Berisha: Antireforma e Edi Ramës solli spastrimin e vendit! Decentralizimi dhe rajonizimi sipas modelit europian, zgjidhja për të rikthyer zhvillimin dhe shërbimet bazë në të gjithë territorin

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TRYEZËN E ZHVILLUAR NË KUADËR TË REFORMËS TERRITORIALE

EKSTRAKT

Në një tryezë të zhvilluar ditën e sotme mbi Reformën Territoriale, me përfaqësues të Partisë Demokratike në Komisionin e Reformës Territoriale në Kuvend, përfaqësues të Shoqatës së Bashkive, përfaqësues të pushtetit lokal ndër vite dhe ekspertë të ndryshëm, kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ngriti shqetësimin për pasojat katastrofale të modelit aktual të qeverisjes vendore në Shqipëri. Ai e konsideroi këtë reformë si një goditje të rëndë për qytetarët dhe zhvillimin e vendit, duke theksuar se reduktimi i njësive vendore nga 410 në vetëm 60 bashki ka çuar në shkatërrimin e shërbimeve dhe largimin masiv të banorëve nga zonat malore dhe kodrinore.

Berisha vuri në dukje se Shqipëria është një nga vendet më malore të Europës dhe se vendimi për të centralizuar qeverisjen vendore ka krijuar pasoja të rënda për banorët dhe për investimet. Ai nënvizoi se qytetet dhe fshatrat malorë po kthehen në zona të zbrazura, me infrastrukturë të shkatërruar dhe mungesë shërbimesh bazë, duke humbur potencialin historik, turistik dhe ekonomik.

Kryetari i PD-së kritikoi gjithashtu centralizimin e shërbimeve publike dhe menaxhimin e pasurive shtetërore, duke përmendur zyrën e vetme kadastrale në Tiranë dhe dështimin e platformës elektronike të e-Albania për të shërbyer qytetarët në zonat rurale dhe malore. Ai theksoi se modeli aktual ka favorizuar largimin e banorëve dhe ka bllokuar zhvillimin e territorit, duke shkatërruar shërbimet dhe duke penguar investimet lokale.

Si alternativë, Berisha propozoi rikthimin e komunave dhe bashkive në zonat kodrinore dhe malore me një numër të caktuar banorësh, në mënyrë që qytetarët të kenë shërbime bazë dhe investimet të jenë të qëndrueshme. Ai theksoi rëndësinë e decentralizimit dhe rajonizimit sipas modelit të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të garantuar zhvillim të harmonizuar në të gjithë territorin dhe për të respektuar të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

Berisha njoftoi gjithashtu nisjen e një debati kombëtar për Reformën Territoriale, me qëllim përpunimin e një skeme përfundimtare që të bazojë vendimet në kritere shkencore, demografike dhe territoriale, duke rikthyer zonat malore dhe kodrinore në qendër të zhvillimit kombëtar.

FJALA E PLOTË

Mirëdita dhe përshëndetje!

Dua të falënderoj organizatorët e këtij takimi, për një çështje parësore për qytetarët shqiptarë, për vendin në tërësi, për zhvillimin e Shqipërisë.

Reforma apo shkatërrimi që iu bë qeverisjes vendore pas ardhjes në pushtet të partisë së krimit, është një nga goditjet më të rënda që iu dha interesave të qytetarit shqiptar, që iu dha zhvillimit të vendit në mënyrën më absurde që shkon gjer në një krim kombëtar në Shqipëri, vendin që rreth 75-80% të territorit të saj e ka malor dhe kodrinor, u vendos një model që nuk ekziston gjëkundi, as në vendet më të sheshta të botës.

Pra, ky vend me territorin më malor u vendos në një model të fshirjes së popullatës nga këto territore. Dhe sot që kryeinjoranti, dhe jo vetëm një kryeinjorant, por është një armik që bëri këtë reformë, zbaton Paketën e Maleve në Maminas. Se atje ku janë malet, banorë nuk ka më, ose nuk ka ashumë banorë. Nuk ka më vlerë asnjë investim atje me këtë akt që ky bëri.

Antireforma që iu qeverisë vendore kishte dy kritere themelore: vjedhjen dhe votën. U shuan me një të rënë të lapsit me dhjetëra e dhjetëra komuna dhe bashki kundërshtare, dhe u bënë ndarje të tilla, ku në një korpus prej 1 milionë banorë ka vetëm 4 njësi të qeverisë vendore, dhe në një korpus me 120 mijë banorë ka 7 njesi të qeverisjes vendore. Krahasimi është Tirana dhe Gjirokastra.

A mund të imagjinoni ju, në një kohë kur Kashari është qyteti i 9-të në vitin 2011, ka qenë qyteti më i madh i Shqipërisë në banorë, në regjistrimin e vitit 2011. Se regjistrimi i fundit është i falsifikuar, asnjë shqiptar e ftoj të mos i referohet, se janë shifra të gatuara një vit rresht në institutin e mashtrimit të statistikave.

Pra, nuk ka paralel. Në qoftë se merr Zvicrën, një vend malor, ka 2110 bashki. Në qoftë se merr, Austrinë një nga vendet më malore, ka 2095 bashki, apo njësi të qeverisjes vendore. Kurse, Shqipëria me dy pëllëmbë fushë dhe tërësisht mal e kodër, nga 410 njesi të qeverisjes vendore u reduktuan në 60 bashki të vendit. Rezultati është katastrofal.

Në qoftë se shkon në të gjithë territoret rurale, koha është e ndaluar. Ndalon koha kur investohet në infrastrukturë, ndalon koha kur infrastruktura shkatërrohet, ndalon koha kur banorët largohen. Largohen, largohen masivisht. Procesi i urbanizimit është një ligj i zhvillimit, por kur ky ndodh për shkak të kushteve të papërshtatshme jetësore, ky është spastrim etnik. Ata ikin. Sepse çfarë kishte platforma e Çubrilloviçit: mos ndërto rrugë, mos ndërto shërbime, mos ndërto shkolla. Kjo është ajo. Nuk është e tëra: vriti, vriti. Jo, nuk është ashtu. Dhe mërziti që të largohen. Thelbi i platformës të Çubrilloviçit për shqitparët në Kosovë është të mërziten që të largohen nga vendi i tyre. Edhe këtu antireforma e Edi Ramës është një komponent thelbësor i platformës së Çubrilloviçit për spastrimin e Shqipërisë.

Qytetet të tëra janë zbrazur nga shërbimet bazë publike, nga institucionet bazë që përbëjnë edhe krenarinë e funksioneve të tyre.

Ato nuk u ofrojnë qytetarëve dot shërbime. Për të nxjerrë një dokument në arkivën e qytetit mijëravjeçar, qytetari i Shkodrës duhet të shkojë në Mirditë, se atje ka gjetur magazinat për të depozituar arkivën Edi Rama.

Në një kohë kur rrethet kanë pasurinë e tyre, traditën e tyre, por mbi të gjitha qytetarët duhet të kenë shërbimin.

E-albania që tani e tutje duhet të quhet Ergys Agasi Albania, shtoni EaAlbania.

E-albania është posta e Hazirit.

Cili ishte posta e Hazirit. E kam treguar edhe herë të tjera. Haziri ishte një patriot dhe ishte postier, merrte postën nga Kukësi e sillte në Tropojë.

Por shihte letrën. Por kjo letër thotë, me siguri Yllit ja kërkojnë djalin ushtar. E hidhte në Drin.

Kjo letër tjetër për filanin. Me siguri kërkojnë xhandarët që ta arrestojë. E hidhte në Drin.

Haziri e bënte nga vullneti për tu asistuar qytetarëve, por e-Albania nuk funksionon.

Prandaj të mendosh se do të përfitojë nga e-Albania qytetari në Pogon, Valbonë apo në Theth, apo në zona të tjera ku interneti nuk funksionon në mes të Tiranës dhe funksionoka atyre, do të thotë të tallesh me qytetarët.

Pse bëhen këto? Vetëm për të vjedhur.

Dhe tani së fundmi Shqipëria bëhet vendi unik në botë, me një zyrë të vetme kadastrale në kryeqytet për gjithë vendin. E merrni vesh ju se grabitja, plaçkitja e pasurive publike, tokave, brigjeve e trojeve është tani përparësi absolute e këtij regjimi.

Është përparësi absolute.

Tani ku qëndrojmë ne sot, se këto kanë ndodhur.

Ne duhet t’i japim përgjigjen më të shkëlqyer dy çështjeve themelore.

Së pari ishteresave dhe shërbimeve të qytetarëve shqiptarë.

Së dyti, përshtatjen me të gjitha kriteret e BE-së, mbasi siç dihet Europa e Bashkuar është edhe Europa e rajoneve.

Dhe Europa e Rajoneve është pikërisht projekti me të cilin BE-ja synon që të ketë zhvillim të harmonishëm në të gjitha rajonet e hapësirës Europiane.

Në parimin e parë, thashë u shumëzua me zero relievi i vendit.

Vetëm një armik apo injorant i degraduar mund të vepronte në këtë mënyrë.

Shqipëria për shkak të këtij relievi ka 18300 kilometra rrugë. Është relievi që i dikton këto. Ndaj dhe ne duhet të kemi dy standarde.

Standardi për Shqipërinë malore, kodrinore. Duhet të kthejmë komunat në të gjitha zonat kodrinore e malore ku ekzistojnë një numër i caktuar banorësh. Unë nuk mund të them aty ku nuk ka banorë, se ajo është proces i gjatë i ripopullimit. Por duhet të rikthehen të gjitha zonat kodrinore e malore në të cilat ka 1500 ose 1300 banorë.

Franca numëron 35 mijë komuna. Franca ka male, por është fusha e Europës, është bujqësia Europiane, potenciali më i madh bujqësor i Europës.

Franca ka 36 mijë komuna dhe ka komuna me 1500 banorë. Ndaj dhe ne duhet të rikthejmë me shpejtësi, me përparësi në zonat kodrinore e malore, shërbimet, komunat si thirrja e fundit dhe mundësia e fundit për të mos i përjashtuar ato nga territori i Shqipërisë.

Ato po shndërrohen në zona të vdekura, në një kohë kur në vende të tjera ato përbëjnë pasuri mahnitëse, përrallore.

Po të shkosh këtu mbrapa Dajtit, gjer në Martanesh, është një nga masivet malore më të bukura të Shqipërisë dhe Europës. Nuk shkon dot kush. Shkojnë ushtarët që bëjnë stërvitje dhe e kanë Bizën si pikën më të përshtatme të stërvitjes, në një kohë kur Biza mund të ishte edhe një nga qendrat më të bukura turistike të kryeqytetit.

Por jo, s’ka. Çfarë del jashtë unaze e destinuar të shkatërrohet. Duhet të marrë fund kjo.

Dy, duhet të përcaktohet numri i banorëve për bashkitë në qytezat apo qytetet satelite të qyteteve të mëdha.

Duhet të rikthehen bashkitë apo komunat, sido që të jetë termi.

Imagjinoni ju Tirana. Kamza është qyteti i 6-të më i madh në Shqipëri në 2011 se unë nuk i referohem ndonjëherë këtij censusit mashtrues të Edi Ramës, por i 2011 është i sakti.

Asnjëlloj motivi nuk kishte, përveç se urrejtja, prandaj duhet të krijohen bashkitë në mënyrë që aty ku është e mundur.

110 mijë ka Sukthi. Imagjinoni ju, i shuar. Sukthi është dy herë sa Shijaku me banorë. Nuk ka rëndësi për Edi Ramën. Pra duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për një hartë e cila duhet të bazohet në kritere shkencore, demografike, territoriale, ku të ketë dy parime themelore, shërbimet ndaj qytetarit dhe zhvillimin e vendit.

U them unë ju, Zvicra paguan fshatarët për të qëndruar në zonat ku janë. I paguan dhe me një kontratë rigoroze për shërbimin shëndetësore. Sepse atje ka gjallëri turistike shumë të madhe pastaj në ato komunitete.

Kurse ky merr masa të gjithëanshme që të largohen, largohen, largohen. Por ne me reformën tonë duhet të kemi parasysh këto kritere.

Së dyti rajonet. Ky e ka mendjen tek Komitetet Ekzekutive, e keni vënë re, ky do të kthejë Komunitetet Ekzekutive.

Sepse ky tani i zhveshur nga çdo lloj njohurie për qeverisjen përveç atyre që ka trashëguar nga etërit e tij, në mbledhjen e fundit të asamblesë së krimit, tema ishte raporton ministrja e parlamentit.

U kthye Komiteti Qendror, nuk e mbaj mend, në byronë politike po, por në komitetin Qendror nuk e di a raportonin ministrat apo jo, ky e ktheu tani dhe raportojnë ministrat në Komitetin Qendror të partisë së krimit. Po.

Është në kohërat e fundit dhe përpiqet që të shpikë çdo lloj mënyre për të mbijetuar.

Ne nuk kemi punë me Komitetet Ekzekutive. Përkundrazi ne jemi për të zbatuar të gjitha të drejtat kushtetuese të qeverive vendore.

Decentralizimi dhe dekoncentrimi. Dekocentrimi është një parim tjetër mjaft i rëndësishëm edhe për të balancuar pushtetet. Edhe për të ndarë pushtetet.

Nëqoftëse parimi i dekoncentrimit është një parim i domosdoshëm edhe për ekzekutivin, në vetevete, ky ka zbatuar hipekoncentrimin.

Ky keni për të parë ju, që përsëri të gjithë pushtetin që nuk ka ngelur asgjë, do ta ketë në një dorë dhe të gjitha agjencitë pas kadrastrës, njëra pas tjetrës do të mblidhen në Tiranë dhe do u dërgojë postën e Hazirit, e-Albanian, Diellën.

Ndaj dhe ne i qëndrojmë rajoneve të ngritura sipas modelit të vendeve anëtare të BE-së. Rajonet janë të domosdoshme, duhet të jenë me të gjithë kapacitetet për të ju përgjigjur Europës së rajoneve.

Sot ne përcaktojmë parimet, por një debat i gjerë në të gjithë territorin duhet të bëhet më mënyrë që të dalim me skemën përfundimtare.

Komisioni ka përpunuar disa variante. Apriori ne nuk kemi një variant përfundimtar sot, sepse varianti përfundimtar do të dalë pas një debati në shkallë kombëtare në të gjitha zonat që do të bëhet për këtë reformë shumë të rëndësishme.

Faleminderit shumë!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale