EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha teksa fliste nga foltorja e Kuvendi gjatë ditës së sotme është ndaluar sërish te mega-afera e djegësve. Berisha akuzoi Edi Ramën, Engjëll Agaçin dhe Erion Veliajn si kokat e aferës së inceneratorëve.
Në fjalën e tij, kryetari i PD-së, u shpreh se për Edi Ramën, ministrat e tij dhe qeveritarët, motoja është: erdhëm, vodhëm, ikëm
‘Drejtësinë të dashur qytetarë, duhet ta bëni ju dhe vetëm ju me protesta të fuqishme. Se për këta motoja; erdhëm, vodhëm, ikëm, kjo është e tëra, si e faktoi Ahmeti, do e faktojë Rama, Damiani, Taulanti, do e faktojnë të gjithë me radhë’, tha gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha në sallën e parlamentit.
FJALA E PLOTË:
Bashkëfajësia në megaaferën korruptive me vjedhjen e shekullit e detyron Edi Ramën të mos qëndrojë dot në këtë sallë, në një moment që ai nuk mund të ishte askund tjetër, veç këtu.
Ne kemi kërkuar mocion në përputhje me Kushtetutën, sepse ka ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, është arratisur numri 2 i ekzekutivit shqiptar, pasi u thirr nga drejtësia. Arratisja e tij, dëshmon se ju funksiononi me moton; erdhëm, vodhëm, ikëm, apo në njëjës; erdha, vodha, ika. Kjo moto i mbylli gojën Edi Ramës, para një akti të turpshëm, turpërues për shtetin, për të cilin Arben Ahmetaj faktoi plotësisht fajësinë e tij, para një akti të cilin bosi i mafias qeveritare të plehut, nuk guxon as ta shqipërojë një herë të vetme në fjalën e tij, 16 minutëshe.
Në retorikën më hipokrite dhe të paturpshme në historinë e një vendi, Edi Rama që nxin sot me mungesën e tij, u foli shqiptarëve, rrahu gjoksin për drejtësinë e tij, në një kohë që zëvendësi i tij, ja kishte mbathur para se prokuroria të firmosë të dërgojë në Parlament urdhrin për arrestin e tij, për të marrë leje për arrestin e tij.
Pse kjo, pse ky zhvillim.
Ky zhvillim të dashur qytetare e qytetarë, ka vetëm një shkak dhe arsye: afera e djegësave është afera korruptive më e madhe e shekullit. Në këtë aferë, qeveria shqiptare është dëshmuar në çdo nen të saj, një organizatë kriminale.
Në këtë aferë ka një përpjekje të madhe propagandistike të flasin për Mërtirin dhe Klodian Zoton etj., etj., por këta emra të dashur qytetarë, kanë një qëllim, të mbrojnë dhe maskojnë pronarët e vërtetë të sipërmarrjes së djegësave.
Po pse e them unë këtë?
Edi Rama për sipërmarrjen e tij, dhe kurrë jo për atë të Zotos dhe Mërtirit, shkelmoi me të dy këmbët strategjinë e hartuar me 4 milionë euro nga BE për trajtimin e plehrave me landfille dhe seleksionim.
Edi Rama për ndërmarrjen e tij dhe jo për Zoton, mblodhi 12 zëvendësministra, 9 prej tyre patën kurajo të refuzonin këtë akt antiligjor. Edi Rama për ndërmarrjen e tij dhe jo të Zotos, dërgoi me Tanin e tij, që tani do ta heqi, në ministrinë e Mjedisit për të kryer mbledhjen me 5 zv/ministra. Por edhe aty 2 prej tyre nuk firmosën. Pas kësaj, Edi Rama me Agaçin e tij thirrën një nga një dhe mblodhën firmat, dhe në kundërshtim me ligjin, shpallën gjendjen e jashtëzakonshme.
Duke shpallur mirënjohje e pakufishme për OLAF për zbulimin e Frida Gugales, Gugales bis, i bëj thirrje OLAF të hetojë shkelmimin e miliona eurove të taksapaguesve europianë si bazë për fillimin e aferës më të madhe korruptive për shqipatët, shkelmimin e strategjisë së trajtimit të mbetjeve dhe kalimin te ndërmarrja e Edi Ramës.
Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe kurrë, kurrë – dhe u lutem gazetarëve që kanë një kontribut historik në këtë çështje, të t’u thonë të vërtetën qytetarëve- jo Zoto e Mërtiri, por Edi Rama dhe Agaçi ishin ataqë caktuan Mërtirin dhe Zoton, dy njerëz që nuk ishin marrë kurrë me plehra. Kurrë në jetën e tyre, ligji i ndalonte të paraqiteshin për tendera.
Edi Rama, Agaçi dhe ministrat e tij anëtarë të organizatës kriminale, jo vetëm përzgjodhën dy njerëz që nuk ishin marrë kurrë, por u dhanë pa garë përsëri në kundërshtim me ligjin, firmosën përsëri në kundërshtim me ligjin, që të marrin aferën që fillimisht u tha 420 milionë, por që tani rezulton absolutisht 720 milionë euro.
Edi Rama dhe askush tjetër, me Agaçin firmosën për kontratën me negociatë të mbyllur. Me një procedurë që e ndalon ligji.
Të dashur, analistë, gazetarë dhe gazetare, po ua them si ish-kryeministër se, kryeministri ka përgjegjësi të plotë ligjore për çdo firmë që vendos, dhe përgjegjësia e tij nëse ai firmos, nuk është politike, por para së gjithasht është ligjore, është penale kur firma përbën vepër penale. Dhe firma e Edi Ramës për negociata të mbyllura, në një kohë kur Eduart Ahmeti drejtori i Agjencisë së Prokurimeve i kishte dhënë me shkrim mendimin se nuk nuk mund të ketë negociata të mbyllura, është firmë kriminale, është vepër penale e tij dhe Engjëll Agaçit dhe të gjithë atyre që e zbatuan.
Sepse një firmë antiligjore nuk zbatohet.
Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi janë kriminelët e vërtetë të aferës së djegësit të Tiranës.
Tani, zonja e zotërinj, meqenëse djegësi i Elbasanit u shpenzua me 22 mln euro, djegësi i Fierit me 40 milionë, oreksi vjen duke ngrënë.
Tani duhej shpikur koncesioni i Tiranës.
Dhe me koncesionin e Tiranës, kjo bandë, kjo kupolë e mafies së plehrave, garantonte të bëhej miliarder jo vetëm vetë, por edhe pasardhësit e tyre. Duhej një koncesion me afat 30-vjeçar, me afat për t’u zgjatur, një koncesion sipas të cilit kontrata nuk mund të zgjidhej kurrë.
A keni ndërgjegjie apo jo, ju që më shikoni kështu. Pse bëheni bashkëfajtor në një krim kolektiv që nuk është i juaji. Pse nuk ngriheni në mbrojtje të interesave të qytetarëve.
Ishte Erion Veliaj që fshihet si miu tani dhe përpiqet të hedhë fajin poshtë e përpjetë, që kaloi nga tender me prokurim publik djegësin e Tiranës, në koncesion. Ishte Veliaj që dërgoi 4 letra në Ministrinë e Financave. Njërën e hodhi poshtë Shkëlqim Cani, tre i hodhi poshtë Ahmetaj, por në fund tha ‘no koment’ meqë është çështje e pushtetit vendor.
Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Erion Veliaj kanë kryer një krim të paimagjinueshëm.
Prandaj nuk vjen dot ai se çdo vjedhje i duket pretencë.
A e dini shqiptarë, prandaj nuk vjen dot ai, se çdo fjalë i duket pretencë, çdo fjalë i duket se po i venë hekura në duar. Ai hekurat meriton për këtë që ka bërë. Kjo zonja që rri këtu, për djegësin e Tiranës i çon një shkresë dhe i thotë; z. Kryeministër nuk mund ti jepet 8 pikë bonus një kompanie që nuk ekziston askund mbi tokë.
Edi Rama dhe Engjëll Agaçi i dhanë bonus kompanisë ‘Integrated Energy’, që nuk ekzistonte. Kjo kompani u krijua vetëm 8 muaj më vonë pas bonusit. Dhe u krijua vetëm 1 ditë para se të shpallej fituese.
A keni ndërgjegje shoqërore ju që nuk qëndroni kundër kësaj? Pse bëheni bashkëfajtorë me mafien e plehrave të qeverisë tuaj?
Çfarë ju lidh ju me këtë?
Unë e kuptoj se Bushkën e lidhë se ka sjellë amendamentin në parlament, persona, për 550 mln lekë për Erion Veliaj.
Unë e kuptoj se ka dhe të tjerë këtu, po jo shumicë se skeni lidhje me të. Pse nuk laheni nga kjo. Pse pranoni ju të mos jetë ai këtu. Ne se kemi me ata që nuk janë të implikuar.
A e dini ju se çfarë ka bërë Damian Gjiknuri? Ky zotëri, pasi i skadoi koha djegësit të Elbasanit, si pronari e ‘AlbTek’ dhe i kaloi bashkisë, me Edi Ramën firmosin marrëveshjen e blerjes së energjisë për 30 vite. Ti absolutisht je njëlloj si Edi Rama përgjegjës për këtë.
Pra, qytetarë, ja pse nuk vjen Edi Rama, ja pse kërkojmë ne mocionin.
A duhet të heshtin këto zotërinj? Po këta heshtin sepse të gjithë këta këtu kanë aksionet e tyre në ndërmarrjen kriminale në historinë e vendit që është ndërmarrja e djegësave dhe unë përmenda vetëm disa.
Edi Rama foli 16 minuta dhe nuk tha asnjë fjalë për arratinë, për turpin më të madh. Ai mendon se shqiptarët janë alien, janë njerëz që nuk kanë asnjë lloj arsyetimi dhe logjike. Ata e shohin, por u them unë qytetarëve se kjo është vetëm një nga veprat kriminale të tyre.
Dhe se drejtësinë duhet ta bëni ju dhe vetëm ju me protesta të fuqishme. Se për këta motoja; erdhëm, vodhëm, ikëm, kjo është e tëra, si e faktoi Ahmeti, do e faktojë Rama, Damiani, Taulanti, do e faktojnë të gjithë me radhë.
Faleminderit!