Berisha: Ajo që ndodhi në parlament është thirrje lufte. Shqiptarët do të flasin në 22 Mars, për ti dhënë përgjigjen e merituar organizatës kriminale të kryesuar nga Rama

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i  Partisë Demokratike Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij, për goditje ndaj parlamentarizmit, shtetit ligjor dhe procesit demokratik në vend. Berisha e cilësoi situatën si një moment kritik për institucionet dhe për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri, duke deklaruar se veprimet e shumicës parlamentare përbëjnë, sipas tij, një precedent të paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar.

Në fjalën e tij para deputetëve, lideri i opozitës Sali Berisha theksoi se ajo që ndodhi në seancën e fundit parlamentare përfaqëson ‘goditjen më të rëndë që parlamenti shqiptar dhe parlamentarizmi ka marrë në 34 vite’, duke akuzuar kryeministrin Rama se ka ndërmarrë hapa për të vendosur interesat e qeverisë mbi ligjin dhe Kushtetutën. Sipas tij, vendimet e fundit të shumicës synojnë të mbrojnë nga përgjegjësia ligjore zyrtarë të lartë të qeverisë, duke krijuar një standard që e vendos pushtetin ekzekutiv mbi institucionet e drejtësisë.

‘Për herë të parë pseudoparlamenti vendosi që vjedhjet monstruoze dhe krimet e mëdha të shpallen mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën’, deklaroi kryedemokrati Sali Berisha, duke shtuar se ky veprim, sipas tij, përbën një akt të rëndë kundër parimeve themelore të shtetit të së drejtës. Ai akuzoi qeverinë se ka ndërmarrë hapa për të përqendruar pushtetin në duart e saj dhe për të dobësuar rolin e institucioneve të pavarura.

Në këtë kontekst, kreu i opozitës Sali Berisha e cilësoi situatën politike si një moment që kërkon reagim të gjerë qytetar dhe mobilizim të opozitës në të gjitha nivelet. ‘Ky akt është thirrje lufte, është kushtrim për çdo shqiptar, është thirrje për kryengritjen paqësore të shqiptarëve’, u shpreh ai, duke theksuar se përgjigjja ndaj kësaj situate duhet të vijë përmes angazhimit qytetar dhe reagimit demokratik.

Lideri i demokratëve Sali Berisha kërkoi nga deputetët e opozitës që të intensifikojnë kontaktet me qytetarët dhe të zhvillojnë një dialog të drejtpërdrejtë me ta për situatën politike në vend. Sipas tij, përgjegjësia qytetare dhe angazhimi i publikut janë elementë kyç për të përballuar atë që ai e cilësoi si një krizë të rëndë institucionale. ‘Deputetët duhet të angazhohen në një dialog intensiv me zgjedhësit e tyre, me ata që i kanë votuar dhe me ata që nuk i kanë votuar’, theksoi ai.

Duke folur për rolin e opozitës në këtë situatë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se ajo mbetet faktori kryesor për zgjidhjen e krizës politike. Ai e konsideroi si detyrë kryesore të saj përpjekjen për ndryshim politik në vend. ‘Shkurtimi i jetës së qeverisë së Edi Ramës është imperativi më madhor i kohës dhe detyrimi më madhor i opozitës’, u shpreh ai. Në vijim të fjalës së tij, Berisha iu referua edhe protestës së paralajmëruar për datën 22 mars në Tiranë, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për shprehjen e pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në këtë protestë për të dhënë, sipas tij, një përgjigje të fortë ndaj politikave të qeverisë. ‘Shqiptarët duhet të flasin më 22 mars me forcën më të madhe kundër kësaj qeverie’, deklaroi ai.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita dhe përshëndetje!

Të nderuare deputete dhe deputetë, ajo që ndodhi seancën e shkuar ishte goditja më e rëndë që parlamenti shqiptar dhe parlamentarizmi ka marrë në 34 vite.

Ishte goditja më e rëndë që Edi Rama i dha ligjit e Kushtetutës, u dha të drejtave të qytetarëve shqiptarë për të pasur një parlament të bazuar në Kushtetutën e vendit, një parlament që respekton kushtetueshmërinë, që mbron interesat e qytetarëve.

Për herë të parë, pseudoparlamenti, Edi Rama me 83 mandatet e krimit vendosi që vjedhjet e tij monstruoze, krimet e mëdha që ka kryer, miliardat që ka marrë nga qytetarët shqiptarë, vetë familjarët dhe ministrat e tij, ti shpallë mbi ligjin, ti shpallë mbi kushtetutën, ti shpallë të paprekshëm, njëlloj siç ishin dikur etërit e tij xhelatë të shqiptarëve.

Ky akt është thirrje lufte, ky akt është kushtrim për çdo shqiptar, është thirrje për kryengritjen paqësore të shqiptarëve, gjer në përmbysjen e tij.

Nuk kishte dyshime se Edi Rama do të vepronte ndryshe. Jo.

Atij i ka ardhur thika në palcë për shkak të vjedhjeve të tij. Ai e dinte se Lubia ishte thjeshtë dordoleci, ishte noterja, sekretarja e vjedhjeve të tij për 25 vite me radhë. Kurse ai ishte autori, dhe kalonte nga një studio televizive në tjetër dhe mburrej për reformën unike në botë thoshte, që se ka kush në botë këtë, dhe thoshte se as vende të tjera nuk kanë një të tillë, tani e hodhi në kosh të plehrave, e shumëzoi me zero.

Akt që nuk e ka kryer kush kurrë.

Gjendja, asgjësimi i parlamentit, asgjësimi i drejtësisë, janë hapa të cilët ai ndërmorri gjatë këtyre muajve për të përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij.

E vërteta është se sot, opozita është e vetmja shpresë dhe sot më shumë se kurrë kërkohet mobilizimi dhe angazhimi i saj me të gjithë potencialet, me të gjitha mundësitë, me të gjitha burimet dhe qytetarët.

Sot opozita duhet të angazhohet në një dialog intensiv, deputetët duhet të angazhohen në një dialog intensiv me zgjedhësit e tyre. Ata që e kanë votuar dhe ata që se kanë votuar, sepse angazhimi qytetar, përgjegjësia qytetare ndaj kësaj gjendje dramatike të krijuar është rrugëzgjidhja e vetme.

Nuk besoj se mund të ketë shqiptar të vërtetë që të gjejë motive që ta pengojnë për tu ngritur në revoltë kundër kësaj qeverie, kundër Edi Ramës që për interesa personale i mbylli dyert Europës dhe është një mbyllje që çdo kohë që kalon, bëhet më e rëndë për tu zgjidhur.

BE gjatë këtyre viteve, pas rënies së perdes së hekur, ka pasur shumë zhvillime në vendet ish-komuniste në rrugën e tyre, por nuk ka patur kurrë një rast të tillë. Kurrë nuk kanë regjistruar një rast të tillë.

Edhe njëherë duhet ti rikujtojmë  çdo shqiptari që nuk ka ndodhur të refuzohet ndonjëherë heqja e imunitetit të ministrave.

Vetëm në harkun kohor 2009-2012 u janë hequr dy ministrave dhe zv/kryeministrit imuniteti. I kanë dorëzuar vetë, nuk ka pasur asnjë lloj diskutimi dhe komenti. 

Dhe për hir të së vërtetës, me zv/kryeministrin qeveria mund të binte nëse ai dëshironte. Por jo, ai dha dorëheqjen e do shkoj te prokurori tha, do paraqitem.

Pra ka vendosur një standard jashtëzakonisht për qytetarët dhe për vendin në të cilin thotë haptas se ai dhe ministrat e tij janë mbi ligjin.

Në të cilin ai haptas shumëzon si kurrë më parë drejtësinë me zero, e kyç e mbyll dhe e bën këtë në një kohë kur nuk ka qytetar shqiptar që e miraton një akt të tillë.

Nuk ka qytetar shqiptar që pranon që shefi i ekzekutivit ti mbyllë drejtësisë kur zyrtarët vjedhin qytetarët.

Nuk ka partner ndërkombëtar që nuk ka ndërhyrë dhe ka kërkuar që të zbatohet shteti ligjor dhe kushtetuta.

Në këtë kuadër opozita dhe vetëm opozita është vendimtare në zgjidhjen e kësaj krize.

Dhe kjo krizë zgjidhet vetëm me largimin e Edi Ramës.

Kjo krizë zgjidhet vetëm me kryengritjen paqësore të shqiptarëve.

Shkurtimi i jetës se qeverisë së Edi Ramës, është imperativi më madhor i kohës. Detyrimi më madhor i opozitës.

Në këtë aspekt duhet një mobilizim shumë më i madh. Gjer sot ne kemi bërë përpjekje të mëdha, përpjekje edhe më të mëdha dhe më të suksesshme kërkohen nga ne dhe çdo shqiptar.

Data 22 mars është ditë frymëzimi. Të gjithë qytetarët e këtij vendi, duhet të tregojnë zemërimin, revoltën e tyre, ti përgjigjemi flakë për flakë, për ti thënë Edi Ramës se nuk njohim kurrë qytetar mbi ligjin.

Se nuk njohim kurrë hajdutë mbi ligjin.

Se çdo hajdut qeveritar që guxon të prekë, pasuritë dhe fondet publike do të bëhet përgjegjës para ligjit.

Se nuk ke asnjë interes. Shqiptarët me këtë që ka ndodhur, kanë një qeveri të pashembullt.

Nëqoftëse qeveria e Enver Hoxhës i arrestonte dhe burgoste se flisnin kundra saj, Edi Rama tani ka nxjerrë veten mbi ligjin për ti vjedhur qytetarët, për të mos pyetur se ekzistojnë.

U ka mbyllur dyert e procesit të integrimit shqiptarëve, ndaj dhe 22 marsi është një ditë shumë e rëndësishme. Jashtëzakonisht shumë e rëndësishme.

Vërtetë ky përdori 83 mandate të krimit për të mbrojtur veten dhe vjedhjet e tij, por shqiptarët duhet të flasin me 22 mars, me forcën më të madhe kundër kësaj qeverie dhe kundër këtij kryehajduti, njeriut që rreshton Shqipërinë në procesin e integrimit Europian, e nxjerr nga procesi dhe e rreshton me Serbinë.

Imagjinoni ju lutem, shkaktarja e luftërave të fundit Ballakanike, nga Bosnja, Maqedonia e Kosova. Rusia e vogël në Ballkan, gjen një shërbëtor, gjen një argat që të barazoje Shqipërinë, që asnjë luftë nuk ka nisur. Që ka dhënë kontribute palcore në shuarjen e konflikteve dhe faktor stabiliteti dhe e nxjerr tani, e rreshton me Vuçiçin e rreshton me Serbinë, vetëm për të shpëtuar nga ligjit për vjedhjet që ka kryer, për interesat e tij personale.

Ndaj dhe 22 Marsi, fton çdo qytetar shqiptar të vërshojë drejt Tiranës për ti dhënë përgjigjen më të merituar, kësaj organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama që nuk ka asnjë interes tjetër përveç pasurimit të paligjshëm me fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve.

Së dyti, jemi në një situatë kritike në parlament, por ne përsëri duhet të intensifikojmë të gjithë kërkesat tona, sugjerimet tona, amendamentet tona, në mbrojtje të interesit publik të shqiptarëve.

Ata kanë gjetur një mënyrë, të mbyllin parlamentin, të bëjnë 15 minuta dhe ta mbyllin. Por ne do të bëjmë gjithçka që parlamenti të shndërrohet në tribunën e diskreditimit të tyre të plotë, siç e meritojnë.

Siç e meritojnë para shqiptarëve dhe botës.

Ndaj dhe njëherë nga kjo mbledhje, që të gjithë në terren, tek qytetarët. Janë ata dhe vetëm ata që do i japin përgjigjen këtij qëndrimi poshtërues ndaj shqiptarëve, këtij qëndrimi antishqiptar të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale