FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka akuzuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri, se po përdoret nga regjimi i Edi Ramës për forcimin e pushtetit të tij dhe për të goditur opozitën. ‘Çdo ditë që kalon amnistia e Dumanit, e Zamanit dhe organizatës së tij kriminale ndaj qeveritarëve bëhen më ndëshkuese për qytetarët shqiptarë’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.
Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, pasi sipas kryedemokratit, qëndron në atë detyrë në kushte antikushtetuese. ‘Altin Dumani jep dorëheqjen, je aty në kushte antikushtetuese. Kur McGonigali u dënua në SHBA, ti hape dosjen për të mbrojtur Edi Ramën’, theksoi Berisha në tubimin qytetar që zhvillohet në mbështetje të tij në ‘Rrugën e Shpresës’.
Lideri i opozitës është ndalur edhe njëherë tjetër te akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit përsa i përket nënshtrimit të tij ndaj kryeministrit Edi Rama. Sipas Berishës, kryedemokrati po ‘mbahet në arrest shtëpie sepse Altin mercenari me urdhër të Ramës, po heton oponencat për projektet e Libenskinit’.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta drejt kreut të SPAK, Altin Dumani, përsa i përket hetimeve mbi skandalin e përfshirjes së Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit, në laboratorin e kokainës në Xibrakë. ‘Çfarë po ndodh me Xibrakën? Mediat shkruajnë se Dumani e zhduku dosjen në të cilën shkruhej; personi i paidentifikuar, Olsi Kristaq Rama’, theksoi Berisha.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të shqiptarëve, të kauzës së lirisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes.
Beteja juaj është e një rëndësie vendimtare për rikthimin në Shqipëri të ligjit, të drejtave të njeriut, kushtetutës, drejtësisë për qytetarët shqiptarë.
Betaja juaj është e një rëndësie shpëtimtare për shpëtimin e shqiptarëve nga ky sistem i vjedhjes së fondeve dhe pasurive të tyre publike i paparë në tërë historinë tonë.
Beteja juaj ka një rëndësi vendimtare për rikthimin në Shqipëri të votës së lirë të shqiptarëve.
Beteja juaj ka një rëndësi vendimtare për përmbysjen e narkoshtetit dhe fitoren e opozitës shqiptare.
Çdo ditë që kalon, të këqijat, zullumet e kësaj qeverie mbi qytetarët, trashen, bëhen më të mëdha dhe më të rënda.
Çdo ditë që kalon amnistia e Dumanit, e Zamanit dhe organizatës së tij kriminale ndaj qeveritarëve bëhen më ndëshkuese për qytetarët shqiptarë.
Çdo ditë që kalon shqiptarët janë kombi i vetëm me drejtësi të munguar.
Defakto në Shqipëri drejtësia përdoret vetëm për ndëshkimin e opozitës dhe për forcimin e pushtetit kriminal të Edi Ramës dhe bandës së tij, kurse qytetari për të drejtën e tij, duhet të presë 10-15 apo më shumë vite sepse ajo nuk ekziston më.
Miqtë e mi!
Kjo betejë është vendimtare për të ndalur turravrapin e kësaj diktature të bazuar në aleancën e Edi Ramës me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Sot Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe botë në të cilin falë mercenarëve me Skrapin e partisë, tre drejtuesit kryesorë të partive kryesore opozitare janë në ‘arrest shtëpie’, hetim, apo ndjekje penale.
Gjithçka në kundërshtim flagrant me çdo standard dhe ligj të një vendi të lirë.
Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie sepse Altin mercenari i Edi Ramës, me urdhër të këtij të fundit u deklaron shqiptarëve se ai duhet të rrijë në arrest shtëpie, sepse po heton oponencat për projektet e Libenskinit.
Ky amoral dhe i pafytyrë, ky hajdut i 99% justifikon arrestin e shtëpisë me oponencat, apo me ndërtimin e shkallëve të sigurisë në pallate.
Ky hajdut i zhveshur nga çdo normë dhe standard, me një urrejtje për opozitën, mendon se do i shpëtojë ndëshkimit që meriton. Ndaj dhe kalon si lake pengmarrës gjithashtu, nga zyra në zyrë, duke kërkuar ndryshimin e kushtetutës sepse ai ka frikë dhe tmerr nga krimet që ka kryer.
Ai çdo natë kalon në ankthe dhe e di çfarë e pret. Jeton në ëndërrat se Ulsiu, krimineli elektora Ulsi Rama, krimineli elektoral, Edi Rama, kryehajduti i vendit Edi Rama dhe kriminelë të tjerë, si nder për amnistinë dhe mbylljen e dosjeve do ti zgjasin mandatin këtij banditi në krye të Skrapit.
Miqtë e mi!
Mos harroni asnjëherë mashtrimin e tij të paskrupullt dhe të turpshëm se deklaronte në KLP se ai ka përveshur llërët, se ka aq shumë punë dhe nuk ka hetues, një mashtrues ordines.
Dhjetë herë më i ndershëm është seriali killeri i tij kushëri, Dumani tjetër që ky i shet dosjen pasi rrëfehet për krimet që ka kyer.
Ky mashtron shqiptarët se është i mbingarkuar, paçka se krahasur me prokurorinë e Krimeve të Rënda, me Task Forcën kundër Korrupsionit të marrë së bashku, ky sot ka trefishin e personelit.
Ky sot ka pesëfishin e rrogave, ky sot është gjobëvënësi më i madh në Shqipëri.
Dëgjoni miqtë e mi!
Ky thërret në prokurori për hetim Baton Haxhinë. E kuptoni ju kiminë time për Baton Haxhinë, por e thërret se ti ke blerë nga një biznesmen, një shtëpi të cilën atij ja kishte shitur, Ilir Meta. A ka akt më të turpshëm.
Po mirë ti blerësin e parë do e pyesësh, por me të dytin çfarë ka lidhje ai, apo se dikur ka qenë e armikut Ilir Meta.
Ua solla këtë shembull se sa i shpifur, se çfarë morali ka ky pervers, se si përdor ky hetimin dhe ligjin, për urdhërat e Edi Ramës.
Dhe mos harroni kurrë se ky çdo sekond, çdo orë dhe ditë që qëndron në post, qëndron në kushte antikushtetuese.
Nga 6 vota, kushtetuta përcakton se në mënyrë taksative që duhej të kishte, është zgjedhur me 5 vota dhe me presion të madh.
Jep dorëheqjen e o faqezi, se Kushtetuta nuk është morali yt, nuk është defterja jote, por është ligji themelor i shtetit.
Jep dorëheqjen se je në krim kushtetues.
Jep dorëheqjen sepse qëndron aty, falë amnistive monstruoze të krimeve qeveritare, që bën.
Jep dorëheqjen, sepse ti u the shqiptarëve se nuk sekuestroj ndërmarrjen e djegësit të Tiranës së humbasim arbitrazin.
O nënpunës i shpifur i Edi Ramës, pa dinjitet. Nuk është kjo detyra jote, detyra jote është të ndëshkosh ata që vodhën 136 mln euro dhe ti nuk sekuestron sipërmarrjen që gllabëroi 136 milionë euro.
Shqiptarët nuk të harrojnë ty, mor sharlatan i panderë, kur u thoje se nuk mund të hetoje McGonigalin dhe kur McGonigali u dënua nga Gjykata e SHBA, ti hape dosjen për të mbrojtur Edi Ramën.
Ku i ke hetimet, ku janë, ku është dosja nga SHBA?
As ke fytyrë, as nder, as dinjitet.
Ti mendon se do të shplash Edi Ramën nga akti botëror korruptiv, i korruptimit të McGonigalit.
Jo mo jo, do të nxish më shumë fytyrën tënde, seç e ke, por amnisti Edi Rama nuk merr kurrë nga ajo dosje.
Ju që nga mëkatet tuaja përrallisni poshtë e përpjetë në mbrojtje të tij, u pyes unë ju: a nuk ishte ky sharlatan, mercenar, që deklaroi për Amant Josifin që kishte vjedhur miliarda euro qytetarëve europianë, me call centera, me Olsi Ramën, se ne nuk e hetojmë atë, por e heton Spanja paçka se krimi monstruoz kishte ndodhur në Shqipëri.
Por ti se hetoje dot atë se merrje valixhet me paratë kallp të Olsi Ramës dhe Amant Josifit.
Po ku mund të shpallësh ti amnisti. A ka krim më të shëmtuar se ky.
Çfarë ndodh me Xibrakën. Tani mediat shkruajnë se e zhduku dosjen, dosjen në të cilën në çdo faqe dhe kapitull shkruhej; personi i paidentifikuar, Olsi Kristaq Rama.
Miqtë e mi!
Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë kurrë të ardhme pa rikthyer në Shqipëri, drejtësinë e pavarur.
Ata që mbrojnë Dumanin, mbrojnë korrupsionin, amnistrinë e krimit, amnistinë e krimit elektoral. Ata janë mbështetës të verbër të Edi Ramës, të korruptuar nga Edi Rama.
Altin Dumani është masha e regjimit, është masha e Edi Ramës.
Lidhjet e tij me botën e krimit, dalin gjithnjë e më shumë në dritë. A e morët ju vesh edhe njëherë.
Xhori i pandehur për respiratorët e njerëzve që vdiqën nga kovidi, është dhe i preferuari kryesor i tij, që i firmos tenderat me 99.9 % se i ndajnë se bashku.
U ndal në këto momente miq, se pa drejtësi liria është inekzistente.
Se pa drejtësi ligji është tallje dhe përqeshje.
Se pa drejtësi shoqëria është në parashtet dhe në vetëgjyqësi.
Ndaj dhe betejën tonë të fuqishme për të pëmbysur Edi Ramën, për qeveri teknike, zgjedhje të lira dhe të ndershme ta vazhdojmë gjer në fitoren tonë të plotë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!