FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR
EKSTRAKT
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiti një analizë të thellë dhe të pasionuar mbi situatën ekonomike dhe politike në Shqipëri, duke e quajtur buxhetin e vitit 2026 ‘një piramidë mashtrimi’ dhe duke e lidhur direkt me rritjen e çmimeve dhe grabitjen e xhepit të qytetarëve. Ai shprehu shqetësimin e tij për efektet shkatërrimtare të narkoshtetit në ekonominë shqiptare dhe rëndësinë e vendosjes së minimumit jetik si hapin e parë për mbrojtjen e qytetarëve.
Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, sipas të dhënave të INSTAT-it, rritja ekonomike mbi të cilën bazohet buxheti nuk ka një kontribues të vërtetë nga sektori privat, por vetëm nga shteti: ‘Për herë të parë në 2 vite, shteti është kontributor kryesor. Këtu shteti predominon në ekonomi me 2 kontribute kryesore. Së pari me rrogat, pensionet, sigurimet shoqërore, sigurimet e tjera, duke mbajtur një makineri gjigande të punësuerish dhe rritjen e tyre. Së dyti, shteti kontribuon me taksën neto, çdo rritje çmimi, rrit taksën, pra grabiten xhepat e qytetarëve.’
Gjatë fjalës në grupin parlamentar, lideri i opozitës theksoi se rritja e çmimeve nuk është pasojë e zhvillimit ekonomik, por e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm që dëmtojnë prodhimin dhe punësimin. ‘Zhvlerësimi i euros me 30-35 % ka falimentuar me mijëra ndërmarrje eksporti. Nëse ka një gjë që po shkatërron me shpejtësi, si një sëmundje e pashërueshme këtë vend, është narkoshteti, narkosi.’
Në këtë kontekst, kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të paraqesë në parlament amendamentin për vendosjen e minimumit jetik, duke argumentuar se kjo është e domosdoshme për të mbrojtur qytetarët nga efektet e rritjes së çmimeve dhe për të ruajtur fuqinë blerëse të rrogave: ‘Me këtë rritje çmimesh, është e domosdoshme që minimumi jetik të jetë mbi 200 euro. Minimumin jetik nuk e kompenson asnjë lloj rritje tjetër.’
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi Edi Ramën për planin e qeverisë për ngritjen e 28 qendrave të reja për emigrantët. Berisha e cilësoi këtë si një ‘projekt shfarosës’ që synon ‘denatyrimin e kombit shqiptar’ dhe dorëzimin e emigrantëve ‘në kthetrat e mafies më të pashpirt në Europë’.
Gjatë fjalës me deputetët, lideri i opozitës akuzoi Edi Ramën për mashtrim publik në lidhje me opinionin e Komisionit të Venecias për pezullimin e ministrave, duke këmbëngulur se as ky komision dhe as Gjykata e Strasburgut nuk e kanë ndaluar një masë të tillë. Ai e quajti Gjykatën Kushtetuese ‘në ditën e saj më të zezë’, duke pretenduar se po i shërben regjimit.
Nga mbledhja e grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha lëshoi akuza të forta ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, duke e cilësuar atë si personin kryesor të përfshirë në aferën e tunelit të Llogarasë. Ai deklaroi se kryeministri është ‘hajduti i parë’ në këtë çështje dhe se Prokuroria e Posaçme (SPAK) zotëron prova të shumta, përfshirë mbi 2700 mesazhe dhe 470 minuta video nga telefonat e të përfshirëve.
Sipas kryedemokrait Sali Berisha qeveria është një ‘kleptokraci në panik të tmerrshëm’ dhe veprimet e Ramës për të mbrojtur ish-ministren Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si ‘Lubi’, janë në fakt përpjekje për të mbrojtur veten. ‘Ai e bën për veten e tij. Thonë që dosja e Ramës është shumë më voluminoze,’ u shpreh Berisha, duke shtuar se kryeministri po vepron si ‘avokat publik i vjedhjeve të tij’.
Përballë kësaj situate, kryetari i Partisë Demokratike, paralajmëroi organizimin e protestave masive. ‘Duhet të përgatitemi për protestat më të fuqishme që ka njohur vendi, sepse Edi Rama nuk largohet pa angazhimin total të qytetarëve shqiptarë’.

FJALA E PLOTE:
Mirëdita dhe gëzuar 8 dhjetorin atyre që janë dhjetoristë dhe atyre të cilët kanë vazhduar atë rrugë dhe atë traditë.
Së pari desha të ndalem tek një çështje themelore e buxhetit.
Ky buxhet është një piramidë mashtrimi, vjedhjeje ndaj qytetarëve shqiptarë. Të dhënat më të fundit të INSTAT-it, tregojnë efektin shkatërrimtar të karteleve të drogës mbi ekonominë e vendit, mbi rritjen ekonomike të vendit dhe zhvillimin.
Çfarë tregojnë këto të dhëna mbi rritjen ekonomike mbi të cilën bazohet buxheti. Këto të dhëna tregojnë se, në këtë rritje ekonomike, për herë të parë pas 32 vitesh ekonomia shqiptare në rritje ka kontribut minorance.
Për herë të parë në 2 vite, shteti është kontributor kryesor, por jo se janë ndërmarrjet publike të shtetit. Se ka shtete të cilat menaxhojnë sektorë publikë prodhimi, që predominojnë mbi sektorin privat. Kurse këtu shteti predominon në ekonomi me 2 kontribute kryesore.
Së pari me rrogat, pensionet, sigurimet shoqërore, sigurimet e tjera, duke mbajtur një makineri gjigande të punësuerish dhe rritjen e tyre. Rritjen fiktive siç do ta shohim këtu.
Së dyti, shteti kontribuon me taksën neto. Çfarë është taksa neto? Taksa neto është taksa që vilet ndaj prodhimeve, shërbimeve, etj., pasi zbritet subvencioni dhe shpenzimi për të.
Por shikoni çfarë ndodh.
Ndodh që çdo rritje çmimi, rrit taksën. Nëqoftëse çmimi i qumështit kalon nga 2 në 4 euro, TVSH që vilet nga e njëjta litër qumësht dyfishohet dhe kështu për të gjithë zinxhirin e çmimeve.
Pra, një rritje që i detyrohet rritjes së çmimeve. Në një kohë kur jo rritja e çmimeve, por stabiliteti i tyre dhe pse jo në raste të caktuara ulja për shkak të konkurrencës etj., është përfitimi madhor i qytetarëve shqiptarë.
Për ta zbërthyer më tutje këtë buxhet.
Sot vetëm nga viti 2023 gjer në vitin 2025, me 200 euro merr më pak seç merrje 3 vite më parë me 160 euro. Po, e provuar, e faktuar.
Rritja e çmimeve sipas Eurostat-it krahasuar me vendet e tjera është 1% më e lartë se çmimi mesatar i BE-së, në ushqime është 17%.
Por tani ka një studim me të dhëna të frikshme nga një ekspert absolutisht i pavarur, i cili nxjerr çmimet në Shqipëri, 85% më të larta se në mesataren e BE-së.
Unë personalisht e besoj studimin e tij. Është ekspert me reputacion.
Çfarë ndodh, pse droga, pse narkoja. Shumë thjeshtë.
Zhvlerësimi i euros me 30-35 % ka falimentuar me mijëra ndërmarrje eksporti. Falimentimi i ndërmarrjeve të eksportit ka shkatërruar dhjetëra mijëra vende pune, por ka shkatërruar dhe prodhim dhe prodhimi në pikiatë, prodhimi industrial është në recension, është me minus.
Prandaj dhe taksat nuk vijnë se është rritur prodhimi, të ardhurat nuk rriten se është rritur prodhimi. Por taksat rriten se rriten çmimet dhe grabiten xhepat e qytetarëve.
Kjo është e qartë si kristali, grabiten xhepat e qytetarëve.
Prodhimi bujqësor bie, çmimet rriten. Shqipëria me rregullat e Ballkanit të Hapur që ka instaluar argati i Vuçiçit dhe me sistemin e TVSH-së asimetrit, të gjithë prodhuesit kanë leverdi të marrin prodhimet serbe, importi thonë, por serbëve e jo serbëve dhe jo prodhimit e vendit.
Prandaj bie prodhimi vendas.

Pra nëse ka një gjë që po shkatërron me shpejtësi, si një sëmundje e pashërueshme këtë vend, është narkoshtetit, narkosi.
Çka sjell rrëzimi i Euros. Ju lutem merrni statistikat, vetëm të INSTAT-it dhe do të gjeni se nga viti 2023 në 2024, rënie drastike të kontributit të akomodimeve dhe shërbimeve.
Kjo lidhet dhe me largimin masiv të shqiptarëve, sepse të jemi realist turizmi i bregut ka qenë turizmi i Tiranës. Po, kishte të huaj, por ishte turizmi i Tiranës. Tirana dyndej në breg, e keni parë siç ka qenë bregu e kanë treguar mediat. Tani si ishte bregu e tregon INSTAT-i.
Tjetër, shkatërrim i paimagjinueshëm i profesioneve të lira. Largim masiv i tyre nga Shqipëria. Kontributi i tyre nga 10-12% që ka qenë në rritje, në atë kohë nuk e kishin 23% taksën, por atë që kishin e paguanin, ka zbritur në 1%. Këtë e thotë INSTAT.
Pra, ky është efekti më shkatërrimtar i narko-euros, i drogës në ekonominë shqiptare.
Do të riparaqesim në parlament amendamentin për minimumin jetik, si amandamenti, si lëvizja e parë më e domosdoshme për mbështetje të qytetarëve shqiptarë.
Me këtë rritje çmimesh, është e domosdoshme që minimumi jetik të jetë mbi 200 euro. Minimumin jetik nuk e kompenson asnjë lloj rritje tjetër.
Cilido që të jetë kostoja e tij, alfa e çdo hapi duhet të jetë vendosja e minimumit jetik. Është e paimagjinueshme të pranosh një situatë të tillë. Është pashpirtësi e madhe.
Kur sheh që çmimet, unë po marr atë që ka dhënë 1 vit më parë Eurostati, janë edhe në gjer 17% edhe më të larta se në mesataren e BE-së, në një kohë kur rroga mesatare është 4-5 herë ndën mesataren e BE-së.
Ndërkohë që rritjet e rrogave, asnjëra nuk jep fuqinë blerëse që kishin ato 3 vite më parë, në 2023. Ndaj dhe vendosja e minimumit jetik do të jetë beteja jonë në parlament.
Ne kemi bërë shume amendamente, por amendamenti më i rëndësishëm është vendosja e minimumit jetik.
Ne do të paraqesim në parlament, elementët bazë të platformës tonë për ripopullimin e vendit. Nëqoftëse nuk bëhen hapat e parë të mbështetur financiarisht ne po ecim drejt një humnere kombëtare.
Dhe nëse fillohet këtë vit, do të duhen 30 gjer në 50 vite për të arritur atje ku ishim në vitin 2013. Por një projekt shfarosës, shpërbërës kërkon me çdo kusht që ata të ikin nga Shqipëria.
Tani flet për 28 qendra të reja pritje. Unë nuk dua të komentoj, sepse nuk është bërë asnjë transparencë për këto, por ajo që dua të them; shndërrimi i Shqipërisë në autostradë emigrantësh është një barbari mbi emigracionin në radhë të parë.
Është dorëzim i atyre qenieve në kthetrat e mafias më të pashpirt në Europë. Minimumi mafie e cila drejton dhe sundon policinë, në drejtësi dhe sundon kudo dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç se të përfitojë prej qenieve mjerane.
Së dyti, nëse me këtë Edi Rama dhe është shumë e mundshme, synon të zëvendësoje shqiptarët që ikin, të denatyrojë kombin shqiptar në një mënyrë të paimagjinueshme, edhe kjo është një rrezik ekzistencial për Shqipërinë në çdo rast.
Ndaj dhe ne duhet të mbrojmë një politikë e cila bazohet në nxitjen e ripopullimit të këtij vendi, nxitjen e lindshmërisë që sot është aq sa ishte 100 vite më parë sipas INSTAT-it vetë dhe sipas OKB-së është treguesi më i ulët në botë për shkak të emigracionit thotë OKB.
Të nderuar deputete e deputetë. Siç e shifni, degradimi i narkoregjimit po ndodh me shpejtësi. Edi Rama me Lubi Ballukun pasi kanë vjedhur jo qindra-milionë, por miliarda, për çdo shqiptar kam një lutje të njerëzishme; të mos harrojë se, Lubia si ministre ka administruar 12 miliardë euro dhe në çdo lloj përllogaritje, mbi 10 miliardë janë të zhdukura, nuk kanë as nam e as nishan.
Në mos harrojë se në 12 vite, taksa, djersë i qytetarëve shqiptarë, në total prej 67 miliardësh.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe sipas Bankës Botërore, me ato analiza që kanë bërë, është përllogaritur se 90% e tyre janë zhdukur. Këto janë grabitjet dhe plaçkitjet.
Tani kur një prokuror guxoi dhe mori në ndjekje penale Lubinë, pasi ajo përveç të tjerave kishte rrëfyer gjithçka në mesazhe, në fotografi, sms, video etj., absolutisht në atë aferë emri i parë është Edi Rama.
Tuneli i Llogarasë ka për hajdut të parë Edi Ramën. Askush të mos mendojë se Lubia është ndarë duar bosh, jo absolutisht.

As Lubia dhe as shumë të tjerë që i ka paritur ajo. Parite thoshte, parite pak atë, keni parë ju termin e ri në gjuhën shqipe.
Tani kërkon të bllokojë përfundimisht edhe atë minimum drejtësie që mund të ketë mbetur. Del çdo ditë si hajduti i kapur në qark, u thotë shqiptarëve mos kujtoni se kam vjedhur. Si të mos kujtojnë shqiptarët, por ata të shohin ty, se Lubia nuk ka bërë asgjë tjetër veç se ka zbatuar porositë tua, i ke aty.
Mesazhet shumë më tepër se sa të Lubisë tek Ervis Berberi, që dje filloi ta merrte në mbrojtje, janë të Edi Ramës, në 4 telefona. 4 telefona, janë mbi 2700 mesazhe në Telegram, Signal, Whatsapp, etj.
Vetëm në njërin telefon të Berberit, ka 407 minuta video, pa llogaritur fotografitë. Absolutisht në njërin, janë 4 ata.
Kleptokracia është në panik të tmerrshëm.
Faktikisht pret shqiptarët të lajnë duart me të. Po.
Shikoni si e shndërroi Gjykatën Kushtetuese, e asgjësoi.
Çon kryeministri në Gjykatë Kushtetuese, vendimin e gjykatës që nuk ndodh kurrë, për korrupsion, vendimin e gjykatës për vjedhje.
Dhe del si mashtrues ordiner, mashtrues publik dhe ju referuar Komisionit të Venecias kush e di sa herë, në një kohë kur ky komision absolutisht në asnjë opinion të vetëm nuk ka deklaruar se, ministrat nuk mund të pezullohen. Në një kohë kur ky komision në shqyrtimin e Ligjit të Procedurës Penal të Republikës së Kosovës, nenin për pezullimet e ka quajtur atë plotësisht kushtetues.
Në një kohë kur ky komision e ka gjetur pezullimin në përputhje të plotë me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Edi Rama dy ditë me radhë, mashtroi duke thënë se Komisioni i Venecias. Përkundrazi Gjykata e Strasburgut ka deklaruar se kjo nuk cenon, nuk bien ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Dhe në fund na doli se i paska thënë një shok. I ka thënë një shoqe si Mogherini. Po kush tjetër. Çfarë do të thotë kjo.
Dil mashtrues, na thuaj se cili opinion i Venecias ka thënë që, ministrat nuk pezullohen. Asnjë. Cili vendim i Gjykatës së Strasburgut ka një orientim të tillë. Asnjë.
Në cilin opinion të Komisionit të Venecias thuhet se, kjo cënon Kushtetutën. Asnjë. Përkundrazi kanë shkruar se, pezullimi nuk cënon kushtetutën.
Gjykata në ditën më të zezë të saj, në ditën e asgjësimit.
Imagjinoni ju pak.
U ankua grupi parlamentar për çështjen time, i mori 7 muaj për ta shqyrtuar. Por jo vetëm unë. Për Erion Veliajn 5-6 javë. Kurse për këtë në mënyrë të rrufeshme.
E larguan dhe relatorin, gjetën relator tjetër.
Presione. Ta dini një gjë, ajo ka arkivën më kriminale që ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri.
Sepse ajo me Oltion Bistrin dhe Agim Ismailin, ky që hakeronte telefonat, ua nxirrte videot nga telefonat, ajo ka survejuar çdo zyrtar, ministër, kundërshtar, lajkatar, çfarë ka patur, i ka survejuar.
Shkoi e ju tha aty në mbledhje, i tha Ramës mblidh dhe kryesinë e ministrat, u tha cilindo nga ju u marr me vete. Se ua ka këto.
Pra, jemi para kësaj situate dhe unë e theksoj dhe e them, se do të jenë vetëm qytetarët shqiptarë ata që do japin shtytjen e fundit, ata që do të shpëtojnë vendin nga ky narkoregjim.
Edi Rama sot është njeriu më i diskredituar në Europë. Kryeministri, avokat publik i vjedhjeve të tij.
Sa për Lubinë ai nuk e bënte kurrë këtë. Ai e bën për veten e tij. Se të them të vërtetën tani, unë nuk jam aty brenda, por thonë se, dosja e Ramës është shumë më voluminoze. Dhe është e ndarë.
Se çka aty brenda nuk e dimë, por është e ndarë veçmas. Si puna e atij Olsit, personit të paidentifikuar dhe pastaj e nxirrte Dumani, jo Olsin, që ishte vetëm ai.
Pra, jemi në këtë situatë ndaj dhe ne bashkërisht në një dialog intensiv me shqiptarët, duhet të përgatitemi se Edi Rama nuk largohet pa angazhimin total të qytetarëve shqiptarë.
Ai kur arrin para të gjithë shqiptarëve, të dalë avokat i vjedhjeve të tij, të çojë vendimin e gjykatës vetëm për të shpëtuar veten, sepse kam dëgjuar, thonë njerëzit, pse nuk kërkon heqjen e imunitetit. Ku ja heq ky imunitetin, ky më parë dorëzon mandatij e tij, se sesa heq imunitetin e asaj. Se ajo bëhet e penduar fill. Mjafton, se ajo është mos e pyet.
Vuri përpara një shtet, te këmbët e veta e ka. Në mënyrën më të paimagjinueshme. Një njeri e kapur në flagrancë me një vjedhje skandaloze, e ka gjunjëzuar, e ka poshtëruar narko-shtetin sikur të mos ishte.
Dhe tani i thotë këtij dhe e nxjerr çdo ditë. Del çdo ditë. S’ka ndodhur kurrë.
Ndaj dhe ne në një dialog intensiv me shqiptarët duhet të përgatitemi për protestat më të fuqishme që ka njohur vendi.
Faleminderit.


