Berisha: Chris LaCivita e bëri të qartë se partneri i SHBA në Shqipëri është PD dhe Sali Berisha. Edi Rama është një kukull e Xhorxh Soros, i shpallur armik në SHBA

BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se ditë zbarkoi në Shqipëri kryestrategu i rikthimit më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ky është Chris LaCivita. ‘Ai erdhi në Shqipëri me ekspertizën më të avancuar të kohës për të ndihmuar PD-në dhe opozitën shqiptare në këtë fushatë elektorale, me mesazhin e qartë si kristali, si kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan se Edi Rama është kukulla e Xhorxh Sorosit në Shqipëri dhe në botë’- u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha tha se arrestimi i Veliajt cila shënon rrokullisjen e piramidës më gjigante të krimit që ka njohur Shqipëria dhe një nga më të mëdhatë që ka njohur Europa, që është regjimi i Edi Ramës. ‘Erion Veliaj, në një akt kriminal, nuk u akuzua, nuk u penalizua për aferën e 5D, aferë e cila është modeli i vjedhjes 100 përqind të parave publike nga zyrtarët, nga drejtorët, nga Veliaj, nga Mazniku në Bashkinë e Tiranës. Me dokumente’- u shpreh Berisha.

Sipas liderit të opozitës, sot me anë të propagandës së tyre bajate qeveritarët dhe socialistët po përpiqen të mbulojnë vjedhjen e tmerrshme me garderobë të 870 mijë euro blerje. ‘Por shumë më të mëdha janë vjedhjet për vila. Është gjetur se ata kanë tre vila. Është gjetur se kanë rrafshuar njërën vilë për të fituar terren zbavitës’- tha Berisha.

Duke folur për rrethimin e gjykatës nga policia bashkia dhe polictë civilë, Berisha theksoi se, ky ishte një grusht shteti dhe u rikthyen skenat e viteve ’80 të Eskobarit në Kolumbi, në të cilat u vranë gjykatës, u vranë prokurorë dhe u zhdukën pa nam dhe nishan. ‘Të gjitha këto janë dëshmi e asaj që rrokullisja e narkoshtetit po ndodh njëlloj si në filmin Narkos’- deklaroi kreu i PD.

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha i pyetur në lidhje me krijimin e shtetit Bektashi, u shpreh se, kjo është një përpjekje armiqësore për të përçarë besimin mysliman në Shqipëri, si një  një thikë pas shpine ndaj këtij besimi. ‘Njohja e sovranitetit të një shteti me bankë dhe pasaporta diplomatike të lëshuara prej tij, etj., etj., do të thotë të krijosh këtu strehën më gjigante të trafikantëve të mbarë botës. Jashtë kontrollit ndërkombëtar financiar’- deklaroi Berisha.

Berisha deklaroi se qytetarët janë dëshmitarë të tre rezolutave ndërkombëtare që s’ka ndodhur kurrë herë tjetër, me të cilat Edi Rama u damkos si njeriu që bën zgjedhje fasadë. ‘Skena që panë shqiptarët e shkallmimit, tregon se ai ka humbur kontrollin, fiqirin. Tregon se ai është i gatshëm për gjithçka. Por të jeni të sigurtë se asgjë nuk e shpëton nga verdikti i shqiptarëve në 11 maj’- tha lideri i opozitës.

Në bashkëbisedimin me qytetarët, kreu i PD Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të marrë përsipër një ndryshim të fuqishëm dhe të shpejtë të gjendjes së shqiptarëve. ‘Dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, rikthimi i pronës, natyrisht një arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor do jenë disa nga përparësitë absolute tonat’- tha lideri i opozitës.

Lideri i opozitës, Sali Berisha tha se ryshfeti që i paguhet drejtësisë sot është minimumi 3-5 herë më i madh se sa paguhej më parë. ‘Kemi deklaruar përparësi absolute është bashkëpunimi ynë dhe përgjigja ndaj këtij problemi në bashkëpunim me Komisionin e Venecias, edhe pse nuk është e lehtë, sepse ata që e rrënuan dhe i lanë shqiptarët pa sistem drejtësie’, theksoi kryetari i PD.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se qindra milionë euro nuk janë paguar, sigurimet e administratës nuk janë paguar në fondin e sigurimeve shoqërore. ‘Një shtet zuzar, një shtet në një akt që nuk ka shtet në botë që e bën, që e mban administratën në të zezë, se po të mos paguash sigurimet shoqërore, do të thotë e mban në të zezë administratën’, theksoi gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Të dashur miq, së pari e nis këtë bashkëbisedim me ju me një ndjesë për vonesën e filimit të tij pasi unë isha me disa miq të huaj dhe më pengoi kjo që të jem i përpiktë me ju.

Zhvillimet e kohës që nuk kemi komunikuar kështu direkt bashkë, kanë qenë ndër më të fuqishmet, por kanë qenë edhe përcaktuese në një mënyrë apo një tjetër për zhvillimet në Shqipëri dhe të ardhmen e saj.

Së pari, këto ditë zbarkoi në Shqipëri kryestrategu i rikthimit më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm në histori, rikthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ky është Chris LaCivita.

Ai erdhi në Shqipëri me ekspertizën më të avancuar të kohës për të ndihmuar PD-në dhe opozitën shqiptare në këtë fushatë elektorale.

Por ai erdhi në Shqipëri me mesazhin e qartë si kristali, si kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan se Edi Rama është kukulla e Xhorxh Sorosit në Shqipëri dhe në botë.

Se kukulla e Sorosit nuk mund të jetë një partner për SHBA-në dhe se partneri i SHBA në Shqipëri, i Partisë Republikane, është Partia Demokratike dhe Sali Berisha.

Siç ai u shpreh, njeriu që pësoi persekutime të ngjashme dhe qëndrime të ngjashme me ato që ekstremi i majtë mbajti në SHBA ndaj presidentit Donald Trump.

Të dashur miq, duhet të ndalem vetëm në një moment. Deklarata e presidentit Donald Trump se armiku më i rrezikshëm për SHBA është armiku i brendshëm, është deklarata më e rëndësishme e jetës së tij, është një nga deklaratat më të rëndësishme të kohërave dhe historisë.

Kjo sepse SHBA janë vendi me fuqi të pakufishme dhe të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Por janë vendi që për shkak të njëlloj pushtimi nga ekstremi i majtë, i quajtur progresist, pësoi rënie dhe fenomene, të cilat herë- herë shkonin në nivelin e botës së tretë.

E vërteta, mbrëmë në Mynih zëvendëspresidenti i SHBA, në një fjalim historik në atë konferencë, përsëriti të njëjtën tezë.

I tha Europës se rreziku më i madh i juaj nuk është Kina, nuk është Rusia, por rrezikun më të madh e keni të brendshëm.

Atë rrezik që arreston liderët e opozitës, siç ka vepruar Edi Rama në Shqipëri për të mbajtur mandatet.

Atë rrezik që anulon zgjedhjet siç ndodhi në Rumani apo në Shqipëri me Fredi Belerin.

Atë rrezik që predikon censurën siç ndodhi në Shqipëri pas vizitës së Blinken me krijimin e komisionit të censurës në parlament dhe Ministrinë e Jashtme.

Pra, për presidentin Donald Trump, rreziku më i madh i njerëzimit është largimi nga vlerat e lirisë, vlerat që ndajnë njerëzit e lirë.

Ndaj dhe PD ka rishqyrtuar dhe po rishqyrton të gjithë programin e saj për desorosifikimin e Shqipërisë, që u shndërrua në kopshtin e lulëzuar të monstrës së njerëzimit, që quhet Xhorxh Soros.

Miq, këto ditë ndodhi një ngjarje tjetër, e cila shënon rrokullimin e piramidës më gjigante të krimit që ka njohur Shqipëria dhe një nga më të mëdhatë që ka njohur Europa, që është regjimi i Edi Ramës.

U arrestua nga Skapi dhe gjykata njeriu i tretë më i korruptuar i vendit, pas Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, Erion Veliaj.

Ka një rebus, me të drejtë qytetarët shqiptarë duan të dinë pse Erion Veliaj nuk u arrestua për djegësinë e Tiranës, me të cilin janë zhdukur 130 milionë euro për u vendosur një tullë në themelet e tij, për të cilin përgjegjës direkt është Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Vetëm një muaj më parë, Arben Ahmetaj deklaroi se Erion Veliajt i diktoi me presion të madh Edi Rama të firmosë të gjitha dokumentet.

Pra, Erion Veliaj nuk u penalizua, nuk u mor në hetim për këtë aferë, më flagrantja në historinë e vendit, vetëm e vetëm se kjo të çonte direkt te Edi Rama.

Erion Veliaj, në një akt kriminal, nuk u akuzua, nuk u penalizua për aferën e 5D, aferë e cila është modeli i vjedhjes 100 përqind të parave publike nga zyrtarët, nga drejtorët, nga Veliaj, nga Mazniku në Bashkinë e Tiranës. Me dokumente.

Pra, as për këtë jo, të cilën e paraqiti opozita.

U fol, dokumente nuk ka.

Prokuroria ka dokumente që punonjës janë shprehur se hoteli është i Lali Erit, por të tjerë kanë raportuar se në hotel, aksioner kryesor është Olsi Rama.

Cila është arsyeja pse Skapi i partisë nuk ngriti asnjë akuzë për Veliajn dhe Maznikun në këtë

aferë?

Vetëkuptohet, nuk mund të jetë asgjë tjetër përveçse interesa të klanit më epror mafioz të Shqipërisë, klanit të Edi Ramës.

Vijmë tani tek dosja për të cilën u arrestua Erion Veliaj.

Kjo ishte një dosje shtetërore të dashur miq.

Nesti Angoni nuk ishte një qytetar privat.

Nesti Angoni nuk ishte opozita, që do donte të ishte, por nuk ishte.

Nesti Angoni ishte Danjoli i Sherkës, një personazh i Rexhep Qosjes, i cili regjistronte telefonatat e Erion Veliajt, i cili survejonte takimet, udhëtimet e Velicës dhe të Erionit, hotelet ku flinte në Vjenë.

I cili survejonte Klotildën tek takohej me Velicën ose bashkëpunëtorë të saj.

Nesti Angoni, pra ishte në fakt shteti vetë.

Ishte Bistri, ishte Balluku, ishte Edi Rama pa asnjë lloj mëdyshje.

Nesti Angoni kontrollonte telefonat, kontrollonte avionët, kontrollonte doganat, kontrollonte blerjet online, komunikimet online, kontrollonte çdo gjë.

Ajo dosje thuhet se erdhi nga Fieri. Por dosja është totalisht Rama-Balluku, ushtarët aty janë të shumtë, nuk janë të paktë, por dosja është qeveritare.

Çfarë ndodhi tani?

Erion Veliaj duhej eliminuar dhe këtë vendim Edi Rama e kishte marrë prej kohësh.

Edi Rama kishte paralajmëruar arrestimin e Erion Veliajt.

Edi Rama kishte kërcënuar Erion Veliajn.

Në një akt ‘ëoke culture’, kur Erion Veliaj ftoi për t’i dhënë çelësin e qytetit Ali Ahmetit, Edi Rama shkoi për të nderuar Ali Ahmetin, por nga fotografia doli vetë, Alia dhe çelësi. Erion Veliajt ia hoqi foton si armik.

Në doktrinën e mafies dhe të ekstremit, armikut i pritet koka, nuk mund të jetë në fotografi me të dhe kjo ndodhi.

Kështu që çfarë kishte në këtë mes?

Dy gjëra. Edi Rama nuk parashikoi dot se me Erion Veliajn po priste degën ku rrinte vetë, se me vepra ishin të lidhur si vëllezër siamezë.

E dyta, Edi Rama ndoshta donte arrestimin e tij në dhjetor apo pak më parë, kur ai e zëvendësoi pothuajse plotësisht me treshen tjetër elektorale në Tiranë. Ajo ndodhi në një kohë kur ndoshta nuk ishte koha më e përshtatshme për të.

Por miq, ajo u tregoi shqiptarëve se sa të pangopur janë në vjedhje këta qeveritarë.

Sot në propagandën bajate të tyre përpiqen të mbulojnë vjedhjen e tmerrshme me garderobë të 870 mijë euro blerje.

Harrojnë se 870 mijë euro para të taksapaguesve, të marra që të gjitha nëpërmjet parave të bashkisë, të dhëna nga Veliaj kompanive të krijuara për këtë qëllim për të çuar paratë tek e shoqja, përpiqen ta mbulojne se po flitet për fustanet e të brendshmet e Velicës.

Sigurisht ka një të drejtë këtu.

Vërtet Velica ka blerë veshje, bizhura fiks aq sa ka blerë Lajla Asadi sipas raporteve ndërkombëtare, 1 milion euro.

Por shumë më të mëdha janë vjedhjet për vila. Është gjetur se ata kanë tre vila. Është gjetur se kanë rrafshuar njërën vilë për të fituar terren zbavitës.

Është gjetur se vetëm në një kasafortë janë gjendur dengjet me 500 euro të mykura, që janë tipike dengjet e narkotrafikantëve, e thotë Gratieri.

Pra, para të gjithë këtyre gjetjeve të tmerrshme, Edi Rama u përpoq me një zhargon ordineri, po

edhe me gjeste të shkallmuari të tërheqë vëmendjen nga kjo.

Së fundmi, për ta mbyllur këtë ekspoze, ndodhi ajo që nuk ka ndodhur kurrë në 32 vite.

Ka ndodhur vetëm në Kolumbi në vitet ’80, kur u sulmua gjykata në një grusht të mirëfilltë shteti.

Pushtetet tek gjykata speciale u përleshën me njëri-tjetrin.

Policia bashkia dhe policitë civile rrethuan gjykatën dhe makinat e gjykatësve, u rikthyen skenat e viteve ’80 të Eskobarit në Kolumbi, në të cilat u vranë gjykatës, u vranë prokurorë dhe u zhdukën pa nam dhe nishan.

Të gjitha në sytë e shqiptarëve dhe të botës.

Të gjitha këto janë dëshmi e asaj që rrokullisja e narkoshtetit po ndodh njëlloj si në filmin Narkos.

Këto janë episode pas episodi të Narkosit.

Ndaj të dashur qytetarë unë jam këtu para jush për t’u përgjigjur për të gjitha pyetjet dhe interesat që keni.

PYETJE PERGJIGJET ME QYTETARET:

Bukurie Milushi: Doktor kur të vini në pushtet a do të bëni një audit të thelluar institucioneve të shtetit dhe përgjegjësit e vjedhjeve, jo vetëm të shkojnë në burg por edhe tu sekuestrohen pasuritë, se edhe unë jam dakord të bëjë 1-2 vite burg dhe të gëzoj milionat.

Sali Berisha: Jam plotësisht dakord me shqetësimin tuaj. Kur të vijmë në pushtet korrupsioni do të shpallet krim i rëndë, pikërisht për të shmangur atë që thoni ju, për 1-2 vite burg. Ata që kanë vepruar në bashkëpunim do të shpallen organizatë kriminale.

E treta do të auditohet çdo veprimtari financiare e narkoshtetit nga fillimi gjer ditën e fundit të tij.

Palvat Shutaj: A po punon PD me krerët e komuniteteve fetare për të maksimalizuar votën dhe cili është mendimi juaj për shtetin Bektashi.

Sali Berisha: Ne kemi marrëdhënie shumë të mira, respektin më të madh për drejtuesit e komuniteteve fetare. Rolin e tyre si udhëheqës shpirtëror të këtij kombi, frymëzues nga gurrat besimeve të shqiptarëve. Dhe ne do të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Besimi ynë tek Zoti, por dhe vlera të tjera hyjnore që ne ndajmë të sanksionuara në librat e shenjtë janë një faktor tjetër i respektit, bashkëpunimit të ndërsjelltë. Familja e cila në besimet fetare është sa hyjnore dhe tokësore. Atdheu. Pra shtyllat kryesore të programi i kemi të pëbashkëta me besimet fetare në Shqipëri.

Lidhur me shtetin Bektashi, kjo është një përpjekje armiqësore për të përçarë besimin mysliman në Shqipëri. Kjo është një thikë pas shpine ndaj besimit mysliman në Shqipëri. Por kjo është sigurisht dhe një goditje indirekte e besimeve të tjera.

Bektashinjtë shqiptarë të cilëve unë u shpreh respektin tim më të thellë, kanë patur një rol të veçanë në historinë e këtij kombi dhe vendi. Kurrë përpjekjet e tyre gjigante nuk kanë qenë veç se për një shtet sovran, unik, për një Shqipëri të pavarur dhe unike. Asnjëherë për një shtet islamik, asnjëherë për një shtet sovran në kurriz të sovranitetit të Shqipërisë.

Asnjëherë nuk kanë ëndërruar një shtet si Vatikani sepse ata dinë që Shqipëria është një vend plureligjoz. Shqipëria është dheu i myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve, protestantëve dhe Shqipëria përbën modelin më të shkëlqyer të bashkëpunimit dhe tolerancës ndër fetare.

Krijimi i një shteti me ekstratorriaralitet në kryegjyshatën e Tiranës dhe 170 teqe siç predikon Edi Rama është një copëzim i tmerrshëm i territorit të Shqipërisë, që nuk mund të ndodhë kurrë.

Njohja e sovranitetit të një shteti me bankë dhe pasaporta diplomatike të lëshuara prej tij, etj., etj., do të thotë të krijosh këtu strehën më gjigante të trafikantëve të mbarë botës. Jashtë kontrollit ndërkombëtar financiar. Nuk ka bektashi të ndershëm në Shqipëri që pranon një projekt të tillë anti shqiptar, antifetar, antikombëtar.

Alket Haziraj: Doktor fitorja juaj është e sigurtë. Çfarë masash do merrni ju për mbrojtjen e votës, kur dihet se kjo qeveri blerjen e votave e ka bërë çdo palë zgjedhje në Shqipëri. Kryeministri paralajmëroi tërmet dhe flakë në zgjedhjet e 11 majit.

Sali Berisha: Kryeministri paralajmëroi tërmetin dhe flakën që do e djegë atë në zgjedhjet e 11 majit. Ne kemi bërë një mbrojtje. Ju jeni dëshmitarë të tre rezolutave ndërkombëtare që ska ndodhur kurrë herë tjetër, me të cilat Edi Rama u damkos si njeriu që bën zgjedhje fasadë. Çfarë tha zv/presidenti JD Vance në Mynih, ai tha se, arrestoni lider të opozitës, vendosni censurë. Ky është armiku juaj, kjo që bëni. Pra ishte një thirrje për çdo shqiptar. Në fakt ishte një paralajmërim tepër serioz për Edi Ramën. Sepse të dashur miq, në atë sallë me lider të opozitës të arrestuar ishte vetëm Edi Rama dhe Llukashenko. Por Llukashenko nuk ishte. Të tjerët nuk kishin lider të opozitës. Pra, nuk u vu emri, por indirekt ishte Edi Rama ai që u përmend se arreston lider të opozitës.

Kështu, skena që panë shqiptarët e shkallmimit, tregon se ai ka humbur kontrollin, fiqirin. Tregon se ai është i gatshëm për gjithçka. Por të jeni të sigurtë se asgjë nuk e shpëton nga verdikti i shqiptarëve në 11 maj.

Gjovalin Bushpepaj: Kanë ngelur akoma pak emigrantë që nuk plotësojnë vitet e punës, as në Shqipëri e as jashtë. Për plotësimin e minimumit prej 15 vitesh në Shqipëri, duhet të pagfuajmë minimumi 1 mijë euro për çdo në vit. A mund të ketë një pagesë të ndershme për vitet që mungojnë për të marrë minimumin, që të kemi një lidhje me vendlindjen.

Sali Berisha: Pa asnjë diskutim që do ketë një pagesë dhe një zgjidhje përfundimtare. I dashur Gjovalin, ju keni dëgjuar zotimin tonë solemn, përmbysjen e shpërndarjes të të ardhurave kombëtare dhe buxhetit të shtetit. Do përmbysen. Çfarë nënkupton kjo? Do shkojnë drejt qytetarit. Do u japim përgjigje të gjitha këtyre problemeve të trashëguara dhe pastaj do ecim…

Përparësi absolute këto dhe të dytat vijnë të tjerat.

Përgjigja ndaj pensioneve, minimumi jetik, rroga minimale, pagesa e papunësisë, ndihma ekonomike, marrin përgjigje 3 muajt e parë. Dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, rikthimi i pronës, natyrisht një arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor do jenë përparësitë absolute tonat. Askush të mos mendojë se ora e ndërtimit, ora e zhvillimit do ndalojë. Jo, absolutisht. Përkundrazi. U rikujtoj këtu se ne kemi pasur gjysmën e këtij buxheti që është sot, se ne ua linim bizneseve, kishim taksa të ulëta.

Me atë gjysmë ne kemi dyfishuar rroga dhe pensione. Me atë gjysmë ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 11 mijë kilometra rrugë. Mbyllni për një moment sytë dhe mendoni sa kanë ndërtuar dhe rindërtuar këta. Kanë ndërtuar 20 kilometra rrugë dhe kanë bërë 35 kronika që është ndërtuar Ura e Limuthit dhe ato me paratë e privatit. Ndërtuan Unazën e Madhe përgjysmë dhe së fundmi Lubi Loti e ndau në 13 lote kilometrat e fundit, që nuk ka ndodhur kurrë në histori.

Pra, ne marrim përsipër një ndryshim të fuqishëm dhe të shpejtë të gjendjes së shqiptarëve.

Të gjendjes ekonomike, biznesit, fermave dhe mbarë Shqipërisë.

Anxhela Karanxha: Ju përshëndes duke falënderuar për gjithçka që bëni për demokracinë shqiptare ende në këtë moshë. Do të doja të ju bëja një pyetje rreth programit tuaj për emigrantët shqiptarë. Një pjesë e mirë e emigrantëve kemi 35 vite që jetojmë jashtë, jemi të persekutuar institucionalisht nga të dy anët e Adriatikut dhe kemi mangësi të theksuar institucionale. Dy fjalë nga programi juaj për hallet e fëmijëve tanë të lindër në Itali, që në Shqipëri nuk e kanë idenë.

Sali Berisha: Ne kemi një program shumë serioz për emigrantët shqiptarë, që synon rikthimin e tyre në Shqipëri. Lehtësimin e rikthimit të butë të tyre në vendin e tyre. Me këtë zbrazje të tmerrshme të Shqipërisë do të jetë një nga qëllimet kryesore. Ata të rikthyerit, për të investuar kursimet e tyre do të kenë një periudhë 5 vite pa taksa.

Krahas kësaj do të bëhet gjithçka për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kudo që të jenë. Një përqendrim i madh do të bëhet me mësimin e gjuhës shqiptare, krijimin e kushteve për mësimin e Shqipes aty ku janë me metoda online, apo dhe praktika që ekzistojnë në BE me shkolla të së shtunë-diel duke paguar mësuesit që të mësojnë nxënësit.

Në rrafshin e shërbimeve, do të bëjmë gjithçka që ato të kryhen pa nevojën e paraqitjes së tyre, për të evituar, qoftë duke fuqizuar zyrat tona, në vendet ku jetojnë në ambasada, qoftë duke fuqizuar komponentin digjital të shërbimeve ndaj tyre. Pra në këto zgjedhje të parat që diaspora shqiptare dhe emigracioni thonë fjalën e tyre, çelet një kapitull i ri në qëndrimin e shtetit shqiptar, ndaj bashkëkombësve shqiptarë kudo që janë.

Arben Gegaj: Kur të vijë PD në pushtet, si do të veprohet me dosjet e gjykatave që po flenë nëpër sirtare dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë.

Sali Berisha: Dosjet e qytetarëve në gjykata, që po rriten nga viti në vit dhe nuk po zvogëlohen, të cilat 3 vite më parë ishin 136 mijë, sot janë 150 mijë, janë problemi ndër më të mëdhenjtë në historinë e shtetit shqiptar.

Reforma e Xhorxh Sorosit, dhe jo vetëm e tij, u shkatërroi shqiptarëve sistemin e drejtësisë, nuk them se ishte pa të meta.

Por nuk ishte kurrë ky që është sot.

Sot çdo shqiptar pret të paktën 15 vjet për një proces civil ose paguan qimet e kokës ryshfet për të afruar datën e tij.

Sot ryshfeti që i paguhet drejtësisë është minimumi 3-5 herë më i madh se sa paguhej më parë.

Kemi deklaruar përparësi absolute është bashkëpunimi ynë dhe përgjigja ndaj këtij problemi në bashkëpunim me Komisionin e Venecias.

Nuk është e lehtë, sepse ata që e rrënuan dhe i lanë shqiptarët pa sistem drejtësie, i lanë pa proces të drejtë ligjor, ata nuk duhet të pranojnë këtë realitet.

A keni dëgjuar ndonjë prej tyre të qajë hallin se ju prisni, se ju nuk merrni vendime gjykatash?

Sikur nuk jeni njerëz, por liliputë.

Garantoj shqiptarët se kjo është një përparësi absolute e jona dhe po me institucionet më të mira ndërkombëtare do i japim përgjigjen më të mirë.

Situata është emergjente, do marrë përgjigje emergjente.

Ne po punojmë me ekspertët më të mëdhenj në Europë, po përgatitemi që pas ardhjes në pushtet, pa humbur kohë, të kalohet në veprim.

Për sa i përket të përndjekurve, pres me kënaqësi takimin javën e ardhshme me të përndjekurit politikë me të cilët do finalizohet programi.

Dhe i garantoj se qeveria, dëmshpërblimin dhe kompensimin e tyre do e ketë një përparësi madhore të programuar dhe brenda këtij mandati do shlyhet çdo detyrim që shoqëria shqiptare ka ndaj tyre.

Daniel Katana: Çfarë plani ka qeveria Berisha për ekonomikë dhe bizneset që i paguajnë punëtorët me para në dorë, pa u paguar sigurimet.

Sali Berisha: Shqiptarët duhet ta mësojnë dhe ta marrin vesh se, pagatori më i madh në Shqipëri i rrogave pa sigurime shoqërore më i madh se të gjithë privatët është narkoshteti i Edi Ramës. Qindra milionë euro nuk janë paguar, sigurimet e administratës nuk janë paguar në fondin e sigurimeve shoqërore. Një shtet zuzar, një shtet në një akt që nuk ka shtet në botë që e bën, që e mban administratën në të zezë, se po të mos paguash sigurimet shoqërore, do të thotë e mban në të zezë administratën.

Ua thashë këtë për të rikujtuar një moment. Dy muaj për parë, për të mashtruar pensionistët Edi Rama, thirri një grup pensionistësh dhe biznesmenësh dhe akuzonte biznesmenët në prani të pensionistëve se këta i kanë fajet për pensionet tuaja se nuk derdhin sigurimet shëndetësore të punonjësve. Por në fakt borxhliu më i madh në fondin sigurimeve shoqërore është narkoshteti i Edi Ramës dhe administrata e tij, për të cilin Rama, Ministria e Financave nuk derdhin sigurimet shoqërore në Institutin e Sigurimeve.

Ndaj atyre sipërmarrëseve që japin rrogat në dorë paguar i garantoj se do të kenë pasojat më të rënda, sikundër i garantoj se barra e tyre fiskale do përgjysmohet. Se ky përgjysmim i barrës fiskale ndaj bizneseve do ti inkurajojë ato që të kryejnë veprime më të ligjshme dhe në përputhje me ligjin me pagat, me sigurimet shoqërore dhe gjithçka tjetër.

Abaz Memija: A ka shanse të shtyhen zgjedhjet që të instalohet një qeveri teknike pa Ramën, që votuesi të shprehet në kutinë e votimit pa patronazhim dhe frikë.

Sali Berisha: Ne po luftojmë, por në fakt nëse deri dje Erion Veliaj ishte një kufomë politike e pakallur, sot Edi Rama është gjysma e Erion Veliajt në detyrë, se janë vëllezër siamez. Pra se çfarë sjell jo java, por dita për atë njeri me ato që pamë dhe po zhvillohen askush nuk mund ta parashikojë. Kështu që ne do të shkojmë drejt fitores së sigurtë.

Tek patronazhistët. Unë jam sot para jush për ti bërë thirrje dhe për të garantuar administratën se PD dhe koalicioni i saj ka dhe do të ketë respektin më të palëkundur ndaj të gjithë punonjësve që zbatojnë ligjin dhe u shërbejnë qytetarëve duke zbatuar ligjin.

Sikundër u jap fjalën patronazhistëve se do të përballen me akuzën e rëndë të krimit elektoral, pasojat e kësaj përballje janë tepër të rënda dhe të gjithanshme për ta. Do të kenë pasoja shumë të rënda ligjore për krimin e tyre elektoral, ndaj dhe stop bashkëautorësisë në krim elektoral. I garantoj se ligji do të shpallë krim të rëndë, krimin elektoral dhe ata do të gjykohen për këtë vepër penale në shumë aspekte. Mos u angazhoni në krim kushtetues.

Sikundër ata që dolën pardje te gjykata. Ata të gjithë do të dënohen për pjesëmarrje në puç. PD e cilëson atë grusht shtetit, prandaj të përgatiten. Nga Edi Rama te Ervin Hoxhaj rrugaç, që goditën makinat e gjykatësve, rrogëtar të shtetit në orar pune. Pra ne respektojmë shumë administratën dhe njerëzit të cilët i shërbejnë në përputhje me ligjin janë shërbëtore të qytetarëve. Por të tjerët që janë shndërruar në mercenarë të Edi Ramës do të pëballen me pasoja shumë të rënda.

Ajet Torba: Me ardhjen tuaj në pushtet çfarë do të bëni me 15% e shitblerjes së banesave.

Sali Berisha: Të paktën do të pjesëtohet me 5, do të pjesëtohet me 5, për të mos thënë edhe më shumë.

Gëzim Hyka: Kur të vini në pushtet çfarë do të bëni me moshën e pensionit. Do ta rishikoni atë?

Sali Berisha: Gjatë këtyre kohëve kam lexuar një material interesant, i cili më ka ndikuar, dua të jem i sinqertë me ju. Në këtë material lexoj se pensioni në SHBA, që është 67 vjeç, shumica dërrmuese e amerikanëve marrin pension në moshën 62 vjeç.

Nuk vazhdojnë më tutje. Dhe unë garantoj se do të rishikoj këtë moshë. Këta që e rritën këtë moshë, u ngutën. Unë premtoj rishikimin e saj.

Endrago Puçi: A do të ndryshojë sistemi taksist klientelist dhe a do të jetë taksimi i barabartë për të gjithë bizneset?

Sali Berisha: Taksim i sheshtë është ligji i pandryshueshëm i PD. Taksë e sheshtë.

Altin Tirona: Po me pronat çfarë zgjidhje keni vendosur. 18 vite nëpër gjykata dhe gjykata nuk e njeh pronësinë. Unë jetoj në Itali, kemi blerë apartament në 2008 dhe akoma nuk kemi certefikatë pronësie. Kemi ble shtëpi, por shtëpi nuk kemi.

Sali Berisha: Çështja e pronave është komplekse, për të cilën ne do të bëjmë gjithçka ti japim përgjigjen përfundimtare. Në fakt në vitin 2013, 90 përqind e të gjitha dosjeve të pronave kishin marrë përgjigje. Por 10% nuk janë pak. Ne rikthejmë me forcë respektimit e të drejtës së pronarëve, njohjen e kësaj të drejte dhe pagesës me vlerë tregu të detyrimeve ose me kompensime me troje të lakmueshme, turistike.

Porsa i përket gjykatave, nuk ka vendim sot pa humbur 15 vite. Do të bëjmë gjithçka që kjo punë të marrë fund brenda një kohe të shkurtër. Me Komisionin e Venecias, ata që e shkatërruan atë sistem fragjil, por gjyqë zhvilloheshin për 2-3, por jo 15 -20 vite. Prandaj dhe duhet një ndërhyrje urgjente në këtë sistem dhe unë kam besim se do ta realizojmë.

 Feride Rrahmanaj: Pas ardhjes në pushtet të PD, si do ti bëhet rikthimi i shërbimeve në Tropojë, pasi jemi rrethi më i largët nga qendra, dhe si rezultat i heqjes së të gjithë shërbimeve Tropoja është pothuajse e shpopulluar. Këtë vit shkollor në të gjithë rrethin janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës vetëm 160 nxënës.

Sali Berisha: Gjendje dramatike sot në Shqipëri. Mbrëmë lexoja mesazhet e një miku, kolonjar. Më shkruante se në vitin 2023, në qytetin e Kolonjës në të gjithë vitin lindi vetëm 1 fëmijë. Pra shifrat që ju jepni janë shifra që dëshmojnë se ne po shkojmë drejt shuarjes. Nëse nga viti 2014-2023 sipas Eurostat, që është statistike absolutisht e sigurtë, në zonën e Shengenit emigruan 1 mln e 99 mijë shqiptarë, pa llogaritur shtetet jashtë Shengenit. Po të kemi parasysh se këta njerëz do të marrin edhe 1 mln njerëz në vitet që vijnë, këtu nuk do të merret vesh se kush do të vijë.

Një politikë e fuqishme e ripopullimit të Shqipërisë dhe në këtë kuadër decentralizimi do të mbetet një qëllim madhor i yni. Shërbimet do të rikthehen aty ku kanë qenë. Ato jo vetëm që nuk kanë sjellë kursime, përkundrazi ato janë shoqëruar me punësime masive militantësh.

Sot po të marrësh numrin e administratës së asaj kohe që ishte e pranishme në të gjitha qytetet e vendit, është dy herë më e lartë në qendrat e përqendruara. Shërbimet do të rikthehen. Institucionet do ti rikthehen Tropojës, Kukësit, Gjirokastrës, Delvinës, Sarandës, do rikthehet decentralizimi fuqishëm.

Do të bëjmë gjithçka nuk mund të pranojmë që shërbimet të mos jenë më, që spitalet të boshatisen, mos të kenë mjek e infermier. Imagjino shkollat, imagjino se në vitin 2030 klasa e parë në Kolonjë do të ketë vetëm një nxënës, i uroj jetë të gjatë, një qytet i tërë pret një nxënës të vetëm, sepse vetëm një ka lindur në vitin 2023.

Paul Parubi: Ju lutem ma shpjegoni se si është puna e palestinezëve, sa e vërtetë është, çfarë flitet për ardhjen e tyre në Shqipëri?

Sali Berisha: Ajo çfarë di unë është kjo. 4 muaj më parë, midis ndërtuesve në Tiranë është qarkulluar lajmi, ose ata janë shprehur: po ndërtojmë se do të na sjellë Edi Rama palestinezët për të blerë 20 mijë apartamente. Kjo është absolutisht fjalë e thënë nga jo një, por disa ndërtues. Kur e kam dëgjuar, e kam quajtur fantazi.

Më vonë, mediat izraelite, dhe jo vetëm ato kanë cituar Shqipërinë dhe kanë bërë fjalë për negociata me Edi Ramën për sjelljen në Shqipëri të 100 mijë palestinezëve. Edi Rama e mohoi këtë në mënyrë të prerë. Por, sa mund t’i besosh Edi Ramës?

Edi Rama, gënjen në çdo fjalë. Për karrigen e tij është i gatshëm të gënjejë gjithë botën. Kështu që, unë më shumë se kaq nuk mund të them.

Valentina Likaj: Z.Berisha. është e sigurtë kësaj radhe fitorja juaj, por a keni një plan për familjet në nevojë dhe pensionistët? Po me ilaçet, a do t’i jepni falas se ky tjetri nuk e mbajti fjalën?

Sali Berisha: Për familjet në nevojë dhe pensionistët ne kemi një plan emergjent, energjik dhe të sigurtë. Në republikën e Shqipërisë nuk do të ketë pension nën 200 euro. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se sot mbi 80% e pensionistëve kanë një pension nën 200 euro.

3 muajt e parë të qeverisë së PD në pushtet, çdo pensionist që merr nga 120 gjer në 180, 190 euro do marrë 200 euro. Çdo pensionist që merr çerek pensioni, 2/3 e pensionit do marrë 200 euro. Çdo i papunë do marrë 200 euro. Çdo familje, ndihmë ekonomike do marrë 200 euro. Rroga minimale do jetë 500 euro. Ilacet do të jetë rimbursim i plotë. Jo vetëm kaq.

Do proporcionohen.

Më shkruante një ditë një zonjë:

Doktor, unë jam në një banesë sociale, marr pension 130 mijë lekë. 62 mijë lekë paguaj qiranë e banesës sociale, ato që mbeten nuk i përballoj dot.

Tani, kjo zonjë me 130 mijë lekë në banesë sociale paguan 62 mijë lekë. Komshia i saj, me një rrogë 800 mijë lekë, paguan 62 mijë lekë. Do marrin fund këto. Do ketë proporcionim. Për ushqimet, do marrin kartën e konsumatorit. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë se tvsh-ja e ushqimeve do t’u rikthehet atyre që marrin minimumin jetik, të gjithë punonjësve me rroga të ulëta. Të gjithë pensionistëve, pa përjashtim. Por sa është kjo? Kjo është 3 pensione në vit.

Energjia, nuk do jetë 95 lekë. Energjia do jetë 7 lekë për kilovat. Uji, do përgjysmohet, por mbi të gjitha do proporcionohen. Nuk mund të paguajë në ndërtesën sociale qira pensionistja me 130 mijë lek, sa paguan rrogëtari me rrogë 800 mijë lekë. Merr fund kjo. Ne i japim përgjigje kësaj brenda 3 muajve. Pastaj ne ndërmarrim projekte të tjera.

Ada Tota: Përshëndetje Prof. Dr. Sali Berisha, deklarata e zv/presidentit të SHBA-ve një ditë më parë në konferencën e Sigurisë së Mynihut, duket sikur ishte shkruar kundër Edi Ramës dhe narkoqeverisë së tij. Cili është mendimi juaj, si do të ndikojë presidenca e SHBA-ve në qeverisjet në Europë dhe Shqipëri?

Sali Berisha: Presidenti Donald Trump dhe presidenca e tij ka bërë të qartë se, bashkëpunimi do përcaktohet nga qëndrimi i vlerave që ndajnë njerëzit e lirë. Kryetari i Komitetit Kombëtar të Partisë Republikane deklaroi në Tiranë se, Edi Rama është një kukull e Xhorxh Soros. Por ju e dini që, Presidenti Donald Trump e konsideron atë një armik të rrezikshëm për SHBA-të dhe botën. Në këtë kuadër, ne bashkëpunojmë ngushtë me SHBA-të.

Unë përshëndes përzemërsisht deklaratën historike në Mynih të zv/presidentit JD Vance në konferencën e Sigurisë. Ajo deklaratë binte në kokën e dy diktatorëve të Europës. Aleksandër Lukashenkos dhe Edi Ramës.

Këta të dy janë narkodiktatori dhe diktatori tjetër që përdorën Drejtësinë për të arrestuar liderët e opozitës. Që përdorën Drejtësinë për të goditur pluralizmin politik. Që shndërruan Drejtësinë në një armë në duart e diktatorëve. Ishte historike, edhe njëherë e them, fjala e JD Vance.

Faleminderit!

***

Ju falënderoj shumë të dashur miq që ndoqët këtë bisedë. Ju falënderoj për pyetjet që bëtë. Do të jem më shpesh i pranishëm në bashkëbisedime me ju, dhe ju lutem ndjehuni të lirë për çdo pyetje, çdo koment dhe çdo sugjerim e propozim që keni. Unë i pres ato me kënaqësi. Faleminderit, dhe ju uroj një fundjavë të mbarë. Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale