PRONONCIM I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA PËR MEDIA PARA PARLAMENTIT
EKSTRAKT
Ditën e sotme gjatë një prononcimi për media para Kuvendit të Shqipërisë, ku deputetët e opozitës po ndalohen nga Garda e Republikës me urdhër të mazhorancës të mos futen në parlament, Kryetari i PD Sali Berisha tha se, nuk ka akt më të shëmtuar se sa të rrëmbesh që gazetar i cili ka publikuar dokumente. Kryedemokrati e cilësoi këtë veprim të SPAK si një akt kriminal, antikushtetues që kryhej dikur nga policia sekrete e Enver Hoxhës.
Berisha tha se, ky rast do ndiqet me forcën më të madhe kundrejt atyre që kanë kryer këtë sulm kundrejt gazetarit Qyno, i cili thjesht ka kryer punën e tij korrekte.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se dosja Dumani është shitur, dhe në vend që të arrestohen bashkëpunëtorët e krimit në SPAK, arrestojnë gazetarët.
PRONONCIMI I PLOTË
Akt më i shëmtuar në historinë e vendit ndaj mediave, të rrëmbesh një gazetar pse ka publikuar dokumente, është akt kriminal, antikushtetues, është akt që kryhej vetëm nga falangat e policisë sekrete të Enver Hoxhës dhe nuk ndodh në një vend demokratik.
Ne do e ndjekim këtë me forcën më të madhe për të bërë përgjegjës të gjithë ata të cilët kanë kryer dje këtë akt ndaj një gazetari, i cili për hir të së vërtetës ruan një korrektesë të admirueshme në raportet që i bën publikut për kronikat që jep.
Ky akt vinte si një maskim që anëtarë të grupeve kriminale në SPAK, i bëjnë veprimtarisë së tyre.
Ata shesin dokumente, duan të informojnë me çdo kusht bandat dhe krimin, por një gjë është e sigurt, kurrë, asnjë gazetar nuk mund të marrë asgjë në dosjen e tyre nëse ata nuk shesin dokumente dhe nuk i nxjerrin.
Kështu që, akti ndaj gazetarit Qyno është një akt tipik i një regjimi policesk, është një rrëmbim shtetëror, është i dënueshëm dhe unë, edhe dje, edhe sot, ftoj mediat në Shqipëri dhe në botë të reagojnë me forcën më të madhe ndaj këtij akti antikushtetues, antiligjor, çnjerëzor, një akt që shkon në përmasat e një terrori, një pengmarrje dhe tejkalon çdo lloj imagjinate.
Edhe njëherë e them, dosja Dumani është shitur. Nuk ka asnjë shans tjetër që Elton Qyno të ketë shkuar dhe shkulur nga dosja e prokurorit bisedën e bërë.
Prandaj dhe ata në vend që të hetojnë bashkëpunëtorët e krimit në SPAK, ngatërrojnë adresën dhe arrestojnë gazetarë, të cilët kurrë nuk duhet të deklarojnë burimin.
Gazetari që deklaron burimin, merr përsipër hjekësin, i cili është gjithmonë më i ligë se dorasi. Ndaj dhe akti është në rrafshin moral, më i ulëti që mund të bëhet.
Ky është tmerri nga opozita i Edi Ramës, i cili si rrugëzgjidhje ka gjetur të mos futet asnjë deputet i opozitës në parlament.
Kjo është marrje e plotë në kontroll policesk të parlamentit nga garda e kuqe.
Ky është rast që nuk ka ndodhur kurrë.
Janë disa deputetë të përjashtuar që nuk u takon të futen, por janë shumica që duhet të jenë në seancë.
Por sot kanë zgjedhur me urdhër të Edi Ramës të bllokojnë çdo deputet të opozitës së vërtetë në parlament.
Vërini kamerat aty dhe shihni se ku janë grevëthyesit.
Kjo është Shqipëria që pretendon të hapë negociatat, kjo është narkodiktatura në Shqipëri.
E patë Edi Ramën, i cili shkoi si palaço dhe kthehet si kloun.
Bëri klounin në prani të drejtuesve të BE dhe udhëheqësve të BE dhe rajonit.
Ai zgjodhi të bëjë klounin, rolin që i shkon më shumë se çdo rol tjetër.
I depersonalizuar në mënyrë ekstreme, atij i mbetet të bëjë klounadën siç është.
Parlamenti ja ku është dhe në Bruksel, siç e patë ju, ai u përpoq të mbulojë vendimin negativ për Shqipërinë, me një klounadë të turpshme për një drejtues.