Berisha: Altin Zamani dhe Gjoka me pesë mbiemra kanë fshehur dokumentin që thotë se 5D e Veliajt plotëson çdo kusht ligjor për t’u cilësuar grup i organizuar kriminal

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare. ‘Shqiptarët i dhanë lamtumirën sot gjeniut botëror të letrave’, u shpreh Berisha gjatë protestës maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka reaguar ashpër në lidhje me aktin e rëndë të ndodhur para dyerve të SPAK, ku Pal Trashaj i dha fund jetës duke pirë fostoksinë pasi nuk e priste asnjë prokuror për denoncimet e tij. ‘Altin Faqeziu mashtroi publikisht shqiptarët në vend që të jepte dorëheqjen’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Kreu i PD, Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se e falënderon prokuroren guximtare që firmosi sekuestrimin e 50 milionë eurove të klanit Boçi, të lidhur me Edi Ramën dhe Erion Velinë. Berisha ndër të tjera theksoi se drejtësia e Gjokave, e Dumanëve, e Sadushëve është drejtësi e krimit.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin dhe gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, se janë fshehur dokumentin që fakton se dosja 5D e drejtorëve bashkiak të Erion Veliajt, i plotëson kushtet juridike për tu hetuar si grup i organizuar kriminal.

Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës kombëtare të thirrur nga opozita në 11 korrik përpara kryeministrisë. ‘Më 11 korrik t’i dëshmojmë njëri-tjetrit dhe botës se ne jemi shumica, se ne jemi fitorja, se ne jemi e ardhmja, se ne jemi ndryshimi’, theksoi Berisha në tubimin në mbështetje të tij që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Të dashur qëndrestarë dhe qëndrestare të pamposhtur, misionarë të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Të kauzës së shpëtimit të kombit shqiptar dhe Shqipërisë!

Ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, oratorëve fjalëzjarrtë të kësaj platforme që rrezatojnë në të katër anët të vërtetat e diktaturës së bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Të dashur miq!

Sot shqiptarët në Tiranë, Shqipëri dhe kudo që ndodhen i dhanë lamtumirën e fundit gjeniut botëror të letrave, shkrimtarit që qëmtoi në kohëra shpirtin shqiptar, shkrimtarit atdhetar që arriti apo ngriti në një Olimp të vërtetë letrat shqiptare, Ismail Kadaresë.

Ndaj dhe unë, për të shprehur nderimin, mirënjohjen tonë të pakufishme për shërbimet e tij ndaj kulturës, shpirtit dhe kombit shqiptar, ju ftoj ta nderojmë me një minutë heshtje gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadarenë.

I përjetshëm kujtimi i tij!

Të dashur miq!

Çdo ditë ky vend është shndërruar në vendin e dramave njerëzore ndër më të rëndat.

Çdo ditë Shqipëria dëshmohet vendi në të cilin qytetarët jo vetëm që nuk kanë asnjë lloj mbrojtje nga ligji dhe shteti, por janë viktima të korrupsionit, të vjedhjes, të trysnisë së krimit.

Çdo ditë korrupsioni, vjedhja merr jetë shqiptarësh.

Çdo ditë mungesa e drejtësisë shkakton vetëgjyqësi, shkakton vrasje ose vetëvrasje.

Dje kreu suicid publik një intelektual i shquar i Lezhës. Një personalitet i vërtetë i atij qyteti dhe rrethi, Pal Trashaj.

Viktimë e egër e skemave qeveritare korruptive.

Skemave të mikrokredive, për të cilat ministrat, qeveritarët e Edi Ramës i mbrojtën me ligj.

Pal Trashaj, një aktivist, një intelektual i lirë, ishte një zë vibrant në jetën politike dhe sociale të Lezhës.

Mori një kredi tek skemat gjakpirëse dhe ajo e çoi si rezultat i veprimeve antiligjore, shtetërore, gjer në vetëvrasja.

Dje, Pal Trashaj, për të cilin unë i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve, të afërmve të tij në Lezhë, para gazetarëve deklaroi se unë erdha këtu të takoj Altin Zamanin. Dhe ai, pas orësh të tëra, nuk më priti. Erdha këtu, sepse tha ai, kam denoncuar ministra, ish-ministra, deputetë, zyrtarë të narkoqeverisë.

Për këtë arsye, u deklaroi ai gazetarëve, unë piva helmin e vdekjes.

Skenë shekspiriane!

Kurse pas këtij akti, Altin Faqeziu, mashtroi publikisht shqiptarët.

Altini i pafytyrë u tha shqiptarëve se erdhi dhe po kërkonte një OPGJ. Ndërkohë kur i ndjeri u deklaroi gazetarëve, kërkova takim me Altin Dumanin, sepse kam denoncuar ministra, ish-ministra, për vepra kriminale.

Shikoni pra, as para vetëvrasjes, as para vdekjes së një njeriut të pafajshëm që kërkonte drejtësi dhe drejtësi nuk gjente, që Altin Zamani nuk guxonte të ballafaqohej me të, se fshehte denoncimet e tij.

Ai nuk impresionohet, ai nuk tërhiqet. Ai është si me qenë i biri apo vetë pesë herë me kriminel se Nuredini, kushëriri i tij.

Mashtrues i pafytyrë publik!

Në vend të kërkesës ndjesë publike dhe dorëheqjes së menjëhershme nga detyra, mashtron shqiptarët si një ordiner i pafytyrë se ai po kërkonte një OPGJ.

Miqtë e mi!

Kjo dramë që u luajt në dyert e Skrapit të partisë është një apel për çdo shqiptar të ngrihemi.

Të ngrihemi se pa drejtësi nuk ka liri.

Se drejtësia e Gjokave, e Dumanëve, e Sadushëve është drejtësi e krimit.

Drejtësi e narkokrimit.

Drejtësi e narkoshtetit.

Askush nuk duhet të dekurajohet.

Shqipëria, ju garantoj se ka juristë të shkolluar në shkollat më të mira të botës, se edhe në sistemin e sotshëm ka nga ata që i kanë shpëtuar gjahut të shtrigave sorosiane, me të cilat Xhorxhi e shndërroi drejtësinë në degë të ekzekutivit, të gatshëm të bëjnë ligjin, të respektojnë ligjin, të respektojnë Kushtetutën.

Jam këtu për të përshëndetur prokuroren guximtare që firmosi sekuestrimin e 50 milionë eurove të klanit Boçi, të lidhur me Edi Ramën këmbë e kokë; të klanit Boçi, të lidhur me Erion Velinë këmbë e kokë; të klanit Boçi, të lidhur me Velicën këmbë e kokë.

Thuhet se gruaja e Boçit ka qenë edhe këshilltare e Edvin Ramës.

Por miqtë e mi, kjo zonjë apo zonjushë se unë nuk e njoh, ka një rrogë të paktën katër herë më të ulët se Zamani dhe zamanët e tjerë të Skapit.

Dhe me një firmë sekuestron më shumë se në pesë vite Skrapi i partisë.

As nuk ka mbrojtje, as nuk ka badigardë, por ka nderin dhe integritetin e vet dhe merr vendime të tilla.

Miqtë e mi!

Përsëri në këtë sistem të shndërruar në degë të ekzekutivit, nuk ka vetëm Gjoka me pesë mbiemra, Zamanër antikushtetues, Kraja xhelat Sigurimi, Millonai skllave mjerane e bandave, por ka gjykatës të ndershëm, të cilët i thanë Edi Ramës, na pe se krimi i asociuar ekziston.

Se grupi i organizuar kriminal ekziston në administratën.

Se drejtorët e Erion Veliajt janë grup i strukturuar kriminal.

Prej një muaji, Altin Zamani, prej një muaj Gjoka me pesë mbiemra që qëndron aty për krimet që ka kryer, bashkë me atë tjetrin, kanë fshehur dokumentin.

Dokumentin i cili thotë se 5D e Erion Veliajt plotëson çdo kusht ligjor për t’u cilësuar grup i organizuar kriminal.

Por Altin Zamani, në marrëveshje me Edi Ramën, ka ndaluar përdorimin e neneve për grup të strukturuar kriminal apo për organizatë kriminale për zyrtarë të administratës, ministra e të tjerë.

Neni thotë: grup i strukturuar kriminal quhet kur tre persona ose më shumë janë të lidhur në një vepër penale, bashkëpunojnë për një kohë të caktuar.

Plotësojnë çdo kriter, grupi i strukturuar kriminal është Edi Rama, Engjëll Agaçi, Artur Metani, Erion Veliaj.

Qytetarë dhe qytetare, kur një prokurore pa asnjë mbrojtje guxon dhe godet klanet e krimit të Edi Ramës, kur një gjykatës në emër të ligjit shpall grup të strukturuar kriminal banditët e Erion Veliajt, a nuk është ky një detyrim madhor për çdo shqiptar të ngrihet në këmbë për t’u treguar vendin këtyre bandave?

Nuk mund të presë një shoqëri e tërë nga një prokurore apo disa, nga një gjykatës apo disa, që të shkelmojë këtë shtet kriminal mafioz, që shkelmon çdo ligj, çdo normë, çdo parim?

Jo dhe jo, duhet të jemi ne, qindra mijëra, të bëjmë detyrën tonë.

Të premten, qyteti te bashkia.

Prania e kreut të grupit strukturuar kriminal të bashkisë, që mbrohet nga Altin Dumani, është poshtërim për të gjithë qytetarët e Tiranës.

Ndaj dhe e premtja le të jetë dita e fundit e tij.

Dita e turpit e tij.

Dita që duhet të varet në shtyllën e turpit të historisë.

11 korriku është dita e çdo shqiptari.

Është dita e të gjithë qytetarëve që e duan Shqipërinë.

Është dita e çdo shqiptari që i qan, që i lëngon shpirti dhe zemra për zbrazjen e këtij vendi.

Është dita e çdo qytetari që i dhemb shpirti dhe zemra kur mendon se 18 përqind e fëmijëve nuk kanë më shumë se ose një dy vakte ushqim në ditë.

Është dita e çdo shqiptari që ka zemër dhe i dhemb shpirti kur mendon se qindra e mijëra të sëmurë me sëmundje të rënda nuk marrin dot ilaçet e tyre sepse Edi Rama blen stolinë për oborrin e tij 4 milionë euro.

Sepse shpenzon me udhëtimet me avion-taksi 21 milionë euro.

Ndaj dhe me 11 korrik, t’i dëshmojmë njëri-tjetrit, t’i dëshmojmë botës se ne jemi shumica. Se ne jemi fitorja. Se ne jemi e ardhmja. Se ne jemi ndryshimi.

Sepse ne do bëjmë zgjedhje të lira, do fitojë opozita, do fitojë Shqipëria.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale