Berisha: Bosët e inceneratorëve janë Rama, Veliaj dhe Agaçi. Propaganda po tenton të fshehë realitetin. Arratisja e Ahmetajt e porositur

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur se propaganda e Edi Ramës është sulur e tëra për të fshehur me çdo kusht, përgjegjësit e vërtetë të organizatës kriminale për aferën e inceneratorëve. Sipas Berishës, gjithçka bëhet të paraqitet Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, dhe Stela Gugallja si truri, vetëm për të fshehur realitetin se bosët e inceneratorëve janë Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi.

Kryertari i demokratëve e ka quajtur ‘arratisja e shekullit’ largimin nga vendi të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj pas kërkesës së arrestit nga SPAK për aferën e inceneratorëve.

Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ai nuk flet për këtë skandal pasi është ai që e ka porositur vetë arratisjen e ish-zv.kryeministrit Ahmetaj.

‘Sot ka polemikë në çdo familje, në çdo bisedë: vjedhja e tmerrshme me inceneratorë dhe arratisja e tmerrshme e Arben Ahmetajt. Ju e dëgjuat në fjalën e tij 16-minutëshe, kreu i organizatës kriminale të inceneratorëve, nuk shqiptoi njëherë fjalën arratisje. Ajo për Edi Ramën nuk ka ndodhur, sepse e ka porositur vetë’, tha kreu i PD-së.

Ndërsa duke folur për konfirmimin e lajmit se janë pezulluar fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë, pas akuzave për korrupsion, ish-kryeministri Sali Berisha e quajti një lajm të mirë për shqiptarët. Por, tha, nuk duhet të ndalet me kaq.

‘Sot njoftohet se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare. Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare, por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare’, tha gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha.

FJALA E PLOTË

Parlamentarizmi është shndërruar nga një proces themelor demokratik, në një farsë të turpshme në të cilën nuk respektohen, as norma, as parime e as ligje e as kushtetutë.

Kjo që ndodh me Akademinë e Shkencave është identike si ngjarje me atë që ndodhi në lokalin në Borizanë.

Atje mafia i vuri minat në guroren e vet edhe fshatit dhe pastaj rrëmbeu shkopinjtë e bejsbollit për të terrorizuar banorët që u prishen shtëpitë.

Këtu mafia me kollare i është vërsulur Akademisë së Shkencave për shkak të marrëveshjes Rama-Doshi dhe po e përdhos atë institucion në mënyrën më mafioze.

Do u rikujtoj këtu, para disa vitesh Edi Rama në parlament, i xhelozuar me titujt e mi, më kërcënoi, më tha se ato do ketë një ligj që do i heqë. E vetmja gjë për të cilën kam qenë dakord, ka qenë kjo. Shumë normale, një njeri që ka braktisur profesionin e vet, që del në pension nga profesioni i vet, ai nuk mund të zërë vendin e një profesori aktiv në hierarkinë akademike, por ai kalon një ish-profesor apo profesor i nderuar dhe hapet rruga, hapen vendet, hapet hapësira për ata që nga mëngjesi deri në darkë merren me shkencë, merren me studime dhe i avancojnë ato.

Skënder Gjinushin në krye të akademisë e vendosi Tom Doshi, të cilin pasi i bleu partinë, bëri marrëveshje për ta kthyer në drejtim policesk të një institucioni që kërkon ta riformatojë në mënyrë identike me atë që ishte Enver Hoxha dikur.

Të gjithë kanë ndjekur polemikën dhe zërin e profesor Artan Fugës, e cila në fakt nuk kishte asgjë personale për filozofin dhe sociologun e njohur Fuga, por gjithçka ishte për mbrojtjen e dinjitetit dhe parimeve të akademizmit në Shqipëri.

Natyrisht Artan Fuga i bënte nder në këtë mjedis shqiptar, ai është një profesor në universitetet e Shqipërisë dhe Francës, është një njeri me publikime që nderon veten dhe vendin, është një avokat nga më të përkushtuarit sot, i interesit publik.          

Dhe kur e sheh atë që me një përkushtim të madh, mbrojti të vërtetat dhe sheh këta mafiozë të paskrupullt se si sikur të ishin në shpella, gjejnë çdo mënyrë manovrimi për të ruajtur marrëveshjen Rama-Doshi me Gjinushin në krye të akademisë, nuk ka gjë më të turpshme.

Çdo akademi ka një moshë pensionimi, tani fshihet Gjinushi pas Ismail Kadaresë. Ka gjë më të turpshme? Po nëse është problemi për Ismail Kadarenë, le të votojmë për akademik të përjetshëm dhe nuk ka deputet që nuk e voton këtë. Ismail Kadaresë t’i jepet titulli i akademikut të përjetshëm se e meriton plotësisht.

Por të rrisësh moshën e pensionit të Skënder Gjinushit, duke përdorur atë si argument, kjo është fyerje.

Nëse e ke këtë problem, me ligj e sanksionojmë. Me ligj e sanksionojmë Ferit Muratin nëse pranon, novelist në fushën e studimeve farmakologjike. Por mund të kemi të tjerë shqiptarë.

Këta janë tamam si ata të shpellës së Rrajave. Të paturp.

Vepron njeriu kë të mënyrë. Shikoni si i ndjekin.

Ata deputetë që i ndjekin janë skllevër. Ata e kuptojnë se njk veprohet në atë mënyrë, por dikton Rama-Doshi.

Pra, në pamje të parë kemi të bëjmë me amendament, por jo mor, kemi të bëjmë me një kapje të tmerrshme dhe është modeli më i shëmtuar i kapjes.

Po kështu, ligji i kanabisit, ligji i narkoshtetit.

Asgjë nuk e justifikon kanabisin në Shqipëri.

Por me Edi Ramën, Shqipëria është narkoshtet tipik, i vetëm në Europë.

Kanabisi ta dini ju, mbulon vendin, por tani ka filluar të mbulojë vendin opiumi, lulëkuqja. Ato kanë  arritur po mbillen.

Ju garantoj se ato do të zëvendësojnë të gjitha prodhimet e tjera se janë shumë më të shtrenjta se kanabisi. Dhe këta nuk flasin fare.

Keni parë operacionet policore, mashtrime se nuk arrestojnë një  njeri të vetëm? Kanëparaitur ndonjë të arrestuar, jo se se janë socialistë, janë të gjithë të partisë, nuk arrestohen, mbrohen.

Plus pasojat katastrofale që kapin shëndetin, në radhë të parë në shëndetin mendor dhe pastaj një substancë që mbjell vetëm krim. Kjo  është e vërteta.

Ne do i kundërshtojmë me forcën më të madhe.

Zonja deputete, zotërinj deputetë!

Sot njoftohet se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare.

Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare.

Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare.

Ndaj na del edhe Akademia e Çobanëve tani dhe Materniteti i Mushkave.

Bëhet famoze kjo zonja Krifca.

Bujar mos u çudit. Ti nuk e di a e ka njohur apo jo, Xhebro Xhikën. Xhebro ishte drejtor i fermës së Llakatundit. Ishte njeri me humor popullor. Dhe një ditë e marrin në telefon nga ministria e Bujqësisë. E merr Krifca themi. Çkemi Xhebro, o thotë shumë mirë. Këtu thotë na kanë lindur mushkat. Dhe punonjësi siç ishte, me vrap e tek ministri. E dëgjove lajmin.

Pra këta janë. Kjo do të krijonte akademi për të mbushur xhepat dhe duket IPAD e pa.

Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri dhe janë jo të pakta. KE ka financime të mëdha. Bajpasi i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shumë projekte të tjera. Se këta nuk vënë asnjë tabelë si mirënjohje, aty vihet tabela Salillari, nuk vihet tabela e KE-së, taksapaguesit e BE-së si mirënjohje, sepse me Salillarin ndajnë paratë këta.

Pra, është një lajm i mirë kjo, optimist për shqiptarët, sepse institucioni hetimor i BE veproi dhe vendosi.

Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij.

Zonja deputete, zotërinj deputetë!

Sot ka polemikë në çdo familje, në çdo bisedë: vjedhja e tmerrshme me inceneratorë dhe arratisja e Arben Ahmetajt.

Ju e dëgjuat në fjalën e tij 16-minutëshe, kreu i organizatës kriminale të inceneratorëve, nuk shqiptoi njëherë fjalën arratisje. Ajo për Edi Ramën nuk ka ndodhur, sepse e ka porositur vetë.

Shtetit i arratiset zyrtari i dytë më i lartë i ekzekutivit.

Për bosin e organizatës kriminale, kjo nuk ka ndodhur. Ndaj dhe me një paturpësi dhe cinizëm ekstrem, rrahte gjoksin, fliste për drejtësinë me ministrat në arrati dhe nuk fliste për arratinë dhe paturpësinë në një mungesë totale respekti ndaj qytetarëve.

Në një papërgjegjësi të plotë, në një apel të hapur për secilin nga zyrtarët e tij që të arratisen në rast se thirren nga drejtësia.

Gjushi meriton një dekoratë që nuk u arratis. Shikoni Gjushin dhe i çonin policinë, që ti thonin të ikte. Por Gjushi nuk iku, pse, e di ai vetë. Kurse ky, i arratiset dhe nuk flet asnjë fjalë, çka do të thotë se ju të tjerët, njëri pas tjetrit.

A ka kjo paturpësi, hipokrizi dhe cinizëm më të madh ndaj shqiptarëve?

Afera e inceneratorëve është afera e inceneratorëve, sikundër arratisja e Ahmetajt është arratisja e shekullit.

Sot propaganda e Edi Ramës është sulur e tëra për të fshehur me çdo kusht, përgjegjësit e vërtetë të organizatës kriminale.

Sot bëhet gjithçka, që afera qindra milionë euro e plehrave, t’iu atribuohet tre personave: Klodian Zotos, Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalles.

Bëhet gjithçka që të paraqiten këta si truri, si djalli me zile, vetëm për të mbuluar të vërtetën, vetëm e vetëm për të fshehur realitetin se bosët e inceneratorëve janë Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi.

Vetëm e vetëm për të mbrojtur këtë kupolë.

Nëse qeveria shqiptare, në procedurën e aferës së djegësave është provuar se është një organizatë e mirëfilltë kriminale, dhe e dyta, nëse sipërmarrja e djegësave është e Mërtirit dhe Zotos, apo klanit të plehrave Rama-Agaçi-Veliaj.

Unë ftoj analistët, ftoj gazetarët që në këtë aferë t’i referohen ligjit dhe vetëm ligjit. Në këtë mënyrë ata shkojnë te kreu i klanit të plehrave, Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Erion Veliaj.

Po pse kështu?

Një ish-kryeministër njeh më mirë se kushdo tjetër një procedurë që kalon nga Këshilli i Ministrave. Ai është i detyruar, nuk mund të jetë ndryshe.

Ndaj dhe këtu, njerëzisht ju kërkoj atyre që besojnë se truri i aferës është Zoto dhe Mërtiri, t’u referohen vetëm ligjeve.

Për të hapur rrugën e aferës së inceneratorëve, u shkelmua strategjia e trajtimit të mbetjeve i financuar nga miliona euro prej BE. Kjo strategji u zëvendësua me strategjinë e djegies së plehrave. Këtë nuk mund ta realizonin kurrë Mërtiri dhe as Zoto, dy biznesmenë socialistë pa asnjë eksperiencë në fushën e trajtimit të plehrave. Këtë mund ta bënte vetëm klani qeveritar i plehrave me në krye Edi Rama, që firmosi krijimin e komisionit me 12 zëvendësministra, askush tjetër nuk mund të krijonte një komision të tillë, me qëllim që të rekomandonte shpalljen e emergjencës mjedisore.

Komisioni u mblidh, 9 zëvendësministra votuan kundër, hodhën në plehra propozimin e Edi Ramës. Meqë dështoi në mbledhjen e parë, Rama urdhëroi mbledhjen e dytë, e cila bëhet në Ministrinë e Mjedisit me 5 zëvendësministra tani dhe aty dërgon Metanin, kreun e departamentit juridik në kryeministri. Ai nuk ka asnjë tagër të shkojë në këto mbledhje. Por edhe në këtë mbledhje dështoi, sepse Ylli Manjani dhe Arben Isaraj refuzuan të firmosin.

Çfarë ndodh? Pas dy dështimesh, Edi Rama dhe Engjëll Agaçi thërrasin zëvendësministrat një nga një dhe i mbledhin firmat në kundërshtim me ligjin.

Edhe njëherë thirrja ime, për analistë dhe gazetarë që kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë aferë, ballafaqoni çdo gjë me ligjin. Edhe gjendja e emergjencës nuk është shpallur në bazë të ligjit për emergjencën. Ligji i emergjencës përcakton rregulla krejt të tjera. Rekomandimet e zv/ministrave nuk kanë vlerë për gjendjen e emergjencave. Edi Rama merr vendim dhe shpall gjendjen e emergjencës.

Pra, kjo sepse sipërmarrja ishte e tij, e Agaçit dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Nuk mund të ishte kurrë Zoto dhe Mërtiri, ata që përzgjidhnin Zoton dhe Mërtirin për të tre inceneratorët. Për të tre inceneratorët përzgjidhet e njëjta kompani, në kundërshtim flagrant me ligjin pasi nuk kishin asnjë eksperiencë në fushën e mbetjeve. Këta ishin të përjashtuar me ligj nga procedura.

Nuk mund të ishte Zoto dhe Mërtiri që të përjashtonin garën e hapur në një aferë që shkon në 720 mln euro. Vetëm djegësi i Tiranës i kuotuar si koncesion me 128 mln në mos gabohem kërkonte me ligj në mënyrë absolute publikimin e garës, në 3 gazeta ndërkombëtare dhe ato janë të përcaktuara si me ligji e me precedentë, qoftë me rekomandim të Bankës Botorëre dhe njëra prej tyre është Financial Times.

Po kështu edhe Fieri.

Mundej që dy bajlozë të zinj, si Mërtiri dhe Zoto ti bënin ligjin Edi Ramës, kjo është qesharake, ndaj dhe qytetarëve duhet t’u themi të vërtetën, se kryebalozi i zi është Edi Rama, ai është njeriu që përjashtoi garën e hapur me qëllim që t’i fitonte vetë me aksionerët e tij. Përjashtoi garën e hapur me një qëllim që tre djegësat t’ia jepte dy punonjësve, apo aksionerëve të tij. Se Mërtiri apo Zoto mund të jenë të punësuar, apo aksionerë, nuk mund të them se çfarë janë.

Tani që paratë dalin nga të gjitha anët, del qartë se është punë aksionesh, ndarjesh.

Përsëri, të ndjekim ligjin, procedurën. Tenderat u fituan me negociata të mbyllura, pa garë. Po negociata e mbyllur është e ndaluar në legjislacionin shqiptar. Dhe enti ligjor zyrtar, kushtetues, përgjegjës për prokuririmin publik në Shqipëri, Agjencia e Prokurimeve, ajo dërgoi dy realicione. Edmond Ahmetaj, ka meritë ai, nuk e di ku është ai. Dy relacione, nuk mund të përdoret procedura me negociata të mbyllura. Por pikërisht këtë procedurë e firmosi jo Zoto dhe Mërtiri, por klani i plehrave, Rama dhe Agaçi. Pikërisht këtë procedurë firmosi sepse ajo procedurë u lejonte atyre jo vetëm që t’i merrnin këta tre tendera bashkë, por edhe të bënin një nen të tmerrshëm në kontratë. Nenin 30 në të cilin thuhet se kontrata nuk mund të zgjidhet kurrë. Madje u kalon edhe fëmijëve dhe nipave të tyre.

Përveç këtyre, Mërtiri dhe Zoto nuk kishin asnjë fuqi për të futur duart e tyre në fondin e emergjencës të Këshillit të Ministrave në fondin rezervë. Atë fond e përdor vetëm kryeministri, me firmë të ministrit të Financave dhe asnjëherë pas firmën e ministrit të Financave dhe pastaj të Këshillit të Ministrave. I gjithë Këshilli i Ministrave pa ministrin e Financave nuk ka vlerë në përdorimin e tij fondi. Këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi të plotë ligjore të Arben Ahmetajt. I cili ja mbathi, por për Edi Ramën është këtu ai.

Në këtë aferë, klani i plehrave Rama-Agaçi-Veliaj shënoi një rekord që tejkalon çdo imagjinatë njerëzore. Ky rekord është në dhënien e 8 pikëve si bonus për ndërmarrjen e tyre, 8 muaj përpara se ajo të krijohej për djegësin e Tiranës.

Me datën 7 dhjetor të 2016, Edi Ramën firmos në Këshillin e Ministrave, vendimin për të dhuruar 8 pikë kompanisë ‘Integrate Energy’ kompani që nuk ekzistonte e regjistruar në Shqipëri. Po pse thoni ju, sepse po të regjistrohej do të merrej vesh e me radhë dhe do kërkonin edhe të tjerë. Sepse aferë e madhe, do të ndërhynin nga Europa. Në koncesion 128 mln euro je i detyruar me MSA e gjë. Edhe me ligjet e vendit. A mundet Mërtiri dhe Zoto të impononin një gjë të tillë? Kurrë e bënte vetëm interesi i Ramës për ndërmarrjen e tij.

Kompanisë i jepet bonusi, në një kohë kur Ermonela Felaj në përmbushje të detyrës së saj, i çon shkresë me shkrim, ku i thotë se kjo nuk mund të bëhet sepse nuk ekziston askund në regjistrat e Republikës së Shqipërisë. Nuk ekziston. Firmat u dhanë, bonusi u dha.

Kompania u krijua 8 muaj më vonë, dhe vetëm 1 ditë pasi u shpall fituese e koncensionit të Tiranës. Dhe tani na dalin e na thonë se përgjegjës janë Zoto, Gugallja dhe Mërtiri. Qesharake, vulgare, groteske si mashtrim.

Erion Veliaj i cili sulet si një … se nuk dua ta prish gojën, kundër gazetares pse boton pjesë nga dosja.

A e dini kush e ka bërë projektin e djegësit të Tiranës? Kush ka qenë konsulente?

Studio e Velicës! E bashkëshortes së Erion Veliajt.

Studio aktive dhe superaktive në këtë problem.

Ku është? Pse Erion Veliaj është anëtar kryesor i klanit të plehrave? Ua them unë.

Së pari, Erion Veliaj është nismëtari, që e kaloi nga prokurim publik, në koncesion. E nuhati se fitohej shumë më tepër dhe e nuhati se mund t’ia linte edhe djalit.

Ia kalon për koncesion ministrit Shkëlqim Cani, ai e kundërshton. Kjo bie në kundërshtim me interesat ekonomike të vnedit. Ia dërgon Arben Ahmetajt, ai e refuzon letrën e parë. Ia dërgon letrën e dytë dhe e refuzon. Ia dërgon më pas letrën të tretën me një mjaltim siç duket, edhe pse ai e di vetë, dhe Ahmetaj shkruan: No koment, meqenëse kjo është kompetencë e qeverisë vendore. Pra bëj si të duash ti, unë nuk them jo. Ahmetaj është në tavë edhe me këtë fjali. Një ministër i shtetit nuk mund të jetë kurrë duarkryq para dhunimit të ligjit, por thotë nuk mund të bëhet.

Erion Veliaj që kërcënoi në mënyrën më të egër, një gazetare që publikoi një fragment të dosjes së hetimit për Erion Veliajn është përgjegjës absolut sepse ka firmosur, ka falsifikuar mbledhjet e këshillit bashkiak të Tiranës dhe këshillit të qarkut të Tiranës, firma të cilat s’mund ti vinte kurrë kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ato janë parlamente qarku dhe firmosin kryetarët e atyre parlamenteve. Ato mbledhje nuk janë zhvilluar ndonjëherë.

Erion Veliaj, me Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin është kupola, apo klani i plehur edhe të djegësit të Tiranës.

Por tani do të kërkoj vëmendjen tuaj edhe në dy çështje të tjera.

Por çfarë ka ndodhur tani? Tani, më falni për shprehjen që ka plasur gjirizi dhe ka mbuluar anekënd hapësirën kombëtare dhe ndërkombëtare, tani vini si kalojnë shkresat në të gjitha anët? Në Bagdat, në Zimbve, në Zaire, në këtej e andej, të cilat kanë vetëm një qëllim, të tregojnë se Zoto dhe Mërtiri janë pronarët e sipërmarrjes. Ata janë aksionerë në sipërmarrje, por të them unë që klani Rama-Agaçi dhe Veliaj e kanë tendencë të bëhen miliardjerë duke marrë edhe në vende të tjera, unë nuk mund të them këtë, por them se duan të paraqesin si njerëz të besueshëm ata që kanë zero eksperiencë në fushën e plehrave.

E dyta akuzon totalisht klanin e plehut, është se çdo ditë shkojnë 100 mijë euro në llogaritë e tyre. Për herë të parë ne eksperiencën botërore, që shpallen në kërkim ata të ashtuquajturit pronarë, çka fakton se ata nuk janë pronarë dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë vidhen çdo ditë, ato nuk preken, monument që mbrohen nga drejtësia. Që nuk mund të ndodhë kurrë.

Ato nuk preken sepse vepra e krimit, sipërmarrja, fakti penal, është i lidhur kryekëput me Edi Ramën, Engjëll Agaçin dhe Erion Veliajn.

Po pse thashë unë që këtë koncesion e kanë edhe për fëmijët e tyre? Sepse e kanë për 30 vite. Natyrisht me të drejtë përsëritje. Dhe për 30 vite kanë përllogaritur 300 milionë.

Po sa shkon? Vetëm në 6 vite, janë shpenzuar aty 110 milionë euro, pra shkon të paktën 670-680 mln euro. Prandaj në zhargonin e mafias thuhet se kush kap plehrat, kap miliardat, apo plehu është floriri i qytetrit.

Ne kemi kërkuar një mocion me debat për Edi Ramën. Ata janë mbledhur dhe po përpiqen të shmangin mocionin, të shkelin kushtetutën. E rrëzuan, por nuk ka vlerë. Rrëzimi i tyre nuk ka vlerë, sepse mocioni nuk kërkon miratim, mocioni është kushtetues.

Mbledhja e firmave është detyrim i vetëm për tu thirrur mocioni. Pasi të mblidhen firmat, aty është kushtetuta prandaj të gjithë ne në parlament, ne kemi detyrimin para shqiptarëve të mbrojmë kushtetutën dhe të nxjerrim para tyre Edi Ramën siç është, bosi i një organizate kriminale që ka vendosur vetëm në një aferë të ju vjedhje shqiptarëve 720 mln euro.

Le të marrin çdo vendim ata, ne njohim vetëm vendimin e Kushtetutës, që ka Kushtetuta. Nuk përcakton kurrë kushtetuta se mocioni duhet të miratohet nga Toni Gogu. Atë e respektoj për pastor, por problemi është se në kishë lexon biblën e këtu lexon manifestin. Si mund të thotë që nuk e pranojmë, ka detyrim kushtetues.

Ndaj dhe të përgatitemi për mocionin, debatin, por të dimë një gjë. Që e gjithë propaganda është të fshehë Ramën, Agaçin e Veliajn, pas Gugales, Mërtirit dhe Zotos, të cilët janë maksimumi aksionerë, ose nënpunës të mirëpaguar në këtë sipërmarrje të zezë.

Ligji për studentët.

Ne qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të interesave të studentëve. Departamenti i ‘Brain Gain’ ka dërguar një studim për këtë ligj. Ju lutem ta shqyrtojmë dhe të mbajmë qëndrimet tona të njohura.

I garantoj studentët se ne do të jemi avoketër të interesave të tyre të drejta dhe u bëj thirrje të gjithë studentëve shqiptarë të reagojnë si një trup i vetëm sepse në këtë mënyrë, duke copëzuar fakultetet ata do ta vendosin njëlloj.

Tani Akademisë po i bëjnë këtë, Fakultetit të Mjekësisë me pretekst tjetër, do i vendosin të gjithë universitetet në këtë kuadër.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale