EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht edhe drejtuesi i opozitës shqiptare, Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se për herë të parë në një vizitë zyrtare, një Sekretar Shteti takon vetëm përfaqësues të një partie: Presidentin, Lali Vjedhësin, Edi Ramën, Altin Dumanin, Sokol Sadushin dhe me radhë.
Berisha tha se PD, forca politike që përmbysi komunizmin, forca politike që u bë promotor kryesor i marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe SHBA dhe vendeve perëndimore, e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ka qenë dhe mbetet e vendosur gjithnjë për të vazhduar në këtë rrugë bashkëpunimi miqësie në kuadrin e NATO-s dhe në kuadrin bilateral.
Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën dhe Erion Veliajn që të mos gëzojnë shumë sepse fatin e Saimir Tahirit dhe Charles McGonigal do të kenë.
Kryedemokrati u shpreh gjithashtu se Skapi pret ndonjë ryshfet më të majmë që t’i amnistojë edhe ata, siç ka amnistuar Edi Ramën, siç ka amnistuar Erion Veliajn
Berisha bëri me dije se asgjë nuk mund të na shmangë ne, asgjë nuk do na pengojë ne pa rivendosur pluralizmin, votën e lirë, pa shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i narkomafies.
Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur edhe banorët e Himarës për protestat e tyre. Berisha i ka bërë thirrje edhe Komisionit Europian që të reagojë për çështjen Beleri.
FJALA E PLOTE
Të dashur demokrate dhe demokratë, qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të dinjitetit, të shpresës, të të ardhmes së shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt, vëllazërore ju dhe mbarë shqiptarëve, të cilët po presin me padurim 20 shkurtin, ditën e ngadhënjimit të tyre.
Të dashur miq, sot në Shqipëri erdhi kryediplomati i SHBA, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Shfrytëzoj këtë rast për të garantuar qeverinë e SHBA, presidentin e vendit, se PD, forca politike që përmbysi komunizmin, forca politike që u bë promotor kryesor i marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe SHBA dhe vendeve perëndimore, e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ka qenë dhe mbetet e vendosur gjithnjë për të vazhduar në këtë rrugë bashkëpunimi miqësie në kuadrin e NATO-s dhe në kuadrin bilateral.
Asgjë nuk lëkund qëndrimet tona, qëndrimi ynë pro-perëndimor buron nga vokacioni perëndimor i kombit shqiptar.
Ne u themeluam si parti e vokacionit perëndimor, por miqtë e mi, ajo që ishte në këtë vizitë e gjashta e një sekretari shteti që nga viti 1991, ajo që ishte do të thosha për Shqipërinë, e hidhur, ishte se kjo ishte vizitë në Shqipërinë moniste.
Sepse për herë të parë në një vizitë zyrtare, një sekretar shteti takon vetëm përfaqësues të një partie. Presidentin, Lali Vjedhësin, Edi Ramën, Altin Dumanin, Sokol Sadushin dhe me radhë.
E vërteta është se nuk mund të them se ai do donte një protokoll të tillë.
Por Shqipëria sot është moniste, Edi Rama dhe Linda e Parlamentit preferuan të mbajnë përjashtimin e deputetëve të opozitës, të mos shtyjnë seancën dhe të ftojnë Sekretarin e Shtetit t’i adresojë siç ka qenë tradita që nga viti 1991, fjalët e tyre nga parlamenti shqiptar.
Pra, gjithçka u zhvillua sipas një skenari kryekëput monist.
Deputetëve të parlamentit iu janë mohuar të drejtat kushtetuese.
Kryetari i partisë më të madhe është vendosur në arrest shtëpie vetëm e vetëm pse ka mbrojtur
interesin e kombit shqiptar, ka denoncuar me të gjithë fuqinë e tij skandalet, vjedhjet e shekullit të Edi Ramës.
Por me këtë rast, dua të theksoj dy momente. Së pari çdo shqiptar duhet ta dijë se nesër për herë të parë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, në Uashington gjykohet shefi i kundërzbulimit të FBI, në një dosje kriminale të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Dhe e garantoj Edi Ramën se drejtësia vonon, por nuk të harron!
Dhe mos të qeshë buza se s’ka lavdërim, s’ka lëvdatë, se nuk ka asgjë që nuk mund të shpëtojë ty nga verdikti i drejtësisë për aktin madhor korruptiv ndërkombëtar, korruptimin e McGonigalit.
Me këtë rast, i them kryehajdutit të kombit, Edi Rama dhe Erion Veliasë, mos harroni se sot vërtet lavdëroheni, ndërkohë që shqiptarët kanë absolutisht mendime krejt të kundërta. Çdo shqiptar ju di ju për hajdutë.
Mirëpo kujtoni pak Saimir Tahirin, që e çuat në Dhomën Ovale te Obama. Edhe atëherë ju paralajmërova. Drejtësia vonon, por vonon, por nuk harron.
Ju garantoj se fati i tij u pret, se fati i McGonigalit ju pret!
Natyrisht hetimet me grupin e strukturuar kriminal në Skapin e partisë janë të pashpresë.
Të dashur miq!
Këto ditë 5 drejtorët e Erion Veliajt, të lidhur si mishi me thoin me familjarët e tij të afërt, janë gjetur se mbushin valixhet me euro dhe nga Podgorica fluturonin në të katër anët me avionët në dispozicion me paratë e vjedhura, taksa të qytetarëve të Bashkisë së Tiranës.
Skapi pret ndonjë ryshfet më të majmë që t’i amnistojë edhe ata, siç ka amnistuar Edi Ramën,
siç ka amnistuar Erion Veliajn.
Ndaj 20 shkurti është dita e ditëve, dita e drejtësisë, dita e të vërtetës, dita e fitores!
Asgjë nuk mund të na shmangë ne, asgjë nuk do na pengojë ne pa rivendosur pluralizmin, votën e lirë, pa shpëtuar Shqipërinë nga regjimi i narkomafies.
Edhe njëherë, shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni, më shumë se kurrë Shqipëria sot pret nga ju.
Më shumë se kurrë ajo sot është në duart tuaja.
Më shumë se kurrë duhet të ngrihemi në 20 shkurt, t’i presim biletën regjimit më të urryer që shqiptarët kanë njohur pas diktaturës së Enver Hoxhës.
Unë shfrytëzoj këtë rast për të përshëndetur banorët e Himarës, qytetarët e Himarës për protestat e tyre dhe t’i garantoj ata se opozita nuk mposhtet dhe do qëndrojë fuqishëm për respektin ndaj votës së tyre.
I bëj thirrje Komisionit Europian, të ndalet në një moment sepse çështja Beleri është çështje e parimeve universale të të drejtave të njeriut. Që përballen me interesat e një mafiozi. Me interesat e Edi Ramës, pasurimit të tij dhe klanit të tij mafioz me brigjet e Himarës.
Prezumimi i pafajësisë, e drejta e shtetasve pavarësisht nga besimi fetar, pavarësisht nga raca, pavarësisht nga etnia, për t’u zgjedhur në vendin e tyre është një e drejtë universale që nuk mund të shkelmohet në asnjë vend që pretendon të ecë drejt Bashkimit Europian.
Ndaj dhe ta mbyll, duke i thënë Edi Ramës, Erion Veliajt, mos t’u qeshë buza, se çfarë do të ndodhë, hajdutët më të mëdhenj të Shqipërisë jeni dhe do mbeteni.
Mos t’u qeshë buza se me ju,, populli shqiptar ka hesape të mëdha.
Mos t’u qeshë buza se ju keni vetëm një fat, fatin që kanë hajdutët.
Keni vetëm një të ardhme, të ardhmen që kanë hajdutët.
Rrofshi ju, rroftë opozita shqiptare.
Më 20 shkurt, të gjithë në Tiranë, ditën e fitores, ditën e triumfit!