PRONONCIM PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA PARA PARLAMENTIT
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij për bllokim të procesit të integrimit europian, duke theksuar se Kuvendi nuk informohet rregullisht, në kundërshtim me detyrimet ligjore për raportim çdo tre muaj.
Në një prononcim për mediat para parlamentit ditën e sotme, Berisha u shpreh se raportet për integrimin nuk u janë vënë në dispozicion deputetëve, çka tregon mungesë transparence dhe shmangie të rolit të parlamentit, siç kërkohet edhe nga institucionet europiane.
Ai deklaroi se pas agresionit rus në Ukrainë u krijua një mundësi për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, por kjo u “zvarrit” nga qeveria shqiptare, të cilën e akuzoi për korrupsion dhe manipulim të procesit.
Berisha ngriti shqetësime edhe për funksionimin e shtetit ligjor, për çështje si PPP-të, prokurimet publike dhe skandalet e fundit, ndërsa kritikoi nivelin e ulët të dixhitalizimit në vend.
Sa i takon raportit IBAR, ai tha se pengesa kryesore mbetet drejtësia, korrupsioni dhe të drejtat e njeriut, duke fajësuar drejtpërdrejt qeverinë dhe Belinda Ballukun për situatën.
Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se opozita mbështet integrimin në BE dhe do të përdorë rekomandimet e institucioneve europiane si bazë për programin e saj politik.
PRONONCIMI I PLOTË
Këta individë nuk kanë asnjë interes absolutisht në procesin e integrimit, madje në gjuhën e tyre i thonë njëri-tjetrit ç’na duhet ne procesi i integrimit.
Prandaj shkojnë në një formalitet, në një hipokrizi dhe mashtrim të pafund.
Dëgjoni, në raportin e fundit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, që është publik, kërkohet rol qendror i parlamentit në procesin e integrimit.
Kërkohet kjo, sepse nëpërmjet rolit qendror të parlamentit bëhet transparencë e plotë, garantohet parikthyeshmëria, etj, etj.
Ajo që ndodh këtu është për herë të parë diskutohet për integrimin pas 8 muajve në parlament.
Ligji e detyron çdo tre muaj. Ka një ligj që e detyron Këshillin e Ministrave të raportojë çdo tre muaj për ecurinë e procesit të integrimit.
Tani çfarë thotë raporti?
Raporti thotë që ne kemi dërguar çdo tre muaj raportin për procesin e integrimit.
Po. Ndërkohë Niko Peleshi, unë nuk mund të them e kanë dërguar apo nuk e kanë dërguar, por di një gjë që deputetët nuk kanë parë me sy asnjë raport, çka do të thotë se kryetari i parlamentit zbaton porosinë e Edi Ramës.
A është ky një armik i integrimit, në një kohë kur kërkohet rol qendror i parlamentit?
Pra, sot nuk vijnë për të raportuar, që të dëgjojnë qytetarët raportin.
A e di pse nuk vijnë?
Se e kanë fund e krye mashtrime dhe renditje vendimesh të qeverisë dhe ligjeve.
Ky është raporti?
Raport i mbushur me gënjeshtra.
Shikoni, të themi një gjë, pas sulmit rus në Ukranë pati një ide iluministe, të drejtë për mua, që Ballkanin Perëndimor si territor evropian ta përfshijmë në BE.
Dhe kjo ishte një ide shumë e mirë, por Ballkani Perëndimor, Shqipëria dhe ndonjë vend tjetër, absolutisht përveç kriterit gjeopolitik nuk plotësonin asnjë kriter tjetër.
Dhe me atë ide u shty përpara.
Mirëpo ç’ndodhi?
U gjetën gjatë kësaj shtytje para të pabesueshmes, u gjetën para faktit se Lubi Balluku merr zvarrë sistemin e drejtësisë, kryeministrin. Dhe në mënyrë të pabesueshme, njeriu që kishte bërë gjithë ato reklama për reformën në drejtësi, se jemi të vetmit në botë që e kemi bërë, tani i vinte drynin.
Për hir të kujt? Për hir të Lubi Ballukut.
Mendoni ju, se unë i bëra një pyetje, ajo më dha një përgjigje frojdiane, nuk kisha qëllim frojdian ynë, kisha qëllim tjetër.
Sepse ajo është e lidhur me para dhe vjedhje Lubia dhe Rama, ndaj dhe ky nuk e lëshon Lubinë.
Për të tjerat nuk pyeste fare.
Dhe këta kujtojnë se në Bruksel nuk kanë as sy, as veshë dhe këta përfaqësuesit e tyre këtu nuk shohin.
Ky pra, në një proces që vërtet kishte dashamirësi të plotë, vërtet kishte tendencën ta afrojnë Shqipërinë… pse Shqipëria?
Në dallim nga këto vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria nuk ka asnjë problem madhor me fqinjët, nuk ka problem siç kanë secila prej tyre, probleme të cilat në një parim themelor të BE, nuk pranojnë importin e problemeve midis fqinjëve në vendet që do anëtarësohen.
Shqipëria nuk ka asnjë problem madhor me fqinjët.
Përveç Greqisë?
Sali Berisha: Jo, nuk është madhor ai, që e pengon. Nuk e pengon Greqia atë. Ai problem ka ekzistuar, por nuk them se Greqia pengon për atë problem.
Dhe në atë çështje, lojërat i ka bërë Edi Rama, absolutisht.
Pra, Shqipëria nuk kishte.
Por çfarë bëri Edi Rama?
Edi Rama rreshtohet në mburojë të korrupsionit.
Shpërthen skandali i AKSHI-t, del Linda Rama, pavarësisht se mediat nuk e qarkullojnë emrin e saj, por ajo është në dosje.
Tjetër, investimet strategjike. Me investimin e Komisionit Evropian është amenduar ligji për PPP-të.
Që nga dita e amendimit të ligjit gjer sot janë dhënë PPP pa pyetur se ekziston ligji.
E bëjnë njëlloj si me bursën e energjisë, u krijua bursa e energjisë, Lubia vazhdonte tregtinë e energjisë jashtë burse, sepse bursa e detyronte njëfarë transparence.
Pra, nuk respektojnë rolin e parlamentit. Ky është debati i parë. Këtu nuk e sjellin raportin.
Pse nuk e sjellin?
E kanë mashtrime, rrëzohet menjëherë.
Çfarë mund t thonë ata për prokurimet në një kohë kur del nga Open Tender EU, një organizatë që analizon tenderat e 38 vendeve, nga viti 2010 gjer sot del se koha më e mirë ka qenë koha e Sali Berishës. Shiheni, klikojeni.
Klikojeni dhe shiheni, viti 2010, 2011, 2011 janë me 80 pikë dhe viti 2026 është me 64 pikë.
Bërtet për dixhitalizimin.
Shikoni çfarë është dixhitalizimi. Popullata shqiptare ka njohuritë më të ulëta dixhitale në rajon.
Merrni të dhënat, është tek 28 përqind. Në BE është 52 përqind. Të gjitha vendet e Ballkanit janë mbi Shqipërinë.
Se ky i bënte reklamë Lindave, e bëri këtë AKSHI-n, thua ti se ç’po ndodh, AKSHI ishte gropa më e zezë e vjedhjeve.
Nuk ka pra asnjë lloj serioziteti.
Ne, edhe njëherë këtu, absolutisht e mbështesim procesin e integrimit. Dhe ua them edhe ju, edhe dje në mbledhje, se çfarë diskutohet në IBAR, ne nuk e kemi, por ne kemi një dokument themelor që është raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian dhe atë do ta shndërrojmë në program unë, dhe të gjithë deputetët janë të angazhuar që në komisionet parlamentare të insistojnë në zbatimin e të gjitha kërkesave që shtron Komisioni i Jashtëm për procesin e integrimit.
Gazetarët: Z. Berisha, sa i takon raportit IBAR, ditën e djeshme u tha që nuk është votuar. Nga komunikimet tuaja që keni me Brukselin, çfarë mendoni se janë problematikat për moskalimin e këtij raporti dhe cilat janë vende dhe sa është numri i tyre?
Sali Berisha: Tani, çështje që kanë dalë, nuk ka diskutim që bllokimi i drejtësisë, sepse IBAR është për dy kapitujt, në të dy kapitujt është drejtësia, të drejtat e njeriut, siguria dhe korrupsioni, nuk janë çështje të tjera në standardet e ndërmjetme, të cilat janë të domosdoshme për të kaluar në fazë tjetër.
Pra, absolutisht është Lubia dhe Edi Rama.
Është fakti tjetër se, ju mund të thoni ai e hoqi atë. Çfarë e hoqi? Ajo është bërë de facto kryeministre në hije. Absolutisht!
Ua tregova atë historinë e Pilarit unë? Lexoni pak ‘Për kë bien kambanat’, Pablo është një pijanec i degraduar, komandanti, i cili ka humbur të gjithë autoritetin për të komanduar çetën. Të gjithë komandën e merr Pilari, ishte e shoqja. Pilari ishte vendimmarrësja kryesore në çdo gjë.
Pak a shumë ç’është e vërteta, me një dallim se ajo ishte një çetë që luftonte, kurse këta luftojnë për hajni, por në kuptimin e roleve, pak a shumë këtu ka përfunduar Shqipëria.
Pra, i ka marrë Lubia të gjitha frenat. Merret me takime, merret me urdhra.
A e patë ju? E kishte marrë Ulsiun në Dibër. A e patë dje, apo jo? Le të mos e marrë po të dojë, se e ka dosjen kaq Ulsiu të përgatitur nga Oltion Bistri.
Gazetarët: Rastistën në Fier dhe bënë një foto?
Sali Berisha: Jo mo ça rastisën, ajo e kishte marrë Ulsiun me vete. Ajo po i tregon PS-së se është zoti i vërtetë i saj.
Dhe këtë mos kujtoni se nuk e vënë re të tjerët. Këtë e vënë re të gjithë, e vënë re edhe ata.
Pra, ky jo që nuk e hoqi, por i dha një rol më të lartë.
Ky nuk do integrimin sepse kuptohet se Rama, Lubia dhe një grusht hajdutësh nuk duan integrimin, duan pasurimin e tyre.
Gazetarët: Z. Berisha, opozita është një faktor shumë i rëndësishëm politik. A është e paaftë opozita politikisht t’i imponohet Edi Ramës dhe ju e shikoni Brukselin si shpresën e vetme për ta kontestuar, për ta larguar, për ta kritikuar?
Sali Berisha: Jo, ne nuk e shohim Brukselin si shpresën e vetme. Por mos harroni se integrimi është shtyllë kryesore e programit tonë.
Dhe natyrisht, nuk ka gjë më të dhimbshme se sa të humbasim një rast.
Ua them unë ju. Në qoftë se BE përfshin Islandën pas referendumit që kanë, ka mundësi që t’u ftohet entuziazmi për Ballkanin Perëndimor.
Sot, po të shihni ju, publikimi i fundit i televizionit franko-gjerman, vetëm 43 përqind e francezëve mbështesin integrimin.
Dhe që të gjithë zgjerim të bazuar në kritere dhe meritë.
Gazetarët: Por qëndrojmë në Shqipëri, a është përgjegjëse opozita për këtë situatë që është sot në Shqipëri pasi ka qenë e paaftë që t’i imponohet qeverisë së Edi Ramës në shumë sektorë dhe faktorë?
Sali Berisha: Tani, opozita po bën atë që mund të bëjë në kushtet e një regjimi autoritar dhe mendoj se me qëndresën e saj në kushtet e regjimit autoritar, opozita është bërë një zë pa diskutim i fuqishëm dhe i dëgjueshëm.
Dy komisione faktmbledhëse, nuk po flas për 8 rezoluta, por dy komisione faktmbledhëse që është një hap tjetër shumë i veçantë, është vendim shumë i veçantë vendimi për të dërguar komision faktmbledhës, të dyja janë nisma dhe kërkesa të opozitës dhe janë plotësuar.
Pra, në një farë mënyre kjo dëshmon se shqiptarët kanë vërtet një avokat të besueshëm në procesin e integrimit.
Gazetarët: Por opozita nuk është vetëm avokat z. Berisha, është alternativë…
Sali Berisha: Alternativën e kemi të shkëlqyer ne. Ata që vënë në diskutim alternativën e PD, unë njerëzisht u kërkoj të lexojnë të gjithë programin e saj të paraqitur dhe që po e paraqet çdo javë. Ose njerëzisht u kërkoj të marrin historikun e saj të arritjeve të saj shumë të mëdha.
Gazetarët: Zoti Berisha, teksa na thatë se çfarë e bashkon kryeministrin Rama me zonjën Balluku, çfarë po e ndan zotin Rama me Elisa Spiropalin?
Sali Berisha: Tani, misteri është ky, e thashë edhe në parlament, misteri është ky, ajo i thotë Skënderbeu, ky i thotë Palloshi i Gjatë, atë e përjashton, këtë tjetrën e ka bërë kryeministre në hije.
Është paraja në mes. Është paraja, mos e diskutoni. Kanë vjedhur bashkërisht.
Kurse me Elisën duket se nuk kanë vjedhur sa duhet ose nuk kanë vjedhur fare.
Kurse me Lubinë paraja është, nuk ka gjë tjetër.


