Berisha: Çdo ditë e Edi Ramës në pushtet është një rrezik madhor për çdo shqiptar. E gjithë bota pret nga PD zgjidhje për situatën dramatike në Shqipëri

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË GRUPIN PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Në fjalën e mbajtur në mbledhjen me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari Sali Berisha theksoi rëndësinë e situatës dramatike që sipas tij Shqipëria përjeton nën qeverisjen e Edi Ramës, duke e cilësuar çdo ditë të tij në pushtet si një ‘rrezik madhor për çdo shqiptar’. Ai uroi deputetët dhe qytetarët për vitin e ri dhe paralajmëroi se shqiptarët dhe bota presin nga opozita shqiptare zgjidhje për krizën aktuale: ‘Ne nisim këtë vit kur të gjithë shqiptarët, të gjithë miqtë e Shqipërisë në Europë dhe në botë presin nga PD, presin nga opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri.’

Kryedemokrati Berisha kritikoi ashpër qeverinë aktuale për korrupsion dhe papërgjegjshmëri, duke përmendur si shembull katastrofat natyrore të fundit. Ai denoncoi mënyrën se si përmbytjet në Durrës dhe qarqe të tjera u përkeqësuan për shkak të keqmenaxhimit dhe korrupsionit institucional. ‘Shteti me korrupsionin e tij të çmendur, të papërmbajtur, ishte shkaku i thellë i kësaj përmbytje të paparë ndonjëherë në qarkun e Durrësit, por edhe në disa qarqe të tjera.’, tha Berisha.

Lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi gjithashtu dështimin e shtetit për të mbrojtur qytetarët nga përmbytjet, duke përmendur hidrovorët e dëmtuar dhe mungesën e mirëmbajtjes. ‘Dy hidrovorë të fuqishëm… ishin jashtë funksioni. Hidrovori i Hamallës, patronazhistët i kishin vjedhur tre pompa të fuqishme… Zhdukur të tria.’ Ai akuzoi qeverinë për cinizëm dhe indiferencë ndaj qytetarëve të përmbytur. ‘Pas 10 ditësh e mblodhi të ashtuquajturin komitetin e emergjencave civile dhe nuk shpalli gjendjen e emergjencës… kjo qeveri do i fajësojë se kanë hedhur letra dhe plastika në kanale.’

Kryetari i PD-së, Sali Berisha e përshkroi qeverinë e Ramës si një organizatë kriminale që bashkëpunon me kartelët e drogës. ‘Një organizatë kriminale që bashkëpunon me kartelet më të rrezikshme të drogës në Europë dhe në botë.’ Ai theksoi gjithashtu dështimet në menaxhimin e zjarreve dhe satelitëve të premtuar, të cilat sipas tij u shfrytëzuan vetëm për përfitime personale: ‘Firmosja e një marrëveshje se na duhen satelitët… ky mashtrues i paskrupullt… dhe satelitët i verboi korrupsioni.’

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së Sali Berisha u fokusua tek sulmi që Edi Rama po i bën kushtetutës dhe ligjeve, ku akuzoi Ramën për bllokimin e procedurave dhe shkeljen e Kushtetutës për të mbrojtur veten dhe aleatët e tij.

‘Ky është një akt antikushtetues me pasoja shumë dramatike për Shqipërinë dhe shqiptarët… de facto, marrja totalisht në duart e tij nga Edi Rama. Nuk pranon kurrsesi ta dërgojë Lubi Ballukun në bankën e akuzësm sepse ai e di, se në tre rreshta, dy është vetë. Në dosjen e AKSHI-t janë zhdukur qindra e qindra milionë euro.’

Lideri i demokratëve, Sali Berisha u shpreh se Partia Demokratike do të jetë zëri i qytetarëve të prekur dhe do të luftojë për të drejtat e tyre, duke siguruar kompensim për dëmet e shkaktuara nga qeveria: ‘I garantojmë qytetarët e këtyre zonave se zërin tonë do ta përdorim fuqishëm… kjo parti në pushtet do i dëmshpërblejë ata për çdo qindarkë që kanë humbur në këto mbytjeje.’

Kryedemokrati Sali Berisha bëri një thirrje të fortë për largimin e Ramës nga pushteti dhe mobilizimin qytetar, duke theksuar se legjitimiteti i tij është i papërfaqësuar. ‘Çdo ditë që kalon është një ditë që nuk legjitimet për të. Nuk ka legjitimitet kurrë një njeri që shndërron zgjedhjet në farsë. Ky është kushtrim, është një apel për guximin dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar. Të fillojmë betejën për largimin sa më parë të tij nga pushteti. PD nuk vjen në qeveri me dhunë, kurrë. Por Partia Demokratike do të hapë rrugën për votën e lirë të shqiptarëve dhe veprimin e ligjit dhe Kushtetutës.’, tha kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:

Së pari edhe unë përzemërsisht u uroj përsëri ju të gjithë atyre që u kanë votuar ju dhe mbarë shqiptarëve një vit në lartësinë e pritshmërive më të mira që kemi.

Të nderuar deputete e deputetë, ne nisim këtë vit kur të gjithë shqiptarët, të gjithë miqtë e Shqipërisë në Europë dhe në botë presin nga PD, presin nga opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri.

Zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate, e cila si në asnjë vend tjetër, një vend anëtar i NATO-s, një vend që pretendon se po ecën drejt BE, faktohet para qytetarëve të saj dhe mbarë botës një klikë e papërgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj.

Një organizatë kriminale që bashkëpunon me kartelet më të rrezikshme të drogës në Europë dhe në botë.

Shqiptarët e nisën këtë vit në shumë zona të vendit, nga Gjirokastra në Shkodër, por veçanërisht në Durrës dhe qarkun e Durrësit, në një përmbytje të përmasave të papara ndonjëherë.

Në një përmbytje me pasoja të rënda.

Në një përmbytje në të cilën shteti jo që nuk ishte një mbështetje për qytetarët, por shteti me korrupsionin e tij të çmendur, të papërmbajtur, ishte shkaku i thellë i kësaj përmbytje të paparë ndonjëherë në qarkun e Durrësit, por edhe në disa qarqe të tjera.

Në fakt, në ujërat që përmbytën mijëra e mijëra banesa, nga veriu në jugun e vendit, u përmbyt gjithashtu morali i kalbur i kësaj qeverie.

Shqiptarët panë se si këta gobsekë vazhdonin ahengjet, udhëtimet, ndërkohë që ujërat shtoheshin çdo ditë në shtëpitë e tyre.

Shqiptarët panë me sytë e tyre shkaqet e vërteta të kësaj drame që pësuan dhe që edhe sot janë në të.


Në çdo vend dhe çdo qeveri në botë, ndërtohet një infrastrukturë kundër përmbytjeve.

Dhe në ligjin e sigurisë kombëtare, emergjenca ndaj fatkeqësive natyrore ka një përparësi absolute.

Pra, Shqipëria u dogj sa asnjëherë tjetër në historinë e saj.

Satelitët e Peleshit mbushën xhepat e Edi Ramës.

Firmosja e një marrëveshje se na duhen satelitët për të parë vatrën e parë të zjarrit që të shkojmë dhe ta fikim menjëherë, ky mashtrues i paskrupullt, i pamoral, zjarret dogjën njerëz të gjallë, dogjën familje, shtëpi si asnjëherë tjetër, dhe satelitët i verboi korrupsioni.

Më dramatike është situata e përmbytjeve home-made, e bërë nga dora e njeriut.

Jo shiu, shiun nuk e ka sjellë njeriu.

Por problemi është se në ultësirën e Durrësit, dy hidrovorë të fuqishëm, që e mbrojnë atë, dhe dy kanalet kryesore që e mbrojnë territorin e kësaj ultësire, ishin jashtë funksioni.

Hidrovori i Hamallës, patronazhistët i kishin vjedhur tre pompa të fuqishme mijëra e mijëra litra ujë në sekondë. Zhdukur të tria.

Vjedhur pompat, vjedhur motorrat. Mirrnin rrogat dhe pafytyrësisht gjer sot asnjë njeri nuk është bërë përgjegjës.

Por një njeri që të kujton njerëzit primitivë me qëndrimet e veta, por nuk është primitiv, fajësonte qytetarët se kanë hedhur letra dhe plastika në kanalet.

Ndërkohë, nga taksat e tyre janë marrë 40 e ca milionë euro për pastrimin e kanaleve, mirëmbajtjen e tyre dhe mbrojtjen e qytetarëve, por ato kanë përfunduar të gjitha në xhepat e Lubive të qeverisë, e banditëve të qeverisë.

Hidrovori i Porto Romanos është postuar në mënyrën më kriminale nga vendi, pika më e ulët që duhej të ishte, e kanë nxjerrë në një terren tjetër ku mbi 1 metër e gjysmë apo dy metra më lart, dhe atij nga 9 porta, gjysma nuk i funksionojnë fare.

Kështu dhe hidrovorët e tjerë me radhë.

Një shtet që figuron vetëm në drogë dhe në letër.

Dhe për të gjitha këto, fajet i paskan qytetarët.

Njeri primitiv që nuk mban përgjegjësi. Nuk është primitiv, është hajdut i tmerrshëm dhe ka frikë nga vjedhjet që ka bërë, të gjitha fatkeqësitë që kanë në themel vjedhjet e tyre.

Unë i përgëzoj deputetët për punën që bënë në solidaritetin e tyre ndaj qytetarëve të përmbytur.

U bënë zëri i tyre dhe do jemi zëri i tyre, i çdo shqiptari në nevojë dhe fatkeqësi.

Cinizmi i Ramaduros nuk ka kufi.

Pas 10 ditësh e mblodhi të ashtuquajturin komitetin e emergjencave civile dhe nuk shpalli gjendjen e emergjencës në mënyrë që të mos ketë detyrim për të kompensuar qindarkë për qindarkë dëmet e krijuara absolutisht nga indiferenca, korrupsioni, vjedhja e institucioneve të narko-qeverisë.

Ne jemi angazhuar në një lloj inventari me ato që mundemi.

I garantojmë qytetarët e këtyre zonave se zërin tonë do ta përdorim fuqishëm dhe në çdo kohë, kjo parti në pushtet do i dëmshpërblejë ata për çdo qindarkë që kanë humbur në këto mbytjeje.

Sepse ajo është një emergjencë dhe kërkon që shteti t’i përgjigjet, kurse ky do t’i fajësojë se kanë hedhur letra dhe plastika në kanale.

Pra, çështja është se shqiptarët presin zgjidhje nga PD dhe opozita sepse kjo qeveri jo vetëm ka shkëputur, por ka shprehur papërgjegjshmëri të plotë në qëndrimin ndaj qytetarëve.

Të nderuar zonja dhe zotërinj, ky vit fillon si asnjë tjetër në historinë 35-vjeçare të pluralizmit politik.

Si asnjë vit tjetër!

Ky vit fillon me një grusht shteti në zhvillim nga kreu i qeverisë apo narko-diktatori.

Si asnjëherë në historinë e këtij vendi dhe të parlamentit, kryehajduti i kombit ka bllokuar procedurën kushtetuese, detyrimin kushtetues për të hequr imunitetin deputetëve, ministrave që akuzohen nga organet e drejtësisë për vjedhje, për korrupsion, për shpërdorim.

Ky është një akt antikushtetues me pasoja shumë dramatike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ky është ekzekutimi para shqiptarëve i një pushteti që quhet pushteti i drejtësisë.

De facto, marrja totalisht në duart e tij nga Edi Rama.

Parashikimet tona kanë qenë të drejta.

Nuk heq dot ai sepse në dosjen e Lubi Ballukut, në tre rreshta, dy janë për Edi Ramën.

Pra, Lubia nuk pranon në mënyrë kategorike dhe i thotë je ti, dhe unë jam mbrapa.

Se e vërteta kështu është.

Të themi atë që është.

Nuk ka më hajdute se ajo.

Por ky është më hajdut.

Dhe tani që dosja në tre rreshta, dy i ka për Ramën, ai nuk pranon kurrsesi.

Nuk pranon në asnjë mënyrë ta dërgojë atë në bankën e akuzës.

Ka me borxh të mbyllë parlamentit, të shkelmojë Kushtetutën, të krijojë çdo lloj konflikti, por pushtetin nuk e dorëzon.

Ai e di, ai ka nisur betejën me Kushtetutën, betejën më të egër, më të rrezikshme kundër shqiptarëve.

Ai e di se Mirlinda dhe Linda janë personazhe kryesore të AKSHI-t. Ai e di, se aty ku thuhet Ermal Beqiri, është Armang Frangu dhe i ka të vërtetuara të gjitha Geron Meçe.

Ai e di se në ato zyrat e Ergys Agasit është i filmuar dhe në shtëpinë e tij, si një nga personazhet më të turpshme të një vendi.

Ai e din se me AKSHI-n, me Ermal Beqirin, ai kaloi në Surrel, qindra e qindra milionë euro.

Pra është e qartë, është në rreth të kuq, se ai po të mos ishte vetë personalisht, as për Lindën as stërLindën, as Lubinë as stërLubinë nuk i binte ndërmend.

Do ishte i gatshëm dhe për skena Makbethiane që të shpëtonte veten e tij, por nuk shpëton dot.

Nuk shpëton dot se janë videot.

Nuk shpëton dot se janë dokumentet.

Nuk shpëton dot se janë dëshmitë. Dëshmitë e të penduarve të drejtësisë dhe dëshmi të tjera. Po.

Në të dy dosjet, i di ato ai. Ndaj dhe i them këto që shqiptarët ti kenë të qarta se çfarë rreziku përbën ky i papërgjegjshëm, kreu i organizatës kriminale për Shqipërinë dhe vendin. Është kapur në qark, nuk ka më.

Ai po mbron veten e tij se dhe vaj të nxehtë do të ju hidhte në vesh në mesnatë, po të shpëtonte. Por nuk shpëton dot. Jo. E ka shumë të qartë.

Do thotë kush por po aludon. Nuk jam unë që kam aluduar për krimet e tij. Është ai që është i akuzuar dhe për krime. Po, absolutisht. Ndaj dhe i them këto që qytetarët të realizojnë se çfarë rreziku paraqet ky njeri në pushtet. Çdo ditë e tij në pushtet është një rrezik madhor për çdo shqiptar.

A i keni parë rilindasit ju? Të gjithë kanë marrë fytyrën e Lubisë. U ka ikë fytyra. Po, absolutisht u ka ikur fytyra. Janë vetë mëkatarë, por jo në shkallën e këtyre. Jo në këtë shkallë. Nuk ka ndodhur kurrë.

Ai po përpiqet në të gjitha mënyrat të lobojë, stërlobojë, por në mënyrë absolute gjë në botë nuk do ta shpëtojë nga qytetarët shqiptarë.

Ndaj dhe ne jemi këtu për ti dhënë një zotim solem se do të ngremë në këmbë çdo shqiptar gjer në largimin e tij.

Çdo ditë që kalon është një ditë që nuk legjitimet për të. Nuk ka legjitimitet kurrë një njeri që shndërron zgjedhjet në farsë.

Nuk ka legjitimitet kurrë një qeveritar që vjedh qytetarët.

Nuk ka legjitimitet kurrë një qeveritar që shkel ligjin dhe nxjerr imunitetin si mburojë.

Duhet me çdo kusht të bëhet përgjegjës para ligjit.

Le të shkojë ku të dojë, në qiell dhe në tokë, vrimë miu nuk do të gjejë, në rast se vazhdon të bllokojë Kushtetutën dhe ligjin.

Kjo duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar. Ky është kushtrim, është një apel për guximin dhe dinjitetin e çdo qytetari shqiptar.

Asnjë kryeministër në memorien e kohës, nuk ka guxuar pas rënies së perdes së hekurt të veprojë në këtë mënyrë. Jo, asnjë.

Viktor Ponta, u informua se prokuroria po e hetonte, dha dorëheqjen si kryeministër, pa thirrur. Kurse ky nuk e jep. Thashë, në dosje në 3 rreshta, dy janë për Ramën.

AKSHI në 3 rreshta, dy janë për Lindën, Frangun dhe për vetë Edi Ramën, se ai thotë se është gjysma më e mirë e imja.

Kështu thotë. Është për Edi Ramën.

Pra, këtë situatë kemi ne. Ky është dramaticiteti i situatës.

Ky është kushtrim, thirrje për çdo qytetar të ndershëm shqiptar kudo që ndodhet. Të fillojmë betejën për largimin sa më parë të tij nga pushteti.

PD nuk vjen në qeveri me dhunë, kurrë.

Por Partia Demokratike do të hapë rrugën për votën e lirë të shqiptarëve dhe veprimin e ligjit dhe Kushetutës.

Nuk ka ndodhur kurrë. Prisni, kanë dalë aferat.

Por dosjet që paraqiti Arben Ahmetaj, ta dini ju, administrata dhe i përgëzoj, po dërgon në Lugano, një fluks të madh informacionesh, dokumentesh. Dhe kjo e ka tmerruar.

Njëherë thotë e kam nga Damiani. Njëherë thotë e kam nga Spiropali, paçka se bëhet edhe shkruesi i saj. I shkruan tekstet Elisës, por kjo nuk ka rëndësi se janë punët e tyre.

Pra në të gjitha këto, gjithçka presin nga ne, nga opozita.

Qytetarët me të drejtë presin nga opozita dhe ne nuk do ti zhgënjejmë. Ne kemi caktuar një datë proteste të fuqishme, më të fuqishmen që ka parë ndonjëherë Tirana.

Por ne jemi betuar, kemi bërë betimin tonë që do vazhdojmë këtë betejë, gjer na largimin e plotë nga pushteti të këtij kryehajduti që kombi nuk e ka të regjistruar kurrë ndonjëherë në histori.

Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale