Berisha: Çdo e dhënë për sigurinë kombëtare është disponuar nga Ergys Agasi dhe kartelet shqiptare të drogës

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp ditën e sotme, akuzoi me tone të forta qeverinë Rama, duke e cilësuar situatën aktuale si skandalin më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar në rrafshin e sigurisë kombëtare. Berisha deklaroi se të gjitha të dhënat shtetërore dhe personale të qytetarëve shqiptarë, përfshirë të dhëna sensitive që lidhen me sigurinë kombëtare dhe sistemet e NATO-s, janë eksportuar në mënyrë të paligjshme nga institucionet shtetërore dhe kanë përfunduar në duart e grupeve kriminale dhe karteleve të drogës në Amerikën Latine, përmes AKSHI-t.

Sipas Berishës, kjo veprimtari përbën një akt të rëndë kriminal të organizuar, ku janë përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe persona të afërt me kryeministrin. Ai akuzoi qeverinë për korrupsion masiv, vjedhje përmes tenderëve publikë dhe për keqpërdorim të fondeve shtetërore, duke përmendur veçanërisht një tender për inteligjencën artificiale, të cilin e cilësoi si fiktiv, me vlerë dhjetëra miliona euro. Berisha u shpreh para gazetarëve se fondet janë disbursuar me urgjencë për t’u shmangur nga sekuestrimi i mundshëm i AKSHI-t.

Në këtë kontekst, lideri democrat, Sali Berisha theksoi se çdo e dhënë personale e qytetarëve shqiptarë, nga dokumentet e identitetit dhe të dhënat bankare deri te sigurimet shoqërore, është vënë në rrezik, duke shkelur hapur ligjin dhe parimet e sigurisë shtetërore. Berisha e cilësoi këtë situatë si pengmarrje të shtetit dhe kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, si dhe formimin e një qeverie tranzitore që do të përgatisë zgjedhje të reja.

Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve me gazetarët, Berisha kundërshtoi ashpër zhvillimin e seancave parlamentare me dyer të mbyllura, duke argumentuar se nuk mund të fshihet e vërteta për aferat korruptive dhe vjedhjet e qeverisë në emër të sekretit hetimor” Ai deklaroi se qytetarët janë viktimat reale të këtyre aferave dhe kanë të drejtë të informohen.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se opozita mbështet çdo prokuror dhe gjyqtar që zbaton ligjin dhe vepron me guxim, por akuzoi institucionet e drejtësisë për standarde të dyfishta, presione politike dhe bllokim të hetimeve të rëndësishme. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të penguar drejtësinë përbën një akt të ngjashëm me grushtin e shtetit.

Kryedemokrati konfirmoi se opozita ka nisur mobilizimin për protesta kombëtare paqësore kundër qeverisë, duke theksuar se qëllimi është largimi i Edi Ramës nga pushteti dhe rikthimi i shtetit ligjor, kushtetutshmërisë dhe demokracisë në Shqipëri.

FJALA E PLOTË

Çdo e dhënë për çdo shqiptar, çdo e dhënë për sigurinë kombëtare të këtij vendi, anëtar i NATO-s, siguria kombëtare e Shqipërisë është siguri kombëtare në sistemin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, të gjitha pa përjashtim, në një bashkëpunim kriminal të AKSHI-t, që është database i të gjithë të dhënave, janë disponuar nga Ergys Agasi, Fatmir Troplini, Elvis Doçi, Suel Çela, kartelet shqiptare të drogës në Amerikën Latine.

Pa përjashtim, të gjitha të dhënat janë eksportuar nga të gjithë sistemet e IT në Shqipëri, nga famëziu Ermal Beqiri, Ergys Agasi, Mirlinda Kaçanaj.

Kjo përbën ngjarjen më të rëndë në rrafshin e sigurisë kombëtare dhe të historisë së shtetit shqiptar.

Sot, kartelet e drogës, armiqtë e Shqipërisë, që i kontrollojnë dhe punojnë me to, Ergys Agasi, disponojnë çdo të dhënë.

Në eksportin e të dhënave të TIMS, eksport që ndodhi vetëm pak ditë pas emërimit të Taulant Ballës ministër, të dhëna top-sekret për sigurinë dhe luftën kundër kriminalitetit, është dora e zezë e AKSHI-t, e Ermal Beqirit dhe të tjerëve.

Pra, bashkëpunimi i organizatës kriminale në krye të AKSHI-t, kopshtit privat të Edi Ramës, që ka për strumbullar Armand Frangun, baxhanakun e Edi Ramës, rreth të cilit kanë operuar Ermal Beqiri, Gerond Meçe, Ilir Beqaj dhe të tjerë.

E faktuar kjo!

Në një akt të paimagjinueshëm vjedhjesh, korrupsioni, pengmarrjesh, gjithnjë për llogari të Armand Frangut, me prestanome ortakët e tij Ermal Beqiri, Gerond Meçe dhe të tjera, kjo organizatë ka kryer krimet më të rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe për vendin.

Edi Rama ka urdhëruar dy ditë më parë t’iu paguhen kunatit 25 milionë euro nga tenderi për përmirësimin e inteligjencës artificiale, që është fund e krye një falsitet.

Pra, imagjinoni, familja Rama merr për tenderin për përmirësimin e inteligjencës artificiale, se plasi inteligjenca artificiale në Shqipëri, 75 milionë euro.

Dhe duke e ditur se AKSHI mund të bllokohet, sekuestrohet, Rama urdhëron Thesarin, urdhëroi financat t’i disbursojnë me urgjencë lotin e fundit të parave të papaguara, 25 milionë euro nga 75.

Përveç këtyre, të dhënat, të cilat ligji i ndalon strikt angazhimin e kompanive të huaja në administrimin e tyre, iu janë ofruar edhe kompanive të huaja.

Pra, me një akt që shkel çdo ligj dhe çdo parim, çdo e dhënë personale e çdo shqiptari që ka letërnjoftim apo pasaportë, që ka konto bankare, që ka sigurime shoqërore apo ndihmë ekonomike, të gjitha llojet e të dhënave janë eksportuar në duart e grupeve kriminale në mënyrë që ato të mund të programojnë për interesat e tyre.

Edi Rama duhet të japë urgjentisht dorëheqjen.

Forcat politike të opozitës, të mbledhura sot, vendosën të mobilizojnë të gjithë potencialet e tyre në një betejë vendimtare, në revolta vendimtare për t’u ndarë nga kjo e keqe e madhe që i ka rënë Shqipërisë mbi krye.

Është një sistem pengmarrje i paimagjinueshëm.

Janë të marrë peng në zinxhir.

Ndaj dhe njëherë kërkoj largimin e tij të menjëhershëm nga qeveria, qeverinë për të përgatitur zgjedhjet e reja dhe rikthimin e Shqipërisë në rrugën e ligjit dhe Kushtetutës.

PD dhe opozita kërkojnë shtetin ligjor, kushtetutshmërinë e vendit në Shqipëri.

Ndaj dhe iu është drejtuar qytetarëve me bindjen më të madhe se është radha e tyre për të përcaktuar me revoltën e tyre fatin e vet, të familjeve dhe të mbarë vendit.

PYETJE-PËRGJIGJE

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, sot po zhvillohet mbledhja e Këshillit të Mandateve me dyer të mbyllura, ndërkohë që është propozuar në të nga socialistët që edhe seanca plenare të jetë po e mbyllur. Pretendimi ka qenë për ruajtjen e sekretit hetimor. A keni një koment për këtë?

Berisha: Që ta ketë të qartë çdo shqiptar. Gjer sot ajo dosje ka vetëm një sekret, dhe ai sekret nuk mund të bëhet publik.

Në interesin e procesit, asnjë sekret tjetër, asnjë dokument tjetër, asnjë material tjetër, nuk është sekret, as dhe videot e tyre nuk janë sekret.

Pra, asnjë nuk është sekret. Ka një element dhe parlamentarët e opozitës në interesin më të mirë të procesit, do ta mbajnë. Nuk do ta bëjnë publik.

Vetë prokurorët për shkak të atij sekreti kanë kërkuar që provat të mos i dorëzohen delinkuentes Ballukut dhe jo të mos i jepen deputetëve.

Seancë të mbyllur për vjedhjet e Edi Ramës ne nuk pranojmë.

Ne nuk pranojmë seancë të mbyllur për vjedhjet e Lubi Ballukut. Jo seanca do të jetë e hapur. Nuk jemi ne si deputet që na kanë vjedhur, janë qytetarët shqiptarë që janë vjedhur prej tyre.

Imagjinoni ju, cili shqiptar mund të mendonte se ajo ka shndërruar në apartamente, ka 300 apartamente të grabitura, të blera në këtë mënyrë.

Cili? Dhe këto janë vetëm apartamentet. Po jahtet, 2 jahte. Po vilat, po kontot bankare, me dhjetëra, mos qindra milionë. Këta nuk kuptojnë, këta t’i falen Zotit që nuk ka Shqipëria dënim me vdekje, se me këtë që kanë bërë meritonin çdo dënim kapital.

Lexoni pak për ata diktatorët e dikurshëm të Afrikës, se si i çonin paratë në bankat e Zvicrës për ti ruajtur. 

300 apartamente kjo.

Vinoteka e Edi Ramës tek Ergys Agasi, 4 milionë euro me shishe Romano Conti, etj., që u shkon shishja 30-35 mijë euro, 70 vjeçare të vjetruara.

A e dini ju, që kamerat e Gys Agasit të inauguruara me pompozitet të madh brenda Bllokut, tregojnë se aty faleshin ministra e zyrtarë të tjerë. Edi Rama po e po, e kishte si shtëpinë e dytë aty.

Ata janë të gjitha të filmuara.

Ku është Ergys Agasi sot. Pra shteti ka rënë, nuk ndihen.

E keni marrë vesh ju se po shkarkohen gjeneralët e forcave ushtarake. Po shkarkohen se janë të gjithë aksionerë në gjirin e Limionit. Aty është vetë ky, ka qenë shef shtabi ky që është president sot.

Shteti ka rënë. U përket qytetarëve të thonë fjalën e vet.

Edi Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë.

Lubia ka qenë thjeshtë një shërbëtore e tij. Nuk them se nuk ka vjedhur, por ka zbatuar urdhërat e tij ama. Janë të gjitha në dosje urdhërat e Ramës.

Nuk e mora sot atë unë, mesazhin, i patë mediat si ishin aty. I patë vetë.

Qindra milionë secila nga mediat e qeverisë. A ka krim më të shëmtuar se të paguash mediat për të mashtruar qytetarët dhe për të sulmuar opozitën. A ka krim më të shëmtuar se kjo.

I patë ju vetë aty. Do t’i rikthehemi temës, po do i rikthehemi se të marrësh paratë e njerëzve më të varfër dhe t’i paguash për t’i mashtruar, për t’i mashtruar, për t’i thelluar më shumë në varfëri ata. Përbëjnë një krim shumë të rëndë në vetvete.

Pra kjo është situata dhe unë kam besim shumë të madh se qytetarët do të flasin do e thonë fjalën e tyre. PD do t’i udhëheqë ata me vendosmërinë më të madhe.

Elda Menga, Top Channel:Z.Berisha, në takimin me aleatët ju u rreshtuat krha njerëzve të drejtësisë, duke i dhënë mbështetjen e plotë të opozitës. A do të thotë se do të kemi një ndryshim kursi ndaj institucioneve të drejtësisë,pas largimit të Altin Dumanit nga SPAK dhe pas caktimit të një prokurori të ri. A do të thotë se nga sot e tutje do të bjerë termi Skap dhe do quhet ashtu sikurse e ka emrin, Spak.

Berisha: Në fakt, kurrë nuk kam pasur qëndrim tjetër ndaj atyre që zbatojnë ligjin.

Në mënyrë absolute ligji dhe Kushtetuta kanë qenë besimi im absolut politik.

Dhe ju e keni parë, është faktuar, kanë hetuar gjithçka dhe nuk tregojnë një akt më të vogël shkelje të ligjit.

Një njeri që beson se zbatimi i ligjit dhe i Kushtetutës është kusht për liritë dhe të drejtat njerëzore, nuk mund të ketë asnjë hezitim në vlerësimin më maksimal tek ata që e zbatojnë.

E kam thënë edhe tek dera e tyre, me admirim për çdo burrë, grua, djalë, vajzë aty që zbaton ligjin.

Dhe ka të tillë, pa diskutim.

Duke thënë këtë, kurrë nuk bie dakord me fshehjen e krimeve që ndodh aty.

Jo, nuk bie.

Ata që fshehin kriminelë dhe krime, ata nuk meritojnë një ditë të jenë në punë të shtetit, pro të jenë aty para ligjit.

Por duhet thënë, prokurorë të guximshëm, hetues të guximshëm, morën të pandehur zëvendëskryeministrin dhe unë i përgëzoj ata.

Por mos harro, jam kryeministër që kam pasur një zëvendëskryeministër, dhe që qeveria varej nga votat e partisë së tij, dhe që ai erdhi dhe dha dorëheqjen, pa e kërkuar prokuroria, se i tillë ishte standardi i qeverisë, i tillë ishte standardi i tij individual. Jo, tha, unë nuk shkoj në prokurori si zëvendëskryeministër.

Ministrat kanë dorëzuar imunitetin sa herë iu është kërkuar.

Kurse tani betejë, shkatërrohet një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë përfundimtare, i imponohen vendime antikushtetuese.

Çfarë mund të thotë një njeri i qytetëruar, i përgjegjshëm?

Në rastin tim, ajo gjykatë, kërkesën për masën, e paraqitur nga 30 deputetë, në mënyrë absolute në përputhje me Kushtetutën, ata gjykatës e hodhën poshtë, nuk e morën në shqyrtim me qëndrimin antikushtetues se nuk përfaqësojnë parlamentin.

Nuk thotë parlamenti aty, Kushtetuta thotë 30 deputetë.

Ose e morën dhe e shqyrtuan në mënyrën më të rrufeshme rastin e Ballukut, e shtynë tre ose katër muaj rastin tjetër.

Çfarë drejtësie është kjo?

Kjo është një drejtësi në këmbët e një organizate kriminale.

Por në këtë drejtësi, siç janë këta, siç është Irena Gjoka, ka edhe njerëz, që unë i përgëzoj, që i qëndrojnë ligjin, që kanë guxim dhe nuk mposhten.

Ju lutem, mos harroni një moment, shkojmë tek agjencia e pengmarrjeve. Agjenci shtetërore, e varur direkt nga kryeministri, më afër se ministritë. Një prokuror në verë, një Elvin, dha dorëheqjen papritmas. Kishte dosjen, dha dorëheqjen pa dhënë asnjë shpjegim.

Dha dorëheqjen se mund ta merrnin peng.

Rrethanat nuk e lejonin dhe dha dorëheqjen.

Ky, prokurori i dosjes së Lubisë, kërcënime të shumëfishta.

Dhe i them Edi Ramës, absolutisht do përgjigjej personalisht për secilin prej tyre në qoftë se u dhunohet gjëja më e vogël atyre.

Ata janë të mbrojtur nga ligji dhe mos guxo të prekësh njeri prej tyre, mos guxo të bësh presione ndaj tyre.

Ka ndërmarrë veprimet më të padrejta, është ndjekur rruga ligjore siç mund të ndiqet.

Këta e rrethuan menjëherë me Lali Vjedhësin, desh i rrahën gjykatësit dhe prokurorët.

Dhe tani, keqpërdorin në shkallë ekstreme Gjykatën Kushtetuese për të bllokuar drejtësinë.

Bllokimi i drejtësisë është vepër e ngjashme me grushtin e shtetit.

Dhe Edi Ramës do i përgjigjemi si puçist po qe se bllokon drejtësinë.

Elda Menga, Top Channel: Të hënën keni thirrur protestëne parë kombëtare, ju edhe sot latë të haur opsionin e grevës së urisë. A do të thotë kjo që deputetët e opozitës të pregatiten që të kalojnë fundvitin poshtë zyrës së Edi Ramës. Gjithashtu, shpeshherë keni përdorur edhe termin revolta, të cilat njihen botërisht si kundërshtim me dhunë i instucioneve të ligjit. A po paralajmëroni që protesta e 22 dhjetorit nuk do të jetë paqësore?

Berisha: Ne që të jemi shumë të qartë, jemi forcë politike paqësore.

Ne diktaturën më të dhunshme të kohërave e kemi përmbysur në mënyrë paqësore. Nuk heqim dorë ne nga parimet tona.

Ka revolta paqësore të cilat kanë oshilacionet e tyre dhe grevat, nuk thashë se do hyjnë në grevë deputetët. Jo. Por janë të gjitha opsionet të hapura.

Me Edi Ramën, Shqipëria është në greminë dhe po gremiset më keq.

Të largohet Edi Rama, kjo është evidente në të 4-anët.

Çfarë do të thoni ju nesër, nëse një prokuror guxon dhe e thërret kunatën e strumbullarit të ngjarjeve të AKSHI-t, Armand Frangut, bashkëshorten e kryeministrit.

A e lexuat sot apo jo. Luftë thoshte zëdhënësi i Ramës, luftë thoshte. Njeri më shumë se ai, nuk shpreh Rama. Luftë thoshte luftë.

Jo mo jo, nuk bën luftë. Shqipëria do të zbatojë ligjin dhe kushtetutën. Keni vjedhur, ja ku është ligji, shkoni tek ligji.

Të gjithë me radhë, kush ka vjedhur të shkojë para ligjit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale