BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME SHQIPTARËT E AMERIKËS
EKSTRAKT
Pas fjalës së mbajtur në takimin madhështor me shqiptarët e Amerikës, në New Jersey, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi edhe një bashkëbisedimin me shqiptarët duke dhënë mesazhe të forta politike mbi krizën më të rëndë që po kalon Shqipëria: largimin masiv të shqiptarëve, varfërimin, goditjen e ekonomisë, kapjen e institucioneve dhe lidhjen mes pushtetit dhe krimit. Për kreun e Partisë Demokratike, këto nuk janë probleme të ndara, por pjesë të një sistemi qeverisës që, sipas tij, po e shtyn vendin drejt një krize demografike dhe ekonomike pa precedent.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një prej shqiptarëve të Amerikës për shkaqet e emigrimit, lideri i demokratëve Sali Berisha lëshoi akuzat ndaj Edi Ramës dhe politikave të qeverisjes së tij. ‘E vërteta është se në një farë mënyre, po t’i referohemi konventës, nenit 5 të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin, ajo politikë që ka ndjekur qeveria shqiptare, është politikë e krijimit të kushteve të kalkuluara për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe kjo quhet gjenocid. Edhe kjo quhet gjenocid’, deklaroi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike Berisha e lidhi krizën e emigrimit me atë që ai e konsideron si kapje të ekonomisë nga paratë e paligjshme. Duke folur për ndërtimet dhe çmimet e apartamenteve, ai tha se: ‘Një i ri duhet të punojë 100 vjet për të marrë një apartament, nëse e merr dot. 50 mijë apartamente rrinë të pashitura në Tiranë. Çmimi i metrit katror është një e treta e vendit me më të larta në Evropë. Narkoshteti është shumë i pamëshirshëm ndaj shqiptarëve. Narkoekonomia pasuron narkoqeveritarët, pasuron trafikantët, narkobiznesmenët, shkatërron ekonominë e të tjerëve.’
Përballja politike, sipas liderit të opozitës Sali Berisha, nuk mund të mbyllet vetëm me denoncime. Ai u shpreh qartë se një nga kërkesat kryesore të opozitës mbetet krijimi i një qeverie teknike, e cila është kusht për rikthimin e garancive në procesin zgjedhor. ‘Vota, zgjedhjet janë një farsë absolutisht si në ditën e diktaturës. Vota e tëra merr fund pa ardhë në kuti. Klanet e fuqishme të drogës diktojnë me dhunë, terror, shpërblim të rinjtë, votën e qytetarëve. Administrata është shndërruar e tëra në patronazhistë’, deklaroi Berisha.
Për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, Berisha premtoi një politikë të posaçme rikthimi, duke e vendosur diasporën në qendër të programit të tij politik. ‘Por një gjë dua të theksoj: me këtë shok të tmerrshëm demografik që ka pësuar, rikthimi i shqiptarëve në Shqipëri është i vlefshëm për çdo çmim. Dhe ky do jetë parimi mbi të cilin ne do vendosim politikat e rikthimit’, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në bshkëbisedimin me shqiptarët në Amerikë.
BASHKËBISEDIMI I PLOTË ME SHQIPTARËT NË NEW JERSEY:
Kujtim Murataj: Doktor Berisha, të pranishëm vëllezër e motra shqiptarë në Shqipëri dhe në gjithë botën. Sot është një ditë e veçantë ta kem këtu doktor Berishën. Në një tavolinë të vogël para sa kohësh kur u mblodhëm me zotin… dhe një grup i vogël shqiptarësh, nuk u mblodhëm që e duam Sali Berishën dhe do të bëjnë diçka. Patjetër që i kishin të asaj natyre, e bëmë se Shqipëria ishte në rrezik. Kosova ishte në rrezik. Rama, Vuçiç, të sajuar me Sorosin, një politikë antikombëtare dhe e pamë të domosdoshme, Shqipëria duhet patjetër ta kishte të lirë udhëheqësin e vet. Dhe kjo na bëri që të mblidhemi dhe e falënderoj shumë Zotin, shtetin amerikan dhe Trumpin që e bëri të mundur sot Sali Berisha të jetë mesin tonë. Pra ishte një punë e fondacionit Make Albania Great Again, që u mblodhëm si emergjencë për Shqipërinë dhe nuk e bëmë për Sali Berishën po e bëmë për Shqipërinë, po gjithsesi mirë se erdhe dhe Zoti të dhashtë jetë të gjatë. Edhe kemi shpresë që do t’i japim goditjen e fundit këtij arkivolit të Edi Ramës. Më falni për emocionet dhe zoti Këlliçi na ndihmoi shumë… Unë e kam disa pyetje, të gjitha në fakt shumicë ju drejtuan, por e kam nga rinia shqiptare se ka emigruar dhe kërkon azil politik. Kur qeveria juaj që ne besojmë që do vini në pushtet Partia Demokratike, hapa që do marrë. Më konkrete të lutem. Dhe tjetra është Edi Rama ka vjedh gjysmën e detit, ju ka turrë maleve, po vjedh bjeshkët. Dhe e treta, në takimet e tjera që kam pasur me deputetë, votën. Votën që ne e bëmë shqiptarët e Amerikës. 80… unë jam se 30 vjet këtu dhe shqiptarët e Amerikës 80 deri 90% votojnë djathtas. Doktor, vota jonë nuk u numërua, u vodh. Çfarë do bëjë qeveria e Partisë Demokratike që të mbrojë votën tonë? Është një problem i yni dhe edhe një herë shumë faleminderit, mirë se ke ardh edhe inshallah të t’i japë jetë të gjatë.
Sali Berisha: Faleminderit shumë Kujtim për pyetjet dhe mirënjohja e pakufishme ndaj fondacionit Make Shqipëria Great Again, të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë fondacion.
E vërteta është se në një farë mënyre, po t’i referohemi konventës, nenit pesë të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin, ajo politikë që ka ndjekur qeveria shqiptare, është politikë e krijimit të kushteve të kalkuluara për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe kjo quhet gjenocid. Edhe kjo quhet gjenocid.
Në qoftë se studioni elaboratet e Vaso Çubrilloviçit se si t’i largojmë shqiptarët nga Kosova, Edi Rama në një mënyrë ose në një tjetër i ka zbatuar në Shqipëri me përpikmëri ato. Çfarë bëri? Në një akt të parë për të konsoliduar pushtetin e tij zhduku 300 njësi të qeverisjes vendore, duke e lënë qytetarin thellë në vendin më malor dhe infrastrukturë më problematike, faktikisht i la pa shërbime. Së dyti, fiksoi, ngurtësoi rrogat dhe pensionet. Një nga arritjet më historike tona ishte kur dolëm nga grupi i kombeve me të ardhura të ulëta në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
Kjo përbënte një arritje të madhe për ne dhe ju garantoj se ajo periudhë në të cilën u dyfishuan rrogat dhe pensionet, nga të gjitha të dhënat rezultonte se Shqipëria mund të vazhdonte pa asnjë problem ritmet e rritjes së shpejtë të rrogave dhe pensioneve. Dhe ky i ngurtësoi ato. Shqiptarët sot marrin rroga dhe pensionet më të ulëta.
Po aq të ulëta saqë një pensionist për të shkuar nga Tirana në Vlorë duhet të lërë gjysmën e pensionit. Sot janë të paktë pensionistët të cilët në rast se nuk kanë një ndihmë nga familjarët, se mund të blejnë ilaçet. Nuk harroj kurrë, një moment në jetën time në vitin 1986 kisha shkuar tre muaj në Peshkopi dhe e mjekova atë të sëmurin disa ditë me tension.
Në fund do dilte dhe i jap recetën. Ajo recetë kushtonte, ia kisha llogaritur, 1200 lekë të vjetra atë ditë. I them, më falënderoi shumë, nuk e mori. I them, merre se unë i kam përllogaritur, kushtojnë gjithsej 1200 lekë të vjetra. Doktor, më tha, po unë 1500 lekë të vjetra marr ditën e punës. U preka shumë, nuk e shtyva më tutje, 1500 lekë të vjetra fitonte ditë pune, si ta blinte bukurin? Po pensionisti sot? Ju garantoj se të paktën gjysma e tyre nuk marrin dot ilaçet, njëlloj si fshatari i Dibrës në vitin 86 në kulmin e hiperkolektivizimit.
Së treti, para një muaji publikoi Eurostati të dhënat. Prodhimi industrial në Shqipëri nga vitin 2021 në vitin 2025 ka rënien më të madhe pas Ukrainës që është në luftë dhe që ia ka pushtuar Rusia zonat industriale. Rënien më të madhe, 15.3%. Po pse? Sepse narkoeuro, narkodollari zhvlerësuan masivisht, u zhvlerësuan në Shqipëri sa në asnjë vend tjetër. Euro është zhvlerësuar në Meksikë 17%, në Shqipëri 32%. Dollari është zhvlerësuar në Meksikë 8%, 35% në Shqipëri. Kjo mbyllje masive, kjo rënie masive e prodhimit, rënie masive e punësimit, largim masiv i të rinjve. Shqipëria ndërtohet mesatarisht tre herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Po ato janë të gjitha molla të ndaluara.
Një i ri duhet të punojë 100 vjet për të marrë një apartament, nëse e merr dot. 50 mijë apartamente rrinë të pashitura në Tiranë. Çmimi i metrit katror është një e treta e vendit me më të larta në Evropë. Narkoshteti është shumë i pamëshirshëm ndaj shqiptarëve. Narkoekonomia pasuron narkoqeveritarët, pasuron trafikantët, narkobiznesmenët, shkatërron ekonominë e të tjerëve. Ky është fakti pse ikin, dhe pse ikën rinia nga Shqipëria.
Ndaj dhe duhet zero tolerancë. Paketa, çfarë është paketa e maleve? Miq, para tre javësh u zbulua një libër, libri i kuq, 150 faqesh, me 535 projekte, që të gjitha të bëra nga studiot më prestigjioze të paguara nga grupet dhe organizatat kriminale, miliarda euro për projektimin e tyre. Asnjë shqiptar dhe unë për herë të parë në jetën time dëgjova kur u publikua në media ky libër. Libri në të cilin Edi Rama pa pyetur asnjë pronar, pa pyetur asnjë specialist, asnjë ligj, ua kishte bërë gati Shqipërinë 537 grupeve ku natyrisht ai është aksioner kryesor.
Kjo është paketa e maleve. Pak ditë para se të vija këtu, takoi një ndërtues i cili ka ndërtime në bregdet. Çfarë të ndodhi, çfarë të ndodhi? Më erdhi brigandi dhe i thotë këtë tokën që ke këtu buzë ujit, kjo është e imja. Si është e jotja? Kjo është, kjo nuk jepet. Më nxori dokumentat dhe e kishte marrë. Është një paketë që nxit vëllavrasjen, është një paketë e cila shkatërron çdo nocion të pronës. Vota, e shumë e drejtë pyetja. Çfarë ndodh në Shqipëri? Në Shqipëri vota, zgjedhjet janë një farsë absolutisht si në ditën e diktaturës.
Një vëzhgues i huaj deklaroi me 11 maj se pa një situatë akoma më normale… I thashë akoma më normale i kemi patur nja 50 vjet më parë. Vota e tëra merr fund pa ardhë në kuti. Klanet e fuqishme të drogës diktojnë me dhunë, terror, shpërblim të rinjtë, votën e qytetarëve. Administrata është shndërruar e tëra në patronazhistë të cilët çfarë bëjnë? Marrin të dhënat e qytetarëve. Ti ke këtë kredi, ti ke këtë konflikt, ti ke këtë gjë… dhe i rikatonin, i marrin peng, i kërcënojnë, ose i shpërblejnë.
Ndaj dhe mendimi i përgjithshëm i atyre që ndjekin zgjedhjet është se këtu nuk ka më linja midis shtetit dhe partisë. Ndaj dhe rruga e vetme për të mbrojtur votën është largimi i Edi Ramës dhe qeveria teknike. Pa qeveri teknike, Shqipëria do të ketë vetëm farsë elektorale.
Drita Gosturani: Përshëndetje doktor Berisha. Të uroj gjithë të mirat dhe mirë se erdhet në vendin që ju e vutë këmbën i pari për demokracinë e gjithë Shqipërisë. Doktor, ju u kthyet në vendin e lirisë dhe me shumë dashuri gjithë diaspora po të jep atë që ti e meriton, atë që ju e keni dhënë për diasporën. Nuk do të doja doktor në asnjë moment që të humb asnjë minutë të gjithë këtyre njerëzve që dojnë të pyesin apo të japin mendimet e tyre. Dhe unë po ju drejtoj një pyetje. Ju doktor Berisha, me ardhjen tuaj në pushtet, a do të ketë përfaqësues nga diaspora për të përfaqësuar gjithë këtë demokraci që ka ky popull, gjithë këtë demokraci që i nevojitet qeverisë tuaj, e vendit tonë, për të ndihmuar në rimëkëmbjen e atij vendi aq të madh, aq të madhërishëm që është Shqipëria, një pikë e vogël me të gjitha të mirat e Zotit. Po që shumë njerëz po mundohen t’ia humbasin. Ju jeni i mirëpritur tek ne përjetë, por ju duhet të na mbështesni diasporën, me përfaqësues të tyre. Kaq doktor Berisha, të uroj edhe një herë me zemër, mirë se ardhjen.
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Ju garantoj se pa asnjë mëdyshje do të ketë nga diaspora dhe qëllimi ynë ndër më madhorët do të jetë rikthimi i shqiptarëve në Shqipëri. Ato vite që qeverisëm, ne kemi patur dy programe.
Një program e quanim Brain Gain, me të cilin ne ia dolëm të rikthejmë në Shqipëri me dhjetëra e qindra individë nga vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të cilët erdhën me disa lehtësira. Lehtësira jo të rëndësishme, të vërteta, por që patën një rol pozitiv.
Dhe arritëm në administratë nga 1% të diplomuar në shkollat perëndimore banues në diasporë, kjo shifër arriti në 24-25%. Pra një rritje e domosdoshme. Sot ne po riorganizohemi pikërisht në të gjitha vendet në mënyrë që të krijojmë një lidhje më organike me diasporën. Shqipëria e ka të domosdoshme kontributin, softin e diasporës shqiptare. Unë jam optimist.
Akil Seci: Përshëndetje! Akil Seci, biznesmen në ndërtim në Amerikë nga Tropoja. Kam atë mbiemrin Seci dhe në emër të familjes jam shumë krenar që ti arrite ta pastrosh emrin tënd dhe të tregosh gjithë botës që je figura më e pastër politike që ka pas Shqipëria në 30 vjet demokraci.
Kam nja dy pyetje për ty. Dëgjesa e parë the se qeveri teknike, të iki Edi Rama dhe të rrëzojmë pushtetin sa më shpejt. Doktor, koha po kalon shumë shpejt dhe u bënë shumë vjet që qeveria e Edi Ramës akoma sundon në Shqipëri. Me dy kryeministra të korruptuar, çfarë s’ndodh askund në botë, me zëvendëskryeministra dhe prapë kryeministri me vazhdu punën.
Çfarë do bësh ndryshe doktor pas kësaj mbledhjeje që kemi këtu në Amerikë, kur të kthehesh që të rrëzosh qeverinë e Edi Ramës? Dhe a e keni menduar akoma emrin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës? Shumë faleminderit.
Sali Berisha: Pyetje e shumë e drejtë. Mendoj se po të analizosh qeverisjen 30 vjeçare të Edi Ramës, problemin më madhor në të cilën ai pastaj tejkalon çdo lloj kufiri dhe limiti, është shkërmoqja e ligjit dhe kushtetutës.
Një qeveritar që betohet në Kushtetutë duhet t’i përmbahet ligjit me të gjitha përpjekjet e tij… Nuk ka asgjë të dobishme për qytetarët, të rëndësishme, do t’jau ilustroj këtë me një shembull nga jeta ime jo kaq pozitiv. Në vitin 97, piramidat të cilat realisht nuk i njihnim, krijuan një krizë të thellë e të madhe.
Socialistët u thanë qytetarëve që ato para i ka marrë qeveria. Qeveria nuk kishte prekur një qindarkë, jo absolutisht. U them bashkëpunëtorëve të mi, se përderisa shqiptarët mendojnë se jua kemi marrë paratë ne, nuk mund t’i qeverisim. Nuk duhet të pranojmë t’i qeverisim. Duhet të dalim në opozitë, t’ua faktojmë që s’kemi prekur një qindarkë dhe pastaj le ta gjykojnë vetë ata.
Mirë, e bëmë atë. U bë fushata. Në fushatë Fatos Nano shkonte nga salla në sallë dhe u thoshte që do t’ju kthej çdo qindarkë. Sali Berisha u tha: miq, borxhi është i vjetër sa njeriu, nuk ka ligj në botë që të lejon të njohësh borxhin që nuk e ke marrë. Nuk i kemi marrë paratë. Ju them juve me sinqeritet, këtu se shumë herë e kam pyetur dhe veten time.
Unë mund t’jua ktheja ato lekë atyre, po! Dhe qëndroja në pushtet, po po t’i ktheja paratë bëja një veprim të paligjshëm. Merrja paratë e atij që s’kishte futur një qindarkë dhe ia jepja atij tjetrit. Nuk e bëra atë. Zbatova ligjin! Zbatova ligjin në kushte tmerrësisht të vështira, po pas katër vitesh shqiptarët votuan për Partinë Demokratike. Edhe në 2005. Ky e ka lënë vendin tërësisht pa ligj, e ka lënë si me theksin që thotë, mjet të dobishëm.
Krimi u duhet për të realizuar ato që s’i lejon ligji. Dhe bandat në të katër anët… Më pyesnin mua qytetarët, çfarë do bësh ti me këtë? Ligjin u thosha unë. Ligjin do u tregoj unë atyre. Po ku e ke… me kë do ja tregosh? Me këta policë, me këta që janë? E vërteta është kjo që nuk ishin policë që s’donin të zbatonin ligjin, ishin politikanë që nuk i lejonin të zbatonin ligjin. Dhe më thonë mua ata, kur ua ngarkova detyrat, le të kemi një kërkesë… Çfarë kërkese zotëri, u them atyre. Kërkesa është që po ta nisim këtë betejë mos na pengojë askush, të mos na ndalojë askush të zbatojmë ligjin. Dhe ata zbatuan ligjin dhe në 18 muaj, 1050 banditë bosë, kudo që ishin i vendosën para ligjit.
Ndaj dhe ndaj deklarova këtu: zero tolerancë ndaj krimit e karteleve. Absolutisht kudo që të jenë, nga Afrika, në Amerika e Jugut dhe kudo që të ndodhen do përballen me ligjin në Tiranë. Për kandidatin për Bashkinë e Tiranës akoma nuk është i konkretizuar. Do bisedojmë edhe me aleatët, me të tjerët, do përpiqemi t’i japim qytetit kandidatin më të shkëlqyer që ka pasur ndonjëherë.







Harry Bajraktari: Doktor Berisha, mirë se keni ardhë në Amerikë. Uroj në udhëtimin e juaj sukses dhe ekipit juve për të mirën e Shqipërisë dhe për të mirën e vendit. Falënderoj të gjithë që keni marrë pjesë sot me doktor Berishën këtu, na keni nderuar të gjithë. Kam një pyetje për ju. Konkretisht, çfarë do bëjë komuniteti për të bërë për Partinë Demokratike, për të ardhë në pushtet në Shqipëri prej sotit? Teknikisht, e di se duhet të votojë, po çfarë të bëjmë para votimit? Para se të vjen vakti për me votu? Para se të udhëtosh për në Shqipëri? Konkretisht, çfarë ka qenë e mirë të organizohen gjithë ky popull për të mirën e vendit dhe për të mirën e Partisë Demokratike dhe për ju? Suksese të gjitha të mirat, ju rritët ndera, rritët ndera.
Sali Berisha: Njëherë të falënderoj me mirënjohje shumë Zoti Bajraktari për të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm që ke dhënë dhe jep në çështjen kombëtare, interesi yt që tregon në mënyrë të vazhdueshme për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri.
E vërteta është që komuniteti, diaspora, në këtë vend, mund të japë një ndihmë të gjithanshme, jashtëzakonisht të rëndësishme. Për ne, rëndësia më e madhe është të paraqesim siç është realitetin ynë në këtë vend. Konstatoj me kënaqësi se nga mesazhet që kanë ardhur, një ndryshim në vlerësim ekziston.
Sekretari Rubio nuk përgëzoi Edi Ramën në zgjedhjet e fundit. Departamenti Shtetit, zëdhënësi i tij i tha gazetarit të Shtëpisë së Bardhë se sekretari Rubio uron vetëm ata që fitojnë zgjedhje të lira. Dhe kjo ishte një ndihmë e madhe për ne.
Angazhimi juaj, i diasporës, me përfaqësuesit tuaj në Kongresin dhe Senatin e Shteteve të Bashkuara, me institucionet e këtij vendi, vetëm për të paraqitur realitetin është një ndihmë shumë e madhe.
Mesazhi juaj për shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë është një ndihmë e madhe. Mobilizimi juaj që të votojmë masivisht për largimin e Edi Ramës. Pra, në fakt roli është jashtëzakonisht i madh dhe i pazëvendësueshëm.
Eri Bramellari: Doktor Berisha, përshëndetje, mirë se na ardhët. Unë jam Eri Bramellari, kam vetëm një pyetje: Si do ta asgjësojmë këtë qeverinë e krimit dhe të bandave të krimit? Faleminderit.
Sali Berisha: Kjo qeveri bën gjithçka për të qëndruar në pushtet. Ju siguroj se, në qoftë se dëgjuat që në atë dosje, McGonigal kishte 36 vjet të përcaktuara në kod, dosjet e Edi Ramës janë absolutisht me qindra.
Nuk besoj kurrë të ketë patur një kryeministër në një vend që të ketë firmosur në mënyrë të paligjshme si ai. Dhe të besojmë se ai do të dorëzojë pushtetin me votë, mashtrojmë veten tonë. Kjo është e vërteta. Por ne jemi përpjekur, që të paraqesim së pari të vërtetën.
Sepse ai kishte arritur, me lobingje… Edi Rama është njeriu më transaksional. Po ju jap një shembull. Shoh unë një ditë, ky fliste në një forum ndër më prestigjiozët të një vendi. Marr shoh forumin unë, kryetari i forumit paguhej këshilltar i tij.
Në fakt, të themi të vërtetën, ai nuk do të ishte këshilltar i Edi Ramës, por ja që ishte. Ai e bazoi qeverisjen e tij në lobingje të jashtëzakonshme. Ai kontraktoi kryeministra, shefa të shërbimeve inteligjente, ndër të cilët të Sigurimit e të tjerë në funksion të propagandës së tij.
Por, është arritur që këto zgjedhje të quhen farsë. Është arritur… janë bërë hapa të rëndësishme në drejtim të ndërgjegjësimit të narkoshtetit. Pra, duhet një punë e madhe në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të fitojë vetëdijen që ky është një Rama-Maduro.
Pastaj, mos harroni, duhet një mobilizim kombëtar total për largimin e tij.
Eduart Elezi: Doktor Berisha, përshëndetje, mirë se na erdhe. Unë jam Eduart Elezi, ekspert i energjisë elektrike tek Partia Demokratike. Doja që të bëja një pyetje: Duke e ditur që në Shqipëri bandat nuk janë vetëm banda, por janë kthyer dhe në biznesmenë dhe kanë investuar me paratë e krimit në shumë sektorë. Si e mendon Partia Demokratike mobilizimin e këtyre bandave dhe investimet e tyre të realizuara që të cilat janë konform, në kundërshtim me çdo ligj, dhe me çdo akt tjetër ligjor që ka vendi jonë. Si do të arrestojmë këtë qeverinë e krimit dhe të bandave të krimit? Faleminderit.
Sali Berisha: Faleminderit Eduard për pyetjen. Partia Demokratike do t’u tregojë të gjithë forcën, rreptësinë e ligjit bandave, karteleve. Zero tolerancë ndaj tyre.
Por një agjenci kombëtare do të krijohet kësaj here, për të gjetur, identifikuar, konfiskuar dhe dorëzuar fondit publik të gjitha pasuritë e qeveritarëve.
Janë miliarda, janë miliarda të gjitha pasuritë e organizatave kriminale, të gjitha pasuritë e paligjshme të tyre.
Në qoftë se nuk goditen pasuritë e tyre të paligjshme, lufta kundër krimit është iluzion dhe jo realitet. Ndaj dhe ne do krijojmë një agjenci të veçantë vetëm për pasuritë e tyre.
Qytetare: Përshëndetje doktor Berisha, mirë se erdhet mes shqiptarëve të Amerikës. Edhe ne, pse jetojmë larg, një pjesë e zemrës tonë është në Shqipëri. Këtu afër meje kam fëmijët e mi, ashtu siç po shoh shumë prindër kanë marrë fëmijët e vet me vete. Të lutem, desha të di, dhe dua një mesazh shumë të fortë për fëmijët tanë, që mos ta shohin Shqipërinë si vendin e prejardhjes së prindërve të tyre. Ato po shkollohen këtu dhe shpresa ime dhe detyrimi im si prind është që një ditë ato të kthehen dhe të kontribuojnë në atdheun e tyre. Të lutem doktor Berisha, një mesazh shumë të fortë sepse i kam fëmijët afër dhe dua që ato të kenë një arsye shumë të fortë që të kthehen në Shqipëri. Faleminderit.
Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen dhe është shumë e reale, shumë e vërtetë. Tani cila ishte eksperienca jonë?
Ne vendosëm një sistem stimulues, me të cilin në vitet 2008, 2009, 2012, u rikthyen në Shqipëri 180,000 emigrantë kryesisht të rinj.
Mendoj se pa një sistem masash të qarta lehtësuese, punësimi, kreditimi, favorizime për bizneset, ftesa nuk do kishte kuptim.
Por një gjë dua të theksoj: me këtë shok të tmerrshëm demografik që ka pësuar, rikthimi i shqiptarëve në Shqipëri është i vlefshëm për çdo çmim.
Dhe ky do jetë parimi mbi të cilin ne do vendosim politikat e rikthimit.


