KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme me gazetarët është shprehur se nënkryetari i grupit parlametar të PD Ervin Salianji, u burgos me urdhër të Edi Ramës. Berisha theksoi se kjo natë të cilën Ervin Salianji e kaloi në qelitë e burgut vetëm e vetëm se guxoi tu thotë shqiptarëve të vërtetën e vëllazërisë famëzezë Xhafa, të lidhur kokë e xhep me Edi Ramën.
Kryedemokrati Sali Berisha, u shpreh se PD do të realizojë përmbysjen e kësaj ngrehine droge dhe krimi të vëllazërive mafioze, si Rama, Xhafaj etj., dhe do të çelë për shqiptarët rrugën e zgjedhjeve të lira në një qeveri teknike.
Berisha gjithashtu theksoi se PD do të përdorë të gjithë guximin, vendosmërinë, trimërinë, e mijëra e mijëra anëtarëve dhe mbështetësve të saj, në mënyrë që ti japë përgjigjen më të merituar mafias Rama-Xhafaj, në mënyrë që të realizojë atë që në pamje të parë duket mision i pamundshëm
Berisha theksoi se deputetët e opozitës do të jenë në udhëheqje të protestës, revoltës dhe mosbindjes civile në çdo vend, përfshirë dhe sallën e parlamentit. Lideri i demokratëve është shprehur se PD-ja nga data 6 tetor e në vazhdim kalon në sulm, në një betejë të pandalshme, PD përqendron të gjithë potencialet e saj, në sulmin ndaj narkokraturës dhe për qeveri teknike.
Berisha gjithashtu theksoi se ai është në arrest shtëpie, sepse hodhi poshtë puçin konstitucional të prokurorëve dhe gjykatësve mercenarë që nuk kanë ligj e kushtetutë përveç urdhërave të Edi Ramës.
Gjtë bisedës me gazetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se i deleguari i nderit në qarkun e Elbasanit do të jetë Ervin Salianji. Berisha theksoi se guximi i Ervin Salianjit për të mbrojtur të vërtetat dhe interesin publik të qytetarëve shqiptarë, ka mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Elbasanit.
FJALA E PLOTE:
Së pari, me një ndjesë për vonesën për shkaqe tenike, vetëkuptohet se nuk janë kaq të thjeshta lidhjet.
Së dyti falenderoj gazetarët për praninë e tyre dhe përshëndes qytetaret dhe qytetarët që ndjekin këtë deklaratë të PD.
Mbrëmë, nënkryetari i grupit parlametar të PD, një deputet i ri, guximtar, i cili nuk ka patur ndonjëherë poste të rëndësishme zyrtare, përveç detyrës, misionit fisnik të besuar nga qytetarët dhe PD, si deputet i zgjedhur i tyre dhe nënkryetar grupi, u burgos me urdhër të Edi Ramës në një hark kohor maksimalisht të shkurtër nga dhënia e verdiktit antikushtetues, antiligjor, të gjykatës së kontrolluar fund e krye nga Edi Rama.
Kjo natë të cilën Ervin Salianji e kaloi në qelitë e burgut vetëm e vetëm se guxoi tu thotë shqiptarëve të vërtetën e vëllazërisë famëzezë Xhafa, të lidhur kokë e xhep me Edi Ramën.
Është një natë e zezë për të gjithë shqiptarët të cilët besojnë tek e vërteta, të cilët jetojnë, rrisin fëmijët e tyre, pavarësisht nga bindjet politike, me mundin, djersën dhe ndershmëri, të cilët konsiderojnë trafiqet e drogës dhe kriminale, konsiderojnë lidhjet e pushtetit me trafiqet dhe krimet, si një nga kërcënimet më serioze të tyre, fëmijëve të tyre dhe vendit të tyre.
Por kjo ishte një natë feste për vëllazërin Xhafaj, vëllazërin Bajraj, dhe të gjitha vëllazëritë e mafias dhe drogës në Shqipëri, sepse ato panë të gozhduar, panë në pranga, panë në qeli, deputetin e ri guximtar që u provoi shqiptarëve se Geron Xhafaj, jo vetëm ishte i dënuar në Itali, për trafik ndërkombëtar droge dhe ndiqej në Venezuelë, jo vetëm se fshihej në Vlorë ndaj kërimit ndërkombëtar, i mbrojtur nga vëllaçkoja i tij dhe kontrollonte lojërat e fatit.
Sepse këto diheshin.
Por Ervin Salianji u faktoi shqiptarëve nëpërmjet publikimit të regjistrimit të një gazetari të guximshëm se vëllazëria Xhafaj me Geronin vazhdoni trafiqet nga porti i Vlorës dhe se pushteti i drogës dhe krimit të Edi Ramës, pasi zëvendësoi Saimir Tahirin dhe Habilajt e tij, u dha ‘karta bianka’ vëllazërisë Xhafaj, e cila përveç trafiqeve dominonte me Olsin, lojërat e fatit.
Po kjo ishte një festë për mafian e drogës shqiptare, kudo që ndodhet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Dubai, Meksinë dhe Bruksel e kudo.
Demokrate e demokratë! Qytetarë dhe qytetare.
Burgosja e Ervin Salianjit ishte një akt lufte ndaj nesh, por nuk ishte akti i parë i luftës.
Edi Rama këtë luftë e shpalli me kohë, që kur rrëmbeu flamurin e PD-së, vendosi në ‘arrest shtëpie’, pa asnjë fakt, bazë, dokument, kryetarin e kësaj partie.
Arrestoi kandidatin fitues të Bashkisë së Himarës dhe i rrëmbeu mandatin, përfaqësuesin e opozitës.
Vuri në ndjekje penale drejtues të tjerë, apo persekutim publik, Ilir Metën, Fatmir Mediun. Pra ky është akti i fundit me të cilin Edi Rama, i shpall luftë opozitës.
Unë jam sot këtu para jush për të deklaruar se PD, do ti përgjigjet këtij akti lufte me qëndresën më të fuqishme qytetare, me mosbindjen më të fuqishme civile, se kjo parti as nuk kalon në klandestinitet as nuk shmang proceset zgjedhore.
Por kjo parti do të përdorë të gjithë guximin, vendosmërinë, trimërinë, e mijëra e mijëra anëtarëve dhe mbështetësve të saj, në mënyrë që ti japë përgjigjen më të merituar mafias Rama-Xhafaj, në mënyrë që të realizojë atë që në pamje të parë duket mision i pamundshëm.
Por si parti e misioneve të mëdha e të pamundshme, për demokratët sot nuk ka asgjë të pamundshme. Do të realizojë përmbysjen e kësaj ngrehine droge dhe krimi të vëllazërive mafioze, Rama, Xhafaj etj., dhe do të çelë për shqiptarët rrugën e zgjedhjeve të lira në një qeveri teknike. Do të rikthejë Shqipërinë në procest e zhvillimit dhe integrimit të saj.
O sot, o kurrë, demokrate e demokratë jeni të ftuar ti përkushtoheni me çdo gjë kësaj beteje vendimtare për fatin e PD-së.
Vendimtare për fatin e opozitës dhe pluralizmit.
Vendimtare për fitoren mbi krimin, mafian dhe drogën, vendimtare për fatin e Shqipërisë.
PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET:
Ermal Rizaj, Syri Tv: Në datën 6 tetor, qytetarët, anëtarët e PD, do të jenë në një protestë kombëtare, apo do të ketë bllokim rrugësh. Çfarë ndodh në 6 tetor?
Sali Berisha: Së pari do të jetë padiskutim protestë kombëtare. Kjo jashtë çdo dyshimi. Së dyti, do të jetë aksion kombëtar. Po përcaktohen të gjitha masat të cilat synojnë ti përgjigjen në shkallë kombëtare aktit brutal të mafias Rama-Xhafa dhe fillimit të betejës tonë, e cila ishte 100% e programuar dhe planifikuar për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
Ermal Rizaj, Syri Tv: Në më pak se 1 muaj, PS nuk respekton në Kuvendin e Shqipërisë vendimet e Kushtetuese dhe Apeli dënon një deputet të opozitës me 1 vit burg, vendim të konsideruar politik. Çfarë duhet të bëjnë deputetët e opozitës, ngujim, grevë urie, apo të rikthehen në protesta duke bllokuar jetën parlamentare.
Sali Berisha: Deputetët e opozitës do të jenë në udhëheqje të protestës, revoltës dhe mosbindjes civile në çdo vend, përfshirë dhe sallën e parlamentit, aty ku të lipset dhe ti kërkojë nevoja, ku të japin më shumë në këtë betejë. Për deputetë, drejtuesit e PD, ka vetëm një objektiv dhe moto, betejë, betejë dhe vetëm betejë.
Isa Myzyraj, OraNews: E përmendët disa herë se Edi Rama ju ka shpallur luftë. Kur dikush shpallë luftë, ti zgjedh ti përgjigjesh me mbrojtjes, ose sulm dhe e dyta, a mund të na specifikoni pak, mosbindjen civile.
Sali Berisha: Së pari, pyetja dhe konstatimi juaj është i drejtë. Gjer sot PD ka qenë në mbrojtje. PD nga data 6 tetor e në vazhdim kalon në sulm. Në një betejë të pandalshme, PD përqendron të gjithë potencialet e saj, në sulmin ndaj narkokraturës dhe për qeveri teknike. Mosbindja civile është një univers masash të përshkruara me hollësi në manualet e mosbindjes civile. Do të përdoren të gjitha ato masa gjer në realizimin e qëllimit të plotë, krijimin e qeverisë teknike.
Osman Stafa, News24: Ju e cilësoni qeverisjen e PS, regjim, diktaturë, etj. Vendimet e gjykatave si për ju dhe për Salianjin, i cilësoni urdhëra politikë të Edi Ramës. Pse i bindeni ju urdhërave politikë të Edi Ramës, a jeni të pafuqishëm për tu përballur me të, për ti refuzuar, për sa kohë që i cilësoni urdhëra politikë.
Sali Berisha: Ajo do të ishte shkalla ekstreme e moszbatimit të vendimeve të gjykatave, atëherë mbetej asgjë tjetër veç se lëvizja guerrile, me armë kundër narkodiktaturës. Por ne besojmë dhe jemi të bindur se mosbindja civile është rruga me të cilën PD, do të realizojë qëllimet e saj. Nuk jemi ne për ato forma ekstreme.
Osman Stafa, News24: Në çfarë forme mund ti bashkohet Sali Berisha qytetarëve për të dhënë edhe ai shembullin e mosbindjes civile.
Sali Berisha: Mendoj se Sali Berisha ka dëshmuar para të gjithë shqiptarëve, sepse sot është në arrest vetëm se mbrojti kushtetutën. Sot është në arrest shtëpie, sepse hodhi poshtë puçin konstitucional të prokurorëve dhe gjykatësve mercenarë që nuk kanë ligj e kushtetutë përveç urdhërave të Edi Ramës. Sali Berisha do të qëndrojë fuqishëm kundër këtij regjimi me bindjen me të plotë se kjo betejë do të fitohet.
Anesti Bajramemaj, A2: Ervin Salianji përveç se ishte nënkryetar i grupit parlamentar, ishte dhe i deleguar i juaji në qarkun e Elbasanit. Tani që ai ndodhet në qeli, a keni menduar emrin e radhës se cili do të jetë emri i të deleguarit në Elbasan për të drejtuar fushatën e 2025.
Sali Berisha: I deleguari i nderit në qarkun e Elbasanit do të jetë Ervin Salianji. Unë kam bindjen se ky akt, se guximi i Ervin Salianjit për të mbrojtur të vërtetat dhe interesin publik të qytetarëve shqiptarë, ka mirënjohjen më të thellë të qytetarëve të Elbasanit.
Ju falenderoj dhe ju ftoj me datën 6 të gjithë në protestë, të tregojmë fuqinë e pamposhtur, ti tregojmë Shqipërisë dhe botës, se është radha jonë, është radha jonë.
O sot, o kurrë!
Faleminderit!