EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për mediat nga selia blu e ka konsideruar si amnisti nga SPAK, urdhrin për arrestimin e disa zyrtarëve që ka lëshuar Struktura e Posaçme Antikorrupsion lidhur me Inceneratorin e Tiranës, ‘amnisti’ të korrupsionit, pasi ka përjashtuar dy drejtuesit dhe ideatorët e vjedhjes më të madhe të shekullit, kreun e qeverisë dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës.
‘Tani, të besosh se Tusha dhe Simixhiu janë përgjegjësit kryesorë, – tha Berisha me ironi, – është të besosh se Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi dhe Artur Metani, ishin në këtë rast drejtorë bashkie, kurse Tusha dhe Simixhiu ishin kryeministër dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.’
Kryedemokrati Sali Berisha, ka pasur edhe një paralajmërim edhe për SPAK. ‘Do i përgjigjemi siç e meriton’, ka thënë kryetari i PD-së Sali Berisha, duke paralajmëruar se nesër do t’u jepet përgjigja e merituar, ndërsa e ka quajtur SPAK edhe si një organizatë kriminale që po fsheh autorët e vërtetë të Inceneratorëve.
FJALA E PLOTE:
Ashtu siç kisha paralajmëruar në mënyrën më të përsëritur në këtë sallë, ndodhi amnistia e vjedhjes së shekullit, akti më kriminal në historinë e drejtësisë shqiptare.
Dje, ose mbrëmë, Skapistët pas apoteozës dhe nxjerrjes së dhëmbëve njëkohësisht të Edi Ramës, shpallën amnistinë ndaj vjedhjes së shekullit nga Erion Veliaj, Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Artur Metani, për aferën e cila shkon në total 1 miliard euro. Për aferën e djegësit të Tiranës që shkon në 30 vite, 1 miliard euro dhe që janë shpenzuar gjer sot rreth 130 milionë euro, pjesa dërrmuese të parave të taksapaguesve, kurse pjesa tjetër, para të biznesmenëve të detyruar nga Rama dhe Veliaj.
Këto nga Skapi dhe gjykata e partisë, u amnistuan.
U amnistuan edhe njëherë them në aktin më kriminal. Ata që amnistuan dje me vendimin e tyre për të arrestuar dy drejtorë të Bashkisë së Tiranës, Tusha dhe Simixhiu, ata kryen një krim të shëmtuar.
Amnistia, në çdo kohë është atribut i parlamentit dhe jo kurrë i gjykatësve apo i prokurorisë. Ajo që ndodhi mbrëmë është akti më i pashembullt në tërë historinë që nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot.
Taulant Tusha dhe Simixhiu, janë dy zyrtarë të bashkisë, të caktuar nga bashkia në komisionin e dhënies me koncesion të djegësit të Tiranës. Në këtë komision, ata kanë vendosur që një kompani imagjinare, e cila nuk ekzistonte, një kompani fantazmë e quajtur Integrated Energy, e paregjistruar kund, t’i japin 8 pikë bonus pa garë, për djegësin e Tiranës.
Por ky është vetëm fillimi i historisë. E vërteta është se vendimi i KVO të Tiranës, e miraton me firmën e tij më datën 7 dhjetor 2016, në një vendim qeverie Edi Rama, Engjëll Agaçi, Artur Metani.
E miratojnë vendimin, kryejnë krimin në gjakftohtësi të plotë sepse ishin të lajmëruar me shkresë zyrtarë nga ministrja Ermonela Felaj se kompania në fjalë nuk ekzistonte. Kompania Integrated Energy BV nuk ekzistonte.
Por ky njoftim me shkresë i një ministre, anëtare të kabinetit, nuk do pengonte Edi Ramën të firmoste me çdo çmim, shpërblimin me 8 pikë të një kompanie që nuk ekzistonte dhe që do të formohej 8 muaj më vonë, një ditë pasi shpallej fituese.
Tani, të besosh se Tusha dhe Simixhiu janë përgjegjësit kryesorë, është të besosh se Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi dhe Artur Metani, ishin në këtë rast drejtorë bashkie, kurse Tusha dhe Simixhiu ishin kryeministër dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Krimi i tmerrshëm ndodhi, me pasojë deri tani grabitjen e 130 milionë eurove, të zhdukura pa nam e nishan, jo pse firmosi Tusha dhe Simixhiu, por se firmosi Rama, Agaçi, Metani dhe ministrat.
Pra, nuk ka amnisti më kriminale sesa kjo.
Dëgjoni se çfarë shkruan famozja Gjoka, që fshihet prapa krimit, në vendimin e saj.
Me shkresën numër 5474/8, protokoll 2.11.2016, ministri i Mjedisit ka dërguar një projektvendim për miratim pranë Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë, nëpërmjet të cilës ka kërkuar që shoqërisë Integrated Energy BV, t’i jepet bonos prej 8 përqind të pikëve në rast se merrte pjesë në garë.
E kuptoni ju këtë formulim? A mund të ketë formulim të tillë? Në rast se merrte pjesë në garë…
Kjo do të thotë që kompania e tyre duhej të fitonte 8 përqindëshin me çdo kusht në rast se do merrte pjesë në garë. Nuk dëgjon kurrë në një akt qeverie të jepet me ‘një në rast se…’
Dhe një zonjë aty, drejtoresha juridike e Ministrisë së Mjedisit, bashkë me Alqi Bllakon e miratojnë dhe shkruajnë se shoqëria është e regjistruar konform ligjit.
Kurse Ermonela Felaj, si ministre në atë kohë për marrëdhëniet me parlamentin, i dërgon shkresën Edi Ramës dhe Lefter Kokës ku shkruan se kjo kompani nuk ekziston e regjistruar askund dhe se ky vendim nuk mund të merret.
Por Edi Rama me ndërgjegje të plotë dhe kriminale, sepse ishte sipërmarrja e tij, pavarësisht nga paralajmërimi me shkrim i Felajt, firmos aktin e akordimit të 8 pikëve një kompanie, e cila do të krijohej vetëm ditën e fundit të gushtit 2017, tetë muaj pasi kishte marrë bonusin dhe një ditë pasi ishte shpallur fituese.
E thoshte sot një publicist dhe humorist i yni i shquar, të kapësh Tushën për këtë aferë, është si të akuzosh fatorinon në vend të shoferit për aksidentin që ka bërë.
Kjo ndodh vetëm në Shqipëri.
Por tani i rikthehemi pak gjykatëses që fshihet prapa krimit të saj, Gjoka.
Gjoka thotë se Koka ka dërguar një projektvendim për miratim të 8 pikëve në rast se merr pjesë në garë. Por nuk thotë se Edi Rama megjithëse kishte informacionin e Ermonela Felajt, kjo gjykatëse është byk-gjykatëse në ndërgjegjen e saj, nuk thotë se Edi Rama pavarësisht se u paralajmërua nga Ermonela Felaj, firmosi aktin e dhënies të 8 pikëve në Këshillin e Ministrave.
A ka krim më të shëmtuar se ky?
Pra, tregon për Lefterin se ua dërgoi këtë, por nuk thotë një fjalë se Edi Rama kishte shkresën e Ermonela Felajt që i thoshte se kompania nuk ekziston, e megjithatë ai firmosi.
Amnistia e akorduar nga SKAP-i, i ul ata në ultësirën e krimeve më të rënda që mund të jenë kryer.
Erion Veliaj është autori kryesor bashkë me Edi Ramën për djegësin e Tiranës, i cili nuk ekziston as në hetim.
Erion Veliaj është personi që nuk ekziston as në hetim, nuk është marrë në hetim, nuk është shpallur në hetim nga ish-oficeri famëzi i policisë sekrete shqiptare, Arben Kraja dhe njëfarë Dritan Prençi.
Nuk është dërguar në hetim, paçka se Erion Veliaj ka falsifikuar, ka firmosur në emrin e Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut, pa u mbledhur ndonjëherë këto këshilla, duke garantuar me firmën e tij se bashkitë e qarkut të Tiranës do paguajnë 91 milionë euro djegësin.
Në një kohë kur ai, hajdut, nuk ka kompetencë të administrojë asnjë fond, asnjë qindarkë pa miratimin e Këshillit Bashkiak.
Dhe më tutje, Arben Ahmetaj ia kthen pesë herë, nuk e miraton këtë shkresë, këtë tender, gjersa Erion Veliaj firmos se shpenzimi do i marrë përsipër bashkia. 91 milionë euro do i paguante bashkia, pa mbledhje këshilli, pa asgjë.
Ahmetaj thotë, dhe nuk dua kurrë t’i jap të drejtë, por në këtë rast nuk mund të mos i jap të drejtë, ai thotë se kur Veliaj mori përsipër financimin, unë u vura përballë vetëqeverisjes vendore. Për mua, unë si ministër Financash jam gardian i buxhetit të shtetit dhe jo buxhetit të bashkive. Dhe nuk firmosi, por shkoi te një lloj miratimi indirekt.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim, është lëshuar urdhër-arresti, të gjitha këto për faje që Erion Veliaj i ka dhjetë herë më evidente dhe më të qarta.
Kjo që ka ndodhur është dëshmia më flagrante e një drejtësie të kapur kokë e këmbë njëlloj si në diktaturë. Kjo është fytyra e drejtësisë që u krijua për amnistinë e krimeve monstruoze të qeveritarëve shqiptarë.
Ky rast, sikundër Beqaj para këtij rasti, janë një thirrje, janë një kushtrim për të gjithë qytetarët, të përmbysim narkoregjimin e Edi Ramës dhe narkoskapistëve të tij, që merr përsipër të mbulojë vjedhjet më monstruoze në historinë e kombit shqiptar.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju në fillim të denoncimit të tuaj u ndalët tek çështja e bonusit prej 8 pikësh që i është dhënë kompanisë që nuk ekzistonte. Në njoftimin e SPAK thuhet se: ‘Anëtarët e komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit. Zyrtarët e mësipërm të Ministrisë së Mjedisit kanë qënë personat përgjegjës që kanë përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimin në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese’. Ky është njoftimi nga SPAK, ndërsa ju bëtë me dije çështjen e zonjës Felaj që ka qenë në dijeni dhe Ramës. Si qëndron e vërteta sepse opinioni publik është njohur me këtë vendim.
Sali Berisha: E vërteta qëndron se SKAP-i do marrë një përgjigje nesër. Se ne nuk kishim reagimin e SKAP-it. Nesër do i japim një përgjigje të plotë këtij organi kriminal, që është shndërruar në një xhelat të së drejtës dhe ligjeve, në një mburojë kriminale të vjedhjeve më të mëdha në kurriz të shqiptarëve. Do i japim përgjigje pikë për pikë. Sipas gjykatëses dhe SKAP-it, fajin na e paskan tani këta ushtarët këtu poshtë që kanë propozuar 8 përqindëshin, në një kohë kur Edi Rama kishte shkresën e Felajt, që thoshte se nuk mund të jepet asnjë pikë sepse kompania nuk ekziston. Nëse kompania nuk ekziston, duhej të ishte vetëm në mendjen e Edi Ramës, se njeri në botë që mund të impononte kryeministrin të firmoste për një kompani që nuk ekziston, nuk ka. Por kur janë në lojë interesa madhore, fantazia bëhet realitet dhe ai firmos. Edhe kjo merret me Lefterin, me ministrat, por nuk thotë Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Artur Metanin. Këta ishin tre personat që e hiqnin menjëherë nga rendi i ditës dhe e hidhnin në kosh propozimin. E para, ta supozojmë se nuk kishin njoftim, ata janë të detyruar të verifikojnë. Por ata kishin një njoftim nga një ministre që u thotë. Si ministre ajo nuk ka firmosur, ka vënë të firmosë Rovena Vodën, shefen e kabinetit. Nuk ndodh kurrë. Të firmosë për ministren, shefja e kabinetit, kjo vetëm me Edi Ramën ndodh. Vetë nuk firmosi kur firmosën ministrat, në Këshill të Ministrave ajo e ka çuar shkresën, ka larë duart. Por Edi Rama nuk e ka përfillur. I vetmi urdhër që i është dhënë Vodës të firmosë pse nuk firmos Felaj, ka bërë që ajo të firmosë nga Edi Rama. Gjithçka do të thotë se është Edi Rama strumbullari i këtij bonusi. Të njoftojnë si kryeministër, të thonë që nuk ekziston dhe ti firmos? Ti kryen një krim për vendin tënd. Dhe këtej dalin tani Arben Kraja, Dritan Prençi dhe gjykatësja që fshihet pas krimit, këta kanë kryer një krim po kaq monstruoz, këta të tre. Nuk thonë që Edi Rama megjithëse kishte dijeni, e firmosi. Nuk thonë që Erion Veliaj mashtroi, se nëse nuk mashtronte Veliaj se do paguhen 91 milionë euro nga qarku i Tiranës dhe Bashkia e Tiranës, ajo nuk kalonte kurrsesi. Ministria e Financave e hodhi poshtë 5 herë atë. Nuk thonë. Është gjithçka se si të mbrojnë Erion Veliajn pasi ai me Edi Ramën është aksioner kryesor në këtë aferë. Por SKAP-it do i përgjigjemi nesër. Ta studiojmë me vëmendje dacibaon e tyre dhe do u përgjigjemi siç e meritojnë.
-Z. Berisha, ju deklaruat se e gjithë kjo lëvizje e SPAK, bëhet për të mbrojtur Veliajn. Kush po e mbron Erion Veliajn, duke parë edhe kongresin e PS-së, po e mbron Rama apo SPAK.
Sali Berisha: Rama po mbron veten. Të jemi të jemi të hapur. Në këtë aferë, nuk ka diskutim që njeriu qendror është Erion Veliaj në kuptimin që koncesioni ndodhej në Bashkinë e Tiranës. Erion Veliaj ndryshoi strategjinë për Tiranën nga landfill/seleksionim/grumbullim, në djegie. E dyta, Erion Veliaj ndryshoi modelin e përdorur për Fierin dhe Elbasanin në modelin e koncesionit 30-vjeçar. Këto nuk mund t’ia bënte njeri Erion Veliajt, as kryeministri nuk mund t’i imponohej dot me asgjë. Së treti, Erion Veliaj ka marrë përsipër duke mashtruar, pa mbledhje të Këshillit të Qarkut dhe të Bashkisë, financimin me 91 milionë euro, para të qeverive vendore. Së katërti, Erion Veliaj ka qenë i ngarkuar, ka shkresën e Damian Gjiknurit, shkresën e Belinda Ballukut, te Damiani zotohet se do ndjekë ecurinë e punimeve. Pra, Erion Veliaj nuk ka diskutim se është figurë qendrore sepse është djegësi i Tiranës. Por asgjë nuk mund të ndodhte këtu pa firmën e Edi Ramës. Asgjë. Edi Rama u njoftua. Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se afera 1 miliard euroshe siguronte jo vetëm Erionin dhe Ramën, por edhe Zahon dhe djalin e Zahos. 30 vjet. Me radhë ata bëheshin miliardierë. Kjo është si të vjedhësh me gjenerata. Kështu është kjo. Kjo është e paimagjinueshme. Dhe këta nuk kanë guxim. Po në këtë vend janë arrestuar kryeministra, kjo që bëjnë këta është gjëja më e shëmtuar. Po Arben Ahmetaj gjithnjë faktohet se e ka arrestuar Linda Rama për inate patologjike. Absolutisht. Del qartë, del shumë qartë. Ai është arrestuar, përveç hetimit pasuror që është krejt tjetër, është arrestuar se përfaqësuesit e tij në KVO, kanë votuar pro. Dhe për këtë votim të përfaqësuesve të tij në KVO, arrestohet ai. Kurse për votimin e dy përfaqësuesve të Erion Veliajt, Erion Veliaj amnistohet. Përveç mashtrimit, përveç falsifikimit. Nuk ka krim më të shëmtuar në hetim se sa ky. Por do hetojnë qytetarët. Erion Veliaj ta ketë të qartë. Mirë është të japë dorëheqjen. Po nuk e dha dorëheqjen, do ta kërrejnë qytetarët. Kjo nuk mund të vazhdojë. SKAP-i po rreshtohet në mënyrën më mercenare me hajdutët. Republika e prokurorëve është republika e hajdutëve, e qeveritarëve hajdutë ku si mburojë janë një grusht prokurorësh kriminelë, të lidhur kokë e këmbë me krimin dhe që bëhen mburojë e tyre.
Janë lëshuar 15 urdhër arresti? Po. Ekziston gjë akuza për grup të strukturuar kriminal. A ekziston në fjalorin e aktakuzës së SKAP-it? Nuk ekziston. Këta janë më kriminelë se çdo kriminel tjetër. Këta tallen me një popull që ikën nga vendi, që ikën në radhë të parë prej vjedhjeve që i bëhen. Mbrëmë kanë lëshuar 15 urdhër arresti. Çdo prokurori e botës do të thoshte një grup i strukturuar kriminal se të gjithë kanë lidhje me këtë incenerator. Nuk ka grup të strukturuar kriminal sepse grupi i strukturuar kriminal del me kokë Edi Ramën. Del koka Edi Rama. Prandaj merren kështu. Del Erion Veliaj pas tij, del Engjëll Agaçi. Del Metani. Metani ka qenë drejtor juridik, dhe jo vetëm ka qenë drejtor juridik, por ka bërë mbledhje nëpër ministri për të imponuar strategjinë e Edi Ramës për vjedhje.
Zoti Këlliçi ka bërë një punë të jashtëzakonshme, por natyrisht skapi është një mburojë e vjedhjes, republika e hajdutëve, kjo është. Skapi është një mburojë e republikës së hajdutëve.
Faleminderit!