve, por të bëhemi gjithashtu një frymëzim për të gjithë ata  që vuajnë në diktaturat të cilat duan gjithnjë një vend pa opozitë.

Të shkërmoqim, të rrënojmë ëndrrën e Edi Ramës të Shqipërisë pa opozitë.

Edi Rama nuk e toleron opozitën, Edi Rama nuk e toleron kritikat, Edi Rama nuk e toleron mendimin ndryshe.

Sot ai e ka katandisur partinë e krimit në një parti identike, mos më keq, se dikur Partia e Punës së Shqipërisë.

Miqtë e mi, ato seli mbjellin, krim, drogë, vjedhje, janë selitë e krimit.

Ndaj dhe thirrja ime për të rinjtë e këtij vendi, shkëputuni nga orbita e indiferencës sepse ajo

orbitë po ju largon ju çdo ditë nga Shqipëria dhe Shqipëria çdo ditë vajton, lëngon, përlotet për të rinjtë e saj që nuk i ka më.

Le të themi ne tani; mjaft më, të rinjtë do të marrin në dorë fatin e shoqërisë shqiptare, fatin e Shqipërisë.

Të përballemi në një betejë, në të cilën ju garantoj se përballë nesh kemi kalbësira, dhe vetëm kalbësira.

U bëj thirrje studentëve, të bashkohen, të marrin kthesën e madhe për të përmbysur këtë diktaturë.

Sot ju në mbarë Europën ju jeni studentët me barrën më të rëndë ekonomike.

Ndërkohë të ardhurat tuaja janë më të ultat në Europë.

Sot ju paguani tarifat më të larta.

Sot ju paguani qeratë më të larta për banimin.

Sot ju paguani taksat më të larta në çdo ushqim që merrni.

Sot me mesatare përjashtohen nga universiteti më shumë se gjysma e moshatarëve tuaj.

Ndaj dhe merrni kthesën, kthesa juaj është shpëtimi i Shqipërisë.

Askush mos të mendojë të ecë më si somnambul drejt zgjedhjeve të Edi Ramës.

Ai që mendon të shkojë i përgjumur me Edi Ramën në zgjedhje, ai defakto firmos vjedhjen e tij të radhës dhe ky do të ishte dështimi i tmerrshëm, përfundimtar i opozitës.

Ndaj dhe çdo orë, ditë që kemi të bëjmë gjithçka për mobilizimin tonë, të bëjmë gjithçka për angazhimin tonë në mosbindje civile, në betejën pa kthim për të përmbysur narkokracinë, për të ecur të sigurtë si njerëz të lirë, drejt zgjedhjeve të lira.

Për të çliruar Shqipërinë nga ky regjim, nga mafia e Xhorxh Sorosit dhe mafia ndërkombëtare.

Shqipëria vetëm si vend i njerëzve të lirë, i njerëzve që votojnë dhe vota e tyre votohet me ndershmëri dhe kushton. Vetëm si vend i njerëzve me dinjitet mund të jetë një partner dinjitoz i fqinjëve të saj dhe miqve të saj në Europë dhe botë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Përsëri mos harroni se sonte në këtë rrugë drita është shtuar, kurse Surreli, pushteti i krimit është në errësirë të plotë.

Rroftë demokracia, rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale