Berisha bën thirrje: Të bashkohemi sot në bulevardet dhe rrugët e Tiranës në një nga momentet më kritike të historisë sonë

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së sotme për media, bëri thirrje për mbështetje masive të qytetarëve në protestën që do të organizohet sot pasdite në Tiranë, duke e cilësuar këtë moment si një nga më kritikët në historinë e vendit.

Krydemokrati u shpreh se pak orë na ndajnë nga ‘uragani i madh i shpresës dhe fitores së opozitës dhe kombit shqiptar.’ Berisha theksoi se sot është një ditë e rëndësishme, kur përfaqësuesit e vendeve të BE-së janë përballur me Edi Ramën, duke e akuzuar për shkatërrimin e mundësisë për të vazhduar procesin e integrimit evropian.

Në mesazhin e tij, Berisha kërkoi që qytetarët të bashkohen në bulevardet dhe rrugët e Tiranës, për të dërguar një mesazh të fuqishëm dhe dinjitoz për të kundërshtuar qeverinë dhe korrupsionin e saj.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha, ka theksuar se skenari i protestës së sotme është një ‘kryengritje të fuqishme paqësore,’ e cila ka për qëllim të dërgojë një mesazh të qartë, si në Shqipëri, ashtu edhe në shtetet e tjera evropiane dhe perëndimore. Ai e cilësoi këtë protestë si një moment të rëndësishëm për të treguar se opozita dhe qytetarët shqiptarë nuk do të mposhten nga ‘narkokratura’ që, sipas tij, udhëhiqet nga Edi Rama.  

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se kjo protestë vjen pas dështimit të fazës së parë të grushtit të shtetit, dhe pas ‘kartonit të zi’ të dhënë nga Bashkimi Europian për Ramën, duke e akuzuar atë për pengimin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Lideri i opozitës shqiptare, u bëri thirrje shqiptarëve kudo që janë, që të organizohen dhe të kontribuojnë në protesta të fuqishme, duke kërkuar një reagim të fortë kundër ‘narkoshtetit’ dhe për mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar.

FJALA E PLOTE:

Të dashur qytetare dhe qytetarë, pak orë na ndajnë nga uragani i madh i shpresës dhe fitores së opozitës dhe kombit shqiptar.

Unë erdha përsëri t’u drejtoj thirrjen time si shqiptari-shqiptarit, si qytetari-qytetarit, të bashkohemi sot në bulevardet dhe rrugët e Tiranës në një nga momentet më kritike të historisë tonë.

Sot në Bruksel përfaqësuesit e vendeve më të mëdha të Europës patën para tyre narko-diktatorin e parë të kontinentit, Edi Ramën.

Patën para tyre njeriun që për vjedhjet e tij dhe organizatës kriminale, është i aftë dhe i gatshëm në papërgjegjshmëri të plotë, të shkelmojë dhe interesat më jetike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Patën para tyre njeriun, i cili i detyroi përfaqësuesit e vendeve kryesore të BE t’i nxjerrin jo kartonin e kuq, por kartonin e zi.

Mundësinë e shpërbërjes së plotë të udhëtimit tonë 32-vjeçar drejt BE.

Kupa e Edi Ramës është derdhur prej kohësh.

Ndaj dhe sot më shumë se kurrë duhet të jemi në atë bulevard, në ato rrugë, në ato sheshe për të përcjellë mesazhin tonë se ne nuk pajtohemi kurrë me një organizatë hajdutësh, që u ka vjedhur shqiptarëve shuma përrallore të buxhetit, pasuri të pafundme publike, ka vendosur ligjin e mafies dhe tani do me çdo kusht t’u vjedhë të ardhmen evropiane.

Prania jonë sot është mesazhi më i shkëlqyer, është mesazhi më dinjitoz që ne u përcjellim shqiptarëve në Shqipëri dhe të katër anët e dheut, por që ne u përcjellim edhe miqve tanë të vërtetë në BE, SHBA dhe kudo që janë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Marsi Korreshi, SYRI TV: Cili do të jetë skenari i protestës së sotme. Do të jetë një protestë e vazhdueshme apo si është menduar?

Sali Berisha: Skenari i protestës, është skenar i një kryengritje të fuqishme paqësore që do të përcjellë, sot më shumë se kurrë, në vatrat e të gjithë shqiptarëve, por edhe në Bruksel, Uashington, Berlin dhe qendra të tjera kryesore, se ne nuk mposhtemi kurrë nga një narkokraturë.

Dhe jemi të vendosur që të mbrojmë me çdo çmim, vlerat e përbashkëta që njerëzit e lirë ndajnë në Shqipëri dhe botë.

Skenari sot zhvillohet pas dështimit të fazës së parë të grushtit të shtetit dhe inicimit menjëherë të fazës tjetër të grushtit të shtetit, nga Edi Rama.

Por zhvillohet edhe pas kartonit të zi, që i nxorrë mbrëmë dhe sot në Bruksel njeriut që për vjedhjet e tij, është i gatshëm ti vërë fjalën një procesi aq jetik, integrimit Europian të Shqipërisë, ëndërrës më fisnike të shumë e shumë gjeneratave, ëndërrës së Shqipërisë, zonjë në Europë.

Në këtë kuadër dua të theksoj këtu, thirrjen time për shqiptarët kudo që janë. Është jetike, vendimtare kontributi i tyre.

Shumë e shumë prej tyre, fluturojnë nga vendet ku janë dhe vijnë në Shqipëri, por ftoj ata, të organizohen për protestët më të fuqishme që janë zhvilluar ndonjëherë, para përfaqësive të narkoshtetit në vendet ku jetojnë.

Këto protesta të cilat PD do japë kontributin e saj me anëtarët dhe mbështetësit, janë sot të domosdoshme dhe jetike, në këto çaste, në këto momente kur Edi Rama ka tejkaluar çdo lloj ligji, standardi, norme morale në qëndrimet e tij, si kryeministër ndaj shqiptarëve.

Pra, kjo protestë shënon, hap dhe siparin e fillimit të protestave pranë përfaqësive të narkoshtetit, për të ju thënë popujve të atyre vendeve se, kjo përfaqësi  përfaqëson narkoshtetin, kurse ne në rrugë përfaqësojmë kombin shqiptar.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale