Berisha bashkëbisedim me diasporën: Të regjistrojmë çdo shqiptar që në 11 maj të firmosim ndarjen nga e keqja. Ju do ta bëni Shqipërinë Madhështore

KRYETARI I PD-së, SALI BERISHA TAKIM ONLINE ME DIASPORËN SHQIPTARE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi online me përfaqësues të diasporës shqiptare në qindra qytete të botës, ka vlerësuar angazhimin tyre në organizimin e qindra takimeve për të siguruar të drejtën kushtetuese të votës për shqiptarët jashtë vendit.

Berisha e cilësoi këtë një mision të rëndësishëm për shpëtimin e Shqipërisë nga narkodiktatura. Ai theksoi se vendi po përballet me një eksod masiv, ku mbi 1 milion shqiptarë janë larguar vetëm në dhjetë vitet e fundit. Sipas tij, ky trend e çon Shqipërinë drejt reduktimit demografik dhe e rrezikon ekzistencën e saj si komb. Në këtë kontekst, ai u bëri thirrje shqiptarëve jashtë vendit të regjistrohen për të votuar më 11 maj. Sipas Berishës, kjo është një mundësi historike për të përmbysur regjimin aktual dhe për të krijuar kushte që të rinjtë shqiptarë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në atdhe.

Gjatë bashkëbisedimit, kryedemokrati Sali Berisha premtoi një sistem pesëvjeçar pa taksa për të gjithë ata që kthehen, si dhe mbështetje për strehimin dhe integrimin e tyre. Sipas tij, qeveria e ardhshme do të përfundojë diskriminimin ndaj shqiptarëve të diasporës dhe do të sigurojë që çdo fëmijë i lindur jashtë vendit të përfitojë bonuse të barabarta me ata në Shqipëri. Ai vuri theksin te zhvillimi teknologjik i vendit, duke e quajtur ‘Shqipërinë Madhështore’ një epiqendër të teknologjisë në rajon. Një ndër prioritetet e tij do të jetë lufta kundër varfërisë ekstreme në tre muajt e parë të qeverisjes.

Berisha ka shpalosur qëndrimin e tij mbi përdorimin dhe rregullimin e Bitcoin-it në Shqipëri. Ai deklaroi se programi i PD-së parashikon formalizimin dhe legalizimin e kësaj monedhe digjitale sipas rregullave më transparente. Sipas tij, aktualisht Bitcoin është në duart e klaneve qeveritare dhe mafioze, të cilat kërkojnë të marrin monopolin e tij. Ai siguroi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe se përdorimi i kësaj monedhe do të bëhet në liri të plotë, por me mbikëqyrje të rreptë financiare. Për këtë qëllim, do të krijohet një autoritet i posaçëm për mbikëqyrjen e kriptomonedhave në vend.

Në këtë bashkëbisedim, kryetari i PD-së Sali Berisha ndau një episod nga udhëtimi i tij në Athinë, ku pas një mitingu entuziast, një i ri i punësuar në shtet i tregoi se do të votonte për PD, pavarësisht regjistrimit nga kushëriri i tij. Sipas liderit të demokratëve, ky është një tregues i rëndësishëm se shqiptarët jashtë vendit janë të vendosur për ndryshim. Ai u bëri thirrje emigrantëve të kontaktojnë dhe të inkurajojnë sa më shumë të regjistruar që të mbështesin PD-në me votën e tyre.

Kryedemokrati Sali Berisha ftoi shqiptarët jashtë vendit të kontribuojnë me votën e tyre më 11 maj, duke e cilësuar këtë si një mundësi historike për ndryshim. Ai e konsideroi fitoren si një mundësi më të afërt se kurrë, falë qëndrueshmërisë dhe angazhimit të demokratëve. Për të, fitorja është tashmë në duar të shqiptarëve dhe është koha për të vepruar.

Ai gjithashtu njoftoi se do të shumëfishohen zyrat konsullore në vendet ku jetojnë shqiptarët, duke e bërë më të lehtë aksesin në shërbimet konsullore. Berisha shprehu mirëkuptimin për vështirësitë që hasin shqiptarët gjatë udhëtimeve për të marrë këto shërbime dhe premtoi zbatimin e praktikave më të lehtësuara për të mbështetur komunitetin.

Lideri i opozitës shqiptare ka premtuar gjatë bisedës me diasporën këtë të diele se ‘Miçigani do ketë konsullatë shqiptare edhe për kontributin që dha për fitoren e Donald Trump’.

Teksa ka bërë thirrje për regjistrim për të votuar me 11 maj dhe angazhim të demokratëve edhe pas regjistrimit që të binden njerëzit për të votuar PD, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se, ‘Edi Rama mishëron në vetvete njeriun që ka vendosur terrorin politik, burgosjet politike, dhunën si rrugë për të marrë mandatin’.

FJALA E PLOTE:

Kënaqësi e jashtëzakonshme të komunikoj sot me ju, përfaqësues të komuniteteve shqiptare në 62 qytete të botës dhe të përulem me nderimin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme para punës që ju keni bërë, në organizimin e mbi 150 takimeve të themi zyrtare dhe qindra e qindra të tjera informale, në një mision shumë të rëndësishëm, në një mision për të mundësuar qytetarëve shqiptarë jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votimit në Shqipëri, në një mision do të thosha ndër më të rëndësishmit e jetës tuaj, për të kontribuar me votën tuaj në ndarjen e Shqipërisë, shpëtimin e saj me 11 maj nga narkodiktatura.

Ky regjim, i cili në disa aspekte ka goditur më rëndë materien e kombit shqiptar se çdo regjim tjetër.

Vetëm në 10 vite statistikat e BE-së tregojnë se nga Shqipëria në hapësirën Shengen, emigruan 1 milionë e 99 mijë shqiptarë, pa llogaritur këtu SHBA, Kanada e shtete të tjera që nuk përfshihen në hapësirën Shengen.

Në 10 vite rreth 45% e shqiptarëve u larguan nga Shqipëria.

Në rast se vazhdon ky trend, Shqipëria e vërteta është se demografikisht shkon drejt reduktimit dhe mbetet thjeshtë një nocion gjeografik.

Në kohën kur ky vend, ju vetë e dini, pa pasuri përrallore, potenciale përrallore për secilin prej jush dhe gjithë shqiptarët që të ndërtojnë ëndrrën më të bukur të jetës në Shqipëri.

Ndaj dhe thirrja ime është edhe këto 72 orë që kanë mbetur ta bëjmë natën ditë, të bëjmë çdo përpjekje për të regjistruar çdo shqiptar, shqiptare që njohim jashtë Shqipërisë në mënyrë që të firmosim në 11 maj ndarjen e Shqipërisë nga e keqja.

Të përmbysim një diktaturë të dytë, narkodiktaturën e instaluar dhe të bazuar mbi drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Të krijojmë mundësitë reale që djemtë dhe vajzat e Shqipërisë të ndërtojnë ëndrrën e tyre në Shqipëri.

Unë ju garantoj ju, se përpjekjet më të jashtëzakonshme do të bëhen, që të krijohen kushtet më të mira për kthimin tuaj në Shqipëri, për suksesin tuaj në Shqipëri, për zbatimin e atyre që ju keni mësuar në vende të tjera, për investimin e atyre kursimeve që keni arritur me punën tuaj në ato vende.

Një sistem pesëvjeçar pa taksa për secilin prej jush dhe jo vetëm kaq.

Një mbështetje për strehimin dhe nevojat e tjera, pra do bëhet gjithçka për një soft landing, për një kthim të butë dhe të suksesshëm tuajin në Shqipëri.

Sikundër do marrë fund diskriminimi.

Ato bonuse që do jepen për fëmijët e lindur, ato bonuse do jepen për shqiptarët që lindin kudo në botë.

Do bëjmë gjithçka me ata, që për shkak të pozicioneve që kanë nuk kthehen dot, të kontribuojnë kudo që janë online.

Unë llogaris shumë pjesëmarrjen tuaj si kusht për ndërtimin e Shqipërisë Madhështore, e Shqipërisë epiqendër e teknologjive të fundit në rajon dhe më gjerë.

Natyrisht prioritet absolutisht i parë do jetë paketa e shpallur kundër varfërisë ekstreme, largimi i saj tre muajt e parë.

Paketa fiskale për biznesin.

Taksat e ulëta.

Tërheqja e investimeve të mëdha të huaja.

Por, pas kësaj, ambicia jonë është Shqipëria Madhështore.

Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria ku ju do ndërtoni ëndrrën tuaj, Shqipëria me dixhitalizmin më të thellë, e inteligjencës artificiale, e blockchain, e internetit 3, e datacentareve dhe një Shqipëri pra, që ecën me hapin e kohës.

Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme për të gjithë punën që keni bërë.

Programi ynë parashikon Bitcoinin, Blockchain dhe natyrisht formalizim dhe legalizim sipas rregullave më transparente.

Sot kjo monedhë në Shqipëri është në duart e klaneve qeveritare dhe klaneve mafioze.

Klane mafioze që nga strofullat e tyre i kërkojnë Ramës t’ua japë atyre monopolin e Bitcoin.

Kjo nuk do ndodhë kurrë.

Bitcoin do jetë një monedhë e përdorur lirisht, natyrisht në transparencë dhe rregullat e përcaktuara nga autoritetet e mbikëqyrjes financiare të kriptomonedhave, autoritet që do ngrihet për këtë qëllim.

Ju falënderoj shumë për fjalët, për punën që keni bërë, dhe e vërteta është që vota juaj do të jetë më e rëndësishmja votë për rotacionin dhe ndryshimin e pushtetit, sepse pavarësisht se çfarë bëjnë patronazhistët, grupet mafioze, përsëri ndikimi i tyre tek shqiptarët jashtë vendit nuk mund të jetë kurrë ai që do, apo dëshiron Edi Rama.

Nga ana tjetër dua të ju rrëfej një moment, kur po kthehesha pas mitingut në Athinë, i shkëlqyer me një entuziazëm që e kam parë vetëm në 1991, dhe nuk kam parë ndonjëherë entuziazëm të atillë live.

Në aeroport më ndaloi një djalë i ri dhe më kërkoi të bënim një foto, me kënaqësi i thashë. Bëmë foton dhe i urova ditë të mbarë. Një nga bashkëpunëtorët e mi që vinte nga pas, e ndaloi dhe i tha; je regjistruar ti, po tha jam regjistruar se më ka regjistruar kushëriri. Ai tha punon në shtet, por ju mos kujtoni se do të votoj për qeverinë, unë bashkë me prindërit e mi do të votoj për PD.

U thashë këtë shembull, këtë rast që të përpiqeni që pas regjistrimeve të kontaktoni sa më shumë të regjistruar në qytetin ku jeni, apo që njihni të cilët të bashkohen me ju, me votën e tyre për PD.

Mirënjohje të thellë për të gjithë demokratët dhe qytetarët shqiptarë në Bergamo për takimet e shkëlqyera që keni organizuar dhe vazhdoni të organizoni.

Në fakt, në rast se marrim parasysh kaluarin që iu imponua PD-së, përpjekjet për ta zhdukur këtë forcë politike në një hakmarrje të verbër, dhe unë iu them ju se ajo që ndodhi me PD-në ishte verbëria e ekstremit të majtë shqiptar dhe ndërkombëtar, të cilët donin me çdo kusht një Shqipëri pa opozitë të vërtetë.

Por ata dështuan sepse edhe në kohërat më të vështira, më kritike, demokratët qëndruan me besimin tek e vërteta.

Pavarësisht se kishin përballë makinerinë politike më gjigante siç ishte administrata e Joe Biden, e kontrolluar nga George Soros jashtë imagjinatës dhe qeverinë e drogës dhe krimit të Edi Ramës.

Tani ne jemi në prag të fitores.

Kurrë ndonjëherë më afër nuk ka qenë fitorja dhe nuk ka qenë si sot në duart tuaja.

Ndaj të bëjmë çdo gjë që më 11 maj çdo shqiptar jashtë vendit të votojë.

Ju garantoj se do të bëhet pa asnjë diskutim dhe ju falënderoj për sugjerimin që bëni në lidhje me heqjen e taksimit të dyfishtë në aktet e para, sikundër ju garantoj ju se, do të shumëfishohen zyrat konsullore në të gjitha vendet ku jetoni.

Unë e kupto se çfarë mundimesh keni ju për të udhëtuar nga një qytet në një qytet tjetër për shërbimet konsullore.

Ne do të zbatojmë praktikën më lehtësuese për këto shërbime dhe ky është një shqetësim i ngritur në mënyrë të përsëritur nga ju.

Së pari, iu përgëzoj shumë për punën e shkëlqyer që keni bërë në një mori takimesh dhe në zgjerimin e aktiviteteve, krijimin e seksioneve të reja, të cilat unë i kam ndjekur me shumë kënaqësi dhe meritoni përgëzime.

Takimet që keni organizuar për këto regjistrime dhe zgjedhjet janë një kontribut i madh që ju jepni për këto zgjedhje.

Ju siguroj se etapa që vjen pas regjistrimit është jo më pak e rëndësishme.

Dy momente duhet të keni parasysh pas mbylljes së regjistrimeve.

Të punoni me çdo shqiptar që njihni dhe që është regjistruar, në mënyrë që ai të votojë për PD-në, pavarësisht se kush e ka regjistruar, por edhe pavarësisht se çfarë bindjesh mund të ketë pasur.

Unë çdo ditë pres socialistë që vijnë nga zonë të ndryshme, edhe biznesmenë ka prej tyre, dhe më thonë se kemi ardhur për të garantuar se do votojmë kundër kësaj qeveria.

Edhe dje kam pritur një qytetar nga rrethinat e Tiranës. Erdhi e më tha, të lutem më llogarisni, se jo vetëm do votoj, por do punoj me të tjerë për t’i bindur.

Pra, kjo do jetë një detyrë shumë e rëndësishme.

Dhe tjetra, cilido që nuk është regjistruar, por që e lejon mundësia ekonomike të udhëtojë dhe të vijë ditën e zgjedhjeve për ët votuar, edhe kjo do ishte jashtëzakonisht e dobishme.

Aq më tepër kur e thatë vetë që ka prej atyre që kanë problematikat e tyre për t’u regjistruar me dokumentet.

Në rast se e kanë emrin në lista, të vijnë në Shqipëri të votojnë.

Athina, ju organizuat një nga mitingjet më madhështore, më frymëzuese.

Dhe, ju falënderoj shumë për atë organizim të shkëlqyer.

Ju ftoj që këto orë që kanë mbetur, këto 72 orë, të bëjmë gjithçka për shumëfishimin e të regjistruarve, veçanërisht në zonat më të largëta, të cilët e kanë të vështirë ardhjen në ditën e zgjedhjeve.

Të bëni gjithçka për të fituar besimin e atyre që janë regjistruar, që të votojnë për PD-në.

Të bëni çdo gjë për të bindur dhe nxitur ata që nuk janë regjistruar, që janë në distanca të mundshme për të ardhur për të votuar, që më datën 11 maj, të mos i mungojnë Shqipërisë, por të vijnë në këtë apel historik për të ndihmuar atë.

Përgëzimet më të mëdha degës së PD të Romës, për takimin e shkëlqyer, frymëzues që organizoi dhe gjithë punën që bënë.

Degës së PD në Toronto për punën e jashtëzakonshme, të çmuar që ka bërë duke zgjeruar radhët e saj dhe duke u shndërruar në një organizatë gjithnjë e më të besueshme për qytetarët shqiptarë në Kanada.

Demokratëve dhe qytetarëve në Firence për punën e madhe, takimet e shkëlqyera që kanë organizuar.

Dhe demokratëve të Nju Jorkut, metropolit të botës, të cilët punojnë me përkushtim të madh për regjistrimin dhe angazhimin e qytetarëve shqiptarë në metropolin e botës që të votojnë në Shqipëri.

Ju e theksuat vetë, Shqipëria me këtë regjim është në rrezikun më të madh.

Edi Rama mishëron në vetvete njeriun që ka vendosur terrorin politik, burgosjet politike, dhunën si rrugë për të marrë mandatin.

Ka vendosur përdorimin e bandave, trafikantëve, organizatave kriminale dhe ka krijuar një shtet në të cilin pushteti dhe bandat janë aksionerë të përbashkët kryesorë.

Ka krijuar një sistem nga i cili shqiptarët shohin si rrugëdalje të vetme vetëm largimin nga Shqipëria.

Në fakt, më antishqiptar se Edi Rama nuk mund të ketë ekzistuar dhe të ekzistojë ndonjë tjetër.

Ndaj dhe ju, shqiptarët patriotë, që jetoni në vende të lira, mobilizohuni dhe bëni gjithçka, siç po bëni, për të rivendosur demokracinë në Shqipëri.

Dhe u garantoj se në programin e PD do gjejnë zgjidhjen më të mirë problemet e shqiptarëve brenda dhe jashtë saj.

Ju falënderoj për ndërhyrjet tuaja, për mbështetjen tuaj shumë të çmuar dhe mbetem jashtëzakonisht entuziast dhe i bindur se ky kontribut dhe kjo energji e juaja po shndërrohet në fitore për PD-në dhe shqiptarët.

Ju siguroj se do bëjmë gjithçka në mënyrë që të lehtësojmë, të ftojmë të ndërtoni suksesin tuaj në Shqipëri.

Në Parma, në Firence dhe kudo, ka biznesmenë shqiptarë ndër më të suksesshmit dhe do bëjmë çdo gjë që ai sukses të vijë në Shqipëri.

Ju garantoj se konsullatat, siç thashë edhe më parë, do të shumëfishohet numri i tyre dhe konkretisht Miçigani do ketë konsullatën shqiptare, edhe ndër të tjera, kontributin që ju dhatë në fitoren e presidentit Donald Trump.

Tani ai kontribut i juaji dhe i qyteteve të tjera, do të jetë për PD-në dhe Shqipërinë.

Ju garantoj se nuk do të gjeni taksa rrugësh, as në Kalimash e as në ndonjë zonë tjetër.

Pse unë jam kundër taksave të rrugës, vetëm një shpjegim.

Sepse shqiptarët sot të dashur miq, udhëtojnë me koston më të lartë në Europë për shkak të çmimit të naftës dhe taksave të rrugëve.

Do të hiqen.

Ata paguajnë një taksë, e cila do të ulet shumë, me të cilën duhet të mirëmbahen rrugët. Por ajo taksë nuk përdoret për mirëmbajtje, por për qëllime krejt të tjera.

Sikundër rruga e Arbrit pa diskutim që do të përfundojë dhe nuk do të ketë asnjë pagesë.

Ne e nisëm dhe ne do e përfundojmë.

Kënaqësi e madhe.

Ky është komunikimi im me shqiptarët jashtë vendit, më i rëndësishëm, më i bukur që kam patur ndonjëherë online.

Edhe përulem para jush për punën që bëni.

Ju ftoj të vazhdojmë këtë punë, gjer në fitoren tonë me 11 maj.

Faleminderit shumë dhe një fundjavë të mbarë, ju, familjeve tuaja, njerëzve tuaj më të dashur, të gjithë shqiptarëve jashtë Shqipërisë, kudo që ndodhen.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale