Berisha: Asgjë nuk do të ndikojë më shumë në fitoren e opozitës se vota e mijëra opozitarëve që kanë ikur jashtë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME KRYETARËT E DEGËVE TË SHQIPËRISË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë mbledhjes së zhvilluar me kryetarët e degëve të Shqipërisë në PD, theksoi rëndësinë historike të zgjedhjeve të 2025-ës, ku gjysma e elektoratit shqiptar do të votojë jashtë vendit. Berisha theksoi se kjo është një arritje e madhe për shqiptarët dhe se fushata do të jetë e njëjtë për elektoratin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Berisha kërkoi një proces zgjedhor të ndershëm dhe transparent, pa manipulime nga Edi Rama, dhe vuri theksin në rëndësinë e angazhimit në të dy fazat e fushatës.

Kryedemokrati, Sali Berisha theksoi rëndësinë e votës së emigrantëve në fitoren e opozitës, duke e quajtur këtë proces si një nga faktorët më të rëndësishëm për suksesin e saj. Ai theksoi nevojën për një verifikim të shpejtë dhe të saktë të listave të votimit, pasi regjistrimi i emigrantëve përfundon më 12 mars.

Kryetari i PD, Sali Berisha propozoi një minimum jetik prej 200 eurosh për të gjithë qytetarët me rrogë minimale, pensionistët, të papunët dhe ata që përfitojnë ndihmë ekonomike. Ai gjithashtu theksoi kartën e konsumatorit për rimbursimin e TVSH-së për ushqimet bazë dhe kërkoi një rrogë minimale prej 500 eurosh. Po ashtu, Berisha premtoi ulje të çmimit të energjisë elektrike dhe kritikoi rritjen e çmimit të energjisë nga qeveria aktuale si një veprim elektoralisht të motivuar.

Berisha theksoi se qeveria e tij do të ofrojë një çmim të ulët energjie për qytetarët shqiptarë, duke argumentuar se Shqipëria ka mundësi për të pasur çmimin më të ulët në Europë, pasi 98% e energjisë është hidroenergji me kosto të ulët. Lideri opozitar, Sali Berisha kritikoi qeverinë për rritjen e çmimit të energjisë, duke theksuar se kjo ka sjellë humbje për qytetarët dhe ka pasur pasoja të mëdha financiare për ta. Po ashtu, Berisha propozoi që ujin e pijshëm mund ta ofrojë falas për qytetarët, duke theksuar pasuritë natyrore të Shqipërisë.

Berisha propozoi që nafta në Shqipëri të shitet me një çmim plus-minus 10% të çmimit në Kosovë dhe Maqedoni, duke kritikuar çmimet e larta të naftës dhe manipulimet e tregut. Ai premtoi ulje të çmimit të naftës dhe një politikë më të drejtë për qytetarët, duke theksuar se taksat e larta kanë çuar në çmime të padurueshme për shqiptarët.

Kryetari i PD, Sali Berisha shpjegoi procedurën e votimit të diasporës, duke theksuar se shqiptarët jashtë vendit duhet të regjistrohen në portalin e PD-së deri më 12 mars për të mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Berisha theksoi rëndësinë e angazhimit të forcave për identifikimin e emigrantëve dhe organizimin e takimeve të shumta për të promovuar votimin. Berisha kërkoi që çdo shqiptar jashtë vendit të regjistrohet dhe të ndihmojë në regjistrimin e të tjerëve për të siguruar votat e diasporës. Ai shprehu besim se PD do të arrijë të realizojë këto objektiva dhe do të fitojë zgjedhjet.

Kryedemokrati, Sali Berisha theksoi se fitorja e PD varet nga angazhimi i çdo anëtari dhe se partia ka arritur të kthejë të pamundshmet në të mundshme. Berisha theksoi vlerat themelore të PD si toleranca dhe interesat kombëtare, duke kërkuar bashkim të kontributeve për një front opozitar të gjerë. Krahasoi Shqipërinë e vitit 1991 me atë të 2025, duke theksuar përmirësimet, por edhe vështirësitë që përballojnë qytetarët, dhe kërkoi më shumë angazhim për të përmirësuar jetesën e shqiptarëve.

FJALA E PLOTË

Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju, dhe një urim edhe njëherë për vitin e ri 2025, si viti i fitores së merituar të opozitës shqiptare mbi regjimin e narkodiktaturës së Edi Ramës.

Këto zgjedhje për çdo individ prej nesh janë unike, janë të parat zgjedhje të këtij lloji pas 34 vitesh. Këto janë zgjedhjet e para në të cilat gjysma e elektoratit është në Shqipëri, ndërsa gjysma e elektoratit është jashtë vendit. Dhe ridimensionimi, përshtatja e veprimtarisë sonë me këtë realitet të ri është e një rëndësie të jashtëzakonshme për fitoren e opozitës më 11 maj.

Duhet pranuar se forcat politike në Shqipëri po nisin përpjekjet dhe fushatën elektorale jashtë Shqipërisë pa përvojën e nevojshme. Mirëpo, nëse marrim parasysh shpërndarjen e elektoratit dhe disa kushte të veçanta në Shqipëri, fushata jonë elektorale me shqiptarët jashtë vendit është po aq e rëndësishme sa dhe fushata brenda vendit.

Në këtë kuadër, është e domosdoshme që përpjekjet tona, veprimtarinë tonë ta ndajmë njësoj për elektoratin brenda dhe jashtë vendit. E domosdoshme.

Sot, në drekë e theksova, edhe flamuri ynë ka dy koka, shqiponjën. Po ashtu, edhe zgjedhjet i kemi me dy koka. Kështu është, kjo është historia jonë.

Por kjo është një arritje e madhe, sepse gjysma e shqiptarëve do të ushtrojnë të drejtën kushtetuese të votimit, në një kohë që më parë nuk e ushtronin, dhe kjo nuk ka ndodhur me asnjë komb tjetër në rajon, përveçse me ne.

Ne po bëjmë përpjekje të mëdha që ky proces të jetë transparent, i ndershëm dhe të mos mund të kapet nga Edi Rama dhe banda e tij, e cila vazhdimisht bën përpjekje ta kapë.

Por, natyrisht, ne jemi për një proces transparent, një proces që përjashton manipulimin dhe garanton numërimin e ndershëm dhe korrekt të votes.

Ky proces zhvillohet në Shqipëri dhe jashtë saj. Duhet pranuar se, të dy fazat, ajo që zhvillohet në Shqipëri dhe ajo jashtë saj, janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për këtë proces, por përcaktuese është puna jonë brenda vendit.

Të dashur drejtuese dhe drejtues të PD-së, emigracioni kudo që ndodhet ka lidhje të pamohueshme me njerëzit në Shqipëri. Dhe, ndonëse familje të tëra janë shkëputur, përsëri dikush dëshmon se kanë jetuar aty. Por dëshmitari më i mirë dhe më i sigurt janë listat e votimit.

Që në udhëzimin e parë, ju keni marrë udhëzim për të krijuar grupet e punës për verifikimin e listave të votimit në çdo qendër votimi. Verifikimi dhe identifikimi i emigrantëve në listat e votimit është procesi më themelor i të gjithë angazhimit tonë për votën e shqiptarëve jashtë vendit.

Unë e di se ju keni filluar punën, por ritmet e kësaj pune duhet të shpejtohen me urgjencë.

Një grafik i ri do të hartohet nga drejtuesit e qarqeve dhe do t’u shpërndahet kryetarëve të degëve, ndërsa ju do të merrni grafikun tuaj për kryetarët e grupseksioneve dhe më tej.

Duhet një grafik emergjence, sepse votimi i emigracionit, që përbën gjysmën e elektoratit, përfundon më 12 mars. Ka një datë të caktuar për regjistrimin e tyre, dhe ata që regjistrohen, ky proces përfundon më 12 mars. Pas kësaj date, mbyllet procesi për 1.5 milionë votues.

Ata 1.5 milionë votues janë të regjistruar në listat e votimit. I keni në listat e votimit. I keni gjithashtu, në çdo familje dhe kudo. Por listat e votimit janë dokumentet bazë të orientimit tuaj.

Rezultatet e deritanishme nuk janë ato që duhej të ishin. Unë e di që është bërë punë, dhe po bëhet, por kjo kërkon që çdo drejtues qarku dhe çdo degë të angazhojë forca shtesë për përfundimin sa më parë të këtij procesi. Çdo degë duhet të ketë drejtuesin operativ të procesit, i cili ta kontrollojë atë çdo ditë. Ju si kryetarë keni këtë detyrë kryesore.

Mos harroni se, asgjë nuk do të ndikojë më fuqishëm në fitore sesa vota e qindra mijëra opozitarëve, që të persekutuar në një formë apo në një tjetër nga ky regjim, kanë marrë rrugët e dheut.

Edi Rama dhe regjimi janë tashmë të diskredituar. Edi Rama është kryeministri i vetëm i Europës, përveç Lukashenkos, që i organizohen protesta kudo që shkon nëpër Europë dhe në botë.

Taulant Ballën e neverisin dhe e përçmojnë. Ai prenoton salla të shtrenjtë dhe i mbush me mijëra flamuj. Sallat mbeten bosh dhe ai detyrohet të shkojë dhe të gjejë një qoshe me ata pak njerëz që e mbështesin.

Ky është një regjim i plotëisht i diskredituar dhe po dekompozohet. Përljeshjet e brendshme janë shkatërrimtare dhe janë përfundimtare, siç ndodh gjithmonë midis klaneve mafioze dhe organizatave kriminale. Paqja midis tyre është gjithmonë e përkohshme.

Pasi e përjashtoi Edi Rama Erion Veliajn, tani e merr në disa takime, por ato janë si shërbime të fundit.

Ne nuk e bazojmë fitoren tonë në luftën e tyre të brendshme. Ne fitoren tonë e bazojmë në vendimin për të përmbysur shpërndarjen e të ardhurave në Shqipëri.

Të ardhurat kombëtare do të shpërndahen qytetarëve shqiptarë, në pjesën më të madhe të tyre. Çdo qytetari shqiptar duhet t’i bëjmë të qartë, të bisedojmë dhe t’i shpjegojmë se ne, buxhetin dhe të ardhurat do t’i kthejmë qytetarit në formën më të fuqishme të mundshme.

Ne do të vendosim minimumin jetik. Vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh nënkupton që, të paktën 500 mijë shqiptarë, ose më shumë, që nuk marrin asgjë, ose marrin 60 euro, ose marrin 120 euro, ose marrin 170 euro. Të gjithë, pa përjashtim, për 3 muajt e parë të qeverisjes sonë do të marrin 200 euro. Dhe kjo përbën ndryshim.

Mos harroni se, janë 244 mijë pensionistë që marrin pensione të plota. Ndërkohë, 246 mijë e 500 pensionistë marrin pensione jo të plota, të cilat janë ndarë proporcionalisht. Kjo do të mbyllet. Të gjithë këta do të marrin 200 euro.

Të gjithë të papunët do të marrin 200 euro. Të gjithë qytetarët që përfitojnë ndihmë ekonomike do të marrin 200 euro. Pra, me këtë shpërndarje të re, ne i japim përgjigje nevojës për ndihmë të qytetarëve.

Po ashtu, qytetarët me pagë minimale dhe më poshtë do të pajisen me kartën e konsumatorit. Karta e konsumatorit nënkupton rimbursimin e TVSH-së për ushqimet bazë dhe, sipas llogarive të ekspertëve, kjo është e barabartë me 3 pensione.

Pra, një pensionist nuk do të marrë më 12 pensione, siç merr tani, por do të marrë 15 pensione falë rikthimit të TVSH-së për ushqimet bazë.

Rroga minimale nuk mund të jetë më pak se 500 euro në Shqipëri. Çdo sipërmarrës do të jetë i detyruar të paguajë rrogën minimale prej 500 eurosh. Absolutisht, jemi të gatshëm të studiojmë të gjitha pasojat e kësaj politike, sepse rroga minimale nuk është pa pasoja për punëdhënësit. Por jemi të gatshëm të ndihmojmë bizneset për të lehtësuar implementimin e saj, duke garantuar që nuk do të ketë asnjë qindarkë më të ulët.

A është e mundur? 100%. E kam thënë dhe do ta përsëris përsëri.

Rroga minimale në Rumani në vitin 2013 ka qenë 800 lei, rreth 160 euro. Sot, ajo është 3300 lei, rreth 780 euro. Dhe Rumania nuk ka pësuar rritje të papunësisë për shkak të kësaj. Po ashtu, nuk kanë falimentuar bizneset për shkak të rritjes së rrogës minimale.

Ne nuk mund të mbështesim më suksesin mbi rroga të ulëta, ta kemi shumë të qartë këtë. Po, besojmë plotësisht se biznesi do ta përballojë me sukses këtë, dhe do të krijojmë lehtësira të tjera për të ndihmuar bizneset.

Por shqiptarët nuk mund të paguhen më nën 500 euro, dhe këtu fillon ndryshimi. Ata merrnin në vitin 2013, 20-30 euro më pak se ne, dhe tani marrin 300-400 euro më shumë se ne. Pra, kjo është e mbyllur.

Ne duhet t’i ngulisim në mendje çdo shqiptari se do të përmbysim skemën aktuale të shpërndarjes së të ardhurave. Energjinë elektrike e keni pasur 77, do të zbresë në 70 për 300 kilovatët e parë.

E keni pasur 60 për biznesin, dhe prapë do të zbresë te 60. Gjatë këtyre viteve, me HEC-et private, prodhimi i energjisë po shkon drejt dyfishimit të asaj që prodhonim para strategjisë sonë të ndërtimit të HEC-eve. Plus, ka burime të tjera nëse krijohen probleme, është TAP-i dhe mundësi të tjera.

Pra, ne do ulim energjinë. Kjo që bëri ai, ulje me 10 lekë, nga 95 në 85 dhe vetëm për një vit, është cinike dhe fyerje për qytetarët. Sepse kjo është thjesht një pilulë elektorale. Po njeriu me furnizimin e energjisë nuk luan me pilula elektorale. Jo!

Çdo shqiptar duhet ta dijë se me lëvizjen që bëri, u la qytetarëve, abonentëve në total 30 mijë euro. Por në fakt, nëse keni parasysh rritjen që i bëri energjisë nga 77 në 95, ai iu mori në 10 vjet 600 milionë euro, sepse vetëm me lëvizjen 10% krijoi 30 milionë euro. Sa u ka marrë me këtë 10%? Po kaq u ka marrë.

Me 20% u ka marrë dyfishin. Në 10 vjet janë 600 milionë, 300 milionë ka subvencionuar KESH-i në vitin 2023. Të gjitha para të qytetarëve.

Pra, ne japim një përgjigje më të mirë se kurrë problemit të energjisë për qytetarët shqiptarë, dhe qytetarët shqiptarë në statusin aktual meritojnë me të drejtë çmimin më të ulët në Europë. Po pse, thoni ju? Sepse jemi vendi që 98% të energjisë, për të mos thënë 100%, e kemi energji ujore, e cila tani në 60% të saj ka një kosto ndër më të ultat.

Digat e kanë shlyer veten, të paktën 2 herë deri tani. Kaskada e Drinit. Shpenzimet janë mirëmbajtja. Ndaj, ajo që ne shpallim është e moralshme dhe ka baza, qoftë ekonomike, qoftë morale. Shqiptarët mund të kenë çmimin më të lirë të energjisë, sikundër shqiptarët mund të kenë ujin e pijshëm falas, sepse është vendi me ujrat më të shumta pas Norvegjisë.

Po këtë, nuk mund të them se mund të jetë për njëherë, sepse do merrem me këto emergjencat, si të thuash.

Nafta. A mundet që qytetari me të ardhurat më të ulta në Europë, të ketë naftën më të shtrenjtë se Singapori? Singapori është në çatinë e botës për të ardhura për frymë dhe për çdo gjë, ç’është e vërteta.

Dhe nafta në Singapor, nafta në Zvicër shitet më lirë se sa në Shqipëri. Merr fund kjo. Zotim solemn. Kurrë nuk do mund të shitet ndryshe me një çmim tjetër, plus-minus 10% çmimit që shitet në Kosovë dhe Maqedoni.

Kosova e merr në Durrës, e transporton nga Durrësi në Prishtinë dhe e shet 30-40% më lirë se sa ne. Maqedonia, edhe më lirë. Marrin fund këto.

Nafta në Shqipëri do të shitet me çmimin që shitet në Kosovë dhe në Maqedoni, plus-minus 10%.

Shiko çfarë ndodh. Kosova me 440 mijë automjete, Shqipëria ka 870 mijë automjete, Kosova me 440 mijë automjete zhdoganon 630 mijë ton naftë.

Shqipëria me 870 mijë automjete zhdoganon 550 mijë ton naftë. Këta vjedhin ditë e natë.

Po kush i paguan këto? Këto i paguan çdo qytetar shqiptar, miqtë e mi. Se, edhe ai që nuk ka makinë e paguan me çmim transporti.

Nafta pasqyrohet në të gjitha çmimet e tjera, ndoshta më shumë se çdo lëndë tjetër.

Po edhe ata që kanë makina. Makina nuk është një luks, është një domosdoshmëri dhe qëllimi i çdo qeverie është të mundësojë që çdo qytetar apo familje të ketë makinën e vet. Padiskutim. Pra, merr fund kjo.

Dhjetëra mijëra ton u falen miliarderëve të botës, dhe vijnë jahtet e tyre në Durrës. Tv japin lajmet se erdhi x, y jaht. Marrin gjerr në 500 mijë litra naftë me çmimin qesharak, 500 lekë.

Po, po. Të gjitha ato jahtet që shihni ju, vijnë dhe i shtrojnë dhe në drekë Edi Ramës. Sheikët mirupafshim, mbushin dhe jahtet me naftë. Kurrë!

Janë të mirëseardhur, kushdo që të dojë, i mirëpresim, po kjo politikë merr fund. Ajo i kalon fermerit të Lushnjës, i kalon fermerit të Korçës, i kalon fermerit të Shkodrës, u kalon fermerëve ajo naftë.

Po si mund të japim ne naftën, dhjetëra mijëra ton naftë, se na bën reklamë ardhja e tij. Jo, mor zotëri. Me 500 mijë litra naftë që vjen vetëm njëri, ti bëj reklamë në gjithë botën çfarë të duhet.

Përveç kësaj, janë 300 mijë ton naftë kontrabandë. E bën vetëm shteti, askush tjetër. Po, e ka deklaruar, është e vërtetë që kjo është e vetmja qeveri në botë që, taton qytetarët e vet 1.1 euro, madje më shumë se 1.1 euro, 1.113 euro.

Po të vësh taksa të tilla që, nuk i ka askush, në një kohë kur Maqedonia i ka 3 herë më të ulëta, Kosova i ka dy herë më të ulëta, nënkuptohet që çmimi i çon lartë e më lartë.

Në vitin 2013, më 7 prill, nafta në bursë ishte 97 dollarë fuçia, dhe në treg ishte 140 lekë litri. Në vitin 2022, po më 7 prill, nafta në bursë ishte 97.2 dollarë, kurse nafta në treg, se kishte dhe bordet e Edi Ramës, shitej 128 lekë.

Nuk vuan kush në botë, siç vuajnë shqiptarët nga nafta. Por të themi atë që është, nuk ka shtet në botë që i merr qytetarit 1.1 euro për litër të naftës.

Amerika e shet me 0.8. Njërën nga këto dy data, në SHBA ishte 0.8 dollarë nafta.

Pra, ne u japim fund këtyre. Ne kemi një hapësirë shumë të madhe për t’u ulur me çdo qytetar, për t’ju shpjeguar dhe ky është vetëm 100 ditëshi i parë i yni.

Keni vënë re ju? Kanë kundërshtuar dot, kanë dalë në publik këta?

E kam ftuar, dhe do ta ftoj çdo ditë: hajde urdhëro dil në tv!

Kundërshtoji po deshe. Nuk kundërshton dot asgjë, sepse janë të gjitha 100% të realizueshme.

Po këto kërkojnë vetëm një gjë që, rrugët t’i ndërtojnë me çmimet që i ndërton Kroacia, vendet e BE, që shkollat t’i ndërtojë po me ato çmime që të përdorin standardet.

Ndaj dhe, theksova këtë. Sigurisht, programin e plotë do ta kemi nga mesi i shkurtit, por në këtë gropë të zezë që ka krijuar ai me varfërinë, mbyllja e saj sa më shpejt është gjëja më e domosdoshme.

Por ne do të kemi një program të shkëlqyer për arsimin, për kujdesin shëndetësor, dhe ju garantoj që nuk do të mbetet asnjë projekt, përkundrazi projekte shumë të mëdha do të realizohen siç kemi realizuar.

Pra, rikthehemi përsëri tek diaspora dhe shqiptarët jashtë vendit.

Një grafik intensiv pune. Çdo burim të mundshëm njerëzor dhe financiar do ta angazhoni në identifikimin e emigrantëve tanë me lista votimi, me takime me qytetarët. Dhe unë e përsëris prapë: këto zgjedhje janë një shans për çdo demokrate e demokrat, për çdo mbështetës të PD që të trefishojë votën e vet, me dy të tjerë që janë jashtë.

Secili nga ne ka këtu nga 2 deri 30 fis të vetin, kushërinj, miq, familjarë. Pra, telefonat tanë nuk duhet të pushojnë. Lidhjet tona me ta duhet të jenë të vazhdueshme.

Deputetëve iu kërkova, dhe do të bëhet një projekt secili, dhe ju ju kërkoj të krijoni grupet me individë që kanë njohjet më të mëdha. Kemi me qindra ne që kanë jetuar 10 vjet në emigracion, 5 vjet në emigracion, plot.

Kudo, në çdo degë, të krijoni grupe dhe sipas mundësisë së tyre, natyrisht, aty ku njohim, t’i nisni në mënyrë që ne fushatën tonë jashtë do ta bazojmë në qindra e qindra takime të vogla, të mesme, të mëdha.

Pra, nuk ndjekim ne takime pompoze që shkojnë deri në 200 mijë euro. Para të taksapaguesve dhe jo të taksapaguesve. Por ne ndjekim takime të shumta, me të cilët takojmë një numër se në ato takime të marra së bashku, e natyrisht të përballueshme plotësisht nga buxhetet modeste të anëtarëve dhe mbështetësve tanë.

Edhe kjo, është një domosdoshmëri. Ju jeni drejtues të degëve. Ju e dini më mirë se ku janë më së shumti matjanët, ku janë gramshiotët, ku janë librazhdasit, e me radhë.

Kështu që, edhe fushatën, ne kemi një grup koordinimi, por duhet edhe të informoni vetëm për të ditur, për të marrë ndonjë porosi. Pra, ju si drejtues dhe të gjithë drejtuesit vendorë, të gjithë eksponentët tanë janë të ftuar të kontribuojnë sa më shumë në takime në vende ku kanë të njohur më shumë.

Ne, kemi krijuar këtu faqen e regjistrimit të shqiptarëve jashtë vendit, faqen e PD. Duhet ta kemi shumë të qartë se, regjistrimi në faqen e PD-së ka vetëm një qëllim kryesor: t’i japë çdo shqiptari jashtë vendi udhëzimet e dobishme që ai të regjistrohet në KQZ.

Sepse, unë personalisht dhe ju keni marrë mesazhe të shumta si duhet të procedoni për të votuar.

Ne kemi tani faqen tonë, kemi call center për komunikime intensive, po modernizojmë edhe më tej mënyrat e komunikimit. Presim që ju të gjithë të regjistruarit që keni, t’i sillni me urgjencë që të regjistrohen dhe ata në portalin e PD. Në këtë mënyrë do të bëjmë çdo gjë për të kapur kohën e humbur që kemi, sepse këto zgjedhje për 1.5 milionë shqiptarë, de facto, mbyllen më 12 mars.

Në maj do të votojnë ata që janë regjistruar deri më 12 mars.

Kam besim se, do mund të përmbushim këto objektiva. Konstatoj një klimë optimizmi të madhe për fitoren e PD.

Shqiptarët e panë që, në qoftë se ka një tipar kardinal kjo parti është se, të pamundshmet i kthen në mundshme. Imagjinoni dhe pak, të mos i përsërisim gjërat, ku ishim para 3 vitesh dhe ku jemi sot. Çfarë etapash kaluam që, nuk i imagjinonim se do i kalonim dot, dhe ja ku jemi të gjithë. Dhe të sigurtë të jemi që fitoren e kemi përpara dhe varet kryekëput nga ne.

Kjo fitore varet, është në duar tona.

Po ua përsëris, për ta mbyllur këtë fjalë se, jemi dhe në një përvjetor të PD. Çdo demokrate e demokrat, po të kthejë kryet prapa dhe të thotë, të bëjë bilancin e kësaj partie, të pyesë: pse i realizoi kjo këto? Ju do gjeni, apo se çfarë është PD e vërtetë, mund të kishte edhe emër tjetër, ju do të gjeni, është parti e tolerancës.

Po të mos ishte parti e tolerancës, në 1991 ne i nxorëm armët kur përbysëm bustin. Por ne, nuk kapëm armët, ne forcën e argumentit. Dhe po ua them këtu. Në qoftë se humbëm pothuaj të gjithë fshatin shqiptar, e humbëm, kishte shkallë që ishte në mjerimin më të madh, por kishte shkallë indoktrinimi të tmerrshme, në 1992 nuk mbeti fshat pa na votuar. Kjo është e vërteta.

Pse e them këtë? Këtë nuk duhet ta harrojmë ne, sepse në fund të fundit, pavarësisht çdo gjëje, një tufë vlerash janë ato që janë shpirti i një force politike. Këto kemi ne, tolerancën, dinjitetin, familjen, interesin kombëtar. Kaq.

Ne reduktohemi në këto vlera, por këto vlera kanë qenë forca jetike e jona dhe do jenë forca jetike për sa kohë ne të mbetemi forcë kryesore politike. Ndaj dhe, bashkohuni çdo kontribut në PD. Nuk ke kurrë të drejtë të shkelmosh kontributin e një tjetri. Le të ketë gabuar! Mos u merr me gabimin, merru me kontributin.

Unë e kuptoj që, ka edhe në këtë rrugëtim 12-vjeçar, ka edhe ata që janë sistemuar, ose kanë vendosur bashkëpunim me regjimin. Se kurrë në kohëra nuk ka pasur pak kolaboracionistë. Po sa janë ata? Shumë të paktë janë ata. Ua them unë ju.

Mos rrini me obsesione, ata janë shumë të paktë. Po pse na duhet kjo? Na duhet kjo. Shikoni, në pamje të parë mund të thotë kush: po, pse? Jo, kjo është kapitale. Se, në qoftë se nuk bëjmë këtë ne, nuk bëjmë tjetrën, nuk krijojmë frontin me ata që nuk na kanë votuar, me ata që kanë votuar socialistët.

Këtu fillon. Prandaj thashë: cili është tipari ynë themelor? Toleranca. Ne jemi njerëz të tolerancës dhe njerëz të cilët iu afrohemi me tolerancë, me njerëzi çdo qytetari.

A ka sot, për ta mbyllur këtë fjalë, ua them me bindje të thellë: Nuk ka dallim më të madh se sa Shqipëria e 1991 me Shqipërinë e 2025. Por u rikujtoj një shkrim të një prifti polak, i cili vizitoi Shqipërinë në vitin 1991, dhe çfarë shkruan:

Shkruan: “Këtu, thotë, unë kam vizituar vende të varfëra”. Edhe citon: “Po, në ato vende, thotë, aty kishte një gjë, dyqanet ishin plot, por para nuk kishte. Kurse në këtë vend, dyqanet ishin bosh.”

Ne si jemi sot? Ne jemi me dyqane plot, por problemi është se nuk ka para. Problemi është se dyqanet janë plot, por janë mollë e ndaluar.

A e patë ju atë fshatarin që kishte dalë buzë rrugës dhe shiste 3 shishe raki mani? Sa merr ti, i tha gazetari. Unë marr 70 euro, i tha. Po gruaja? Asnjë euro, tha, s’merr gruaja.

Për atë, është e vërtetë ajo që tha prifti. Po nuk janë pak ata, janë shumë. Sepse, thashë edhe njëherë, janë 226 mijë pensionistë me pension të pjesshëm. Pastaj janë të papunët, me një pagë qesharake, të gjithë me ndihmën ekonomike që është gjithashtu qesharake.

Pra, të gjitha këto kërkojnë vetëm aftësinë tonë, përkushtimin tonë, njerëzinë tonë për t’i kapitalizuar dhe për të krijuar frontin më të gjerë që ka patur ndonjëherë opozita nga viti 1991 deri sot.

Ju falënderoj, unë këto kisha.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale