FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË AKTIVITETIN PËR 15 VJETORIN E ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË NË NATO
EKSTRAKT
Shqipëria shënon 15 vite e anëtarësuar në organizatën më të fuqishme të Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO.
Me këtë rast, Partia Demokratike e nderoi këtë arritje madhore për vendin e cila u realizua gjatë qeverisjes së saj nën drejtimin ish-kryeministrit, Sali Berisha. Lideri historik i Partisë Demokratike, pavarësisht se në kushtet e arrestit shtëpiak, mbajti fjalën përshëndetëse në aktivitetin e organizuar nga PD me temë “Roli prijës i PD për anëtarësimin në Aleancë”.
Berisha tha se, anëtarësimi në NATO ishte mrekullia më e madhe për Shqipërinë që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot. Ai tha se, në 46 vite diktaturë të egër staliniste, Shqipëria ishte jo vetëm vendi me propagandën më armiqësore, por ishte edhe vendi që zhvillonte betejat imagjinare më të shpeshta, me koston më të lartë kundër agresionit imagjinar të NATO-s.
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha mbajti fjalën e tij në aktivitetin e organizuar në selinë blu në 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Berisha theksoi se, Partia Demokratike ishte opozita e parë që kërkoi anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit në Shqipëri, dhe kjo i dha një reputacion të mirë.
Berisha vlerësoi se reforma më e dhimbshme gjatë qeverisjes së tij ishte ajo në ushtri. Në 15-vjetorin e anëtarësimit, Berisha theksoi se PS zgjodhi haptas qendrimet kundër NATO-s me portretet e Enver Hoxhës.
Kryetari i PD, Sali Berisha, tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ishte si rrjedhojë e një procesi kompleks reformash.
Berisha tha se, nuk anëtarësohej kurrë pa një demokraci funksionale, pa një ekonomi tregu funksionale, sepse të dyja këto dëshmonin për vlerat, për shtetin ligjor dhe liritë e garantuara të qytetarëve shqiptarë.
FJALA E PLOTË
Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërta!
Së pari, ju përshëndes ju, përshëndes oratorët që folën para meje dhe qytetarët shqiptarë kudo që janë.
Sot ne nderojmë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e cila në fakt është edhe mrekullia më e madhe e lirisë së Shqipërisë dhe kombit shqiptar nga shpallja gjer më sot.
Më 1 prill të vitit 2009, Aleanca e Atlantikut të Veriut vendosi të pranojë Shqipërinë, ish-vendin me propagandën më armiqësore ndaj saj për 46 vite si anëtar të plotë të kësaj organizate. Në 46 vite diktaturë të egër staliniste, Shqipëria ishte jo vetëm vendi me propagandën më armiqësore, por ishte dhe vendi që zhvillonte betejat imagjinare më të shpeshta me koston më të lartë kundër agresionit imagjinar të NATO-s.
Miqtë e mi!
Kjo ishte mrekullia më e madhe e lirisë për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe për kombe të tjera, por për ne mendoj se më shumë se për çdo komb dhe vend tjetër. NATO-ja si sistem i sigurisë kolektive ishte mburoja, mbrojtja më vendimtare më e fuqishme për një vend që për shkak të pozicionit të vet gjeografik kishte njohur pushtimet më të shumta dhe më të egra.
Mjafton të rikujtoj këtu që pushtimi i fundit të saj në prag të Luftës së Dytë Botërore, ishte një pushtim ta themi ishte një pushtim i pa regjistruar, në kuptimin që gazetarëve dhe gazetave, duhet të pranojmë, ai akt agresioni i përcoll me indiferencë të plotë nga qeveritë e kohërave.
Për ne, anëtarësimi ishte një mrekulli gjithashtu, sepse 5 shekuj në një perandori lindore, të themi, nuk është se nuk patën ndikuar dhe nuk ndikuan në identitetin tonë.
Dhe në këtë kontekst, anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e kombeve të qytetëruara perëndimore, ishte një arritje e jashtëzakonshme.
Ne sot nderojmë 15 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, porn ë datën 4 prill ne nderojmë 75 vjetorin e themelimit të Alencës së Atlantikut të Veriut, më 4 prill të vitit 1949 në Uashington.
Edhe ky themelim ishte mrekullia më e madhe e lirisë se kombeve, të hapësirës euroatlantike pas Luftës së Dytë Botërore.
Themelimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut 75 vite më parë në konceptin e presidentit Truman ishte garantimi i sigurisë kolektive të këtyre kombeve dhe jo vetëm kombeve që dolën fitimtare nga lufta, por edhe atyre që u ndodhën në pozicionin tjetër, por që kishin përqafuar rrugën e lirisë, për t’i mbrojtur ato që të ndërtojnë në paqe të ardhmen e tyre dhe për t’i mbrojtur nga ekspansioni i sistemit komunist.
NATO përmbushi misionin e saj historik. Kampi socialist u shpërbë. Falimentoi sistemi komunist në vendet ish-komuniste. Së bashku me të falimentoi, ose u shpërbë edhe blloku i Traktatit të Varshavës.
Në këtë kontekst, rënia e Murit të Berlinit e gjeti NATO-n, pasi kishte humbur kundërshtarin e saj dhe pikëpyetjet mbi të ardhmen e saj ishin jo të pakta. Por mendoj se përgjigjen e parë më të drejtë, por edhe të një rëndësie jetike për të ardhmen e NATO-s, e dhanë dy shtetarë vizionarë: Helmut Kohl dhe Xhorxh Herbert Bush.
Kancelari gjerman Helmut Kohl punonte për një Gjermani të bashkuar në NATO dhe BE. Duhet të pranojmë, përveç presidentit Bush, udhëheqësit e tjerë të asaj kohë, nuk ndjeheshin mirë me bashkimin e Gjermanisë.
Presidenti Bush e mbështeti plotësisht procesin, me opinionin dhe bindjen, se një Gjermani e bashkuar, anëtare e NATO-s dhe Komunitetit Europian të asaj kohe ishte fitore e lirisë, ishte fitore e Europës.
Rënia e Murit të Berlinit solli rënien e diktaturave komuniste në Europë njëra pas tjetrit. E fundit ra në Shqipëri diktatura komuniste. Por duhet të theksojmë se, nga të gjitha opozitat e vendeve ish-komuniste, do të ishte opozita shqiptare e para, ajo që do kërkonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Kjo, ndoshta sepse opozitat e vendeve të tjera, përsëri ndjenin frikën e Rusisë dhe shpallën si kërkesë të tyre asaj kohe, neutralitetin apo botën pa blloqe, gjë që përbënte një gabim, sepse ishte një reminishencë kjo e diplomacisë para rënies së Murit të Berlinit në kuptimin që pas firmosjes së traktatit të Helsinkit, de facto në ligjin ndërkombëtar u barazua legjitimja me jolegjitimen, u barazua sistemi legjitim i votës së lirë me sistemin jolegjitim komunist. Dhe kjo kishte ndikimin në psikologjinë e përgjithshme.
Pork jo nuk ndodhi me opozitën shqiptare. Sapo u ngrit në këmbë, sapo u themelua, PD shpalli se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të ishte objektivi i saj i pandryshueshëm.
Mendoj se ky qendrim paksa i veçantë, i dha Shqipërisë të paktën një reputacion të mirë në qarqet atlantike.
Në këtë kontekst, marrëdhëniet e Shqipërisë me vendin udhëheqës të NATO-s, SHBA, kishin një rëndësi parësore për progresin tonë në bashkëpunimin me aleancën.
Presidenti Bill Klinton ofroi si një platformë të re për vendet ish-komuniste, Platformën e Partneritetit për Paqen. Platformë, në zbatim të të cilit, këto vende përgatiteshin për procesin e anëtarësimit.
Nuk duhet të harrojmë se NATO është aleancë politike-ushtarake. Pra aleancë e vendeve të lira, me ushtri të kontrolluar plotësisht nga civilët.
Ne do ishim ndër qeveritë e para që firmosëm Partneritetin për Paqen. Por miqtë e mi, Shqipëria ka bërë shumë reforma gjatë këtyre viteve.
Në rast se do më pyesni mua, cila është reforma më e dhimbshme? Ju garantoj se reforma më e dhimbshme në rrafshin njerëzor dhe më gjerë, ka qenë reforma e ushtrisë? Por pse ishte e tillë? Sepse ne ishim një shoqëri totalisht e militarizuar.
Motoja: Ushtri e popullit ushtar, do të thotë, ushtri e popullit të militarizuar.
Ushtria shqiptare, për të militarizuar popullin e shoqërinë, ishte organizuar në 4 mijë pika hapje. Ishte e pranishme në çdo fshat, në çdo lagje. Një ushtri që i shërbente tërësisht paranojës së diktatorit. Një ushtri e bunkerizuar, e cila përbëhej nga 320 mijë rezervistë.
Por është në meritën e tyre, pavarësisht nga shkalla e lartë e indoktrinimit, pa diskutim, levë e Partisë së Punës, megjithatë pa reformimin e tyre, pa pranimin e tyre të reformave të thella, të cilat nga një strukturë mamuth për një vend të vogël, erdhën në një sistem ushtri kazermash me kontroll të plotë civil, ecja drejt aleancës do ishte e pamundur.
Pas largimit të PD, lufta në Kosovë, ofroi për Shqipërinë një shans të jashtëzakonshëm, në kuptimin që ajo u bë de facto territor i NATO-s për sa i përket veprimeve ushtarake të NATO-s në Kosovë. Vullneti dhe dëshira e Aleancës që Shqipëria të ecte me hapa më të shpejtë, ishin të mëdha.
Në këtë kontekst, përsëri SHBA do të paraqisnin Kartën e Adriatikut 3, në mënyrë që plani i veprimit për anëtarësim, i dhënë tre vite më parë, të mund të shpejtohej, të ecte. Por kjo nuk ndodhi.
Gjatë viteve 1992-1996, PS zgjodhi haptas qendrimet anti-NATO. Ajo sillte rezoluta në parlament ku dënonte bashkëpunimin e Shqipërisë me NATO-n dhe bashkëpunimin ushtarak të Shqipërisë me SHBA.
Pas viteve 2000, kjo parti humbi shanset dhe faktikisht ndërtoi si pengesë për avancimin e kauzës euroatlantike të Shqipërisë, muret e krimit të organizuar dhe korrupsionit,t ë cilat e shndërruan Shqipërinë në një vend të frikshëm për sigurinë e vendeve perëndimore.
Në vitin 2005, PD përsëri do i rikthejë objektivit e saj, ëndrrën e shqiptarëve për anëtarësimin në NATO.
Reforma serioze të rëndësishme në fushën e ushtrisë, pjesëmarrje e ushtarakëve shqiptarë nga Afrika, në Afganistan dhe vende të tjera, ishin një përfaqësim i shkëlqyer i Forcave të Armatosura, lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, shndërrimi i Shqipërisë në një vende të sigurt, lufta me efikasitet kundër korrupsionit.
Rikujtoj këtu se Shqipëria në vitin 2008, do shpallej një nga tetë vendet me luftën më të suksesshme kundër korrupsionit nga Transparency International.
Vizita e presidentit Xhorxh Bush dhe mbështetja e SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por theksoj këtu, kontributi i opozitës shqiptare ishte tjetër.
Sot unë kujtoj dhe vlerësoj punën e bërë nga Ilir Meta, Pandeli Majko, Arta Dade dhe personalitete të tjera.
Unë iu them shqiptarëve sot se ardhja e tyre në takimet e rëndësishme të NATO-s dhe qenia e tyre krah kryeministrit dhe parlamentarëve të mazhorancës, ka pasur një ndikim të veçantë, pozitiv, një ndryshim të madh dhe një garanci për partnerët tanë, se tashmë NATO mbështetet jo vetëm nga qeveria, por mbështetet edhe nga opozita.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka qenë një proces kompleks i reformave të gjithanshme. Nuk anëtarësohej dot kurrë pa një demokraci funksionale, pa një ekonomi tregu funksionale, sepse të dyja këto dëshmonin për vlerat, për shtetin ligjor dhe liritë e garantuara të qytetarëve shqiptarë.
Kështu që, ky proces u kurorëzua me sukses edhe falë një diplomacie aktive të ministrisë së Jashtme dhe ministrisë së Mbrojtjes, të parlamentit dhe përgjegjësive që merrnin zyrtarët shqiptarë ndaj këtij procesi.
Nuk mund të mos theksoj përsëri, dyzimin e PS, në njërën anë në samitin e Bukureshtit, ku do merrnin ftesën për anëtarësim në NATO, shoqërohej delegacioni edhe nga zonja Leskaj. Nga ana tjetër, kthehej në Tiranë, Edi Rama organizonte mitingje kundër anëtarësimit të Shqipërisë në NATO me portretet e Enver Hoxhës.
Por asgjë nuk pengoi, Shqipëria u anëtarësua dhe kjo është padiskutim një arritje pa dyshim historik.
Dua të them dy fjalë, përsëri.
Gjatë këtyre 10 viteve, sigurisht që ka një bashkëpunim të qartë midis Shqipërisë dhe NATO-s, dhe Shqipëria duhet të përmbushë çdo detyrim, pasi la detyrimet që kishte për buxhetin 2 përqind. E reduktoi buxhetin e mbrojtjes në shifra qesharake. Bazat e ushtrisë u bënë pre e mafies më të rrezikshme të Europës.
Për dijeninë tuaj, ata që nisën përgatitjen për bazën e Kuçovës, u arrestuan pa asnjë motiv nga rilindësit sapo erdhën në pushtet.
Dhe në një akt tjetër të turpshëm, Edi Rama urdhëroi zhdukjen nga të gjitha institucionet e flamurit të NATO-s, vetëm e vetëm se kjo ishte një arritje e paraardhësve të tij.
Sot, mendoj se në rrafshin politik, Shqipëria nuk plotëson më kriterët politike për të qenë anëtarë e kësaj aleance. Si në asnjë vend tjetër të aleancës dhe në kundërshtim flagrant me parimet më themelore të një shoqërie të lirë, sot të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e një njeriu.
Sot, 93%, 95% e të gjithë zyrtarëve të lartë të emëruar dhe të zgjedhur, i përkasin partisë shtet dhe ky model nuk ka asgjë të përbashkët me modelin politik të anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Sot njeriu që ka përqendruar të gjitha pushtetet, përdor sistemin gjyqësor për grusht shteti kundër parlamentit, për të marrë pushtetet e parlamentit.
Sot shkelmohen parimet universale të prezumimit të pafajësisë, të garantimit të ndarjes së pushteteve, ndaj dhe kjo forcë politike që realizoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e ka detyrë jetike vendimtare, në një kthesë të re historike, të rivendosë në Shqipëri, pluralizmin demokratik, ndarjen dhe balancën e pushteteve në përputhje me Kushtetutën.
Të vendosë kushtetutshmërinë si shtyllë qendrore të një rendi demokratik.
Dhe unë kam bindjen se ky përvjetor do jetë për ne, një përvjetor frymëzues për përmbushjen e objektivave të reja tona.
Edhe njëherë ju falënderoj shumë dhe ju uroj këtë ditë.