FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND
EKSTRAKT
Kryetari i Patrtisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit akuzoi mazhorancën se po ndërmerr veprime për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Berisha deklaroi se mbarë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar presin heqjen me urgjencë të imunitetit të Ballukut, duke theksuar se po bëhen përpjekje për të ndryshuar ligje në funksion të mbrojtjes së zyrtarëve të lartë. Ai e cilësoi situatën si mision të pamundur për deputetët e mazhorancës dhe i akuzoi ata se po përdoren politikisht.
Në fjalën e tij, Berisha tha se përfaqësues të qeverisë nuk mbrojnë publikisht qëndrimet e tyre në prani të ndërkombëtarëve, ndërsa në Kuvend nxisin veprime që ai i konsideroi krim në vazhdim.
FJALA E PLOTË
Sot, mbarë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar pret nga ky parlament heqjen me urgjencë të imunitetit të Edi Ramës, në fakt, por në letra të Lubi Ballukut.
Ju keni marrë një mision të pamundur.
Këtë që po bëni ju, nuk e ka bërë kush kurrë.
Ju jeni të gatshëm të ndryshoni ligje për të mbrojtur një hajdut që është damkosur para mbarë shqiptarëve si hajduti kryesor në historinë e kombit, dhe një nga më kryesorët në historinë e Europës.
Ai po u përdor ju si lolo, ai u po përdor ju jo si zare, por si kukulla të vërteta.
Ai po u keqpërdor ju në shkallën më ekstreme.
Dhe ju që më shihni si me inat gjoja, ja t’u them unë, se këta avoketërit e Lubisë në sallë, kur ndodhen para të huajve, e kyçin gojën. Nuk thonë asnjë fjalë në mbrojtje të saj.
Hajde të jap regjistrimet po deshe.
Nuk thonë një fjalë, rrinë si pula.
Kurse këtu u nxisin ju drejt një krimi të vërtetë, drejt një krimi në vazhdim.
Ja këta që u dalin ju para, pyesni pak çfarë thanë dje e pardje, çfarë thonë në praninë e të huajve?
Asnjë fjalë për Lubinë, përkundrazi u pëshpëritin në vesh se do ia heqim, do e bëjmë.


