Berisha: Atentati i dështuar ndaj Salvator Kaçajt është vepër kryekëput e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat së bashku me Salvador Kaçajn, i cili mbrëmjen e sotme i shpëtoi një atentati mafioz. Berisha u shpreh se ideator i këtij sulmi mafioz është Edi Rama dhe Pjerin Ndreu.

Kryedemokrati Sali Berisha gjatë konferencës së tij tha se, incidente të rënda kanë ndodhur ditët e fundit në Lezhë dhe policia nuk ka bërë asgjë, por ka qendruar indiferente.

FJALA E PLOTË

Fushata elektorale është karakterizuar nga akte dhune, terrori, të papara ndaj përfaqësuesve, zyrtarëve, deputetëve të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ të PD. Ne kemi ndjekur një linjë duke regjistruar çdo akt terrori, çdo akt, çdo përpjekje për blerje masive të votave, të proporcioneve të paimagjinueshme, gjer në oferta sot në mëngjes thuaj sa don euro për votën.

Por këto sigurisht janë të dokumentuara dhe evidentuara dhe për këto ne kemi informuar rregullisht vëzhguesit ndërkombëtarë. Kemi informuar KQZ-në, kemi informuar organet.

Por sot unë dola pra jush për një rast kriminal të jashtëzakonshëm, ku Salvador Kaçajt, një nga eksponentët kryesorë të PD në Lezhë, ish-kryetar i komunës Shëngjin, një njeri me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e sportit, e kanë ndjekur dy makina pa targa ku ai ka qenë bashkë me djalin e vet, me shoferin.

Persona të maskuar, të armatosur, kanë dalë nga makina dhe janë bërë gati të qëllojnë mbi ta. Shoferi i Salvadorit një ish-gardist i sprovuar ka arritur të manovrojë me makinë dhe ti bëjë të pasigurtë në kryerjen e atentatit të tyre. Ata e kanë ndjekur mbrapa me armë në dorë me qëllim që ti vrisnin, nuk kanë arritur, por të gjitha këto janë të fimuara.

Mund të ju them ju që dje dhe pardje, bandat e Pjerin Ndreut kanë terrorizuar zonë pas zone rrethin e Lezhës. Dhe e kanë bërë këtë akt, i kemi dhe të filmuar, nën shoqërinë e policisë, e cila u kalonte afër dhe as që ju thoshte. Përkundrazi krijonte përshtypjen tek banorët se ajo po bënte sigurimin e banditëve.

Pra kjo ka qenë situata në Lezhë që kulmoi me përpjekjen për eliminimin fizik të Salvadorit dhe djalit të tij i cili është shtetas amerikan dhe ka ardhur për të votuar me familjen e vet.

Ky akt kriminal, ky atentat i dështuar ndaj Salvador Kaçaj, është vepër kryekëput e Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut. Edi Rama siç e dini, u mor personalisht me Salvadorin në fjalimin e tij në Lezhë, në një kur Salvadori përveç mbështetjes së kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ të doktor Pashk Gjonit ka zbatuar në të gjithë jetën e tij, rregullat, ligjet elektorale dhe nuk ka lënë kurrë ndonjëherë një veprim të paligjshëm.

Por mbështetja për Pashk Gjoni nga Salvatori ka kërcënuar zgjedhjen e banditit Pjerin Ndreu dhe kanë krijuar bashkë me Ramën një mënyrë për ekzekutimin e tij bashkë me djalin në makinë.

Ky akt është një krim i shëmtuar, personalisht i Edi Ramës dhe Pjerin Ndreut, me të cilin ata kanë synuar me çdo kusht dhe çdo çmim të ndryshojnë rezultatin në Lezhë nëpërmjet një akti të tillë dhe natyrisht eliminojnë fizikisht një kundërshtar të shpallur nga Edi Rama si njeri të rrezikshëm për rezultatin e tij në Lezhë.

Unë dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt. Sigurisht që ky është akt kulmor në terrorin ndaj drejtuesve të PD, por raste të tjera me kërcënime të forta dhe të egra ekzistojnë dhe ne do i bëjmë publike në kohërat që vijnë.

Mendova që Salvadori të ishte këtu sot para jush, për të ua shpjeguar këtë atentat të dështuar ndaj tij.

Theksoj se të gjitha këto akte dhune të bandave janë përcjellë me indiferencë të plotë ose mbështetje nga policia.

Salvatori ka bërë denoncimi dhe janë marrë edhe kamerat ku duket qartë gjithçka, unë ju thashë ju dhe gjithçka Salvadori do ju tregojë.

Edhe njëherë dënoj këtë vepër kriminale të Edi Ramës, këtë përpjekje të për të eliminuar një personalitet të shquar, jo vetëm për Lezhën, por edhe për vendin. Salvador Kaçaj është një emër në fushën e sporteve, por edhe një njeri që e transformoi në mënyrë rrënjësore Shëngjinin, e bëri atë me përkushtimin e tij, një nga vendet turistike më të preferuara.

Faleminderit!

PYETJE-PËRGJIGJE

Arestina Skënderi, A2CNN: Aktualisht ka dalë rezultati për 3 bashki që kanë patur votim elektronik, dhe ka qenë rezultati i shpejtë. Pamë që PS sërish i mori të trija këto bashki. Së pari, cila mendoni që PD humbi dy bastione të saj sërish, dhe cili do të jetë hapi juaj?

Berisha: Së pari, për këto rezultate ka disa kundërshtime shumë të forta, siç keni dëgjuar janë mediat që kanë paraqitur dëshmi të transformimit të votës në këtë proces.

Çfarë dua të them me këtë?

Unë kërkoj nga KQZ-ja që të bëjë auditim e këtyre aparaturave. E dyta, Kodi Zgjedhor ka parashikimet e veta të sakta se si mund të trajtohet dyshimi i devijimit të rezultatit nga aparaturat. PD do të kërkojë zbatimin e të gjitha ligjeve në këtë drejtim. Pra, aty ky dyshohet se është devijuar rezultati, do kërkohet auditimi. Apriori, nuk mund të them se është, apo nuk është.

Gjithmonë ky është një rezultat paraprak. Rezultati elektronik quhet paraprak. Pse quhet paraprak? Sepse provohet gjithnjë fleta e votimit përkatëse.

Tani kanë dalë disa media, kanë paraqitur tre raste në mos gabohem që thonë se kam votuar për këtë kandidat dhe më ka dalë në ekran kandidati tjetër. Unë nuk jam këtu për t’i dhënë përgjigje përfundimtare, por kjo kërkon të bëhet auditimi i aparaturës. Cilido që ka dyshime për transformimin e vullnetit të tij, të bëjë verifikimin e fletës. Sepse ju e dini, çdo votim elektronik printon fletën përkatëse. Në votimin elektronik, rezultati konsiderohet me ligj rezultat paraprak.

Unë jam besimplotë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Po ndjekim. Ne kemi bërë një monitorim të të gjithë procesit zgjedhor. Siç e thashë edhe njëherë, nuk kemi ndjekur praktikën e një publiciteti të akteve skandaloze që kanë ndodhur, nuk kemi ndjekur, sepse kemi patur gjithnjë si qëllim jo dekurajimin e zgjedhjeve, dhe kjo ka funksionuar. Unë mund të them se pjesëmarrja për zgjedhjet vendore, kuptohet, se në zgjedhjet vendore janë gjithmonë më pak. Për zgjedhje vendore e konsideroj pjesëmarrje shumë të mirë.

Qëllimi ynë ka qenë të mos dekurajohet, por kjo nuk do të thotë se nuk kemi regjistruar. Mediat i kanë raportuar një pjesë të mirë të tyre, një pjesë të tyre nuk i kanë raportuar dot, se nuk i kanë parë, janë shpërndarë. Unë ju jap këtu vetëm një fakt. Kursi i euros në muajin maj në këtë nivel nuk ka arritur kurrë në korrikun dhe gushtin më turistik të vendit. Pra, pati një blerje masive të votës. Këtë e kemi evidentuar. Pati një përdorim bandash.

Unë mund t’u them se Velipoja ishte absolutisht ndën pushtim sot. Autokolona krimi kalonin nga një rrugë në një rrugë tjetër në Shkodër dhe njerëzit nuk guxonin t’i fotografonin për shkak të kamerave. Por kjo është një histori, për të cilën ne qëndrojmë deri në fund.

E rëndësishme është të ftoj komisionerët, ashtu siç kanë bërë një punë të shkëlqyer gjer sot, ta vazhdojnë me vendosmërinë më të madhe. Me korrektesën më të madhe të mbikëqyrin çdo votë, sepse rezultati është i sigurt pozitiv. Prandaj, të mbikqyrin çdo votë aty ku janë.

Thashë edhe njëherë, se çfarë ka bërë Edi Rama është kapitulli më i zi. Faktikisht, gjithçka përmblidhet në frazën e tij se kodi zgjedhor është një kinezëri për t’u hedhur poshtë.

Jolldiz Mitro, Tv Klan: z.Berisha ju thoni se pjesëmarrja ka qenë e kënaqshme për ju, por shifrat nga KQZ flasin për një përqindje të qytetarëve shqiptarë në votime më të ulët, jo vetëm krahasuar me zgjedhjet parlamentare, por edhe me zgjedhjet e mëparshme lokale. A mendoni se një ndër arsyet që ka ndikuar në mosdaljen e qytetarëve shqiptarë në këto votime ka qenë edhe moskrijimi i frymës së mjaftueshme edhe nga ana e opozitës për t’u kthyer në një alternativë qeverisëse?

Berisha: Do të të them një gjë. Ato të dhëna që unë kam deri tani, por jo të plota. Unë kam rrethe ku diferenca midis 2021 dhe 2023 është e vogël, ka rrethe që kanë votuar më shumë se në 2023 se në 2021, ka rrethe që kanë votuar më pak.

Pra, kurrë në zgjedhje lokale nuk ke pjesëmarrjen e zgjedhjeve të përgjithshme, asnjëherë. Të paktën, zgjedhjet lokale, dhe zgjedhjet e përgjithshme kanë një diferencë minimumi 20%. Tani, të dhënat e mia nuk janë përfundimtare. Diku diferenca është 15% më pak, diku diferenca është më e vogël është 10%, në të tjera kanë votuar më shumë tek këto, sesa në 2021.

Unë mendoj se kjo pjesëmarrje dëshmon se njerëzit bënë gjithçka për të shprehur vullnetin e tyre. Por, Edi Rama bëri gjithçka për të manipuluar rezultatin. Kj oështë absolutisht e vërtetë.

Domethënë, kur ti pushton qendrat e votimit publikisht me banditë, ti e bën atë me të vetmin qëllim që të ndryshosh rezultatin. Kur ti shpërndan dhjetëra në mos qindra milionë euro. Unë kam denoncuar njëherë vetëm në Peshkopi pagesa aftësie ndryshe, janë dërguar 400 milionë lekë të reja. Vetëm pensionistë pa kontribute janë shtuar 13 mijë. Për të mos thënë punësime të tjera pa kontratë që merrnin në bankomat lekët.

Këtu është bërë një mbledhje masive vote, dhe kjo është bërë publike. Kj oështë publike, sepse këto që them unë janë të gjitha të kontrollueshme. Nuk kontrollohen dot qindra milionë të shpërndara nga bandat prej dy tri ditësh kudo, në veri e në jug. Kj oështë shumë e njohur. Dhe të gjitha këto janë bërë në mbrojtjen e policisë.

Ju e keni parë, qoftë ndaj bandave, qoftë ndaj zyrtarëve që kanë shpërndarë para, policia ka qenë totalisht indiferente. Ka arrestuar në një dëshmi, siç e patë ju në Himarë. E nxjerrin nënën e tri fëmijëve në dy të natës e arrestojnë një zonjë që nuk kishte në mënyrë katëgorike asnjë lidhje, përveç manipulimit të shpifur të kryepolicit të Vlorës. Në dy të natës, që nuk ka ligj në botë që të lejon të marrësh një grua e të lejë fëmijët aty. S’pritej dot mëngjesi për të plotësuar dufet dhe urrejtjen e Edi Ramës.

Pra, ne kemi ndjekur çdo gjë, por këto që themi ne janë vetëm maja e asjbergut, ta dini mirë këtë. Edi Rama ka bërë çdo gjë në mënyrë të kundraligshme për të devijuar rezultatin e tyre.

– Kur ju thoni se z.Rama ka bërë gjithçka për të devijuar rezultatin kulmoi me rastin e z.Kaçaj, terrori që vëzhguesit tuaj kanë evidentuar në terren. Ju do t’i njihni këto zgjedhje z.Berisha?

Berisha: Ne do mbrojmë votën, ne jemi në procesin e mbrojtjes së votës. Unë ftoj shqiptarët të lexojnë si duhet deklaratën time. Ne po të mos merrnim pjesë në proces, çfarë do mbronim ne?

Ai bëri gjithçka që ne të mos hynim në proces. Por ajo nuk është taktika ime. Jo. Nuk mundem unë që me apriori të zhvilloj betejat që duhen bazuar në jo fakte, argumenta dhe dokumente.

T’ua them një gjë. E kam të pamundur, sado që ishte lehtësisht e parashikueshme, por përsëri për mua parashikimi dhe paragjykimi nuk janë hipoteza pune. Unë udhëhiqem nga faktet, dhe mbi to ndërtoj qëllimet. Në këtë rast, Edi Rama, ju them unë ju, ka bërë gjithçka që nuk duhej të bënte për të deformuar një proces zgjedhor që duhej të ishte normal.

– Z.Berisha, ndërkohë që nuk kemi ende një rezultat nga KQZ për ditën e sotme, z.Rama ka nxituar dhe e ka shpallur PS fituese në këto zgjedhje me 50 bashki. Nga projeksionet që keni bërë ju PD dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”, në sa bashki ju dilni fitues në këto zgjedhje.

Berisha: Unë e kam thënë edhe njëherë. Është jashtë praktikës sime të citoj numër dhe përqindje. Ato janë profecira. Por Edi Rama, ju them këtu ka bërë gjithçka për të devijuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Ne kemi dominuar në mbarë vendin, dhe kjo është e sigurt, kemi pasur pollet tona të cilat tregonin të njëjtën gjë. Presim gjer në numërimin, dhe jam këtu për të ftuar numëruesit të kryejnë detyrën e tyre pa asnjë lloj impresioni. Ata janë sot heronjtë e vërtetë të këtij procesi universalisht të dhunuar nga bandat, qeveria, bandat qeveritare, mafia e qeverisë, oligarkët e qeverisë.

Ju e patë se si oligarku paguante në Kuçovë. U kap në flagrancë. Ky ishte konglomerati që unë fola qëparë. Ju keni parë se çfarë është bërë me asfalt dhe beton elektoral gjatë kësaj fushate sa kurrë ndonjëherë në histori. Ju keni parë gjithë makinën shtetërore të angazhohet në këtë proces. Ju keni parë zyrtarë, drejtorë, funksionarë, zëvendësministra të qendrojnë te qendrat e votimit në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit.

Të gjitha këto do marrin përgjigjen e merituar.

Andon Kello, MCN: Z.Berisha, a jeni në dijeni, apo keni kërkuar llogari se çfarë po bëjnë vëzhguesit dhe komisionerët tuaj? Po marr dy raste të cilat i kemi provuar personalisht. Pak metra larg nga kaëtu në shkollën 1 Maji, e cila është edhe vendnumërim votash, kutitë aktualisht janë në rrugë. Kemi parë edhe kuti të braktisura, dhe kur pyesim ku janë vëzhguesit e opozitës, nuk përgjigjet njeri. Rezulton vetëm një komisioner brenda qendrës, i cili regjistron kutitë. Po ashtu denoncuat kërcënimin e komisionerëve në shkollën “Luigj Gurakuqi” në Kinostudio, kur shkuam aty nuk gjenim odt komisionerët e opozitës. Madje në një qendër votimi na u tha të kujt opozite po kërkon. Ku janë vëzhguesit tuaj, çfarë po bëjnë?

Berisha: Vëzhguesit tanë kanë regjistruar dhe po regjistrojnë çdo gjë. Unë të garantoj që ne kemi dokumentuar çdo gjë. Mund të ketë ndonjë qendrim të papërgjegjshëm, por në tërësi vëzhguesit tanë kanë qendruar gardianë të votës së qytetarëve shqiptarë.

Ambrozia Meta, Syri Tv: Duke qenë se jemi para procesit të numërimit, unë e kuptoj që ju ndoshta nuk doni që të flisni edhe për të mos demoralizuar numëruesit, apo komisionerët. Megjithëse në statut nuk është parashikuar që kryetari i PD të japë dorëheqjen në rast të humbjes së zgjedhjeve lokale. Ju në një studio televizive jeni shprehur disa ditë më parë pyetur nga gazetarët nëse do të mbani përgjegjësi politike nëse nuk arrini të merrni 50 bashki, ju keni thënë që do të mbani përgjegjësi. A vazhdoni t’i qendroni kësaj deklarate?

Berisha: Kam deklaruar që statuti do zbatohet pikë për pikë. Statuti ka parashikuar përgjegjësitë. Pikërisht, se statuti ka parashikuar përgjegjësitë për rastin që thoni ju. Në zgjedhjet lokale, si rregull në të gjitha statutet e partive analoge, janë të përgjithshme të etalonit të kryetarit të partisë.

Kurse ne kemi futur në statut rivotimin e kryetarit të partisë nga anëtarësia. Është standart, por është automatike kjo, nuk varet nga unë kam theksuar. Kjo  bëhet automatikisht.

– Teksa jam duke lexuar rezultatet për Bashkinë e Elbasanit, z.Berisha shoh që përsa i përket këshillave bashkiakë koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka marrë më shumë se 10 mijë vota, ndërkohë që vet kandidati Luçiano Boçi ka marrë rreth 20 mijë vota. E shihni këtë si një refuzim të koalicionit dhe një pëlqim të kandidatit?

Berisha: Në çdo dalje televizive kam deklaruar përparësi absolute kanë kandidatët. Ky ka qenë një koalicion 25 partish, në të cilën PD ka bërë të gjitha lëshimet për hir të kandidatit. Partitë aleate tonat kanë marrë firmat tona për të garuar me këshilltarët. Kjo ka qenë brenda kodit. Jam pyetur disa herë nga emisione televizive, dhe unë kam deklaruar përparësi të kandidatit. Përparësi ka kandidati.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale