KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme me gazetarët ka folur për takimin madhështor me emigrantët në Romë. ‘Ai takim aq entuziast u dëshmoi shqiptarëve, por edhe italianëve dhe të gjitha kombeve të tjera se emigracioni dhe diaspora e Shqipërisë është me PD-në, është me Sali Berishën’, tha ai.
Duke folur për zhvillimet e djeshme, kryedemokrati Sali Berisha, tha se Chris LaCivita, kryetari i komitetit kombëtar të Partisë Republikane të Donald Trump, përballoi makineritë më gjigante të miliarda dollarëve, të medieve kryesore, sondazheve manipuluese të SHBA dhe të botës, duke siguruar rikthimin më të fuqishëm të Trump, përmes votes së lirë në të gjithë historinë e njerëzimit.
Berisha theksoi se Chris LaCivita, zgjodhi PD-në jo rastësisht. Sipas tij, gjatë prezantimit Chris LaCivita foli në cilësinë e bashkëkryetarit të menaxhimit të fushatës historike, por foli edhe në cilësinë e kryetarit të Komitetit Kombëtar Republikan.
Përpara gazetarëve kryedemokrati Sali Berisha, u shpreh se është persekutuar politikisht, njëjtë si presidenti amerikan Donald Trump, përmes falangatve të Xhorxh Sorosit dhe kukulla e tij Edi Rama në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, në selinë e PD, Berisha tha se mesazhet e LaCivita kanë domethënie të madhe politike dhe duhet të kuptohen nga çdo shqiptar.
Sipas Berishës, mesazhet e LaCivita janë thirrje dhe apel për shqiptarët, që të çlirohen me ndihmën e SHBA, nga Xhorxh Sorosi, ideologjia dhe i gjithë ndikimi që ‘de facto’ u krijua në Shqipëri, me republikën e Xhorxh Sorosit.
Kryetari i PD, Sali Berisha komentoi gjendjen e kryeministrit Edi Rama, në bashkëbisedimin e këtij të fundit me qyetarët në rrjetet sociale. Për Berishën, fakti që shkallmoi në momentin që përmendi LaCivita-n’, tregion tmerrin që e ka kapluar mbi hallin e vet që i ka rënë, për shkak se Erion Veliaj mund të flasë e të tregojë aferat që ka bërë në bashkëpunim me të.
‘Erion Veliaj ishte një hajdut dhe janë të dokumentuara abuzimet, por abuzimet shumë më të mëdha janë të Edi Ramës’. Kështu tha kreu demokrat gjatë një konference shtypi me gazetarët, duke hedhur dyshime se tek hoteli i Veliajt ka pjesë edhe Olsi. Kryedemokrati Sali Berisha thotë se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka urdhëruar ka urdhëruar ekipin e saj të komunikojnë vetëm me letra me shkrim dore, në mënyrë që të mos lërë gjurmë, për shkak të aferave që ka bërë.
Sipas Berishës, një metodë e tillë e ndjekur nga Balluku, është tipike mafioze, ndërsa garantoi shqiptarët se kjo situatë do të përfundojë shpejt, pasi 11 maji është dita e fundit e tyre në pushtet.
‘Chris LaCivita ka ardhur si menaxher i fushatës së opozitës shqiptare për të firmosur fitoren në 11 maj’, tha kreu i opozitës Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp. Vizita e Antony Blinken në Tiranë, sipas kryedemokratit Sali Berisha, tregoi se nuk donte opozitë në Shqipëri, ndërsa akuzoi kryeprokurorin e Posaçëm, Altin Dumani se po punonte kundër pluralizmit politik.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Berisha tha se ka pasur përpjekje për të shkatërruar pluralizmin dhe për të lënë vendin sipas doktrinës së Soros. Lideri i opozitës në një reagim gjatë konferencës për shtyp tha se, ‘Rama nuk do donte kurrë t’ia linte partinë pas zgjedhjeve Erion Veliajt’.
Për kryedemokratin Sali Berisha, Rama bëri gjithçka që të zgjidhej Kamala Harris në krye të Shtëpisë së Bardhë, dhe këtë madje e bëri duke sulmuar Trumpin me porosi të Xhorxh Sorosit. Sipas Berishës, Edi Rama u rreshtua deri në ditën e fundit të zgjedhjeve me Xhorxh Sorosin dhe mafien e tij kundër Trump, ndërsa sa do që të përpiqet të afrohet me presidentin amerikan, nuk do t’ia dalë. Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar përballjen me drejtësinë të ish-sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken.
Në konferencën me gazetarët në selinë e PD, Berisha tha se pas shpalljes ‘non grata’ të Blinken në vendin e tij dhe ndalimin e hyrjes në zyrat federale, Dumani bëri siglimin te Veliaj.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se Klotilda Bushka u ngrit vitin e mëparshëm në parlament dhe në një rast unik në histori, të ndaluar me Kushtetutë, propozon t’i shtohen 500 milonë lekë djegësit të Tiranë. ‘Erion Veliaj shembte shtëpi se u thoshte se janë pronat e Klotilda Bushkës, ndërkohë ajo është një kriminele më shumë se ai’- u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës me mediat.
FJALA E PLOTE:
Mirëdita, së pari unë dua të shpreh mirënjohjen më të pakufishme para atyre mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë në emigracion që mbushën sallën e atij takimi, ndër më entuziastit dhe më mbresëlënësit që kam pasur ndonjëherë.
Ai takim ishte diamanti i fillimit të fushatës elektorale.
Ishte dëshmia më e sigurt e fitores së ardhshme të PD.
Ai takim aq entuziast u dëshmoi shqiptarëve, por edhe italianëve dhe të gjitha kombeve të tjera se emigracioni dhe diaspora e Shqipërisë është me PD-në, është me Sali Berishën.
Ndaj dhe vetëkuptohet frikëra dhe tmerret e pseudomazhorancës socialiste nga vota e diasporës dhe përpjekjet për ta penguar.
Pra, unë dhe njëherë shpreh mirënjohjen më të pakufishme ndaj të gjithë atyre që e organizuan, degës së PD të Romës, drejtuesit të kësaj dege dhe të gjithë qytetarëve që u mblodhën në atë takim.
Një mirënjohje të veçantë kam unë për kryetarin e grupit parlamentar të Forza Italia, Paolo Bareli. Për kryetarin e grupit në senat të Forza Italia, Gaspari. Për deputeten Erika Maseti, mikun tim, deputetin Batilokio, të cilët në një ditë të diel u shkëputën nga familjet e tyre, nga detyrat e tyre dhe erdhën në një takim shumë miqësor, ku diskutuam për bashkëpunimin tonë të ardhshëm me Forza Italia.
Tani, dje siç theksova, ishte një ditë ndër më të veçantat në 34 vite.
Ishte ditë unike.
Në Tiranë zbarkoi bashkëkryetari i menaxhimit të fushatës më të rëndësishme elektorale pas Luftës së Dytë Botërore të SHBA dhe planetit.
Ishte bashkëarkitekti i asaj fushate që përballoi makineritë më gjigante të miliarda e miliarda
dollarëve, të medieve kryesore të SHBA dhe të botës, të sondazheve të manipuluara në SHBA dhe në botë, dhe siguroi rikthimin më të rëndësishëm, më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm me votën e lirë në tërë historinë e njerëzimit, ishte zoti Chris LaCivita.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se Chris LaCivita në kërkesën planetare që ekziston, në qindra kërkesa nga i gjithë planeti, që ekzistojnë për të bashkëpunuar me të, ai fisnikërisht zgjodhi Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Zgjodhi PD-në jo rastësisht. Ai personi, të cilin Edi Rama e quajti punëtor i Donald Trump sikur të ishte kopshtar apo lulishtar në Mar-A-Lago është njëkohësisht kryetar i komitetit kombëtar të Partisë Republikane të Donald Trump.
Dhe ai foli aty në cilësinë e bashkëkryetarit të menaxhimit të fushatës më të suksesshme në histori, por foli edhe në cilësinë e kryetarit të Komitetit Kombëtar Republikan.
Për kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan dhe Partinë Republikane që ai përfaqëson, Edi Rama është një kukull e Xhorxh Sorosit.
Dhe ai, që ta kemi shumë të qartë, erdhi këtu për të vazhduar betejën që fitoi në SHBA, kundër Sorosit dhe ekstremit të majtë të tij.
Pra, ishte një akt kryekëput politik pasi i prenë kokën gjarprit në Uashington, duhet t’ia presin tentakulat kudo, dhe në Shqipëri ato ishin dhe janë më të zhvilluara se në asnjë vend tjetër.
Ju jeni dëshmitarë të ngjashmërive, të sjelljes së administratës së SHBA që shkoi dhe Xhorxh Sorosit ndaj presidentit Donald Trump dhe sjelljes së tyre ndaj Sali Berishës.
Ju jeni dëshmitarë të vendimeve për të mos regjistruar emrin e tij në listë dhe mosregjistrimin e Sali Berishës në listat e zgjedhësve.
Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve për eliminimin fizik të Donald Trump, por të njëjta edhe për Sali Berishën në prag të aktivitetit.
Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve për burgosjen e tij dhe burgosjen e Sali Berishës po nga falangat e Xhorxh Sorosit dhe kukulla e tij Edi Rama në Shqipëri.
Këto janë të vërteta të cilat e sollën në Shqipëri këtë kryetarin e komitetit kombëtar të Partisë Republikane, Chris LaCivita.
Mesazhet e tij janë shumë të thella dhe duhet të kuptohen nga çdo shqiptar.
Presidenti Donald Trump u tha amerikanëve se më i rrezikshëm nga të gjithë për SHBA është armiku i brendshëm. Dhe kjo është e vërtetë e madhe.
Nuk ka vend tjetër në botë që të ketë fuqinë, teknologjinë, forcën e pakufishme të SHBA. E megjithatë, në këtë vend, nga ekstremi i majtë, nga marksistët dhe post marksistët sorosianë, demokracia u kërcënua njëlloj si në një vend të botës së tretë.
Në qoftë se përdorën gjykatat për të përjashtuar nga procesi zgjedhor kandidatin kryesor të partisë kryesore.
Në qoftë se aplikohen gjoba gjysmë miliardë dollarë.
Në qoftë se lëshohen urdhra për t’i mbyllur gojën, këto nuk ndodhin kurrë në një demokraci pa probleme.
Në qoftë se promovohet censura, një gjë do u them, çdo hap drejt censurës është hap drejt diktaturës. Ndaj dhe Donald Trump me shumë të drejtë tha, se armiku më i rrezikshëm për Amerikën është armiku i brendshëm.
Në këtë kontekst duhet të kuptojmë qartë dimensionin e deklaratës së kryetarit të komitetit kombëtar republikan, Chris LaCivita, të cilin Rama e quajti punonjës i Donald Trump, ka domethënien më të madhe politike.
Është një thirrje, është një apel për shqiptarët të çlirohemi me ndihmën e SHBA, nga Xhorxh Sorosi, ideologjia dhe i gjithë ndikimi që de facto u krijua në Shqipëri republikën e Xhorxh Sorosit.
Qytetari i thjeshtë shqiptar e ka të vështirë të besoj që Edi Rama solli në parlament, bazuar në doktrinën e Sorosit, ligjin për krijimin e fermave të grave që të lindin fëmijët e askujt se duhet të krijoheshin fëmije më prindër 1 dhe 2 dhe pa prindër fare për të shuar familjen dhe vlerat hyjnore njerëzore të saj.
E kanë të vështirë se në Tiranë, njëlloj si në Nju Jork filluan të numerotohen prindërit që në kopsht dhe mijëra familje amerikane u shpërngulën nga Nju Jorku për në Teksas ku nuk lejoheshin praktika të tilla antifamiljare.
Pra, miqtë tanë e kanë të qartë se çfarë ndodhi. E kanë të qartë se kush është Leticia Jones, Alex Brag të Shqipërisë që angazhohen për shkatërrimin e pluralizmit në një akt kriminal antikushtetues të paimagjinueshëm.
Ndaj dhe shpreh mirënjohjen më të madhe kryetarit të komitetit kombëtar të Partisë Republikane për vendimin e tij për të shprehur demokratët dhe konservatorët në Shqipëri, në shpëtimin e Shqipërisë nga stihia e ekstremit të majtë dhe Xhorxh Sorosit në këtë vend.
Të dashur miq, unë e kuptoj që ju mendjen e keni tek zhvillimet e tjera të fundit dhe unë nuk kam se si t’i shmang ato.
Unë e pashë sot Edi Ramën siç e patë ju, kur i erdhi në gojë fjala e konsulentit, që këtë e quante punëtor i Trump, shkallmoi dhe e humbi dhe iu kthye me grushta tavolinës.
E vetmja gjë që thashë në atë moment, shyqyr Zotit nuk ka ra ndonjë grua aty që të hajë grushtat e tij.
Për çka ai është folur shumë, më fal Floriana, por është folur ai.
I hëngri ato grushta tavolina, po mirë e boll, i bëfshin mirë se po të ishte ndonjë ministre a ndonjë tjetër, kushedi se çfarë do ndodhte.
Këto gjeste të tij janë të njohura, nuk janë risi.
Edi Rama, pas arrestimit të numrit 2 të PS-së, bëri gjithçka nga njëra anë i terrorizuar dhe i trembur gjer në palcë nga Erion Veliaj, të tregojë se është duarjashtë në këtë aferë, se nuk ka gisht në këtë aferë.
Po këtu të ndalemi pak.
Nuk kishte hallin e Erion Veliajt, kishte hallin e tij. Sepse ky prokuror që guxoi të kërkojë arrestimin e Erion Veliajt dhe ky gjykatës që vendosi për arrestimin e tij, këta litarin në shtëpinë e të varurit ia çuan në Surrel.
Po, sepse për leje ndërtimi, Edi Rama me favore, i ka tërkuzë.
Merrni ju atë Ujkën që u tha së fundmi, që i pagoi takimin në Milano, leje kulle ai.
Merrni ju sponsorin e 12 udhëtimeve me çarter që i denoncoi Arben Ahmetaj. Leje ndërtimi të gjitha.
Merrni ju seancat e detoksit, 10 mijë euro seanca e detoksit e paguar nga biznesmeni që ndërton në mes të parkut Rinia. Vilat aty i ka Alketa. Bashkëshorti i Alketës. Plus lejet e tjera të ndërtimit. Nuk di shtëpi tjetër në mes të parkut përveç shtëpisë së saj. Shkoni dhe shihjani se aty e ka.
Si mund të ndodhë apo jo? Plus që ky ka marrë leje ndërtimi në të katër anët. Mirëpo nuk janë vetëm këto.
Tani t’u pyes unë ju dhe qytetarët, nëse Sali Berisha do deklaronte sot, të dashur qytetarë, Velica ka shpenzuar 1 milion euro garderobë, iu garantoj se as 0.1 përqind nuk do e besonte, do deklaronin se ky po bën shaka. Ose ky po e ekzagjeron. Do u kujtohet edhe derrkuci i Erion Veliajt, që u thoshte gazetarëve po kursejmë aty dhe më pas bëjmë një udhëtim kur bëhen shumë. Gjunahçari! Ta dinë qytetarët se për këto 1 milion, prokuroria ka gjetur të gjitha faturat për rrobat që ka blerë Velica, e cila paska qenë…. pak të thuash. Një shqiptare që shkon e blen mbi 1 milion euro.
Dhe përveç kësaj, atëherë çfarë ndodh me Edi Ramën?
Edi Rama tmerrohet se në qoftë se flitet për 1 milion aty, atje në Surrel sa janë këto miliona.
Se ekzistonte rivaliteti, ekzistonte. E kisha thënë disa herë unë që rivaliteti mes Kodrës së Diellit dhe Surrelit ishte shumë i qartë. Në të gjitha, në lukse dhe çdo gjë.
Unë lexova para një muaj Klodian Tomorri shkruante në një analizë të tijën se Edi Rama me gotë të Romanee Conti-t po fliste këto e këto. Nuk m’u besua, të them të vërtetën. Nuk e besoja se një kryeministër hap shishe vere që kushtojnë 33 mijë euro. Por ajo ishte absolutisht e vërtetë.
Ndaj dhe bëri gjithçka për të treguar se është dorëjashtë, në mënyrë që Erion Veliaj të mos i kthehet më këto gjëra.
Të mos ia kthejë monedhën. T’u tregojë shqiptarëve se unë vërtet kam bërë gabime, por Rama ka bërë vjedhje të tmerrshme.
Së fundmi, po shkërmoqet.
Urdhëroni, u proceduan me urdhër të Ramës 8 qytetarë sepse festuan arrestimin e Erion Veliajt para paraburgimit në rrugën Mine Peza.
Ka hallin e vet.
Në vitin 1990, Ramiz Alia na bëri dekretin e mbrojtjes së monumenteve, kishte hallin të mbronte personalitetet, nga këto i arrestoi disa studentë…
Së fundmi, në stanin e tyre ka vetëm shpirtra të trazuar.
Hajdutë që nuk gjejnë paqe më.
A mund të imagjinoni ju që Lubi Loti iu ka ndaluar në mënyrë të prerë të gjithë ekipit të komunikojnë ndryshe me të përveçse me letra me shkrim dore.
Iu ka ndaluar celularët, i ka ndaluar mesazhet dhe tani komunikimi në kabinetin e zëvendëses së Edi Ramës, sepse ajo sheh dy zëvendësit e tij njëri pas tjetrit e thotë ika dhe unë, dhe do ikë ajo se e meriton 100 herë.
Pra, tani është tipike e mafies, tani as celularët nuk i përdorin dot, as kompjuterët nuk i përdorin dot, tani janë të detyruar që çdo problem që kanë me bosen e tyre ta paraqesin vetëm me shkrim dore.
Gjer këtu jemi, po i garantoj shqiptarët se kjo situatë i ka kohërat e shkurtra dhe ne do bëjmë gjithçka që 11 maji të jetë dita e fundit e tyre në pushtet.
Sikundër çdo ditë që kalon me Edi Ramën në pushtet është një barrë e rëndë për çdo shqiptar.
Nuk ka komb tjetër që mund të pranonte pas atyre skenave, pas këtyre skandaleve të qeveriset nga një njeri si ai.

PYETJE PERGJIGJET NE GAZETARET
Isa Myzyraj, OraNews: Ardhja në Shqipëri e Chris LaCivita, bashkëarkitektit të fitores së Donald Trump. Në çfarë kushtesh ka ardhur ai në PD, a keni një kontratë ligjore.
Sali Berisha: Sigurisht që ai ka ardhur si udhëheqës, menaxher i fushatës së opozitës shqiptare për të firmosur fitoren në 11 maj. Jashtë çdo dyshimi që ne kemi një kontratë, e cila do të jetë 100% transparente në përputhje me ligjin shqiptar dhe amerikan. Për këtë i siguroj qytetarët se nuk mund të ketë as më të voglin dyshim.
Unë i kam dëgjuar shifrat e cituara dje nga më të afërmit e Ramës. Unë them që Zoti i ndimoftë ti shumëfishojnë në shifra, por të dashur qytetar, asgjë nga këto nuk ka të vërteta. Kjo është e vërteta.
Ne do të bëjmë publike, gjithçka është në përputhje absolute me ligjin dhe me burime të kristalta.
Mariglen Kume, MCNTV: Ju e keni akuzuar më herët SPAK se është një prodhim i Soros. A keni një koment dhe a qëndrojnë këto akuza në një kohë kur arrestohet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili gjithashtu është beniamin i Soros në Shqipëri. Pamë dhe ditën e sotme kishit një ndryshim kursi në retorikën tuaj ndaj SPAK. A ndryshon qasja juaj në raport me SPAK pas kësaj.
Sali Berisha: Së pari më duhet të përsëris, ju garantoj se kam respektin më maksimal dhe e kam patur gjithnjë, për çdo punonjës të këtij vendi që zbaton ligjin.
u duhet të dini një gjë se, mund të ua them ju, se në ndërgjegjen shoqërore të Sali Berishës, një pistë e veçantë është ajo e zbatimit dhe respektit të ligjit. Në këtë kuadër, në SPAK, në polici, në gjykata dhe kudo që zbatojnë ligjin, ata kanë dhe do të kenë mirënjohjen dhe vlerësimin tim maksimal.
E kam deklaruar dhe e deklaroj para jush se SPAK është një institucion me, 20 e ca prokurorë dhe rreth 50 OPGJ. Nuk kam asnjë dyshim se, midis tyre në mënyrë të padiskutueshme ka njerëz kurajoz, të ndershëm, të cilat zbatojnë dhe janë të gatshëm të zbatojnë ligjin.
Tre, absolutisht ka kriminelë më të poshtër se ata që rrinë në bodrume dhe atje ku janë, sepse ata përdorin dosje për të vënë gjoba, për të manipuluar prova dhe shfajësuar kriminelë dhe unë besoj kam fol me fakte.
Kur them SPAK është organizatë kriminale unë nuk nënkuptoj se, çdo anëtar i SPAK është anëtar i organizatës kriminale. Jo, absolutisht kurrë. Por nënkuptoj ata të cilët flenë mbi krimin, janë marrë peng.
Erion Veliaj kësaj here akuzohet dhe arrestohet. Ka fshehur pasurinë. Si mund të bëhen 1 mln euro garderobë. Ka dhënë leje ndërtimi këtyre që ja kanë shpërblyer.
Por Erion Veliaj ka firmat e tij të zeza mbi të bardhë për 130 mln euro të djegësit që nuk ekziston. A ka monument më të lartë dhe më madh aktakuze se djegësi, për të cilin nuk i thonë një fjalë, ndërkohë që për Arben Ahmetajn lëshojnë mandat arresti.
Pse mendoj e ky arsyetim i im është i drejtë. Po pse duhet ta marr unë të barabartë Altin Dumanin me Ols Dadon. Jo nuk e marr kurrë. Sepse ky firmosi, kurse ky tjetri firmosi për Arben Ahmetaj, ja përmendi 13 herë bashkinë e Tiranës në dosjen e Ahmetaj dhe nuk e thirri njëherë të vetme Erion Veliajn për inceneratorin. Për të mos thënë për atë xhelatin e sigurimit të shtetit, që kishte dhe nipin e mbesën tek Erion Veliaj, punonjës. A mundet ne edhe njëherë që të gjithë baltën dhe delikuecën e njërit të ja kalojmë tjetrit. Jo.
As meritat e njërit nuk mund të ja kalojmë tjetrit, sepse unë jam para kësaj situate, firmosi. E gjeti në shkelje flagrante. Këtë dosje i dhanë këtij prokurori, të jemi realist, se i ndan Dumani dosjet. Kështu që nuk ka asnjë kundërshti në këto që them unë. Është shumë e gabuar dhe ta dijë çdo njeri që do të respektojë ligjin, ka respektin dhe mbështetjen time të fortë, absolute.
Por përpjekja për të shkatërruar pluralizmin, për të lënë vendin sipas doktrinës së Soros. Unë i thashë Antony Blinken, kur erdhi këtu nëse ju kujtohet: Mirë se erdhe në Shqipërinë moniste, zoti Sekretar. Sepse ai e ndërtoi, ai luftoi për monizmin në Shqipëri, them unë, i bindur. E çfarë ishte ai. Ai ishte një falsifikator i turpshëm në historinë amerikane.
Ai, draftoi një letër gënjeshtrar, për të cilin meriton të quhet shef i gënjeshtarëve dhe u bë kryediplomat. A janë këto të vërteta. Pra, ju lutem shumë më intepretoni ashtu siç ua them. Nuk mund të krahasoj kurrë atqë që bën punën, me atë që mbulon, fle mbi krimin.
Taulant Balla ja lexova dje në parlament. Nuk ishin të opozitës, ishin të dosjes. E cili ishte reagimi i mercenar Dumanit, guxoi dhe kërcënoi. Absolutisht do të ndiqet penalisht për të gjitha këto që ka bërë, iu garantoj unë ju.
Mendoi se mund të rrafshojë pluralizmin, i mbështetur nga Soros. Rastësi ishte takimi i tij me Blinken, apo jo. Erdhi në Shqipëri dhe kë takoi, asnjë nga opozita për të dhënë mesazhin se, ne nuk duam opozitë në Shqipëri. Takoi Dumanin që po punonte ditë e natë kundër pluralizmit. Nuk kam mbrojtur kurrë veten time me këto, kam mbrojtur pluralizmin, themelet e demokracisë në Shqipëri.
Osman Stafa, News24: Edi Ramës SPAK i ka arrestuar Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Ilir Beqajn, por kryeministri i vendit nuk ka folur siç ka folur ditën e sotme. Hera e parë që Rama ka ngritur pikëpyetje mbi SPAK, duke hedhur dyshime me mënyrën se si është ndërtuar dhe kopsitur dosja e Veliajt, arrestimi. Mos ndoshta dhe Rama, duke u vendosur në këtë situatë që ju e keni bërë prej vitesh e kohësh, me akuzat ndaj SPAK mund të keni një aleancë PD-PS kundër SPAK, do e pranonit.
Sali Berisha: Absolutisht asnjë aleancë nuk pranoj dhe nuk do të pranoj. Unë u them ju, reagimi i sotëm i Edi Ramës është se pavarësisht se fustanet dhe gardëroba e Velicës është vepër e saj, por Rama e di se gardëroba e Lindës mund të jetë edhe më problematike se aq.
Arrestimi i Erion Veliajt për lejet e ndërtimit, të themi të vërtetën, të jemi realistë se unë e përshëndes aktin, po të jetë për leje ndërtimi, Shqipëria është i vetmi vend në botë që lejet e ndërtimit i firmos kryeministri.
Dhe Edi Rama e di se vërtet ai ndërtuesi nuk ka pasur direkt në atë, por e di shumë mirë se Rama në qoftë se këta kanë qenë 4, te Rama janë 40, 50, sa të duash…
Rama gjithçka e ka të ndërtuar, nga vila, nga pallati në pajë. Ai që ka ndërtuar pallatin në pajë ka 100 milionë euro tendera nga Edi Rama. Ai që ka ndërtuar vilën ka dhjetëra favore të tjera.
Ai që e ka çuar për detoks, ka dhjetëra favore prej Edi Ramës, direkt prej tij.
Të gjitha këto e bëjnë Edi Ramën të dridhet se u krijua aleja.
Sigurisht sot për sot Dumani e mbron, por nesër ai dhe Dumani do marrin atë që meritojnë…
Osman Stafa, News24: Është fakt se, arrestimi i numrit dy të PS, por edhe pretendentit për të marrë PS-në dhe të qenë kryeministër është një goditje e thellë për PS, tre muaj para zgjedhjeve. Cili është interesi i Ramës për të futur në burg Veliajn tre muaj para zgjedhjeve.
Sali Berisha: Tani, çfarë ishte Erion Veliaj? Këtu para jush unë isha shprehur se ai është një kufomë politike e pakallur. Rama sigurisht që e donte të ngrirë para vitit të ri. E donte të hequr qafe. Por duket se nuk bëri dot atë që donte. A është i përshtatshëm për fushatë? Kjo nuk është e përshtatshme për fushatë.
Por prapë, ka një problem këtu. Ai nuk do donte kurrë t’ia linte partinë pas zgjedhjeve Erion Veliajt. Pra, unë nuk mund të them se është Edi Rama që në këtë rast e komandoi prokurorinë. Jo, Rama ishte përpara.
Tani është e vështirë të thuhet. Se unë e ndoqa atë monologun e tij, këtu e kam.
Po arrita në përfundimin që këtej po përpiqet të jetë dorëjashtë, por që nuk mund të jetë kurrë dorë jashtë, nuk ndodh ajo, këtej përpiqet të marrë dekoratën se Skrapi po punon në mënyrë të pavarur nga Rama.
Anisa Kadesha, RTSH: Kryeministri ka ndryshuar qëndrim për presidentin Amerikan Trump. Nga një kërcënim para disa vitesh, para dy ditësh e quajti një bekim për Europën dhe për rrjedhojë dhe për Shqipërinë. A i druheni një lobimi që mund të bëjë Rama me administratën e re.
Sali Berisha: Edi Rama është kukull e Xhorxh Sorosit. Edi Rama është personi që ka sulmuar më shumë se kushdo tjetër në botë gjatë fushatës elektorale, me porosi të Xhorxh Sorosit, Donald Trump para zgjedhjeve të vitit 2016.
Edi Rama edhe në këtë fushatë bëri gjithçka që të zgjidhej Kamala Harris.
Mos harroni ju se udhëtimi i tij më 26 tetor, gjoja në ditëlindjen e Aleksis Soros, ishte njëkohësisht për të nxitur shqiptarët që të votojnë Kamala Harris.
Me datën 11 nëntor ishte njoftuar në SHBA dhe në Shqipëri promovimi i librit të Kamala Harris me parathënien e Linda Ramës. Ishte parashikuar që Kamala presidente e zgjedhur të çonte një mesazh përmes Zoom-it në ceremoninë e promovimit të këtij libri.
Pra, Edi Rama u rreshtua gjer ditën e fundit të zgjedhjeve me Xhorxh Sorosin dhe mafien e tij.
Këto janë të njohura, nuk i kam unë.
Tani se çfarë thotë, nesër ai mund të marrë një kapele MAGA dhe ta vërë në kokë, por problemi është se koka iu përplas në tavolinë sot.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju në datën 8 shkurt thirrët protestë pas deklaratave të ish-numrit 2 të qeverisë së PS, dhe akuzave që kishte ndaj Ramës dhe provat që publikoi. Një ditë më parë u arrestua kryebashkiaku i Tiranës, a do të thërrasë opozita një protestë ku do të kërkojë dorëheqjen e Ramës, edhe pse vetë ai sot tha se, nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
Sali Berisha: Gjithçka është në shqyrtim. Një gjë do t’u them, pa ato 44 protesta para bashkisë, Erion Veliaj do ishte duke marshuar drejt postit të kryetarit të PS.
Duhet të jemi realistë, t’u jap kredi qytetarëve, durimit të tyre…
Ermal Rizaj, SYRI TV: Sa i takon SPAK, ju keni akuzuar referuar dhe dosjeve që ka dorëzuar opozita, janë 3 prokuror. Ols Dado, që kishte dosjen e Veliajt që u arrestua, Dritan Prençi që ka dosjen e inceneratorit dhe Klodian Braho i ‘5D’.
Sali Berisha: Këta ndryshojnë… Sigurisht ka ndryshim shumë të madh. Njëri bëri ligjin, zbatoi ligjin, tjetri fshehu krimin. Ata fshehën krimin që të dy. Ai ishte siglim, lëre atë punë. Iku Blinkeni. E morët vesh ju apo jo pse u siglua?
Iku Blinkeni, do përballet me drejtësinë. Ka shkelur çdo lloj ligji dhe kodi. Dhe Dumani përpiqet tani të…
Po pse nuk e bëri përpara me ata dy të tjerët. Sa ia ndaluan hyrjen në çdo ndërtesë federale, Dumani tha bjere ta sigloj pak unë këtu. Është gjithçka e lidhur. Mos e diskuto atë punë. Janë kështu këta…
Anisa Kadesha, RTSH: Edhe një pyetje tjetër për kryetaren e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka, që ka dalë në dosjen Veliaj, keni një koment.
Sali Berisha: Po unë e kam denoncuar para se të dalë atë. E kam denoncuar me dhjetëra herë unë atë. E dini çfarë është kjo Bushka? U them unë ju. Kjo ngrihet vitin e mëparshëm në parlament dhe në një rast unik në histori, të ndaluar me Kushtetutë, propozon t’i shtohen 500 milionë lekë djegësit të Tiranë.
Mirëpo Kushtetuta e lejon deputetin me kushtin që ai ta dorëzojë amendamentin, ta miratojë ose të shprehet Ministria e Financave. Kurse zonja solli një amendament oral. E kam denoncuar me dhjetëra herë unë. Erion Veliaj shembte shtëpi se u thoshte se janë pronat e Klotilda Bushkës. Po, po, janë të dokumentuara të gjitha këto. Ajo është një kriminele më shumë se ai.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju e cilësoni kriminele, por ajo është drejtuese e Komisionit të Ligjeve dhe këtu po diskutohet çështja më e rëndësishme, ndryshimet për Kodin elektoral. Çfarë do të ndodhë në parlament të enjten.
Sali Berisha: Rama është më keq, ajo ashtu është, ajo fuste amendamentin oral. Imagjinoni ju, që nuk lejohet 1 qindarkë që të propozojë deputeti pa miratimin e Ministrisë së Financave.
Kurse këta janë në grahmat e fundit të këtij parlamenti, ky është parlamenti.