Berisha: Çdo ditë që kalon amnistia e Erion Veliajt për djegësin e Tiranës nxin si monumenti më i turpshëm. Gledis Nano dhe Helidon Bendo u shkarkuan për shkak të skemës piramidale të Olsi Ramës dhe Amant Josifit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN E PËRJAVSHME ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha ka denocuar sot në konferencën e përjavshme të mbajtur me gazetarët, vjedhjen e re që Veliaj do t’i bëjë sot qytetarëve të Tiranës, duke i dhënë 6 milionë euro të tjera inceneratorit që nuk ekziston në Tiranë.  430 milionë lekë prej kësaj shume Veliaj do t’i marrë nga buxheti i arsimit për t’i kaluar tek inceneratori që nuk ekziston.

Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta të fuqishme dhe për ta kapur prej zverku Velian dhe për ta çuar aty ku a e ka vendin, në dyert e burgut. Ai tha se nuk ka asnjë shpresë në një reagim SPAK, i cili e ka amnistuar këtë krim të Veliajt.

Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi vjedhjen që iu është bërë mbi 200 mijë qytetarëve europianë me skemën e cal-centerave të Olsi Ramës dhe Amant Josifit.

Ai deklaroi se Gledis Nano dhe Helidon Bendo u shkarkuan pikërisht për shkak të hetimit që i bënë kësaj skeme pas të cilës qëndronte vëllai i kreut të qeverisë. Nga 15 qendra që kishte piramida Milton, 40 përqind i kishte në Shqipëri, sepse këtu ata kishin siguri të plotë të ushtronin aktivitetin kriminal, siguri që vinte direkt nga Rama.

Berisha tha se ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë u shkarkua në mënyrë brutale nga detyra vetëm sepse ai, informacionin që mori nga partnerët, e dërgoi në destinacionet e duhura dhe e njëta histori ndësghkoi edhe kreun  e Shërbimit Informativ, Helidon Bendo.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, mungesa e urdhër-arrestit për Amant Josifin e damkos SKAP-in si një organ të kontrolluar totalisht nga klani mafioz Rama. Berisha tha se, ky akt është po kaq i rëndë sa akti ndaj McGonigal.

Kryeari i PD dënoi lirimin me urdhër direkt të Ballës të shoferit të shefit të Komisariatit të Librazhdit, Skuraj pas arrestimit për drogë.

Berisha shtoi se nuk bëhet fjalë për 200 të arrestuar dhe e gjithë është një gënjeshtër e bërë në zyrën e Ballës. Ai tha se kjo gënjeshtër del edhe nga fakti se policia nuk nxjerr dot emrat e 200 të arrestuarve që ajo pretendon se ka bërë për të mashtruar opinionit e brendshëm dhe të jashtëm.

Kryetari i PD, Sali Berisha dënoi kapjen e plotë të gjyqësorit nga Rama duke u shprehur se ai sot kontrollon Gjykatën e Lartë me Sadushin e tij dhe Gjykatën e Apelit dhe Sadushen e tij.

Berisha u shpreh se Sadushi në Gjykatën e Lartë është peng i Ramës me dosjen e vetingut, i cili i fshihet opinionit publik në shkelje të hapur të Kushtetutës.

FJALA E PLOTË

Mirëdita!

Çdo ditë që kalon me amnistinë e Erion Veliajt, apo amnistia e Erion Veliajt nxin si monumenti më i shëmtuar, më i turpshëm i kontrollit të drejtësisë, i triumfit të padrejtësisë.

Erion Veliaj kërkon të kalojë sot në një mbledhje të mbyllur, dhe me këtë rast iu bëj thirrje këshilltarëve të opozitës në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, mbajtjen e asnjë mbledhje Këshilli Bashkiak me dyer të mbyllura.

Duke mbyllur sallat e parlamenteve lokale, kryetarët mafiozë të zgjedhur me vota të vjedhura nga krimi, para, etj., duan të fshehin para qytetarëve krimet e tyre të vazhdueshme.

Iu bëj thirrje mediave të përcjellin çdo mbledhje Këshilli Bashkiak kudo që zhvillohet në interesin më të mirë të qytetarëve. Iu bej thirrje qytetarëve gjithashtu, që të imponojnë me protesta dhe të gjitha format mafiozët në krye të bashkive të mos mbyllin mbledhjet e këshillave bashkiakë.

Një Këshill Bashkiak është parlamenti lokal i atij qyteti, i asaj bashkie, dhe ai duhet të ketë veprimtari transparente para qytetarëve të vet. Por rikthehemi tani tek ajo që deklarova.

Nxin çdo ditë e më shumë monumenti i turpit i amnistisë së Erion Veliajt. Sot ai kalon në Këshillin Bashkiak vendimin për 600 milionë lekë tjera në kompaninë e tij, me pronarë në letra Zoto dhe Mërtiri.

6 milionë euro kalon ky mafioz duke zhvatur qyetetarët shqiptarë me tarifën 29 euro tonin, në një kohë kur kontrata parashikon 11 euro. Erion Veliaj, çdo ditë që kalon është aktakuzë e rëndë për SKAP-in e partisë dhe kontrollin e tij nga qeveria, nga Edi Rama.

Qytetaret duhet ta dinë se këto 600 milionë lekë, apo 6 milionë euro, ku i ka marrë do thoni ju? 430 milionë lekë i ka marrë nga arsimi i fëmijëve. I ka marrë nga zëri i arsimit në buxhet. I ka hequr 430 milionë lekë.

130 milionë lekë ka hequr nga fondi i emergjencës. Por këto do presësh kur SKAP-istët marrin përsipër krimin e shëmtuar të amnistimit të tij. Nuk mund të priten gjëra të tjera. Pra, merr fondin e emergjencës dhe e çon në sipërmarrjen e djegësit të tij, merr fondin e vogëlushëve, të fëmijëve, kopshteve, çerdheve dhe e çon në sipërmarrjen e tij.

Edhe njëherë u bëj thirrje qytetarëve për ta kapur për zverku dhe për ta çuar aty ku e ka vendin, te dera e burgut. Sepse në qoftë se presim për SKAPin, ju garantoj se ai do bëhet edhe kryeministër i Shqipërisë në mendjen e tij. Erion Veliaj është mafiozi që vendosi të heqë dorë nga praktika e mëparshme e trajtimit të plehrave me landfill-veçim-seleksionim dhe riciklim dhe të kalojë me djegie. Askush në Shqipëri nuk mund të vendoste, përveç atij.

Erion Veliaj është falsifikatori monstruoz, ka firmosur në emër të Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut të Tiranës për të paguar 90 milionë euro një ndërmarrje e cila nuk ekzistonte, por do rregjistrohej 6 muaj më vonë.

Erion Veliaj është iniciatori i përdorimit të koncesionit privat për trajtimin e plehrave të Tiranës, në dallim nga dy djegësit e tjerë, të Fierit dhe të Elbasanit. Erion Veliaj është përgjegjës për tetë pikët, së bashku me Edi Ramën dhe Agaçin që ju dhanë një kompanie që nuk ekzistonte 8 muaj para se ajo të ekzistonte, 9 muaj në këtë rast.

Erion Veliaj është përgjegjësi numër 1 i mashtrimit të madh, zhdukjes së rreth 200 milionë eurove pa nam, pa nishan. Gjoja për investim në 5 objekte të djegësit të Tiranës, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk është ndërtuar. Detyra e tij me shkrim ishte të raportonte çdo muaj për ecurinë e punimeve

Tani, Erion Veliaj i amnistuari i SKAP-it, heq nga fondet e arsimit, kopshteve, çerdheve 430 milionë lekë dhe i inkason në sipërmarrjen e tij.

Kjo është një histori kriminale, që duhet të marrë fund.

Të dashur qytetarë dhe qytetare! Të nderuar gazetarë dhe gazetare!

Këtu para jush, se Shqipëria aq sa është e vogël, aq të mëdha i ka skandalet. Të pafundme. Para jush, jo në një, por në disa konferenca ne jemi ndalë në aferën, në skemën e tmerrshme piramidale të Olsi Ramës dhe Amant Josifit. Skemë kjo që shkon në një vjedhje prej 2.4 miliardë euro.

Kjo skemë piramidale, në të cilën thuhet se janë vjedhur mbi 200 mijë qytetarë europianë në Spanjë, Gjermani dhe Itali, është realizuar nga i quajturi grup Milton, i cili kishte 15 qendra call-center në Ukrainë, Gjeorgji dhe në Shqipëri. Por, për habinë tuaj, vend lider ishte Shqipëria.

Nga 15 qendra që kishte piramida Milton, 6 apo 40 përqind të tyre i kishte në Shqipëri.

Shërbimet partnere prej kohësh u përpoqën që në Shqipëri të bëjnë hetime. Kjo ishte krejtësisht e pamundur sepse grupi Milton në Shqipëri ishte direkt në patronimin e Olsi Ramës, për rrjedhojë të Edi Ramës.

Përpjekjet e zyrtarëve shqiptarë për të krijuar hapësirën e nevojshme për hetimin e kësaj çështje, u hasën me shkarkimin e tyre. Ish-drejtori i përgjithshëm i policisë u shkarkua në mënyrë brutale nga detyra e tij, vetëm sepse ai, informacionin që mori nga partnerët, e dërgoi në destinacionet e duhura.

Helidon Bendo, edhe ai duket se largimi me urgjencë i tij nga SHISH, ka lidhje me këtë superskandal ndërkombëtar. Tani unë, ju e dini dhe ndofta s’ka nevojë, por grupi i gazetarëve investigativë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është marrë gjerësisht me hetimin e këtij problemi.

Grupi i gazetarëve vendosi të shtrinte investigimin edhe në Shqipëri. Aty ata deklarojnë se gjetën heshtjen e pazakontë nga policia shqiptare dhe SPAK. Këta gazetarë trima, guximtarë, më 15 dhjetor 2022, publikuan në internet shkrimin: Kërkohet ish-zyrtari shqiptar në lidhje me mashtrimin në call-center. Ata shkruajnë se u gjetën të shokuar nga mungesa e kooperimit të autoriteteve shqiptare, të cilat rrinin të heshtura. Artikulli lë të kuptohet se Amant Josifi gëzonte mbrojtje nga lart.

Dhe këtu kemi disa pjesë të këtij shkrimi që ka tronditur opinionin publik botëror. Spanja ka lëshuar një urdhër arresti për një ish-zyrtar të lartë në qeveri i ekspozuar nga rrjeti ynë i gazetarëve investigativë si pronar i një qendre telefonike Pegasus Telecomunications.

E keni parasysh që ky është me Olsi Ramën në lidhje. Ka ndërruar emrin njëherë, se thotë gjoja i ka shitur aksionet tek një emër tjetër për të mbetur Olsi përsëri aty.

Pra, ky thotë, Amant Josifi, një ish-këshilltar ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, me lidhje të ngushta biznesi me vëllain e kryeministrit Edi Rama akuzohet për mashtrim dhe anëtarësim në një organizatë kriminale sipas burimit të hetimit të policisë spanjolle.

Nuk dihet vendndodhja e Josifit kur është shkruajtur shkrimi. Shkrimi është shkruajtur në dhjetor të vitit 2022.

Josifi i cili ka mohuar në të kaluarën se qendra e tij kishte ndonjë lidhje me mashtrimin, u largua nga puna e qeverisë shqiptare. Nga ana e Josifit, Pranvera Strakosha ka një pozitë të spikatur në Shqipëri si kryesuese e një organi mbikqyrës i shërbimit civil shqiptar. E kuptoni, apo jo? Mafia. Edhe ajo nuk mund të arrihet për të na dhënë një koment. Natyrisht!

Në një seri të koordinuar bastisjesh në të gjithë Europën më datën 8 dhe 9 nëntor 2022, policia nga shumë vende duke përfshirë Gjermaninë dhe Spanjën ku jetonin shumë viktima arrestuan të paktën 4 persona, dhe mbyllën 15 qendra telefonike Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut, Ukrainë.

Dy nga partnerët e biznesit të Josifit në Shqipëri, Bernardo Saraçaj dhe Erind Pysqulli u ekstraduan dhe do të arrestohen në Spanjë. Më 10 nëntor policia shqiptare dhe prokurorët e krimit të organizuar mbajtën një konferencë për shtyp, duke shpallur suksesin e operacionit, por nuk guxuan të përmendin emrin e Amant Josifit. U morën me Pisqullin.

Autoritetet shqiptare refuzuan gjithashtu t’u përgjigjen pyetjeve të shumta nga rrjeti ynë investigativ OÇRP, duke thënë se ishte e pamundur të jepeshin detaje për njerëzit e kërkuar në lidhje me call-centerat, sepse ishte një sekret hetimor.

Vetëm pasi një gazetar i rrjetit tonë, thotë shkrimi, bëri tri kërkesa. Një në Prokurorinë e Posaçme Shqiptare kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në SPAK, dhe dy në polici, atëherë prokurorët shqiptarë lëshuan një deklaratë ku konfirmuan se, e mbante sekret që e kërkonte Spanjë, ky vazhdonte punën këtu, e keni vetë parasysh, se Spanja kishte lëshuar një urdhër arresti për Amant Josifin.

Prokurorët shqiptarë konfirmuan se Shqipëria nuk kishte lëshuar urdhër arresti për Josifin, por shtuan se përderisa një shtetas shqiptar kërkohet ndërkombëtarisht nga autoritetet e huaja, ai person kërkohet patjetër nga Shqipëria, por pa urdhër arresti.

Ka gjë më qesharake? Ka moment më deskreditues?

Kjo është një nga skemat më të mëdha piramidale. 2.4 miliardë euro. E realizuar në pjesë palcore në Shqipëri nga shqiptarët. E kam deklaruar, e deklaroj dhe tani. Çfarë ndodhte në Shqipëri? Ka shumë call-centera.

Në një kohë kur policia, tatimorët suleshin ndaj call-centerave kundër call-centerave që nuk merreshin me këtë aktivitet, dhe ato i falimentonin në një mënyrë osë në një tjetër, punonjësit e këtyre qendrave rekrutoheshin dhe arritën në 600 punonjës nën komandën e Olsi Ramës dhe Amant Josifit, dhe thuhej : Hajdemi tek ne se jeni të sigurtë, ne nuk na trazon njeri. Dhe vërtetë nuk trazonte njeri.

Por që prokuroria shqiptare të mos lëshojë urdhër-arresti ndaj një shqiptari, që zhvillonte aktivitet të tmerrshëm kriminal në Shqipëri kundër vendeve të tjera, kjo përbën një nënshtrim dhe vetëposhtërim përfundimtar të saj.

E kuptoni ju? Domëthënë, ç’më duhet mua pse shqiptarët vjedhin spanjollët? Ç’më duhet mua se shqiptarët vjedhin italianët? Ç’më duhet mua pse vidhen gjermanët? Dhe kjo vetëm e vetëm pse këtu ishte Olsi Rama. Ky artikull damkos SKAP-in si një organ totalisht i kontrolluar nga klani mafioz Rama.

Kemi vështirësi me Dubain, thoshte z.Dumani. Po Spanja pse nuk kishte vështirësi? Po ti nuk ke lëshuar asnjë urdhër-arresti për Amant Josifin. Keni parasysh një gjë. Kjo fakton karakterin e turpshëm politik të këtij institucioni. Si e justifikon kjo prokurori, mos-lëshimin e urdhër-arrestit?

Këtu akti është tmerrësisht i rëndë, aq sa është ndaj McGonigal-it.

McGonigal, i cili së shpejti do flasë, se më duket ka pranuar dje ose pardje mediat njoftuan se ka pranuar marrëveshjen, ka pranuar të jetë fajtor, u instalua në Shqipëri me Agron Nezën dhe Dorian Duçkën dhe vendosën një sistem gjobash mbi biznesmenët, dhe prokurorisë shqiptare nuk i duhej gjë se ai është mik i Edi Ramës.

Ka gjë më të turpshme? Ka shtet më mafioz se ky? Si nuk të duhet, nq aoftë se një person gjobit një person tjetër duke përdorur një mjet, një kërcënim, një pushtet, diçka tjetër. Si mundet drejtësia të rrijë duarkryq? Rri për shkak të Edi Ramës.

Pra, siç e shihni gjithçka është në duart e qytetarëve shqiptarë, se përndryshe çdo lloj krimi që të kryejnë këta qeveritarë, këtu përgjegjësi ligjore do kenë vetëm ata që përcakton Edi Rama.

Ndaj edhe njëherë thirrje qytetarëve. Të marrim në dorë fatin e vendit tonë. Për një telefon e marrin dhe e dënojnë 5 vjet tjetrin, po të vjedhë një telefon. Është kryesor në vjedhjen e 2.4 miliardë euro dhe nuk lëshohet dot mandat ndërkombëtar arresti për të, as në Shqipëri, as në Dubai. Nuk ka faqe të zezë më shumë se kjo. Nuk ka kjo është domethënë gjëja më kulmore. Se po të lëshojnë mandatin e arrestit duhet të arrestojnë Olsi Ramën. Se po të arrestojnë Olsi Ramën duhet të arrestojnë Edi Ramën. Ky është problemi.

Së fundmi, edhe dy fjalë për të ashtuquajturin operacion të fundit.

Së pari, dënoj lirimin nga Taulant Balla të shoferit të shefit të komisariatit të Librazhdit, i cili i arrestua si trafikant droge bashkë me kushëririn e tij. Policia në komunikatën e vet ndonëse njoftoi arestimin, por nuk njoftoi se ky ishte shoferi i shefit të komisariatit Skuraj, sepse drogën ai e bënte për llogari të shefit të komisariatit.

Kushëriri i tij, edhe ai ishte punëtor që punonte për Skurajn, për shefin e komisariatit. Lirimi i tyre tregon se çfarë bllof-operacioni është ky. Nuk po ndalem në faktin tjetër, se asnjë nga baronët e drogës nuk janë cënuar aspak.

Nuk po ndalem aspak te fakti se ata 200 që thonë, mund të jenë 15. Nuk janë të zotë të shpallin listën e emrave të arrestuar, siç e kanë detyrim. Nuk i shpallin dot se është listë e formuluar në zyrën e Taulant Ballës për të mashtruar popullatën dhe komunitetin ndërkombëtar.

Por opozita është këtu për të bërë transparencën dhe për të denoncuar ata.

Faleminderit!

PYETJE – PËRGJIGJE

Osman Stafa, News24: Në fakt u bë e disata herë z.Berisha që iu bëni thirrje qytetarëve për reagim, për shporrje, për protesta të fuqishme. E keni këtë vetëm për konsum politik, apo keni një plan konkret. Sepse kaloi shumë kohë, arsyet kryesore e juaja për protestë ishte ajo se çfarë ndodhi në 14 maj. Pra, kur z.Berisha partia juaj do t’i nisë këto protesta? Ka diçka konkrete, apo është ende e paqartë?

Berisha: Jo, është shumë e qartë që partia do të nisë protestat. Por, ne përpjekjen e opozitës duhet ta marrim si një proces. Nuk është kjo një protestë që do të fillojë sot, do rrijë disa orë aty dhe pastaj do të shpërndahet. Kjo do jetë protestë e një lloji krejt tjetër. Kjo kërkon një përgatitje të plotë, në radhë të parë psikologjike, politike, të gjithanshme dhe pastaj kur të fillojë, nuk duhet të ndërpritet.

Sepse, s’ka diskutim që thelbi i të gjithë përpjekjes së opozitës është mbrojtja e lirive të qytetarëve shqiptarë, votës së lirë, rikthimin i asaj të drejte dhe rikthimi i të drejtave të tjera.

Natyrisht, qytetari përballet sot me probleme shumë të dhimbshme, të cilat ndoshta në një mënyrë ose në një tjetër, edhe ia sfumojnë interesin për lirinë. Por, ne jemi këtu dhe do bëjmë gjithçka t’i bindim ata se të gjitha këto që ndodhin, kanë emërues të përbashkët mungesën e lirisë së tyre në çdo aspekt.

Në qoftë se opozita heq dorë nga kjo, opozita firmos për të qenë fasadë e një regjimi që bazohet mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.

– Z.Berisha u bënë 4 muaj nga zgjedhjet e 14 majit, ndërkohë nuk është kryer ende procesi i statutit për votëbesimin e kryetarit të PD po ju referohem siç ju e njihni veten. Do shkoni në këto protesta z.Berisha si i votëbesuar, sipas stautit të grupimit tuaj, apo do e lini për më vonë?

Berisha: Ngjarje të palidhura njëra me tjetrën, por statuti do zbatohet, kjo pa asnjë diskutim. Ngjarje të palidhura, por statuti do zbatohet.

Ardit Hoxha, Euronews: Kolegji Zgjedhor ka vendosur ditën e sotme që PD zyrtare, me kryetar Lulzim Bashën, të ketë dy përfaqësues në dy komisionet zonale të administrimit zgjedhor, dhe gjithashtu dy përfaqësues në komisionet zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme të Kukësit, një precedent që mund të përdoret më pas për t’i dhënë këtij subjekti politik që drejtohet nga Lulzim Basha që të ketë të njëjtin përfaqësim edhe zgjedhjet e ardhshme. Keni një koment?

Berisha: Është thjesht një akt tjetër i Edi Ramës. Ai kolegj dhe në tërësi drejtësia, dominohet sot nga Sadushi dhe e shoqja, dy karikaturat më të shëmtuara në historinë e drejtësisë shqiptare. Të them unë ty.

Gjykatën e Lartë e dominon totalisht Sokol Sadushi, një komisar politik, i lidhur me shumë fije të errëta dhe direkt me Edi Ramën, i cili mbahet peng nga Edi Rama me dosjen e vetingut, përveç të tjerash, dhe që siç e keni vënë re ju, një vendim që detyrimisht duhet ta jepte brenda 30 ditëve, e mban prej 4 muajsh në sirtar me urdhër të Edi Ramës me arsyen e vetme për të na vonuar shkuarjen në Strasburg. Kjo është.

E tillë është edhe Sadushja në Apel.

Faktikisht, të gjitha vendimet sot të drejtësisë i merr në tërësi, nuk po them 100 përqind por 99 përqind, i merr Edi Rama me Sadushin dhe Sadushen. Kjo është e vërteta.

– A e keni bërë gati dosjen e PD për të kërkuar edhe për ta marrë zyrtarisht PD në gjykatat ndërkombëtare? A i keni humbur tashmë shpresat tek organet e drejtësisë shqiptare?

Berisha: Cilat organe të drejtësisë? Këtu tërësisht janë të kontrolluara nga Edi Rama. Organe që nuk zbatojnë ligjin. Janë anti-ligjore.

Ligji e detyron Sokol Sadushin që brenda 30 ditëve të shprehet për vendimin e Gjykatës së Apelit, se çështja është për rigjykim, nuk ka asgjë përfundimtare, çështja është për rigjykim, por Sokol Sadushi si komisar politik që është aty, mban dosjen me urdhër të Edi Ramës, se Edi Rama Sokol Sadushin e ka peng atë me vetingun.

Vetingu i tij nuk është bërë nga komisionii vetingut, kërkojeni ju, jeni gazetarë, shkoni e kërkojani asaj zonjës së KLGJ, t’ua japë, se e ka bërë KLGJ, aty është ligji, ligji e lejon atë, por ajo nuk nxjerr dosjet Sadushi, Panda dhe Pupo. Nuk i jep ato, i ka top sekret. Se të tre po të dlain duhet të shkojnë në qeli. Po ata rrinë aty japin vendime gjykate.

Si mundet të fsheh? Si do fsheh unë pasurinë time? Çfarë do fsheh? Në qoftë se unë pasurinë time e kam legjitime të ligjshme, unë nuk fsheh asnjë gjë, përkundrazi kam krenari, kaq kam.

Kurse këta i mbajnë në kasafortë dhe në një rreptësi shumë të madhe, se mos po iu hap kush kasafortën. Imagjinoni ju. Ju jeni gazetarë. Çoni kërkesën na i jipni, se ju takon është Kushtetuta. Me Kushtetutë vetingu duhet të publikohet, duhet të bëhet publik. Këta s’e nxjerrin.

Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha folët për një vendim që pritet ta kalojë Erion Veliaj ditën e sotme në Këshillin Bashkiak. A keni  një koment dhe a keni komunikuar së fundmi me kryetarin tuaj të Bashkisë së Kavajës, i cili që ditën e sotme pritet që të njëjtin vendim ta kalojë në Këshillin Bashkiak të Kavajës?

Berisha: Fisnik Qosja është zgjedhur më datën 14 maj, dhe kurrë në jetën e tij nuk është përfij se ka asnjë lidhje me djegësin e Tiranës, kaq. Nuk ka lidhje ai, nuk ka marrë pjesë fare në këtë.

Sipërmarrja është e Erion Veliajt, në letra janë Zoto dhe Mërtiri.

– Partia që ju drejtoni, para disa muajsh nisi procesin e denoncimit të masakrave zgjedhore, ku të gjithë kandidatët tuaj njëri pas tjetrit dhanë versionin e tyre, përveç njërit, i cili është Belind Këlliçi. Pse ka refuzuar z.Këlliçi të dalë në deklaratë nga këto zyra për ta publikuar të ashtuquajturën ‘masakrën zgjedhore’?

Berisha: Mendoj se z.Këlliçi e ka denoncuar në mënyrë të përsëritur vetë farsën zgjedhore. Por mosdalja e tij ka qenë e lidhur me disa faktorë krejtësisht jo politikë.

Z.Këlliçi është shumë aktiv, dhe ndjek me shumë angazhim të gjitha proceset politike.

Enkel Xhangoli, Klan News: Z.Berisha, duket se një bashkim i deputetëve të PD dhe opozitës kryesisht, por ende ka disa çështje që kanë konfuzion. Dua të marr rastin këtu të Sekretarit të Përgjithshëm. Sipas ju, cili është Sekretari i Përgjithshëm i PD që drejtohen nga ju, z.Noka, apo z.Bardhi?

Berisha: Sekretar i Përgjithshëm i PD është z.Flamur Noka. Kjo nuk ka asnjë diskutim. Zoti Gazment Bardhi është kryetar i grupit parlamentar, po shkojmë drejt bashkimit, po ecim, siç e keni vënë re ju, më duket se në një proces serioz dhe në një proces, i cili ka një mirëpritje të gjerë nga demokratët.

Ju falenderoj dhe ju uroj fundjavë të këndshme!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale