FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TRYEZËN E DISKUTIMIT MBI ZHVILLIMET E PORTIT TË DURRËSIT
EKSTRAKT
Në një tryezë diskutimi të mbajtur ditën e sotme në qytetin e Durrësit me ekspertë dhe përfaqësues të departamenteve në PD, Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha deklaroi se porti përbën pasurinë publike më të madhe të vendit, me një vlerë që arrin deri në 4 miliardë euro. Lideri demokrat akuzoi qeverinë socialiste dhe kryeministrin Rama se synon përvetësimin e kësaj pasurie përmes një projekti që deformon funksionin strategjik të portit dhe i shërben interesave private.
Sipas Berishës, projekti fillestar për ndërtimin e një marine në Durrës u anulua për shkak të kërkesave për ryshfet, ndërsa më pas qeveria orientoi ndërhyrjen drejt transformimit të të gjithë portit ekzistues. Ai theksoi se zhvendosja e aktivitetit portual në Porto Romano dhe ndërtimi i një porti të ri me kapacitete më të vogla përbën një vendim që dëmton rëndë ekonominë dhe rolin strategjik të Shqipërisë në rajon.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se Porti i Durrësit është konsideruar nga strukturat europiane si një nyje kyçe për transportin dhe logjistikën, si dhe një pikë me rëndësi strategjike në kuadër të NATO. Sipas tij, zëvendësimi i këtij porti me një tjetër më të vogël është një akt antikombëtar.
Në vijim të fjalës së tij, kryetari i PD akuzoi qeverinë për ndryshim të qëndrimit lidhur me financimin e projektit, duke nënvizuar se fillimisht ishte paraqitur si investim privat, ndërsa tashmë kostoja do të përballohet nga taksapaguesit shqiptarë. Kjo sipas Berishës,, përbën një barrë të rëndë financiare dhe një tjetër element të asaj që ai e cilësoi si skemë korruptive.
Lideri i PD ngriti gjithashtu shqetësime për procedurat e tenderimit, duke pretenduar për përjashtim të kompanive të huaja dhe tentativa për favorizim të operatorëve të caktuar. Ai foli edhe për përfshirje të grupeve kriminale në projekt, pa paraqitur detaje konkrete.
Në përfundim, Berisha e lidhi këtë çështje me procesin e integrimit europian të vendit, duke deklaruar se praktikat korruptive po dëmtojnë seriozisht rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe aktorëve lokalë të reagojnë në mbrojtje të aseteve publike.

FJALA E PLOTË
Faleminderit zoti kryetar, të nderuar të pranishëm, deputetë të qarkut të Durrësit, drejtues të PD, specialistë dhe ekspertë të shquar të fushës së transportit dhe përfaëqësues të interesave të qytetarëve të Durrësit.
Çështja që ne shtrojmë sot është për momentin afera më e madhe korruptive që Europa ka në tryezë.
Kjo aferë shkon të paktën, të marrë së bashku përvetësimin e pasurisë publike, nga të gjitha pasuritë publike që kanë shqiptarët sot, numri një është porti i Durrësit. Pas portit vjen kaskada.
Porti me trojet dhe të gjitha është pasuria publike më e madhe e cila shkon në 3.8- 4 miliardë euro.
Edhe kaskada ka vlerën e vet, por porti e ka më të madhe.
Është një investim mijëravjeçar, por që ka shërbyer si kryeurë e lidhjes së shqiptarëve me Perëndimin dhe ka qenë në pozicionin e tij jashtëzakonisht strategjik dhe një faktor shumë i rëndësishëm në çmimet, në transportin e leverdishëm, etj, etj.
Historia e këtij korrupsioni të përmasave të pakufishme është e tillë. Durrësi në vitin 2013, duhet ta dini ju të gjithë, kishte zonën e përcaktuar për marinën e vet.
Durrësi donte një port marine, nuk diskutohet.
Qytetit i mungonte porti i peshkimit, i mungonte një port marinë.
Porti i peshkimit u ndërtua me paratë e Bankës Botërore, por pavarësisht se u ndërtua, atë e morën dy trafikantë të damkosur ndërkombëtare, një Naim Bej dhe ky Gjergji Luca.
Këta e morën atë se donin detyrimisht të kishin eksesin e tyre në profesionin që ushtronin.
Por marina ishte e përcaktuar me projekt, me tender, me të gjitha midis Currilave dhe hotel Vollgës.
Ishte bërë projekti, ishte bërë tenderi, ishte shpallur fituesi dhe do fillonte puna dhe Durrësi do bëhej me portin e marinës që i takonte, që i mungonte.
Cila është historia?
Historia është kjo, është e regjistruar biseda e Edi Ramës me Ylli Ndroqin, në të cilën Edi Rama i thotë Ylli Ndroqit, i thuaj atij arabit tënd që pa 10 milionë euro nuk fillon punën.
Ylli Ndroqi i thotë, unë për 10 milionë nuk i them dot.
Kjo është e vërteta. Kjo është në dosje.
Këto i ka denoncuar Ylli Ndroqi.
Dhe ky refuzim rrëzoi projektin e shkëlqyer të portit të marinës për Durrësin, sepse Edi Rama donte së paku ryshfet 10 milionë.
E kemi denoncuar shumë herë, publikisht dhe në të gjitha mënyrat.
Dhe pastaj i vuri syrin portit mijëravjeçar.
Port, i cili kishte mundësi thellimi dhe një tender ishte bërë për ta thelluar në mënyrë që të merrte anije gjer në 50 mijë ton.
Dhe një nga kompanitë gjermane më të mëdha të fushës ishte prokuruar për këtë thellim të portit.
Ky del tani e thotë porti është pronë e imja.
Nuk ka njeri të pangopur, nuk ka njeri si ky.
Jo, thotë, do ta çoj në Porto Romano dhe këtu do ndërtohet Dubai i 1001 netëve i Edi Ramës.
Me armën e tij më ordinere, më të turpshme, mashtrimin, u tha shqiptarëve se do e ndërtojë arabi, do e ndërtojë Alabari.
Alabari, një person kontraversal, duhet ta pranojmë, por investitor, deklaroi se unë do investoj gjithsej 70 milionë, kaq është kapitali im.
Tjerat del se do investonte Franc Çopja për Edi Ramën.
Kush do investojë paratë për ndërtimin e 12.600 apartamenteve, e pesë-gjashtë hoteleve, për ndërtimin e marinës, për ndërtimin e pishinave?
Këto do i investonte Edi Rama me Troplinët, me Çopjat, me Çelët e tij.
Ata kanë miliardat, i kanë të groposura në kontejnerë dhe ata i nxjerrin.
Nuk ka vjedhje më të madhe se kjo.
Vetëm truall publik aty janë 1 milion e 200 mijë metër katrorë.
Investimet që janë bërë, thellimet, leverdishmëria e jashtëzakonshme e këtij porti për të gjithë zonën nga Mati gjer te Ura e Mifolit.
Dhe autoriteti i BE për portet e kishte klasifikuar Durrësin si port të një rëndësie strategjike, e kishte studiuar Durrësin si port të një rëndësie strategjike.
Të gjitha studimet e shpalosjes së forcave të armatosura të Shqipërisë në kuadër të NATO-s, Durrësin e kishin në epiqendër.
Nuk kishin përcaktuar as Vlorës, as Sarandën, as Shëngjinin, por Durrësin.
Pra, çdo gjë ishte e stabilizuar.
Durrësi, me infrastrukturën e re që ndërtohej, me Rrugën e Kombit, me hekurudhën Durrës-Prishtinë, me Korridorin 8, me aksin veri-jug, Durrësi shndërrohej epiqendra më kryesore e transportit në rajon.
Dhe unë e kam deklaruar në mënyrë të përsëritur, një nga kundërshtimet më të forta, më të egra që u bë për ndërtimin e Rrugës së Kombit ishte sepse dëmton portet strategjike të tjera në rajon. Dhe natyrisht fuqizohej Durrësi.
Durrësi dilte port kryesor.
Dhe këtij i vuri syrin e ciklopit Edi Rama dhe do të bëhet multimiliarder jashtë çdo imagjinate.
Por ka një tjetër aspekt, natyrisht Durrësi është ky, port tjetër mund të ndërtohet sepse nevojat rriten, etj me radhë, por zëvendësimi i Portit të Durrësit me një port në Porto Romano 4 herë më të vogël në sipërfaqe dhe kapacitete sa Porti i Durrësit, 8 herë më të vogël se Porti i Selanikut, 44 herë më të vogël se Pireu, ky është një akt absolutisht fund e krye antikombëtar, në një kohë kur fizibiliteti nga Adriatiku drejt Europës qendrore është më i përshtatshmi.
Kur hyn në krime të tilla monstruoze, nuk ke të ndalur.
Çfarë bën tani?
Shkonte në Bruksel, shkonte edhe në selinë e NATO-s dhe u thoshte ta ndërtojnë këtë port.
Natyrisht nuk i ndërhyn një vendi sovran për të ndërtuar portin, por meqenëse kërkon, atëherë porti duhet të ketë ato kushte që duhet të ketë një port strategjik për NATO-n.
Porti i Durrësit i plotëson kushtet pasi është port strategjik.
Përsëri këtu një mashtrim i paskrupullt për të vjedhur.
U tha shqiptarëve një vit rresht se ky port i Porto Romanos, do e ndërtojë privati.
Ju, qytetarët, nuk do paguani asnjë qindarkë.
Dhe tani pas 3-4 vitesh histori, del se portin në Porto Romano do ndërtohet nga taksapaguesit shqiptarë.
Dhe do të jetë pra një gjobë.
Ky vet, me klanin e tij mafioz, pasurohet me disa miliardë euro, shqiptarëve u vjedh disa miliardë dhe i ndëshkon me mbi 1 miliard tjetër për të ndërtuar portin e ri, një port të pavlerë, një port një e katërta e Portit të Durrësit, nuk ka asnjë vlerë.
I duhet vetëm për kontrabandë se po i vijnë ato anijet nga Tunizia, nga Libia, që e shkarkon naftën aty.
Pra, një gjobë e tmerrshme për një vepër publike, e cila bëhet për të zëvendësuar një kryevepër publike që e vjedh ky.
Tenderi identik me Tunelin e Llogarasë.
Krye-ekspertja që në këto troje, grua më mafioze se ajo nuk ka lindur, dhe vetëm Edi Ramën ka përpara, merr e hap tenderin, natyrisht ndërtimi i një porti është gjë e madhe, vijnë kompanitë më të mëdha të ndërtimit të porteve, Franca, Holanda, kompani me një ekspertizë të jashtëzakonshme.
I merr dhe i përjashton, mendon se do mund të bënte si me Pacollin dhe atë Ademin, i merr dhe i përjashton dhe zgjedh kompaninë që sigurisht ndante me ta më shumë.
U desh një ndërhyrje energjike e partnerëve tanë që ky tender mega-korruptiv të anulohej një ditë para se të shpallej fituesi.
E tëra kjo vepër e Lubi Ballukut, e Edi Ramës sigurisht se ajo çdo gjë e ka bërë në ujdi të plotë ose me porosi të plotë të Edi Ramës.
Pra, në këtë aferë, e cila është vetëm në hapat e parë të kundërmimit ndërkombëtar, por që kundërmimi do vazhdojë në të gjitha nivelet.
Ju e dini që ka mbi një muaj, përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare kanë bërë gjer dje pesë takime dhe prapë Shqipëria mbetet në klasë për shkak të vjedhjeve të Edi Ramës me Lubi Ballukun dhe AKSHI-n e Lindave.
Dhe çfarë është ai?
Ai është një raport i ndërmjetëm, nuk është një raport përfundimtar.
Dhe as të ndërmjetëm nuk e kanë pranuar dhe janë bërë një grup i madh vendesh, të cilat kanë sjellë dje një breshëri të re kushtesh dhe kërkesash që do i vendosen Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Të gjitha këto për vjedhjet e Edi Ramës me Lubi Ballukun dhe Lindat e tij.
Dhe del nga një sallë në një tjetër me patronazhistë hajdutë dhe kriminelë elektoralë duke mbrojtur korrupsionin, duke deklaruar se nuk kemi shumë korrupsion.
Kujton se nuk e ka parë bota lakuriq atë kur bllokoi heqjen e imunitetit të Lubi Ballukut.
Mendon se të tjerët nuk e dinë se mbrojti veten e tij.
Mendon se të tjerët nuk e dinë se Linda e AKSHI-t nuk është gjë tjetër veçse maska e Lindës së Surrelit.
Dhe e vërteta është se Shqipëria po ndëshkohet pavarësisht nga mashtrimet e tij.
Por një breshëri kushtesh të reja vendosen dhe de facto pas proceseve të mundshme të anëtarësimit të Islandës dhe Norvegjisë, Shqipëria largohet me Edi Ramën me shpejtësi mbrapa nga horizonti.
Dhe ky mendon se çdo gjë do ta kalojë me mashtrimet e tij.
Ky mendon se duke deklaruar se ka më pak korrupsion se ç’kishte bëhet i besueshëm, në një kohë kur të gjithë e kuptojnë se kryehajduti i kombit është vetëm ai.
Del nga salla në sallë me patronazhistët dhe u thotë punët e Shqipërisë.
Unë u them qytetarëve, demokratë, socialistë, pa parti, punët e Edi Ramës janë sarajet e Surrelit.
Punët e Edi Ramës është pallati i Linda Ramës në pajë pa asnjë faturë.
Punët e zeza të Edi Ramës është Porti i Durrësit që shkon disa miliarda.
Punët e zeza të Edi Ramës është Tuneli i Llogarasë.
Punët e zeza të Edi Ramës është autostrada Librazhd-Dragostunjë e shembur sikur t’i kenë hedhur bombën më të madhe që ekziston.
Punët e tij janë rrugët e shembura në të katër anët e vendit.
Punët e tij janë çmimet e dhjetëfishta për një kilometër rrugë të ndara me enturazhin e tij.
Punët e tij janë çmimet.
Zhdukja 100 përqind e investimeve siç është djegësi i Tiranës.
Apo 75 milionë euro vetëm një tender i Linda Ramës për inteligjencën artificiale, në një kohë kur Kina për DeepSeek ka shpenzuar 6 milionë euro.
Dhe Edi Rama për inteligjencën artificiale që nuk ekziston, ka inkasuar 75 milionë euro.
Pra, këta janë punët, dhe qytetarët duhet ta dinë.
Por ai nuk takohet me qytetarët, takohet me patronazhistët, një racë kriminelësh elektoralë, të cilët janë absolutisht, drejtësia për ta nuk vonon dhe do të dënohen, ndëshkohen si kriminelë elektoralë në këtë vend.
Dhe kanë zëvendësuar plotësisht policinë politike të ish-Sigurimit të Shtetit të Enver Hoxhës.
Këtu e kam një mesazh unë që më dërgon njëri për Flamur Gjuzin.
Flamur Gjuzi, i cili i merr punonjësit dhe u thotë partia ime do këto, do këto ose ik.
Bën pra një diferencim politik, të cilin e bënte në Kosovë regjimi i Millosheviçit.
Ky është diferencimi që kanë filluar këta patronazhistë hajdutë të bëjnë ndaj qytetarëve.
Dhe ky Flamuri nuk është përjashtim, shumica e patronazhistëve janë të tillë se kanë hall të mbrojnë vjedhjet e tyre, krimet e tyre.
Ne do të qëndrojmë dhe qytetarët e Durrësit jam i bindur do të qëndrojnë në mbrojtje të kësaj pasurie të madhe publike.
Dhe Edi Rama nuk do mund kurrë të kapërcejë këtë vjedhje të madhe që po i bën Durrësit dhe Shqipërisë.


