FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME TEMË: ‘E ARDHMJA DIGJITALE E SHQIPËRISË- MUNDËSITË E TEKNOLOGJISË BLOCKCHAIN’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka kërkuar një rol më të madh të teknologjisë blockchain në administratën publike, duke e cilësuar atë si një instrument për rritjen e transparencës, gjurmueshmërisë dhe luftën kundër korrupsionit.
Gjatë takimit të zhvilluar pasditen e sotme në selinë e PD-së, me temë “E ardhmja digjitale e Shqipërisë-Mundësitë e teknologjisë Blockchain”, Berisha u ndal te procesi i dixhitalizimit gjatë qeverisjes së tij. Ai deklaroi se penetrimi i internetit në Shqipëri ishte 4.9% në vitin 2005, ndërsa më pas arriti në 63%, duke përmendur si arritje prokurimet elektronike, thesarin online dhe shërbimet e integruara në e-Albania.
Duke iu referuar qeverisë së Edi Ramës, Berisha kritikoi mënyrën se si është administruar sektori i teknologjisë dhe akuzoi AKSHI-n për mungesë transparence në procedurat e prokurimit. Ai akuzoi Armand Frangun se ka përfituar 75 milionë euro për projekte të lidhura me inteligjencën artificiale, ndërsa kritikoi edhe projektin Diella, për të cilin tha se ka kushtuar rreth 6 milionë euro.
Berisha deklaroi gjithashtu se gjatë qeverisjes së tij u instaluan 26,500 kompjuterë në shkollat e vendit, ndërsa akuzoi qeverinë Rama për blerje pajisjesh me çmime shumëfish më të larta se vlera e tregut.
Një pjesë të fjalës Berisha ia kushtoi edhe e-Kadastrës. Ai deklaroi se në Vlorë janë ndërruar 16 drejtorë të Kadastrës, ndërsa pretendoi se 85% e Kadastrës së Durrësit është manipuluar. Në këtë kuadër, Berisha akuzoi gjithashtu Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin për përfshirje në çështje që lidhen me procedurat e tenderimit.
Sipas kreut të PD-së, siguria e pronës është një prej shtyllave kryesore të ekonomisë së tregut. Ai solli si shembull edhe reformat e vitit 2012, kur nga 277 licenca, dy të tretat u shndërruan në leje ose autorizime, ndërsa u krijuan shërbimet One Stop Shop për bizneset.
Në fjalën përmbyllëse, Berisha u rikthye te rëndësia e vullnetit politik për transformimin digjital. Ai kujtoi se në vitin 2010 Shqipëria mori çmimin e dytë nga OKB-ja për e-prokurimin, duke e paraqitur këtë si një prej rezultateve të reformave të ndërmarra gjatë qeverisjes së tij.
Berisha tha se teknologjia nuk mjafton nëse mungon vullneti politik për transparencë dhe luftën kundër korrupsionit. Ai akuzoi qeverinë Rama për centralizimin e tenderave të teknologjisë dhe për dobësimin e konkurrencës.
Në përfundim, Berisha e vendosi blockchain-in në qendër të vizionit të tij për dixhitalizimin e vendit.
“Nuk ka më efikas, më të fuqishëm sesa Blockchain për të rikthyer edhe një herë Shqipërinë digjitale në realitet për të gjithë qytetarët shqiptarë”, deklaroi ai.
Duke iu referuar Estonisë si model të transformimit digjital, Berisha tha se Shqipëria sot e ka më të shkurtër rrugën drejt një administrate moderne, falë eksperiencës së vendeve që kanë avancuar në këtë drejtim.
Ai e mbylli fjalën me vizionin për atë që e quajti “Shqipëria digjitale 3”, si një projekt për të ardhmen digjitale të të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.

FJALA E PLOTË
Kam kënaqësinë të paraqes para jush Lukën, një të ri shqiptar me historinë e tij të suksesit në një nga fushat më të avancuara të teknologjisë së informacionit, blockchain.
Njeri patriot, i cili prej shumë kohësh ka vendosur kontakte me Partinë Demokratike, me mua, dhe gjithnjë me idenë se si ato çka Luka ka realizuar në Kanada dhe më vonë në Emiratet e Bashkuara Arabe t’ia ofrojë dhe vendit tij.
Dhe sot ai paraqitet këtu me një ekspoze shumë interesante. Nuk dua të bëj histori, por në vitin 2005 penetrimi i internetit në këtë vend ishte gjithsej 4.9% dhe në jo pak raste nuk e llogarisin fare Shqipërinë, meqë ishte kaq e ulët në këtë fushë. Në kohën kur, në këtë kohë ne shpallëm moton ‘Shqipëria në moshën dixhitale’, dhe e vërteta është që në atë kohë pjesa më e madhe e mediave përqeshën qeverinë dhe këtë moto. Por me vendosmëri kjo moto apo ky proces u shndërrua në një nga proceset më të suksesshme të asaj qeverisje. Penetrimi i internetit arriti në 63% por në disa fusha të caktuara ne arritëm pozicionet më të mira.
Nga vullneti politik dhe përkushtimi i madh i atij grupi punonjësish të drejtuar nga Genc Pollo, ministër për teknologjinë, të cilët arritën të bëjnë realitet në një kohë shumë më parë se të tjerët prokurimet dixhitale. Arritën të bëhen realitet një seri shërbimesh. Tani, po ju them sinqerisht, problemi ynë madhor ishte korrupsioni dhe ne donim që kjo teknologji të përdorej në fushat ku korrupsioni ishte më i shprehur. U përdor për maturat dhe pati një efekt shumë pozitiv.
U bë një nga vendet e para me thesarin online. Kjo ishte një nismë e ish-presidentit Barak Obama dhe ne e instaluam, e vendosëm, e bëmë. Të nesërmen qytetari mësonte se sa ka shpenzuar kryeministri, sa ka shpenzuar çdo ministër nga paratë e taksave të tyre. U ndërtua ajo që quhej autobuzi elektronik me një fond të Bashkimit Europian, nga i cili një nga portalet do të ishte e-Albania, portali i sotshëm, ku u ofruan disa nga shërbimet që ishin të gatshme të instaluara në atë kohë.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dha një kontribut shumë të madh në të gjitha këto procese. Por tani, miqtë e mi, në qoftë se në Shqipëri për teknologjinë dixhitale mund të shkruhet libri më i zi i planetit, këtë libër të zi, këtë libër të zi në planet e realizoi po AKSHI.
Çfarë ndodhi? Ndodhi që në vend të praktikave transparente, të decentralizuara të tenderimeve për sistemet dhe mirëmbajtjen në të gjitha shkollat, administratën kudo, ne arritëm një, ne kishim një objektiv dhe investuam shumë për dixhitalizimin e të gjitha proceseve të administratës. Ato kryeshin nga bashkitë, nga komunat, nga drejtoritë e arsimit, të gjitha të decentralizuara. Agjencia kishte një detyrim, standardet e IT-së. Standardet e institutit të teknologjisë të Nju Jorkut, një institut që përcaktonte standardet botërore të mjeteve. Dhe këto standarde miratoheshin nga Këshilli i Ministrave. Agjencia mbikëqyrte vetëm këto standarde. Tani u larguam ne, balozi i zi hyri në AKSHI.
Kush ishte balozi i zi?
Balozi i zi është Armand Frangu, baxhanaku i shoqes Linda. Linda Rama. I cili ishte një sipërmarrës i vogël, punonte gjatë qeverisë sonë, por tani ai duhej të vërsulej në qindra e qindra milionë euro. Brenda dy viteve me vendime të baxhanakut, të gjitha tenderimet në territorin e Shqipërisë në këtë fushë bëheshin, do të bëheshin vetëm nga AKSHI. Vetëm nga AKSHI. Dhe me një kriminele të quajtur Karçanaj, kriminele të vërtetë, që nuk zbatonte asgjë tjetër vetëm zbatonte porositë dhe urdhrat e Lindës, Surrelit, u kalua në praktikën e tenderimit të fshehtë.
Nga asnjë tenderim sekret, kjo Karçanaj që e shihni ju që i bënte Edi Rama avokatinë që duket… kjo ka bërë qindra e qindra tenderime sekrete nga paratë e taksapaguesve. Dhe shumicën i ka fituar Armand Frangu. Ja kjo që s’kishte thoshte Edi Rama… kjo që banonte me qera, paçka se kishte katër banesa, në mënyrë më të papërgjegjshme. Një njeri, mos harroni një gjë, 12 vite Linda e Karçanajt, nga dita e emërimit gjer edhe tani është në arrest shtëpie dhe e drejton agjencinë.
Nuk ka vend në të cilin mund të shkruhet libër më i zi për teknologjinë e informacionit sesa Shqipëria
Armand Frangu ka marrë 75 milionë euro për përmirësimin e kujt thoni ju? Inteligjencës artificiale, e cila ka zero ekzistencë. 75 milionë euro. Baxhanaku i Edi Ramës dhe kunati i Linda Ramës u ngarkua për të blerë kompjuterët e shkollave. 26,500 kompjuterë i instaluam gjatë periudhës që ishim në pushtet në shkolla, në çdo shkollë dhe laboratorë. I zhdukën dhe tani u kthyen t’i vendosin në 100 shkolla, dhe ky i merr dhe i shet këto kompjuterë me 10 fishin, e dokumentuar kjo me dokumenta në dogana, me 10 fishin e çmimit që kanë në tregun e shitjes me pakicë në Austri. Po, 10 herë më shtrenjtë se sa ç’e blen në dyqan në tregun e pakicës.
Ata që e quajtën kopshti privat, ata u thanë shqiptarëve një të vërtetë për AKSHI-n. AKSHI u shndërrua në një mallkim për shqiptarët. Të gjitha të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, të dhënat e shtetit në mirëbesimin që qytetari duhet të tregojë ndaj shtetit, të gjitha të dhënat ju kaluan ushtrisë terroriste elektorale të patronazhistëve, pa asnjë keqardhje, pa asnjë problem. AKSHI u përdor për mashtrimin më të madh në prokurime të barabartë me disa herë djegësin e Tiranës. Ju thashë, 75 milionë euro për të përmirësuar inteligjencën artificiale. Zero. Disa milionë euro Diella. Asnjë çip e AI, Diella, sipas studiuesve të fushës që e morën dhe e zbërthyen një nga një, nuk gjetën një çip të vetëm të inteligjencës artificiale në këtë botë të boshatisur plot mashtrim. Ajo që bëhej me 100 dollarë, Diella u bë me 6 milionë.
Libri i zi i dixhital i Shqipërisë nuk ka fund.
Ergys Agasi mori peng jo një, por disa biznesmenë që paraqiteshin në tendera, sepse tenderat duhet t’i fitonte Ermal Beqiri dhe thoshte ky Armand Frangu, ata që donin, ata që paguanin Ergysin sa më shumë. AKSHI u përdor për të vënë në kontroll internetin e të gjitha përfaqësive të huaja në Shqipëri sipas dëshirës së Edi Ramës. Duke bërë kështu një dhunim, një shkelje të rëndë të Konventës së Vjenës, që i garanton këto përfaqësi nga mbrojtja e plotë, ndërhyrjeve të këtij lloji. Nuk mund të harxhojmë kohë më shumë, se ky libër i zi do shkruhet dhe ky libër i zi është një nga faqet më të zeza të këtij regjimi. Shqiptarët nuk mund ta imagjinojnë se çfarë manipulimi monstruoz është bërë me Kadastrën. Dua të them këtu, e-Kadastra, ishte një sukses i një grupi të rinjsh shqiptarë.
Një grup 3 ose 4 të rinj punuan dhe realizuan e-Kadastrën. Fillimisht Banka Botërore me një skepticizëm të plotë. Kadastra është gjë shumë delikate, shumë e veçantë. Por kur ekspertët e saj e studiuan, Banka Botërore e certifikoi dhe kërkoi, organizoi ëorkshope rajonale dhe kërkoi përdorimin e saj dhe nga vendet e tjera. Këta ishin një grup, nuk mbaj mend besoj se u bëmë ndonjë shpërblim po diçka bëmë për ta.
Natyrisht atyre u mbetet krenaria e asaj që realizuan për vendin e tyre. E morën Kadastrën, e kanë manipuluar në shkallën më ekstreme. 16 drejtorë Kadastre janë ndërruar në Vlorë vetëm e vetëm sepse duhej që Edi Rama të merrte prona që absolutisht nuk i takonin. Duhej të merrte kanionin e Gjipesë. Dhe jo vetëm kanionin e Gjipesë. Duhej të merrte prona të tjera në Vuno që nuk kishin qenë kurrë të familjes së nënës së tij. Dhe duhej të merrte prona të cilat sado që të nxirrnin lame e kishte mik, po ai nuk firmoste. Nuk mund të firmoste. 85% e Kadastrës së Durrësit është e manipuluar në mënyrë përfundimtare.
Pra, pse e bëra këtë ekspoze?
Për të kuptuar se çfarë rëndësie jetike ka teknologjia. Se ne nuk heqim dorë kurrë nga këto. Këto erdhën të gjitha nga vullneti i keq i atyre që drejtuan.
Por në fund të fundit, në qoftë se ka një sinonim, teknologjia dixhitale është teknologjia e transparencës. Sinonimi më i përshtatshëm kjo është transparencë, përveç të tjera e të tjera me radhë. Ndaj dhe falënderoj organizimin e këtij takimi, dhe të ndjekim së bashku ekspozenë e Lukas, me bindjen se, blockchain është ndoshta teknologjia më e domosdoshme për të dalë nga ky kaos i tmerrshëm në të cilin me qëllim e ka zhytur Edi Rama Shqipërinë, duke abuzuar in ekstremis me teknologjinë dixhitale.
FJALA PËRMBYLLËSE
Edhe njëherë, ju falënderoj shumë për organizimin e këtij takimi, ekpozenë e shkëlqyer që Luka bëri. Dy momente do të theksoj. Ku ishim në 2005, në fundin e botës, ishte një vullnet politik të arrinim në ndonjë fushë të caktuar, në cati. Dhe këto ishin për burimet.
Komuniteti indian në Europë organizoi një konferencë të madhe në Bruksel. I ftuar aty ishte Narendra Modi, në atë kohë jo kryeministër, ishte kryeministri i Guxharatit, por i bërë i famshëm për digjitalizimin dhe përpjekjet e tij në funksion të biznesit, lehtësimet e mëdha në regjistrimin e biznesit e një sërë gjërash. I dyti aty i ftuar ishte zëvendëspresidenti i UBS Boston. Ishte ftuar aty sepse ky burrë me karakter kishte patur një debat të tillë në një konferencë të mbyllur bankierësh. Në atë kohë në Shtetet e Bashkuara shpërthen kriza e subprimeve.
Kjo krizë u krijua nga një shfrenim i jashtëzakonshëm i kreditimeve. Domethënë, bazuar në doktrinën e Friedman-it, jo ekonomi e kërkesës, por e nxitjes së ofertës, bankat amerikane ndërmorën një fushatë të jashtëzakonshme kreditimesh. Një qytetar amerikan mund të kishte 14 karta krediti, merrte. Në fakt, e gjitha kjo bazohej në tregun imobiliar. Dhe ky ishte holandez, ngrihet në atë mbledhje bankierësh dhe i thotë: ‘Po mirë,’ thotë, ‘po sikur Nikola të mos na e paguajë dot këstin?’ ‘Kjo nuk ndodh,’ i thotë ai që kryesonte mbledhjen. ‘Po pse s’mund të ndodhë?’ ‘Jo, nuk ndodh.’ ‘Po pse nuk ndodh?’ Entuziazmi i tregut. Mirë, ulet. Tani prapë merr fjalën, i thotë: ‘Po çfarë ndodh në qoftë se Nikola nuk na e paguan dot këstin?’ Ai prapë i thotë të njëjtën gjë. Herën e tretë ky prapë ngrihet, i thotë: ‘Çfarë ndodh kur Nikola nuk paguan dot?’
Atëherë i thotë ai, pastaj thotë, ‘Një zinxhir me pasoja të paparashikuara.’ I thotë të vërtetën. Edhe ky i jep dorëheqjen. ‘Unë,’ thotë, ‘që sot jap dorëheqjen. Ne nuk mund të veprojmë në këtë mënyrë si bankierë.’ Ndërsa e dimë, kriza erdhi në fakt, dhe ky mbeti shumë i nderuar. Kriza erdhi dhe ajo krijoi shumë probleme kudo, jo vetëm në Europë, por më shumë, pasi Europa pasqyronte shumë krizat e ekonomisë amerikane.
I treti në atë aktivitet i ftuar ishte Peter Eigen. Ky ishte themeluesi i Transparency International. Një personalitet i shquar, profesor, personalitet i shquar. I katërti isha unë. Unë isha aty, imagjinoni, për e-prokurimin. Dhe tani më duket vetja… Domethënë, ne kishim marrë, ç’është e vërteta, në 2010-ën çmimin e dytë nga OKB-ja vetëm për këtë, e-prokurimin, çmimin e dytë për transparencë dhe shërbimin civil.
Por natyrisht, problemet tani që parashtrohen aty ishin, dhe i them aty, i dhashë një vlerësim si duhet, edhe ky më thotë aty, publikisht, ‘E shpjegova çfarë kemi bërë, këto, këto, këto.’ ‘Jo,’ thotë, ‘nuk është kështu.’ ‘Problemi është,’ thotë, ‘se ky ka bërë atë që kryetari i Bashkisë së Berlinit nuk e ka bërë, dhe ky e ka bërë atë se ky nuk do, ky do transparencë, kurse ai nuk do transparencë në praktikat e tenderave të tij.’ Me një fjalë, ua thashë këtë se përcaktues është vullneti.
Në qoftë se ka një vullnet politik për të transformuar, për t’u ndarë me korrupsionin, rruga është kjo. Vetëm se në këtë rast atëherë nisëm pothuajse nga shumë, shumë një nivel i dobët ku ishim.
Tani jo, tani jemi në një nivel tjetër dhe fakti që ne kemi ekspertë si Luka që është i gatshëm të angazhohet menjëherë, por duke patur vullnetin politik, rëndësia e këtij procesi është e jashtëzakonshme.
Shqiptarët nuk e dinë se në ç’gjendje të paimagjinueshme ndodhet kadastra e tyre. Është përdorur për të manipuluar në shkallën më ekstreme kadastrën. Po po i hoqe ekonomisë së tregut kadastrën, ti i ke prerë tendinën e Akilit të asaj, sigurinë e pronës. Prona. Ndaj dhe së dyti, e dha shembullin. Çfarë e shtyu Edi Ramën të centralizonte në një agjenci të gjitha tenderat e shoqërisë së informacionit? Të zhdukte praktikisht garën. Ato përfundojnë me pengmarrje, ju e dini. Gerond Meço u mor peng. U mor peng nga Ergys Agasi dhe u dërgua te karteli i Elbasanit. Daniel Shima edhe më keq. Çfarë ishte Danieli? Danieli ishte zëvendësdrejtor, njeriu i brendshëm, i dinte të gjitha. Pra, duhet të jemi shumë optimistë se ne realisht me vullnet sigurisht, mund ta transformojmë me shpejtësi këtë gjendje dramatike që ekziston. Në vitin 2012, të gjitha, nga 277 licenca, 2/3 u ranë vizë, i kthyem në leje ose autorizime. Krijuam One Stop Shop për to, më parë për biznesin, pastaj për licencat. Të gjitha i përmbysën. Po pse i përmbysën? Se donin ryshfetin. S’mund ta marrësh pa ryshfet. I përmbysën, i rikthyen. Asgjë nuk ka asnjë mjet, nuk ka më efikas, më të fuqishëm sesa Blockchain për të rikthyer edhe një herë Shqipërinë digjitale në realitet për të gjithë qytetarët shqiptarë. E përmend disa herë Estoninë. Asgjë më inkurajuese s’ka se ai vend për ata që duan të ecin në këtë rrugë. Kur kam shkuar aty për herë të parë, ne ishim për tokë, po shkova sepse ai ishte shembulli, ndriçonte. Në atë kohë ai ishte shembull. Ndaj dhe sot kjo rrugë është shumë e shkurtër seç ishte. Më e suksesshme duke analizuar të gjitha problematikat e krijuara në këtë proces. Jam i bindur se Shqipëria digjitale 3, ta quajmë kështu, do të jetë Shqipëria e fantazisë, e ëndrrës digjitale të të rinjve tanë dhe të shqiptarëve.
Faleminderit.


