Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Ata që thonë se të gjithë janë njëlloj duan të vrasin shpresën, por duan të vrasin edhe votën! Kjo është teza më diabolike. Forma më e lartë e korrupsionit është krahasimi i qeverisë me opozitën

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË GRUPIN PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se tezat se qeveria dhe opozita janë njësoj synon të zbehë përgjegjësinë e pushtetit për korrupsionin dhe të dekurajojë qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje. Gjatë fjalës së mbajtur sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për abuzime me fondet publike dhe bëri thirrje për bashkimin e faktorëve opozitarë. ‘Teza më antishqiptare, më antidemokratike ishte teza se dy partitë janë njëlloj’, u shpreh Berisha, duke e cilësuar krahasimin mes qeverisë dhe opozitës si ‘formën më të lartë të korrupsionit’.

Sipas liderit të demokratëve, qeveria administron miliarda euro nga taksat e qytetarëve dhe ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për përdorimin e tyre, ndërsa opozita ka si detyra kryesore kontrollin, denoncimin dhe paraqitjen e alternativave politike. ‘Me këtë krahasim këta duan të vrasin përgjegjësinë. Të asgjësojnë përgjegjësinë. Duan të mbulojnë skandalet, krimin me gabime, me të meta, me defekte, që janë të pashmangshme’, deklaroi Berisha.

Ai argumentoi se një mesazh i tillë synon të krijojë bindjen te qytetarët se vota nuk sjell ndryshim dhe se pjesëmarrja në zgjedhje është e pavlerë. ‘Qëllimi është që vota s’ka vlerë’, tha lideri i opozitës, duke paralajmëruar për pasojat që, sipas tij, kjo tezë ka për demokracinë dhe pluralizmin politik.

Gjatë fjalës së mbajtur para deputetëve, kryetari i PD-së Sali Berisha konfirmoi mbështetjen për protestën studentore dhe të gjimnazistëve. Ai falënderoi studentët, qytetarët, strukturat e e partisë dhe ekipin ligjor të PD-së për mbështetjen ndaj protestuesve, ndërsa akuzoi policinë dhe qeverinë për dhunë ndaj demonstruesve. Këto akuza u paraqitën nga Berisha në fjalën e tij. 

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha, theksoi se protesta duhet të ruajë karakterin e saj qytetar dhe të mos përvetësohet nga asnjë forcë politike. ‘Ne kemi lindur në protestë, mbetemi parti e protestës, do të jemi parti e protestës’, deklaroi ai, duke premtuar mbështetje dhe mbrojtje për studentët dhe gjimnazistët. Ai përsëriti thirrjen për bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë kundër qeverisë Rama, duke e cilësuar këtë si rrugën kryesore për të mbështetur kauzën studentore dhe për të sjellë ndryshimin politik. ‘Ka vetëm një rrugë, bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë’, tha gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.

FJALA E PLOTE

Së pari duhet të falënderoj me mirënjohje të gjithë ata deputetë, deputete, qytetarë, qytetare, anëtarë të strukturave të PD, mbështetës të saj, në veçanti anëtarët e GRUD-it, studentë dhe gjimnazistë të universiteteve të Tiranës për kontributin e tyre aktiv në zhvillimet historike në Shqipëri.

Të tillë unë konsideroj revoltën studentore.

Të falënderoj ekipin ligjor të partisë për angazhimin me të gjithë potencialin e tij në mbrojtjen ligjore të qindra e qindra studentëve dhe protestuesve gjatë këtyre dy javëve.

Të falënderoj mjekët për mbështetjen dhe ndihmën që u kanë dhënë, por edhe deputetët, të cilët kanë ndjekur të plagosurit në spitalet e vendit.

Dënoj me forcën më të madhe dhunën e egër barbare të ushtruar nga narkoshteti, nga Edi Rama dhe narkobandat e tij ndaj protestuesve paqësorë.

Asnjë protestues i dhunuar, asnjë prej tyre nuk ka qenë absolutisht në asnjë akt dhune.

Dhe, në qindra raste janë gjetur nga vetë gjykatat arrestime të paligjshme.

Zonja dhe zotërinj deputetë, periudha nga 1 qershori gjer dy javë më parë ishte një periudhë unike në historinë e PD.

PD, që lindi në protestë, është parti që ka lindur në protestë, është parti e cila në qoftë se do kishte një mbiemër të dytë, një emër të dytë, do të quhej Partia Demokratike e Protestës së Shqipërisë.

PD ishte në protesta periodike kur shpërtheu një protestë qytetare, e them këtu më madhështorja që ka njohur Shqipëria në tërë historinë e saj.

Në respekt të karakteri të saj qytetar, PD përcaktoi disa parime qëndrimi ndaj kësaj proteste.

E para, asnjë përpjekje për t’i marrë drejtimin apo për ta përçarë.

Në fillim pati demokratë që shkuan me megafonë, me qëllimin më të mirë. U hoq megafoni dhe çdo gjë.

Pjesëmarrje sa më e madhe në protestë.

Për herë të parë në këtë seli janë bërë mbledhje për atë protestë më shumë se kurrë në historinë e saj në për pjesëmarrjen në një protestë.

Por duhet të them këtu, ajo protestë madhështore, e paparë ndonjëherë në historinë e vendit, u kap në krye të radhës nga dyshja famëzezë Rama-Balluku.

Tani duhet t’u them shqiptarëve se kontrolluesit e mikrofonit, horra si ata, u jepnin mikrofonin vetëm atyre të cilët merrnin përsipër sloganin ‘Rama në burg, Berisha në burg’ dhe ishin përjashtim të tjetër që mund ta merrnin.

Çdo njeri që paraqitej tek banda e mikrofonit, merrte porosi se ç’do të thoshte.

E vërteta është, t’u tregoj dialogun e njërit prej tyre, me përçmim dhe përbuzje u tha: nuk jam për ty unë këtu, se për ty nuk dal unë kurrë. Por unë jam për idealet e mia.

Por ky ritual përsëritej çdo ditë në një kohë kur bandat e Qorrit të Ramës, Arlind Qorrit terrorizon qytetin me grusht çdo natë: E viva, rroftë komunizmi!

Ne i ndiqnim situatën, demokratët kanë qenë aty dhe kanë mbajtur një qëndrim të jashtëzakonshëm.

Projektonin me çdo kusht këta horra sulme ndaj demokratëve në protestë.

Por kur merrnin paralajmërimin, u dështonin sulmet.

Duhet t’i themi të vërtetat siç janë.

Disa prej tyre mbushën valixhet dhe ia mbathën, të damkosur do mbeten përjetë për thikat që i futën lëvizjes qytetare më madhështore në historinë e këtij vendi.

E vetmja forcë politike, ua them unë ju këtu, që e mbështeti atë lëvizje me të gjithë fuqitë e saj pa asnjë simbol të veten, ishte PD.

Pa asnjë simbol të veten sepse respektoi me kod, siç e kërkon ligji moral, karakterin e saj rinor qytetar.

Është e vetmja forcë politike që bëri me dhjetëra mbledhje për të mobilizuar mbëshetësit në atë protestë, edhe në ditët më të vështira.

Është e vetmja forcë politike që edhe në momentet e shuarjes së saj, ato ku mbetën 100 apo 120 vetë, shumica ishin demokratë që kishin protestuar 420 ditë rresht në Astir.

Ishin demokratë që kishin protestuar 333 ditë tek Rruga e Shpresës.

Ishin demokratë që kishin protestuar 46 javë tek Bashkia e Tiranës.

Në ka një mbiemër të dytë kjo parti, e ka protestë, po të kishte emër të dytë, Partia Demokratike e Protestës.

Por ne e ndoqëm.

Pse?

Standardi moral është standardi i parë. Dhe njeriu, dhe forca politike, duhet të ketë trashëgiminë morale, standardet morale, standardet e para.

Ndaj dhe ne nuk u tërhoqëm nga platforma jonë.

Mbështetësit tanë e kishin të vështirë të dëgjonin një grup horrash që hidhnin parulla ndaj asaj partie, e cila kishte mbrojtur vite e vite, pa qenë e përsosur absolutisht, por kishte mbrojtur çdo çështje për të cilën ata luftonin.

Kishte bërë një betejë disavjeçare me të gjitha ligjet që ata kundërshtonin.

Kishte bërë një betejë në parlament, kishte bërë një betejë me protesta, kishte bërë një betejë në Gjykatë Kushtetuese me secilin prej atyre ligjeve.

Por mafia qeveritare dhe joqeveritare, i verbonte ata dhe i nxiste duke menduar se erdhi radha e Shqipërisë pa opozitë.

Dhe Shqipëria pa opozitë ishte Shqipëria në të cilën opozita e vërtetë duhej të zhdukej.

Kjo ishte Shqipëria pa opozitë.

Shqipëria pa opozitë ishte Shqipëria e atij që doli dje në protestë sipas tij duke përjashtuar ata që kishin të regjistruar qindra e qindra protesta në biografinë e tyre.

Qesharakë, të turpshëm, primitivë.

Duke u përpjekur që tani rruga, sheshi janë të miat se dola unë.

Dola unë pas kaq kohësh. Mirë se dole ti, je i mirëpritur. Por po të jesh i sinqertë ti që dole, akti i parë në shërbim të këtij vendi, bën thirrje për bashkim të forcave kundërshtare të qeverisë.

Por bëre të kundërtën sipas porosive dhe përfundove aty ku përfundove.

Dhe moria e borizanëve dhe puthadorëve të qeverisë dhe mafies, PD nuk duhet të përzihet.

PD nuk ka pse përzihet.

Nga qershori gjer sot, teza më antishqiptare, më antidemokratike ishte teza se dy partitë janë njëlloj.

Teza e cila bazohej në logjikën formale se njerëzit janë njëlloj në pamje, janë qenie që ecin në këmbë, me katër gjymtyrë, etj, etj.

Por nuk ka mashtrim më të madh, më të turpshëm se sa të shtrosh këtë tezë.

Së pari, është forma më e lartë e korrupsionit. Forma më e lartë e korrupsionit është kur fjala apo fjalia shpreh të kundërtën e asaj që është e vërtetë.

Dhe kur krahason të pakrahasueshmet.

Kjo është në distancë forma më e lartë e korrupsionit të gjuhës në radhë të parë.

Dhe nga korrupsioni i gjuhës vjen korrupsioni i mendimit. Thua po, qenkan njëlloj.

Po pse kjo është forma më e lartë e korrupsionit?

Po ti krahason qeverinë, e cila ka 8 miliardë euro në vit taksa të shqiptarëve, o bandit që bëhesh shërbëtor i qeverisë.

Kurse opozita, edhe më e keqja qoftë, ka rrogat e vet dhe një fond disa qindra mijëra euro që i caktohet në përputhje me ligjin.

Ndërsa qeveria, ministrat kanë firmat e tyre, duart e tyre të zeza në 8 miliardë euro që i vjedhin, që ndërtojnë rrugë me çmime të tetëfishta, që ndërtojnë shkolla me çmime të dhjetëfishta, që zhdukin 90 përqind të investimeve sipas provave publike.

Qeveria ka firmat mbi të gjitha pasuritë publike, koncesionet.

Ti o horr, kudo që del, kërkon të shpëtosh qeverinë nga përgjegjësia duke e krahasuar opozitën me qeverinë.

Ti je një llum i vërtetë.

Je një skllav dhe shërbëtor i vërtetë i qeverisë.

Çfarë do të bësh me këtë?

Të vrasësh përgjegjësinë.

Më këtë tezë ti kërkon të vrasësh përgjegjësinë.

Opozita ka detyrë të kontrollojë për aq sa e lejon qeveria, që nuk e lejon fare.

Opozita ka detyrë të denoncojë me deklarata.

Por ta zëmë se opozita i ka deklaratat e këqija, po ku është dëmi?

Dëmi është deklarata e keqe e opozitës apo miliardat e vjedhura të taksapaguesve nga qeveria?

Ti o horr që vihesh në funksion të krimit, përpiqesh të mbulosh krimet e qeverisë me teza të tilla.

Do të vrasësh përgjegjësinë, do të nxjerrësh qeverinë jashtë përgjegjësisë.

Kush ka përgjegjësi për miliona metër katror troje publike, tokoa që u jepen karteleve? Opozita apo qeveria.

Po përgjegjësia e qeverisë është jo 100, jo 1000, po është 10 mijë herë më e madhe se e opozitës se janë të pakrahasueshme.

A mund t’i krahasosh?

Në botë kjo nuk ndodh.

Dhe teza e shoqëruar nga injorantë, puthadorë se ‘nuk kanë alternativë’.

Kush nuk ka alternativë?.

Po, opozita gjykohet nga alternativa. Tri gjëra janë: kontrolli, alternativa, deklaratat. Kaq ka opozita. S’ka asgjë tjetër në dorë për të bërë mirë ose për të bërë dëm.

Po ta marrim se me të tria bën dëm opozita.

A mund të krahasohet me atë që vjedh e shpërdoron miliarda euro?

A mund të krahasohet me atë që vjedh e shpërdoron miliona e miliona prona publike me metra katrorë?

Si mund të krahasohet?

Pra, ç’ndodh me këtë krahasim?

Me këtë krahasim këta duan të vrasin përgjegjësinë. Të asgjësojnë përgjegjësinë.

Duan të mbulojnë skandalet, krimin me gabime, me të meta, me defekte, që janë të pashmangshme.

Ja pse krahasimi i të pakrahasueshmeve është forma më e lartë e korrupsionit.

Ka një problem tjetër madhor themelor. Këta duan të vrasin shpresën. Këta janë vrasësit e shpresës.

Këta janë gjahtarët e shpresave të shqiptarëve. Këta janë llumi i llumit të shoqërisë shqiptare, armiqtë më të egër të qenies shqiptare.

Po atëherë thotë i riu, ‘po kur të dy qenkan njëlloj, çfarë të rri unë këtu? Unë këtë mur nuk e çaj dot, unë atë vend nuk kam vend’.

Si qenka kjo? A ka një realitet? Kjo opozitë ka kaq të meta, po kjo opozitë kur ka qenë në pushtet ka kthyer stinën, ka kthyer rrymën, dhe Shqipëria nga vitet 2007-2014 është rritur çdo vit. Për ata që derdhin lot se u zbraz Shqipëria, Shqipëria u zbraz në mënyrën më dramatike, po ata që po thonë këtë, ata i kanë lot krokodili.

Ata meqenëse janë njëlloj, s’na mbetet gjë ne, të ikim!

Këta janë shpresëvrasës të poshtër, janë vrasës të paguar të qeverisë, që s’kanë nder as moral.

Tjetër, e keqja akoma, ta vrasin votën. Meqenëse Agroni dhe Flamuri janë njëri i qeverisë e tjetri i opozitës, ai që është në qeveri ai vjedh, tjetri është opozitë, të dy vjedhin se janë njerëz.

Të dy vjedhin se janë në pushtet, pavarësisht se njëri është pushtet ekzekutiv, tjetri është pushtet moral.

Paçka se njëri po vjedh gjithë ditën, tjetri mund të mos vjedhë kurrë, por s’mund të thuash kurrë se është njëlloj me atë që vjedh.

E kuptoni ç’ndodh këtu?

Cili është qëllimi këtu? Qëllimi është shumë i poshtër. Qëllimi është shumë diabolik. Qëllimi është që vota s’ka vlerë. Atëherë hajdut për hajdut po mbaj këtë që kam. S’kam pse të votoj.

Ose s’shkojnë në votim, po meqenëse janë njëlloj, unë po mbyll sytë e po votoj për këtë që kam.

Dhe në të vërtetë një pjesë e mirë e këtyre që janë ngritur, që u ngritën përpara, kanë qenë votues të Edi Ramës. Po bravo u qoftë që e kuptuan, u jam mirënjohës që e kuptuan se për kë kanë votuar, se për cilin kanë votuar.

Por unë ndalem tek teza, gjithnjë tek teza. Pra me këtë tezë, duan të mbulojnë krimet monstruoze të qeverisë.

Me këtë tezë, ata dalin alternativën nuk ua besuan ju.

Ku ka alternativë në farsë elektorale?

Ku ka zgjedhje në farsë elektorale?

Po ku e di ti çfarë është alternativa?

Alternativa jonë është më e mira që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, e mbështetur nga dy fondacionet më të mëdha të botës në fushën e mendimit, të ekspertizës, Heritage dhe Adenauer.

Merr lexoje, plasi sytë, e ke në faqen e Partisë Demokratike.

Po ti beson si skllav, se padroni yt bën zgjedhje.

Padroni yt nuk bën zgjedhje. Është disa herë më kriminal në raport me votën sesa padroni i tij në Beograd. Po, po. Se padroni i tij në Beograd ishte një kriminel lufte për mua.

Ishte një promotor apo një mbështetës i flaktë i gjenocidit.

Flitet se ishte një organizator i safarit të myslimanëve në Sarajevë.

Ishte një kriminel që organizonte vrasje kundërshtarësh, njëlloj si Edi Rama. Atentate ndaj kundërshtarëve.

Por duhet të themi një gjë. Ai kurrë nuk i bëri vendit të tij ato që i bëri Edi Rama.

Rrjetet e drogës të Serbisë janë të fuqishme, por nuk arritën të zëvendësojnë shtetin autoritar me narkoshtetin.

Narkoshteti shfaqjen absolute e ka në ekonomin.

Unë u jam shumë mirënjohës disa gazetarëve të shkëlqyer, që kanë bërë analiza të shkëlqyera.

Por t’u them unë ju, Aleksandër Vuçiç, me koalicionet e tij kur erdhi në pushtet, kishte rrogat dhe pensionet 20% më të ulëta se Shqipëria.

Shqipëria ishte në krye të vendeve të rajonit për rroga dhe pensione. Përfshi këtu dy vende, anëtare të Bashkimit Europian në atë kohë, Bullgaria dhe Rumania.

Ku i ka sot rrogat dhe pensionet Serbia? Serbia sot rrogat dhe pensionet i ka 45 gjer 55% më të larta se Shqipëria.

Pra, vodhi apo s’vodhi, por edhe në qoftë se ka vjedhur, ka vjedhur shumë herë më pak sesa kreu i organizatës kriminale në Tiranë, argati i tij.

Edhe Serbia, ka probleme serioze me popullatën. Po problemet e saj nuk janë as një e katërta e problemeve të Shqipërisë. Është një popull i plakur.

Në vitin ’98 do prisja në zyrë Paddy Ashdoën. Dhe më thotë, kishin krijuar idenë se unë isha një nga drejtuesit e UÇK-së sepse kishin ngritur një bazë në shtëpinë time, ish-shtëpinë time.

Dhe vjen e më thotë, çfarë do bëni? Po luftojmë i them. Luftë për liri është kjo. Çfarë lufte do bëni ju, thotë. Ku keni tpara për të bërë luftë. Luftërat, thotë. i bëjnë paratë.

I them unë, e di se si është puna? Ne kemi gjak më shumë se ata. Dhe ne këtë luftë do ta fitojmë, sepse do ta paguajmë me gjak. Ishte e vërtetë ajo.

Përballeshim me një komb të plakur. Por ai komb sot, në plus minus, humbet 10 mijë vetë në vit.

Kurse ky kombi ynë i dashur, në qoftë se Serbia në 10 vite ka 300 mijë emigrantë, Shqipëria ka vetëm në Bashkimin Evropian 1.1 milion emigrantë.

Serbia ka pasur në 5 vitet e fundit rritje me 3.5 deri 4% të prodhimit industrial. Nuk e futi drogën në ekonomi si ky. Serbia ka pasur 22 miliardë eksporte në vitin 2021. Serbia i ka 34 miliardë eksporte të vitit të kaluar.

Shqipëria e narkoshtetit të Edi Ramës ka 15.3% rënie të prodhimit industrial në 5 vitet e fundit, rënien më të madhe pas Ukrainës.

Shqipëria ka 28% rënie në eksporte të vitit të kaluar krahasuar me vitin 2022. Shqipëria e narkoshtetit të Edi Ramës.

Dhe këta thonë se janë njëlloj.

A mund të imagjinoni ju? Horra mediatikë si këta, horra politikë si këta, që mashtrojnë shqiptarët nga mëngjesi në darkë, që drogojnë me mashtrimet e tyre më keq se me çdo lloj droge tjetër.

Jo vetëm kaq. Këta armiq të egër të demokracisë, armiq të egër të lirisë dhe pluralizmit, mën moton fajin e ka Saliu, nuk thonë që zgjedhjet ishin farsë, por zgjedhjet i humbi Berisha. Nuk shtojnë Ramën në farsë. Pra mbrojnë indirekt Ramën.

Apo ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Çfarë është kjo? I njëjti krahasim i pakrahasueshëm.

Po hajt t’i krahasojmë. Ka 28 vite pushtet, është pushtetari më i kalbur në pushtet në Evropë.

Ka 35 vjet në politikë, 13 vite në pushtet. E mori pushtetin me 48% kontroll mbi të gjitha pushtetet nga Partia Socialiste. E dorëzoi pushtetin me 48% kontroll nga Partia Demokratike e pushteteve.

O të verbër, shërbëtorë të narkodiktaturës, po përqendrimi i pushtetit është tipari kardinal i çdo diktature. Dhe sot, padroni juaj, Edi Rama, ka pushtet 2% më shumë se ç’kishte diktatori i fundit komunist në vitet ’90, Ramiz Alia. 90% që në vitin 2020. Imagjinoni sa ka shkuar sot.

E lamë me 48% si parti qeverisëse kontroll pushtetesh, e çoi në vitin 2020 në 90% dhe sot, nga 220 mijë punonjës, 2000 janë rrogëtarë jo të Partisë Socialiste, të gjithë të tjerët janë emërtesë e tij.

Nuk ka shtet më monist, pas Koresë së Veriut, Shqipëria vjen shteti më monist në botë.

Pra, shikoni, krahasojnë të pakrahasueshmet.

Marrim personat, plotësisht dakord. Njëri votohet në 4 vite 3 apo 4 herë. Tjetri ka mbyllur votat dhe votimin që në vitin 2009. Në kundërshtim me ligjet dhe statutin e asaj partie.

Ku jeton sot narkodiktatori? Diktatori komunist i Shqipërisë ndërtoi një vilë në qendër të Tiranës. Por atë vilë diktatori gjakësor nuk e regjistroi në emër të tij. Mund ta bënte. Nuk e regjistroi as në emër të tij, as të familjes së tij. E regjistroi pronë shtetërore. Aty ku është.

Kurse narkodiktatori ndërtoi një vilë në herë gjysmë më të madhe se ajo. Ndërtoi sarajet. Kopshti i diktatorit komunist është gjithsej as 2000 metër katrorë. Kopshti i narkodiktatorit është 8300 metër katrorë. E blerë me 1 litër naftë metri katror. Me vendim të posaçëm. 1 litër naftë metri katror, 2 mijë lekë.

Pra, shkojmë ku të doni. Vetëm në dosjet Balluku. Ai është bashkëfajtor për 36 vite burg.

Bëri gjithçka për një proces kundra meje. Çfarë i doli? I doli se ajo tokë s’kishte kurrë e shpronësuar. Kurrë. Ajo tokë ishte tokë e konfiskuar nga regjimi komunist dhe iu rikthye atyre 300 pronarëve, siç iu rikthye mbi gjysmë milioni shqiptarëve, mbi 1 miliard e 577 milion metër katrorë tokë. Pa llogaritur objektet. Po, ne ishim parti e kthimit dhe kompensimit të pronarëve pa asnjë diskutim. Janë 56 mijë dosje të cilat u përfunduan gjatë qeverisjes sonë. Ne kishim atë proces serioz. Nuk e përfunduam dot të gjithin, por në rrugë absolute do e përfundonim.

Edhe unë kam një kunat, ai kunati im ka nja 30 vjet që punon në një biznes privat.

Kurse kunati i Edi Ramës, se po the Linda nënkupto Edi, si peshkaqen e shndërroi bashkë me kunatën e tij AKSHI-n në kopsht privat të Edi Ramës. Armand Frangu ka fituar qindra tendera. Dhe emri i tij nuk qarkullon, qarkullojnë emrat e të tjerëve.

Po aty strumbullari është Frangu. Ai ka fituar qindra tendera dhe si i ka fituar? Me procedurë sekrete. AKSHI i Lindave ka bërë mbi 400 tenderime sekrete.

Në qeverisjen tonë të dashur miq, ka pasur gjithsej 18 prokurime sekrete vetëm për shërbimin informativ dhe prokurorinë e përgjithshme. Asnjë prokurim sekret, ligji nuk e lejon atë. Po për Frangun nuk ka ligj, për Lindën nuk ka ligj, për Edi Ramën nuk ka ligj.

Marrim rrugët.

Rrugët u ndërtuan me çmime të paktën 5 deri në 10 herë më të ulëta se këto të sotmet. U ndërtuan, siç pretendohet, me oligarkë? Jo, absolutisht. U ndërtuan me tendera të hapur.

Dhe Rruga e Kombit është ndërtuar, kanë marrë pjesë 7 kompani ndërkombëtare dhe ka pasur një juri ndërkombëtare për herë të parë. Me asnjë shqiptar, vetëm mbikëqyrës, vëzhgues shqiptarë.  Dhe s’ka pasur asnjë ankesë.

Dhe kompania Bechtel Enka që fitoi Rrugën e Kombit, erdhi mori pjesë në tenderin e Rrugës së Elbasanit. Doli e katërta, i kishte të gjithë makineritë këtu. Doli e katërta, nuk fitoi. Nuk fitoi. Jo. E kishim ligjin ligj.

Nuk po merrem fare me rezultatet e tjera, por po merrem me këto aspekte, të cilat i përdorin dhe kjo kulmon pastaj me tezën sikur të ishin bijtë e Enverit apo Hitlerit: Berisha duhet të ikë.

Çdo person që mendon t’i caktojë një partie politike kryetarin është në vetvete turpi i pluralizmit dhe i demokracisë. Atë bënte Enver Hoxha. Ku i thoshte ti Lumturi do jesh kryetarja e gruas, ti filani do jesh kryetari i forumit të të rinjve, ti Sotir do jesh kryetari i sindikatave. Ai i caktonte. Po ajo kohë u përmbys.

Dhe kur i dëgjon sot pas kaq vitesh, këta llumi i llumit njerëzor, ua them haptas këtu sepse mund të shkosh kudo, mund të mendosh çdo gjë, por që t’i caktosh një partie kryetarin që votohet nga anëtarët e saj, tregon që ti je një fatkeqësi individuale, je njeri fatkeq në shkallë ekstreme me setapin tënd psikologjik.

Pra, megjithatë, rikthehemi. Ne kemi lindur në protestë, mbetemi parti e protestës, do të jemi parti e protestës. Kjo nuk ka dyshim.

Ndaj dhe protestat e studentëve do të kenë mbështetjen më të fuqishme të Partisë Demokratike. Do të kenë dhe mbrojtjen më të madhe të Partisë Demokratike.

Ta harrojnë Jagot e Flamingove se mund t’i bëjnë kësaj proteste atë që i bënë protestës së parë.

Ta harrojnë, jo absolutisht kurrë. Ta dinë mirë!

I paralajmëroj. Flamingot kishin heronj, dhe ata janë të mirëpritur dhe i kanë rrugët. Por Flamingot patën Jagot që mbushen valixhet me eurot e Edi Ramës dhe të botës së krimit, dhe mendojnë se dhe protestën studentore do mund ta trajtojnë njëlloj.

Ky ka qenë dhe një nga qëllimet që kam shpallur që ditën e parë, objektiv krahas mbështetjes edhe mbrojtjen e protestës. Kjo është protestë studentore dhe e gjimnazistëve.

Kjo protestë është thirrur nga sindikata e universiteteve. Cilido që kërkon ta përvetësojë, t’i rrahë gjoksin, mashtron publikisht dhe ne do ia nximë fytyrën.

Jo! Është protestë e studentëve, është protestë e gjimnazistëve. Në këtë protestë, Partia Demokratike ka qenë që në minutën, që në sekondën e parë.

Ta dinë këta horrat, Qorrat e Edi Ramës, të cilët në misionin e Edi Ramës përsëri, për të shpëtuar lëkurën e tij dhe për të siguruar mbështetje, nxori tezën e ANTIFA-s dhe duhej që agjentë të policisë kriminale, bashkë me Qorrin që tret miliona, ta dinë shqiptarët, është një nga Gobsekët e milionave të tyre.

Gjoja jepen nga paratë e taksapaguesve, paratë që jepen në Shqipëri janë të destinuara për qytetarët shqiptarë.

Çfarë tha ai? E dëgjuat ju pasi lau duart si Ponc Pilati, mori dekoratat për Flamingot?

Doli në studion e Neës24 dhe i thotë gazetarit, i thotë gazetari po pse protestoni? Ne protestojmë, thotë, qeveria për çështje që shtrojmë ne, na dëgjon, dhe i korrigjon. Njëri thotë, që përsërit si skuth parullën e Qorrit, thotë se ne presim të rritemi, pra nuk jemi për rrotacionin, tjetri thotë ne protestojmë se qeveria na dëgjon dhe i përmirëson.

Dhe disa skuthër të tjerë, ish-hajdutë që kanë ikur nga Partia Demokratike se nuk mund të kishin të ardhme, dhe i garantoj që për vjedhjet e tyre do të ndiqen edhe pas 30 vitesh, që ua ka amnistuar Edi Rama dhe i përdor si kukulla, përdoren për këto slogane nëpër studio televizive.

Jo miq! Partia Demokratike është parti e protestës. Ka lindur në protestë, ka për mbiemër protestën dhe hidhet e tëra në protestë.

Po, aty kemi strukturat tona. Ata janë burgosur, janë dëmtuar, njëlloj si të gjithë të tjerët dhe ne nuk bëjmë asnjë dallim.  Po, ne nuk shkojmë me simbolet tona përsëri sepse aty janë gjimnazistë me prindër socialistë, janë studentë me prindër socialistë dhe ne kërkojmë një front të bashkuar.

Dhe ata janë të mirëpritur, ata janë të mirëpritur dhe kemi kënaqësi të madhe.

Doli çdo tezë, po teza e bashkimit, të një fronti opozitar kundër kësaj qeverie që i ka bërë këtij vendi dëme të këqija sa asnjë pushtim, kjo tezë nuk doli, nuk u dëgjua ndonjëherë. Përkundrazi, Qorri dhe papagalli i Qorrit që përsëritin sloganet e tij thanë se erdhi koha si gjela në pleh të kakarisin.

Unë prapë e them, ka vetëm një rrugë, bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë për cka qëndron Partia Demokratike!

Qëndron me vendosmërinë më të madhe. Kush është burrë, kush është grua, kush është faktor sot duhet të bashkohemi.

Nuk ka mesazh më të madh se mesazhi i kësaj lëvizje studentore sesa bashkimi në mbështetje të tyre dhe në largimin e Edi Ramës.  Edhe një herë, autokrati i Beogradit nuk ishte narkodiktator. Jo, ai kishte krime të shëmtuara, por nuk ishte narkodiktator. Autokrati i Tiranës është një narkodiktator, më i urryeri në Evropë dhe në botë.

Ndaj kërkohet të bashkohemi. Kërkohet që çdo opozitar, çdo njeri që kundërshton, të dalë në mbështetje të studentëve, të kauzës së tyre.

Dhe ne qëndrojmë, absolutisht do qëndrojmë gjer në fitoren e kauzës së drejtë.

Ne jemi në kilometrin e fundit.

Ne jemi në kilometrin e fundit dhe jemi më të përgatitur se kurrë për çdo betejë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale