Berisha: Antireforma territoriale e vitit 2014 ishte Leva e Arkimedit për shpopullimin! Shembulli i qytetarëve të Poliçanit duhet të frymëzojë edhe banorët e bashkive të tjera

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PËR REFORMËN TERRITORIALE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër projektin e qeverisë për reformën territoriale, duke deklaruar se reduktimi i bashkive është një tjetër goditje ndaj komuniteteve lokale dhe zhvillimit të zonave rurale.

Në prezantimin e propozimit të opozitës për ndarjen territoriale, kreu i PD, Sali Berisha tha se reforma e vitit 2014 ‘u faktua si një Levë e Arkimedit për shpopullimin e Shqipërisë’, duke akuzuar qeverinë se ka larguar qytetarët nga zonat e tyre përmes mungesës së shërbimeve dhe investimeve. ‘Koha për Shqipërinë rurale ndaloi. Mbi 45 për qind e popullatës humbi shërbimet, humbi qeverisjen direkte me njerëz të zgjedhur prej saj’, deklaroi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha kundërshtoi planin për uljen e numrit të bashkive nga 61 në 45, duke e cilësuar si një përpjekje për përqendrimin e pushtetit në duart e qeverisë. ‘Edi Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur dhe u tërhoq në mënyrë të njëanshme’, tha lideri demokrat.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vlerësoi protestën e banorëve të Poliçanit kundër shkrirjes së bashkisë së tyre dhe bëri thirrje që ky reagim të ndiqet edhe nga komunitetet e tjera. ‘Ata mbrojnë një të drejtë, ata mbrojnë një qeverisje që i duhet Shqipërisë për zhvillimin e saj dhe ndalimin e shpopullimit’, u shpreh ai.

FJALA E PLOTE

Reforma territoriale është një reformë e një rëndësie jetike për komunitetet lokale dhe shoqërinë shqiptare.

Antireforma territoriale e vitit 2014 u faktua në përfundimtare si një Levë Arkimedi për shpopullimin e Shqipërisë.

U faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme si një shtyllë kryesore e platformës së Vaso Çubrilloviçit për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre.

Cilido që lexon elaboratet e akademikut racist kriminel, ai në epiqendër të platformës së tij për shpopullimin, për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë, përcakton përkeqësimin e shërbimeve, mungesën e shërbimeve, mungesën e infrastrukturës, përkeqësimin e infrastrukturës dhe në këtë mënyrë vështirësimin maksimal të jetës së tyre aty ky janë.

Reforma që u përdor në vitin 2014, që solli nga 410 njësi vendore, bashki dhe komuna të marra së bashku, gjithsej 61 bashki apo njësi të qeverisjes vendore, ishte goditja më e rëndë që ajo që mund ta quajmë Shqipëria rurale, mori, dhe në tërësi Shqipëria, pasi pa Shqipëri rurale të zhvilluar nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar.

Mbi 45 përqind e popullatës humbi shërbimet, humbi qeverisjen direkte me njerëz të zgjedhur prej saj.

Humbi të gjithë perspektivën e jetesës në komunat ku jetonin.

Koha për Shqipërinë rurale ndaloi.

Unë ftoj mediat të shkojnë në ish-komunën Shëngjergj, tani është fshati Shëngjergj, ishte një miku im, prandaj po ua them, çfarë i thanë: nga viti 2013 gjer sot, në këtë zonë nuk është investuar një qindarkë.

Por u them unë ju, se në atë zonë dhe përtej asaj zone, janë disa nga potencialet malore turistike më mahnitëse të vendit.

Por përtej Shëngjergjit, për të ecur përtej tyre, rruga është vështirësisht e kalueshme,

Shkoni në çdo komunë. Asnjë investim.

Shkoni në Baldushk, investimi i vetëm mashtrimi i Erion Veliajt, që ndërtoi muzeun që u gjet i mbushur me thasë dafine për të vjedhur 400 milionë lekë. Shkoni në Prezë, në Ndroq, jeta, koha ka ndaluar në raport me zhvillimin dhe atyre u mbetet vetëm largimi.

Koha është e pamëshirë, shërbime nuk kanë. Nuk u lehtësua tregu i tyre.

3.2 miliardë euro u vodhën në pllakat e qendrave të qyteteve.

Me 3.2 miliardë euro u ndërtuan në Shqipërinë rurale mbi 8mijë kilometra rruga, u ndërtuan dhe u rindërtuan mbi 1 mijë objekte arsimi, qendra shëndetësore. Që të gjitha janë me regjistër.

Në 14 vite, as më gishtërinjtë e duarve nuk numërohen.

Dhe pas kësaj antireformë vazhdohet në mënyrën më të papërgjegjshme, më antishqiptare që nga 60 të kalojnë në 40.

Unë duhet të përgëzoj zotin Luçiano Boçi dhe të gjithë anëtarët dhe ekspertët e komisionit, të cilët punuan me një përkushtim të madh për një reformë te re elektorale, e përcaktuar si kusht për integrimin edhe në raportin e tetorit të Komisionit Evropian.

Natyrisht në 14 vite nuk zhbëhen dot ajo boshatisje e madhe që ka ndodhur, ajo braktisje e madhe që ka ndodhur, por një hap i rëndësishëm edhe drejt ripopullimit të zonave të devastuara, drejt ripopullimit të tyre, duhet të jetë edhe reforma territoriale.

Grupi i punës për reformën territoriale me bashkëkryetar Arbër Maznikun, një peng i njohur për shumë vese të tij, kur e them këtë, e them, një njeri që zbaton verbërisht urdhra bashkë me Ervin Demon, dy armiq kryesorë të komuniteteve lokale në Shqipëri me në krye Edi Ramën, dhe punuan, bënë konsulta në mbar vendin, mbeti konsulta në Tiranë për të finalizuar serinë e konsultave.

Ndërkohë që sigurisht grupi punoi për hartën, por atë do ta përfundonte pas konsultave të plota dhe pas ekspertizës ndërkombëtare që do merrnim.

Edi Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur.

E kuptoi se reforma territoriale ka ngjallur një pakënaqësi të madhe dhe se kudo që shkuan në konsulta, u mbështetën sugjerimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të PD.

U tërhoq në mënyrë të njëanshme, të padenjë, paraqiti në parlament një raport që nuk u paraqit në komision, që nuk mund të paraqitej kurrë në parlament, dhe e publikoi atë në të cilin tregon se në krimin e tij monstruoz kundër shqiptarëve nuk ndalet, do të heqë edhe 15 bashki të tjera, të reduktojë numrin e bashkive në vendin më malor të Evropës.

Në vendin që 80 përqind të sipërfaqes e ka male dhe kodra, ta përqendrojë në pëllëmbën e tij të zezë të dorës vetëm për qëllime shpopullimi, për qëllimi pasurimi, etj.

Ndaj dhe sot jemi këtu për të paraqitur raportin dhe ndarjen territoriale që ka parashikuar grupi i punës së opozitës në parlament.

Dhe ky projekt do paraqitej sipas planit për diskutim me qytetarët, të cilët me gjithë diskutimet e bëra, do kishin të drejtë të argumentonin plotësisht korrigjime, të argumentonin plotësisht shtesa, të argumentonin plotësisht riformulime.

Por kjo nuk ndodhi sepse pabesisht, në mënyrë të njëanshme, Edi Rama u tërhoq me projektin e tij totalisht i platformës së Çubrilloviçit.

Do ta mbyll duke përshëndetur banorët e Poliçanit, u treguan patriotë të vërtetë, çfarëdo që ishin, pa parti, socialistë, demokratë.

Me mbrojtjen që i bënë bashkisë së tyre, ata mbrojnë një të drejtë, ata mbrojnë një qeverisje që i duhet Shqipërisë për zhvillimin e saj dhe ndalimin e shpopullimin.

Shembulli i banorëve të Poliçanit duhet të frymëzojë, dhe jam i sigurt që do frymëzojë, banorët e të gjitha komunave që Edi Rama me një të rënë të lapsit u bie kryq vetëm për qëllime të zeza elektorale dhe mafioze të pasurimit të tij për të centralizuar gjithçka sa më shumë në duart e tij.

Dhe ftoj të gjithë banorët e bashkive të tjera të ndjekin shembullin e tyre.

Por ftoj edhe të gjithë banorët e bashkive të parashikuara për t’u ngritur pas një studimi pas një studimi shumë serioz të ndjekin shembullin e tyre.

Nuk mundet më një tiran të marrë vendime të tilla që shkelmojnë interesat e të gjithë shqiptarëve.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Isa Myzyraj, REPORT TV: Zoti Berisha, ditën e sotme është liruar nga burgu Ilir Beqaj. A keni një koment për këtë?

Sali Berisha: Komentet e mia janë këto, lirimi i Ilir Beqës është dëshmi e fundit flagrante e kontrollit të plotë dhe total të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama.

Totalisht!

Vetë akuza kundër tij ishte qesharake në raport me plaçkitjen e qindra milionë eurove.

Mos harro se sterilizimi, dhe iniciator është Edi Rama, të jemi të sinqertë, se dilte ekran më ekran me një gërshërë të thyer dhe me një pincë të ndryshkur se ja me çfarë operoheshin, rriti me 84 përqind çmimin e sterilizimit në Shqipëri.

Natyrisht Ilir Beqja do dilte se Ilir Beqja vjedhjet e mëdha i bëri me Edi Ramën.

Ilir Beqja do dilte se jo më pak përgjegjëse ishte Korba e Covid-it. Ajo është një nga figurat më të urryera në historinë e këtij vendi, përgjegjëse me qëndrimwt e saj kriminale dhe të Edi Ramës për 20 mijë vdekje shtesë nga Covid-i. Ajo ato të Covid-it, por mbi Covid-in.

Domethënë që Covid-i në Shqipëri u zhvillua më rëndë se në çdo vend tjetër sepse Shqipëria edhe në kulmin e Covid-it pati në dispozicion të qytetarëve të saj as gjysmën e shtretërve që kishte Kosova.

Kosova kishte 1200 shtretër, Shqipëria kishte 500 shtretër.

Bile t’i kërkojnë të falur Beqës që e mbajtën shumë.

Na fal o Beqje se të mbajtëm si shumë.

Isa Myzyraj, REPORT TV: Ish-zyrtarja e lartë e PD, sekretarja dhe anëtarja e kryesisë, është emëruar nga kryeministri Edi Rama në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit. A keni një koment për këtë?

Sali Berisha: Për sa i përket tjetrës, Isa, në një narkshtet të bazuar në drogën, korrupsionin dhe vjedhjen, natyrisht korruptimi i opozitës, burgosja e opozitës, rrënimi i opozitës është politikë kryesore e diktatorit Edi Rama.

Në këtë kuadër gjenden edhe individë që shiten dhe blihen sipas tregut të qeverisë.

Por i sigurt të jesh që opozita qëndron më e vendosur dhe më e pamposhtur se kurrë sot ndaj tij dhe e gatshme të bëjë gjithçka për largimin e tij nga pushteti.

Kjo pa asnjë dyshim.

Por, një njeri që bazon qeverisjen në akte të tilla, tregon se sa primitiv është si njeri.

Megjithatë, unë i përshëndes ata socialistë që dogjën dokumentet e partisë së krimit dje.

Ata provuan që nuk kanë lidhje me krimin. U distancuan.

Edi Rama përpiqet në çdo variant, por në fakt është absolutisht i pashpresë.

Është një kufomë e pakallur.

Do kallet politikisht.

Indrit Maraku, A2CNN: Dëgjuam shpesh sot të flitet për ndërkombëtarët. Nuk e di çfarë prisni prej tyre, nëse mund të ndihmojnë, nëse ka hapësira për dialog në këndvështrimin tuaj. Nëse ka hapësira për të minimizuar dëmet, pra nëse diçka mund të rregullohet në këtë sens me ndihmën e ndërkombëtarëve, a prisni diçka prej tyre?

E dyta, nëse mazhoranca do të vazhdojë në mënyrë të njëanshme me reformën territoriale në draftin e saj, a vihet në pikëpyetje prezenca juaj në komisionin e reformës zgjedhore?

Sali Berisha: Së pari, reforma e përbashkët territoriale dhe reforma e përbashkët zgjedhore janë të përcaktuara në raportin e Komisionit Evropian të tetorit të vitit të kaluar si kushte për progresin e Shqipërisë drejt BE.

Kjo dëshmon rëndësinë e madhe që BE u kushton këtyre dy reformave.

Ndaj dhe ne u angazhuam, natyrisht së pari për qytetarët shqiptarë, por edhe për këtë kërkesë, me seriozitetin më të madh në këtë reformë.

Ky akt i tërheqjes së njëanshme, bojkotit të njëanshëm të qeverisë ndodhi në një kohë vakancash, largimesh, por kam bindje të thellë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë një tërheqje të tillë.

Kanë investuar realisht kohë, financa, ekspertë për suksesin e kësaj reforme, të cilën Edi Rama në mënyrë të papritur e përmbysi.

Ne do bashkëpunojmë me të gjithë opozitën, por edhe me komunitetin ndërkombëtar për të bërë maksimumin e mundshëm që varianti në interesin më të mirë të qytetarëve të triumfojë në këtë reformë.

Dhe duhet të theksoj edhe njëherë, veçanërisht për median, se në rast se para vitit 2014 kishte 410 njësi të qeverisjes vendore, në total punonjësit në këto njësi ishin rreth 19 mijë.

Me zvogëlimin e tyre shtatë herë pothuaj në 61 njësi, sot ato kanë 41 mijë rrogëtarë.

Pra, jo që nuk u pakësua barra e taksapaguesve, por u dyfishua sepse u punësuan patronazhistët.

Ndaj dhe ne do insistojmë, do bëjmë çfarë kemi në dorë që kjo reformë të jetë një reformë për ripopullimin e Shqipërisë, të jetë një reformë për shërbimet sa më afër qytetarit, të jetë një reformë për mundësinë reale të zhvillimit të Shqipërisë rurale.

Kjo për pyetjen e parë.

Për pyetjen e dytë, ne po vazhdojmë punën me seriozitetin më të madh në reformën zgjedhore.

Ne kemi bindje se Edi Rama nuk pranon asgjë që lëkund apo cenon sadopak pushtetin e tij.

Por qëndrimi ynë është të hartojmë dhe paraqesim para shqiptarëve kodin zgjedhor më të mirë dhe të standardeve ndërkombëtare më të mira.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale